ATV

Category: Lajme

  • Maloku: E pakuptimtë që të rrëzohet vetoja e Presidentes, pasi deputetët kërkuan kthimin e Ligjit

    Maloku: E pakuptimtë që të rrëzohet vetoja e Presidentes, pasi deputetët kërkuan kthimin e Ligjit

    Politologu Albinot Maloku ka hedhur kritika për kthimin e Ligjit për Specialen.

    Ai në emisionin Compass me Ilir Berishën, tha se është e pakuptimtë që të rrëzohet vetoja e presidentes, pasi deputetët vet kanë kërkuar kthimin e Ligjit në Kuvend.

  • Tragjedi në rrugën Prishtinë–Podujevë: 77-vjeçari me karrocë invalidore humb jetën pas përplasjes me veturë

    Tragjedi në rrugën Prishtinë–Podujevë: 77-vjeçari me karrocë invalidore humb jetën pas përplasjes me veturë

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sonte në rrugën Prishtinë–Podujevë, ku si pasojë ka humbur jetën një 77-vjeçar që po lëvizte me karrocë invalidore.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    Sipas saj, policia është njoftuar për aksidentin rreth orës 19:20, ndërsa në të kanë qenë të përfshirë një automjet dhe një person me karrocë invalidore.

    “Sot rreth orës 19:20, kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë–Podujevë ka ndodhur një aksident trafiku. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një automjet dhe një person me karrocë invalidore”, ka deklaruar Ahmeti.

    Ajo ka bërë të ditur se si pasojë e aksidentit ka humbur jetën drejtuesi i karrocës invalidore, I.Ll., 77 vjeç.

    Me rastin po merret Njësiti i Trafikut Rajonal, i cili po heton rrethanat e aksidentit.

  • Hoxhaj: Gabim tërheqja e Ligjit për Specialen, gabim zvarritja

    Hoxhaj: Gabim tërheqja e Ligjit për Specialen, gabim zvarritja

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se tërheqja e ligjit për Gjykatën Speciale ishte gabim, sikurse edhe zvarritja e tij.

    Ai në emisionin Context me Leart Hoxhën, ka theksuar se, përtej ligjit, Kosova duhet të ndërmarrë veprime konkrete diplomatike.

    “Gabim ka qenë tërheqja dhe gabim është zvarritja. Ligji nuk është beteja e vetme që ne kemi me Gjykatën Speciale. Përtej ligjit, duhet të kemi edhe veprime konkrete diplomatike, ta vizitojmë Washingtonin, Londrën, Berlinin, Brukselin, Parisin dhe Romën. Lufta jonë e UÇK-së është e pastër dhe e drejtë. Liria jonë nuk është krim dhe pavarësia jonë nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale”, ka thënë Hoxhaj.

    Ai ka deklaruar se qëndrimi që qëndron pas votimit të para disa javëve është se Gjykata Speciale ka dalë përtej mandatit të saj.

    “Ajo që ne të gjithë mendojmë dhe për të cilën kemi votuar para disa javësh është se gjykata ka dalë përtej mandatit të vet”, ka theksuar ai.

    Hoxhaj ka thënë se nga 16 shtatori kanë kaluar dy muaj dhe se i vetmi veprim efikas dhe në fuqi mbetet Deklarata e Kuvendit. Ai ka kërkuar ruajtjen e unitetit të treguar me 88 vota.

    “Nga 16 shtatori deri më sot kanë kaluar dy muaj dhe krejt çka është efikase dhe në fuqi është Deklarata e Kuvendit. Kemi humbur shumë kohë. Unitetin që e kemi treguar me 88 vota, atë unitet duhet ta ruajmë”, ka deklaruar Hoxhaj, në ATV.

  • Shiroka Pula takon pjesëmarrësit e Forumit Ndërkombëtar të Strategjisë, vijnë nga rreth 40 vende të botës

    Shiroka Pula takon pjesëmarrësit e Forumit Ndërkombëtar të Strategjisë, vijnë nga rreth 40 vende të botës

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka takuar delegacionin e Forumit Ndërkombëtar të Strategjisë (ISF) 2026, i udhëhequr nga Yll Bajraktari, në përbërje të të cilit janë liderë të rinj dhe përfaqësues nga rreth 40 vende të botës.

