ATV

Category: Lajme

  • Digjet një banesë në Pejë, 13 persona përfundojnë në Spital pas problemeve me frymëmarrje shkaku i tymit

    Digjet një banesë në Pejë, 13 persona përfundojnë në Spital pas problemeve me frymëmarrje shkaku i tymit

    13 persona kanë përfunduar në Spitalin e Pejës pas problemeve me frymëmarrje shkaku i tymit nga zjarri që ka përfshirë një banesë në Pejë.

    Në njoftimin e Spitalit thuhet se 7 pacientë po trajtohen në Repartin e Pediatrisë, ndërsa 6 pacientë të tjerë në Emergjencën e Spitalit.

    Të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.

    “Pas trajtimit të nevojshëm mjekësor, gjendja e të gjithë pacientëve është stabile, nën monitorim dhe jashtë rrezikut për jetën, dhe pritet që të lirohen”, thuhet në njoftim.

  • Spitali Rajonal i Pejës: Pranuam 13 pacientë nga zjarri që shpërtheu në një banesë

    Spitali Rajonal i Pejës: Pranuam 13 pacientë nga zjarri që shpërtheu në një banesë

    Spitali Rajonal i Pejës ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme kanë pranuar 13 pacientë me probleme në frymëmarrje, pasi dyshohet se u shkaktuan nga tymi i një zjarri që ka shpërthyer në një banesë sot në rrugën “Bill Klinton”.

    Në njoftimin e Spitalit thuhet se shtatë pacientë po trajtohen në Repartin e Pediatrisë, ndërsa pacientë të tjerë në Emergjencë.

    Sipas Spitalit, “pas trajtimit të nevojshëm mjekësor, gjendja e të gjithë pacientëve është stabile, nën monitorim dhe jashtë rrezikut për jetën, dhe pritet që të lirohen”.

  • PDK-ja mbledh Kryesinë, pritet edhe konferencë për media

    PDK-ja mbledh Kryesinë, pritet edhe konferencë për media

    Partia Demokratike e Kosovës do të mbledh sot Kryesinë. Më pas pritet të ketë konferencë për media.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë PDK-ja përmes një njoftimi. Konferenca pritet të mbahet në ora 15:30.

    Kujtojmë se legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës është shpërndarë të enjten nga presidentja Vjosa Osmani. Pas konsultimeve me liderë të partive politike, Osmani e ka caktuar 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, me gjithë që në partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë shprehën kërkesë që ato të mbahen 21 dhjetor.

    Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se pavarësisht se data nuk është ajo që kishte kërkuar, partia është e gatshme për zgjedhje.

    “Edhe pse në konsultimet tona ne i dhamë argumentet pse 21 dhjetori do të ishte më i drejtë, vendimi është marrë, data është caktuar. Tani është koha që të shikojmë përpara. PDK është e gatshme, me ekip, me program dhe me vizion”, tha Hamza përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.

  • Deputetët afatshkurtër të Kosovës- Morën paga për 8 muaj pa bërë asgjë e tani mbeten ish-deputetë

    Deputetët afatshkurtër të Kosovës- Morën paga për 8 muaj pa bërë asgjë e tani mbeten ish-deputetë

    Kjo seancë parashihej të ishte konstituive, por doli të jetë një seancë tejet e gjatë.

    Seanca konstituive zgjati deri me 10 tetor, kur u zgjodh nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq.

    Por, atij nuk i ra shumë të jetë nënkryetar i Kuvendit. Dje, me 20 nëntor, Kuvendi i Kosovës u shpërbë, pasi nuk u arrit formimi i Qeverisë së re nga Lëvizja Vetëvendosje si fitues i zgjedhjeve.

    Kjo parti nuk arriti të siguroi numrat në dy tentime.Nga 15 prilli e deri më 20 nëntor, ish-deputetët morën hiq më pak se 8 paga.

    Këto paga i morën pa e kryer asnjë punë. Përveç që morën pjesë nëpër seanca, asnjë hajr nuk ua pa qytetari.

