ATV

Category: Lajme

  • “Do të padisë për shpifje”, “Do të sqarohemi në gjykatë”, Hoti e Sejdiu përplasen për autobusët në Prishtinë

    “Do të padisë për shpifje”, “Do të sqarohemi në gjykatë”, Hoti e Sejdiu përplasen për autobusët në Prishtinë

    Ish-ministri i Financave, Abdullah Hoti dhe ish-nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu janë përfshirë në debatin për atuobusët në Prishtinë, ku kanë hedhur akuza mes njëri-tjetrit.

    E gjitha nisi pasi Sejdiu reagoi lidhur me blerjen e autobusëve për Trafikun Urban të Prishtinës në vitin 2017, duke akuzuar Qeverinë e atëhershme të Isa Mustafës për bllokimin e projektit.

    Sejdiu ka kujtuar se në vitin 2017, pas dy vitesh bllokim dhe presion të qytetarëve, Prishtina mori 51 autobusët e rinj, pas 30 vjetësh pa asnjë investim në transport publik.

    “Dhe që ta dini saktë se çfarë ka ndodhë: në vitet 2015–2017, autobusët e rinj kanë mbetur të bllokuar nëpër letra për dy vjet të plota, jo pse mungonin paratë, jo pse s’kishin dokumente, por sepse qeveria qendrore refuzonte me nënshkruar vetëm se projekti ishte i Prishtinës. E asokohe Prishtina udhëhiqej nga VV, ndërsa pushtetin qendror e kishte LDK. Çdo procedurë u zvarrit me qëllim, çdo justifikim u shpik. Ishte bllokadë politike e pastër, me një synim të vetëm, me e nënshtru qytetin që kishte votuar ndryshe. Dhe ajo bllokadë u thye vetëm kur qytetarët protestuan, firmosën peticione e dolën para derës së pushtetit. Vetëm atëherë qeveria u detyru me u tërheq.
    Sot, historia po përsëritet, por me një cinizëm edhe më të madh. Nesër, Prishtina mbetet pa transport publik. Fajtori është politika që po e përdor qytetin si peng.”, ka shkruar ndër të tjera Sejdiu.

    Pas këtij postimi, ka reaguar ish-ministri i Financave në atë kohë, Avdullah Hoti, duke thënë se problemi në atë kohë ka qenë te Komuna e Prishtinës dhe jo te Qeveria qendrore.

    “Sejdiu po gënjen. Ai dhe shefi i tij nuk kryenin detyrimin ligjor përmes nxjerrjes së vendimit nga Kuvendi i Komunës, që do të garantonte pagesën e kredisë nëse NP Trafiku Urban dështon të paguajë kredinë. Sapo vendimi u miratua në Kuvend, marrëveshja u procedua në Qeveri dhe më tutje,” ka shkruar Hoti.

    Ai ka shtuar se qëllimi i Sejdiut dhe i partisë së tij ka qenë të bëjnë një kauzë politike për të mbuluar dështimet e veta në Prishtinë, duke vazhduar me “politika të ulëta dhe të ndyra kundër LDK-së”.

    Hoti ka paralajmëruar se nëse Sejdiu nuk kërkon falje publike, ai do të padisë për shpifje.

    Nuk ka vonuar dhe Sejdiu i është kundërpërgjigjur Hotit, duke thënë se ky i fundit ka zgjedhur të hyjë në betejë kundër tij, jo kundër atyre që realisht po e shkatërrojnë transportin publik sot, dhe sipas Sejdiut kjo, në vetvete, flet shumë.

    “Zotëria jo vetëm që ka zgjedhur me gënjy për të kaluarën, por po e përdor këtë gënjeshtër për t’i shërbyer narrativës së pushtetit aktual. Në vend se ta thotë qartë se çfarë po ndodh sot me transportin publik, ai ka vendosur me u marrë me mua, me vitin 2017, me një fotografi, me një postim”, thotë ndër të tjera Sejdiu.

    Kurse, ai i kundërpërgjigjet Hotit edhe për padinë që paralajmëroi ndaj tij.

