ATV

Category: Lajme

  • Rikthehet seriali “Euphoria” me sezonin e 3-të – Rosalia pjesë e kastit

    Rikthehet seriali “Euphoria” me sezonin e 3-të – Rosalia pjesë e kastit

    HBO ka konfirmuar zyrtarisht Sezonin e 3-të të serialit shumë të dashur për të rinjtë “Euphoria”, duke publikuar një poster intriguese me mbishkrimin “Çdo zgjedhje hap një derë të re”. Njoftimi ka ndezur rrjetet sociale, ndërsa fansat përgatiten të rikthehen në botën intensive dhe me ngjyra neon të serialit.

    Thuhet se sezoni i ri do të ketë një ton më ëndërrimtar dhe psikologjik. HBO-së tregon se çdo personazh do të përballet me një “portë” simbolike, që përfaqëson transformimin ose konfliktet e brendshme.

    Historia e Rue-së pritet të eksplorojë rrugët alternative që jeta e saj mund të kishte marrë, ndërsa Jules do të ketë një sezon të fokusuar në identitetin dhe vetë-reflektimin.

    Aktorët kryesor pra Zendaya, Hunter Schafer, Jacob Elordi, Alexa Demie, Sydney Sweeney dhe Barbie Ferreira pritet të rikthehet. Gjithashtu qarkullon lajmi se në kët pjesë të serialit, do të marrin pjesë njerëz si ylli I Pop-it Spanjoll dhe fituesja e Grammy-t Rosalia, ylli I NFL Marshawn Lynch e shumë emra të tjerë tejet të njohur.

    Si risi, portali online i HBO-së do t’u ofrojë fansave skena bonus, shënime të personazheve dhe mesazhe të fshehura për çdo episod. Shikuesit mund të shikojnë përmbajtje të veçantë gjatë sezonit, duke e kthyer serialin në një eksperiencë dixhitale të thelluar.

    Edhe pse data e saktë nuk është zbuluar, supozohet një premierë në pranverë vitin e ardhshëm. Fansat tashmë kanë mbushur internetin me entuziazëm, teori dhe humor.

  • Faton Peci njofton, më 12 dhjetor mbahet seanca inauguruese e Komunës së Mitrovicës së Jugut

    Faton Peci njofton, më 12 dhjetor mbahet seanca inauguruese e Komunës së Mitrovicës së Jugut

    Mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Jugut do të mbahet me 12 dhjetor në ora 12:00. Kështu ka bërë të ditur Faton Peci i cili për katër vite do të udhëheq me këtë komunë, pasi që doli fitues i zgjedhjeve lokale që mbajtën më 9 nëntor, pasi që në raundin e parë nuk kishte fitues.

    Postimi i Pecit:

    Mirëmëngjes qytetarë të Mitrovicës!

    Sot kam nënshkruar ftesën për thirrjen e mbledhjes inauguruese të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, e cila do të mbahet më 12.12.2025, në ora 12:00.

    Kjo mbledhje shënon fillimin e realizimit të mandatit të dhënë nga vullneti i qytetarëve.

    Na priftë e mbara!

  • Polonia ndalon zyrtarisht Partinë Komuniste: Gjykata Kushtetuese mbyll një kapitull 22-vjeçar

    Polonia ndalon zyrtarisht Partinë Komuniste: Gjykata Kushtetuese mbyll një kapitull 22-vjeçar

    Sipas trupës gjykuese, “nuk ka vend në rendin juridik polak për një parti që glorifikon krimet e regjimeve komuniste”

    Polonia ka shpallur zyrtarisht të ndaluar Partinë Komuniste të Republikës së Polonisë, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që konfirmon se programi dhe ideologjia e saj janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën polake.

    Ky vendim shënon fundin juridik të një force politike të vogël, por simbolikisht të rëndësishme, që prej vitesh konsiderohej problematike nga institucionet shtetërore.

    Në vendimin e publikuar, Gjykata Kushtetuese theksoi se ideologjia e Partisë Komuniste shkel parimet kushtetuese të shtetit demokratik, duke argumentuar se promovimi i komunizmit bie ndesh me sistemin ligjor të Polonisë dhe me kujtesën historike të vendit.

    Sipas trupës gjykuese, “nuk ka vend në rendin juridik polak për një parti që glorifikon krimet e regjimeve komuniste”.
    Ky qëndrim reflekton linjën e fortë antikomuniste të shtetit polak, e cila është intensifikuar sidomos në vitet e fundit.

