ATV

Category: Lajme

  • Gjykata shpall një muaj paraburgim për shoferin që iu gjetën 120 kg narkotikë në autobus

    Gjykata shpall një muaj paraburgim për shoferin që iu gjetën 120 kg narkotikë në autobus

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit B.K., i dyshuar për blerje, posedim dhe shpërndarje të narkotikëve, si dhe për mbajtje të paautorizuar të armëve.

    I njëjti dyshohet se më 21.11.2025, ka transportuar 120 kg marihuanë nga Shqipëria në Kosovë me autobus, me qëllim dërgimin e saj në shtete të tjera evropiane. Substanca narkotike u gjet në bunkerë të modifikuar nën karrige në autobus.

    Gjykata ka vendosur që B.K. të mbahet në paraburgim për një muaj, duke vlerësuar se masat e tjera nuk do të ishin të mjaftueshme për të parandaluar pengimin e hetimeve ose përsëritjen e veprave penale.

    Ky vendim mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit.

  • Lladrovci kritikon Hamzën: S’mund ta barazoni shkakun dhe pasojën

    Lladrovci kritikon Hamzën: S’mund ta barazoni shkakun dhe pasojën

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, s’mund ta barazojë shkakun dhe pasojën pasi kjo nuk ndihmon në zhvillimin e partisë.

    Një ditë më parë, Hamza mbajti konferencë për shtyp pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, duke theksuar se askush nuk e ka përjashtuar Lladrovcin nga partia dhe që me të synojnë ta maksimalizojnë votën në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

    Por në një shkrim në Facebook, Lladrovci u shpreh se disa eksponentë të PDK-së po tentojnë të paraqesin disfatën si fitore. Ai ka theksuar se mjegulla rreth kësaj komune nuk po hiqet, pavarësisht deklarimeve të kryetarit të ri të PDK-së, Bedri Hamza.

    Lladrovci theksoi se kushti i fitores për ta ndryshuar gjendjen në Kosovë është uniteti.

    “Përkundër deklarimeve të mija, të qarta si rrezja e diellit, mjegulla rreth Drenasit nuk po hiqet. Për fat të keq, nga disa eksponentë, gjendja po promovohet normale dhe disfata po paraqitet fitore”, ka shkruar ai.

    Ai u shpreh kritik për përpjekjet e Hamzës për të barazuar shkakun me pasojën, duke shtuar se kjo nuk është rrugë për ta fuqizuar partinë apo degën.

    “Mësimi nga Drenasi, siç shihet, nuk pati efekt. Reflektimet në opinion nga ndonjë eksponent i lodhtë me ligjërata koti, apo nga Hamza që synon të barazoj shkakun dhe pasojën, nuk ndihmojnë zhvillimin e partisë”, ka shkruar ai.

    Lladrovci thekson se PDK-ja duhet të reformojë qasjen dhe metodat e veprimit politik dhe organizativ, duke i shërbyer “gjuhës së fitimtarëve me vizion, pa kushte dhe pa hile”.

    “Shkurtpamësinë politike do larguar nga partia e krijuar nga heronjtë tanë të luftës dhe paqes, duke përfaqësuar breza të tërë me përkushtim atdhetar, për Kosovën shtet me vlera euro-atlantike. Ndryshe, keqbërësit e bedelët politikë do të mbesin shenjë dalluese e partisë shteformuese dhe shtetndërtuese”, ka shkruar ndër të tjera Lladrovci.

    Lladrovci i fitoi zgjedhjet lokale në Drenas me iniciativë të vetën, pasi PDK-ja vendosi të kandidonte me Petrit Hajdarin.

  • Reuten: Kosovës duhet t’i përpunohet kërkesa për anëtarësim në BE

    Reuten: Kosovës duhet t’i përpunohet kërkesa për anëtarësim në BE

    Eurodeputeti Thijs Reuten ka kërkuar që Komisioni Evropian të propozojë heqjen e menjëhershme të masave kundër Kosovës dhe të nisë procesin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Në një reagim në profilin e tij në “X”, Reuten ka theksuar se Komisioni Evropian duhet t’u propozojë shteteve anëtare heqjen e masave për Kosovën.

