ATV

Category: Lajme

  • KFOR-i thotë se ushtarët e saj po i vazhdojnë patrollimet natë e ditë në veri

    KFOR-i thotë se ushtarët e saj po i vazhdojnë patrollimet natë e ditë në veri

    KFOR ka publikuar fotografi nga patrullimet e ushtarëve, teksa ka thënë se të njëjtit do të vazhdojnë patrullimet e tyre të rregullta ditore dhe natën, në veri dhe zonat tjera të përgjegjësisë, për të garantuar sigurinë në vend.

    Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, KFOR ka thënë se këto veprime të vazhdueshme tregojnë përkushtimin afatgjatë për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

    “Ushtarët e misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, do të vazhdojnë patrullimet e tyre të rregullta ditore dhe natën, duke siguruar një prani të vazhdueshme, të qëndrueshme dhe qetësuese si në veri të Kosovës, ashtu edhe në të gjithë zonën e përgjegjësisë. Personeli i KFOR-it vazhdon të jetë vigjilent, duke qenë i informuar për situatën dhe duke ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit në të gjithë rajonin. Këto veprime të vazhdueshme tregojnë përkushtimin afatgjatë të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Në fund të njoftimit theksohet se “KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për çështjet e sigurisë”.

  • Dajtë ia rrahën babanë në Pejë, vajza çon në polici bluzën me gjak nga dita kritike e 12 korrikut

    Dajtë ia rrahën babanë në Pejë, vajza çon në polici bluzën me gjak nga dita kritike e 12 korrikut

    Sot, Gjykata Themelore e Pejës ka mbajtur seancë për rastin e ndodhur më 12 korrik të vitit të kaluar në këtë qytet.

    Dyshohet se vëllezërit Besnik dhe Adem Bulliqi kishin shkuar në shtëpinë e motrës së tyre dhe janë përleshur fizikisht me dhëndrin.

    Në aktakuzë thuhet se këtë veprim vëllezërit e bënë për çështje pronësore.

    Me anë të një thike të mprehtë 9 mm dhe grushteve, ata thuhet se i shkaktuan dhëndrit të tyre lëndime të rënda, përfshirë thyerje të kockave të fytyrës, lëndime nga thika dhe mavijosje në fytyrë.

    Pasi ishte alivanosur, dhëndri kishte përfunduar në një pishinë të gomës.

    Gjithë kjo ngjarje e rëndë ishte parë nga vajza e të dëmtuarit, e cila më pas ka dërguar fotografi të bluzës që ai mbante veshur në ditën kritike, e tëra e mbuluar me gjak.

    Kjo seancë është vendosur të shtyhet, pasi pala mbrojtëse e të akuzuarve deklaroi se nuk ka përgatitur fjalën përfundimtare në formë shkrese, gjë që do ta bëjnë më 18 dhjetor në seancën e radhës.

  • Dënohen me 27 vjet burg dy të akuzuarit për vrasjen në Fushë-Kosovë

    Dënohen me 27 vjet burg dy të akuzuarit për vrasjen në Fushë-Kosovë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami, lidhur me akuzën për rastin e vrasjes së A.H., më 2023 në Fushë-Kosovë. Musliu u dënua me dënim unik prej 16 vjet e 8 muaj burgim, ndërkaq Bajrami me 11 vjet burgim.

    Në këtë rast, Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami akuzoheshin se kanë privuar nga jeta A.H., me ç’rast ngarkoheshin se kanë kryer veprën penale “Vrasje” në bashkëkryerje, ndërsa Musliu akuzohej edhe për armëmbajtje pa leje.

    Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Gent Beka dhe anëtarët Medie Bytyqi dhe Agim Kuçi, pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie të arritur mes Prokurorisë dhe dy të akuzuarve.

    Gjykatësi Beka tha se dy të akuzuarit shpallen fajtorë sipas marrëveshjes së arritur për pranim fajësie për veprën penale “Vrasje” dhe i akuzuari Musliu edhe për armëmbajtje pa leje.

    I akuzuari Musliu për veprën penale “Vrasje” u dënua me 16 vjet burgim, ndërkaq për armëmbajtje pa leje me 10 muaj burgim. Ndaj tij, u shpall dënim unik me 16 vjet e 8 muaj burgim.

    Kurse, i akuzuari Bajrami për veprën penale “Vrasje” u dënua me 11 vjet burgim.

    Dy të akuzuarve iu vazhdohet masa e paraburgimit, por jo më gjatë sesa dënimi i shqiptuar. Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

    Obligohet secili i akuzuar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë nga 200 euro dhe 50 euro të tjera për Fondin për kompensimin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimt.

