ATV

Category: Lajme

  • Dhjetë raste dhune familjare brenda 24 orëve – viktimat kryesisht gra

    Dhjetë raste dhune familjare brenda 24 orëve – viktimat kryesisht gra

    Gratë vazhdojnë të përjetojnë dhunën nga bashkëshortët e tyre. Një rast i rëndë u raportua të hënën ku në fshatin Gadime të Lipjanit një grua u sulmua me sëpatë nga ish-bashkëshorti, për çka policia ka njoftuar si rasti “vrasje në tentativë”.

    Mirëpo në raportin 24 orësh, policia ka njoftuar edhe për dhjetë (10) raste të dhunës në familje e ku në shumë prej nëntë prej tyre viktimë janë gratë, në një rast tjetër që raportohet në Leposaviq viktimë ishte babai.

    Në tri prej rasteve, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt

    Rastet e dhunës në familje të raportuara vetëm brenda një dite

    ·         Prishtinë 24.11.2025-02:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar  tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    ·         Prishtinë  24.11.2025-05:00. Raportohet se viktima femër kosovare, ka pësuar dhunë nga bashkëshorti i saj. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

    ·         Fushë Kosovë 24.11.2025-16:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes se tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt.

    ·         Prishtinë 23.09.2025-NN. Me 24.11.2025 ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se ka dhunë psikike të vazhdueshme nga ish bashkëshortja e tij edhe pse ka urdhër mbrojtës.  E dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    ·         Podujevë 24.11.2025-20:00 . Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar  tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    DHUNË NË FAMILJE

    ·         Gjilan 24.11.2025-09:15. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    ·         Gjilan 24.11.2025-14:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    DHUNË NË FAMILJE

    ·         Pejë  24.11.2025 – 07:30. Ankuesja femër kosovare, ka informuar se djali i saj i dyshuari mashkull kosovar, ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj. Pas intervistimit me vendim të prokurorit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

    ·         Pejë 24.11.2025-22:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit ka kanosur bashkëshorten e tij, duke shkelur edhe urdhrin mbrojtës. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    DHUNË NË FAMILJE

    Leposaviq 23.11.2025-23:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që nën ndikim të alkoolit kishte sulmuar fizikisht babanë e tij viktimën. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari do të ndalet në stacionin policor deri në këndellje dhe pastaj të intervistohet.

  • S’ka autobusë – edhe sot qytetarët e Prishtinës përballen me mungesën e transportit publik

    S’ka autobusë – edhe sot qytetarët e Prishtinës përballen me mungesën e transportit publik

    Qytetarët e Komunës së Prishtinës as sot nuk do të kenë transport publik.

    Linjat e autobusëve të Trafikut Urban dhe operatorëve privatë kanë pezulluar punën pas bllokadës financiare që ka Komuna e Prishtinës.

    Stacionet e autobusëve në kryqytet shihet të boshatisura, në mungesë të transportit publik.

    Kujtojmë se Komuna e Prishtinës dhe Qeveria në detyrë përkatësisht Ministria e Financave i kanë vënë fajin njëra-tjetrës për alokimin e buxhetit të kryeqytetit.

  • Tentim grabitja nga persona të maskuar dhe armatosur në Prishtinë, policia jep detaje

    Tentim grabitja nga persona të maskuar dhe armatosur në Prishtinë, policia jep detaje

    Dy persona të maskuar me armë zjarri kanë tentuar të kryejnë grabitje të armatosur ndaj automjetit për bartje të parave në lagjen “Bregu i Diellit”, në Prishtinë, mirëpo nuk kishin arritur.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes është sekuestruar një predhë e armës së zjarrit.

    “Rr. Xheladin Hana, Prishtinë 24.11.2025 – 13:58. Raportohet se dy persona të maskuar me armë zjarri kanë tentuar të kryejnë grabitje të armatosur ndaj automjetit për bartje të parave, mirëpo nuk kishin arritur. Në vendin e ngjarjes është sekuestruar një predhë e armës së zjarrit. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.

  • Studentët në Gjakovë protestojnë në përkrahje të çlirimtarëve

    Studentët në Gjakovë protestojnë në përkrahje të çlirimtarëve

    Iniciativa Studentore “Fehmi Agani” ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste paqësore këtë të martë, me qëllim shprehjen e pakënaqësisë ndaj, siç u cilësua nga organizatorët, “padrejtësive që po ndodhin në proceset gjyqësore në Hagë” ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Protesta pritet të nisë në orën 11:00, përpara konvikteve të studentëve në Gjakovë, ku më pas pjesëmarrësit do të vazhdojnë marshin e tyre paqësor.

