ATV

Category: Lajme

  • Kurti: Nesër nisin shtesat e rritura për fëmijët

    Kurti: Nesër nisin shtesat e rritura për fëmijët

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se nga dita e nesërme do të fillojë ekzekutimi i shtesave të rritura për fëmijët, pas vendimit të Qeverisë për rritjen prej 50 për qind të këtij programi social.

    Përfitues të kësaj rritjeje do të jenë rreth 400 mijë fëmijë në mbarë vendin.

    Në një postim në Facebook, Kurti e quajti këtë një lajm të mirë për mijëra familje kosovare, duke theksuar se mbështetja financiare për fëmijët po zgjerohet ndjeshëm.

    “Lajm i mirë për të gjitha nënat që marrin shtesa për fëmijët: nga nesër fillon ekzekutimi i pagesave me rritjen e miratuar prej 50%. Nga kjo rritje do të përfitojnë 400 mijë fëmijë,” shkroi Kurti.

    Ai sqaroi se me rritjen e re, mbështetja mujore për familjet do të jetë dukshëm më e lartë.

    “Një familje me dy fëmijë, që ka marrë 40 euro, nga nesër do të marrë 60 euro; një familje me tre fëmijë, që ka marrë 90 euro, nga nesër do të marrë 135 euro; një familje me katër fëmijë, që ka marrë 120 euro, nga nesër do të marrë 180 euro, e kështu me radhë”.

  • Senatorja e djathtë australiane hyri në parlament me burkë, revoltohen myslimanet

    Senatorja e djathtë australiane hyri në parlament me burkë, revoltohen myslimanet

    Senatorja australiane e ekstremit të djathtë, Pauline Hanson, hyri në parlament me burkë si mjet politik në përpjekjen e saj për të ndaluar veshjen myslimane në hapësira publike, gjë që shkaktoi akuza për racizëm nga senatorët myslimanë.

    Hanson e veshi burkën menjëherë pasi iu refuzua paraqitja e një projektligji për ndalimin e burkave dhe mbulesave të tjera të fytyrës në vende publike në Australi.

    Hyrja e saj në Senat shkaktoi shpërthim zemërimi, dhe seanca u ndërpre kur Hanson refuzoi ta hiqte atë. Deputetet myslimane e akuzuan atë për “fyerje të fesë”, raporton index.hr.

    Reagime të ashpra nga senatoret myslimane
    “Kjo është një senatore raciste që po shfaq racizëm të hapur,” tha Mehreen Faruqi, senatore myslimane e partisë së Gjelbër nga Uellsi i Ri Jugor.

    Myslimanja Fatima Payman, senatore e pavarur nga Australia Perëndimore, e quajti këtë veprim “të turpshëm”.

    Edhe Penny Wong, drejtuese e qeverisë laburiste në Senat, si dhe Anne Ruston, zëvendësdrejtuese e Senatit nga koalicioni opozitar, dënuan veprimet e senatores së djathtë.

    Wong i quajti ato “të padenja për një anëtare të Senatit australian” dhe paraqiti kërkesë për pezullimin e Hanson pasi ajo nuk hoqi mbulesën. Pasi Hanson refuzoi të largohej, debatet në Senat u ndërprenë.

    Histori e gjatë qëndrimesh kontroverse
    Hanson, senatore e Queensland-it, u bë e njohur në vitet ’90 për kundërshtimin e ashpër ndaj emigracionit nga Azia dhe kërkuesve të azilit, dhe prej vitesh ka luftuar kundër veshjeve islame gjatë karrierës së saj parlamentare.

    Në një deklaratë të publikuar më vonë në Facebook, ajo tha: “Pra, nëse parlamenti nuk e ndalon, unë do të vazhdoj të vesh këtë mbulesë shtypëse, radikale, jothelbësisht fetare, e cila rrezikon sigurinë tonë kombëtare dhe e degradon gruan në parlamentin tonë, që çdo australian të kuptojë se çfarë është në rrezik.”