    Paga bazë e një deputeti është 1 mijë e 914 euro, pa përfshirë këtu edhe shtesat nga përvoja e punës.

    Nëse e llogarisim se sa para kanë shkuar në paga të deputetëve, pa përfshirë shtesat nga përvoja e punës, atëherë janë harxhuar nga buxheti i shtetit hiq më pak se 1 milion e 837 mijë 440 euro.

    Po ashtu gjatë kësaj kohe kanë marrë paga edhe stafi mbështetës politik, ku shuma llogaritet diku rreth 600 mijë euro.

    Shumica e seancave të mbajtura sivjet zgjatën për disa minuta, ku Vetëvendosje tentonte me çdo kusht të zgjidhte Albulena Haxhiun si kryetare të kuvendit, por që s’arriti të siguronte një marrëveshje me partitë tjera që ta votonin.

  • Kos: Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor

    Kos: Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor

    Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, tha nga Tirana se Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor.

    “Shtëpia e juaj po ju pret dhe ju jeni pjesë e Evropës”, tha ajo në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, ku do mbledhë në Tiranë liderët e Ballkanit Perëndimor.

    Ajo e ka cilësuar si një gabim të së kaluarës vonesën në procesin e integrimit të rajonit. Ajo theksoi se BE duhet të përshpejtojë hapjen e dyerve për vendet aspiruese dhe të forcojë bashkëpunimin institucional.

    “Tashme është një çështje me të cilën po punojmë dhe gjithmonë e më shumë kjo çështja ka të bëjë më sigurinë dhe Evropa nuk mund te jetë e sigurt pa BP dhe ky është një gabim që kemi bërë në shkuarën dhe duhet ta korrigjojmë dhe ta rregullojmë dhe jam e kënaqur që këto takime që po bëjmë për planin e rritjes po bëjnë gjithmonë e më shumë dyer dhe ju përmendët 7 prej tyre dhe shumë dyer të tjera do të hapen. Ju jeni pjesë e Evropës dhe ne thjeshtë duhet ta bëjmë këtë edhe në formë institucionale, që ju të bëhen shtet anëtar Evropian”, u shpreh Kos.

  • Nën ndikim të alkoolit sulmoi dy gra, arrestohet i dyshuari në Deçan

    Nën ndikim të alkoolit sulmoi dy gra, arrestohet i dyshuari në Deçan

    Policia në Deçan ka arrestuar një burrë kosovar që dyshohet se, nën ndikim të alkoolit, ka sulmuar fizikisht dy gra. Ngjarja është raportuar rreth orës 11:45 të së enjtes, ndërsa patrulla policore është aktivizuar menjëherë pas marrjes së informacioneve fillestare.

    Sipas policisë, gjatë incidentit njëra prej viktimave ka përdorur sprej ndaj të dyshuarit në përpjekje për t’u mbrojtur. Ndërkohë, njësitet policore kanë siguruar vendin e ngjarjes dhe kanë konfiskuar sprejin, i cili dyshohet të jetë përdorur pa autorizim.

    Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa ndaj viktimës që ka përdorur sprejin është iniciuar procedurë për armëmbajtje pa leje. Ajo është liruar në procedurë të rregullt.

  • Polonia shpall masa të ashpra kundër Rusisë

    Polonia shpall masa të ashpra kundër Rusisë

    Polonia po bëhet gjithnjë e më shumë një shënjestër sulmesh. Pas sabotimit në një rrugë hekurudhore strategjikisht të rëndësishme, Ministri i Jashtëm Radosław Sikorski akuzon Rusinë për “terrorizëm shtetëror”.

    Ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski nuk e fshehu seriozitetin e situatës pas sabotimit në rrjetin hekurudhor polak. “Nuk ishte një akt sabotimi si më parë, por terrorizëm shtetëror, sepse qëllimi i tij i qartë ishte të shkaktonte viktima njerëzore”, tha Sikorski në parlament në Varshavëtë mërkurën.

