ATV

Category: LAJME

  • Arrestohet një person në Mitrovicë, dyshohet për ngacmim seksual

    Arrestohet një person në Mitrovicë, dyshohet për ngacmim seksual

    Policia ka arrestuar një person të dyshuar për ngacmim seksual ndaj një gruaje.

    Sipas raportit policor, rasti është raportuar më 4 shtator, ndërsa i dyshuari është arrestuar më 28 shtator.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Rasti po trajtohet nga organet kompetente.

  • Nesër nis turi ballkanik i Von der Leyen – Tirana ndalesa e parë e presidentes së KE, do sjellë planin e anëtarësimit për 4 shtete

    Nesër nis turi ballkanik i Von der Leyen – Tirana ndalesa e parë e presidentes së KE, do sjellë planin e anëtarësimit për 4 shtete

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të nisë nesër turin ballkanik dhe ndalesa e saj e parë do të jetë Tirana.

    Në kuadër të vizitës, Von der Leyen do të zhvillojë takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.

    Ndërsa më 1 tetor, ajo do të nisë me takimet në Kosovë me presidenten në detyrë, Albulena Haxhiun dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Në të njëjtën ditë, kreu i KE do të vijojë edhe në Malin e Zi me presidentin Jakov Milatović dhe kryeministrin Milojko Spajić.

    Përmbyllja e turneut do të bëhet ditën e premte, në Maqedoninë e Veriut, ku do të takohen me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.

    Në këtë turne, Von der Leyen nuk do të vizitojë Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Sipas njoftimit, këto dy vende janë lënë jashtë itinerarit për shkak të zgjedhjeve të ardhshme që do të zhvillohen atje.

    Presidentja e KE vjen edhe me një plan për një udhërrëfyes të posaçëm për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën që do t’i ndihmojë ato në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, shkruan Tch.

    Plani parashikon reforma prioritare, afate orientuese dhe objektiva për përfundimin e fazave të negociatave. Në këmbim, edhe vendet anëtare të BE-së do të kenë angazhime për të avancuar procesin. Vendimet kyçe kërkojnë miratimin unanim të vendeve anëtare.

  • “Nuk i falet skenës politike”, Gruda kërkon nga Qeveria procedimin e Ligjit për Specialen në Kuvend

    “Nuk i falet skenës politike”, Gruda kërkon nga Qeveria procedimin e Ligjit për Specialen në Kuvend

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta procedojë në Kuvend Ligjin për Specialen, duke thënë se kanë mbetur pak ditë deri në mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

    Gruda tha se nuk duhet të lejohet që një Kuvend i konstituuar të shpërbëhet pa e trajtuar, siç e cilësoi ai, një prej ligjeve më të rëndësishme.

    “Për të kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që sa më shpejt, sa më shpejt të japë mendimin e saj për ligjin siç e kërkon procedura legjislative dhe ta sjellë ligjin në Kuvend për miratim, sepse siç e dini na kanë mbetur edhe pak ditë kur edhe mund të shpërndahet Kuvendi, më 6 tetor Kuvendi mund të shpërndahet, prandaj nuk i falet askujt në  Parlamentin e Kosovës, në skenën politike, që një Kuvend që është i themeluar, i konstituruar, të shpërndahet pa e trajtuar ligjin, ndoshta ligjin më të rëndësishëm që ka trajtuar prej vitit 2008 kur ka miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kur kemi ndërtuar shtetin”, ka thënë ai.

    Gruda, ka shtuar se ligji është hartuar me ekspertizë të lartë.

    ​“Ligji është hartuar me një ekspertizë të lartë të njerëzve që kanë punuar në Partinë Demokratike të Kosovës, jashtë Partisë Demokratike të Kosovës. Sigurisht që kjo nuk do të thotë që nuk jemi të hapur për të dëgjuar opinione të tjera për ta përmirësuar cilësinë e ligjit, por atë do ta bëjmë në Kuvend.

    Asnjë zyrë administrative e Qeverisë e asnjë zyrë tjetër kudo qoftë brenda institucioneve të Kosovës nuk ka autorizim të mbajë peng vullnetin kaq të madh të popullit të Kosovës, vullnetin kaq të madh të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të miratuar një ligj që mbron historinë e Kosovës. Ky nuk është ligj i PDK-së, ky nuk është ligj që i jep asnjë lloj pushteti PDK-së, asnjë lloj privilegji. Është një ligj për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtjen e historisë tonë dhe këtë duhet ta bëjmë të gjithë së bashku në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

    Sipas tij, ky ligj nuk prish asnjë detyrim ndërkombëtar që ka Kosova.

