ATV

Category: Lajme

  • Katër kadetë të FSK-së diplomojnë në Gjermani

    Katër kadetë të FSK-së diplomojnë në Gjermani

    Sot, në ambasadën e Kosovës në Berlin, u mbajt ceremonia e përfundimit të akademisë ushtarake trevjeçare në Republikën Federale të Gjermanisë të katër kadetëve të FSK-së.

    Oficerët më të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që diplomuan me sukses të lartë janë: Shumëzim Karaqica, Arton Xhemajli, Xheladin Kurtaj dhe Fatlum Agushi.

    Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ministrisë Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë, Forcave të Armatosura Gjermane (Bundesweh), stafi i ambasadës së Republikës së Kosovës, familjarë të kadetëve e mysafirë të nderit.

    “Bashkëpunimi midis Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë gjatë viteve, ka luajtur një rol vendimtar në forcimin e kapaciteteve dhe profesionalizmit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Oficerët e diplomuar bashkohen me trupën e oficerëve të FSK-së, të përgatitur, të aftë dhe të denjë për të udhëhequr trupat tona me nder, integritet dhe përkushtim”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

  • Dy operatorëve iu refuzohet ankesa nga OSHP-ja, pasi dorëzuan dokument të falsifikuar

    Dy operatorëve iu refuzohet ankesa nga OSHP-ja, pasi dorëzuan dokument të falsifikuar

    Një tjetër rast shqetësues ka ndodhur në prokurimin publik. Dy operatorëve, i është refuzuar ankesa nga Organi Shqyrtues i Prokuroimit (OSHP), pasi që kanë dorëzuar dokumente të falsifikuara.

    Kompanisë Auto Europa Cras SH.P.K, Bastri Ademi B.I., në pronësi të Bastri Ademit i është refuzuar ankesa nga OSHP-ja, pasi ka dorëzuar dokumente të falsifikuara nga kompania TehnoAuto.

    Sipas vendimit te OSHP-së, gjatë verifikimit të dokumenteve është zbuluar se pajisja e prezentuar nga Auto Europa Cras SH.P.K dhe Bastri Ademi B.I., nuk ishte nga kompania TehnoAuto. Ky fakt është konfirmuar zyrtarisht nga vetë kompania TehnoAuto, duke vërtetuar se pajisja ishte e falsifikuar.

    Në Qërshor të vitit 2025 Ministria e Mjedisit, Planifikimi Hapësinor dhe Infrastrukturës, kishte bërë publik tenderin për Servisimi dhe mirëmbajtje të veturave zyrtare të MMPHI-së.

    Në garë ishin dy kompani, Grupi i Operatorëve Ekonomik Auto Europa Cras SH.P.K- Bastri Ademi B.I., dhe kompania Gani B. Krasniqi B.I.-D.P.Z ‘’Suzuki’’.

    Me datën 10.09.2025 Ministria e Mjedisit, Planifikimi Hapësinor dhe Infrastrukturës shpërblen me kontratë operatorin ekonomik Gani B. Krasniqi B.I.-D.P.Z ‘’Suzuki’’ me çmim 90,299.76 euro. Duke eliminuar nga gara Grupin e Operatorëve Ekonomik Auto Europa Cras SH.P.K Bastri Ademi B.I., me çmim 71,509.60 Euro. Pasi që kompania e eliminuar nuk i kishte përmbushur kriteret e Njoftimit për Kontratë dhe Dosjen e Tenderit. Si palë e pakënaqur Grupi i Operatorëve Ekonomik Auto Europa Cras SH.P.K, Bastri Ademi B.I. me datë 25.09.2025 kishte parashtruar ankesë në OSHP.

    OSHP-ja ka konstatuar se dokumente të falsifikuara janë prezentuar nga grupi Operatorëve Ekonomik Auto Europa Cras SH.P.K-Bastri Ademi B.I., duke ia refuzuar ankesën si të pabazuar. Për të njëjtin kriter ishte eleminuar edhe vetë nga Ministra.

  • Ku ishin fshehur pakot me drogë brenda në autobus? (Video)

    Ku ishin fshehur pakot me drogë brenda në autobus? (Video)

    Sasi e madhe e lëndëve narkotike është kapur e sekuestruar sot në një autobus nga Policia e Kosovës në rajonin e Prishtinës.

    Sipas pamjeve të publikuar nga Sistemi Prokurorial kjo sasi e madhe e pakove të mbushura me drogë ishte fshehur në disa qoshe sekrete të autobusit.

    Për më shumë shikoni pamjet:

  • Serbët hyjnë në tregun mediatik shqiptar, themelohet “Arena Channel Albania”

    Serbët hyjnë në tregun mediatik shqiptar, themelohet “Arena Channel Albania”

    “Arena Channels”, një grup mediatik në pronësi të “Telekom Srbija”, ka vendosur të hyjë në tregun shqiptar. Një javë më parë shoqëria serbe ka krijuar kompaninë “Arena News Channels Two Albania”, e cila është regjistruar këtë të enjte në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

    Sipas ekstraktit, shoqëria do të ketë si objekt aktiviteti; Prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve audiovizive nëpërmjet televizionit, internetit, platformave digjitale dhe rrjeteve sociale.