    Organizatorët kanë theksuar se tubimi do të mbahet në mënyrë të qetë dhe të rregullt.

    Sipas tyre, protesta ka për qëllim ngritjen e zërit për mbrojtjen e identitetit dhe të drejtave të të akuzuarve, si dhe sensibilizimin e opinionit publik për atë që ata e shohin si trajtim të padrejtë në proceset gjyqësore kundër figurave të larta të UÇK-së.

    Ndryshe, protesta gjithëkombëtare në përkrahje të çlirimtarëve janë organizuar edhe në Prishtinë, Hagë, Tiranë e Strasburg, derisa pritet që e radhës të zhvillohet në Shkup.

  • Zyrtarët amerikanë e rusë takohen sot në Abu Dabi

    Zyrtarët amerikanë e rusë takohen sot në Abu Dabi

    Zyrtarët amerikanë dhe rusë do të takohen të martën në Abu Dabi për bisedimet e paqes në Ukrainë.

    Një zyrtar amerikan ka konfirmuar për BBC-në se takimi i tyre do të zhvillohet pas sulmeve vdekjeprurëse gjatë natës.

    Kjo do të ndodhë pas bisedimeve në Gjenevë midis SHBA-së dhe ukrainasve rreth një drafti të planit të paqes.

    Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka njoftuar se një takim virtual me aleatët evropianë të Ukrainës do të zhvillohet më vonë gjatë ditës.

    Përpara thirrjes, Starmeri ka thënë se të gjithë partnerët në aleancë po përqendrohen në arritjen e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.

    Sulmet e natës ndodhën menjëherë pasi Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përshëndeti ndryshimet në një plan paqeje të mbështetur nga SHBA-ja.

    Kievi dhe aleatët e tij në Evropë kanë shtyrë SHBA-në që ta ndryshojë planin, nga frika se ai lëshon shumë për Rusinë.

    Si Ukraina ashtu edhe SHBA-ja kanë sinjalizuar përparim ditët e fundit, me Zelenskyn që lëshoi një tjetër mesazh optimist mbrëmë vonë.

    Ai tha se plani, i cili fillimisht kishte përfshirë 28 pika, është zvogëluar dhe shumë nga elementët e duhur janë marrë në konsideratë.

    “Tani lista e hapave të nevojshëm për t’i dhënë fund luftës mund të bëhet e realizueshme”, ka thënë ai.

    Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas u takuan në Gjenevë të dielën për të diskutuar planin. Përfaqësuesit rusë nuk morën pjesë në takim dhe i hodhën poshtë ndryshimet si “krejtësisht jokonstruktive”.

  • Dy të vrarë nga sulmi rus në Kiev, ndërsa ShBA-ja diskuton planin e paqes për Ukrainën

    Dy të vrarë nga sulmi rus në Kiev, ndërsa ShBA-ja diskuton planin e paqes për Ukrainën

    Forcat ruse kanë nisur një sulm me dronë dhe raketa në kryeqytetin ukrainas, duke vrarë të paktën dy person, ndërsa zyrtarët nga Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kërkuan të ripërpunonin një plan të propozuar nga Uashingtoni për t’i dhënë fund luftës.

    Në një deklaratë të martën, Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës tha se sulmi i natës në Kiev dëmtoi ndërtesa banimi në distriktet Pecherskyi dhe Dniprovskyi.

    “Në Kiev, si pasojë e një sulmi natën, dy persona u vranë, gjashtë u plagosën dhe 18 persona u shpëtuan, përfshirë tre fëmijë”, tha shërbimi.

    Një tjetër sulm në qytetet Brovarsky, Bila Tserkva dhe Vyshgorod, disa orë më vonë, plagosi një fëmijë 14-vjeçar, shtoi ajo.

    Sulmi pasoi me bisedimet midis përfaqësuesve të SHBA-së dhe Ukrainës në Gjenevë të Zvicrës për të hartuar planin e ashtuquajtur 28-pikësh të Uashingtonit, të cilin Kievi dhe aleatët e tij evropianë e panë si një listë “dëshirash” të Kremlinit.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij të mbrëmjes vonë të hënën, tha se bisedimet në Gjenevë nënkuptojnë se “lista e hapave të nevojshëm për t’i dhënë fund luftës mund të bëhet e realizueshme”.