    Një proces që nisi vite më parë
    Edhe pse vendimi u mor tani, procesi për ndalimin e partisë ka nisur që në vitin 2020, kur Prokurori i Përgjithshëm paraqiti kërkesën e parë për likuidim.

    Çështja u rikthye në qendër të vëmendjes në nëntor të këtij viti, kur presidenti polak Karol Nawrocki paraqiti sërish një kërkesë të re në Gjykatën Kushtetuese.

    Sipas ekspertëve, ritmi i ngadaltë procedural ishte rezultat i kompleksitetit ligjor, por edhe i debatit të brendshëm mbi kufijtë e lirisë politike.

    Një parti e vogël, por simbolike

    E themeluar në vitin 2002, Partia Komuniste e Polonisë kishte një bazë të kufizuar anëtarësh, nga disa qindra deri në rreth një mijë sipas vlerësimeve të ndryshme.

    Megjithatë, pavarësisht peshës së vogël elektorale, partia mbante një simbolikë të fortë historike, e lidhur me trashëgiminë e regjimit komunist që udhëhoqi Poloninë për gati gjysmë shekulli.

    Kjo e ka bërë objekt debatesh të vazhdueshme: nga njëra anë mbrojtësit e lirisë së shprehjes politike, dhe nga ana tjetër forcat konservatore e kombëtariste që kërkonin ndalimin e çdo forme të apologjisë së komunizmit.

    Një epilog politik në një klimë të polarizuar

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të forcojë debatin mbi kufijtë e lirisë politike në Poloni. Për mbështetësit e tij, është një hap i domosdoshëm drejt pastrimit të hapësirës publike nga ideologjitë totalitare.

    Për kritikët, është një precedent që mund të përdoret për të zgjeruar kontrollin e shtetit ndaj partive të vogla apo të pakëndshme politikisht.

    Megjithatë, në aspekt praktik, vendimi mbyll një kapitull politik të së kaluarës – ndërsa Polonia përqendrohet te sfidat më të gjera gjeopolitike dhe të sigurisë që po përballon sot.

  • Lista Serbe ka paraqitur ankesë ndaj vendimit të KQZ-së

    Lista Serbe ka paraqitur ankesë ndaj vendimit të KQZ-së

    Lista Serbe ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ndaj vendimit të KQZ-së që kjo parti të mos certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka njoftuar kryetari i këtij subjekti politik, Zllatan Ellek në një konferencë për media.

    Elek e ka quajtur vendimin e KQZ-së ilegal, jo legjitim dhe antiserb. “Presim që ai të anulohet dhe subjekti ynë politik të konfirmohet”, ka thënë Ellek.

    Ai ka thënë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të vendosë për ankesën e tyre brenda 72 orëve të ardhshme, pra brenda afatit të paraparë ligjor.

    “Presim patjetër një vendim pozitiv,” ka përsëritur Ellek.

    Ai, “në emër të popullit serb”, u falënderua faktorëve ndërkombëtarë dhe ambasadorëve të vendeve të huaja në Kosovë të cilët, sipas fjalëve të tij, reaguan ndaj vendimit të KQZ-së.

    Elek është i bindur se Lista Serbe do të marrë pjesë në zgjedhje dhe se do t’i fitojë të gjitha dhjetë mandatet

  • “Trafiku Urban” do të kompensojë biletat për ditët e humbura gjatë grevës

    “Trafiku Urban” do të kompensojë biletat për ditët e humbura gjatë grevës

    “Trafiku Urban” në Prishtinë ka njoftuar qytetarët se do të kompensojë biletat mujore që kanë mbetur pa u shfrytëzuar gjatë 8 ditëve të grevës.

    Përmes një njoftimi, nga kjo ndërmarrje apelojnë qytetarët të paraqiten në ndonjërën prej kioskave të “Trafikut Urban”, duke prezantuar biletën mujore aktuale.

    Ky është njoftimi i plotë:

    Të nderuar qytetarë,

    Ju njoftojmë se për shkak të protestës së ndërmarrjes sonë, e cila është zhvilluar nga data 24.11.2025 deri më 02.12.2025, janë humbur gjithsej 9 ditë të shfrytëzimit të biletave mujore. Për t’ju kompensuar, ditët e humbura do të shtohen dhe vlefshmëria e biletës suaj mujore do të zgjatet automatikisht pas procesit të vulosjes.

