ATV

Category: Lajme

  • Lirimi i ish-policit Arbnor Spahiu, MPJD: Akuzat e Serbisë ishin të motivuara politikisht dhe të pabazuara

    Lirimi i ish-policit Arbnor Spahiu, MPJD: Akuzat e Serbisë ishin të motivuara politikisht dhe të pabazuara

    Ish-polici i Kosovës, Arbnor Spahiu është liruar nga burgu i Serbisë, ku po mbahet prej disa muajsh.

    Spahiu u arrestua në qershor të këtij viti nga policia serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë për kinse kryerje të veprës penale “vrasje e rëndë”, në fshatin Banjskë të Zveçanit.

    E pas lirimit të tij, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës.

    “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është informuar nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi lidhur me lirimin nga paraburgimi të shtetasit të Republikës së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili nga autoritetet gjyqësore të Serbisë ishte mbajtur në paraburgim për një periudhë të zgjatur, nën akuza të pabazuara për ‘vrasje të rëndë’ të lidhura me ngjarjet në Banjskë, në vitin 2023.

    Që nga dita e parë e arrestimit të tij, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përkatësisht Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës së bashku me institucionet tjera gjegjëse, kanë ndjekur nga afër rastin dhe kanë ofruar mbështetjen e nevojshme, duke insistuar vazhdimisht që ndaj tij të respektohen të drejtat themelore të njeriut dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë”, thuhet në reagim.

    MPJD rithekson se akuzat e ngritura nga autoritetet e Serbisë kundër Spahiu kanë qenë të motivuara politikisht dhe të pabazuara në prova, ndërsa paraburgimi i tij i zgjatur ka shkelur të drejtën për proces të rregullt dhe trajtim të drejtë.

    “Lirimi i Spahiut konfirmon qartazi se pretendimet e Serbisë lidhur me rastin në fjalë nuk kanë qëndruar dhe se përdorimi i sistemit të drejtësisë për presion politik ndaj qytetarëve tanë është praktikë që duhet të marrë fund”, thuhet tutje.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës falënderon të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar në trajtimin e drejtë të këtij rasti dhe mbetet e përkushtuar që të mbrojë çdo qytetar të Republikës së Kosovës kudo që gjendet.

  • Arrestohet 47-vjeçari nga Kosova në Shqipëri, i kapen 23 kg kanabis

    Arrestohet 47-vjeçari nga Kosova në Shqipëri, i kapen 23 kg kanabis

    Policia në Shqipëri ka arrestuar shtetasin kosovar L. Ç., 43 vjeç, i cili u kap duke transportuar me automjet rreth 23 kg e 65 gramë lëndë të dyshuar kanabis, që dyshohet se do të trafikoheshin drejt Kosovës.

    Automjeti dhe lënda narkotike janë sekuestruar si prova materiale.

    Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Ura e Stafukës”, në fshatin Larushk, ku gjatë kontrollit policia ndaloi veturën tip “Skoda” dhe sekuestrimi u krye menjëherë.

    “Hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e të tjerëve të implikuar vazhdojnë, ndërsa materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurori për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

  • Iu sekuestruan 2 mijë euro të falsifikuara, arrestohen dy të dyshuar në Podujevë

    Iu sekuestruan 2 mijë euro të falsifikuara, arrestohen dy të dyshuar në Podujevë

    Dy persona janë arrestuar në Lluzhan të Podujevës, pasi gjatë kontrollit i janë gjetur dhe sekuestruar 2 mijë euro që dyshohet të jenë të falsifikuara.

    Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar se me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar.

    “Fsh. Lluzhan, Podujevë 21.11.2025 – 01:30. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që gjatë kontrollit të tyre i janë gjetur dhe sekuestruar 2000 € para që dyshohet të jenë të falsifikuara. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, njofton PK.

  • Kapen tri gra shtetase serbe duke kaluar kufirin ilegalisht në Leposaviq

    Kapen tri gra shtetase serbe duke kaluar kufirin ilegalisht në Leposaviq

    Tri gra shtetase të Serbisë janë kapur teksa kanë kaluar ilegalisht kufirin në Qirikoviq të Leposaviqit.

    Në raportin 24-orësh thuhet se rasti ka ndodhur pasditën e së djeshmes.

    “Me vendim të prokurorit njëra nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerat janë liruar”, thotë Policia.