    Por ai tha se mbeteshin “çështje të ndjeshme” që do t’i diskutonte me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

    “Pas Gjenevës, ka më pak pika, jo më 28, dhe shumë nga elementët e duhur janë marrë në konsideratë në këtë kuadër. Ka ende punë për të gjithë ne për të bërë së bashku , është shumë sfiduese, të finalizojmë dokumentin dhe ne duhet të bëjmë gjithçka me dinjitet”, tha ai.

    “Ukraina nuk do të jetë kurrë pengesë për paqen, ky është parimi ynë, një parim i përbashkët, dhe miliona ukrainas mbështeten në një paqe dinjitoze dhe meritojnë”, shtoi ai.

  • Vritet këngëtarja dhe influencerja e njohur, gjatë sulmit plagosen dhe dy të tjerë

    Vritet këngëtarja dhe influencerja e njohur, gjatë sulmit plagosen dhe dy të tjerë

    Ylli në ngritje i muzikës latine dhe influencuesja DELAROSA është qëlluar për vdekje dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë në një sulm në Los Angeles.

    Të shtënat ndodhën në Northridge, në Luginën e San Fernando, pak para orës 1:30 të mëngjesit të së shtunës.
    Zyrtarët e LAPD identifikuan 22-vjeçaren Maria De La Rosa, e njohur nga fansat me emrin e saj artistik DELAROSA, si viktimë të hënën, teksa po hetojnë mbi rrethanat e të shtënave.

    Persona të armatosur thuhet se iu afruan një automjeti të parkuar dhe hapën zjarr ndaj pasagjerëve në atë që policia dyshon se ishte një sulm i lidhur me bandat.

    Dëshmitarët përshkruan se kishin parë dy të dyshuar meshkuj që i afroheshin një automjeti që ishte parkuar në Rrugën Bryant”, tha policia e Los Angelesit në një deklaratë të hënën.

    “U qëlluan disa plumba drejt disa viktimave që ishin parkuar në zonë me automjetin e tyre.”

    Policia tha se tre persona ishin brenda makinës kur filluan të shtënat. Të tre u goditën me armë zjarri.

    Sulmi ndodhi në Rrugën Bryant, pak në lindje të Tampa Avenue, një bllok përndryshe i qetë i lagjes Northridge.
    22-vjeçarja Maria De La Rosa, e njohur nga fansat me emrin e saj artistik DELAROSA, ishte gruaja që u qëllua dhe u vra në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

    Zyrtarët e LAPD konfirmuan se 22-vjeçarja Maria De La Rosa, e njohur nga fansat me emrin e saj artistik DELAROSA, ishte gruaja që u qëllua dhe u vra.

    DELAROSA u dërgua me urgjencë në një spital aty pranë nga një person privat, por mjekët nuk mundën ta shpëtonin.

    Hetuesit e policisë së Los Anxhelosit thonë se personat që qëlluan me armë iu afruan makinës së parkuar të viktimave në këmbë përpara se ta shpërthenin automjetin me disa plumba nga afër. Dy viktimat e mbijetuara mbetën në gjendje kritike gjatë fundjavës, tha policia.

    Nuk janë bërë arrestime dhe detektivët nuk kanë dhënë detaje rreth një motivi të mundshëm.

    DELAROSA, e cila ka pak më shumë se 40,000 fansa në Instagram, sapo kishte filluar të depërtonte në skenën e muzikës latine, duke publikuar këngën e saj “No Me Llames” në gusht.

  • Ukraina dhe ShBA-ja afrohen drejt draftit të ri për paqen, Zelensky: Do flas me Trumpin

    Ukraina dhe ShBA-ja afrohen drejt draftit të ri për paqen, Zelensky: Do flas me Trumpin

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të hënën se ai dhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të diskutojnë “çështje të ndjeshme” në lidhje me propozimin e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Pas një periudhe intensive diplomacie në Gjenevë, Zelensky tha se ka “më pak pika se 28, dhe shumë konsiderata të duhura janë marrë në konsideratë në këtë kuadër”.