    Për të realizuar zgjatjen e vlefshmërisë së biletës, ju lutemi të ndiqni këto hapa:

    1. Paraqituni në cilëndo nga kioskat e Trafikut Urban.

    2. Prezantojeni biletën tuaj mujore aktuale.

    3. Punëtori në kioskë do të vendosë vulën zyrtare të zgjatjes, e cila është e domosdoshme që kompensimi të hyjë në fuqi.

    4. Pas vulosjes, bileta juaj do të ketë zgjatjen automatike të ditëve të humbura.

    Kioskat ku mund të bëhet vulosja:

    1. Kioska prapa Objektit të Komunës (Tek “Plepat”)

    Orari i punës:

    E hënë – E shtunë: 07:00 – 21:00

    E diel: 08:00 – 16:00

    2. Kioska në lagjen “Kodra e Diellit” (Tek “Banesat e Bardha”)

    Orari i punës:

    E hënë – E premte: 07:00 – 21:00

    E shtunë: 07:00 – 14:00

    3. Kioska në Bulevardin “Bill Kllinton” (Afër nënkalimit)

    Orari i punës:

    E hënë – E shtunë: 07:00 – 21:00

    E diel: 08:00 – 16:00

    Kompensimi aplikohet vetëm pas vulosjes së biletës!

  • Krasniqi i LVV-së shpjegon pse nuk mund të certifikohet Lista Serbe

    Krasniqi i LVV-së shpjegon pse nuk mund të certifikohet Lista Serbe

    Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Alban Krasniqi i është përgjigjur zërave se nuk ka bazë ligjore që Lista Serbe mos të certifikohet për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit të 2025-ës.

    “Keqleximi i kompetencave të KQZ nga disa : një parti mundet me organizu akte terroriste e me cenu rendin kushtetues ama KQZ duhet me e çertifiku, por nëse si parti ke harru me pagu borxhin prej 200 eurosh rrezikon mos me marr pjesë në zgjedhje, sepse KQZ nuk të çertifikon. Por, neni 14, i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme shkruan qartë në pikën 1 .1: Ndalohet regjistrimi i një partie kur është e domosdoshme për të siguruar rendin publik, shëndetin publik, sigurinë kombëtare, parandalimin e çrregullimeve, dhunës dhe krimit, ose mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve”, ka shkruar Krasniqi.

  • Haradinaj në 113-vjetorin e Ushtrisë Shqiptare: Krenari kombëtare

    Haradinaj në 113-vjetorin e Ushtrisë Shqiptare: Krenari kombëtare

    Në 113-vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura Shqiptare, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shprehur mirënjohjen dhe respektin e tij të thellë për të gjithë atdhetarët që, me guxim dhe dashuri për vendin, kontribuuan në ngritjen dhe fuqizimin e Ushtrisë Shqiptare.

    Haradinaj theksoi se “Forcat e Armatosura Shqiptare, sot pjesë e NATO-s, vazhdojnë me krenari të nderojnë trashëgiminë e lavdishme të paraardhësve, duke shkëlqyer në misione të ndryshme për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë në botë, përfshirë edhe angazhimin e tyre në Kosovë si pjesë e KFOR-it”.

    “Faleminderit për shërbimin ndaj atdheut,” u shpreh ai.

  • LDK në Lipjan propozon tre kandidatë për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare

    LDK në Lipjan propozon tre kandidatë për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare

    Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Lipjan ka vendosur njëzëri që të propozojë kandidatët për deputet nga kjo degë për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

    Kandidatët e propozuar janë: Anila Deliu, Latif Ramadani dhe Naser Osmani, ish-deputet dhe figurë e njohur e LDK-së

    Nga Dega e Lipjanit pritet që në ditët në vijim të nominohet edhe një kandidat tjetër për listën zgjedhore.

    LDK Lipjan ka bërë të ditur se do të vazhdojë punën me përgjegjësi dhe unitet, me qëllim që të përfaqësojë sa më denjësisht qytetarët e komunës.

  • Miljkoviq pranon fajësinë për sulmet ndaj KFOR-it – dënohet me dy vite burgim e gjobë me mijëra euro

    Miljkoviq pranon fajësinë për sulmet ndaj KFOR-it – dënohet me dy vite burgim e gjobë me mijëra euro

    Është arritur marrëveshja për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë Speciale dhe Ljubisa Miljkoviqit, i akuzuar për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj 2023.

    Në seancën fillestare, prokurori i rastit lexoi aktakuzën, e cila e ngarkon Miljkoviqin me dy vepra penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrje në turmë, ku kryhen vepra penale dhe huliganizëm”.