    “Një vend i huaj dërgoi njerëz të përgatitur mirë, të cilët vetëm për fatin tonë të mirë nuk e arritën qëllimin e tyre”, shtoi Ministri i Jashtëm polak, duke akuzuar shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse GRU për punësimin e njerëzve për “punë të ndyra”. Ai më pas u tha gazetarëve se konsullata ruse në Gdansk, posti i fundit konsullor rus i mbetur në Poloni, do të mbyllet.

    Tusk: Incidenti më serioz që nga sulmi ndaj Ukrainës

    Një ditë më parë, Kryeministri polak Donald Tusk e quajti incidentin si “goditjen ndoshta më serioze për sigurinë e vendit që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë”. Ai theksoi se kjo “ka kaluar një vijë të caktuar”.

    Të gjitha linjat hekurudhore në Poloni tani janë në nivelin e dytë më të lartë të gatishmërisë – Charlie. Rregulloret përcaktojnë siguri 24-orëshe në objektet e rëndësishme hekurudhore, si dhe armatosjen e rojeve me municion të vërtetë. Masat e rrepta të sigurisë pritet të jenë në fuqi deri në fund të shkurtit.

    Forcave polake të sigurisë iu deshën vetëm 70 orë për të identifikuar të dyshuarit në të dy aktet e sabotimit. Të dielën në mëngjes, një makinist treni në linjën Varshavë-Lublin ndaloi trenin pranë Mikës për shkak të dëmtimeve serioze në shina dhe njoftoi menaxhmentin e Hekurudhave Shtetërore Polake (PKP). Pak më vonë, një tjetër vend i dëmtuar u zbulua pranë Pulawy në këtë rrugë hekurudhore strategjikisht të rëndësishme që të çon nga kryeqyteti polak në kufirin ukrainas.

    Dy ukrainas në shërbim të Rusisë

    Të dyshuarit janë dy shtetas ukrainas që kanë bashkëpunuar me inteligjencën ruse për një kohë të gjatë. Identitetet e tyre dihen. Njëri u dënua në Lviv të Ukrainës në maj për sabotim, ndërsa tjetri vjen nga Donbasi në Ukrainën lindore. Të dy hynë në Poloni nga Bjellorusia së bashku në vjeshtë. Pas sulmit, ata dyshohet se u larguan nga Polonia nëpërmjet pikës kufitare të Terespolit dhe u kthyen në Bjellorusi, tha Tusk.

    Siç raportoi gazeta Rzeczpospolita të martën, hetuesit gjetën gjurmët e gishtërinjve të njërit prej sulmuesve dhe një kartë SIM nga telefoni i tij në vendngjarje. Telefoni dyshohet se është përdorur për të regjistruar shpërthimin. Gjithashtu thuhet se shërbimet e inteligjencës nga vendet mike ndihmuan në hetim.

    Hetimi tregon se tre pajisje shpërthyese u vendosën pranë qytetit Mika, nga të cilat vetëm dy shpërthyen të shtunën në mbrëmje. Ato u aktivizuan me ndihmën e një kablloje 300 metra të gjatë. Forca shpërthyese doli të ishte shumë e dobët për të shkatërruar trenin e mallrave që ishte i synuar. Makinisti i trenit as nuk e vuri re shpërthimin. Megjithatë, gjendja e asaj pjese të binarit u përkeqësua me kalimin e çdo treni tjetër, derisa u bë e rrezikshme të dielën.

    Në Pulavi, u instalua një kapëse çeliku që supozohej të shkaktonte daljen e trenit nga shinat, por rezultoi joefektive. Përveç kësaj, u dëmtua edhe rrjeti i kontaktit. Treni i pasagjerëve duhej të ngadalësonte, por askush nuk u lëndua.

    Polonia si shënjestër

    Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, Polonia ka qenë shënjestër e sabotimit në disa raste. Qeveria polakei ka qëndruar pranë Ukrainës që nga fillimi, duke dërguar armë dhe duke ofruar ndihmë humanitare. Më shumë se një milion ukrainas kanë gjetur strehim në vendin fqinj.

