ATV

Category: Lajme

  • Sot mbahet seanca e radhës ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Sot mbahet seanca e radhës ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Sot do mbahet seanca gjyqësore ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët akuzohen për spiunazh.

    Seanca e fundit ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të akuzuar për spiunazh, ishte shtyrë për sot, me arsyetimin se njëri nga të akuzuarit kishte probleme shëndetësore.

    Të dyshuarit ishin arrestuar në qershor të vitit të kaluar, ndërsa prokuroria ka theksuar se ekziston dyshimi i bazuar se secili prej tyre ka kryer veprën penale të spiunazhit, sipas nenit 124 të KPRK-së.

    Përveç kësaj, Muharrem Qerimi po akuzohet edhe për “Mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.”

    Prokurori ka kërkuar nga gjykata që të dyshuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen, duke kërkuar gjithashtu vazhdimin e masës së paraburgimit deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

    Sipas informacioneve të lëshuara nga Prokuroria Speciale, Shabani dhe Qerimi mblodhën informata që do t’i shërbenin Ministrisë së Brendshme serbe, për ta ndërtuar një narrativ të rremë për një rrjet të trafikimit të organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës.

    Qerimi në bazë të aktakuzës i ka dërguar zyrtarit të Ministrisë së Brendshme, Sërgjan Rosiq edhe të dhëna të klasifikuara që lidheshin me veprimtarinë e Prokurorisë Speciale.

    Ndërkohë i akuzuari Bedri Shabani, në bazë të pretendimeve të prokurorisë, përveç Rosiqit, pati kontakt edhe me një zyrtar tjetër, Bogolub Janiçeviq, që kishte rol udhëheqës në masakrën e Reçakut.

  • Moti sot: Diell dhe vranësira të pjesshme

    Moti sot: Diell dhe vranësira të pjesshme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se sot mban mot me diell dhe pjesërisht i vranët.

    Temperaturat minimale luhaten mes 2 dhe 5°C.

    Ndërsa, ato maksimale do të jenë ndërmjet 12 dhe 14 gradë.

    “Era fryn nga juglindja, 1-4 m/s”, njofton IHMK-ja.

  • Lladrovci: E mundi edhe Kurtin nëse garoj me iniciativën time

    Lladrovci: E mundi edhe Kurtin nëse garoj me iniciativën time

    Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, në Rubikon të Klan Kosovës u shfaq i bindur se do ta mposhtë Albin Kurtin, nëse në zgjedhjet e ardhshme garon me iniciativën e tij.

    Lladrovci deklaroi se do të përgatitet, pasi sipas tij kurrë në jetë nuk është zënë në befasi.

    “Unë kam thënë nëse dal me iniciativën time, do ta mund edhe Albin Kurtin”, deklaroi Lladrovci në Klan Kosova.

    Ai tha se PDK-ja do të shkonte në një koalicion me Vetëvendosjen nëse do të arrinin të dakordoheshin në disa pika, siç është ndihma për fondin për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Sot, mandatari për formimin e Qeverisë, Glauk Konjufca, nuk mori më shumë se 56 vota e të cilat ishin të pamjaftueshme për formimin e ekzekutivit të ri.

    Kështu vendi pritet të shkojë sërish në zgjedhje, pasi që as pas 9 muajsh prej se u mbajtën zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk ka qeveri.

  • Vendi shkon në zgjedhje – Presidentja sot mbledh liderët politikë për caktimin e datës së zgjedhjeve

    Vendi shkon në zgjedhje – Presidentja sot mbledh liderët politikë për caktimin e datës së zgjedhjeve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i presë sot liderët partiakë për konsultime rreth datës së zgjedhjeve, pas dështimit të mandatarit të dytë të Lëvizjes Vetëvendosje për të siguruar shumicën e nevojshme për qeverinë e re të Kosovës.

    Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka konfirmuar se takimi do të nisë nga ora 10:30, dhe të njëjtit do të marrin pjesë.

    Po ashtu edhe nga Lëvizja Vetëvendosje dhe NISMA kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

    Ky takim vjen një ditë pas dështimin të Glauk Konjufcës për t’u zgjedhur kryeministër i vendit.

    Pro formimit të Qeverisë sipas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje votuan vetëm 56 deputetë, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër.

