ATV

Category: Lajme

  • Ky është parashikimi i motit për sot dhe 4 ditët e ardhshme

    Ky është parashikimi i motit për sot dhe 4 ditët e ardhshme

    Instituti Hidrometeorologjik e ka publikuar parashikimin e motit për pesë ditët e ardhshme.

    Sipas IHMK-së, moti gjatë javës parashihet të jetë i ndryshueshëm, me intervale të shkurta me diell, i vranët dhe me shi.

    E hënë

    Moti i vranët dhe me intervale me diell.

    Temperaturat minimale: 0-3°C

    Temperaturat maksimale: 5-9°C

    Era: Kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-4m/s.

    E martë

    Mot kryesisht i vranët.
    Temperaturat minimale: 0-2C

    Temperaturat maksimale: 8-11°

    Era: nga jugperëndimi, me shpejtësi 1-5m/s

    E mërkurë

    Moti kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu.

    Temperaturat minimale: 3-5 °C

    Temperaturat maksimale: 10-13°C

    Era: kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-5m/s.

    E enjte

    Mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu.

    Temperaturat minimale: 1 deri 3°C

    Temperaturat maksimale: 4-6°C

    Era: nga veriperëndimi , 1-4 m/s

    E premte

    Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat vende-vende mund te sjellin riga lokale shiu.

    Temperaturat minimale: -1 deri 2°C

    Temperaturat maksimale: 4-6°C

    Era: e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit.

  • LDK sot mban mbledhjen e kryesisë, nominon kandidatin për kryeministër

    LDK sot mban mbledhjen e kryesisë, nominon kandidatin për kryeministër

    Lidhja Demokratike e Kosovës sot pritet të caktojë kandidatin për kryeministër për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Mbledhja e Kryesisë së LDK-së do të nisë nga ora 15:00.

    Si pikë e dytë e rendit të ditës është edhe nominimi i kandidatit të LDK-së për kryeministër.

  • RTK nga sot në grevë të përgjithshme

    RTK nga sot në grevë të përgjithshme

    Sindikalistët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë njoftuar se sot, nga ora 11:00 deri në ora 13:00, të gjithë sektorët e RTK-së do të hyjnë në grevë të përgjithshme.

    Sindikata ka kërkuar që nëse kërkesat e saj nuk adresohen, greva mund të shoqërohet me bojkot të shumicës së emisioneve dhe lajmeve të RTK-së.

    Në një njoftim për media, Sindikata ka theksuar se gjatë kohës së grevës do të organizohen protesta dhe veprime të tjera si shenjë e kundërshtimit për situatën e vështirë që po kalojnë punonjësit.

    Sindikata ka ftuar mediat të jenë të pranishme në fillimin e grevës për të ndjekur zhvillimet e mëtejshme.

    Kërkesat e Sindikatës janë dërguar një javë më parë dhe deri tani nuk ka pasur reagime nga Menaxhmenti i RTK-së.

    Sindikata gjithashtu ka kërkuar bojkotimin e fushatës zgjedhore dhe ngjarjeve me karakter politik, duke kërcënuar se nëse kërkesa e saj nuk miratohet, do ta marrin vendimin për bojkotin vetë

    “Gjatë kohës së grevës, krahas ndaljes së punës, do të organizohen protesta dhe do të ndërmerren veprime të tjera në ekran si shenjë e protestës për situatën e rëndë që po kalojnë kolegët dhe transmetuesit publik. Ftojmë mediet që të jenë të pranishme në fillimin e grevës së përgjithshme për të ndjekur nga afër zhvillimet. Ky veprim është ndërmarrë pas dërgimit të kërkesave tona dhe njoftimit të të gjithë akterëve përkatës 7 ditë më parë, në përputhje me ligjin për grevat. Edhe njëherë, bëjmë thirrje që Menaxhmenti të marrë vendim për bojkotimin e fushatës zgjedhore dhe ngjarjeve me karakter politik. Nëse kjo nuk ndodh, Sindikata do ta marrë këtë vendim vetë”, thuhet në njofitm.