    “Sa për padinë që përmendi: ju lutem, vazhdoni. Nuk ka askund më mirë se në gjykatë për me u sqaru edhe një herë publikisht bllokadën e asaj kohe. Nuk kam asnjë problem me këtë. Përkundrazi, është rast i artë që opinioni me i pa faktet e vërteta edhe një herë”, thuhet në kundërpërgjigjen e Sejdiut.

  • Vetaksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”, policia jep detaje

    Vetaksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”, policia jep detaje

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur para pak minutash në autostradën “Ibrahim Rugova”, në drejtim Prizren-Prishtinë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënës polici, Daut Hoxha, ku bëri të ditur se personi i lënduar është duke u trajtuar në QKMF Prizren

    “Sot me datë 23.11.2025 rreth orës 18:30 në Autostraden “Ibrahim Rugova” Km 26, drejtimi Prizren – Prishtinë është shkaktuar një aksident trafiku (vetaksident) me lëndime. Vetura e përfshirë në këtë aksident është me targa vendore.

    Personi i lënduar është duke u trajtuar në QKMF Prizren dhe sipas mjekut kujdestar nuk ka lëndime të rënda”, ka thënë Hoxha.

  • Nesër vazhdon gjykimi për Liridona Ademajn, vëllau i saj: Java që po vjen është e vështirë për ne, bëhen dy vite nga vrasja e saj

    Nesër vazhdon gjykimi për Liridona Ademajn, vëllau i saj: Java që po vjen është e vështirë për ne, bëhen dy vite nga vrasja e saj

    Nesër do të vazhdoj gjykimi në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, më 29 nëntor 2023.

    Në lidhje me këtë, ka njoftuar vëllau i saj Leonard Ademaj i cili ka thënë se java që po vjen është shumë e vështirë për ta, pasi që me 29 nëntor bëhen dy vite nga vrasja e motrës së tij.

    “Nuk ka fjale per te pershkruar pikellimin qe ndjejme per te. Vetem drejtesia e shpejte, profesionale dhe pa gabime mund te na lehtesoje dhimbjen e rende qe po e perjetojne femijet e saj dhe ne”, ka shkruar Leonard Ademaj në Facebook.

    Liridona Ademaj dyshohet të jetë vrarë nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, në bashkëpunim me Granit Plavën dhe Naim Kokallën, tre të akuzuarit për këtë vrasje.

  • Edhe kompania “24 Yjet” njofton për ndërprerjen e linjave

    Edhe kompania “24 Yjet” njofton për ndërprerjen e linjave

    “24 Yjet” ka pezulluar të gjitha linjat urbane për shkak se siç njofton kjo kompani, nuk janë paguar nga muaji maj, dhe kjo e ka vështirësuar tej mase punën për operim të rregullt, thuhet në njoftim.

    Në një postim në FB, kjo kompani thotë kanë “mbuluar shpenzimet për aq sa kemi pasë mundësi por ju njoftojme se nga neser me datë 24.11.2025 jemi të detyruar të nderpresim operimin në të gjitha linjat si 10, 10 A, 10B, 10 C si dhe linjen nr 20.

    “Ne kërkojme mirëkuptimin e udhëtarve të cilët udhëtojnë me kompanin tonë, por përgjegjsia për këtë situatë nuk është e jona”, vijon njoftimi.

  • Konfirmimi i Ramës për ndërprerjen e transportit publik nga nesër, vjen reagimi i Muratit

    Konfirmimi i Ramës për ndërprerjen e transportit publik nga nesër, vjen reagimi i Muratit

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, konfirmoi ndërprerjen e transportit publik nga dita e nesërme, për shkak të buxhetit të bllokuar.

    Pas këtij lajmi, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se “Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike”, por sipas tij, stafi i komunës së Prishtinës kishte përfunduar orarin e punës.

    Reagimi i tij i plotë:

    Të premten pasdite, Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike.

    Mirëpo në fund të ditës, nga Thesari më njoftuan që përkundër alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se “i kryejmë të hënën”.