    Në Parlament, Tusk kujtoi se në janar 2024, një fabrikë bojërash u dogj në Wrocław. Një qendër tregtare u dogj në Varshavë. Gjithsej 55 persona u arrestuan me dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme, 23 prej të cilëve janë në paraburgim. Kohët e fundit, tetë persona janë arrestuar gjithashtu me dyshimin për spiunazh në objekte strategjike. “Kjo është një lojë e pabesë e shërbimeve të inteligjencës ruse, të cilat po menaxhojnë këto fushata”, tha nënkryetari i Parlamentit, Piotr Zgorzhelski, për TVN.

    Një fushatë urrejtjeje online kundër Ukrainës

    Tusk paralajmëroi gjithashtu për dezinformimin rus. Udhëheqja ruse është e shqetësuar jo vetëm për pasojat e menjëhershme të veprimeve të tilla, por edhe për ato sociale dhe politike.

    “Kjo do të thotë: shpërbërje, kaos, panik, spekulime, pasiguri.” Punësimi i ukrainasve për të kryer sabotim synon gjithashtu të nxisë ndjenjat anti-ukrainase në Poloni. Sondazhet tregojnë se mbështetja për Ukrainën midis polakëve ka qenë në rënie për njëfarë kohe.

    Sikorski njoftoi se Polonia do t’i kërkonte Bjellorusisë të ekstradonte të dyshuarit, megjithëse shanset janë të pakta. Ai tha gjithashtu se Polonia nuk planifikon të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Rusinë. Megjithatë, diplomatët rusë do të duhet të kërkojnë leje nga autoritetet polake për të udhëtuar jashtë zonës së Varshavës. Sikorski do t’u rekomandojë aleatëve të Polonisë të ndalojnë diplomatët rusë të lëvizin lirshëm nëpër zonën Shengen.

    Kremlini i hodhi poshtë akuzat e Tuskut. “Rusia akuzohet për të gjitha format e luftës hibride dhe të drejtpërdrejtë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për televizionin shtetëror rus. Sipas mendimit të tij, do të ishte e çuditshme nëse Rusia nuk do të akuzohej menjëherë edhe këtë herë. Polonia është gjithmonë e para që e bën këtë. “Në këtë drejtim, rusofobia po lulëzon atje”, tha Peskov.

  • Komandanti i Forcave Turke viziton KFOR-in, fokus siguria në Kosovë

    Komandanti i Forcave Turke viziton KFOR-in, fokus siguria në Kosovë

    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në Kampin Film City komandantin e Forcave Tokësore Turke, gjeneral Metin Tokel.

    Sipas KFOR-it, Ulutaş e ka informuar Tokelin për situatën e sigurisë në Kosovë dhe ka shprehur mirënjohje për përkushtimin dhe profesionalizmin e ushtarëve turq, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë për misionin.

    KFOR-i vijon zbatimin e mandatit për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në mënyrë të paanshme dhe në çdo kohë. Misioni po ashtu bashkërendon veprimet me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, secili në rolin e vet si reagues të sigurisë.

  • Vuçiq përballet me padi ligjore në rastin e “Sarajevo safari”

    Vuçiq përballet me padi ligjore në rastin e “Sarajevo safari”

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është përballur me një kallëzim penal në Milano, i lidhur me të ashtuquajturën aferë “Sarajevo safari”, një skandal që daton nga vitet ’90, kur thuhet se qytetarë nga Italia dhe vende të tjera perëndimore udhëtonin në Bosnje për të qëlluar me snajper mbi civilët e Sarajevës gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit.

    Kallëzimi është paraqitur nga gazetari investigativ kroat Domagoj Margetiq, i cili i është bashkuar hetimit të nisur javën e kaluar nga prokurorët e Milanos. Ata po synojnë të identifikojnë shtetas italianë të dyshuar për vrasje me paramendim, të kryer me mizori dhe për motive të ulëta.