    Dokumentet tregojnë se adresa e regjistruar e shoqërisë është në rrugën Dervish Shaba, Blloku B-1. Në të njëjtën adresë gjendet dhe televizioni “Adria Med”, si dhe disa kompani të tjera në pronësi të biznesmenit Enver Mehmeti, por ky i fundit deklaron se shoqëria serbe nuk ka lidhje me televizionin e tij.

    Arena “News Channel Two Doo” u themelua më 13 mars 2009 nga Goran ëakovië. Në atë kohë, ajo quhej “Telecommunications Company HD-WIN doo”. Më 22 maj 2019, kompania u ble nga “Telekom Srbija” AD, çka e bën atë një kompani që indirekt zotërohet nga qeveria e Serbisë.

    Aktualisht “Arena Channel Group” është mbajtësja e të drejtave për transmetimin e kanaleve sportive në territorin e Serbisë, Bosnjë Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kroacisë. Po kështu ky grup mediatik mban edhe liçencën e kanalit të njohur Euronews për Serbinë.

    Ardhja e “Arena Channel” në Shqipëri përkon me disa ndryshime të rëndësishme në tregun mediatik shqiptar. Dy javë më parë, Kapitali raportoi se familja Dulaku shiti platformën “Tring” te një kompani e lidhur me grupin “Devolli” të Kosovës.

    Po kështu, gjatë muajve të fundit ka pasur zëra edhe për një shitje të mundshme të platformës tjetër, “Digitalb”, por deri më tani kjo nuk është materializuar.

  • Vdekja e Doriana Hakës dy javë pas lindjes, dënohen me burg reanimatorja dhe kirurgu

    Vdekja e Doriana Hakës dy javë pas lindjes, dënohen me burg reanimatorja dhe kirurgu

    Gjykata ka shpallur fajtorë mjekët Petrit Rexhepi dhe Elona Burba për vdekjen e Doriana Hakës, bashkëshortes së ish-portierit të Partizanit, Alban Hoxha, e cila humbi jetën në nëntor të vitit 2014, dy javë pas lindjes së fëmijës së saj të parë.

    Sipas vendimit gjyqësor, reanimatorja Elona Burba u dënua me 1 vit burg, i cili u konvertua në 2 vite shërbim prove, si dhe me pezullim licence për 2 vite.

    Ndërkohë, kirurgu Petrit Rexhepi u dënua me 6 muaj burg, të cilët u konvertuan në 12 muaj shërbim prove./Top Channel

  • Rrëzohet një avion luftarak në aeroportin e Dubait

    Rrëzohet një avion luftarak në aeroportin e Dubait

    Një aeroplan u rrëzua të premten gjatë një demonstrimi në Panairin Ajror të Dubait.

    Avioni që u rrëzua ishte luftarak i Forcave Ajrore Indiane i ndërtuar në Indi, derisa rrethanat e këtij incidenti ende po hetohen, tha një zëdhënës, shkruan The Independent.

    Nuk dihet ende nëse piloti u nxor nga avioni.

    Videot në mediat sociale tregojnë tym të zi që ngrihet mbi aeroport ndërsa ata në turmë, përfshirë gra dhe fëmijë, e shikonin.

  • Vajza e Cimës, këngëtarja Adelina Thaçi i bashkohet LDK-së

    Vajza e Cimës, këngëtarja Adelina Thaçi i bashkohet LDK-së

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se artistja Adelina Thaçi i është bashkuar partisë së tij.

    Abdixhiku tha se ajo i bashkohet LDK-së “duke sjellë me vete profesionalizëm, integritet, humanizëm dhe një reputacion që na nderon”.

    Njoftimi i plotë i Lumir Abdixhikut:

    Mirë se vjen, Adelina!

    Adelina Thaçi Meta, një nga zërat më të fuqishëm dhe më të dashur të skenës muzikore shqiptare, nga sot i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Me mbi dy dekada karrierë të suksesshme në muzikën klasike dhe atë moderne, Adelina është një prej emrave më përfaqësues të kulturës sonë. Soprano profesionale, këngëtare e suksesshme e muzikës pop dhe profesoreshë me përvojë të gjatë në vokal, ajo ka shënuar arritje që e vendosin ndër artistet më të respektuara të vendit dhe rajonit.

    Ajo ka qenë soliste e Filharmonisë së Kosovës për më shumë se një dekadë, profesoreshë e solo-këndimit për 23 vite, dhe aktualisht ligjëruese universitare në lëndët Teknikë Vokale, Diksion dhe Repertor. Arsimimin e kreu në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, Adelina ka ndërtuar një profil të lartë profesional e akademik.

    Në skenën ndërkombëtare ka shkëlqyer me interpretimet e saj operistike, bashkëpunimet me dirigjentë të njohur, debutimet në role të rëndësishme dhe me projektin madhor të duetit “Dolce Suono” me tenorin me famë botërore José Carreras. Po ashtu, ajo ka përfaqësuar vendin në festivale të mëdha në Kroaci, Itali, Gjermani e deri në SHBA.

