ATV

Category: Lajme

  • Abdixhiku prezanton aderimin e radhës, është një Gjeneral Major

    Abdixhiku prezanton aderimin e radhës, është një Gjeneral Major

    Lidhja Demokratike e Kosovës e ka prezantuar aderimin e radhës, Gjeneral Major Gëzim Hazrollin.

    Ish komandanti Brigadës 123 të UÇK-së ishte një nga të parët që udhëhoqi transformimin e TMK-së në FSK.

    “Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret një nga figurat më të shquara të mbrojtjes sonë kombëtare: Gjeneral Major Gëzim Hazrollin – ushtarakun që në luftë udhëhoqi me guxim, në paqe shërbeu me përkushtim, dhe në shtet ndërtoi me urtësi.
    Me mbi tre dekada uniformë, Hazrolli i bashkohet LDK-së jo vetëm si profesionist i rrallë, por si simbol i disiplinës, integritetit dhe karakterit që vendi ynë sot ka nevojë t’i rikthejë në qendër të jetës publike.
    Në vitet vendimtare të çlirimit, si Komandant i Brigadës 123, të UÇK-së, ai ishte ndër njerëzit që mbajtën vijën e frontit – me përgjegjësi dhe me sakrificë. I qetë në vendimmarrje, i saktë në udhëheqje, i palëkundur në detyrë. Prej atyre burrave që i kanë dhënë peshë fjalës komandant.
    Pas luftës, kur vendi kishte nevojë për themele të reja, Hazrolli ishte ndër të parët që vuri gurët e parë në ngritjen e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës; dhe ndër të parët që udhëhoqi transformimin e tyre në Forcë të Sigurisë së Kosovës, për t’i dhënë Republikës një ushtri moderne, profesionale, të besueshme për aleatët tanë.
    Nga viti 2009 deri në maj 2025, në pozitat më të larta drejtuese të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, ai ishte pjesë e çdo procesi kyç të modernizimit: ngritja e kapaciteteve luftarake, profesionalizimi i trupës, ndërtimi i standardeve që sot e lidhin ushtrinë tonë me partnerët euroatlantikë.
    I formuar në institucionet strategjike më prestigjioze; Royal College of Defence Studies në Londër, Marshall Center në Garmisch, programet ekzekutive në Monterey, California; Gjenerali Hazrolli është ndër ekspertët më të plotë që ka prodhuar sistemi ynë i sigurisë.
    Për shërbimin e tij, Republika e ka nderuar me Medaljen Presidenciale Ushtarake, Medaljen për Shërbime të Shquara, Medaljen e Karrierës – dekorata që mbahen pak, meritohen shumë dhe trashëgohen me krenari.
    Sot, ardhja e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës përçon një mesazh të qartë:
    njerëzit e shtetit po kthehen në politikë; njerëzit e përgjegjësisë po bashkohen në një projekt që synon rend, stabilitet dhe orientim të palëkundur euroatlantik.
    Gjeneral Hazrolli i bashkohet LDK-së për një arsye të thjeshtë dhe të madhe: sepse Kosova ka nevojë për shtet, jo spektakël; për institucione të përgatitura, jo improvizim; për drejtim të qetë, të matur dhe të sigurt – jo aventurë politike.
    Mirë se vjen, Gjeneral Gëzim Hazrolli.
    Në këtë shtëpi politike, do të gjesh vlerat që i mbron prej tri dekadash: nderin, disiplinën, besën dhe përkushtimin ndaj Republikës.
    Udhëtimi ynë për një Kosovë më të sigurt, më të fortë dhe më evropiane sot bëhet më i fuqishëm” shkruan Abdixhiku në njoftim.

  • S’lejohet që Zyrapi të shtohet në listën e dëshmitarëve të mbrojtjes, i pranohen pesë dëshmitë me shkrim

    S’lejohet që Zyrapi të shtohet në listën e dëshmitarëve të mbrojtjes, i pranohen pesë dëshmitë me shkrim

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim që dëshmitarin Bislim Zyrapi të mos lejohet që mbrojtja e Hashim Thaçit ta shtojë në listën e dëshmitarëve të saj, por u lejua pranimi i pesë deklaratave të tij të mëhershme me qëllim të krahasimit të dëshmive për shkaqe të qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë së dëshmisë së tij.