    “Ky ligj, më lejoni të shpjegoj, nuk prish asnjë detyrim ndërkombëtar që Kosova ka marrë me amendamentin kushtetues për themelimin e Dhomave të Specializuara, me marrëveshjen që kemi me Bashkimin Evropian përmes shkëmbimit të letrave të ratifikuara në Kuvend, dhe as marrëveshjen që kemi me Holandën. Të tria këto dokumente kanë themeluar Gjykatën Speciale me qëllimin thjesht, thelbësor për të hetuar trafikimin e organeve.  Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve dhe aktgjykimi në shkallë të parë ka vërtetuar që ata të akuzuar nuk kanë lidhje me trafikim organesh. Pra vetë Gjykata Speciale ka konstatuar që ata nuk kanë lidhje me trafikim organesh”, ka thënë dnër të tjera Gruda.

    “Duke qenë se ata akuzohen përtej kësaj, pra për krime lufte, as për trafikim organsh e as për krime kundër njerëzimit, ne mendojmë që është e mundur që në shkallë të tretë përmes këtij ligji të garantohet një gjykim në Kosovë, sepse nuk mund të kemi dy sisteme paralele juridike, një në Kosovë për krime luftë dhe një në Hagë, ku qytetarët e të njëjtit shtet trajtohen në mënyra të ndryshme. Dhe në këtë mënyrë ne mendojmë, jemi të bindur në fakt, që përmbushim detyrimin ndërkombëtar për të vazhduar me ekzistencën e Gjykatës Speciale”, ka thënë ai.

  • “Ata burra duhet sa më shpejt të jenë të lirë”, Tahiri: Qeveria, urgjentisht ta sjellë Ligjin për Specialen

    “Ata burra duhet sa më shpejt të jenë të lirë”, Tahiri: Qeveria, urgjentisht ta sjellë Ligjin për Specialen

    Shefi i grupit parlamnetar të PDK-së, Arian Tahiri, ka kërkuar që sa më shpejt të sillet në Kuvendin e Kosovës Ligji për Dhomat e Specializuara, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media, ai ka thënë se ndryshimet e këtij ligji tashmë janë draftuar dhe Qeveria e Kosovës sipas tij, duhet të veprojë me urgjencë për ta sjellë atë në legjislativ.

    “Nga këtu, u bëj apel të gjitha partive politike për maturi politike, përgjegjësi, unitet dhe kontribut konkret. UÇK-ja është e secilit shqiptar. UÇK-ja është e të gjitha partive politike. Është e popullit dhe për këtë duhet të angazhohemi të gjithë. Ky proces kërkon unitet, përgjegjësi dhe veprime konkrete. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë pjesën tonë. Ligjin e kemi draftuar, e kemi procesuar dhe tashmë është në Qeveri.  Edhe një herë i bëj thirrje Qeverisë, sepse Kuvendi e ka kryer punën e vet, e ka shprehur vullnetin politik, që sa më shpejt ta kthejë ligjin në Kuvend, dhe Kuvendi ta argumentojë vullnetin që e shprehi dje me votë konkrete për ligjin”, ka thënë Tahiri.

    Ai ka thënë se institucionet e Republikës së Kosovës duhet të sigurojnë mbështetje të plotë për procesin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Tahiri ka deklaruar se tani është koha për veprime konkrete institucionale.

    “Ata burra që dhanë kontributin e tyre që ne sot të jetojmë të lirë, duhet të jenë sa më shpejt të lirë dhe të dëshmohet e vërteta për luftën tonë çlirimtare.  Nuk do të ndalemi. Si grup parlamentar dhe si Parti Demokratike e Kosovës, do të bëjmë më të mirën për të kontribuar në këtë process, e kemi obligim ne dhe e kemi obligim të gjithë”, ka shtuar ai.

    “Miratimi i deklaratës së Kuvendit në mbështetje të UÇK-së, dje në Kuvendin e Kosovës, është vetëm hapi i parë.  I falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që me votën e tyre votuan për këtë deklaratë. Por kjo nuk mjafton. Kjo shpreh vullnet të plotë politik të secilit deputet të Kuvendit të Kosovës, për ta dhënë mbështetjen si e tillë, është shprehje e vullnetit politik. Prandaj, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta nisë pa vonesë procedurën për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara”, ka thënë ai.