    Në muzikën pop, Adelina është artiste fituese e shumë çmimeve të para në festivale prestigjioze në Kosovë e Shqipëri, me tri albume e dhjetëra këngë e videoprojekte të suksesshme. Si trajnere vokale dhe themeluese e Ansamblit Vokal “Zanat”, ajo ka kontribuar në rritjen e brezave të rinj të artistëve dhe në promovimin e vlerave tona kulturore e muzikore në vend dhe jashtë tij.

    Sot, Adelina Thaçi Meta hap një kapitull të ri të angazhimit qytetar e politik. Ajo i bashkohet LDK-së duke sjellë me vete profesionalizëm, integritet, humanizëm dhe një reputacion që na nderon.

    LDK fiton sot një kuadër të çmuar një artiste që beson në vlerat tona, në rrugëtimin tonë dhe në misionin për të ndërtuar një Kosovë me më shumë kulturë dhe zhvillim.

    Ardhja e saj, dhe e shumë të tjerëve që po na bashkohen, është një thirrje për bashkim të secilit që beson se vendi meriton më shumë; që dëshiron ndryshim e që angazhohet për të.

    Dyert tona janë të hapura.

    Adelina është e martuar me Bardhylin dhe kanë dy vajza Fionën dhe Melisën.

    Mirë se vjen, Adelina Thaçi Meta!

  • Aksidenti në Pejë ku u përfshi edhe një automjet i KFOR-it, dalin pamjet nga momenti kur një veturë godet policin

    Aksidenti në Pejë ku u përfshi edhe një automjet i KFOR-it, dalin pamjet nga momenti kur një veturë godet policin

    Polici goditet nga vetura që e urdhëroi të ndalojë, një automjet i KFOR-it u përfshi në aksident – pamje

    Një aksident trafiku ka ndodhur dje në Pejë ku u përfshi edhe një veturë e KFOR’it.

    Një polic trafiku e sinjalizoi të ndalojë një veturë në rrugë, e cila duke tentuar që të ndalojë goditet nga pas nga një automjet i KFOR-it. Për pasojë vetura përplas policin, i cili po qëndronte afër një kamioni.

    Sipas pamjeve, pjesëtarë të KFOR’it shkojnë për t’i ofruar ndihmë policit të lënduar.

  • Reshje bore në Angli, mbi 100 shkolla të mbyllura dhe mijëra njerëz pa energji

    Reshje bore në Angli, mbi 100 shkolla të mbyllura dhe mijëra njerëz pa energji

    Moti i ashpër me reshje shiu sollën çrregullime në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, duke detyruar mbylljen e qindra shkollave dhe duke i lënë komunitetet pa energji elektrike.

    Zyra Meteorologjike ka lëshuar disa paralajmërime për motin ndërsa temperaturat kanë rënë ndjeshëm gjatë natës, me parashikuesit që paralajmërojnë se mund të ketë reshje të mëtejshme bore në orët në vijim.

    Më shumë se 100 shkolla janë mbyllur në verilindje të Skocisë, me mbyllje të mëtejshme të raportuara në të gjithë Anglinë dhe Uellsin.

    Autoritetet lokale thonë se rrugët me akull dhe reshjet e dendura të borës e kanë bërë udhëtimin të pasigurt, ndërsa disa shkolla nuk janë në gjendje të hapen për shkak të problemeve me ngrohjen të shkaktuara nga ndërprerjet e energjisë elektrike.

    Në Uellsin perëndimor, qindra shtëpi mbeten pa energji elektrike për shkak të borës dhe akullit që ra gjatë natës.

    Një paralajmërim më i ashpër për borë është në fuqi për pjesë të Anglisë veriore, veçanërisht Yorkshire të Veriut.

    Janë lëshuar tre paralajmërime të reja, të cilat do të qëndrojnë deri të premten, pasi pritet që vala e të ftohtit të vazhdojë.

    Nata e kaluar ishte më e ftohta e sezonit deri më tani në Angli, Uells dhe Irlandën e Veriut, sipas autoriteteve vendase. Temperaturat ranë deri në -6.6 gradë Celsius në Benson, Oxfordshire, dhe u raportua ngricë e përhapur në të gjithë vendin.

  • Policia kap rreth 120 kilogramë drogë në një autobus në Prishtinë, arrestohet shoferi

    Policia kap rreth 120 kilogramë drogë në një autobus në Prishtinë, arrestohet shoferi

    Rreth 120 kilogramë substancë narkotike janë gjetur dhe sekuestruar në një autobus që po qarkullonte në rajonin e Prishtinës, gjatë një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit të autobusit, të cilin e drejtonte i dyshuari B.K.

    Menjëherë pas gjetjes së drogës, shoferi është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

    Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, së bashku me Prokurorinë Speciale, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.

    Me vendim të Prokurorisë Speciale, B.K. është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë. Autoritetet kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftimin e veprave penale që lidhen me narkotikët, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mirëqenies së komunitetit.