    Për veprën e parë, Miljkoviq u dënua me dy vite burgim, ndërsa për veprën e dytë me gjashtë muaj burgim, dënim i cili i zëvendësohet me një gjobë prej 14 mijë euro.

    Prokurori Bekim Kodraliu tha se i pandehuri, në koordinim me persona të tjerë, kishte marrë pjesë në veprime të dhunshme që kishin për synim pengimin e vendosjes së rendit kushtetues në Kosovë.

    “I pandehuri në kooridinim dhe bashkëkryerje me persona të tjerë ka marrë pjesë në kryerjen e veprave penale që përmes dhunës kanë penguar vendosjen e rendit kushtetues në Kosovë. I pandehuri kishte filluar të ushtronte dhunë të pankontrolluar me mjete të forta e armë zjarri ku seriozisht u lënduan disa zyrtarë të KFOR-it shkaktuan dëme materiale, dëmtim të veturave zyrtare, lëndimin e gazetarëve, djegien e plotë të një veture të medias, duke shkaktuar rrezik”, potencoi Kodraliu.

    Nga seanca, ekipi i Tëvë1 bën të ditur se Miljkoviq deklaroi se pranimin e fajësisë e bëri në mënyrë vullnetare, pa asnjë formë presioni.

  • NATO do të vazhdojë të blejë armë nga SHBA për Ukrainën

    NATO do të vazhdojë të blejë armë nga SHBA për Ukrainën

    Nuk duket të ketë shenja për një sukses të bisedimeve për Ukrainën. Për të rritur presionin ndaj Rusisë, sërish synohet të lëvrohen miliarda euro edhe nga Gjermania për armatime.

    Shtetet e NATO-s në takimin e ministrave të Jashtëm në Bruksel ranë dakord, që edhe vitin e ardhshëm të lëvrojnë miliarda për blerjen e armëve dhe municoneve për Ukrainën. Çdo muaj do të blihen për të paktën një miliardë dollarë amerikan (900 milion euro) armatime nga prodhimet e SHBA-së. Bëhet fjalë për blerjen e raketave pritëse për sistemet e mbrojtjes ajrore, por edhe për sisteme ofensive, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Gjithsej mund të nevojiten rreth 15 miliardë dollarë, thuhet më tej.

    Gjermania premton së shpejti miliona të mëtejshme

    Edhe Gjermania, sipas ministrit të Jashtëm Johann Wadephul do të marrë pjesë me një volum të konsiderueshëm. Ministri kritstiandemokrat deklaroi, se Gjermania do të lëvrojë gjithsej 200 milion dollarë (rreth 172 milionë euro) për dy paketa të reja me armatime nga SHBA-ja për Ukrainën. Kjo shumë nuk do të llogaritet për vitin 2026. Armatimet do të blihen bashkarisht me Poloninë, Norvegjinë dhe Holandën në një paketë të financuar ndërkohë me 500 milion dollarë. Ministri Wadephul deklaroi gjithashtu, se Gjermania do të paguajë shtesë edhe 25 milionë euro në një fond të NATO-s për pajisjen e ushtareve dhe ushtarëve me mjetet e nevojshme për dimrin si dhe për kujdesin shëndetësor.

    Çështje të hapura pas takimit Witkoff-Putin

    Rutte e konsideron të pasigurtë rezultatin e bisedimeve që po zhvillohen ndërkohë mbi mundësinë e përfundimit të luftës ndaj Ukrainës. Në një sfond të tillë është e rëndësishme, që Ukraina të mund të negociojë nga një pozitë mundësisht sa më e mirë ushtarake me Rusinë.

    Ministri i Jashtëm Wadephul u shpreh edhe më pesimist. Ai tha, se përshëndet të gjitha bisedimet, që kanë për qëllim fundin e luftës. Por për momentin nuk shoh asnjë vullnet serioz nga pala ruse, për t’u vendosur në modusin e bisedimeve.

    Pas bisedimeve të të dërguarit të SHBA-së Steve Witkoff me presidentin rus Vladimir Putin, Ukraina ka nisur për konsultime në Bruksel dhe në SHBA kryenegociatorin e saj, Rustem Umjerov. Ky në kuadër të takimit të NATO-s pati mundësi të takohet me këshilltarët kombëtarë të sigurisë të vendeve të NATO-s si dhe me kryetarët e shteteve dhe qeverive europiane, vuri në dukje presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj. Pas kësaj do të përgatitet një takim me SHBA-në.