  • Sulmi me sëpatë në Lipjan, ish-çifti erdhi nga Franca para pak muajsh

    Sulmi me sëpatë në Lipjan, ish-çifti erdhi nga Franca para pak muajsh

    Me drejtësinë do të përballet burri që sulmoi sot ish-gruan e tij me sëpatë.

    Sipas banorëve të Gadimes, krimi mund të ishte parandaluar nëse policia do të kishte vepruar më efikasitet.

    I dyshuari dhe viktima kishin ardhur para dy muajsh nga Franca dhe ishin vendosur në Fushë Kosovë, por pak ditë më vonë u ndanë dhe gruaja shkoi të jetojë në shtëpinë e vëllait të saj.

  • Orav: BE ka investuar 3.7 miliardë euro në Kosovë që nga viti 1999

    Orav: BE ka investuar 3.7 miliardë euro në Kosovë që nga viti 1999

    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se BE-ja ka investuar 3.7 miliardë euro në Kosovë që nga viti 1999.

    Ai tha se pati nderin të hapte sot në Prishtinë ekspozitën fotografike BE-në përkrah, që tregon ndikimin që mbështetja e BE-së ka në jetën e përditshme të njerëzve në Kosovë.

    “Me 3.7 miliardë euro të investuara në Kosovë që nga viti 1999, BE-ja mbetet partneri juaj më i fortë, më i besueshëm dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare”, tha ai, duke theksuar se mbështetja e BE-së për Kosovën vazhdon.

  • Përveç Limajt, Abdixhiku i përmend me emra partitë që i do në listën e LDK’së: Demokristianët, PD, AKR

    Përveç Limajt, Abdixhiku i përmend me emra partitë që i do në listën e LDK’së: Demokristianët, PD, AKR

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shprehet e gatshme që nën listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së të përfshihet edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt.

    Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, kreu i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku tha se do të kujdeset që një pjesë të listës së vet për zgjedhjet e 28 dhjetorit ta hapë për partitë e tjera, “përfshirë edhe Fatmir Limaj me deputetët e vet”.

    “LDK ka vendosur në kryesi se do të garojë e vetme por që brenda listës së LDK-së do të zhvillojë diskutime me individ, aktorë dhe besa edhe parti politike që mund të jenë pjesë e listës së LDK-së. Të gjitha diskutimet që i kemi pasur deri më tani në këtë vendim të kryesisë janë hapur rrugë që të përfshihen në një listë të madhe dhe përbashkuese në këtë garë nacionale… LDK do të kujdeset që një pjesë të listës së vet ta hapë për partitë e tjera, përfshirë edhe zotërin Limaj me deputetët e vet. Për këtë çështje do të zhvillojmë bisedime ditëve në vijim por le të themi se kemi gatishmëri. Siç kemi gatishmëri edhe për partitë të tjera. Demokristianët, Partinë e Drejtësisë, AKR-në. Ne jemi të hapur për parti por edhe për individ”, theksoi Abdixhiku.

    Krahas kësaj, Abdixhiku foli edhe për koalicionet paszgjedhore dhe vijat e kuqe. Ai u shpreh i ashpër karshi qeverisë në detyrë, derisa tha se ata janë alternativë e populizmit të LVV-së.

    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbahen më 28 dhjetor, pasi që Vetëvendosje në koalicion parazgjedhor me GUXO dhe Alternativa si parti e parë nuk arriti të formojë qeverinë e re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

  • Reshje shiu e erë e fuqishme, parashikimi i motit për nesër

    Reshje shiu e erë e fuqishme, parashikimi i motit për nesër

    Të martën parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ku pritet herë pas here të ketë reshje lokale shiu, kryesisht të përqëndruara në perëndim të vendit.

    Era do të fryjë nga drejtimi i jugut dhe juglindjes, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-50 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 2 deri në 7°C, ndërsa ato maksimale prej 10 deri në 14°C.

  • 28 dhjetor – diaspora voton në ambasada dhe me postë

    28 dhjetor – diaspora voton në ambasada dhe me postë

    Më 28 dhjetor në Kosovë organizohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku të drejtë vote ka edhe diaspora.