    Sipas hetimeve, “turistë snajperë” dyshohet se kanë paguar shuma të mëdha ushtarëve të ushtrisë së Radovan Karaxhiqit, ish-lideri i serbëve të Bosnjës, i dënuar në vitin 2016 për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, për t’i dërguar në pozicionet e artilerisë në kodrat përreth Sarajevës, ku ata qëllonin mbi popullatën civile për qejf, raporton The Guardian..

    Më shumë se 10 mijë njerëz u vranë në Sarajevë nga snajperët dhe granatimet gjatë viteve 1992–1996, në rrethimin më të gjatë të historisë moderne pas shpalljes së pavarësisë së Bosnje e Hercegovinës.

    Burimi i hetimit aktual është puna e shkrimtarit milanez Ezio Gavazzeni, i cili ka mbledhur dëshmi për dekada, si dhe një raport i dorëzuar prokurorëve nga ish-kryetarja e Sarajevës, Benjamina Kariq. Gavazzeni thotë se u rikthye tek këto akuza pas shfaqjes së dokumentarit “Sarajevo Safari” (2022) nga regjisori slloven Miran Zupaniç.

    Sipas raportimeve nga Sarajeva, Margetiq ka publikuar së fundi dëshmi në rrjetet sociale që, siç pretendon ai, tregojnë se Vuçiq, atëkohë vullnetar i ri, gjendej në një nga postblloqet ushtarake prej nga dëshmitarët thonë se të huaj dhe njësi ultranacionaliste serbe qëllonin ndaj civilëve në një “safari makabre turistike”, transmeton The Guardian.

    Avokati italian Nicola Brigida, i përfshirë në përgatitjen e dosjes, ka deklaruar se provat e mbledhura “janë të qëndrueshme” dhe mund të çojnë në identifikimin e përgjegjësve. Gavazzeni thotë se shumë italianë – por pa dhënë shifra – dhe gjithashtu gjermanë, francezë, britanikë e të tjerë nga vendet perëndimore, kanë paguar për të marrë pjesë në këto veprime. Sipas tij, nuk ka pasur motive politike apo fetare, por bëhej fjalë për njerëz të pasur që kërkonin “argëtim”.

    Ai pretendon se këta persona mblidheshin në Trieste dhe udhëtonin fillimisht drejt Beogradit, prej ku më pas shoqëroheshin nga ushtarë serbë drejt pozicioneve në kodrat e Sarajevës.

    Presidenti Vuçiq ende nuk ka komentuar mbi këto akuza, thuhet në raporti e Guardian. Megjithatë, deklarimet për praninë e tij në zonën e luftës kanë qarkulluar prej vitesh. Në një intervistë të vitit 2021 për një televizion boshnjak, ai kishte mohuar kategorikisht se kishte qëlluar ndonjëherë mbi qytetin e rrethuar, duke i quajtur akuzat manipulime politike të lidhura me retorikën nacionaliste të periudhës së tij të hershme.

  • Samiti në Tiranë, Rama pret Kurtin: E keni kthyer telenovelë, a e do, a s’e do

    Samiti në Tiranë, Rama pret Kurtin: E keni kthyer telenovelë, a e do, a s’e do

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama priti homologun Albin Kurti në Pallatin e Brigadave, në nisje të samitit “Plani i Rritjes, rruga jonë në BE”.

    Teksa pati një shtrëngim duarsh me Kurtin, nuk munguan as pyetjet e gazetarëve për marrëdhënien mes dy kryeministrave.

    “A e do a se do, a të do a s’të do. 1 mijë episode. Po të këtë përgjigje nuk vazhdon telenovela”, u tha Rama gazetarëve.

    Shqipëria do të mirëpresë sot Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, ku do mbledhë në Tiranë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneren për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos. Kosova përfaqësohet nga kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

    Diskutimet për planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian, do të jenë në fokus të punimeve të këtij samiti.