    Fillimisht u habita, sepse kjo sjellje e tyre nuk përkonte me urgjencën që kishin paraqitur, kur kishin kërkuar alokim të parakohshëm.

    Në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën.

    Sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielen.

    Kjo e sqaron edhe arsyen pse Lumir Abdixhiku me deputetët tjerë të LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën në Kuvend.

    Sepse në mungesë të kauzave reale, paskan vendosur që të mos i kursejnë as qytetarët e Prishtinës, me shpresën që mos dikush rastësisht u beson se fajin e paska Qeveria.

  • Mot i ndryshueshëm në javën e ardhshme: Diell, vranët dhe me shi

    Mot i ndryshueshëm në javën e ardhshme: Diell, vranët dhe me shi

    Instituti Hidrometeorologjik e ka publikuar parashikimin e motit për pesë ditët e ardhshme.

    Sipas IHMK-së, moti gjatë javës parashihet të jetë i ndryshueshëm, me intervale të shkurta me diell, i vranët dhe me shi.

    E hënë

    Moti i vranët dhe me intervale me diell.

    Temperaturat minimale: 0-3°C

    Temperaturat maksimale: 5-9°C

    Era: Kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-4m/s.

    E martë

    Mot kryesisht i vranët.

    Temperaturat minimale: 0-2C

    Temperaturat maksimale: 8-11°

    Era: nga jugperëndimi, me shpejtësi 1-5m/s

    E mërkurë

    Moti kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu.

    Temperaturat minimale: 3-5 °C

    Temperaturat maksimale: 10-13°C

    Era: kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-5m/s.

    E enjte

    Mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu.

    Temperaturat minimale: 1 deri 3°C

    Temperaturat maksimale: 4-6°C

    Era: nga veriperëndimi , 1-4 m/s

    E premte

    Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat vende-vende mund te sjellin riga lokale shiu.

    Temperaturat minimale: -1 deri 2°C

    Temperaturat maksimale: 4-6°C

    Era: e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit.

  • Republika Serbe voton për presidentin e ri pas shkarkimit të Dodikut

    Republika Serbe voton për presidentin e ri pas shkarkimit të Dodikut

    Votuesit në Republikën Serbe të Bosnjës po votojnë për një president të ri në zgjedhjet e parakohshme të dielën, të shpallura pasi ish-presidenti, Milorad Dodik, u hoq nga detyra dhe u ndalua nga politika për gjashtë vjet.

    Vota do të përcaktojë nëse rajoni i dominuar nga serbet e Bosnjës do të largohet nga agjenda nacionaliste e Dodikut apo do të vazhdojë me politika separatiste, që rrezikojnë kohezionin e brendshëm të vendit të brishtë ballkanik.

    Separatisti pro-rus Dodik u dënua në shkurt për sfidimin e gjykatës kushtetuese dhe një të dërguari ndërkombëtar për paqe, duke çuar në krizën më të madhe politike të Bosnjës që nga fundi i luftës së saj shkatërruese 30 vjet më parë.

    Ai e hodhi poshtë vazhdimisht vendimin, i cili u mbështet nga një këshill apeli në gusht dhe gjykata kushtetuese në fillim të këtij muaji, por në tetor caktoi papritur një aleat besnik si zëvendësuesin e tij të përkohshëm.

    Kompetencat e presidentëve të rajoneve janë kryesisht ceremoniale, por Dodik, i cili ka mbajtur poste të larta qeveritare në rajonin serb për pjesën më të madhe të 25 viteve të fundit, kishte uzurpuar të gjitha pushtetet ekzekutive gjatë mandateve të tij.

    Shumica e njerëzve që hodhën votat e tyre herët të dielën në qytetin më të madh të rajonit, Banja Lluka, ishin të zhgënjyer për mundësinë e ndryshimit.

    “Nuk ka asgjë për të pritur. Na mbetet të menaxhojmë vetë”, tha Bozidar Knezevic.

    Midis gjashtë kandidatëve për postin presidencial, ka dy të preferuar – aleati i Dodik, Sinisa Karan nga Aleanca e tij qeverisëse e Social Demokratëve të Pavarur, dhe kandidati i opozitës Branko Blanusha i Partisë Demokratike Serbe.

