ATV

Category: Lajme

  • Bora mbulon Kroacinë, mbyllet një pjesë e autostradës

    Bora mbulon Kroacinë, mbyllet një pjesë e autostradës

    Reshjet e borës përfshiu pjesën më të madhe të Kroacisë gjatë natës, duke krijuar kushte të vështira udhëtimi dhe duke nxitur paralajmërime nga meteorologët dhe autoritetet rrugore.

    Bora që mbuloi pjesë të Kroacisë sot ka krijuar gjithashtu probleme të mëdha, raporton Index.hr.

    Autostrada A1 është e mbyllur për të gjithë trafikun midis kryqëzimeve të Sveti Rok dhe Posedarje.

    Përveç rrugëve që janë mbyllur, edhe një alarm i kuq për motin është lëshuar për rajonin e Rijekës.

  • Gruaja e ish-policit Arbnor Spahiu me postim emocionues: Mirë se erdhe, dashuria ime e jetës

    Gruaja e ish-policit Arbnor Spahiu me postim emocionues: Mirë se erdhe, dashuria ime e jetës

    Jeta Spahiu, bashkëshortja e Arbnor Spahiut, ka reaguar me një postim emocionues pas lirimit nga burgu të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale Operative të Kosovës, i cili ishte burgosur nga autoritetet serbe.

    Ajo përmes një postimi në Facebook i uroi mirëseardhje bashkëshortit të saj, të cilin e përgëzoi për durimin.

    Tutje, ajo ka shkruar se periudha e gjatë e vuajtjeve dhe pasigurisë kishte qenë e rëndë për të dy, por gjithashtu shprehu besimin e fortë që e vërteta do të triumfonte.

    Ajo e përshkroi këtë moment si një pikë kthese, ku fundi i dhimbjes është gjithashtu një fillim i një jete më të lumtur për ta si familje.

    “Bashkëshorti im u lirua më në fund. Pas kaq shumë dhimbjesh, pas kaq shumë netëve pa gjumë, pas gjithë asaj barre që e mbajte i vetëm atje brenda… sot më në fund je në shtëpi. Nuk u dorëzove asnjëherë, sepse e dija që e vërteta jonë do fitonte. Mirë se erdhe dashuria ime e jetës. Ke përjetuar shumë, ke hequr më shumë se çdo kush mund ta imagjinojë..por ja ku jemi sot: bashkë, më të fortë se kurrë. Fundi i dhimbjes është fillimi i lumturisë sonë”, ka shkruar Jeta Spahiu në reagimin e saj në Facebook.

  • I vuri në gjumë me valium vjehrrin dhe vjehrrën dhe ua vodhi paratë, arrestohet dhëndri në Librazhd

    I vuri në gjumë me valium vjehrrin dhe vjehrrën dhe ua vodhi paratë, arrestohet dhëndri në Librazhd

    Një ngjarje e rrallë ka tronditur Librazhdin, ku një person është arrestuar pasi i ka dhënë një çiftit të moshuar dozë të lartë valiumi dhe më pas i ka vjedhur një shumë parash. Sipas informacioneve të Policisë së Shtetit, i dyshuari është 36 vjeç dhe rezulton të jetë dhëndri i çiftit.

    Policia ka publikuar pamje nga arrestimi i të dyshuarit dhe ka bërë me dije se hetimet janë zhvilluar në kuadër të operacionit “Opportunity”.

    “Pas marrjes së njoftimit se dy bashkëshortë ishin dërguar fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësore dhe të dyshuar për intoksikim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

    Falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara hetimore, të kryera në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë, u bë e mundur zbardhja e plotë e ngjarjes, si dhe identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit I. K., 36 vjeç”, thuhet në njoftim.

    Hetimet kanë zbuluar se i dyshuari, i afërm familjar i çiftit, dyshohet se u ka administruar atyre një dozë të lartë medikamenti qetësues, të dyshuar si valium, duke shkaktuar dëmtime të rënda shëndetësore, dhe më pas ka vjedhur një shumë parash në banesën e tyre.

    Policia thekson se çifti i moshuar ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.

    Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar shuma e parave të vjedhura dhe një celular. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

  • Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së, Destan Krasniqi

    Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së, Destan Krasniqi

    Ka ndërruar jetë veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Destan Krasniqi nga fshati Ngucat i Malishevës, raporton Gazeta Sinjali.

    Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët e të ndjerit.

    Lamtumira e fundit do t’i jepet sot në orën 15:00 në varrezat e lagjes Krasniqi, në Ngucat.

