ATV

Category: Lajme

  • Aktakuzë kundër një personi për krime lufte, s’kishte parandaluar vrasjen e 29 civilëve shqiptarë

    Aktakuzë kundër një personi për krime lufte, s’kishte parandaluar vrasjen e 29 civilëve shqiptarë

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër D.N. për “Krim lufte kundër popullsisë civile”. Ai akuzohet se gjatë periudhës mars-prill të vitit 1999, në cilësinë e komandantit të nënstacionit në Zhegër të Komunës së Gjilanit, s’ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjet e 29 e civilëve shqiptarë.

    Sipas aktakuzës, D.N ishte në dijeni se më 30 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, nën komandën e tij, kishin rrethuar fshatin Zhegër, ndërsa më 27 mars 1999 ishte sulmuar fshati Llashticë.

    I pandehuri D.N., së bashku me komandantin e Stacionit të Policisë në Gjilan, kishin urdhëruar tjetërsimin e vendit të ngjarjes me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit.

    “D.N edhe pse ishte njoftuar përmes një letre nga të dëmtuarit nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar, ndaluar ose për ti paraqitur rastet për hetim, por ishte larguar nga vendi i ngjarjes.”

  • Policia arreston një 32-vjeçar që ishte në kërkim – detaje se si u kap

    Policia arreston një 32-vjeçar që ishte në kërkim – detaje se si u kap

    Policia e Rajonit të Ferizajt ka arrestuar sot një person që ishte në kërkim për disa vepra penale. Bëhet fjalë për E.M, 32-vjeçar.

    Reagimi i policisë erdhi pas një ankese të paraqitur nga një qytetar, ku u raportua se i dyshuari e kishte kanosur atë.

    Pejsëtarë të policisë të udhëhequr nga komandanti i stacionit kanë nisur kërkimin e tij.

    “Rreth orës 13:30, policia mori informatë se i dyshuari, së bashku me një të afërm ishte paraqitur në shtëpinë e ankuesit. Gjatë tentimit për tu larguar me një veturë të tipit “Pick-up”, E.M. kishte shfaqur një armë zjarri (pistoletë) dhe është arratisur drejt zonës malore të fshatit Zborc. Fillimisht policia ka arrestuar M.M. (43 vjeç), i cili dyshohet se e ka ndihmuar të dyshuarin gjatë arratisjes. Më pas, me vendosjen e njësive policore në zona strategjike në fshatin Carralevë është lokalizuar dhe arrestuar edhe i dyshuari kryesor, pa u rrezikuar pjesëtarët e policisë. Gjatë kontrollit tek E.M. është gjetur dhe është sekuestruar një armë zjarri me disa fishekë”, thuhet në njoftim.

    Ai ka qenë në kërkim për: Posedim të narkotikëve nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Lëndim të rëndë trupor nga Gjykata Themelore në Ferizaj dhe Vrasje të mbetur në tentativë, rast i hapur nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj.

    “Ndërsa ndaj të dyshuarit M.M është iniciuar rasti “Ofrimi i ndihmës pas kryrje së vepres penale”. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit dhe me vendim të tij, të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore”, thuhet në njoftim.

  • Nga Malisheva në titujt e medieve italiane: Kosovari që sfidoi zjarrin për të shpëtuar të tjerët!

    Nga Malisheva në titujt e medieve italiane: Kosovari që sfidoi zjarrin për të shpëtuar të tjerët!

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Treviso të Italisë, ku një ndërtesë shumëkatëshe në zonën e Via Pisa u përfshi nga flakët, duke shkaktuar panik te banorët. Por mes kaosit, një shqiptar nga Kosova u shndërrua në hero.

    Bëhet fjalë për Albion Berishën, një të ri nga Malisheva, i cili po kthehej në shtëpi kur vuri re flakë që dilnin nga dritarja e apartamentit në Tower House. Pa hezituar, ai njoftoi menjëherë shërbimet e emergjencës duke u thënë: “Ejani menjëherë”.

