ATV

Category: Lajme

  • E trishtë: E reja nga Llapi humb betejën me sëmundjen e rëndë

    E trishtë: E reja nga Llapi humb betejën me sëmundjen e rëndë

    Një rast tragjik ka tronditur fshatin Orllan të Podujevës.

    Erinda Sekiraqa, nga ky fshat, vdiq në moshë të re pasi nuk fitoi betejën ndaj një sëmundje të rëndë.

    Familja e të resë ka njoftuar se varrimi i saj do të bëhet sot në Fushë Kosovë, aty ku dhe banonte.

    Ceremonia e varrimit zhvillohet sot nga ora 13:00 në Varrezat e qytetit të Fushë Kosovës.

    “Njoftojmë të gjithë familjarët, miqtë dhe dashamirët se ka ndërruar jetë më e dashura jonë, Erinda Shefqet Sekiraqa. Varrimi i të ndjerës bëhet me datë : 21.11.2025, në ora 13:00 pas namazit të xhumasë tek Varrezat e Fushë Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • U tha se Kryeprokurori Blerim Isufaj qëndron prapa shkarkimit të Besim Kelmendit, Prokuroria Speciale del me reagim

    U tha se Kryeprokurori Blerim Isufaj qëndron prapa shkarkimit të Besim Kelmendit, Prokuroria Speciale del me reagim

    Nga Prokuroria Speciale kanë reaguar lidhur me deklaratën e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Visar Krasniqit, i cili tha se prapa shkarkimit të Besim Kelmendit si U.D i Kryeprokurorit të Shtetit, qëndron Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

    Nga kjo Prokurori kanë mohuar se Isufaj qëndron prapa kësaj, duke thënë se çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë Speciale në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial.

    :Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës informon opinionin publik se pretendimet për një të ashtuquajtur ndërhyrje të Kryeprokurorit të Speciales në proceset vendimmarrëse të Këshillit Prokurorial të Kosovës janë të pasakta, pasi PSRK-ja dhe as Kryeprokurori, nuk ka ushtruar dhe nuk mund të ushtrojë ndikim në çështjet që janë kompetencë ekskluzive e KPK-së. Çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë Speciale në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial”, thuhet në njoftim.

    Tutje thuhet se Isufaj “mbetet i përkushtuar që të ushtrojë mandatin në krye të Prokurorisë Speciale, duke përjashtuar çdo pretendim për ushtrimin e ndonjë pozite tjetër, çka dëshmohet edhe me emërimin e një prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit”.

    Ndryshe, anëtari i Këshillit Prokurorial, Visar Krasniqi, ka thënë se shkarkimi i Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të deyrës së Kryeprokurorit të Shtetit bazohet në energjinë e qartë të një puçi institucional.

    “Propozimi për shkakrimin e zotit Kelmendi bazohet në një energji të qartë të një puçi institucional, duke tentuar të vendoset përfundimist mbi udhëheqjen e Prokurorisë së Shtetit në mënyrë të jashtëligjshme”, tha ai.

    Krasniqi tha se prapa gjithë kësaj qëndron kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj.

    “Në njëfarë forme edhe ushtrues i detyrës e tha në takim, mbrapa të gjithë këtij planifikim dhe mbrapa të gjithë këtij organizmi qëndron Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, zoti Blerim Isufaj”, tha ai.

  • Brenda 48 orësh rritet niveli i ujit në Badoc e në Batllavë, KRU “Prishtina”: Pritet normalizimi i furnizimit me ujë

    Brenda 48 orësh rritet niveli i ujit në Badoc e në Batllavë, KRU “Prishtina”: Pritet normalizimi i furnizimit me ujë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se është përmirësuar situata pas rritjes së nivelit të ujit nga të reshurat në Badoc e Batllavë.

    Si rezultat i reshjeve, niveli i ujit në liqenin e Badovcit është rritur për 1.3 metra, duke shkaktuar turbullira dhe vështirësi në procesin e trajtimit të ujit. Ndërsa në Batllavë 1.4 metra nga niveli që ishte para 48 orëve, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.

    KRU “Prishtina” tha se “sot situata është përmirësuar dukshëm dhe gjatë ditës pritet normalizimi i furnizimit me ujë në të gjitha zonat e prekura”.

  • Rama pret Kurtin në Samitin “Our pathway to EU”, shtrëngojnë duart

    Rama pret Kurtin në Samitin “Our pathway to EU”, shtrëngojnë duart

    Në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ka nisur pritja e liderëve të Ballkanit Perëndimor, për samitin Growth Plan “Our pathway to EU”.

    Kryeministri Edi Rama është nikoqir i këtyre udhëheqësve.

    Ndër të parët që mbërriti në samit, ishte kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

    Pas përshëndetjes dorë për dore me Ramën, Kurti u fut në objektin kur do të mbahet samiti.

  • Niveli i lumit Vjosa në kuota maksimale, përmbyten 10 banesa

    Niveli i lumit Vjosa në kuota maksimale, përmbyten 10 banesa

    Situata në lumin Vjosë mëngjesin e kësaj të premteje vazhdon që të jetë kritike. Përgjatë mbrëmjes të së enjtes niveli Vjosës ka arritur në 8.3 metra ndërsa tendenca e prurjeve në orët e mëngjesit ka vazhduar në ulje.