    Agjenda e ceremonisë mortore:

    Ora 14:00 – Homazhe dhe nderime (Shkolla fillore “Dëshmorët e Kombit”, Ngucat)

    Ora 14:30 – Mbledhje komemorative në objektin e shkollës

    Ora 15:00 – Ceremonia e varrimit (Varrezat e lagjes Krasniqi, Ngucat)

  • Bajrami thotë se subvencionimi i energjisë s’ka favorizuar qytetarët, por tregtarët: Çfarë hipokrizie

    Bajrami thotë se subvencionimi i energjisë s’ka favorizuar qytetarët, por tregtarët: Çfarë hipokrizie

    Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj masës së subvencionimit të faturave të energjisë elektrike nga qeveria në detyrë, duke e cilësuar atë si “hipokrizi, korrupsion dhe gënjeshtrën më të madhe të qeverisë”.

    Sipas saj, masa e prezantuar si ndihmë për qytetarët nuk ka pasur efekt real në lehtësimin e barrës financiare të familjeve, por ka shërbyer për të favorizuar tregtarët e energjisë me të cilët, siç pretendon Bajrami, qeveria ka lidhje të ngushta.

    Ajo ka theksuar se një familje mesatare që në tetor të vitit 2019 ka paguar 54 euro për energji, në tetor të vitit 2025 ka paguar 169 euro, duke e cilësuar këtë si rritje prej rreth 300%. Për të ilustruar këtë, Bajrami ka bashkangjitur edhe dy fatura – një nga tetori 2019 dhe një nga tetori 2025.

    Sipas saj, rritja e çmimit të energjisë ka goditur edhe bizneset prodhuese, duke bërë të ditur se çmimi për një megavat (mWh) brenda një viti është rritur nga 75 euro në 206 euro.

    Postimi i plotë:

    ”Subvencionimi i faturave të energjisë”

    Energjia – korrupsioni dhe gënjeshtra më e madhe e kësaj Qeverie

    Dje Albin Kurti përmes Hekuran Muratit na njoftoi se në këtë muaj ka nisur subvencionimi i faturave të energjisë elektrike.

    Çfarë hipokrizie!

    Derisa në tetor të vitit 2019 një familje mesatare në Kosovë ka paguar 54 Euro. A e dini sa ka paguar e njëjta familje në tetor të vitit 2025? Ka pagu 169 Euro. dmth. 300% më shumë, e tash kishin ”ne jemi për popull dhe po subvencionojmë faturat familjeve”.

    Por, pos ngritjes së çmimit të energjisë elektrike për 300%, rreth 1300 biznese vendore, pjesa dërmuese prodhuese pas “liberalizimit të tregut” çmimin e MWh që tetorin e vitit të kaluar e kanë pagu 75 Euro tash e paguajnë 206 Euro.

    Ndërsa të dhënat e Doganës së Kosovës konfirmojnë se derisa Kosova për vitet 2015-2020 ka importu 273 milionë Euro energji, importi i energjisë gjatë pesë viteve të qeverisë së Albin Kurtit 2021 – shtator 2025 ka arritur në 811 milionë Euro.

    A po e shihni mashtrimin?

    Ani “po ju subvencionojmë faturat”

    Po i subvenciononi xhepat e tregtarëve të energjisë me të cilët keni lidhje të ngushta, me paratë e rinisë që ka ikë në mërgim e nga atje po e financon konsumin në Kosovë (krejt kjo lehtë e faktushme)

  • Puna 4 ditë në javë del më produktive

    Puna 4 ditë në javë del më produktive

    Të punosh 4 ditë në javë është më produktive Nëse dëshironi që punonjësit tuaj të jenë më produktivë, jepuni atyre një ditë pushim të paguar çdo javë.

    “Kjo do të thotë të punosh në mënyrë më inteligjente, dhe jo më gjatë” thotë Andrew Barnes, themelues i kompanisë Perpetual Garden në Zelandën e Re.

    Ndërkohë që sipas një studimi të Vouchercloud në Britaninë e Madhe në vitin 2017, mesatarisht një punonjës është i përqendruar rreth 2 ore e 53 minuta në punë.

    Ndërsa Workforce Institute at Kronos, në një studim të vitit 2018, doli në përfundimin se më shumë se gjysma e punonjësve me kohë të plotë mendonin se mund ta bënin punën e tyre në pesë orë, nëse gjatë kësaj kohe nuk do të ndërpriteshin në punën e tyre.

  • Zjarri në Prishtinë, Policia: Shpërtheu në parkingjet e një objekti, s’ka të lënduar

    Zjarri në Prishtinë, Policia: Shpërtheu në parkingjet e një objekti, s’ka të lënduar

    Një zjarr ka përfshirë rreth orës 01:00 pas mesnate parkingjet e një qendre tregtare në rrugën Agron Rrahmani në Prishtinë.