  • Kandidati i Dodikut shpall fitoren në zgjedhjet në Republika Srpska

    Kandidati i Dodikut shpall fitoren në zgjedhjet në Republika Srpska

    Kandidati i SNSD-së, Sinisha Karan shpalli fitoren në zgjedhjet për president të entitetit Republika Srpska, duke iu referuar rezultateve paraprake të partisë.

    Sipas të dhënave të publikuara nga SNSD pas përpunimit të 95.61 përqind të qendrave të votimit, Karan kryeson me rreth 8,500 vota në krahasim me kundërshtarin e tij Branko Blanusha nga SDS.

    Megjithatë, bëhet fjalë për rezultatet e brendshme të partisë dhe jo për të dhënat zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Karan u bë kandidati i SNSD-së pasi udhëheqësi dhe presidenti i RS-së, Milorad Dodik, u ndalua të kandidonte për poste dhe të mbante poste publike për shkelje të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt.

    Sinisha Karan, ish-ministër i Brendshëm, është aleat i ngushtë dhe zgjedhja personale e Dodikut, i cili mbetet kreu i partisë së tij, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD).

    Dodiku u largua nga posti i presidentit të Republikës Sërpska në gusht, pasi u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit ndërkombëtar, Christian Schmidt, që e mbikëqyr marrëveshjen e paqes, e cila e ka mbajtur Bosnjën të bashkuar që nga përfundimi i luftës ndëretnike të viteve ‘90.

    Zgjedhjet e parakohshme në Republikën Sërpska (RS) – një nga dy entitetet gjysmautonome të Bosnjës, përkrah federatës boshnjakokroate – nënkuptojnë se fituesi do të shërbejë për më pak se një vit, deri në zgjedhjet e përgjithshme në tetor 2026.

  • Shefi i ushtrisë izraelite shkarkon komandantët për dështimet në sulmin e 7 tetorit

    Shefi i ushtrisë izraelite shkarkon komandantët për dështimet në sulmin e 7 tetorit

    Shefi ushtarak i Izraelit të dielën shkarkoi disa personel të lartë ushtarakë dhe qortoi të tjerë për rolet e tyre në dështimet e 7 tetorit 2023, kur Hamasi nisi një sulm të papritur ndaj Izraelit.

    Një numri oficerësh u tha se do të liroheshin nga detyra rezervë dhe nuk do të shërbenin më në ushtri, tha ushtria në një deklaratë.

    Të tjerëve iu dhanë qortime zyrtare, ndërsa një u informua se shërbimi i tij do të përfundonte. Një tjetër paraqiti dorëheqjen.

    Ata që u informuan se do të liroheshin nga detyra rezervë përfshinin ish-krerë të drejtorisë së inteligjencës, drejtorisë së operacioneve dhe komandës jugore, e cila është përgjegjëse për Gazën.

    Gjeneralët kishin dhënë më parë dorëheqjen nga shërbimi aktiv, por mbetën në detyrë rezervë.

    Ushtria izraelite “dështoi në misionin e saj kryesor më 7 tetor – për të mbrojtur civilët e Shtetit të Izraelit”, tha shefi i shtabit ushtarak izraelit, Eyal Zamir, shkruajnë mediat e huaja.

    “Ky është një dështim i rëndë, i madh dhe sistemik, që lidhet me vendimet dhe sjelljen në prag të ngjarjes dhe gjatë saj. Mësimet e asaj dite janë të shumta dhe domethënëse, dhe ato duhet të shërbejnë si busulla jonë për të ardhmen drejt së cilës kam ndërmend të udhëheq [ushtrinë izraelite]”,

    Masat e fundit disiplinore vijnë ndërsa zyrtarët izraelitë përballen me presion publik në rritje për përgjegjësi për dështimet që çuan në sulm.

    Qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu ende nuk ka hapur një hetim kombëtar për sulmin e 7 tetorit.

    Mijëra protestues u bashkuan me udhëheqësit e opozitës në Tel Aviv të shtunën në mbrëmje duke kërkuar një komision hetimor shtetëror.

    Sulmi i 7 tetorit nga Hamasi dhe fraksione të tjera palestineze vrau rreth 1,200 njerëz në Izrael dhe pa rreth 250 të marrë peng, sipas llogaritjeve izraelite.

    Sulmi shkaktoi fushatën tokësore dhe ajrore të Izraelit në Gaza, e cila ka shkatërruar pjesë të mëdha të enklavës dhe ka vrarë më shumë se 69,000 njerëz, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

    Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-të muajin e kaluar, si pjesë e fazës së parë të një plani për t’i dhënë fund luftës.

  • Pezullimi i transportit publik në Prishtinë, reagon edhe Shpend Ahmeti

    Pezullimi i transportit publik në Prishtinë, reagon edhe Shpend Ahmeti

    Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas paralajmërimeve se kryeqyteti të hënën do të mbetet pa transport publik. Ai e ka cilësuar situatën si “ditë të dhimbshme” për qytetarët.

    Ahmeti ka thënë se gjatë mandatit të tij Komuna kishte marrë Trafikun Urban me 1.5 milion euro borxhe dhe 24 muaj paga të papaguara. Ai ka theksuar se procesi i rifunksionalizimit ishte zvarritur për shkak të procedurave qeveritare dhe votimit të garancionit të sovranitetit në Kuvend, pavarësisht se ishte siguruar një kredi prej 10 milionë eurosh nga BERZH-i.

    “Gjatë asaj kohe pëekundlr kundërshtimeve kam takuar vetëm Avdullah Hotin nja pesë herë. Kam kërkuar edhe nfa shefi i grupit parlamentar të VV që ti votonte marrëveshjet ndërkombëtare (asokohe vv rralë votonte propozimet e qeverisë) vetëm që të votoheshin edhe autobusët”, ka thënë Ahmeti.

    “Politika është kompromis. Posaçërisht kur është interesi qytetar në pyetje. Autobusat janë një, e ditëve në vijim shkollat do të mbesin pa rrymë, çerdhet pa bukë etj etj. Aman takonu qoftë edhe me ndërmjetësues sepse janë pika vitale të funksionimit. Çkado që keni nevojë janë të gatshëm të tjerët të ndihmojmë”, ka thënë ndër të tjera Ahmeti.

    “Postet vijnë e shkojnë. Zgjedhje do të ketë edhe të tjera. Por të këqijat ju mbesin në ndërgjegjje e në histori. Takonu!”.

  • Kos: Nuk jam e kënaqur që Kosova do të ketë përsëri zgjedhje, mezi pres të kenë qeveri funksionale

    Kos: Nuk jam e kënaqur që Kosova do të ketë përsëri zgjedhje, mezi pres të kenë qeveri funksionale

    Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos ka folur për Kosovën, duke thënë se s’është e kënaqur që do të ketë sërish zgjedhje.

    Megjithatë, ajo në një intervistë për A2CNN tha se demokracia po funksionon dhe për këtë është shprehur e kënaqur.

    “Për çështjen e Kosovës, nuk jam e kënaqur që tani do të kenë përsëri zgjedhje, por demokracia e tyre po funksionon dhe jam e kënaqur për këtë. Pse nuk jam e kënaqur? Sepse po presim ratifikimin e dy marrëveshjeve për Planin e Rritjes. Pra, për momentin, Kosova po i bën reformat, por ne nuk mund t’i paguajmë paratë sepse nuk i kemi këto dy marrëveshje”.

    “Nga ana tjetër, siç e dini, Kosova, edhe duke mos qenë ende kandidate zyrtarisht, është plotësisht e përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane, ashtu si dhe vendi tuaj, Shqipëria. Ju keni marrëdhënie shumë të mira me këtë vend, që do të thotë se nuk mund ta përfytyroj përfundimin e bashkimit të Evropës pa integruar edhe Kosovën në Bashkimin Evropian. Pra, do të punojmë për këtë”, u shpreh ajo.

