ATV

Category: Lajme

  • “Pacientët vazhdojnë t’i blejnë vetë barnat”, Deliu-Kodra me akuza ndaj ministrit Vitia

    “Pacientët vazhdojnë t’i blejnë vetë barnat”, Deliu-Kodra me akuza ndaj ministrit Vitia

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka ngritur shqetësimin për mungesën e barnave në Kosovë, duke thënë se suspendimi i katër farmacistëve nuk e zgjidh problemin me furnizimin e pacientëve me terapi.

    Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Deliu-Kodra ka pyetur nëse ky vendim do të ndikojë që pacientët të mos detyrohen më t’i blejnë vetë barnat dhe terapitë e tyre.

    Ajo theksoi se problemi i furnizimit me barna nuk lidhet vetëm me farmacistët që i shpërndajnë ato, por edhe me planifikimin, prokurimin dhe menaxhimin e barnave.

    “A mendon dikush që me suspendimin e katër farmacistëve zgjidhet problemi i mungesës së barnave në Kosovë? A do të thotë kjo se prej nesër pacientët nuk do të detyrohen t’i blejnë vetë terapitë e tyre? A nënkupton kjo se barnat esenciale do të jenë në dispozicion të pacientëve në çdo kohë? Sigurisht që jo. Problemi i furnizimit nuk fillon dhe nuk përfundon te farmacisti që i jep barnat. Problemi lidhet me planifikimin, prokurimin dhe menaxhimin e barnave”, tha ajo. /kp/

  • OKB-ja rrezikon të mbetet pa udhëheqës, gara për pasuesin e Guterresit në ngërç

    OKB-ja rrezikon të mbetet pa udhëheqës, gara për pasuesin e Guterresit në ngërç

    Kombet e Bashkuara mund të përballen me një situatë të paprecedentë, duke mbetur pa sekretar të përgjithshëm, pasi gara për pasuesin e Antonio Guterresit ka ngecur dhe ende nuk ka marrëveshje mes fuqive kryesore të Këshillit të Sigurimit.

    Me më pak se dy muaj deri në përfundimin e mandatit të Guterresit, Këshilli i Sigurimit pritet të zhvillojë këtë javë një tjetër votim të fshehtë për zgjedhjen e sekretarit të ardhshëm të përgjithshëm, transmeton Telegrafi.

    Megjithatë, pas tetë raundesh votimi, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, të cilët kanë të drejtën e vetos, ende nuk kanë arritur të pajtohen për një kandidat. Për këtë arsye, zyrtarët e OKB-së kanë nisur përgatitjen e planeve rezervë në rast se organizata mbetet pa një udhëheqës pas largimit të Guterresit më 31 dhjetor.

    Sipas analistëve, dështimi për të zgjedhur pasuesin lidhet pjesërisht me procesin e gjatë dhe jo transparent të përzgjedhjes, i cili bazohet në votime të fshehta. Ky proces shihet si shembull i ngadalësisë dhe bllokadave institucionale që sekretari i ardhshëm do të pritet t’i zgjidhë.

    Edhe në vitin 2016, kur u zgjodh Guterresi, Këshillit të Sigurimit iu deshën gjashtë raunde votimi për të arritur një vendim.

    Megjithatë, vëzhguesit theksojnë se ngërçi aktual pasqyron edhe mungesën në rritje të vullnetit të fuqive me të drejtë vetoje për të bërë kompromise. 

    Situata është ndërlikuar më tej nga administrata amerikane, e cila gjithnjë e më shumë po i anashkalon Kombet e Bashkuara dhe është e përqendruar edhe në angazhimet e saj të shumta ndërkombëtare.

    “Shqetësuese është se sa vonë gjatë vitit kemi arritur në këtë pikë dhe çfarë nënkupton kjo për formimin e ekipit të ri”, tha Shamala Kandiah Thompson, drejtoreshë ekzekutive e organizatës kërkimore Security Council Report, e cila monitoron punën e Këshillit të Sigurimit.

    “Duke pasur parasysh se i gjithë ky proces kishte nisur kaq herët, nuk është dashur të gjendeshim në këtë situatë”, shtoi ajo. /Telegrafi/

  • Kurti thotë se javën e ardhme do të prezantohet drafti i parë i Ligjit për Specialen

    Kurti thotë se javën e ardhme do të prezantohet drafti i parë i Ligjit për Specialen

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se javën e ardhshme pritet të prezantohet drafti i parë i strategjisë shtetërore për çështjen e Dhomave të Specializuara, si dhe një draft i ri i ligjit për këtë gjykatë, raporton Ekonomia Online.

    Duke folur në Kuvend, Kurti tha se në grupin punues për strategjinë janë të përfaqësuara institucionet relevante dhe partitë politike parlamentare, ndërsa në proces janë angazhuar edhe ekspertë juridikë.