    “Komisioni Evropian duhet t’u propozojë shteteve anëtare heqjen e masave dhe të fillojë përpunimin e kërkesës për anëtarësim të Kosovës në BE.”

    Për masat e vendosura, ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një takimi në Tiranë me Komisioneren Marta Kos dhe Drejtorin për Zgjerim, Gert Jan Koompan. Kurti ka thënë se është hera e fundit që adreson këtë çështje dhe ka kërkuar heqjen e menjëhershme të masave.

    Përsa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, Kurti dhe Osmani kanë kërkuar progres, por pas tre vitesh ende nuk ka asnjë veprim nga Bashkimi Evropian.

  • Hajni thyen xhaminë në Obiliq, vidhet kasaforta me para

    Hajni thyen xhaminë në Obiliq, vidhet kasaforta me para

    Xhamitë në qytete të ndryshme të Kosovës shpeshherë janë cak i hajnave, të cilët ua vënë syrin gjërave me vlerë. Cak i hajnave janë më së shumti arkat e ndihmave e kasafortat e mbushura me para, por në raste tjera edhe gjësende tjera materiale.

    Një ngjarje e tillë ka ndodhur gjatë natës në xhaminë e Obiliqit.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë Xhamia e Hashanëve, duke theksuar se një person i panjohur ka hyrë me forcë, ka thyer xhamin dhe ka dëmtuar kasafortën ku ruheshin të hollat e dhuruara nga xhemati.

    Sipas xhamisë, rasti i është raportuar menjëherë policisë dhe shpresojnë që përgjegjësi të identifikohet sa më shpejt.

    Postimi i plotë:

    NJË NGJARJE E DHIMBSHME PËR XHAMINË TONË

    Të dashur vëllezër dhe motra,

    Me zemër të rënduar ju njoftojmë se gjatë natës së sotme xhamia jonë është përballur me një akt të dhunshëm e të dhimbshëm.

    Një person i panjohur ka hyrë me forcë në shtëpinë e Allahut, duke thyer xhamin dhe duke dëmtuar kasafortën ku ruheshin të hollat e dhuruara me sinqeritet nga xhemati ynë.

    Ky është jo vetëm një dëm material, por edhe një plagë shpirtërore për të gjithë ne që e duam dhe e mbështesim këtë vend të shenjtë. Ndjehemi të pikëlluar që një akt i tillë ka ndodhur në një vend ku mbizotëron paqja, lutja dhe mëshira.

    Rasti i është raportuar menjëherë policisë dhe shpresojmë që përgjegjësi të identifikohet sa më shpejt. Ju lusim që kushdo që mund të ketë parë apo dëgjuar diçka të na njoftojë.

    I lutemi që Allahu ta ruajë xhaminë tonë dhe zemrat tona nga çdo e keqe.

    Allahu ju shpërbleftë për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj!

  • Instituti Hidrometeorologjik lëshon alarm të verdhë, rritet rreziku i vërshimeve sonte në këto rajone

    Instituti Hidrometeorologjik lëshon alarm të verdhë, rritet rreziku i vërshimeve sonte në këto rajone

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka lëshuar një paralajmërim me nivel të verdhë për reshje të dendura dhe rrezik potencial të vërshimeve në disa rajone të vendit.

    Në njoftim thuhet se, situata pritet të përkeqësohet nga mbrëmja e së shtunës.

    “Duke pasur parasysh, situatën e përgjithshme të pa qëndrueshme hidrometeorologjike gjatë këtyre ditëve, e cila përfshin reshje, duke shkaktuar edhe vërshime në disa zona të vendit. Aktualisht lumenjtë në tërë vendin kanë pësuar rënie, por reshjet e shiut të cilat parashikohen të bien gjatë orëve në vijim, sidomos në pjesën lindore (Pellgu e Moravës së Binçës), do të ndikojnë që të rriten përsëri prurjet e ujit nga pjesët e larta malore dhe rrjedhimisht edhe Lumin Morava e Binçës me degën kryesore Kriva Reka, të cilat mund të shkaktojnë vërshime”, thuhet në njoftim.

