ATV

Category: Lajme

  • Dy të arrestuar dhe dy të tjerë në kërkim për vrasjen e biznesmenit në Elbasan

    Dy të arrestuar dhe dy të tjerë në kërkim për vrasjen e biznesmenit në Elbasan

    Dy persona janë arrestuar, derisa dy të tjerë janë shpallur në kërkim në Elbasan, për vrasjen e biznesmenit nga Shqipëria, i cili u identifikua si Edmond Hyka.

    Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se në pranga u vu një 52-vjeçar (roja i karburantit), për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion.

    I arrestuari tjetër është Xh. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

    Në kërkim u shpallën M. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe A. K., 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

    Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xh. A., i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit M. A.

    Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

  • Spiropali kujton Rugovën: Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundërshtarët

    Spiropali kujton Rugovën: Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundërshtarët

    Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka kujtuar Presidentin Ibrahim Rugova në ditën e tij të lindjes.

    “Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundështarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye. Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme”, shkruan veç tjerash Spiropali.

    “Ndoshta për shkak të emrit Ibrahim/Abraham, në fëmijëri Ibrahim Rugova më fanepsej si profet.

    Më vonë konstatova se ky politikan nuk ngjante me askënd. Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundështarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye. Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme.

    Rugova evokonte Dardaninë, rrënjët e identitetit tonë, atë që kemi qenë, atë që duhet të jemi.

    Ibrahim Rugova ishte një Prijës politik e shpirtëror misionar. Butësia e Tij ishte Forcë e papërballueshme vendosmërie dhe pandryshueshmërie.

    Rugova nuk udhëhiqej nga turmat.

    Rugova turmat i udhëhiqte nëpër shtigje të panjohura, nga errësira drejt dritës.

    Kosova dhe Rugova, Rugova dhe Kosova, janë të pandarë në sytë e botës së qytetëruar.

    Në traditën më të ndritur të Rilindjes, për Rugovën dielli i shqiptarëve lind nga perëndon.

    Në rrugën e mundimshme të Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë, Ibrahim Rugova priu me urtësi dhe vetëdijë atdhetare të palëkundur.

    Lindi më 2 Dhjetor, 81 vite më parë. Dhe do kujtohet gjithmonë”, shkruan ajo.

  • Ambasada amerikane fton shtetasit amerikanë që jetojnë në Kosovë për një takim me Prattipatin

    Ambasada amerikane fton shtetasit amerikanë që jetojnë në Kosovë për një takim me Prattipatin

    Ambasada amerikane në Prishtinë ka ftuar shtetasit e saj që banojnë në Kosovë të marrin pjesë në një takim publik të organizuar nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati

    “Mesazh për qytetarët amerikanë që banojnë në Kosovë: të premten, më 12 dhjetor 2025, nga ora 14:00 deri në orën 15:00, qytetarët amerikanë ftohen të marrin pjesë në një takim publik në Ambasadën e SHBA-së, të organizuar nga e Ngarkuara me Punë Anu Prattipati”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

    Prattipati do të mbajë fjalën hyrëse dhe do t’u përgjigjet pyetjeve të pjesëmarrësve. Sesioni do të zhvillohet në gjuhën angleze.

  • “Kemi mbetur top i ping pongut”, Gashi paralajmëron veprime radikale

    “Kemi mbetur top i ping pongut”, Gashi paralajmëron veprime radikale

    Punëtorët e “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë kanë paralajmëruar radikalizmi të veprimeve dhe bllokim të qytetit me autobusët nëse zvarritet edhe më tej çështja e mos alokimit të mjeteve financiare për pagat e tyre.

    Përfaqësuesi i “Trafikut Urban” Elmi Gashi u ka bërë thirrje Ministrisë së Financave por edhe Komunës që ta thërrasin arsyen dhe të reflektojnë, duke theksuar se ata janë bërë si një top i ping pongut.

    “Protesta po vazhdon me avazin e vjetër sikurse dje por deri në momentin që nuk alokohen mjetet për të shlyer borxhin Komuna ndaj “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë një gjë e tillë nuk do të ndërpritet vetëm sa do të radikalizohet në ditët në vijim. Sipas informatave jozyrtare siç janë dalë npër media që Ministria ka alokuar mjetet, Komuna del dhe thotë se paratë nuk kanë ardh. Ne kemi mbetur andej, këndej, top i vërtetë i ping pongut që po na nxjerrin. Në këto temperatura të ftohta për hir të qytetarëve që po vuajnë për transport, për hir të tyre këta duhet të reflektojnë dhe nëse ndodhë një gjë e tillë ne do t’i kthehemi punës së rregullt në momentin që lshyrë borxhi në të kundërtën, nëse nuk alokohen mjetet situata vetëm do të radikalozohet. Urojmë që kjo të ndodhë ditën e sotme, mbesim me shpresë që arsyeja të mbizotëroje edhe te Komuna dhe te Ministria. Po shpresojmë që i ka alokuar”, u shpreh Gashi.