  • Mot i vranët dhe me shi sot në Kosovë

    Mot i vranët dhe me shi sot në Kosovë

    Të shtunën parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjikë të Kosovës, temperatura minimale do të lëvizin ndërmjet 4 deri 6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 9-12gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga veriperëndimi e lehte deri mesatare.

  • Shkon në mbi 164 mijë numri i pensionistëve të moshës në Kosovë

    Shkon në mbi 164 mijë numri i pensionistëve të moshës në Kosovë

    Rritje e përfituesve në disa skema, rënie e theksuar në të tjera.

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin tetor 2025.

    Sipas të dhënave të ASK-së, ka një rritje të konsiderueshme të numrit të familjeve që marrin përkrahje financiare për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke shënuar një rritje prej 11,9% në krahasim vjetor.

    Në muajin tetor 2025, krahasuar me muajin tetor 2024, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet invalidore (-26,8%); skema për pensionet e Trepçës (-20,6%); skema për pensionet familjare (-11,2%); skema e ndihmës sociale (-10,9%); skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1,8%); skema e pensioneve kontribut-paguesve të moshës (-1,7%).

    Rritje e përfituesve nga skemat e pensioneve, krahasuar me një vit më parë

    Në muajin tetor 2025, krahasuar me muajin tetor 2024 kishte rritje të numrit të përfituesve nga: skema për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (11,9%); skema për Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike (11,6%); skema e pensioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (8,0%); skema e pensioneve bazike të moshës (7,1%); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (5,0%); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (3,6%); skema e kompensimeve për personat e verbër (0,4%); skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (1,2%); skema për veteranët e luftës (0,4%).

  • Rreth 28 milionë euro mund të arrijë fatura e të gjitha proceseve zgjedhore të 2025

    Rreth 28 milionë euro mund të arrijë fatura e të gjitha proceseve zgjedhore të 2025

    Brenda pak ditësh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet ta dërgojë në Qeverinë e Kosovës kërkesën buxhetore për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025, raporton Ekonomia Online.

    Se sa do të jetë shuma e planfikuara nga KQZ, në këtë institucion nuk kanë treguar me arsyetimin se është duke u përgatitur, por nëse vlera do të jetë e përafërt me zgjedhjet e llojit të njëjtë, parlamentare, që u mbajtën më 9 shkurt, atëherë kostoja e të gjitha proceseve zgjedhore të mbajtura vetëm gjatë vitit 2025 mund të arrijë në rreth 28 milionë euro.

    Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, për zgjedhjet e 9 shkurtit ishin planifikuar 8.7 milionë euro, ndërkaq për zgjedhjet lokale 10.5 milionë të tjera. KQZ ende nuk ka raporte përfundimtare që tregojnë se sa mjete janë shpenzuar nga këto planifikime.

    “Buxheti i planifikuar nga KQZ për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt, ishte në vlerën e 8.7 milionë Euro. Sipas raporteve të deritashme, shuma e shpenzuar është rreth 7.9 milionë Euro. Ndërkaq, buxheti i planifikuar për qëllim të organizimit të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat janë mbajtur më 12 tetor 2025, është në vlerën e mbi 10.5 milionë Euro. Në këtë planifikim buxhetor, përfshihet dhe organizimi i raundit të dytë të zgjedheve për Kryetarë të Komunave. Në përfundim të këtij procesi dhe përmbylljes së të gjitha procedurave, do të kemi një raport përfundimtar dhe do të kemi të dhëna të sakta se sa nga mjetet e planifikuara janë shpenzuar”, tha Elezi për EO.

    Duke folur për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Elezi tha se KQZ është në proces të përgatitjes së planifkimit buxhetor dhe se kërkesën do ta dërgojnë për miratim në Qeverinë e Kosovës.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për një proces të ri zgjedhor, i cili nuk është i planifikuar. Në mbledhjen e radhës, KQZ do të miratojë planifikimin buxhetor për organizimin e zgjedhjeve të reja dhe kërkesën për buxhet do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës. KQZ ka vepruar kështu edhe në rastet tjera kur kemi pasur zgjedhje të parakohshme apo që kanë ndodhur pa planifikim, në një vit jo-zgjedhor”, tha Elezi.