    Sipas njoftimit të Presidencës, në këtë takim Shiroka Pula ka vënë në pah potencialin e rinisë së Kosovës, duke theksuar se ajo përbën pasurinë më të madhe të vendit.

    Presidentja ka theksuar se Kosova ka një nga popullsitë më të reja në Evropë, ndërsa të rinjtë janë të angazhuar në fushën e teknologjisë dhe informacionit, njohin disa gjuhë të huaja, veçanërisht anglishten, dhe kanë shkathtësi për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare.

    Ajo ka ritheksuar synimin e Kosovës për të qenë pjesë aktive e transformimit teknologjik, jo vetëm si përdoruese e teknologjisë, por edhe si kontribuuese në zhvillimin e saj.

    Në këtë drejtim, Shiroka Pula ka theksuar rëndësinë e dijes, inovacionit dhe partneritetit ndërkombëtar për forcimin e ekonomisë dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt.

    Forumi Ndërkombëtar i Strategjisë 2026 mbledh liderë të rinj dhe përfaqësues nga rreth 40 vende të botës.

  • Ramadani: Buxheti 2027 nuk e çon sektorin e sigurisë në një nivel tjetër, mungojnë investimet për FSK-në

    Ramadani: Buxheti 2027 nuk e çon sektorin e sigurisë në një nivel tjetër, mungojnë investimet për FSK-në

    Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Projektbuxhetin për vitin 2027, duke thënë se ai nuk parasheh ndryshime të rëndësishme për sektorin e sigurisë dhe nuk e çon atë në një nivel të ri.

    Përmes një postimi, Ramadani ka vlerësuar se siguria në Kosovë mbetet në të njëjtin nivel, pasi, sipas tij, buxheti i propozuar paraqet kryesisht vazhdimësi të investimeve ekzistuese.

    “Buxheti për vitin 2027 tregon që Qeveria nuk do ta kalojë sektorin e sigurisë në një nivel tjetër. Siguria mbetet njëjtë me këtë buxhet. Nuk kalon në një kapitull të ri.

    Duhet hapur kapitullin e ri. Por, ky buxhet nuk e përfaqëson këtë! Përveç një institucioni të cilit i është rritur buxheti, pjesa tjetër është vazhdim”, ka shkruar Ramadani.

    Ai ka renditur disa nga ato që i konsideron mungesa në buxhetin e vitit të ardhshëm, duke përmendur mungesën e mjeteve për strehimoret emergjente dhe për një koncept të ri të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare.

    “Nuk ka buxhet për strehimoret emergjente. Për asnjë. DUHET të ketë.

    Nuk ka buxhet për koncept të ri të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare. DUHET të ketë”, ka theksuar ai.

    Ramadani ka kritikuar edhe ndarjen buxhetore për Ministrinë e Mbrojtjes, duke vlerësuar se ajo nuk është e mjaftueshme pas rritjes së numrit të personelit.

    Sipas tij, buxheti duhet të përfshijë edhe një plan të plotë për modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

    “Nuk ka buxhet të mjaftueshëm për Ministrinë e Mbrojtjes, pas rritjes së numrit të personelit. DUHET të ketë.

    Nuk ka buxhet për një Plan Modernizimi të Plotë të FSK-së. DUHET të ketë”, ka shkruar deputeti i AAK-së.

    Ai ka përmendur edhe mungesën e mjeteve për rikonceptimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, duke insistuar se këto ndryshime janë të nevojshme për hapjen e një kapitulli të ri në sektorin e sigurisë.

    “Nuk ka buxhet për rikonceptimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës. DUHET të ketë”, tha Ramadani.

  • Diskutimi i buxhetit të 2027-ës, Abdixhiku: Jemi keq, jemi shkretë, jemi të fundit në Evropë

    Diskutimi i buxhetit të 2027-ës, Abdixhiku: Jemi keq, jemi shkretë, jemi të fundit në Evropë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar projektbuxhetin për vitin 2027, gjatë debatit në seancën plenare të Kuvendit.