    Meqenëse kemi dënim të rekomanduar, Gjykata u dha të drejtën e ankesës brenda afatit ligjor.

    Të pranishëm në shpallje ishin dy të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, avokatët Taulant Broqi dhe Fehmije Gashi-Bytyqi.

    Paraprakisht, Gjykata në seancën dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, pas marrjes së mendimit të palëve, mori aktvendim me të cilin aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë e lidhur në mes Prokurorisë dhe dy të akuzuarve Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2023, të akuzuarit Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami më 12 shkurt 2023, në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, fillimisht i akuzuari Bajrami e ka sulmuar dhe goditur me grushte e shqelma dhe me sende të forta të dëmtuarin A.H., i cili tenton të ikë t’i shmanget sulmit, por të akuzuarit Atdhe dhe Labinot e ndjekin dhe vazhdojnë përsëri ta godasin me grushte e shqelma dhe me sende të forta, e më pas me qëllim të privimit nga jeta, i akuzuari Musliu e ka goditur me thikë në pjesën e kraharorit – anën e majtë, duke e privuar nga jeta të dëmtuarin- tani të ndjerin A.H.

    Me këtë, akuzoheshin se në bashkëkryerje të akuzuarit Musliu dhe Bajrami kanë kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 31 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi

  • Akreditohet kolonel Zejnullahu, Kosova me atashe të mbrojtjes në Çeki

    Akreditohet kolonel Zejnullahu, Kosova me atashe të mbrojtjes në Çeki

    Atasheu i mbrojtjes në Gjermani, koloneli Bekim Zejnullahu është akredituar si atasheu i parë jorezident i mbrojtjes i Kosovës në Republikën Çeke.

    Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë vizitës përuruese dhe në takime me autoritetet çeke të mbrojtjes, kolonel Bekim Zejnullahu u shoqërua nga ambasadorja e Kosovës në Pragë, Albesjana Iberhysaj-Kapitaj.

    “Përveç takimit të rëndësishëm me zëvendësin e parë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtënant Miroslav Hlavač, u realizuan edhe takime zyrtare në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura me kolonel Jan Husak dhe stafin e tij, si dhe në Ministrinë e Mbrojtjes me Simona Altschulova, drejtore e Bashkëpunimit Ndërkombëtar”, thotë ministria e Mbrojtjes.

    Sipas tyre, kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm për forcimin dhe zgjerimin e partneritetit në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Republikës së Çekisë.

  • Zbulohet plani i Maduros për t’i shpëtuar sulmit amerikan

    Zbulohet plani i Maduros për t’i shpëtuar sulmit amerikan

    Strategjia ushtarake e Venezuelës është e bazuar mbi luftën asimetrike dhe jo përballjen e drejtpërdrejtë me një forcë të huaj.
    Ky është plai i Nicolas Maduros, në bazë të një raportimi të agjencisë së lajmeve Reuters.

    Sipas planeve të brendshme të Ushtrisë, në rast se Shtetet e Bashkuara ndërmarrin një sulm, forcat e armatosura do të shpërndahen në të gjithë vendin, duke përdorur sabotazhe, sulme të papritura dhe taktika guerile nga më shumë se 280 pozicione të fshehura.

    Një plan i dytë, i njohur brenda si “anarkizim”, parashikon aktivizimin e njësive të inteligjencës dhe grupeve të armatosura pro-qeveritare për të krijuar kaos në Caracas dhe për ta bërë vendin të vështirë për t’u kontrolluar.

    Analistët paralajmërojnë se kjo strategji tregon se Qeveria e presidentit Nicolás Maduro po përgatitet për çdo skenar, duke përfshirë destabilizimin e kryeqytetit dhe përdorimin e metodave jo konvencionale për të mbrojtur regjimin.
    Por, në asnjë prej tyre nuk përmendet arratisja e vetë Maduros nga Venezuela.

    Teksa, Donald Trump e ka bërë të qartë paralajmërimin e tij, pasi lajmëroi botën për një “mbyllje të hapësirës ajrore venezuelase”, e cila e boshatisi qiellin mbi kokën e Maduros dhe aleatëve të tij dhe lë plotësisht të hapur mundësinë e një sulmi ajror mbi diktatorin venezuelas.