    Pas dështimit për Qeverinë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

  • Tre fëmijë dorëzojnë në polici dokumente dhe 614 euro të gjetura në Ferizaj

    Tre fëmijë dorëzojnë në polici dokumente dhe 614 euro të gjetura në Ferizaj

    Sot rreth orës 12:30, në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur qytetari N. Tërziu, i cili ka sjellë një portofol të gjetur nga fëmijët R.T (12), A.T. (11) dhe D.T. (11), nxënës të një shkolle në Ferizaj.

    Brenda në portofolin e gjetur nga fëmijët në rrugë kishte dokumente personale dhe 614 euro. Pas verifikimeve, policia ka identifikuar pronaren B.M. nga Ferizaj, e cila është paraqitur në stacion dhe ka konfirmuar se dokumentet dhe paratë ishin të paprekura. Ato i janë kthyer me procesverbal zyrtar.

    Pronarja ka shprehur mirënjohje dhe falënderim ndaj tre fëmijëve dhe familjes së tyre për gjestin e ndershëm, si dhe ndaj Policisë së Ferizajt për profesionalizmin dhe bashkëpunimin.

    Drejtoria rajonale e Policisë në Ferizaj falënderon fëmijët R.T., A.T. dhe D.T. për veprimin e tyre human, edukativ dhe shembullor, që pasqyron vlera të larta morale, familjare dhe qytetare.

  • Osmani nesër mbledh partitë për caktimin e datës së zgjedhjeve

    Osmani nesër mbledh partitë për caktimin e datës së zgjedhjeve

    Presidentja e vendit Vjosa Osmani nesër do t’i takojë përfaqësuesit e partive politike.

    Sipas burimeve të Atvlive.tv, takimi është thirrur për nesër në orën 10:30.

    Ndërsa bëhet e ditur se presidentja këtë takim me përfaqëusues të partive politike do ta mbajë me qëllim që të caktohet data e zgjedhjeve.

    Ndryshe takimi i presidentës Osmani me përfaqësuesit e partive politike vjen pas zhvillimeve të fundit, ku i mandatuari i LVV-së për formimin e qeverisë Glauk Konjufca, nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme.

  • Shpend Ahmeti u kërkon partive të tregojnë me kë do të bëjnë koalicione pas zgjedhjeve

    Shpend Ahmeti u kërkon partive të tregojnë me kë do të bëjnë koalicione pas zgjedhjeve

    Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pasi me dështimin e Glauk Konjufcës për të formuar qeveri u hap rruga për zgjedhje të reja, tha se partitë politike në këto zgjedhje do të duheshin të tregonin se me kënd janë të gatshme të bëjnë koalicione për të mos u përsëritur i njëjti skenar.

    “Në këto zgjedhje kishte me qenë mirë me na tregu partitë se me kënd janë të gatshëm me bo koalicione se përndryshe do ta kemi një deja vu kolektive”, shkroi Ahmeti.

  • SHBA kërkesë Ukrainës: Hiq dorë nga këto territore, ja harta që i jep fund luftës

    SHBA kërkesë Ukrainës: Hiq dorë nga këto territore, ja harta që i jep fund luftës

    Sipas Reuters SHBA ka sinjalizuar Presidentit Volodymyr Zelenskiy se Ukraina duhet të pranojë një kornizë të hartuar nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, e cila propozon që Kievi të heqë dorë nga territori dhe disa armë, thanë të mërkurën dy persona të njohur me çështjen.

    Burimet, të cilat kërkuan të mos identifikoheshin për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, thanë se propozimet përfshinin, ndër të tjera, edhe zvogëlimin e madhësisë së forcave të armatosura të Ukrainës. Ata thanë se Uashingtoni dëshiron që Kievi të pranojë pikat kryesore.

    Një plan i tillë do të përfaqësonte një pengesë të madhe për Kievin, ndërsa përballet me përfitime të mëtejshme territoriale ruse në Ukrainën lindore dhe me Zelenskiyn që po përballet me një skandal korrupsioni në të cilin parlamenti shkarkoi ministrat e energjisë dhe të drejtësisë të mërkurën.

    Një zyrtar i lartë ukrainas i tha më parë Reuters se Kievi kishte marrë “sinjale” në lidhje me një sërë propozimesh të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës që Uashingtoni i ka diskutuar me Rusinë. Ukraina nuk ka pasur asnjë rol në përgatitjen e propozimeve, tha burimi.