    Ai ka paraajëmruar se me autobusë do ta bllokojnë qytetin pavarësisht se me cka do të përballen.

    “Dhashtë zoti stërzgjatet me vite nëse është në interes të këtyre. Por ne do të fillojmë me radikalizmin e veprimeve dhe do të bllokojmë gjithë qytetin, me gjithë autobusët do të dalim. Pavarësisht asaj që mund të bëjmë shkelje e nuk na lejohet nga organet e rendit, pro do ta marrim përgjegjësinë dhe pa pëlqimin e askujt do ta bllokojmë qytetin. Na mos me punu e qytetarët me mbet rrugës a? Po këta janë të popullit”, deklaroi Gashi.

    Sa i përket deklaratave të shefit të grupit të asamblistëve të VV-së në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, Gashi tha se nuk ka asgjë më shumë informacione sesa deklarimi i tij që është bërë.

    “Njoftim zyrtarë për alokim të mjeteve prej Ministrisë së Financave nuk kemi. Ato janë sikurse ju që keni dëgjuar nga Vetëvendosje, individi, shefi i asamblistëve të VV në Prishtinë ai ka shkruar në mjetet të informimit, aq sa i besoni ju edhe ne. Për ne primare është që komuna ku ne e kemi kontratën kontraktuale nuk ka mjete me aloku. Komuna doli me komunikatë dhe tha se nuk janë alokuar mjetet prej thesarit”, tha Gashi.

    Që nga 24 nëntori është ndërpre qarkullimi i autobusëve në kryeqytet.

  • Pamje nga laboratori i drogës në Prizren – Ngritët aktakuzë ndaj nëntë personave

    Pamje nga laboratori i drogës në Prizren – Ngritët aktakuzë ndaj nëntë personave

    Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave: K.R., L.B., D.M., Sh.K., F.H., M.S., A.S., E.M., dhe B.M., në lidhje me rastin e laboratorit të drogës të zbuluar më 23.04.2025 në Prizren.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit K.R., L.B., D.M., E.M., F.H., Sh.K., M.S., dhe A.S., nga një periudhë e pacaktuar kohore deri më 23.04.2025, kanë vepruar së bashku si anëtarë të grupit, duke shfrytëzuar dy banesa në lagjen “Dardania” në Prizren, në katin e VII-të, dhe kanë krijuar një laborator të sofistikuar “in door” për kultivimin e bimës “kanabis sativa”. Laboratori ishte i pajisur me llamba profesionale, sisteme ventilimi, pesticide, matës temperaturash dhe pajisje mbështetëse, ku të njëjtit kanë kultivuar dhe rritur 175 bimë “kanabis sativa”. Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 të KPRK-së.

    Po ashtu, të pandehurit D.M., E.M., M.S., dhe A.S., akuzohen se kanë pasur për qëllim shitjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike të përfituar nga kultivimi i kanabisit, përmes tharjes, paketimit dhe përgatitjes për shpërndarje. Me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” nga neni 267 të KPRK-së.

    Ndërkohë, të pandehurit K.R., dhe L.B., akuzohen se deri më 07.05.2025 kanë shpërndarë dhe shitur substanca narkotike të llojit “marihuanë” dhe “kokainë” në Prizren, Prishtinë dhe Fushë Kosovë. Gjatë bastisjeve është sekuestruar një sasi totale prej 451.91 gram kokainë, para të gatshme dhe pajisje tjera që shërbejnë për ndarjen dhe peshimin e lëndëve narkotike. Po ashtu, i pandehuri K.R., ka kryer shitjen e 2 kg marihuanë në këmbim të një veture “Audi A6”. Me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” nga neni 267 të KPRK-së.

    Ndërkaq, i pandehuri B.M., si pjesë e grupit të organizuar në bashkëkryerje ka ndihmuar në kultivimin e bimës “kanabis sativa”, duke i informuar të pandehurit e lartcekur për lëvizje të dyshimta që mund të çonin në zbulimin e laboratorit nga policia. Me këto veprime, i njëjti ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 të KPRK-së.