    ​“Qeveria e Kosovës nuk duhet të guxoj ta zvarris këtë process. Institucionet e Republikës duhet të garantojnë mbështetje të plotë institucionale për çlirimtarët e UÇK-së në Hagë. Është koha për veprime konkrete institucionale. Ne, si përfaqësues të popullit, po e përcjellim kërkesën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Qytetarët e Republikës së Kosovës me plot të drejtë, secilën ditë, secilën mbramjë, në secilin qytet në Evropë, Amerikë, Kanadë e kudo tjetër, duke protestuar, duke shprehur revoltën ndaj vendimit të 16 shattorit, padrejtësinë historike ndaj kombit shqiptar dhe shtetit të Kosovës”, ka shtuar Tahiri.

  • Dyshohet se shantazhoi për vite me radhë viktimën, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Dyshohet se shantazhoi për vite me radhë viktimën, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Policia e Kosovës, në raportin 24-orësh, ka bërë me dije se një person është dërguar në mbajtje në lidhje me veprën penale “Shantazh”.

    Ndonëse nuk është bërë e ditur se kur ka ndodhur arrestimi, vepra mësohet të jetë kryer përgjatë viteve 2023-2025.

    Sipas njoftimit, i dyshuari mashkull gjatë kësaj periudhe e ka shantazhuar viktimën, po ashtu mashkull, duke i kërkuar para, dhe së fundmi viktima edhe i ka dhënë një shumë parash atij.

    “Prishtinë / 2023-2025. Është arrestuar i dyshuari m/k, mbi dyshimin e bazuar se, që disa vite e kishte shantazhuar viktimën m/k duke i kërkuar para ku deri me tani viktima i ka dhënë një shume te konsideruar parash”.

    “Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia.

  • Arrestohen dy persona në Fushë Kosovë, dyshohen se vodhën 80 litra naftë

    Arrestohen dy persona në Fushë Kosovë, dyshohen se vodhën 80 litra naftë

    Dy persona janë arrestuar në Fushë Kosovë, pasi dyshohet se kanë vjedhur rreth 80 litra naftë nga kamioni i një personi.

    Sipas njoftimit të Policisë, rasti është raportuar më 27 shtator 2026, ndërsa më 28 shtator janë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuarit.

    Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Fushë Kosovë / 27.09.2026 – 21:30. Me 28.09.2026 janë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuar m/k, pasi që kishin vjedhur rreth 80 litra naftë nga kamioni i viktimës m/k. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.”, thuhet në raportin e policisë.

  • ShBA-ja rikonfirmon mbështetjen për KFOR-in: Do të ndihmojmë në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe rajon

    ShBA-ja rikonfirmon mbështetjen për KFOR-in: Do të ndihmojmë në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe rajon

    E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash, i cili pritet ta përfundojë mandatin në krye të misionit muajin e ardhshëm.

    Takimi është zhvilluar dje ndërsa sipas Ambasadës amerikane në Prishtinë, gjatë bisedës është diskutuar për rolin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

    Prattipati e ka falënderuar Ulutashin për udhëheqjen e misionit të NATO-s dhe për angazhimin e tij në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë.

    “E ngarkuara me punë Anu Prattipati u takua dje me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash, ndërsa ai përgatitet të përfundojë mandatin e tij muajin e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.

  • BE për rastin e Vlora Hysenit: Besim i plotë te SPAK, po i ndjekim nga afër zhvillimet

    BE për rastin e Vlora Hysenit: Besim i plotë te SPAK, po i ndjekim nga afër zhvillimet

    Bashkimi Europian ka reaguar për herë të parë për çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke shmangur komentet mbi hetimin konkret, por duke shprehur besim të plotë te SPAK. Brukseli thotë se po ndjek nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës në Shqipëri.

    Komisioni Europian ka reaguar për hetimin ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

    I pyetur për çështjen, zëdhënësi i Komisionit Europian për zgjerimin, Guillaume Mercier, tha se Brukseli nuk komenton çështjet që janë ende në proces, por theksoi se zhvillimet në Shqipëri po ndiqen nga afër.

    “Ne nuk komentojmë çështje që janë në proces, por ajo që mund të themi është se ne i ndjekim nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës, veçanërisht reformat në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, fusha në të cilat Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm”, deklaroi Mercier.

    Në reagimin e tij, zëdhënësi i Komisionit Europian dha edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për punën e Prokurorisë së Posaçme.