    Policia ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes, përveç forcave të rendit, kanë dalë edhe zjarrfikësit, të cilët kanë lokalizuar flakët.

    Zëdhënësi i policisë për kryeqytet, Enis Pllana, tha se nga ky incident nuk raportohet për të lënduar.

    “Aktualisht po vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.”, tha ai.

  • Çdo plan paqeje për Ukrainën duhet të pranohet në Kiev, thotë presidenti polak

    Çdo plan paqeje për Ukrainën duhet të pranohet në Kiev, thotë presidenti polak

    Çdo plan paqeje për Ukrainën duhet të pranohet në Kiev, tha presidenti polak Karol Nawrocki, pasi SHBA-të i sinjalizuan Presidentit Volodymyr Zelenskiy se Ukraina duhet të pranojë një kornizë të hartuar nga SHBA-të për t’i dhënë fund konfliktit të saj me Rusinë.

    Plani me 28 pika i Uashingtonit i bën thirrje Ukrainës të lëshojë territor, të pranojë kufizime në ushtrinë e saj dhe të heqë dorë nga ambiciet për t’u bashkuar me NATO-n.

    Ai gjithashtu përmban disa propozime që Moska mund t’i kundërshtojë dhe kërkon që forcat e saj të tërhiqen nga disa zona që kanë pushtuar, sipas një drafti të parë nga Reuters.

    “Ishte Ukraina ajo që ra viktimë e agresionit kriminal të Putinit dhe janë ukrainasit, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të BE-së, ata që duhet të kenë zërin vendimtar në bisedimet e paqes”, tha Nawrocki në emisionin X të premten vonë, duke iu referuar Presidentit rus Vladimir Putin .

    “Çmimi i paqes nuk mund të jetë në asnjë mënyrë arritja e qëllimeve strategjike nga agresori, dhe agresori ishte dhe mbetet Federata Ruse”, shtoi ai.

  • Mamdani pyetet nëse Trump është fashist, presidenti me buzëqeshje: Mund të thuash që jam

    Mamdani pyetet nëse Trump është fashist, presidenti me buzëqeshje: Mund të thuash që jam

    Kryetari i ardhshëm i New Yorkut, Zohran Mamdani, vizitoi të hënën në mbrëmje Shtëpinë e Bardhë, ku zhvilloi një takim me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke lënë shumë të befasuar me atmosferën miqësore dhe të këndshme.

    Trump dhe Mamdani diskutuan për një sërë temash dhe para gazetarëve ruajtën një ton të këndshëm, edhe kur pyetjet ishin provokuese.

    Një nga pyetjet iu drejtua Mamdanit lidhur me një deklaratë të kaluar ku ai e kishte quajtur Trumpin “fashist”.

    Para se Mamdani të përgjigjej, Trump ndërhyri me një koment të pazakontë: “Ok, mund të thuash që jam. Është më e lehtë se sa të shpjegosh”, tha 79-vjeçari duke buzëqeshur, dhe gazetarët qeshën gjithashtu.

    Vlen të përmendet se më parë, këta dy politikanë kishin pasur shpesh përplasje përmes mediave – Mamdani e kishte quajtur Trumpin “despot”, ndërsa presidenti e kishte cilësuar Mamdanin “komunist dhe të majtë të çmendur”.

    Megjithatë, gjatë këtij takimi nuk u përdorën këto terma, dhe ata ranë dakord të bashkëpunojnë për disa çështje kyçe që lidhen me New Yorkun.

  • Shqipëri: 76-vjeçarja mbytet në përroin e Progerit, konfirmohet viktima e parë nga moti i keq

    Shqipëri: 76-vjeçarja mbytet në përroin e Progerit, konfirmohet viktima e parë nga moti i keq

    Një 76-vjeçare ka humbur jetën tragjikisht në fshatin Proger të Devollit, duke u bërë viktima e parë e motit të keq që ka përfshirë Shqipërinë.

    Lajmi u konfirmua nga autoritetet lokale, pasi djali i saj kishte sinjalizuar ditën e djeshme për largimin e të ëmës nga banesa.

    Sipas familjarëve, e moshuara vuante nga demenca, çka dyshohet të ketë ndikuar në largimin e saj nga shtëpia.

    Ndërkohë, autoritetet njoftojnë se situata në qark paraqitet më e qëndrueshme këtë mëngjes, pasi gjatë natës nuk ka pasur reshje të tjera. Pritet një përditësim më i detajuar nga institucionet përgjegjëse në orët në vijim.