  • Prokuroria ngritë aktakuzë për krime lufte ndajë dy ish policëve serb

    Prokuroria ngritë aktakuzë për krime lufte ndajë dy ish policëve serb

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar një aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj A.Z dhe B.D., për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri A.Z., në cilësinë e inspektorit në Stacionin Policor në Prizren, ndërsa B.D., në cilësinë e policit në të njëjtin stacion, gjatë viteve 1998-1999 individualisht dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, kanë ndërmarrë një fushatë arrestimesh ndaj popullsisë civile në komunat e Rahovecit dhe Suharekës.

    Në mesin e të arrestuarëve ishin R.J., M.K., E.G., S.E., V.V., Q.K., U.K., H.G., S.G., H.Sh dhe A.Z, të cilët gjatë procesit të marrjes në pyetje, sipas aktakuzës, janë rrahur me mjete të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor, ku si pasojë R.J kishte vdekur, ndërsa personat e tjerë kishin pësuar lëndime serioze trupore.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, bazuar në nenet 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës që të mbajë gjykimin në mungesë, pasi të pandehurit A.Z dhe B.D.janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.

  • Netanyahu del para gjykatës teksa presidenti izraelit shqyrton kërkesën e tij për falje

    Netanyahu del para gjykatës teksa presidenti izraelit shqyrton kërkesën e tij për falje

    Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka thënë të hënën se do të përqendrohet vetëm tek “interesat më të mira të Izraelit” kur ta shqyrtojë kërkesën e kryeministrit Benjamin Netanyahu për ta falur për akuzat për korrupsion.

    “Do të shqyrtohet në mënyrën më të drejtë dhe më të saktë. Unë do t’i marr parasysh vetëm interesat më të mira të Shtetit të Izraelit dhe të shoqërisë izraelite”, tha Herzog në një deklaratë.

    Netanyahu njoftoi të dielën se kishte paraqitur kërkesën për falje, duke thënë se çështjet e gjata gjyqësore po e copëtonin Izraelin.

    Ndërkohë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i shkroi muajin e kaluar Herzogut, duke i kërkuar ta falë Netanyahun.

    Netanyahu i ka mohuar vazhdimisht akuzat për korrupsion.

    Ai dhe bashkëshortja e tij Sara akuzohen në një rast se kanë pranuar më shumë se 260.000 dollarë në formë dhuratash luksoze si puro, bizhuteri dhe shampanjë nga miliarderë në këmbim të favoreve politike.

    Kryeministri akuzohet gjithashtu se ka kërkuar të negociojë mbulim më të favorshëm mediatik nga dy media izraelite në dy raste të tjera.

    Meqenëse çështjet kanë nxjerrë në pah përçarje të thella në shoqërinë izraelite midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të tij, Netanyahu tha se po kërkon që të falet në mënyrë që t’i “ulë tensionet dhe ta promovojë pajtimin që vendit tonë i duhet kaq shumë”.

    Netanyahu e ka mohuar vazhdimisht fajësinë në rastet gjyqësore dhe nuk e pranoi fajësinë as të dielën kur njoftoi se i ka kërkuar presidentit ta falë.

    Ai doli para gjykatës në Tel Aviv, ku protestues pro dhe kundër tij brohoritën slogane. Disa prej protestuesve ishin të veshur me uniforma ngjyrë portokalli të stilit të të burgosurve.

    “Ai duhet të gjykohet si çdo qytetar tjetër në Izrael”, tha për AFP protestuesja Paula Keusch.

    Por, demonstruesi pro Netanyahut, Rafael Shamir tha: “Nëse e mira e vendit e çon Netanyahun të kërkojë pezullimin e gjyqit, atëherë unë e mbështes atë”.

    Në Izrael, falja tradicionalisht është dhënë vetëm pasi procedurat ligjore kanë përfunduar dhe i pandehuri është dënuar.

    Avokatët e Netanyahut argumentuan se presidenti mund të ndërhyjë kur është në rrezik interesi publik, si në këtë rast, me synimin për të shëruar ndasitë dhe për të forcuar unitetin kombëtar. /REL/

  • Vrasja e biznesmenit, automjeti i autorëve ishte në emër të kompanisë së viktimës

    Vrasja e biznesmenit, automjeti i autorëve ishte në emër të kompanisë së viktimës

    Detaje të reja janë mësuar mbi vrasjen e biznesmenit 43-vjeçar Edmond Mëhalla në Elbasan.

    Dyshohet se makina tip “Audi” me të cilën lëviznin autorët ka qenë në pronësi të kompanisë së tij.

    Edmond Mëhalla u ekzekutua mbrëmjen e së dielës, pranë karburantit në pronësi të tij.

    Një prej autorëve e ka qëlluar biznesmenin me pesë plumba, dy prej të cilëve në kokë dhe një në trup.