    Mandati presidencial do të zgjasë më pak se një vit që kur zgjedhjet e përgjithshme janë planifikuar në tetor të ardhshëm.

    Dodik ka bërë fushatë aktive për Karan, i cili aktualisht shërben si ministër i Zhvillimit Shkencor dhe Teknologjik të Republikës Serbe.

    Karan ka bërë fushatë nën moton se një votë për të është një “votë për presidentin Dodik” dhe fotografi të dyshes duke buzëqeshur nga posterat janë postuar në të gjithë rajonin.

    Blanusa është një profesor universiteti i cili është një fytyrë e re në politikë. Ai mbështetet nga shumica e partive opozitare serbe dhe është zotuar të luftojë kundër korrupsionit dhe “kapjes shtetërore” të burimeve në Republikën Serbe.

    Më shumë se 1.2 milion njerëz kanë të drejtë vote në zgjedhje. Rezultatet paraprake priten pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 18:00.

  • Trafiku Urban del me njoftim: Nga nesër ndërpresim të gjitha linjat, ju kërkojmë ndjesë qytetarëve

    Trafiku Urban del me njoftim: Nga nesër ndërpresim të gjitha linjat, ju kërkojmë ndjesë qytetarëve

    Trafiku Urban ka dalë me njoftim pas konferencës për media të kryetarit të Komunës, Përparim Rama i cili njoftoi se nga dita e hënë, transporti publik në kryeqytet do të ndalet.

    Ai ka thënë se buxheti është bllokuar për çështje politike.

    Trafiku Urban u ka kërkuar falje qytetarëve për ndërprerjen e shërbimit të transportit.

    Postimi:

    “Të nderuar qytetarë,

    Gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025.

    Shprehim keqardhjen tonë të sinqertë për pasojat që kjo ndërprerje do t’ju shkaktojë. Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet e saj financiare ndaj ndërmarrjes.

    Dëshirojmë të sqarojmë se ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar; megjithatë, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e obligimeve ndaj nesh kanë krijuar këtë situatë të paqëndrueshme.

    Edhe një herë, u kërkojmë ndjesë qytetarëve për ndërprerjen e shërbimit të transportit publik, i cili do të mbetet i pezulluar deri në lëshimin e mjeteve.

  • Netanyahu zotohet se Izraeli do t’i vazhdojë sulmet ndaj Hamasit dhe Hezbollahut

    Netanyahu zotohet se Izraeli do t’i vazhdojë sulmet ndaj Hamasit dhe Hezbollahut

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar të dielën se vendi i tij do të bëjë “gjithçka që është e nevojshme” për ta parandaluar rigrupimin e Hezbollahut në Liban dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

    Gjatë javës së kaluar Izraeli ka goditur disa shënjestra në Libanin fqinj, ndërsa ushtria izraelite tha të shtunën se goditi raketahedhës dhe caqe ushtarake të Hezbollahut.

    Agjencia e mbrojtjes civile në Gazë tha se 21 njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në disa sulme ajrore izraelite të shtunën.

    Hamasi – grupi palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe fuqi të tjera – Izraeli shkëmbyen sërish akuza për shkeljen e armëpushimit të brishtë që është në fuqi që nga 10 tetori.

    “Ne po vazhdojmë ta godasim terrorizmin në disa fronte”, tha Netanyahu në hapje të mbledhjes së kabinetit të tij qeveritar të dielën.

    “Këtë fundjavë, IDF-ja [ushtria izraelite] goditi në Liban, dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta penguar Hezbollahun ta rikthejë aftësinë e tij kërcënuese ndaj nesh”.

    “Këtë po e bëjmë edhe në Rripin e Gazës. Që prej armëpushimit, Hamasi nuk ka ndaluar së shkeluri atë, dhe ne po veprojmë në përputhje me rrethanat”, tha Netanyahu.

    E shtuna ishte një nga ditët më vdekjeprurëse qëkurse armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi, pas dy vjetëve luftë.