    Situata e tillë do të dominojë edhe në pjesë tjera të vendit, sidomos pjesa veri-lindore, (Pellgu i Llapit), qendrore (Sitnica) dhe jugore (Pellgu i Lepencit).)

    Tutje, thuhet se moti është potencialisht i rrezikshëm

    “Fenomenet e motit që janë parashikuar nuk janë të pazakonta, por kini kujdes nëse keni ndërmend të praktikoni aktivitete të ekspozuara ndaj rreziqeve meteorologjike. Qëndroni të informuar rreth kushteve të pritshme meteorologjike dhe mos merrni përsipër rreziqe të shmangshme”, theksohet tutje.

  • Gjykata merr vendimin për Belinda Ballukun dhe vartësit e saj

    Gjykata merr vendimin për Belinda Ballukun dhe vartësit e saj

    Ka përfunduar seanca në Gjykatën e Posacme për Belinda Ballukun, kreun e ARRSH dhe KESH.

    Nuk ka asnjë ndryshim nga masat e sigurisë që ishin marrë më parë.

    Gjykata ka lënë në fuqi masën “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” për Belinda Ballukun, si dhe “arrest shtëpie” për Erald Elezin dhe Gentian Gjylin.

  • Ambasadori palestinez në Tiranë: Kosovën s’e njohim shkaku i Ambasadës në Jerusalem

    Ambasadori palestinez në Tiranë: Kosovën s’e njohim shkaku i Ambasadës në Jerusalem

    Ambasadori palestinez në Shqipëri, Sami Mhanna, ka thënë se vendi i tij nuk e njeh Kosovën për shkak të hapjes së Ambasadës në Jerusalem.

    Ai ka thënë se megjithatë, nuk i dihet kurrë nëse vendi i tij do të ndryshojë qëndrim për sa i përket kësaj çështjeje.

    “Sa i përket njohjes së Kosovës, nuk i dihet kurrë. E kam thënë shumë herë më parë në intervista, dhe shumë njerëz janë zemëruar me mua. I kam parë komentet, jam përballur me kritika. Unë kam folur nga këndvështrimi i qeverisë sime. Palestinezët në përgjithësi, edhe qeveria e Palestinës, nuk kanë asgjë kundër Kosovës dhe popullit të Kosovës”.

    “Çështja e zhvendosjes, ose më saktë themelimi i Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Jerusalemi është territor i pushtuar. Sipas të drejtës ndërkombëtare, konsiderohet territor i pushtuar, dhe nuk mund të hapësh ambasadë atje sepse konsiderohet shkelje e hapur e të drejtës ndërkombëtare. Këtë ia kam thënë edhe presidentit (Bajram) Begaj. Ai më pyeti pse Palestina nuk e ka njohur Kosovën. Unë i thash, kjo është arsyeja kryesore”, deklaroi Mhanna.

    Ndër të tjera, ambasadori ka thënë se e njeh personalisht homologun e tij kosovar në Tiranë, me të cilin thotë se flet normalisht.

    Shton se vendi i tij nuk ka asgjë kundër popullit të Kosovës.

    Më tutje, ai përmend edhe një deklaratë që i atribuohet presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, i cili është cituar të ketë thënë se vendi i tij nuk e njeh Kosovën për shkak të Serbisë.

    “Kështu është thënë, por ai nuk e ka thënë atë gjë. Të gjitha ato raporte kanë qenë të gabuara. Çështja e Kosovës ka qenë e lidhur me të drejtën ndërkombëtare, kështu e di unë”, thotë Mhanna.

    Për çështjen e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, ambasadori palestinez tha se shumë njerëz i thonë se kjo nuk është arsye e fortë për të mos njohur mëvetësinë e vendit, duke ia rikujtuar historinë e re se çfarë ka ndodhur.