    Ndryshe, mbrojtja e Thaçit kishte kërkuar autorizim për ta shtuar Zyrapin në listën e saj të dëshmitarëve dhe të pranojë pesë deklarata të tij të mëhershme sipas Rregullës 153, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Mbrojtja kishte argumentuar se ekziston arsye e rëndësishme për aprovimin e kërkesës së tyre, me arsyetimin se Zyrapi është një dëshmitar shumë i rëndësishëm për të gjitha palët në këtë çështje.

    Përveç kësaj, mbrojtja kishte thënë se me aprovimin e kërkesës së tyre, nuk shkaktohet asnjë paragjykimi për palët- pasi dëshmitari dhe dëshmitë e tij janë të njohura mirë për palët dhe pjesëmarrësit, përveç kësaj, deklaratat e tilla i janë paraqitur dëshmitarit gjatë dëshmisë së tij në korrik 2024 dhe nuk do të shkaktonte asnjë vonesë në procedurë.

    Mbrojtja ka thënë se këto deklarata duhet të pranohen pasi ato përmbajnë prova lehtësuese të cilat nuk mund të injorohen.

    Veç kësaj, mbrojtja ka thënë se Zyrapi është i disponueshëm edhe për marrje në pyetje, gjë që përmbush një prej kërkesave kyçe sipas Rregullës 153.

    Prokuroria kishte thënë se deklaratat nuk janë të besueshme në vetvete dhe nuk plotësojnë kriteret e domosdoshme sipas Rregullës 153, si dhe kjo rregull nuk mund të përdoret për të anashkaluar Rregullën 155.

    Veç kësaj, Prokuroria pretendon se mbrojtja e kishte mundësinë që ta merrte në pyetje dëshmitarin në lidhje me çështjet përkatëse gjatë kohës kur ai dëshmoi në sallën e gjyqit në vitin 2024.

    Në replikën e saj, mbrojta ka thënë se ZPS-ja po kërkon që të imponojë një lexim tepër formal të rregullave, duke shtuar se vetë praktika e deritanishme e DhSK-së tregon se Rregulla 153 është aplikuar në raste kur materiali nuk kualifikohet si deklaratë në kuptimin teknik të Rregullës 155.

    “Sipas mbrojtjes: (i) Pesë Deklaratat nuk bien nën Rregullën 155 sepse nuk janë deklarata të marra nga ZPS, por materiale dokumentare të krijuara në rrethana të tjera; (ii) prandaj, Rregulla 153 është rruga e duhur; dhe (iii) ZPS nuk i ka sfiduar dot elementet kyçe të pranueshmërisë. Mbrojtja shton se ZPS është vetë autor i një pjese të koklavitjes procedurale që e ka sjellë këtë çështje deri në këtë pikë”, thotë mbrojtja sipas vendimit.

    Megjithatë, Prokuroria s’e ka kundërshtuar pranimin e pesë deklaratave sipas Rregullës 138, por vetëm për qëllime të krahasimit dhe jo për të vërtetuar të vërtetën e përmbajtjes së tyre.

    Mbrojtja ka theksuar se ndryshe nga ajo se çfarë sugjeron Prokuroria, çdo paraqitje sipas Rregullës 153 kërkon që dëshmitari të jetë në listën e dëshmitarëve të palës që e paraqet.

    Kurse, trupi gjykues ka thënë se mbrojtja nuk ka shpjeguar se pse ka pritur deri në fund të paraqitjes së saj të provave për të kërkuar pranimin e këtij materiali me ndryshimet përkatëse në listën e dëshmitarëve të saj.

    Trupi gjykues tutje ka thënë se pranimi i këtyre deklaratave i nënshtrohet kritereve specifike të parashikuara me Rregullat 153 dhe 155.