    “Ne presim që në javën e ardhshme grupi punues për strategjinë shtetërore përkatëse ta sjellë draftin e parë. E ju e dini që në këtë grup punues janë të përfaqësuara të gjitha institucionet relevante dhe partitë politike parlamentare. Aty janë të gjithë bashkë dhe natyrisht që janë angazhuar edhe ekspertë juridikë për t’i ndihmuar ata. Këta ekspertë juridikë po e ndihmojnë grupin punues dhe ne presim strategjinë në javën e ardhshme. Por, nga disa prej këtyre ekspertëve dhe ekspertë të tjerë, por edhe të tjerë që mund të kontribuojnë ndërkohë, presim gjithashtu që në javën e ardhshme të na e sjellin draftin e ri të një ligji të ri përkatës për dhomat e specializuara. Ashtu që përmbajtja të punohet me kujdes dhe ajo përmbajtje të vijë për diskutim dhe për miratim. Ajo përmbajtje të jetë në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë tonë, në mënyrë që të ndihmohet drejtësia”, tha Kurti.

    Ai ka theksuar se qëndrimi i tij ndaj Gjykatës Speciale nuk ka ndryshuar që nga viti 2015, duke e cilësuar atë si gjykatë të pazakonshme, monoetnike dhe me mungesë transparence.

     “Më lejoni të them disa gjëra të rëndësishme lidhur me këtë çështje jetike për të ardhmen tonë, por edhe për vetë shtetësinë e Republikës aktualisht. Së pari, si kryeministër i Republikës së Kosovës, dhe si kryetar i subjektit politik fitues të zgjedhjeve të fundit, nuk kam ndryshuar fare qëndrim për dhomat e specializuara apo gjykatën speciale, siç njihet ndryshe, nga pranvera e vitit 2015. Mendimi qëndrimi im është i njëjtë. Konsideroj që kjo gjykatë speciale, këto dhoma të specializuara, janë një gjykatë e pazakonshme, aq e pazakonshme saqë edhe termi ‘sui generis’ duket i ngushtë. Herë sillen si gjykatë vendore, herë si tribunal ndërkombëtar. Por gjithsesi janë një gjykatë monoetnike, me mungesë transparence”, tha ai. Ai foli edhe për aktgjykimin e 16 shtatorit, të cilin e cilësoi si të pasaktë në aspektin faktik dhe historik, duke kundërshtuar dënimin e shqiptuar ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, potencoi ai.

    “Ky qëllim ka ardhur edhe nga indinjata e thellë, nga zhgënjimi i madh me aktgjykimin e 16 shtatorit. I cili kishte shumë pasaktësi faktike e historike. Dhe rezultoi me një dënim shumë të lartë prej 81 vjet burg për 4 ish-kreret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Natyrisht që duhet ta përmendim se ku janë rrënjët e kësaj gjykate speciale siç njihet në popullin tonë këto dhomat e specializuara. Korigjimi i aktgjykimit duhet të ndodh dhe do të ndodhë 2027”, shtoi.

    Kreu i Qeverisë tha se synimi është që ligji i ri të ketë efekt në praktikë dhe të mos kthehet apo anulohet.

     “Duhet të kemi sukses, duhet të dalim fitimtarë. E për këtë na duhet një ligj i cili nuk kthehet mbrapsht, nuk anulohet, por një ligj i cili ka efekt në realitet, në praktikë më pastaj”, potencoi Kurti.

  • Tahiri për mungesën e energjisë elektrike: Kosovën tonë të dashur e ka mbuluar terri

    Tahiri për mungesën e energjisë elektrike: Kosovën tonë të dashur e ka mbuluar terri

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësimin për ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike në vend, duke thënë se ato po ua vështirësojnë jetën qytetarëve, përfshirë edhe në kryeqytet dhe qytete të tjera, raporton Ekonomia Online.

    Në seancën e Kuvendit, Tahiri tha se ndërprerjet po ndodhin kryesisht në vendbanimet rurale, por se mbrëmë janë raportuar edhe në Prishtinë dhe qytete të tjera.

    Ai ka kritikuar edhe çmimin e energjisë elektrike, duke thënë se familjet me gjendje të rëndë ekonomike po detyrohen të hyjnë në borxhe për t’i paguar faturat.

    “Jemi duke parë që Kosovën, vendin tonë të dashur e ka mbuluar terri. Mungesa e energjisë elektrike me orë të tëra, kryesisht në lokacione në vendbanime rurale, mirëpo mbrëmë edhe në kryeqytetin, Prishtinë, edhe në qytete të tjera, realisht është duke e vështirësuar jetën e qytetarit të Kosovës në maksimum, duke i detyruar familjet e varfëra që realisht të hyjnë në borxhe për me mujt me e pagu çmimin e energjisë elektrike, e në veçanti duke e ditur se një numër i madh i familjeve kanë fëmijë në 5 zonat urbane, siç e thashë në debatin e kaluar, për energji, nxjerrja është kryesisht, mos me thënë ekskluzivisht, me energji. Është duke e bërë jetën të pajetueshme në vendin tonë”, tha ai.