    Zelenskiy, i cili zhvilloi bisedime në Turqi të mërkurën me Presidentin Tayyip Erdogan, do të takohet me zyrtarë të Ushtrisë Amerikane në Kiev të enjten.

    Shenjat e një përpjekjeje të ripërtërirë të udhëhequr nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës shkaktuan të mërkurën rritjen më të madhe të çmimeve të obligacioneve qeveritare të Ukrainës në muaj të tërë.

    Nuk janë zhvilluar bisedime ballë për ballë midis Kievit dhe Moskës që nga një takim në Stamboll në korrik dhe forcat ruse kanë vazhduar luftën gati katërvjeçare të Moskës në Ukrainë , duke vrarë 25 persona në sulmet ajrore gjatë natës.

    Përpjekjet për të ringjallur negociatat e paqes duket se po fitojnë vrull, megjithëse Moska nuk ka treguar shenja se do të ndryshojë kushtet e saj për t’i dhënë fund luftës.

    Presidenti rus Vladimir Putin i ka kërkuar prej kohësh Kievit të heqë dorë nga planet për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-të dhe për të tërhequr trupat e saj nga katër provinca që Moska i pretendon si pjesë të Rusisë. Moska nuk ka dhënë asnjë shenjë se ka hequr dorë nga ndonjë nga këto kërkesa dhe Ukraina thotë se nuk do t’i pranojë ato.

  • Gati 3 mijë raste të dhunës në familje për 9 muaj në Kosovë

    Gati 3 mijë raste të dhunës në familje për 9 muaj në Kosovë

    Gjashtë raste të dhunës në familje u raportuan vetëm për ditën e hënë të 17 nëntorit të 2025-ës, tregues ky i një realiteti të zi brenda mureve të familjeve kosovare.

    20 vjeçarja G.C., e cila raportoi dhunën e tmerrshme fizike e psikike që përjetoi për vite nga bashkëshorti i saj, ishte një ndër numrat e këtij muaji.

    Ajo në Kiks Kosova rrëfeu për një dhunë të vazhdueshme, çnjerëzore, që iu bë vazhdimisht, që nga viti 2021 e deri në raportimin e fundit, nëntor të 2025-ës.

    Gjatë vitit 2025, nga janari në tetor, u raportuan 2 mijë e 152 raste të dhunës në familje. Krejt këto të dhëna të publikuara nga Ministria e Drejtësisë treguan statistika e numra të dhunës së ushtruar brenda gjësë më të shenjët te shqiptarët – familjes.

    Këto numra ishin vetëm të atyre që u raportuan në Polici.

    Më së shumti raste kishte në Prishtinë (729), pasuar nga Peja me 275 dhe Prizreni me 262.

    Nga mosha, numri i viktimave ishte më i larti nga 20 deri në 30 vjeç që kishte 526 raste të dhunës në familje, dhe mosha 30 deri në 40, 510 raste. 1 mijë e 555 nga numri i 2 mijë e 152 ishin gra viktima të dhunës brenda familjes apo edhe që i bie afërsisht rreth tre nga katër viktimat. 597 burra ishin viktima nga numri i përgjithshëm apo afërsisht një nga katër viktima të dhunës në familje janë burra.

    Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2023 ishin raportuar 2,638 raste të dhunës në familje, ndërsa në vitin 2024 ky numër është rritur në 2,959 raste.

    Aktivistja e drejtave të grave, Adelina Tërshani, thotë që institucionet, rastet e dhunës në familje nuk po i marrin seriozisht, madje fokusin e kanë më shumë tek numrat e statistikat sesa te fenomeni.

    Tërshani shton që edhe pse gratë po e dinë se çështja e tyre nuk po trajtohet me seriozitetin e merituar, një numër i theksuar janë vetëdijesuar se duhet të raportohet dhuna në familje.

    Madje sipas saj, shumica rasteve të cilat kanë përfunduar me fatalitet janë ato që paraprakisht kanë raportuar dhunën ndaj tyre e që nuk janë marrë sa duhet parasysh.

    Po ashtu, ajo thotë se ka shumë raste të dhunës ndaj grave që kthehet në rigjykim e nuk përfundon me dënim meritor.

  • Agim Bahtiri sqaron fotot me Rakiqin e Shehollin

    Agim Bahtiri sqaron fotot me Rakiqin e Shehollin

    Gjatë ditës së sotme janë publikuar disa foto të deputetit të Vetëvendosjes, Agim Bahtri me të dyshuarin për spiutazh, Fatmir Sheholli edhe ish deputetin e Kuvendit të Kosovës, Goran Rakiq.