    Ushtria izraelite tha se një “terrorist i armatosur” kishte kaluar të ashtuquajturën vijë e verdhë – kufiri brenda Rripit të Gazës, përtej të cilit forcat izraelite janë tërhequr – dhe kishte hapur zjarr ndaj ushtarëve izraelitë.

    Ushtria “filloi t’i godasë objektiva terroriste në Rripin e Gazës” si përgjigje, thuhej në deklaratë.

    Netanyahu pretendoi të dielën se Hamasi kishte bërë “disa tentativa” për të depërtuar përtej vijës së verdhë për të “tentuar të dëmtojë ushtarët tanë”.

    “Ne e kemi parandaluar këtë me forcë të madhe dhe gjithashtu jemi kundërpërgjigjur duke shkaktuar një çmim shumë të rëndë. Kjo përfshin shumë terroristë që kemi eliminuar”, shtoi ai.

    Netanyahu tha se ideja se Izraelit i nevojitej miratim i jashtëm para ndërmarrjes së veprimeve, është “gënjeshtër absolute”.

    “Ne vendosim në mënyrë të pavarur nga çdo faktor, dhe ashtu duhet të jetë. Izraeli është përgjegjës për sigurinë e vet”, tha ai.

    Ushtria izraelite dhe agjencia e sigurisë së brendshme Shin Bet pretenduan se sulmet e së shtunës në Gazë “eliminuan kreun e furnizimit dhe pajisjeve në qendrën e prodhimit të Hamasit”.

    Alaa Haddadeh “vepronte për të transferuar armë nga qendra e Hamasit te komandantët e batalioneve dhe të fushës”, thuhej në një deklaratë të përbashkët.

  • Përparim Rama: Transporti publik ndalet nga nesër, buxheti ende i bllokuar

    Përparim Rama: Transporti publik ndalet nga nesër, buxheti ende i bllokuar

    media ka ngritur shqetësime serioze për situatën financiare dhe institucionale në kryeqytet, duke thënë se qytetarët po rrezikohen si asnjëherë më parë.

    “Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë të rrezikohen qytetarët deri në këtë shkallë. Për herë të parë në historinë e Kosovës po ndodh që qeveria qendrore t’i bllokojë hyrat vetanake të Kryeqytetit, shërbime jetike të Kryeqytetit. Bëhet fjalë për funksione elementare për mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve tona. Më shumë se një vit, në mënyrë të vazhdueshme dhe plotësisht me dispozitat ligjore kemi kërku alokimin e buxhetit që i duhet Kryeqytetit. Asnjë kërkesë nuk është trajtu. Buxheti i Prishtinës është blloku për çështje krejtësisht politike, 35 milionë euro kur prej tyre 25 milionë euro janë të hyra vetanake dhe 10 milionë të grantit qeveritar janë blloku nga Ministria e Financave me kundërshtim me ligjin dhe me kushtetutë. Ne kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit në detyrë Murati për shkelje të ligjit. Jemi drejtuar te kryeministri, te presidentja dhe te Gjykata Kushtetuese. Qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa paga dhe shërbimet bazike janë në rrezik”, tha Rama.

    Ai bëri të ditur se situata ka arritur në pikën kritike, duke konfirmuar ndërprerjen e transportit publik nga dita e nesërme.

    “Sapo e përfundova takimin me me përfaqësuesit e ndërmarrjes së transportit publik dhe të shoqatës të tranportit privat dhe, që nga nesër, transporti publik fatkeqësisht do të ndalet. Me keqardhje të thellë e them se nuk e kam besuar se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për shkak të çështjeve të biznesit”, theksoi ai.

    Rama u bëri thirrje institucioneve qendrore që të ndërhyjnë menjëherë për të zhbllokuar situatën.

    “Në cilësinë e kryetarit të kryeqytetit, qytetarët janë përcaktuar që unë ta drejtoj edhe për një mandat. Ju bëj thirrje të gjitha institucioneve, zyrtarëve dhe ministrave: veproni. Zgjedhjet kanë përfunduar, tani është koha t’u kthehemi punës”, shtoi ai.