    Prokurori i çështjes, me ngritjen e aktakuzës ka propozuar që të bëhet konfiskimi i mjeteve dhe sendeve të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale, ndër të tjera:

    Një (1) banesë prej 100 m2 në Prizren;

    Një (1) banesë prej 114 m2, në Prizren;

    Dy (2) vetura;

    Narkotiku i sekuestruar;

    Telefona mobil;

    Para të gatshme në shumën prej 1,020 € dhe 30 CHF.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • Dushko Arsiq i akuzuari për krime lufte, sillet para Gjykatës me pranga në duar

    Dushko Arsiq i akuzuari për krime lufte, sillet para Gjykatës me pranga në duar

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur sot seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Dushko Arsiq, i akuzuar për krime lufte të kryera në fshatin Butovc gjatë periudhës janar–qershor 1999.

    Arsiq, i cili më herët është dënuar nga kjo gjykatë me 13 vjet burgim, është sjellë në sallën e gjyqit me pranga në duar, nën masa të rrepta sigurie.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Arsiq dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi të armatosur që ka kryer plagosje dhe vrasje të civilëve shqiptarë. Në mesin e viktimave përmendet edhe i ndjeri Brahim Shala, i cili sipas dosjes është vrarë me armë automatike. Më pas, grupi dyshohet se ka urdhëruar Artan Krasniqin, atëkohë vetëm 15 vjeç, që të bartte trupin e pajetë të Shalës.

    Seanca e sotme pritet të hedhë dritë mbi rrethanat e krimeve për të cilat akuzohet Arsiq dhe do të vazhdojë me dëshmitë dhe provat e paraqitura nga Prokuroria.

    Sot do të dëshmojnë dy dëshmitar, Sylë Krasniqi dhe Artan Krasniqi.

  • Lajmëroni Policinë nëse shihni këto dy gra, po kërkohen për vjedhje

    Lajmëroni Policinë nëse shihni këto dy gra, po kërkohen për vjedhje

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e dy të dyshuarave në Gjilan,

    Sipas njoftimit të Policisë, dy të dyshuarat po kërkohen në Gjilan, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Vjedhja”.

    “Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale Gjilan kërkon nga qytetarët dhe mediat që kushdo që ka informacion për identitetin dhe vendndodhjen e personave në fotot e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë’’, E-mail: [email protected] dhe numrat kujdestarë:192; 03850807001”.

  • Gazeta gjermane FAS zbulon dosje tronditëse: Mbi 100 turistë vrasës në ‘Sarajevo Safari’

    Gazeta gjermane FAS zbulon dosje tronditëse: Mbi 100 turistë vrasës në ‘Sarajevo Safari’

    Gazeta gjermane Frankfurter Sonntagszeitung (FAS) ka publikuar një artikull të gjerë me detaje të reja rreth fenomenit “Sarajevo Safari”, që i referohet pjesëmarrjes së të huajve të pasur në vrasje me snajper të civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës.

    Artikulli sjell fragmente nga një dosje që taljiani Ezio Gavazzeni, gazetar dhe shkrimtar, ka dorëzuar në Prokurorinë e Milanos, si dhe deklarata të dëshmitarëve kyç.

    Historia nis me dëshmitë e John Jordan, ish-marins amerikan dhe zjarrfikës, i cili në vitin 2007 para Tribunalit të Hagës tha se kishte parë disa herë burra të huaj të shoqëruar nga persona lokalë, të armatosur me pushkë që nuk i përkisnin arsenalit të luftës, por ngjanin me armët e gjuetisë.

    FAS, siç raporton Vijesti shkruan se atëherë dëshmia u la pas dore dhe fenomeni u konsiderua “legjendë urbane”, megjithë përmendjen e kanadezëve, rusëve, gjermanëve, zviceranëve e italianëve që pretendohet se paguanin shuma të mëdha për të “gjuajtur njerëz”.

    Sipas dosjes së dorëzuar më 28 janar 2025, bëhet fjalë për të paktën 100 pjesëmarrës, të cilët mes vete quheshin “qitës”. Dokumenti pretendon se ata paguanin deri në 300.000 euro, ndërsa viktimat kategorizoheshin me “çmime” makabre: fëmijët – trofeu më i kërkuar dhe më i shtrenjtë, burrat e armatosur, gratë, të moshuarit – “falas”

    Në dokument pretendohet gjithashtu se shërbimi ushtarak italian i inteligjencës kishte pohuar se i kishte ndalur këto ture në vitin 1993, por Gavazzeni thotë se kjo është e pavërtetë, duke theksuar se aktivitetet vazhduan deri në vitet 1994–1995.

    Gavazzeni, autor i librave investigativë mbi mafian dhe atentatin ndaj Papa Gjon Palit II, pritet të publikojë librin e ri “I cecchini del weekend”, i cili tashmë ka zgjuar interesimin e Netflix dhe Amazon për ekranizim.

    Ai thotë se më së shumti e ka tronditur fakti që vrasja e fëmijëve konsiderohej trofe i veçantë.