    Këtë të premte niveli është në 8.1 metra ku vazhdon të mbetet në kuotën maksimale. Duhen parë prurjet në vazhdimësi nga Memaliaj dhe Përmeti që të vlerësohet situata. Janë 10 banesa të cilat janë përmbytur në oborret dhe territorin përreth. Banorët e këtyre shtëpive janë evakuuar ndërsa rreziku për banesat e tjera vijon të jetë ende i lartë.

  • Punëtorët e Postës në grevë, kërkojnë rritje të pagave

    Punëtorët e Postës në grevë, kërkojnë rritje të pagave

    Punëtorët e Postës së Kosovës nga e hëna kanë hyrë në grevë. E greva ka filluar pasi që kërkesat e tyre, si rritja e pagave, pagesa e rrezikshmërisë dhe plotësimi i numrit të stafit, nuk u janë realizuar, përkundër kërkesave të vazhdueshme, që ata i kanë bërë tek menaxhmenti.

    Driton Gashi, i cili së bashku me 25 punëtorë të tjerë të postës numër 6 në Prishtinë janë në grevë, janë të vendosur që të vazhdojnë grevën, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

    “Nga e hëna jemi në grevë. I kemi paralajmëru. Kërkesë ka qenë rritja e pagës, pagesa e rrezikshmërisë dhe plotësimi i numrit të stafit, sepse nuk po mundemi me e mbulu tërë rajonin e Prishtinës”, tha Gashi.

    Ndërsa theksoi se që nga e hëna kur dhe ka filluar greva e tyre, puna është paralizuar dhe se nuk është realizuar asnjë shpërndarje e dokumenteve, letrave as në Gjykata dhe as në ndonjë institucion tjetër.

    Ndërsa thotë se përkundër takimeve me menaxhmentin e Postës, ata nuk kanë marrë ndonjë konfirmim për realizimin e kërkesave të tyre.

    “Gjithçka është paralizu, nuk ka shpërndarje as në gjykata as në institucione tjera. Jemi takuar me menaxhmentin, të cilët na kanë thënë nisjani punës dhe ne do të shikojmë për kërkesat tuaja. Por s’ka reflektim, nuk na kanë dhënë ndonjë datë apo konfirmim. Jemi të vendosur të vazhdojmë grevën, deri në realizimin e kërkesave”, tha ai.

  • Policia shqipton mbi dy mijë gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia shqipton mbi dy mijë gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia e Kosovës ka shqiptuar 2147 gjoba për kundërvajtësit e trafikut brenda 24 orëve të fundit.

    Në 24 orët e fundit janë raportuar 42 aksidente trafiku me dëme materiale, 15 aksidente trafiku kanë përfunduar me të lënduar, kurse një aksident përfundoi me fatalitet

    Policia e Kosovës ka arrestuar 15 persona, kurse 12 janë dërguar në mbajtje.

  • Zhduket një burrë në Ferizaj, Policia në kërkim të tij

    Zhduket një burrë në Ferizaj, Policia në kërkim të tij

    Një rast i zhdukjes është raportuar në Ferizaj.

    Siç bën të ditur Policia e Kosovës, në këtë institucion është raportuar për një burrë të zhdukur.

    Sipas organeve të rendit, ende nuk dihet për vendndodhjen e tij.

    “Me 20.11.2025 është raportuar se viktima mashkull kosovar është larguar nga shtëpia dhe nuk ka njohuri për vendndodhjen e tij”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së.

  • Arrestohen dy burra dhe një shtetase e Serbisë pasi kanosën zyrtarët policorë

    Arrestohen dy burra dhe një shtetase e Serbisë pasi kanosën zyrtarët policorë

    Tre persona – dy burra dhe një shtetase e Serbisë – janë arrestuar në fshatin Vrellë të Istogut, pasi kanë kanosur zyrtarët policorë gjatë shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, gjatë ndërhyrjes policore është përdorur sprej ndaj të dyshuarve, të cilëve më pas u është ofruar tretman mjekësor.

    Në incident ka pësuar lëndime trupore edhe një zyrtar policor, i cili po ashtu ka pranuar ndihmë mjekësore.

    “Pas shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje, të dyshuarit kanë kanosur zyrtarët policorë. Për t’i neutralizuar, ndaj tyre është përdorur sprej dhe më pas të njëjtëve u është ofruar trajtim mjekësor. Lëndime trupore ka pësuar edhe një zyrtar policor”, thuhet në raport.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.

  • U rrëzua në mes të rrugës, vdes papritur një qytetar në Gjilan

    U rrëzua në mes të rrugës, vdes papritur një qytetar në Gjilan

    Në qytetin e Gjilanit është raportuar për një rast të rëndë, ku një burrë ka humbur jetën pasi dyshohet se i është përkeqësuar gjendja shëndetësore gjatë ecjes në rrugë.

    Sipas policisë, viktima është rrëzuar papritur, ndërsa kalimtarët kanë njoftuar menjëherë njësitë relevante.

    Ekipet policore dhe ato mjekësore kanë dalë në vendngjarje, por pavarësisht intervenimit të shpejtë, mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është liruar për familjarët.

    “Është raportuar se viktima mashkull kosovar derisa ka qenë në rrugë dyshohet se i është keqësuar gjendja shëndetësore dhe për një moment është rrëzuar. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendngjarje , ndërsa nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë u është liruar familjarëve”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.