    Të hënën, delegacioni ukrainas u kthye nga Zvicra dhe “raportoi mbi draftin e ri të hapave”, tha Zelensky.

    “Kjo është me të vërtetë qasja e duhur. Do të diskutoj çështje të ndjeshme me Presidentin Trump. Gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm se Rusia nuk do ta lehtësojë presionin mbi ne, mbi Ukrainën, mbi popullin tonë. Këto ditë, këto javë, duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj alarmeve për sulme ajrore dhe të gjitha kërcënimeve të ngjashme për sulm”, tha ai në fjalimin e tij të përditshëm”, tha ai.

    Udhëheqësi ukrainas përfundoi duke bërë një apel për të ushtruar presion të mëtejshëm ndaj Rusisë dhe për të ndaluar sulmet ndaj Ukrainës gjatë bisedimeve të rinovuara.

    “Nëse po i japim fund luftës, atëherë nuk duhet të ketë raketa, as sulme masive ndaj Ukrainës, ndaj popullit tonë. Kjo mund të bëhet nga ata që janë vërtet të fuqishëm në botë. Shumë varet nga Amerika”, tha ai.

    Sekretari i Ushtrisë Amerikane, Dan Driscoll, zhvilloi takime me zyrtarë rusë në Abu Dhabi të hënën në lidhje me një plan të propozuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, tha një zyrtar amerikan për CNN.

    Zyrtari tha se Driscoll do të vazhdojë takimet deri të martën. Nuk është e qartë se kush është pjesë e delegacionit rus, por Driscoll është anëtari më i lartë i delegacionit amerikan, duke përjashtuar çdo diplomat, tha zyrtari.

    Takimet kanë për qëllim të hedhin themelet për angazhime të nivelit më të lartë në të ardhmen, tha zyrtari, duke shtuar se delegacioni rus po merr pjesë me miratimin e Presidentit Vladimir Putin.

    Takimet e Driscoll me zyrtarët rusë vijnë pas ditëve të një diplomacie intensive në Gjenevë të Zvicrës, ku zyrtarët amerikanë dhe ukrainas negociuan mbi një propozim prej 28 pikash që Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se ishte hartuar nga SHBA-të me kontributin rus dhe ukrainas.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të hënën se propozimi i ri tani përmban “më pak pika se 28, dhe shumë konsiderata të duhura janë marrë parasysh në këtë kuadër”.

    Delegacioni ukrainas u kthye në shtëpi nga Gjeneva dhe “raportoi mbi draftin e ri të hapave”, tha Zelensky. “Kjo është me të vërtetë qasja e duhur. Do të diskutoj çështje të ndjeshme me Presidentin Trump.”

    Kremlini nuk ka thënë shumë rreth planit të SHBA-së, por Putin ka thënë se propozimi i SHBA-së “në parim, mund të formojë bazën për një zgjidhje përfundimtare paqeje”.

    Ai shtoi se versioni i planit i parë nga Rusia është “në përputhje me diskutimet” në samitin SHBA-Rusi në Alaska në fillim të këtij viti, por nuk është e qartë nëse ky version ka qenë i vlefshëm pas ditëve të takimeve midis SHBA-së dhe Ukrainës.

    Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha të hënën se Presidenti Donald Trump “mbetet optimist dhe shpresëplotë se mund të arrihet një marrëveshje” për t’i dhënë fund luftës së Rusisë me Ukrainën, pas negociatave në Gjenevë të Zvicrës gjatë fundjavës.

    Trump shprehu zhgënjim për luftën e zgjatur në një postim në mediat sociale të dielën në mëngjes, duke pretenduar se Ukraina nuk ka “shprehur asnjë mirënjohje” për përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës.

  • Moti për sot: Kryesisht i vranët, temperaturat arrijnë deri në 11 gradë

    Moti për sot: Kryesisht i vranët, temperaturat arrijnë deri në 11 gradë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se moti sot do të kryesisht i vranët.

    Sipas parashikimeve, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0 dhe 2 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 8 deri në 11 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i jugperëndimit, me shpejtësi 1-5 m/s.

  • Kosova e Bosnja të vetmet vende që rrezikojnë të mos i marrin fondet e BE-së

    Kosova e Bosnja të vetmet vende që rrezikojnë të mos i marrin fondet e BE-së

    Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor që nuk kanë përfituar nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian.