    Sipas arsyetimeve të KQZ-së, Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme ka zgjeruar përgjegjësitë e KQZ-së në organizimin e procesit zgjedhor dhe kjo reflektohet edhe në koston e planifikuar.

    Po ashtu, sipas KQZ-së pjesa më e madhe e mjeteve shpenzohet për të paguar trupat zgjedhore dhe stafin tjetër që angazhohet gjatë gjithë procesit zgjedhor.

  • Bie shkalla e lindshmërisë në Turqi, Erdogani paralajmëron masa ndaj lëvizjeve LGBT

    Bie shkalla e lindshmërisë në Turqi, Erdogani paralajmëron masa ndaj lëvizjeve LGBT

    Presidenti i Turqisë, Receep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar masa ndaj lëvizjeve LGBT dhe imponimeve të neutralitetit gjinor, pasi lajmit se ka rënë me të madhe mesatarja e lindjeve në shtetin që drejton ai.

    Këto masa ai i ka paralajmëruar të enjten teksa ka folur për sfidat që po kërcënojnë institucionin e familjes turke.

    Duke u përqendruar në sfidat ndaj institucionit të familjes, Erdogan tha: “Ne po marrim masa kundër imponimeve të neutralitetit gjinor dhe lëvizjeve LGBT, duke mos lejuar lëshime apo vetëkënaqësi.”

    Ai theksoi se Turqia po mbron familjen në një periudhë ku kapitalizmi global po hap fronte të reja dhe imperializmi kulturor dhe ndikimi digjital po intensifikohen në të gjithë botën.

    Erdogani paralajmëroi gjithashtu për një krizë demografike, duke thënë se “aktualisht po përballemi me një katastrofë”, pasi të dhënat zyrtare treguan se shkalla totale e fertilitetit të vendit ra në 1.48 vitin e kaluar.

    Erdogan tha se shkalla në rënie e fertilitetit “po bie si kambana alarmi për të ardhmen tonë” dhe se “askush që interesohet për fatin e këtij vendi nuk mund të jetë indiferent”.

  • Murati: Ka nisur subvencionimi i faturave të energjisë për familjet me të ardhura të ulëta

    Murati: Ka nisur subvencionimi i faturave të energjisë për familjet me të ardhura të ulëta

    Hekuran Murati, ministër në detyrë i Financave, ka njoftuar se nga kjo javë ka filluar zbatimi i subvencionimit të faturave të energjisë elektrike për muajin tetor, masë e cila synon të mbështesë familjet e cenueshme me të ardhura të ulëta.

    Sipas tij, familjet përfituese tashmë mund ta shohin vlerën e subvencionit si në aplikacionin elektronik, ashtu edhe në faturat fizike të cilat do të shpërndahen gjatë ditëve në vijim.

    Murati ka bërë të ditur se kjo mbështetje financiare e Qeverisë do të vazhdojë për gjashtë muaj, deri në përfundim të stinës së dimrit, ashtu siç ishte praktikuar edhe gjatë vitit të kaluar.

    “Qëllimi ynë mbetet i njëjtë: ta përballojmë së bashku barrën e shpenzimeve energjetike në muajt e ftohtë dhe të sigurojmë që asnjë familje në nevojë të mos mbetet pa mbështetje”, ka thënë Murati.

  • Një punëtor vdes në vendin e punës, një tjetër dërgohet në spital, Policia jep detaje

    Një punëtor vdes në vendin e punës, një tjetër dërgohet në spital, Policia jep detaje

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sot rreth orës 17:00 në një vendpunishte në rrugën “Faruk Rama” në Prishtinë, ku një punëtorë ka vdekur e një tjetër ka marrë lëndime.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Prishtinës, Enis Pllana.

    “Rreth orës 17:00 kemi pranuar informatën se dy persona janë lënduar derisa ishin duke punuar, në rrugën Faruk Rama në Prishtinë. Si pasojë e lëndimeve, njëri nga personat ka ndërruar jetë.
    Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi i mjekëve emergjent në vendin e ngjarjes, ndërkohë që personi tjetër i lënduar është dërguar për tretman mjekësor.”, tha Pllana.

    Policia, Inspektorati i Punës dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit dhe përgjegjësitë e mundshme.

    “Aktualisht policia në koordinim me inspektorët e punës dhe prokurorinë, kanë nisur hetimin e rrethanave që karakterizojnë rastin.”, tha Pllana