    Por këtu nuk u ndal. Albion Berisha hyri me shpejtësi në ndërtesë, u ngjit në katet e sipërme dhe mori në krahë gjyshen e tij, duke e nxjerrë të sigurt jashtë. Përveçse shpëtoi të moshuarën, ai trokiti dhe ra zilet e apartamenteve të tjerë, duke paralajmëruar fqinjët për rrezikun e menjëhershëm dhe duke ndihmuar në evakuimin e tyre.

    Falë ndërhyrjes së tij të guximshme, u shmang një tragjedi e madhe. Sipas mediave italiane, në total 100 persona u evakuuan nga ndërtesa.
    Gjestin e tij heroik e ka vlerësuar edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila ka shprehur publikisht mirënjohje ndaj të riut kosovar për guximin dhe humanizmin e treguar.

    Albion Berisha, shqiptari i Kosovës, u bë shembull frymëzimi në Itali, duke dëshmuar edhe një herë se në momentet më të vështira, aktet e guximit dhe humanizmit mbeten të paharrueshme

  • Deficiti tregtar i Kosovës rritet në 530 milionë euro në tetor 2025

    Deficiti tregtar i Kosovës rritet në 530 milionë euro në tetor 2025

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat e reja për tregtinë e jashtme për muajin tetor 2025, të cilat tregojnë rritje të deficitit tregtar dhe të importeve, si dhe një rritje më të moderuar të eksporteve.

    Në tetor 2025, deficiti tregtar arriti në 530 milionë euro, krahasuar me 493 milionë euro në tetor 2024, që përbën një rritje prej 7.5%.
    Eksportet mbuluan vetëm 14.8% të importeve.

    Eksportet: 91.8 milionë euro (+5.1%)

    Importet: 621.8 milionë euro (+7.2%)

    Çfarë eksporton më shumë Kosova?

    Sipas grupeve kryesore të mallrave:

    Metale bazë dhe artikuj prej tyre – 21.0%

    Plastika, goma dhe artikujt prej tyre – 12.5%

    Artikuj të ndryshëm të prodhuar – 10.8%

    Ushqime të përgatitura, pije dhe duhan – 10.5%

    Produkte minerale – 8.9%

    Makineri dhe pajisje elektrike – 6.9%

    Çfarë importon më shumë Kosova?

    Mjete transporti – 13.4%

    Makineri dhe pajisje elektrike – 12.5%

    Ushqime të përgatitura, pije dhe duhan – 11.7%

    Produkte minerale – 11.2%

    Metale bazë – 9.9%

    Eksportet në BE: 31.1 milionë euro (33.8% e totalit), rritje 10.3%

    Partnerët kryesorë: Gjermania (12.9%), Holanda (3.2%), Italia (2.7%)

    Importet nga BE: 284.3 milionë euro (45.7% e totalit), +11.3%

    Gjermania (15.7%), Italia (5.8%), Polonia (3.4%)

    Tregtia me vendet e CEFTA-s

    Eksportet në CEFTA: 39.6 milionë euro (43.1%), rënie -0.8%

    Shqipëria (15.3%), Maqedonia e Veriut (12.5%), Serbia (6.9%), Mali i Zi (6.8%)

    Importet nga CEFTA: 75.5 milionë euro (12.1%), +1.4%

    Maqedonia e Veriut (4.0%), Serbia (3.6%), Shqipëria (3.2%)

    Tregtia me vendet e tjera

    Eksportet: 21.1 milionë euro (23.0%)

    Kryesorët: Zvicra (11.6%), Turqia (3.2%)

    Importet: 262 milionë euro (42.1%)

    Kryesorët: Kina (14.4%), Turqia (12.7%).
    8

  • “E kemi lutur, tha s’kam mundësi”, përfundon takimi i sindikatës së “Trafikut Urban” me Muratin

    “E kemi lutur, tha s’kam mundësi”, përfundon takimi i sindikatës së “Trafikut Urban” me Muratin

    Pasdite ka përfunduar takimi i sindikatës së “Trafikut Urban” me ministrin në detyrë të financave, Hekuran Muratin.

