ATV

Category: Lajme

  • Presidentja Osmani në ditëlindjen e ish-Presidentit Ibrahim Rugova: Ishte zëri i arsyes dhe vendosmërisë në kohë të errëta

    Presidentja Osmani në ditëlindjen e ish-Presidentit Ibrahim Rugova: Ishte zëri i arsyes dhe vendosmërisë në kohë të errëta

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 81-vjetorin e lindjes së ish-Presidentit Ibrahim Rugova e ka quajtur atë arkitekt të pavarësisë, duke theksuar se ai mbetet frymëzim i përhershëm, simbol i qëndresës dhe i ëndrrës së madhe për një Kosovë të lirë, të pavarur e demokratike.

    “I lindur 81 vjet më parë, arkitekti i pavarësisë, Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe vendosmërisë në kohë të errëta, si dhe udhërrëfyes drejt lirisë dhe pavarësisë. Me urtësinë, kulturën politike dhe vizionin largpamës, Presidenti Rugova e ngriti çështjen e Kosovës në majat e diplomacisë botërore. Ai mbetet frymëzim i përhershëm, simbol i qëndresës dhe i ëndrrës së madhe për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike. Trashëgimia e Presidentit është testament për paqen, për shtetin sovran dhe të integruar në familjen euro-atlantike. Lavdi jetës, veprës dhe idealit të Presidentit historik”, ka shkruar Osmani.

  • Kuvendi Komunal i Prishtinës thirr mbledhjen inauguruese më 9 dhjetor

    Kuvendi Komunal i Prishtinës thirr mbledhjen inauguruese më 9 dhjetor

    Kuvendi Komunal i Prishtinës do të mbajë mbledhjen inauguruese të hënën, më 9 dhjetor, ku pritet të bëhet betimi i anëtarëve të rinj të Kuvendit të Kryeqytetit, si dhe betimi i kryetarit të ri të Prishtinës.

    Në këtë seancë do të zhvillohet edhe zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit. Mbledhja pritet të nisë në orën 10:00.

    Zgjedhjet lokale në Prishtinë janë fituar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me kandidatin Përparim Rama, i cili do ta marrë mandatin e ri në krye të kryeqytetit.

  • Arrestohen tre persona në veri të Mitrovicës, u rrahën mes vete

    Arrestohen tre persona në veri të Mitrovicës, u rrahën mes vete

    Tre persona janë arrestuar (dy shtetas të Kosovës dhe njëri i Serbisë) pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje ishin përleshur fizikisht mes vete.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 16:00 në rrugën “Zoran Dzindzic”, në veri të Mitrovicës.

    Tutje bëhet e ditur se si pasojë e përleshjes të dyshuarit kanë pësuar lëndime të lehta trupore për çka u është ofruar tretman mjekësor.

    “Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj boshnjakë (dy shtetas të Kosovës dhe njëri shtetas i Serbisë) pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje ishin përleshur fizikisht në mes vete. Si pasojë e përleshjes të dyshuarit kanë pësuar lëndime të lehta trupore për çka dhe u është ofruar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Dy persona goditen nga rryma në Gjilan, po ndërronin njehsorët

    Dy persona goditen nga rryma në Gjilan, po ndërronin njehsorët

    Dy persona janë goditur nga rryma të hënën në rrugën “Skënderbeu” në Gjilan, pasi ishin duke punuar në ndërrimin e njehsorëve.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë thuhet se te dy viktimat kanë pësuar lëndime trupore me ç’rast edhe kanë pranuar tretman mjekësor.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe inspektori i punës, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar prokurori.

    “Dy viktimat meshkuj kosovarë derisa kanë qenë duke punuar në ndërrimin e njehsorëve, janë goditur nga rryma. Si pasojë të njëjtit kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe inspektori i punës. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raport.

  • Merovci për ditëlindjen e Ibrahim Rugovës: Njeriu i tokës, fjalitë i kishte të shkurta dhe të thella

    Merovci për ditëlindjen e Ibrahim Rugovës: Njeriu i tokës, fjalitë i kishte të shkurta dhe të thella

    Njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, Adnan Merovci e ka përshkruar urtësinë e tij, duke thënë se çdoherë mbante kokën ulur dhe shihte tokën.

    Ai e ka quajtur Rugovën “njeriu i tokës”.