    “Kemi besim të plotë tek aftësia e SPAK për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e organizuar”, deklaroi Mercier.

    Reagimi i Brukselit vjen në një moment kur lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet pjesë kyçe e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

  • Dy burra dhe dy gra arrestohen në Dragash nën dyshimin për dhunim

    Dy burra dhe dy gra arrestohen në Dragash nën dyshimin për dhunim

    Dy burra dhe dy gra janë arrestuar në Dragash, nën dyshimin se janë përfshirë në një rast të dhunimit dhe materialeve me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti dyshohet se ka ndodhur më 10 shtator të këtij viti.

    Me vendim të prokurorit, viktima e rastit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim.

    “Ndërsa të dyshuarit, pas intervistimit, janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë: Si përhapet, cilat janë simptomat dhe si të mbrohemi?

    Virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë: Si përhapet, cilat janë simptomat dhe si të mbrohemi?

    Nga 7 gushti deri më 18 shtator, në Kosovë u regjistruan shtatë raste të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor, ndërsa dy persona humbën jetën.

    Faik Hoti, specialist i shëndetit publik në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), thotë se rastet e regjistruara këtë vit janë kryesisht infeksione të marra brenda Kosovës.

    Në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë, Hoti tregon se vetëm njëri nga personat e infektuar kishte histori udhëtimi jashtë Kosovës, ndërsa të tjerët, sipas anketave epidemiologjike, nuk kishin udhëtuar jashtë shtetit.

    Si përhapet virusi i Nilit Perëndimor?

    Njerëzit preken nga ky virus kur pickohen nga mushkonjat e infektuara.

    “Burim i infeksionit janë shpezët e infektuara, ndërsa virusin nga shpezët e infektuara tek njeriu e sjellin mushkonjat”, thotë Hoti.

    Ai thekson se virusi nuk transmetohet zakonisht nga njeriu te njeriu.

    “Rastet kur kjo ndodh janë jashtëzakonisht të rralla, dhe janë kryesisht raste kur kemi të bëjmë me ndonjë lloj transplantimi, ose një lloj transfuzioni të gjakut, në situatat kur personi i infektuar i jep gjak dikujt tjetër, pa e ditur që vetë e ka infeksionin”, thotë Hoti në 5 pyetje.

    Sipas tij, simptomat e para kanë të bëjnë me kokëdhimbje, me temperaturë, me ethe, me dhimbje në nyje, dhe me dhimbje në muskuj.

    Kush është më i rrezikuar?

    Virusi mund të prekë njerëzit e të gjitha moshave.

    Megjithatë, “gjithmonë janë më të atakuar moshat e shtyra, për shkak se personat me moshë të shtyrë janë edhe me sëmundje shoqëruese, apo sëmundje kronike”, thotë Hoti për REL-in.

    Hoti tregon se për të dyshuarit për infektim me virusin e Nilit Perëndimor janë të rëndësishme dy elemente: historia e udhëtimit dhe ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj mushkonjave.

    Ai thotë se dyshimi për infektim rritet nëse një person ka udhëtuar gjatë verës në zona bregdetare me ujëra moçalike, është pickuar nga mushkonjat dhe më pas ka shfaqur temperaturë apo simptomat e tjera.

    Si të mbrohemi nga infektimi?

    Për parandalimin e infeksionit, rekomandohet shmangia e ekspozimit ndaj mushkonjave, përdorimi i rrjetave në dritare, dhe përdorimi i kremrave kundër pickimit nga mushkonjat kur qëndrohet në natyrë.

    Aktualisht nuk ka vaksinë për njerëzit kundër virusit të Nilit Perëndimor.

    “Shkenca, përkundër që është duke bërë hulumtime edhe mund të pritet që ndoshta në të ardhmen edhe të ketë, ende nuk ka arritur që të zhvillojë vaksinën kundër virusit të Nilit Perëndimor”, thotë Hoti.

    Sipas tij, sezoni i virusit zakonisht fillon në muajin maj, arrin kulmin në gusht dhe shtator, kurse përfundon rreth tetorit.

    Hoti thotë se vera e gjatë dhe temperaturat e larta mund të kenë ndikuar në shtimin e rasteve këtë vit në Kosovë.

    Ai shton se ekziston rreziku të paraqiten raste të reja, megjithëse në IKSHPK presin që me rënien e temperaturave të ulet edhe përhapja e virusit. /REL