    Kryesindikalisti Ilmi Gashi tha se ky diskutim ka qenë i pasuksesshëm.

    “Deri në këto momente që po flasim, ndaras kishim takim sepse nuk pranoi stafin e komunës të jetë në takim, vetëm neve shoqatat sindikaliste. Nuk morëm asnjë përgjigje prej ministrit, asnjë premtim prej ministrit se tha nuk është në detyrën time. E kemi lutë, qoftë në gjuhën politike, ndash me gjuhën popullore, çfarëdo lutje i kemi bë, hajde çelna një dritare për me bë zgjidhje në emër të qytetarëve të Prishtinës. Ju lutna, tha nuk e kam mundësinë me e bë atë punë”, tha Gashi i cili shton se Murati i dërgoi te kryetari i Komunës, Përparim Rama.

    “Kryetari është i gatshëm që në çdo kohë të ballafaqohet me ministrin, me neve bashkë, ata nuk na e pranuan ballafaqimin, neve u munduan me na e mbushë kupën e kokës, por nuk arritën”, shtoi Gashi.

    Sipas tij, në këtë situatë, do të vazhdojë greva e protesta.

    “Me keqardhje duhet të them për qytetarët e Prishtinës që greva vazhdon nesër e mund të përshkallëzohet”, përfundoi kryesindikalisti.

  • Osmani takon kongresistët amerikanë, thotë se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë

    Osmani takon kongresistët amerikanë, thotë se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kongresistin Michael Turner (R–OH) si dhe Kongresistin Donald Norcross (D–NJ), me të cilët diskutoi zhvillimet e fundit në vend dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.

    Në njoftimin për media thuhet se presidentja Osmani shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e shkëlqyer me Kongresistin Turner dhe ekipin e tij gjatë Sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dayton, si dhe për mbështetjen bipartizane të SHBA-ve ndaj Kosovës. Kjo mbështetje, theksoi ajo, ka qenë e pazëvendësueshme në periudhën që na solli lirinë, pavarësinë e pastaj shtetndërtimin e demokracinë. Asnjë nga këto të arritura, theksoi Presidentja Osmani, nuk do të ishin të mundura pa përkrahjen amerikane.

    Më tej, Presidentja theksoi se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë, thellësisht i përkushtuar ndaj reformave, bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të partneritetit me SHBA-të. Ajo diskutoi edhe për bashkëpunimin me Administratën e Presidentit Trump në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm.

    Presidentja Osmani ritheksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është imperativ strategjik për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për paqen në kontinentin evropian. Për më tepër, potencoi se ushtarët e FSK-së tashmë shërbejnë përkrah ushtarëve amerikanë në misione jashtë vendit duke kontribuar për paqen e stabilitetin global, e njëkohësisht Kosova ka ndërmarrë hapa vendimtarë në fuqizimin e sektorit të mbrojtjes e sigurisë, duke shpenzuar tashmë 2% të GDP-së në mbrojtje, me synim që kjo të dyfishohet brenda pak vitesh.

    “Sa i përket sigurisë së brendshme dhe kërcënimeve rajonale, Presidentja Osmani nënvizoi punën profesionale të institucioneve tona të sigurisë e njëkohësisht rëndësinë e vazhdimit të prezencës amerikane në kuadër të KFOR-it. Ajo theksoi se prania amerikane mbetet garancë e rëndësishme e paqes dhe sigurisë për qytetarët e Kosovës dhe gjithë rajonin, duke shprehur falënderimin e popullit të Kosovës për këtë kontribut”, thuhet në njoftim.