    “Njeriu i Tokës! Çdoherë mbante kokën ulur, shihte tokën, unë herë para, herë mbrapa afër tij mbaja kokën lartë duke dashur ta pushtoj qiellin derisa u binda se ai me kokë ulur shihte më shumë se të gjithë të tjerët! Folte për toke! Fjalitë i kishte të shkurta dhe të thella që flisnin më shumë ndaj frazave të gjata të tjerëve! Luftoi për tokën! Një Kosovë e pavarur dhe…, do të ishte zgjedhja më e mirë, ishte kauza e tij që nga utopia u bë realitet! Po thojnë se sot ai ka ditëlindjen, Njeriu i Tokës!”, ka shkruar Merovci.

    Ish-Presidenti Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 në Cërcë të Istogut, ndërsa vdiq më 21 janar 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

  • Rritja e çmimit të arit vazhdon për të katërtin muaj radhazi

    Rritja e çmimit të arit vazhdon për të katërtin muaj radhazi

    Ari ka qenë në rritje për katër muaj rresht, i udhëhequr nga ndryshimet gjeopolitike, optimizmi për uljet e normave të interesit nga Rezerva Federale dhe blerjet e vazhdueshme të arit nga banka qendrore.

    Ari e filloi vitin me 2,623 dollarë për ons dhe ndoqi një trend kryesisht rritës gjatë gjithë vitit 2025. Kërkesa nga bankat qendrore, pritjet për ulje të mëtejshme të normave të interesit nga Rezerva Federale dhe zhvillimet gjeopolitike mbështetën rritjen e çmimeve të arit.Ari u rrit me 6.67% nga muaji në muaj në janar, 2.17% në shkurt, 9.26% në mars dhe 5.26% në prill, shkruan Anadolu Agency.

    Metali i çmuar u tregtua në një vijë horizontale në maj, qershor dhe korrik, dhe më pas fitoi 4.8% në bazë mujore në gusht, 11.9% në shtator, 3.7% në tetor dhe 5.4% në nëntor.

    Ai arriti një rekord prej 4,381.6 dollarë për ons këtë vit, ndërsa u fitoi investitorëve deri në 60% që nga fillimi i vitit.

    Kursi i sheshtë i arit lë pas një moment rritës

    Zafer Ergezen, një ekspert i tregjeve të ardhshme dhe mallrave, i tha Anadolu se ari hyri në një lloj periudhe pushimi përpara se të rritet përsëri.

    “Arsyeja kryesore për rritjen e arit është probabiliteti në rritje i uljes së normës së interesit nga Rezerva Federale,” tha ai. “Ndërsa prirja e kryetarit të Rezervës Federale drejt uljes së normës së interesit tërhoqi Indeksin e Dollarit Amerikan, kjo shkaktoi një rritje të metaleve të çmuara.”

    Ergezen deklaroi se mbyllja e arit në mbi 4,000 dollarë mund të nënkuptojë që metali i çmuar mund të testojë përsëri nivelin e tij rekord, por ky moment mund të ngadalësohet në një farë mase në këtë pikë.

    Ai shtoi se rekorde të reja mund të jenë në horizont nëse pozicionet e arit të mbyllura më parë në tetor do të rihapeshin.

  • Sot takimi me Putin dhe të dërguarin e posaçëm të Trump për planin e paqes në Ukrainë

    Sot takimi me Putin dhe të dërguarin e posaçëm të Trump për planin e paqes në Ukrainë

    Ethet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë vazhdojnë me takimin e të dërguarit të posaçëm të Presidentit Trump, Steve Witkoff, me Presidentin rus Vladimir Putin këtë pasdite.

    Takimi do të zhvillohet “në gjysmën e dytë të ditës”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, duke refuzuar të përmendte vijat e kuqe të Rusisë dhe duke thënë se diplomacia me megafon nuk është e dobishme.

    Udhëtimi i Witkoff vjen pas bisedimeve që ai kryesoi në Florida me delegacionin ukrainas.

    SHBA-të janë shfaqur optimiste në lidhje me perspektivat e arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, teksa sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë Caroline Levitt u tha gazetarëve të hënën: “Mendoj se administrata ndihet shumë optimiste”.

    Megjithatë, aleatët europianë të Kievit kanë shprehur shqetësim se plani i paqes i SHBA-së i plotëson shumë kërkesat maksimaliste të Moskës. Karakteristikë e klimës është deklarata e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaia Kallas, se ajo ka frikë se bisedimet Putin-Witkoff do të ushtrojnë presion mbi Ukrainën për të bërë lëshime. Dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, udhëtoi gjithashtu në Rusi me Witkoff, megjithatë Kremlini nuk sqaroi nëse ai do të jetë i pranishëm në takimin me Putin.

    Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha të hënën se Rusia nuk duhet të shpërblehet për pushtimin e saj.

    “Ne gjithashtu duhet të sigurohemi që vetë Rusia të mos perceptojë asgjë që mund ta konsiderojë si shpërblim për këtë luftë”, tha ai në një konferencë shtypi me Presidentin Francez, Emmanuel Macron.

    Presidenti ukrainas zhvilloi gjithashtu telefonata me disa udhëheqës, përfshirë Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer dhe Kancelarin Gjerman Friedrich Merz, ndërsa kërkoi të mblidhte mbështetje nga aleatët europianë.

    “Paqja duhet të bëhet vërtet e qëndrueshme. Lufta duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, shkroi ai në media sociale.

  • 12 të vdekur e dhjetëra të zhdukur nga rrëshqitja e dheut që goditi dy anije në Peru

    12 të vdekur e dhjetëra të zhdukur nga rrëshqitja e dheut që goditi dy anije në Peru

    Të paktën 12 persona kanë vdekur dhe rreth 50 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një rrëshqitje dheu goditi dy anije të ankoruara në një port lumor në rajonin e pyjeve tropikale të Amazonës në Peru.

    Rrëshqitja e tokës fundosi një traget dhe dëmtoi rëndë një tjetër anije pasagjerësh që kishte dhjetëra njerëz në bord, sipas një raporti policor të cituar nga agjencia e lajmeve Andina, shkruan BBC.

    Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 sipas orës lokale, ndërsa pasagjerët po përgatiteshin të zbrisnin në Iparia, në rajonin qendror Ucayali të vendit të hënën.

    Të plagosurit janë dërguar në spital, ndërsa policia kombëtare dhe Marina Peruviane kërkojnë të mbijetuar të tjerë. Frikësohet se midis të zhdukurve ka edhe fëmijë.

  • Rutte falënderon Zvicrën për kontributin në misionin e NATO-s në Kosovë

    Rutte falënderon Zvicrën për kontributin në misionin e NATO-s në Kosovë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, zhvilloi një takim në Bruksel me Këshilltarin Federal zviceran Martin Pfister nga Departamenti Federal për Mbrojtjen, Mbrojtjen e Popullsisë dhe Sportin (VBS/DDPS).

    “Ishte mirë të takoja Këshilltarin Federal Martin Pfister dhe ta falënderoja për kontributin e Zvicrës në misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Kosovë. Diskutuam gjithashtu mënyrat për të thelluar bashkëpunimin tonë me Zvicrën”, shkroi Rutte në X.

    Që nga tetori i vitit 1999, Forcat e Armatosura Zvicerane kontribuojnë në misionin ndërkombëtar paqeruajtës të NATO-s, Kosovo Force (KFOR), përmes Kompanisë Zvicerane dhe kontingjenteve Swisscoy. Aktualisht, numri maksimal i personelit zviceran në mision është 215, ndërsa mandati aktual parashikohet të zgjasë deri në fund të vitit 2026.

  • Përvjetori i lindjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova

    Përvjetori i lindjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova

    Sot shënohet 81-vjetori i lindjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

    Ibrahim Rugova është lindur më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia kanë pushkatuar të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që kishin depërtuar në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Ibrahim Rugova shkollën fillore e ka kryer në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e ka kryer në Prishtinë.

    Gjatë vitit akademik 1976-77 ka qëndruar në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ka ndjekur interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Ai ka doktoruar në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.

    Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë ka punuar edhe në revistën Fjala.

    Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e ka zhvilluar në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ishte kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare është mar rëqë nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

    Dr. Ibrahim Rugova më 1988 është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që është bërë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila ka kundërshtuar sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

    Si intelektual me nam që i ka dhënë zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që ka sfiduar drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës,është bërë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.

    Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja kanë përmbyllur kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

    Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, kanë qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992.

    Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova është rizgjedhur President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

    Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK ka fituar edhe zgjedhjet nacionale më 2004.

    Dr. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe është rizgjedhur edhe më 2004.

    Dr. Ibrahim Rugova ka vdekur më 21 janar 2006 në Prishtinë dhe është varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

    Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu e ka dekoruar Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.