    Regjistrimi për shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit do të nis më 26 nëntor e do përfundojë më 6 dhjetor.

    “Regjistrimi i votuesve jashtë vendit do të fillojë me 26 nëntor dhe do të përfundojë me 6 dhjetor. Kjo bëhet përmes platformës së KQZ-së dhe përmes postës, ne inkurajojmë të përdoret platforma elektronike sepse është shumë e lehtë”, tha zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Vlamir Elezi.

    Ai shtoi se votimi bëhet në dy mënyra: votimi fizik në përfaqësitë diplomatike dhe votimi përmes postës.

  • Njëri prej tyre nga Kosova, një gjykatë zvicerane dënon dy burra për ‘mbështetje të ISIS’

    Njëri prej tyre nga Kosova, një gjykatë zvicerane dënon dy burra për ‘mbështetje të ISIS’

    Gjykata Federale Penale e Zvicrës ka dënuar dy burra me 30 dhe 53 muaj burg për siç është thënë “mbështetje të organizatës terroriste Shteti Islamik”.

    Siç raportojnë mediat vendase, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm kishte kërkuar dënime më të larta.

    Sipas raportimit, Dhoma Penale i liroi dy burrat nga akuza e pjesëmarrjes në një organizatë terroriste për aktivitetet e tyre brenda kuadrit të grupit të dyshuar terrorist kosovar “Vëllezërit e Vitisë” dhe degës së tij zvicerane në Gjenevë.

    Kështu, theksojnë mediat zvicerane, një kosovar duhet të vuajë 15 muaj nga dënimi prej 30 muajsh. Veç kësaj, gjykata urdhëroi që ai të deportohet për pesë vjet.

    Gjithashtu ajo e shpalli atë fajtor për akuza të shumta mashtrimi, pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe marrje të paligjshme të ndihmave familjare.

    Ndërsa siç raportohet më tej, i pandehuri tjetër u dënua gjithashtu për mashtrim tregtar, pastrim parash, falsifikim të shumëfishtë dokumentesh, përshkrime dhune, marrje të paligjshme të përfitimeve të sigurimeve sociale dhe vepra të tjera penale.

  • Shtesat për fëmijët: Qeveria nis nesër ekzekutimin e pagesave të rritura me 50 për qind

    Shtesat për fëmijët: Qeveria nis nesër ekzekutimin e pagesave të rritura me 50 për qind

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se nga nesër fillon ekzekutimi i shtesave për fëmijët me rritjen e re prej 50%, e cila tashmë është miratuar nga Qeveria.

    Nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 400 mijë fëmijë në gjithë Kosovën.

    Sipas shembujve të prezantuar nga Kurti:

    – Një familje me dy fëmijë, që deri tani ka marrë 40 euro, nga nesër do të marrë 60 euro.

    – Një familje me tre fëmijë, që ka marrë 90 euro, do të marrë 135 euro.

    – Një familje me katër fëmijë, që ka marrë 120 euro, tash do të marrë 180 euro.

    “Urime të gjithë fëmijëve! T’i gëzoni me shëndet”, shkroi Kurti.

  • Edhe Vushtrria pa para për t’i paguar faturat e energjisë, Idrizi thërret seancë të jashtëzakonshme

    Edhe Vushtrria pa para për t’i paguar faturat e energjisë, Idrizi thërret seancë të jashtëzakonshme

    Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka njoftuar se komuna është përballur ditëve të fundit me shkyçje të ndriçimit publik nga KEDS-i, për shkak të mungesës së mjeteve për pagesën e faturave të energjisë.

    Ai tha se situata është krijuar pas përmbarimit të mbi 3.5 milionë eurove nga buxheti i vitit 2025, si detyrim për Kontratën Kolektive, duke e lënë komunën me më shumë se gjysmën e buxhetit të investimeve kapitale të pakapshëm.

    Idrizi theksoi se janë ndërmarrë hapa për normalizimin e gjendjes dhe se është thirrur seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal për të miratuar tejkalimin e të hyrave vetanake që do të mundësonte pagesën e faturave të energjisë.

    Ai shpreson se situata do të stabilizohet së shpejti.