    Sipas profilit kriminologjik që ka porositur, pjesëmarrësit ishin persona të pasur dhe të arsimuar – mjekë, gjyqtarë, avokatë, noterë, biznesmenë – të pasionuar pas adrenalinës:

    “Ishte ndjesia e fuqisë për të shuar jetën e një njeriu me të cilin nuk të lidhte asgjë.”

    FAS raporton se në mediat italiane janë paraqitur edhe persona të tjerë që konfirmojnë fenomenin.

    Diplomati Michael Giffoni ka deklaruar se në vitin 1994 ishte informuar për “autobusë plot të pasur” që vinin për të qëlluar.

    Një ish-punonjës i Caritas-it tha se kishte parë autobusë nga të cilët zbrisnin të huaj të armatosur dhe me veshje luksoze.

    Gazetari kroat Domagoj Margetiq madje pretendon se edhe presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në vitet 1992–1993 si vullnetar në milicinë serbo-boshnjake, kishte lidhje me këta turistë – pretendime që zëdhënësja e Vuçiqit i ka mohuar në mënyrë kategorike.

    Prokuroria e Milanos tashmë ka nisur kontrollimin e dëshmive dhe dokumenteve. Deputetë të Lëvizjes italiane “Pesë Yjet” kërkojnë publikimin e të gjitha dokumenteve që inteligjenca italiane mund të ketë për “Sarajevo Safarit”.

    Gavazzeni i ka dorëzuar prokurorit Alessandro Gobbi listën me emrat e personave që ai i identifikon si pjesëmarrës, por thotë se në librin e tij nuk do t’i publikojë.

    Nëse drejtësia do të arrijë të vërtetojë akuzat dhe të identifikojë qoftë edhe një snajperist të huaj pjesëmarrës, FAS vlerëson se mund të hapet “një nga gjyqet më të mëdha të shekullit”.

    “Indikacionet kanë qenë gjithmonë aty – duhej vetëm t’i lidhte dikush”.

  • Ndodh edhe kjo në Gjermani: Ushtrisë i vidhen 20 mijë fishekë nga një kamion

    Ndodh edhe kjo në Gjermani: Ushtrisë i vidhen 20 mijë fishekë nga një kamion

    Persona të panjohur vodhën municione që i përkisnin Forcave të Armatosura Gjermane në një park industrial në Burg, pranë Magdeburgut, raportojnë mediat në Gjermani.

    Një zëdhënës i Ministrisë Federale të Mbrojtjes e konfirmoi këtë për Korporatën Qendrore Gjermane të Transmetimeve (MDR) në Saksoni-Anhalt. Sipas zëdhënësit, vjedhja ndodhi javën e kaluar. Municionet u vodhën nga një automjet transport civil gjatë natës.

    Siç është raportuar nga Der Spiegel, u vodhën afërsisht 20,000 fishekë për pistoleta dhe pushkë, si dhe municione piroteknike. Ministria Federale e Mbrojtjes nuk e konfirmoi këtë shifër për MDR.

    Portali online Meeting Point Jerichower Land ishte i pari që raportoi incidentin. Sipas raportit, hyrja me forcë në rimorkio u zbulua vetëm pasi transportuesi mbërriti në kazermat Clausewitz në juglindje të qendrës së qytetit në Burg. Policia dhe Forcat e Armatosura Gjermane po hetojnë ende vendndodhjen e municioneve.

    Sipas Der Spiegel , kompania e transportit civil nuk i përfilli rregulloret e sigurisë për transportin e municioneve të ndjeshme. Ndalesa në hotel në Burg ishte e paplanifikuar; shoferi vendosi spontanisht të ndalonte rreth 25 kilometra në veriperëndim të Magdeburgut , thuhet në raport.

  • Rama në Kushtetuese për çështjen Balluku, vendimi pritet sot

    Rama në Kushtetuese për çështjen Balluku, vendimi pritet sot

    Kolegji i Gjykatës Kushtetuese do të vendosë sot për fatin e kërkesës së kryeministrit Edi Rama lidhur me fatin e numrit dy të qeverisë dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës Belinda Balluku.

    Shefi i qeverisë kërkon rikthimin e saj në detyrë, pasi e konsideron vendimin e GJKKO për pezullimin e znj. Balluku nga ushtrimi i funksioneve si ndërhyrje në çështjet e ekzekutivit.

    Sot kolegji, me relator Sandër Beçin dhe anëtare Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja, do t’i japin përgjigjen e parë kësaj çështjeje.

    Belinda Balluku është e pandehur nga SPAK për paracaktim të tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për tenderin Loti 4 Unaza e Madhe. Ndaj saj Gjykata e Posaçme ka caktuar masat pezullim nga ushtrimi i detyrës dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.