    Veç kësaj, u tha se pesë deklaratat përmbajnë informacion që shkojnë drejtpërdrejt në provimin e akteve dhe sjelljen e të akuzuarve siç përshkruhet në aktakuzë, por pranimi i saj sipas Rregullës 153 do të anashkalonte skemën procedurale dhe do t’iu mohonte palëve të tjera mundësinë për të pyetur dëshmitarin për këto çështje.

    Trupi gjykues ka vlerësuar se nuk është e nevojshme që të shtohet Zyrapi në listën e dëshmitarëve të mbrojtjes, por kjo e fundit së bashku me Prokurorinë ka thënë që pesë deklaratat mund të pranohen sipas Rregullës 138, me qëllim të kufizuar për vlerësimin e qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë së dëshmisë së Zyrapit.

  • Arrestohet vushtrriasi për dy raste të vjedhjeve të naftës

    Arrestohet vushtrriasi për dy raste të vjedhjeve të naftës

    Policia e ka arrestuar një person për veprën penale “Vjedhje” në qytetin e Vushtrrisë, të hënën.

    Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se nga provat dhe informacionet e siguruara gjatë hetimit, dyshohet se i dyshuari gjatë muajit nëntor, në intervale të ndryshme kohore, “në dy raste ka kryer vjedhje të sasisë së naftës, ku i dyshuari kishte vjedhur naftë nga gjeneratori i ankuesit”.

    I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit kompetent, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

  • Trafiku Urban: Në momentin që alokohen paratë ne dalim në punë, u kërkojmë falje qytetarëve

    Trafiku Urban: Në momentin që alokohen paratë ne dalim në punë, u kërkojmë falje qytetarëve

    Ka vazhduar edhe sot protesta e punëtorëve të “Trafikut Urban” si dhe operatorëve privatë në kryeqytet.

    Kryetari i Sindikatës së “Trafikut Urban”, Ilmi Gashi ka thënë se s’ka qarkullim të autobusëve në Prishtinë pa u alokuar paratë.

    Sipas tij, Komuna i detyrohet “Trafikut Urban” 2.4 milionë euro. Ai gjithashtu i kërkoi falje qytetarëve për situatën e krijuar, por që siç tha kjo zgjedhje u është imponuar.

    “Protesta vazhdon dhe sot edhe tutje deri në alokimin e mjeteve borxh që detyrohet Komuna të lshyjë borxhet ndaj ‘Trafikut urban’ dhe operatorëve privatë. Deri në këto momente, vendimi që është marrë ditën e enjte për bartjen e të hyrave vetjake për vitin 2024 në vitin 2025 që arrin vlera e asaj shume 28 milionë është dërguar nga Komuna te Ministria e Financave. Po presim nga Ministria e Financave për të kthyer këtë vendim me pozitivitet për ne gjë që i alokon ato mjete që është ai vendim. Komuna i detyrohet Trafikut Urban 2.4 milionë borxh. Shpresojmë që sot ose nesër mos po reflektojnë. Në momentin që alokohen paratë ne dalim në punë, gjysmë ore na duhet kohë për tu kthyer në normalitet. Sa të realizohet bartja ne fillojmë punën. Qytetarëve u kërkojmë falje. S’është bërë kjo me dashjen tonë, na është imponuar”, tha ai.

  • Propozohet shkarkimi i kryesuesit dhe kërkohet që Agron Qalaj ta lëshojë mbledhjen e KPK-së

    Propozohet shkarkimi i kryesuesit dhe kërkohet që Agron Qalaj ta lëshojë mbledhjen e KPK-së

    Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), anëtari Visar Krasniqi ka propozuar të shkarkohet nga pozita kryesuesi Ardian Hajdaraj dhe më pas kanë lëshuar sallën bashkë me Veton Shabanin.

    Siç raporton Betimi për Drejtësi, Krasniqi ka kërkuar edhe nga Agron Qalaj, i caktuar tash U.D. i kryeprokurorit të Shtetit, që ta lirojë takimin e Këshillit, me arsyetimin se është person i paautorizuar të qëndrojë në këtë takim.

