ATV

Category: Lajme

  • Lushtaku komenton rikthimin e Lladrovcit në PDK: Personalisht nuk e konsideroj pjesë të partisë

    Lushtaku komenton rikthimin e Lladrovcit në PDK: Personalisht nuk e konsideroj pjesë të partisë

    Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka folur edhe për zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike të Kosovës, përfshirë rikthimin e Ramiz Lladrovcit në këtë subjekt politik.

    Ky vendim ka ngjallur reagime brenda degëve lokale dhe ka hapur debat për konsolidimin e PDK-së në prag të procesit të ri politik në vend.

    I pyetur pas betimit të tij për mandatin e ri, Lushtaku deklaroi hapur se qëndrimi i tij personal në lidhje me Lladrovcin mbetet i pandryshuar, pavarësisht vendimit zyrtar të partisë për ta rikthyer atë në strukturat e saj.

    “Mendimet asnjëherë nuk i ndryshoj. Për mua, Lladrovci nuk është PDK, por unë i respektoj vendimet e kryetarit dhe kryesisë së partisë”, tha Lushtaku, duke nënvizuar se dallimet e tij me Lladrovcin janë të njohura dhe nuk kanë ndryshuar me kalimin e viteve, përcjell Telegrafi.

    Ai shtoi se, pavarësisht rezervave personale, është i gatshëm të respektojë hierarkinë e partisë dhe vendimmarrjen kolektive, duke sinjalizuar se nuk do të krijojë tensione të reja brenda degës së Skenderajt.

    Deklaratat e Lushtakut vijnë në një moment kur PDK-ja po tenton të paraqitet e unifikuar para opinionit publik, ndërsa rikthimi i disa figurave të vjetra është parë si përpjekje për forcimin e partisë. Megjithatë, vërehet se dinamika e brendshme vazhdon të jetë e ndjeshme, sidomos në zonat ku figurat politike kanë histori të gjata rivalitetesh.

    Me këtë qëndrim, Lushtaku la të kuptohet se edhe pse është i gatshëm të punojë në kuadër të vendimeve zyrtare, distanca e tij politike ndaj Lladrovcit mbetet e qartë.

  • Adriana Matoshi për deklaratat e Sami Lushtakut: As që jam e interesuar t’i komentoj

    Adriana Matoshi për deklaratat e Sami Lushtakut: As që jam e interesuar t’i komentoj

    Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi nuk ka dashtë ta komentojë deklaratën të cilën e bëri Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku kundrejt saj që sipas tij “Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike”.

    Matoshi për Ekonomia Onlien tha se nuk ka interesim për ta komentuar.

    “As që jam e interesuar të jap ndonjë koment”, tha shkurt Matoshi.

    Ndërsa Lushtaku pas betimit të tij si Kryetar tha se “Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike, e jo si një deputete që ka përgjegjësi për fjalën që flet me qytetarët. Prandaj, mendoj se edhe zonja Matoshi edhe do zonja tjera duhet të kenë kujdes se çka flasin sepse mendoj se fjala e tyre është bajagi me peshë”.

    Lushtaku i drejtohet Adriana Matoshit: Niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike e jo si një deputete që ka përgjegjësi

  • Durmishi: Nga e hëna fillojmë mirëmbajtjen dhe sanimin e gropave në të gjitha rrugët

    Durmishi: Nga e hëna fillojmë mirëmbajtjen dhe sanimin e gropave në të gjitha rrugët

    Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se nga e hëna do të fillohet me mirëmbajtjen dhe sanimin e gropave në të gjitha rrugët që është në kompetencës e Ministrisë që drejton ai, gjithashtu njoftoi se tashmë janë përgatitur për sezonin e dimrit.

    Në një njoftim në rrjetet sociale, Durmishi bëri të ditur takimin së bashku me drejtorin e Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve, Qamil Feka, dhe me menaxherët e kontratave të mirëmbajtjes dhe me punëkryesit. Në takim morën pjesë, gjithashtu, edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, nga Departamenti për Menaxhimin e Trafikut Rrugor, Jeton Rexhepi.

    Ai shtoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është kyç për më shumë siguri në rrugë dhe qarkullim më të lehtë.

    “Nga e hëna fillojmë mirëmbajtjen dhe sanimin e gropave në të gjitha rrugët që janë në kompetencë të Ministrisë sonë. Përveç sanimit të gropave, njoftojmë edhe një herë qytetarët se jemi të përgatitur për sezonën e dimrit. Kujdesi i shtuar në komunikacion mbetet gjithmonë i nevojshëm”, ka shkruar Durmishi.

  • Kusari për deklaratën e Lushtakut ndaj Adriana Matoshit: E papranueshme dhe e rrezikshme

    Kusari për deklaratën e Lushtakut ndaj Adriana Matoshit: E papranueshme dhe e rrezikshme

    Aktivistja Flutura Kusari ka reaguar ndaj gjuhës së kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, për deputetën e VV-së, Adriana Matoshit.