    Presidentja Osmani ritheksoi se edhe pas më shumë se dy vjetësh, Serbia ende po i përkrahë terroristët që kryen aktin e agresionit në Banjskë, sepse autorët, përfshirë Milan Radojqiqin, nuk i janë dorëzuar drejtësisë. Ajo theksoi se llogaridhënia, si për këtë akt agresioni, ashtu edhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e sulme të tjera, është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për parandalimin e akteve të ngjashme në të ardhmen.

  • Terrorizuan banorët, largohen me sukses nga fshatrat dy arinj në Dragash

    Terrorizuan banorët, largohen me sukses nga fshatrat dy arinj në Dragash

    Shoqata e Gjuetarëve “Dhia e Egër” në Dragash ka njoftuar se ka përmbyllur me sukses një aksion katërditor për largimin e dy arinjve që ishin shfaqur në fshatin Bellobrad të komunës së Dragashit, duke shkaktuar shqetësim për banorët.

    Aksioni është udhëhequr nga kryetari i shoqatës, së bashku me stafin profesional dhe anëtarët që morën pjesë në operacion.

    Sipas shoqatës, arinjtë janë larguar në një zonë të sigurt, larg vendbanimeve, gjithmonë duke u kujdesur për mirëqenien dhe shëndetin e tyre.

    Shoqata ka falënderuar Komunën e Dragashit dhe Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe asistencën gjatë gjithë kohës, duke siguruar mbrojtje për qytetarët dhe mbarëvajtjen e operacionit.

  • Të shtëna me armë dhe plaçkitje në furgonin që transportonte para në Breg të Diellit

    Të shtëna me armë dhe plaçkitje në furgonin që transportonte para në Breg të Diellit

    Një grabitje e armatosur ka ndodhur këtë të hënë në Breg të Diellit.

    Zëdhënësi i Policisë për Prishtinën, Enis Pllana, tha se nga të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para.

    Po ashtu, nuk raportohet për persona të lënduar.

    “Sot rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para”.

    “Nga informatat fillestare nuk raportohet për persona të lënduar, ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë, janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, tha Pllana.

  • Thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës për mjetet vetanake dhe buxhetin 2026

    Thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës për mjetet vetanake dhe buxhetin 2026

    Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për bartjen e mjeteve vetanake të kryeqytetit dhe për buxhetin e vitit 2026.

    Sipas njoftimit seanca do të mbahet ditën e enjte me datën 27 nëntor duke filluar nga ora 15:00.

  • Mblidhet kryesia e LDK-së, pritet të caktohet kandidati për kryeministër

    Mblidhet kryesia e LDK-së, pritet të caktohet kandidati për kryeministër

    Ka filluar mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në të cilën po shqyrtohen temat kryesore politike dhe organizative të partisë, me fokus në proceset zgjedhore dhe nominimet udhëheqëse.

    Në rend dite është prezantimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të fundit lokale, krahas analizës politike dhe organizative të fushatës, identifikimit të pikave të forta dhe dobësive, si dhe vlerësimit të performancës së degëve dhe kandidatëve.

    Një pikë tjetër qendrore e mbledhjes është nominimi i kandidatit të LDK-së për kryeministër, ku parashihet paraqitja e propozimeve, diskutimet mes anëtarëve të Kryesisë dhe procedura e votimit për miratimin e kandidaturës zyrtare.

    Po ashtu, Kryesia po shqyrton përgatitjet për zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit, duke përfshirë hartimin e planit të fushatës, organizimin e strukturave dhe Shtabit Zgjedhor, mobilizimin e degëve e nëndegëve, si dhe strategjinë e komunikimit publik.

    Në mbledhje pritet të caktohet edhe data e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, së bashku me agjendën, procedurat statutare dhe përgatitjen e materialeve zyrtare.

    Ndër pikat “të tjera” përfshihen shënimi i përvjetorit të themelimit të LDK-së dhe çështjet e ngritura nga anëtarët e Kryesisë, me mundësi për vendime të mëtejshme sipas nevojës.

    Pas mbledhjesë së kryesisë do të mbahet një konferencë për media.