    Ai ka thënë se një shtet që mbështetet vetëm në ndihma sociale, pa investime të mjaftueshme, nuk mund të sigurojë mirëqenie për qytetarët.

    “Me shtet social, me ndihma, pa investime, s’kemi për të pasur kurrë jetë të mirë në Kosovë. Kurrë hiç”, ka deklaruar Abdixhiku.

    Ai ka paralajmëruar se Kosova do të vazhdojë të mbetet prapa vendeve evropiane në ekonomi, arsim dhe teknologji, ndërsa ka paralajmëruar edhe për rritje të mëtejshme të çmimeve.

    “Vazhdojmë të mbesim të fundit në Evropë, në ekonomi, në arsim, në teknologji. Vitet do të kalojnë, do të na rriten edhe më shumë çmimet”, ka thënë mes tjerash ai, njofton Klankosova.tv.

    “Jemi keq, jemi shkretë, jemi të fundit në Evropë”, ka deklaruar Lumir Abdixhiku gjatë debatit për projektbuxhetin e vitit 2027 në Kuvendin e Kosovës.

  • OVL UÇK paralajmëron protesta nëse Ligji për Specialen vazhdon të zvarritet

    OVL UÇK paralajmëron protesta nëse Ligji për Specialen vazhdon të zvarritet

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësimet e saj mbi zhvillimet politike rreth plotësim-ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se nëse ky proces vazhdon të zvarritet dhe nuk përfundon së shpejti do të ketë protesta gjithëpopullore.

    Në një reagim për media, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së u bën thirrje shumicës parlamentare dhe të gjitha subjekteve politike që t’i lënë anash dallimet partiake dhe ta përfundojnë sa më parë këtë proces.

    “Është tërësisht e papranueshme që kjo çështje kaq e rëndësishme të zvarritet për shkak të përplasjeve politike apo presionit të bashkësisë ndërkombëtare. Qeveria dhe shumica parlamentare duhet ta kenë të qartë se përgjegjësia e tyre është të veprojnë dhe të mos lejojnë që vonesat të bëhen pengesë për përfundimin e këtij procesi”.

    Po ashtu, OVL e UÇK-së rithekson se është e papranueshme dhe e pandershme që një çështje kaq e ndjeshme të shfrytëzohet për të krijuar ndasi politike apo për të thelluar përçarjet mes subjekteve politike.

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kërkon që plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratohen me procedurë të përshpejtuar, brenda afatit më të shkurtër që lejojnë procedurat parlamentare dhe institucionale.

    Kujtojmë, sot pritej të hidhej në votim Ligji për Dhomat e Specializuara, por kjo nuk ndodhi pasi seanca plenare e Kuvendit të Kosovës u shty deri në njoftimin e radhës. Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar hartimin e një ligji të ri për Dhomat e Specializuara, duke bërë të ditur se drafti i parë pritet të jetë gati javën e ardhshme.

    Kurti tha se grupi punues për hartimin e strategjisë shtetërore për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të sjellë propozimin për ligjin e ri.

    Duke folur në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Kurti bëri të ditur se në grupin punues janë të përfaqësuara institucionet relevante dhe partitë politike parlamentare, ndërsa në hartimin e dokumenteve janë angazhuar edhe ekspertë juridikë.

    Ai theksoi se përmbajtja e ligjit të ri duhet të punohet me kujdes, të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin e Kosovës dhe më pas të procedohet për diskutim e miratim. Krahas kësaj, Kurti  shtoi se qëndrimi i tij ndaj Gjykatës Speciale mbetet i pandryshuar që nga pranvera e vitit 2015. 

  • Shiroka-Pula takon shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, diskutojnë për integrimin evropian dhe bashkëpunimin ekonomik

    Shiroka-Pula takon shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, diskutojnë për integrimin evropian dhe bashkëpunimin ekonomik

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, ambasadoren Vaiani Gaidatzi, me të cilën ka diskutuar për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

    Sipas njoftimit të Presidencës, Shiroka Pula i ka uruar ambasadores Gaidatzi sukses në misionin e saj diplomatik, duke shprehur interesimin për forcimin e kontakteve dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë.