    Ajo ka thënë se shprehjet e tij janë të paparanushme dhe të rrezikshme.

    “Shprehjet e Sami Lushtakut drejtuar Adriana Matoshit jane te tmerrshme, te papranueshme dhe te rrezikshme per krejt grate qe jane prezente ne domenin publik!” – ka shkruar Kusari.

    Në anën tjetër Lushtaku ka thënë: “Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike, e jo si një deputete që ka përgjegjësi për fjalën që flet me qytetarët. Prandaj, mendoj se edhe zonja Matoshi edhe do zonja tjera duhet të kenë kujdes se çka flasin sepse mendoj se fjala e tyre është bajagi me peshë.”

  • Specialja në Hagë vendos për vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit

    Specialja në Hagë vendos për vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit

    Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur që Hashim Thaçi t’i vazhdohet paraburgimi, duke theksuar se bazat ligjore për qëndrimin e tij në qendrat e paraburgimit vazhdojnë të jenë të vlefshme edhe pas shqyrtimit më të fundit.

    Sipas gjykatës, rreziqet e parashikuara në Nenin 41(6)(b) – rreziku i arratisjes, mundësia e pengimit të procedurës dhe rreziku i kryerjes së veprave të reja penale – vazhdojnë të ekzistojnë dhe nuk mund të zbuten përmes masave më të lehta se paraburgimi.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se asnjë kusht lirimi nuk i adreson në mënyrë të sigurt këto rreziqe, ndërsa Mbrojtja kërkoi rivlerësim duke theksuar ndryshimet e rrethanave pas përfundimit të fazës së provave në rastin kryesor të vitit 2020.

    “Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vazhdimin e paraburgimit të z. Thaçi, me arsyetimin se nuk ka dalë asnjë rrethanë apo informacion i ri që do të minonte gjetjet e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake në Vendimin e Shqyrtimit të Pestë. Më konkretisht, ZPS-ja thekson se vazhdimi i paraburgimit mbetet i domosdoshëm pasi të tre rreziqet sipas nenit 41(6)(b) vazhdojnë të jenë të pranishme. Po ashtu, sipas ZPS-së, asnjë kusht i mundshëm lirimi nuk do t’i zbusë në mënyrë të përshtatshme këto rreziqe, të cilat mund të menaxhohen vetëm në Qendrat e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara. Së fundmi, ZPS-ja argumenton se paraburgimi i vazhdueshëm i z. Thaçi mbetet proporcional, duke pasur parasysh kohën e kufizuar që ka kaluar, dënimin potencialisht të gjatë me të cilin ai përballet dhe progresin e procedurave aktuale”.

    Gjykatësi ka theksuar se ky shqyrtim është bërë nga e para (“de novo”), por se nuk janë paraqitur ndryshime të mjaftueshme që do të justifikonin lirimin e ish-presidentit në këtë fazë.

    Gjykata ka caktuar edhe afatet e reja procedurale, Thaçi, nëse dëshiron, mund të paraqesë parashtresa të reja deri më 13 janar 2026, ora 16:00. Nëse ai nuk paraqet parashtresa, ZPS-ja duhet të dorëzojë qëndrimin e saj deri më 20 janar 2026, ora 16:00.

    Më pas, Thaçi mund të përgjigjet deri më 27 janar 2026, ora 16:00.

    Në të njëjtin vendim, masa e paraburgimit është vazhduar edhe për Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun, të cilët akuzohen për vepra kundër administrimit të drejtësisë.

    Thaçi po përballet me dy procese të ndara në Hagë, një për krime lufte, që ka nisur që nga viti 2020, dhe një tjetër për pengim të drejtësisë.

  • Lushtaku i drejtohet Adriana Matoshit: Niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike e jo si një deputete që ka përgjegjësi

    Lushtaku i drejtohet Adriana Matoshit: Niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike e jo si një deputete që ka përgjegjësi

    Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka përdorur gjuhë të rëndë ndaj ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, duke thënë se niveli i saj është “sikur kur del prej një shtëpie publike”.

    Këto deklarata Lushtaku i dha të enjten pasi u betua si kryetar i Skenderajt, pasi u pyet për deklaratat e Matoshit, e cila e akuzonte Lushtakun se kishte blerë toka me çmim qesharak e më pas i kishte shitur me çmime astronomike.

    “Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike, e jo si një deputete që ka përgjegjësi për fjalën që flet me qytetarët. Prandaj, mendoj se edhe zonja Matoshi edhe do zonja tjera duhet të kenë kujdes se çka flasin sepse mendoj se fjala e tyre është bajagi me peshë. Prandaj, të gjithë ne që jemi në politikë duhet të kemi kujdes maksimal, të mos ofendojmë. Nëse ka dikush vërejtje për punën dhe angazhimin tonë, le të flasin me fakte”, ka thënë Lushtaku para mediave.