    Pas vrasjes, autorët e dyshuar janë larguar drejt aksit Elbasan-Librazhd ndërkohë, këtë të hënë u gjet një makinë e djegur në fshatin Mirakë.

  • OEK i jep ZRRE-së 5 ditë afat: Zbatoni vendimin e Supremes ose do të dorëzojmë kallëzim penal

    OEK i jep ZRRE-së 5 ditë afat: Zbatoni vendimin e Supremes ose do të dorëzojmë kallëzim penal

    Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar ashpër ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke e akuzuar për keqinterpretim të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme në lëndën P.A.nr.18/2025 dhe duke paralajmëruar kallëzim penal ndaj kryetarit të Bordit të këtij institucioni, nëse vendimi nuk zbatohet brenda pesë ditësh.

    Në njoftimin e saj, OEK thekson se Gjykata Supreme ka konfirmuar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është zbatuar në kundërshtim me ligjin, pa analizë konkurrence, pa konsultime publike dhe jashtë kompetencave ligjore të rregullatorit.

    Sipas OEK-ut, vendimi i Supremes është “i formës së prerë, i pakontestueshëm dhe i detyrueshëm për zbatim të menjëhershëm”.

    Oda kritikon ashpër komunikatën e ZRRE-së të datës 18 nëntor, duke e cilësuar si tentim për të “relativizuar këtë vendim, duke krijuar pasiguri të re ligjore dhe duke ekspozuar bizneset ndaj rreziqeve ekonomike dhe dëmeve të mëtejshme”.

    Në reagim thuhet se: “Vendimi i Gjykatës Supreme është i detyrueshëm për zbatim nga çdo institucion publik. Asnjë organ administrativ nuk mund ta interpretojë ose ta zbehë efektin juridik të këtij vendimi. Çdo veprim i bazuar në aktet e shfuqizuara bie ndesh me rendin juridik të Republikës së Kosovës.”

    Sipas OEK-ut, bizneset janë dëmtuar rëndë nga procesi i liberalizimit që tashmë është konfirmuar si i paligjshëm, duke u përballur me rritje çmimesh, kontrata të imponuara dhe depozita të pajustifikuara.

    OEK kërkon nga ZRRE që brenda pesë ditësh kalendarikë të ndërmarrë hapat e detyrueshëm.

    “Të publikojë një komunikatë të re dhe të korrigjuar mbi vendimin e Gjykatës Supreme, të ndalojë çdo interpretim të pasaktë të vendimit, të rikthejë bizneset e prekura në Shërbimin Universal, të rillogarisë faturat e periudhës së liberalizimit të paligjshëm dhe të zbatojë në mënyrë të plotë dhe të pakushtëzuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

    Nëse këto veprime nuk ndërmerren brenda afatit, OEK paralajmëron se do të dorëzojë kallëzim penal ndaj kryetarit të Bordit të ZRRE-së, si përgjegjës për pengimin e zbatimit të një vendimi të formës së prerë.

    Sipas njoftimit, moszbatimi i vendimit dëmton rëndë konkurrueshmërinë e bizneseve vendore, besueshmërinë e investitorëve, stabilitetin ekonomik, sigurinë juridike në sektorin energjetik dhe imazhin e vendit si destinacion për investime.

    OEK shton se procesi i paligjshëm ka “krijuar kosto të larta operative, ka cenuar planifikimin financiar dhe ka pamundësuar investime të reja, duke rrezikuar mijëra vende pune”.

    Në fund të njoftimit, OEK garanton se do të vazhdojë mbrojtjen juridike të bizneseve të prekura, dhe se nuk do të lejojë që vendimet e formës së prerë të injorohen.

    “Shteti ligjor funksionon vetëm kur vendimet e gjykatave zbatohen. Asnjë institucion nuk mund të qëndrojë mbi ligjin,” përfundon njoftimi i OEK-ut.

  • Ish-kryeministri i Kosovës aderon në AAK

    Ish-kryeministri i Kosovës aderon në AAK

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po përgatitet fuqishëm për zgjedhje.

    Partia e Ramush Haradinajt do të futet në zgjedhje me dy ish-kryeministra, liderin Haradinaj dhe ish-kryeministrin Agim Çeku.

    Ky i fundit do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Më 2 mars të vitit 2006, pas dorëheqjes së kryeministrit Bajram Kosumi, partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e propozoi Çekun për kryeministër.

    Me 65 vota për, 33 kundër dhe 5 abstenime, Kuvendi i Kosovës e zgjodhi atëbotë ushtarakun si kryeministër të vendit.