    “Por unë nuk e di çka ka ndodhur atëherë, ndoshta ka gjëra që ne nuk i dimë. Unë po e them pozicionin e vendit tim. Çështja është se Ambasada u hap në Jerusalem. Kjo ka qenë arsyeja kryesore”, deklaroi ambasadori Sami Mhanna.

    I pyetur nëse ka qenë ndonjëherë në Kosovë, ai tha: “Kur më caktuan për ambasador në Shqipëri, erdha me makinë. Kalova nëpër Kosovë, nuk u ndala në Prishtinë, por është shumë e bukur. Pash male e natyrën. Absolutisht planifikoj ta vizitoj së shpejti”.

  • Pas Imamoglut, mund të arrestohet edhe një rival i fuqishëm i Erdoganit

    Pas Imamoglut, mund të arrestohet edhe një rival i fuqishëm i Erdoganit

    Ministria e Brendshme e Turqisë ka dhënë lejen për të nisur hetimet ndaj kryetarit të Ankarasë, Mansur Yavaş, dhe shefit të kabinetit të tij, Nevzat Uzunoglu, për akuzat e “keqpërdorimit të detyrës” dhe “neglizhencës në mbikëqyrje”.

    Ky vendim vjen pas shqetësimeve të ngritura lidhur me menaxhimin e shpenzimeve për koncerte të organizuara nga bashkia.

    Sipas hetimeve të Prokurorisë së Ankarasë, aktakuza ka evidentuar dyshime se Yavaş dhe Uzunoglu mund të jenë përfshirë në keqpërdorime dhe se kanë dështuar në detyrën e tyre për të kontrolluar dhe mbikëqyrur shpenzimet e bashkisë, raporton cnnturk.

    Hetimet janë bazuar në kontrolle të kryera nga inspektorët e Ministrisë së Brendshme, analiza të MASAK-ut (Agjencia për Kontrollin Financiar) dhe raportet e ekspertëve financiarë.

    Prokuroria kërkon mbi 2,000 vjet burg për kryetarin e bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu

    Rezultatet e këtyre kontrolleve tregojnë se në 32 koncerte të ndryshme, shpenzimet kanë arritur në shumën e 154.4 milionë lirave turke (rreth 3.1 milionë euro), duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm për buxhetin e komunës.

    Më 23 shtator, autoritetet ndaluan 14 persona, përfshirë ish-zyrtarë të komunës dhe përfaqësues të disa kompanive që kanë qenë të përfshirë në organizimin e koncerteve, të cilët akuzohen për “keqpërdorim detyre” dhe “manipulim me tenderat”.

    Për më tepër, vlen të theksohet se Mansur Yavaş konsiderohej ndër kandidatët kryesorë që mund të sfidonin presidentin Recep Tayyip Erdoğan në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, veçanërisht pas arrestimit të kryetarit të Stambollit, Ekrem İmamoğlu, duke i dhënë kësaj çështjeje një rëndësi të veçantë politike.

  • Vuçiq reagon pas akuzave se kishte lidhje me “snajperët e fundjavës” në Sarajevë

    Vuçiq reagon pas akuzave se kishte lidhje me “snajperët e fundjavës” në Sarajevë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i mohoi të premten pretendimet që e lidhin atë me të ashtuquajturit “snajperë të fundjavës” në Sarajevë gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë në vitet ‘90, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Vuçiq deklaroi për TV Informer se “unë kurrë nuk kam mbajtur pushkë në dorë” dhe njoftoi se do të ngrejë padi kundër mediave që e kanë publikuar këtë, duke shtuar se do t’i angazhojë “avokatët më të mirë në botë”.

    Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq, deklaroi të martën se ia ka dorëzuar Prokurorisë në Milano – e cila po udhëheq hetimin për “snajperët e fundjavës” – të dhënat që, sipas tij, tregojnë se Vuçiqi ka marrë pjesë ose ka ndihmuar në “turizmin e snajperëve”, ku thuhet se të huaj të pasur paguanin forcat serbe rreth Sarajevës së rrethuar për të shtënë ndaj civilëve të qytetit.