    E lidhur me këtë ka qenë vetë deputeti Bahtri që përmes një postimi në rrjetin social në Facebook para pak minutave ka shpejguar arsyen e këtyre fotove.

    Bahtiri thotë se qytetarët e njohin atë shumë mirë se kush është ai, çfarë interesash përfaqëson dhe sa ka konsideratë e respekt për familjet e dëshmorëve.

    Postimi i plotë:

    SQARIM PUBLIK

    Po e shoh që PDK-ja përmes portaleve të veta që i financon dhe propagandave të ulëta, po tenton të më njëllosë mua, gjëja se unë kam pasur afërsi me tashmë të dyshuarin për spiunazh, Fatmir Sheholli, dhe ish kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç.

    Prandaj, jo për ata, por për qytetarët e ndjej obligim moral dhe njerëzor që t’iu tregoj të vërtetën e këtyre fotografive që po qarkullojnë:

    1. Fotografia me Fatmir Shehollin:

    Me datë 1 nëntor 2022, gazetari i televizionit Kanal10, z. Kushtrim Sadiku, ka mbajtur një debat televiziv në ambientet e urës së Ibrit, pra një studio të hapur. Pas debatit që ka realizuar, më ka telefonuar dhe më ka thënë se jam në Mitrovicë me disa miq, në restaurant “Ura” dhe do të donim nëse je në Mitrovicë të na shoqërosh për një kafe.

    Kam shkuar, dhe në këtë takim ishin të gjithë këta që po i shihni në foto të cilën për herë të parë po e publikoj të plotë, si dhe disa të tjerë, të cilët i shihni çdo natë nëpër televizione si analistë. Shehollin për herë të parë e kam njohur aty, si analist politik dhe asgjë tjetër. Kjo ka qenë edhe hera e fundit kur jam takuar me të. Nuk më kujtohet se kush e ka realizuar fotografinë, por e di se kjo foto është bërë me një qëllim të qartë, për shkak se asnjëherë nuk është postuar si e plotë por është prerë dhe është postuar ekskluzivisht në profilin personal të Fatmir Shehollit. Pra, është prerë dhe është postuar ashtu siç i ka konvenuar atij dhe vartësve të tij. Këtu mbaron sqarimi im për këtë fotografi.

    2. Fotografia me Goran Rakiç:

    Siç e dini të gjithë, ai ka qenë kryetar i komunës së Mitrovicës Veriore, në kohen kur unë kam qenë kryetar i Mitrovicës së Jugut. Rrjedhimisht, me apo pa dëshirë, unë dhe ai kemi qenë homologë. Me presionin dhe ndërmjetësimin e Nderkombëtarëve, jemi takuar për të bërë hapa progresivë për të mundesuar lëvizjen e lirë të qytetarëve. Kjo foto, që gjithashtu po qarkullon e prerë është realizuar në vitin 2018, ku Admirali FOGGO III, Komandant i Komandës së Forcave të Bashkuara Aleate në Napoli, dhe gjeneral major CUOCI, Komandant i KFOR-it, kanë vizituar Mitrovicën dhe me insistimin e tyre jemi takuar në Uren e Ibrit. Kaq! Pra, unë jam takuar vetëm zyrtarisht, në Urë të Ibrit, së bashku me ndërkombëtaret çdoherë. Kurrë nuk jam takuar miqësisht; kurrë nuk kam ngrënë dreka e darka në hotele e villa. Sepse unë kurrë nuk jam si ata. Dhe kurrë nuk do të jem.

    Unë nuk e kam bërë ministër të Pushtetit Lokal, Rakiçin në Qeverinë e Avdullah Hotit. Për këtë duhet të shqetësoheni ju, e jo për këto propaganda falso!

    Qytetarët që më njohin, e dinë se kush jam unë, çfarë interesash përfaqësoj dhe sa kam konsideratë e respekt për familjet e dëshmorëve.

    Do të vijë koha, kur në shesh do të del gjithçka. Qartë dhe mirë. Mezi pres të hy ne debat me ta dhe t’i tregoj të gjitha faqet e zeza dhe turpin që e kanë bërë këta ndër vite. Mos mendoni se nuk dimë asgjë! Nuk ka djalë nëne, që më fut mua në thes me juve.