  • Kurti: Synojmë që brenda katër vjetësh 1 miliard euro importe t’i zëvendësojmë me prodhime vendore

    Kurti: Synojmë që brenda katër vjetësh 1 miliard euro importe t’i zëvendësojmë me prodhime vendore

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se përmes Agjendës Një Miliard Euro, në bashkëpunim me Data4X, synohet që brenda katër vjetësh një miliard euro importe të zëvendësohen me prodhime vendore.

    Përmes një postimi, Kurti ka thënë se Kosova vazhdon të importojë shumë produkte që mund të prodhohen brenda vendit, ndërsa kjo agjendë synon të ndryshojë këtë gjendje përmes rritjes së prodhimit vendor.

    “1 miliard euro prodhim vendor në vend të importit, do të thotë edhe fabrika të reja, vende pune e produkte vendore në raftet tona, por edhe eksport”, ka shkruar Kurti.

    Ai ka theksuar se kjo nismë nuk është proteksionizëm, por një agjendë zhvillimore që synon rritjen e prodhimit dhe konkurrueshmërisë së kompanive vendore.

    Sipas Kurtit, në një kohë kur zinxhirët e furnizimit po përballen me sfida për shkak të ndryshimeve gjeostrategjike, rritja e prodhimit vendor është edhe një mënyrë për të forcuar vetëqëndrueshmërinë, pavarësinë dhe sigurinë e vendit.

    Këto çështje, sipas tij, ishin në qendër të diskutimeve në edicionin e tretë të konferencës “The Future of Business”, me temën “Nga mundësitë tek investimet”. /Telegrafi/

  • Murati dorëzon kallëzim penal ndaj Përparim Ramës

    Murati dorëzon kallëzim penal ndaj Përparim Ramës

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe disa bashkëpunëtorëve të tij në Komunën e Prishtinës.

    Sipas Muratit, kallëzimi penal lidhet me dyshimet për keqpërdorim të 2.2 milionë eurove nga mjetet buxhetore, çështje kjo që, siç ka thënë ai, është evidentuar edhe në raportin e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

    Ministri ka bërë të ditur se veprimet e dyshuara përfshijnë disa vepra penale, të cilat i ka renditur në një publikim të tij.

    “Veprimet e dyshuara që kanë rezultuar me keqpërdorim të 2.2 milione eurove janë: keqpërdorimi i detyrës zyrtare, falsifikimi i dokumentit zyrtar, mashtrimi, dhe përdorimi i paautorizuar i pasurisë”, ka shkruar Murati.

    Murati ka shpjeguar gjithashtu se Ministria e Financave kishte nënshkruar një marrëveshje financiare me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), përmes së cilës ishin siguruar pesë milionë euro kredi.

    Sipas tij, këto mjete i ishin vënë në dispozicion Komunës së Prishtinës për investime në renovimin dhe ngrohjen e shkollave, çerdheve dhe institucioneve të tjera publike.

  • Shiroka-Pula: Të drejtat e njeriut nuk mjafton të garantohen me ligj, ato duhet të mbrohen

    Shiroka-Pula: Të drejtat e njeriut nuk mjafton të garantohen me ligj, ato duhet të mbrohen

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, në shënimin e 26-vjetorit të themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit, ka thënë se të drejtat e njeriut nuk mjafton vetëm të garantohen me ligj, por duhet të mbrohen në çdo rast, raporton Ekonomia Online.
    Ajo tha se Institucioni i Avokatit të Popullit ka rol të rëndësishëm në mbrojtjen e qytetarëve nga shkeljet e të drejtave të njeriut dhe veprimet e paligjshme të autoriteteve publike.

    Shiroka-Pula theksoi se rekomandimet e këtij institucioni duhet të zbatohen, pasi përmes tyre rritet besimi i qytetarëve në institucione dhe forcohet sundimi i ligjit.