    Vuçiq, në intervistën për TV Informer, tha se “nuk kishte dëgjuar kurrë për një fundjavë” të tillë.

    “ Por, kjo s’ka rëndësi. Unë nuk kam pasur pushkë; madje kur kam ardhur dhe kam pyetur nëse mund të jem me ju, më thanë ‘djalosh, kthehu, na duhet gazetar dikush që di anglisht’. Historia është aq absurde dhe këtë e dinë të gjithë; kam incizime, dëshmitarë, dhe aty ku thonë se ishte pushka, në fakt ishin këmbët mbajtëse të kamerës që po ia mbaja kameramanit”, tha Vuçiq.

    Ai shtoi se do t’i angazhojë “avokatët më të mirë në botë” për t’i paditur mediat si The Guardian, Daily Mail dhe të tjera që kanë raportuar për këtë.

    Vuçiq tha se beson se mund të fitojë miliona euro në këto padi.

  • Irani kërkon ndihmë urgjente për luftimin e zjarrit në pyjet e veta antike

    Irani kërkon ndihmë urgjente për luftimin e zjarrit në pyjet e veta antike

    Irani ka kërkuar ndihmë të menjëhershme ndërkombëtare për ta shuar një zjarr të madh që nisi të përhapet para tri javëve në pyjet e lashta Hirkaniane, të cilat janë në listën i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 2019.

    Zjarri, i cili nisi pranë fshatit Elit në provincën Mazandaran më 31 tetor, u ka shpëtuar përpjekjeve për ta vënë nën kontroll dhe vazhdon të kërcënojë një nga ekosistemet më të vjetra dhe më të pasura në botë.

    Mohammad Jafar Qaempanah, zëvendës i presidentit iranian Masud Pezeshkian, njoftoi më 21 nëntor në X se janë bërë përgatitjet për të “kërkuar me shpejtësi ndihmë nga vendet mike”.

    Derisa Qaempanah nuk tregoi se cilat vende, Shina Ansari, kreu i Departamentit të Mjedisit të Iranit, më vonë konfirmoi se Turqia do të dërgojë dy avionë specialë për shuarjen e zjarreve, një helikopter dhe një ekip prej tetë personash për të ndihmuar në fikjen e flakëve.

    Ansari shtoi se Irani mund të kërkojë ndihmë edhe nga Rusia, “nëse është e nevojshme”.

    Autoritetet pretendojnë se zjarri fillimisht u vu nën kontroll pas disa ditësh, por një “fazë e dytë” u riaktivizua fundjavën e kaluar, njofton rel.

    Megjithatë, aktivistët mjedisorë dhe banorët vendës këmbëngulin se zjarri ka vazhduar të digjet pandërprerë në tri javët e fundit dhe nuk është vënë kurrë plotësisht nën kontroll.

    Tereni i ashpër, moti jashtëzakonisht i ngrohtë dhe grumbullimi i gjetheve të thata dhe pemëve të rrëzuara kanë kontribuar në qëndrueshmërinë dhe përhapjen e zjarrit.

    Pamjet gjatë natës që po qarkullojnë në internet tregojnë shkallën e dëmtimit dhe përpjekjet rraskapitëse të ekipeve të emergjencës dhe vullnetarëve që luftojnë me flakët.

    Mehrdad Khazaei-Poul, kreu i Departamentit të Burimeve Natyrore të Mazandaranit, ia la fajin për zjarrin kryesisht neglizhencës njerëzore.

    “Për fat të keq, disa individë kanë vepruar me pakujdesi, duke shkaktuar zjarrin”, tha ai, duke theksuar se “faktorët natyrorë nuk kanë qenë shkaku kryesor”.

    Pyjet Hirkaniane – rreth 660.000 hektarë prej të cilëve ndodhen në Provincën Mazandaran – janë ndër ekosistemet më të vjetra në botë dhe pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

    Të shtrira përgjatë brigjeve jugore të Detit Kaspik, këto pyje datojnë më shumë se 40 milionë vjet dhe përmbajnë pemë deri në 500 vjet të vjetra, sipas UNESCO-s.