    “Propozimi im është shkarkimi yt nga pozita e anëtarit të Këshillit dhe automatikisht bie edhe prej kryesuesit. Meqenëse jemi bë hajgarexhi në takime të Këshillit, po bëjmë propozime qysh na teket, qysh na vijnë ndër mend”, tha Krasniqi.

    Kujtojmë se Qalaj u caktua në këtë pozitë, pas shkarkimit të Besim Kelmendit, vendim ky që u quajt i paligjshëm dhe ndaj tij pati reagim nga ambasada amerikane.

  • SHBA-ja dhe Siria shkatërrojnë depot e armëve të ISIS

    SHBA-ja dhe Siria shkatërrojnë depot e armëve të ISIS

    Ushtria amerikane njoftoi të dielën, 30 nëntor, se së fundmi ka shkatërruar 15 vende ku ndodheshin depot me armë të ISIS‑it në jug të Sirisë.

    Komanda Qendrore Amerikane (CENTOM) njoftoi se, në bashkëpunim me forcat siriane, identifikuan dhe asgjësuan këto depo përgjatë provincës Rif Dimashq gjatë disa sulmeve ajrore e shpërthimeve në tokë që u zhvilluan mes datave 24 dhe 27 nëntor.

    Sipas deklaratës zyrtare, operacioni çoi në shkatërrimin e më shumë se 130 mortajave (armë që lëshojnë predha) dhe raketave, si dhe armë zjarri automatike, mitralozë, mina kundërtank dhe materiale për ndërtimin e bombave. Gjithashtu, janë gjetur dhe shkatërruar sasi të lëndëve narkotike.

    Komandanti i CENTCOM‑it, admirali Brad Cooper, tha se ky “operacion i suksesshëm siguron që lufta kundër ISIS‑it të jetë e qëndrueshme”, duke mos i lejuar grupit asnjë hapësirë për të “rilindur”, me sulme terroriste qoftë në Shtetet e Bashkuara apo vende të tjera.

    Sipas raportimeve, ndërsa ISIS në të kaluarën kontrollonte territore të mëdha në Siri dhe Irak, pas humbjeve të mëdha ushtarake të koalicionit të udhëhequr nga SHBA‑të, tani grupi është shpërndarë në celula të vogla.

    Megjithatë, mbetet rreziku i ripërtëritjes së aktiviteteve të tij dhe ky sulm i përbashkët synon ta pengojë këtë.

  • Luigi Mangione rishfaqet në gjykatë për një dëgjim paraprak në New York

    Luigi Mangione rishfaqet në gjykatë për një dëgjim paraprak në New York

    Pasi u akuzua për vrasjen e ish-drejtorit të “UnitedHealthcare”, Brian Thompson, Luigi Mangione është kthyer në gjykatë të hënën për një dëgjim paraprak, pra një hap i ri në rastin shtetëror që përfshin edhe akuza federale. 

    Zyra e prokurorisë pritet të përpiqet që të sigurojë që prova kryesore mes tyre ,një armë dhe shënime që sipas hetuesve lidhen me sulmin, të mbeten në dorë të akuzës. 

    Avokatët e Mangi­on­es kundërshtojnë hyrjen e këtyre provave, duke argumentuar se janë marrë në mënyrë të paligjshme, pa mandat dhe pa respek­tim të të drejtave të tij sipas Amendamentit të 4-të të Kushtetutës Amerikane

    Pavarësisht që akuzat për terrorizëm në nivel shtetëror më herët u hodhën posht nga një gjykatës, Mangione ende përballet me akuzën për vrasje në shkallë të dytë dhe në nivel federal ai rrezikon dënim me vdekje nëse shpallet fajtor.
    Ky dëgjim paraprak shënon hapin vendimtar në një proces që ka ngjallur vëmendje të madhe, jo vetëm për rrethanat e krimit, por edhe për debatet mbi të drejtat kushtetuese, drejtësinë, dhe etikën në sektorin e sigurimeve shëndetësore.