    “Të drejtat e njeriut nuk mjafton vetëm të garantohen me ligj. Ato duhen të mbrohen në çdo rast. Çdo qytetar duhet ta dijë se kur i shkelën të drejtat, ka një institucion ku mund t’i drejtohet. Pikërisht këtë rol e ka institucioni i Avokatit të Popullit, të themeluar 26 vjet më parë. Si institucion i pavarur, ai mbron qytetarët nga shkeljet e të drejtave të njeriut dhe nga veprimet e paligjshme të autoriteteve publike. Në këtë drejtim, rekomandimet e Avokatit të Popullit kanë rëndësi të veçantë. Ato janë thirrje për veprim, përgjegjësi dhe përmirësim. Vlera e tyre matet me zbatimin dhe me ndryshimet konkrete që sjellin në jetën e qytetarëve. Zbatimi i tyre ndihmon në ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe në forcimin e sundimit të ligjit. Ngase shteti dëshmon mbi të gjitha në mënyrën se si i trajton dhe i mbron qytetarët e tij. Forcimi i pavarësisë dhe i rolit të Avokatit të Popullit është thelbësor për demokracinë dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Çdo qytetar ka të drejtë të ndihet i mbrojtur. Për këtë ekziston Avokati i Popullit. Por synimi ynë duhet të jetë që çdo qytetar t’i gëzojë të drejtat e tij pa pasur nevojë të kërkojë mbrojtjen e tyre. Institucionet duhet të funksionojnë me përgjegjësi në mënyrë që sa më pak qytetarë të kenë nevojë t’i drejtohen Avokatit të Popullit”, tha ajo.

  • Shtyhet rishqyrtimi i Ligjit për Specialen, Kuvendi vazhdon me seancën e rregullt

    Shtyhet rishqyrtimi i Ligjit për Specialen, Kuvendi vazhdon me seancën e rregullt

    Është shtyrë deri në një njoftim të ardhshëm seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën ishte paraparë rishqyrtimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, raporotn Ekonomia Online.

    Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, i cili tha se vendimi për shtyrje është marrë pas diskutimeve me grupet parlamentare.

    “Pas diskutimeve me grupet parlamentare, konsideruam që seanca e cila është thirr me 3 pika për vazhdim sot në orën 10, të shtyhet deri në njoftimin e ardhshëm”, tha ai.

    Gola bëri të ditur se Kuvendi do t’i vazhdojë punimet me seancën e rregullt.

    Në seancën e shtyrë, përveç rishqyrtimit të Ligjit për Specialen, ishte paraparë edhe votimi i dy propozim-rezolutave, njëra për mungesën e barnave onkologjike dhe tjetra për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

  • Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për grabitjen e dy argjendarive në Gjakovë

    Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për grabitjen e dy argjendarive në Gjakovë

    Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy personave, A.U. dhe L.I., të dyshuar për grabitjen e dy argjendarive në Gjakovë.

    Sipas njoftimit të kësaj gjykate, ata dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja”, ndërsa njëri prej tyre dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.

    Në njoftim thuhet se rasti i parë ka ndodhur më 5 nëntor 2026, rreth orës 17:15, në argjendarinë “Xhintoni”, në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë. Të dyshuarit, të maskuar dhe të armatosur, dyshohet se kishin planifikuar grabitjen dhe kishin përdorur një veturë me targa të vjedhura.

    Gjatë këtij rasti, gjithnjë sipas njoftimit, njëri prej tyre, i armatosur me armë automatike, kishte kërcënuar pronarin dhe nënën e tij, ndërsa tjetri kishte thyer vitrinat me çekan dhe kishte marrë stoli ari në vlerë prej 27 mijë eurosh, si dhe 1 mijë e 600 euro para të gatshme.

    Ndërkaq, në njoftim thuhet se grabitja e dytë dyshohet se ka ndodhur më 16 nëntor, rreth orës 16:56, në argjendarinë “Balt Simoni”, në rrugën “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë.

    Në njoftimin e gjykatës, i referohet kërkesës së prokurorisë, me ç’rast ata dyshohen se kishin vepruar në të njëjtën mënyrë, duke përdorur një veturë me qira dhe duke i vendosur targa të vjedhura.

    “Pas vëzhgimit të lokalit, A.U., me armë automatike, kishte kërcënuar të dëmtuarin M. S. dhe familjarët e tij, ndërsa L. I., me çekan, kishte thyer xhamat dhe kishte marrë stoli ari nga sirtarët. Gjatë grabitjes kishte ndërhyrë i dëmtuari Sh. V., ndaj të cilit A. U. kishte shtënë me armë zjarri, duke e plagosur në këmbën e djathtë. Më pas, të pandehurit ishin larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.”, thuhet në njoftim.

    Gjykata ka bërë të ditur se masa e paraburgimit do të zgjasë nga 17 nëntori deri më 17 dhjetor 2026.

  • Sulmohen fizikisht dy policë në Mitrovicën e Veriut, arrestohen katër persona

    Sulmohen fizikisht dy policë në Mitrovicën e Veriut, arrestohen katër persona

    Katër persona janë arrestuar në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin se kanë sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 18 nëntor 2026, rreth orës 01:15.

    Si pasojë e sulmit, dy zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

    Pas arrestimit të katër të dyshuarve, policia ka kryer bastisje në shtëpitë dhe banesat e tyre, ku ka konfiskuar disa armë gjuetie dhe pistoleta, të gjitha me leje valide.

    Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    Siç thuhet nw raport rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”. /Telegrafi/