    Përderisa BeH nuk ka miratuar reformat, gjë që ia pamundëson ndihmën financiare nga blloku, Kosova ka një “telashe” tjetër.

    Zvarritja e formimit të institucioneve ka lënë prapa vendin, që përkundër se ndër vendet e para ka miratuar reformat, nuk e ka ratifikuar marrëveshjen në parlament.

    Fillimisht, zvarritjet erdhën sepse Lëvizja Vetëvendosje nuk kishte 61 vota për ta zgjedhur Albulena Haxhiun si kryeparalamentare, pastaj çështja shkoi në Gjykatë Kushtetuese.

    Derisa më 10 tetor, pas më shumë se gjashtë muajsh u konstituua Kuvendi i Kosovës, që i hapte rrugë formimit të Qeverisë, përsëri partia fituese e zgjedhjeve të nëntë shkurtit nuk kishte numrat e nevojshëm

    Edhe kjo, çoi në një zvarritje tjetër, fillimisht 15 ditë për të dështuar në zgjedhjen e Albin Kurtit si kryeministër, pastaj dhjetë ditë që presidentja, Vjosa Osmani të mandatojë Glauk Konjufcën, i cili e zvarriti procesin edhe për 15 ditë tjera, për të dështuar më 19 nëntor.

    E gjithë kjo zvarritje, Kosovës mund t’i kushtojë edhe me humbjen e kësaj pakete që kap vlerën e 880 milionë eurove.

    Kjo pasi, Komisioni Evropian kishte njoftuar se nëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i përmbushin kushtet, pagesat mund të pezullohen pjesërisht ose plotësisht.

    “Në rast se partnerët e Ballkanit Perëndimor nuk i plotësojnë kushtet përkatëse gjatë një periudhe mospagimi prej një viti [ose dy vjetësh nga viti i parë i zbatimit], shuma e pezulluar do të tërhiqet dhe mund të rishpërndahet midis përfituesve të tjerë në vitet pasuese”, deklaronte KE.

    Kosova që nga tetori do të mund të kishte pjesën e parë të fondeve, në rast se marrëveshja do të ishte ratifikuar para muajit tetor.

    E duke qenë se Kosova rrezikon të humbasë këto mjete financiare, Lëvizja Vetëvendosje u mundua të bullizojë deputetët e Kuvendit të Kosovës që më 19 nëntor të miratojnë këtë marrëveshje që ia siguron vendit pjesën e parë të fondeve.

    Megjithatë, partitë që kanë qenë në opozitë nuk morën pjesë në një seancë të jashtëzakonshme që ishte thirrur atë ditë, duke çuar mesazhin që vendi shkon në zgjedhje e qeveria e ardhshme e zgjidhë këtë çështje.

    Tre ditë më parë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, që u mbajt në Tiranë.

    Duke pranuar që Kosova ka mbetur prapa me zbatimin e agjendës, Kurti u arsyetua duke thënë se kjo ndodhë për shkak të “rrethanave”.

    “Por ne jemi prapa jo nga zgjedhja, por nga rrethanat. Vonesat në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të shkurtit të këtij viti shkaktuan pengesa, megjithatë ky ishte një ushtrim i demokracisë, ku deputetët shprehën vullnetin e tyre të lirë, ku procedurat u respektuan dhe mosmarrëveshjet u zgjidhën në gjykatë”, u shpreh ai.

    Në po të njëjtën ditë, Marta Kos, komisionerja për zgjerim e Bashkimit Evropian dhe një mesazh shumë të qartë për Kosovën.

    “Kemi një afat veçanërisht të rëndësishëm që po afron. Në qershor do të kemi nga rundi i dytë i raportimit, skadimin e periudhës njëvjeçare të pritjes së mëtejshme për reformat e papërmbushura dhe rrezikohen pothuajse 300 milionë euro të destinuara për vendet tuaja. Këto janë fonde prej të cilave duhet të përfitojnë qytetarët tuaj, me të cilat mund të ndërtohen linja tramvaji, rrugë, shkolla, spitale”, u shpreh ajo.

    Plani i Rritjes mbulon periudhën 2024-2027 dhe përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.

    Në mënyrë që vendet të përfitojnë nga këto fonde, ato duhet t’i përfundojnë reformat e kërkuara nga BE-ja, në sektorin privat, tranzicionin e gjelbër dhe digjitalizimin.