    Në këtë takim, presidentja ka vlerësuar qasjen konstruktive të Greqisë ndaj Kosovës dhe mbështetjen e saj për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

    Ajo ka theksuar rëndësinë e mbështetjes greke për avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Po ashtu, në fushën ekonomike, Shiroka Pula ka vënë në pah rëndësinë e investimeve greke dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare, si dhe potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

  • Kuvendi miraton me 83 vota ratifikimin e protokollit për Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

    Kuvendi miraton me 83 vota ratifikimin e protokollit për Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 83 vota për Projektligjin për ratifikimin e Protokollit për ndryshimin e Marrëveshjes mbi statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se ratifikimi i këtij protokolli garanton përfaqësimin dhe vendimmarrjen e barabartë të Kosovës në strukturat e Komisionit, si dhe mundëson rritjen e kapaciteteve profesionale të specialistëve kosovarë në fushën e mjekësisë ligjore.

    “Ratifikimi i këtij protokolli ruan të pacënuar të drejtën e plotë të Republikës së Kosovës për përfaqësim dhe vendimmarrje të barabartë si shtet palë në çdo strukturë të Komisionit. Njëherësh, kjo marrëveshje sjell përfitime të drejtpërdrejta profesionale dhe institucionale, duke rritur kapacitetet e mjekëve tanë ligjorë dhe të specialistëve të tjerë në një fushë me rëndësi etike për drejtësinë. Gjithashtu, ky projektligj përmbush objektivat e strategjisë së politikës së jashtme për konsolidimin e pranisë sonë në organizatat ndërkombëtare”, tha ajo.

  • Kurti: Mungesa e unitetit me Komunën e Prishtinës po rrezikon Lojërat Mesdhetare, por jam optimist i përmbajtur

    Kurti: Mungesa e unitetit me Komunën e Prishtinës po rrezikon Lojërat Mesdhetare, por jam optimist i përmbajtur

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mungesa e unitetit të brendshëm dhe mospajtimet me Komunën e Prishtinës po e rrezikojnë organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, raporton Ekonomia Online.

    Ai tha se bashkëpunimi dhe komunikimi me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë shumë i mirë, por se e njëjta gjë nuk mund të thuhet për raportet me Komunën e Prishtinës, teksa u shpreh se vazhdon të jetë optimist për organizimin e lojërave, por me rezerva për shkak të mospajtimeve dhe mungesës së unitetit.

    “Kemi pasur edhe një mbledhje të komitetit organizativ, këshillit organizativ për lojërat mesdhetare për vitin 2030, dhe natyrisht që aty jemi bashkë. Është për te ardhur keq që kur po përfundojnë mbledhjet, diskutimet shteruese që po mbahen aty, më pastaj po dalin në opinionin publik kush qysh votoi edhe me sulme të brendshme. Ne duhet të jemi unikë për këtë gjë dhe kjo mungesë e unitetit të brendshëm na ka sjellur në këtë pikë kur edhe po rrezikohet organizimi i lojërave mesdhetare 2030. Unë vazhdoj të jem optimist, por natyrisht jam optimist i përmbajtur për shkak se kush bën mirë nuk e ka kollaj të shtyhet me dikë që e bën të kundërtën”, tha Kurti.

    “Dhe në këtë aspekt, bashkëpunimi, komunikimi ynë me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë tejet i mirë. Por kjo nuk mund të thuhet edhe me komunën e Prishtinës, prandaj edhe ndodhemi në këtë situatë të nxehtë. Është fitore e madhe që ne e kemi marrë përgjegjësinë në organizimin e këtyre lojërave mesdhetare. 10 komunat e Kosovës bashkë edhe me një komunë në Shqipëri, përkatësisht Durrësin, dhe në anën tjetër planifikimet për investime libri me të cilin kemi aplikuar dhe kemi fituar duhet të zbatohet në plotësi. Këtu ka pasur dallime e mospajtime, ka edhe mosbesime. Kjo është situata në të cilën ndodhemi. Do ta bëjmë më të mirën e mundshme, por do ta bëjmë me çdo kusht, pa korrupsion”, potencoi ai.