    Kos tha gjithashtu se shpreson që pas zgjedhjeve të ketë një qeveri të re e cila, sipas saj, mund të shtyjë përpara reformat.

    “Unë shpresoj se së shpejti, pas zgjedhjeve, do të kemi një qeveri të re dhe pastaj, qeveria është ajo që mund të shtyjë përpara reformat. Dhe jam e sigurt se janë të gatshëm ta bëjnë këtë në aspektin ekonomik. Po ecin shumë mirë. Ata kanë kryer tashmë disa nga reformat, kështu që mezi pres që të kenë një qeveri funksionale dhe efikase dhe, pastaj, do të mund të përshpejtojmë, ndoshta në një moment tjetër, edhe procesin e anëtarësimit”, u shpreh Kos.

  • Ndalohen rreth 300 kg eksplozivë në Vërmicë

    Ndalohen rreth 300 kg eksplozivë në Vërmicë

    Janë ndaluar rreth 300 kilogramë eksplozivë në Vërmicë, ka njoftuar të dielën Dogana e Kosovës.

    Në njoftimin e Doganës është thënë se rreth orës 16:30 zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll një automjet të tipit furgon, i cili është dërguar në vijën e dytë për kontroll të detajuar, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional me Policinë Kufitare.

    Gjatë intervistimit, pala ka deklaruar se nuk posedon mallra për deklarim. E gjatë kontrollit është hasur në mallra të padeklaruara, përkatësisht mallra të ndaluara dhe të rrezikshme (eksploziv), të vendosura në thasë dhe pako, me peshë rreth 300 kilogramë, të cilat ishin fshehur në bagazhin e automjetit dhe të kamufluara me pajisje peshkimi.

    “Malli është ndaluar, ndërsa ndaj palës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, sipas dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës (KDAK), ndërsa rasti i është dorëzuar Policisë Kufitare, e cila po vazhdon me veprimet e mëtejshme ligjore”, thuhet në njoftim.

  • Osmani: Mirënjohëse për shërbimin, sakrificën dhe partneritetin e pathyeshëm të ShBA-së

    Osmani: Mirënjohëse për shërbimin, sakrificën dhe partneritetin e pathyeshëm të ShBA-së

    Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se bashkë me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriun, kanë marrë pjesë në ceremoninë “Marines Ball”.

    Në një postim në Facebook, Osmani ka theksuar se është mirënjohëse ndaj sakrificës dhe kontributit që ka bërë ShBA-ja për Kosovën.

    “Një mbrëmje e paharrueshme në ‘Marines Ball’, së bashku me aleatët tanë të përhershëm dhe në nderim të marinsave amerikanë që kanë qenë krah nesh në ditët më vendimtare të vendit tonë, dhe që vazhdojnë të kontribuojnë për paqe, në Kosovë dhe kudo në botë”.

    “Mirënjohëse për shërbimin, sakrificën dhe partneritetin e pathyeshëm që na ka bashkuar gjithmonë”, ka thënë Osmani.

  • BE-ja i sugjeron Kosovës të kërkojë bashkëpunim ndërkombëtar për rastin e Vukashinoviqit

    BE-ja i sugjeron Kosovës të kërkojë bashkëpunim ndërkombëtar për rastin e Vukashinoviqit

    Prokuroria në Mitrovicë i ka çuar në ekzaminim dy telefona të shtetasit Milan Vukashinoviq, që u plagos dhe u rrëmbye në territorin e Kosovës. Autoritetet kanë akuzuar Serbinë për këtë rast, e Bashkimi Evropian ka shprehur qëndrimin se “autoritetet mund ta vënë në funksion mekanizmin e Ndihmës së Ndërsjellë Juridike që lehtësohet nga BE-ja në Kosovë”. Institucionet e Serbisë vazhdojnë të heshtin, përfshirë edhe Klinikën në Nish ku po trajtohet Vukashinoviq.