  • Policia e Kosovës hap konkurs për disa pozita të larta administrative

    Policia e Kosovës hap konkurs për disa pozita të larta administrative

    Policia e Kosovës ka shpallur sot konkursin e ri të punësimit për disa pozita me karakter financiar dhe administrativ, duke ofruar gjithsej shtatë vende të lira pune. Konkursi është publikuar më 1 dhjetor 2025, me referencë zyrtare 10/1-01/SRS/0779/2025.

    Pozitat e hapura janë:

    Zyrtar i Lartë i Aseteve – 1 vend
    Zyrtar i Lartë i Financave – 2 vende
    Zyrtar i Lartë i Kontabilitetit – 1 vend
    Zyrtar i Lartë Shpenzues në Drejtorinë e Buxhetit dhe Financave – 1 vend
    Zyrtar i Lartë i të Hyrave – 2 vende

    Policia e Kosovës fton të gjithë kandidatët e interesuar të aplikojnë sipas kritereve dhe udhëzimeve të specifikuara në njoftimin zyrtar të publikuar në faqen e institucionit:
    www.kosovopolice.com/shpallje/mundesi-punesimi

    Konkursi mbetet i hapur në përputhje me afatet ligjore për aplikim.

  • Vendimi i PZAP-së dhe reagimet e VV’së, reagon Hoti: Këta përbuzës të shtetit duhet larguar me votë nga qeverisja

    Vendimi i PZAP-së dhe reagimet e VV’së, reagon Hoti: Këta përbuzës të shtetit duhet larguar me votë nga qeverisja

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër qeverisjen katërvjeçare të VV-së, duke thënë se LDK-ja është detyruar të fokusohet në parandalimin e dëmeve në ekonomi, shoqëri dhe integritetin shtetëror, të shkaktuara nga vendime arbitrare dhe ligje jokushtetuese.

    Ai theksoi se shumë ligje janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese dhe se ankesa e LDK-së në PZAP për votimin e diasporës jashtë përfaqësive diplomatike, synon mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.

    Hoti kritikoi reagimin e qeverisë ndaj vendimit të PZAP-së dhe tha se ata “nuk kuptojnë esencën e integritetit shtetëror”, duke bërë thirrje që qeveria aktuale të largohet me votë.

  • Rizvanolli: Po nis instalimi i filtrave në Termocentralin “Kosova B”

    Rizvanolli: Po nis instalimi i filtrave në Termocentralin “Kosova B”

    Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se do të fillojë instalimi i filtrave në Termocentralin “Kosova B”.

    Ajo thotë se tashmë janë përmbushur të gjitha kushtet teknike por edhe ligjore, duke theksuar se po bëhet me financimin e rreth 90 milionë euro nga Bashkimi Evropian.

    “Po nis instalimi i filtrave në Termocentralin “Kosova B” pasi janë përmbushur të gjitha kushtet teknike e ligjore, përfshirë dilatimin e bojlerëve në vitin 2023. Këtë vit, KEK ka realizuar edhe modernizimin e turbinës në njësinë B1. Me rreth 90 milionë euro financim nga BE, filtrat do të ulin emetimet e pluhurit deri në 35 herë dhe oksideve të azotit (NOx) deri në 4 herë, duke i sjellë në përputhje me standardet e BE-së dhe duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në Obiliq, Fushë Kosovë, Prishtinë dhe në gjithë Kosovën. Faleminderit Bashkimit Evropian për mbështetjen afatgjatë në modernizimin e sektorit tonë të energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe faleminderit punonjësve dhe menaxhmentit të KEK-ut për punën shumëvjeçare për ta çuar këtë projekt kompleks deri në fazën e implementimit. Ky është një hap konkret drejt furnizimit më të pastër dhe më të sigurt me energji për familjet dhe bizneset tona, dhe drejt një të ardhmeje më të shëndetshme për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Rizvanolli.