  • Ambasadori britanik i shkon në zyrë Abdixhikut

    Ambasadori britanik i shkon në zyrë Abdixhikut

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti sot në Selinë Qendrore ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Në këtë takim nga LDK njoftojnë se është diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj këtyre zhvillimeve, me theks të veçantë në procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.

    “Kryetari Abdixhiku e informoi ambasadorin britanik për përgatitjet e intensifikuara të LDK-së për zgjedhjet nacionale dhe angazhimin e partisë për një proces demokratik, të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Po ashtu theksoi mobilizimin e strukturave në të gjitha komunat, finalizimin e programit qeverisës, si dhe angazhimin e partisë për një fushatë konstruktive dhe të orientuar kah qytetari. Kryetari Abdixhiku nënvizoi se LDK-ja është e gatshme të paraqesë një ofertë serioze dhe vizionare për të ardhmen e vendit, duke u mbështetur në përvojën institucionale që ka. Kryetari Abdixhiku i shprehu mirënjohjen ambasadorit Hargreaves për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në proceset e saj më të rëndësishme shtetformuese dhe demokratike”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

  • Kallashnikovi i UÇK-së në koleksionin e ‘Imperial War Museum’ në Londër

    Kallashnikovi i UÇK-së në koleksionin e ‘Imperial War Museum’ në Londër

    Një armë e tipit kallashnikov e përdorur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë rezistencës së armatosur në vitet ’90, ka përfunduar në koleksionin e ‘Imperial War Museum’ në Londër. Jonathan Ferguson, ekspert i armëve, ka treguar se kjo armë është model shqiptar i prodhuar në vitin 1986, bazuar në versionin kinez Type 56.

    Por një detaj e bën këtë kallashnikov të veçantë: në pjesën e drurit është gdhendur akronimi “UÇK” që sipas Ferguson përfaqëson një tipologji tipike që ruan një lidhje të drejtpërdrejtë me luftën në Kosovë dhe intervenimin e NATO-s në vitin 1999.

    “Britania e Madhe u përfshi fillimisht duke kryer sulme ajrore, pastaj në terren si pjesë e forcave paqeruajtëse të NATO-s, dhe pikërisht gjatë këtij misioni, ose më saktë, përmes kësaj ndërhyrjeje, arritëm të siguronim këtë armë. Nuk i dimë detajet, nuk e dimë se kush e ka mbajtur këtë armë apo për çfarë është përdorur”, ka theksuar Ferguson, raporton AP.

    Në koleksionin e muzeut, përveç armës të luftëtarit të panjohur të UÇK-së, ruhen edhe vizatime që reflektojnë përvojën e fëmijëve kosovarë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Një prej tyre tregon një luftëtar të UÇK-së në uniformë, i cili mban në duar një AK-47.

  • Ekstradohet nga Hungaria i dënuari me rreth 4 vite burg

    Ekstradohet nga Hungaria i dënuari me rreth 4 vite burg

    Sot është realizuar me sukses ekstradimi nga Hungaria në Kosovë i të dënuarit S.T., 49 vjeç, nga fshati Gjonaj, Komuna e Prizrenit, me qëndrim të përkohshëm në Hungari.

    Ekstradimi është kryer në bazë të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, për veprat penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave analoge”, KPK 272/1 “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, KPK 366/1 “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    I dënuari është gjykuar me një total prej 3 vite e 10 muaj burgim dhe me gjobë prej 4,000 €, por i kishte shmangur vuajtjes së dënimit.

    I ekstraduari është dorëzuar nga autoritetet kompetente Hungareze, ku është pranuar nga zyrtarët kompetent dhe më pas nga zyrtarët policorë të Stacionit Policor Prizren është dërguar në Qendrën e Paraburgimit.

    Policia e Kosovës falënderon autoritetet italiane për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe mbetet e përkushtuar në zbatimin e urdhër-arresteve dhe procedurave ligjore në funksion të drejtësisë dhe sigurisë publike.

  • Britaniku që shërbeu në UÇK bëhet shtetas i Kosovës, Osmani nënshkruan dekretin

    Britaniku që shërbeu në UÇK bëhet shtetas i Kosovës, Osmani nënshkruan dekretin

    Ish-ushtari britanik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jon Harrison është bërë shtetas i Republikës së Kosovës.

    Lajmin e dha vetë ai në një postim në Facebook, të cilit ia ka bashkëngjitur edhe dekretin për dhënien e shtetësisë nga ana e presidentes Vjosa Osmani.

    “Zonja dhe zotërinj, jam shpallur shtetas i Republikës së Kosovës”, ka shkruar Harrison.