    Bashkimi Evropian (BE) i ka sugjeruar Kosovës të kërkojë bashkëpunim ndërkombëtar për hetimin e tentimvrasjes dhe rrëmbimit të Milan Vukashinoviqit më 1 nëntor në Jellakcë të Leposaviqit.

    Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nikola Gaon, ka thënë se “autoritetet mund ta vënë në funksion mekanizmin e Ndihmës së Ndërsjellë Juridike që lehtësohet nga BE-ja në Kosovë”.

    E në misionin evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX ka shprehur gatishmërinë të ndërmjetësojë në shkëmbimin e informatave me Ministrinë e Brendshme të Serbisë.

    “EULEX-i po ashtu është i gatshëm që ta mbështesë hetimin duke shkëmbyer informacionet policore mes Policisë së Kosovës, Interpolit, Europolit, dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, në qoftë se një asistencë e tillë i kërkohet nga institucionet relevante të Kosovës që e kanë përgjegjësinë që ta hetojnë rastin në mënyrë efikase dhe të paanshme”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

    Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë nuk kanë treguar nëse është parashtruar një kërkesë e këtillë, por kanë bërë të ditur se kanë ndërmarrë disa hapa për zbardhjen e rastit.

    “Deri tash janë intervistuar nëna dhe një person tjetër i afërm me viktimën. Janë gjetur dy (2) telefona të viktimës, një në shtëpi dhe tjetri në veturën e tij, dhe të njëjtit janë dërguar për ekzaminim”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

    Kryeprokurori i Shtetit në Serbi e as dy prokuroritë në Prokuple nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS nëse po e hetojnë tentimvrasjen dhe rrëmbimin e Vukashinoviqit.

    Përgjigje në pyetjen se pse nuk u është lejuar familjarëve ta vizitojnë atë, nuk kanë dhënë as në Qendrën Klinike në Nish, ku po trajtohet Vukashinoviqi.

    Avokati i Popullit në Serbi, institucion që në këtë vend njihet si Mbrojtësi i Qytetarëve, nuk ka shprehur interesim për rastin. Udhëheqësi i këtij institucioni, Zoran Pashaliq, është arsyetuar se familja e as avokati i Vukashinoviqit nuk kanë bërë kërkesë për ta vizituar atë në spital.

    “Institucioni i Mbrojtësit të Qytetarëve viziton këdo që personalisht ose nëpërmjet të afërmve, miqve ose përfaqësuesve të tyre shpreh nevojën për të vizituar një person të privuar nga liria. Deri më sot unë nuk kam marrë një informacion të tillë”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Pashaliq.

    Por avokati i familjes së Vukashinoviqit, Ivan Niniq, nuk pajtohet me këtë konstatim. Sipas tij, Mbrojtësi i Qytetarëve në Serbi e ka për obligim të interesohet në bazë të detyrës zyrtare.

    “Vukashinoviq e ka ende plumbin në shpinë. Nënës nuk iu mundësua vizita shkaku i gjendjes shëndetësore të Milanit. Ne nuk kemi kërkuar mbrojtje dhe mbështetje nga Ombudspersoni, meqë ai e ka për obligim, në bazë të detyrës zyrtare që të reagojë në mënyrë proaktive dhe ta intervistojë atë”, ka thënë Niniq.

    Vukashinoviq u plagos e më pas u rrëmbye në territorin e Kosovës. Sipas autoriteteve të Kosovës, këtë veprim e kreu xhandarmëria e Serbisë.

    Serbia nuk e njeh Kosovën dhe nuk bashkëpunon me të as në fushën e drejtësisë.

    Nuk ka bashkëpunuar as për sulmin terrorist në kanalin e “Ibër-Lepencit” e as për atë në Banjskë, kur u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku.