ATV

Category: Lajme

  • Vajza e ish-luftëtarit të UÇK-së i bashkohet AAK-së

    Vajza e ish-luftëtarit të UÇK-së i bashkohet AAK-së

    Vajza e ish-luftëtarit të UÇK-së, Nikë Hiseni, Dorentina, i është bashkuar AAK-së.

    Lajmin e ka bërë të ditur kreu i partisë, Ramush Haradinaj, i cili tha se Dorentina Hiseni do të jetë pjesë e listës për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    “Bashkëluftëtari Nikë Hiseni është një burrë i dëshmuar në ditët e vështira, i zgjedhur për disa mandate me radhë si asamblist në Komunën e Gjakovës, ndërsa familja Hiseni nga Neci është një ndër familjet më të respektuara në Gjakovë.

    E kam nder të mirëpres në listën e Aleancës vajzën e Nikës, Dorentinën, e cila përfaqëson brezin e ri të Aleancës, të rinj profesionistë e ambiciozë për ta çuar Kosovën përpara. Dorentina është juriste me përvojë, dhe angazhimi i saj sjell profesionalizëm dhe energji të re në listen tonë.”

  • Fadil Fazliu ofron 40 mijë euro dorëzani për lirimin e tij

    Fadil Fazliu ofron 40 mijë euro dorëzani për lirimin e tij

    Fadil Fazliu i cili po mbahet në paraburgim nën akuzën se ka qenë i përfshirë në veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe pengim të procedurave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka kërkuar që të lirohet me kusht duke ofruar një dorëzani prej 40 mijë eurosh.

    Një shumë kaq të madhe, njëjtë kohë më parë e kishte ofruar edhe i bashkakuzuari i tij, Isni Kilaj.

    Sipas mbrojtjes së Fazliut, Gjykimi nuk do të fillojë më 15 dhjetor dhe ka pak gjasa që të fillojë përpara marsit 2026, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mbrojtja gjithashtu thotë se ka përfunduar faza e paraqitjes së provave nga Prokuroria dhe mbrojtja në çështjen e Hashim Thaçit dhe të tjerëve për krime lufte dhe rrjedhimisht çdo rrezik për pengim është zvogëluar ndjeshëm.

    Sipas mbrojtjes, sa i përket rrezikut të arratisjes, Fazliu s’ka pozitë politike dhe s’ka pasaportë shqiptare. Andaj, mbrojtja kishte sugjeruar se si kusht për lirim të përkohshëm të vendoset moslargimi i Fazliut nga Prishtina, të dorëzojë të gjitha dokumentet e udhëtimit dhe të ofrojë një dorëzani në shumën prej 40 mijë eurove.

    Ndërsa, sa i përket rrezikut që ai t’i pengojë procedurat, mbrojtja thotë se nuk ka asnjë provë që tregon se Fazliu ka manifestuar sjellje të tillë.
    Rrjedhimisht, mbrojtja ka kërkuar që Fazliu të lirohet deri kur të fillojë gjykimi në këtë rast.

    Ndryshe, në sallën e gjyqit janë të pranishëm fizikisht vetëm Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj ndërsa Thaçi, Smakaj, dhe Kuçi janë të pranishëm përmes video-lidhjes. Përmes videolidhjes janë të pranishëm edhe disa nga avokatet.

    Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

  • AGK thirrje VV-së dhe Osmanit: Sami Kurteshi të largohet nga KQZ

    AGK thirrje VV-së dhe Osmanit: Sami Kurteshi të largohet nga KQZ

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar fuqishëm gjuhën e papërgjegjshme, sulmuese dhe shumë të rrezikshme të anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi, nga partia politike Vetëvendosje.

    Kurteshi, në një reagim publik, e quajti AGK-në “Aleancë të Grupeve Kriminale” dhe listoi një sërë mediash, që sipas tij operojnë si “vrasës me pagesë”.

    “Këto akuza, përveç që janë të pabaza, paraqesin rrezik real për sulme të mundshme në të ardhmen ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të mediave në punën e tyre profesionale në terren.

    Deklaratat nxitëse të urrejtjes të z. Kurteshi janë vazhdimësi e një fushate linçuese ndaj gazetarëve, me qëllim frikësimin e tyre dhe minimin e lirisë së medias në vend.”

    AGK-ja e ka ftuar Vetëvendosjen dhe liderin e saj Albin Kurti, si dhe Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, që të konsiderojnë largimin e Kurteshit nga pozicioni i tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

    Postimi i plotë:

    Deklaratat e Sami Kurteshit- të papërgjegjshme dhe të rrezikshme

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dënon fuqishëm gjuhën e papërgjegjshme, sulmuese dhe shumë të rrezikshme të anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi, nga partia politike Vetëvendosje.

    Kurteshi, në një reagim publik, e quajti AGK-në “Aleancë të Grupeve Kriminale” dhe listoi një sërë mediash, që sipas tij operojnë si “vrasës me pagesë”.

    Këto akuza, përveç që janë të pabaza, paraqesin rrezik real për sulme të mundshme në të ardhmen ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të mediave në punën e tyre profesionale në terren.

    Deklaratat nxitëse të urrejtjes të z. Kurteshi janë vazhdimësi e një fushate linçuese ndaj gazetarëve, me qëllim frikësimin e tyre dhe minimin e lirisë së medias në vend.

    AGK-ja e fton Vetëvendosjen, liderin e saj Albin Kurti dhe Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, që të konsiderojnë largimin e Kurteshit nga pozicioni i tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

  • Kina rrit praninë detare në Azi me mbi 100 anije

    Kina rrit praninë detare në Azi me mbi 100 anije

    Kina po vendos një numër të paprecedentë anijesh luftarake dhe të rojes bregdetare në ujërat e Azisë Lindore, me mbi 100 mjete detare të raportuara në një moment të vetëm — shfaqja më e madhe e forcës detare kineze deri më sot, sipas Reuters.

    Ky aktivitet i shtuar vjen në një periudhë që zakonisht karakterizohet nga ushtrime intensive ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, megjithëse Pekini nuk ka njoftuar asnjë stërvitje të madhe me emër zyrtar.

    Lëvizjet e flotës ndodhin ndërsa tensionet mes Kinës dhe Japonisë janë përshkallëzuar. Muajin e kaluar, kryeministrja japoneze Sanae Takaichi deklaroi se një sulm hipotetik i Kinës ndaj Tajvanit — ishull që Pekini e konsideron territor të vetin — mund të nxiste një përgjigje ushtarake nga Tokio. Deklarata shkaktoi irritim të fortë në Pekin.

    Përplasjet diplomatike janë thelluar edhe nga njoftimi i presidentit tajvanez Lai Ching-te për një rritje shtesë prej 40 miliardë dollarësh në buxhetin e mbrojtjes, me qëllim forcimin e kapaciteteve kundër kërcënimeve kineze.

    Anijet kineze janë përqendruar në një hark detar që shtrihet nga jugu i Detit të Verdhë, përmes Detit të Kinës Lindore dhe deri në zonat e kontestuara të Detit të Kinës Jugore, si dhe në hapësira të Paqësorit, thanë zyrtarë të sigurisë në rajon.

    Ky akumulim i madh forcash shihet si sinjal i qartë i synimeve të Pekinit për të projektuar ndikim dhe presion të shtuar ushtarak në rajon.

  • Në mbledhjen inauguruese të Kuvendit Komunal, Sami Lushtaku jep betimin si kryetar i Skenderajt

    Në mbledhjen inauguruese të Kuvendit Komunal, Sami Lushtaku jep betimin si kryetar i Skenderajt

    Kuvendi Komunal i Skenderajt ka mbajtur sot mbledhjen inauguruese, ku është bërë betimi i kryetarit të zgjedhur më 12 tetor, Sami Lushtaku.

    Gjatë ceremonisë solemne, Lushtaku dha betimin para asamblistëve dhe të pranishmëve, duke u zotuar për ushtrimin me përgjegjësi të detyrave të tij si i pari i komunës.

    “Betohem që do t’i kryej detyrat dhe t’i ushtroj kompetencat e mia, si kryetar i Skenderajt, me nder, besnikëri dhe në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin, në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë për të gjithë”, tha Lushtaku.

  • Murati thotë se kosovarët i kanë 2 miliardë më shumë në banka se para 5 viteve

    Murati thotë se kosovarët i kanë 2 miliardë më shumë në banka se para 5 viteve

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se depozitat dhe kursimet e familjeve kosovare në banka në fund të muajit tetor kanë arritur 4.69 miliardë euro.

    “Kur faktet çmontojnë propagandën 👇 Depozitat dhe kursimet e familjeve kosovare në banka në fund të muajit tetor kanë arritur 4.69 miliardë euro. Sipas të dhënave zyrtare nga seritë kohore në faqen e BQK-së, depozitat dhe kursimet nëpër banka të familjeve në Kosovë kanë shënuar rekord me 4.69 miliardë euro.”

    Ai thotë se ka rritje prej 2.12 miliardë euro në krahasim me tetorin e para viteve.

    “Kjo përbën një rritje prej 2.12 miliardë euro, apo 82.5%, krahasuar me muajin tetor para 5 viteve kur depozitat dhe kursimet e familjeve në Kosovë ishin 2.57 miliardë euro.Sa për krahasim, në periudhën 5 vjeçare para Qeverisë Kurti, depozitat dhe kurismet e familjeve kishin shënuar rritje prej vetëm 745 milionë eurove, apo 40.8%. Pra në periudhën 2020-2025, rritja e parave në banka (depozita/kursime) për familjet në Kosovë ka qenë më se 2-fish më e shpejtë sesa rritja e parave në banka përgjatë 5-vjeçarit të qeverisjeve të kaluara (82.5% vs 40.8%).”

  • Vajza e dyshuar e Putinit “sulmohet” nga gazetari ukrainas në Paris

    Vajza e dyshuar e Putinit “sulmohet” nga gazetari ukrainas në Paris

    Elizaveta Krivonogi, që besohet të jetë vajza e presidentit rus Vladimir Putin, u “sulmua” dhe u vu nën presion nga një gazetar ukrainas në Paris, ku ajo jeton.

    Fillimisht ai i tha 22-vjeçares:

    “Tre javë më parë babai yt vrau vëllain tim. Si jeton në Evropë, në këtë kontinent të mallkuar, GayEurope, siç e quan ti”, të cilës ajo iu përgjigj: “Nuk ke leje të më sulmosh”.

    Kur gazetari nga Ukraina vazhdoi ta ushtronte presion, duke e pyetur nëse e mbështeste të atin, 22-vjeçarja u përgjigj: “Çfarë lidhje ka kjo me mua?”

    “Ai është babai yt. Më e pakta që mund të bësh është ta telefonosh dhe t’i thuash të ndalojë bombardimin e Kievit. Mund të vish në Kiev dhe të veprosh si mburojë njerëzore, më mirë se Patriotët. Mund të shkosh në Pokrofsk, për shembull”, këmbënguli gazetari nga Ukraina.

    “Si e imagjinon që mund të shkoj tani?”, pyeti Elizaveta, të cilës ai iu përgjigj: “Sigurisht që mundesh. Nuk shoh ndonjë pengesë, do të të blej unë një biletë me paratë e mia”.

    “Për fat të keq, nuk mund të ndihmoj”, u përgjigj në fund gruaja e re ruse.

    Artistja 22-vjeçare lindi në vitin 2003 pas një afere të dyshuar midis Putinit dhe nënës së saj, Svetlanës, e cila ishte kujdestarja e shtëpisë së presidentit rus në atë kohë.

    Zbulimi erdhi për herë të parë pas një hetimi të vitit 2020 nga media ruse Proekt, e cila vuri në dukje “ngjashmërinë fenomenale” të saj me Putinin.

    Presidenti rus nuk përmendet në certifikatën e lindjes së Ekaterinës, e cila shkruan “Vladimirova”, që përkthehet “vajza e Vladimirit”.

    Në vitin 2021, udhëheqësi i vrarë i opozitës ruse, Alexei Navalny, zbuloi Instagramin e 22-vjeçares, i cili, sipas tij, përshkruante jetën e saj luksoze dhe pasurinë e familjes së saj, të cilën shumë e atribuojnë marrëdhënies së saj me presidentin rus.

  • Kosova forcon kapacitetet kundër fatkeqësive përmes projekteve TAFF

    Kosova forcon kapacitetet kundër fatkeqësive përmes projekteve TAFF

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e mbështetur nga Komisioni Evropian dhe me ndihmën e Bankës Botërore dhe Fondit Global për Reduktimin dhe Rimëkëmbjen nga Fatkeqësitë (GFDRR), sot ka mbajtur punëtori njëditore që përmbledh dy aktivitete.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se këto iniciativa staretgjike po japin një kontribut të fuqishëm në forcimin e kapacitetev të Kosovës në menagjimin e rrezikut dhe përballimin e fatkqesive.

    Sipas tij Kosova është e përkushtuar në ndertimin e një sistemi të qëndrushem të koordinuar dhe proaktiv i cili vendos parandalimin dhe reagimin e shpejt në qender të politikave tona publike.

    Drejtor i Agjencisë per Menaxhimit të Emergjencave, Genc Metaj tha se projektet TAFF 1 dhe TAFF 2 shënonië një hap përpara në modernizmin dhe harmonizmin e sistemeve me standardetet evropiane si dhe përmiresimin e menaxhimit të rrezikut nga fatkeqesite.

    Tutje ai theksoi se se përmes këtyre projekteve po avancohet ne rritjen e kapacitetet institucionale të institucioneve ne nivel qëndror dhe lokal.

  • Izmaku tregon pse nuk ndodhi koalicioni PDK-Nisma

    Izmaku tregon pse nuk ndodhi koalicioni PDK-Nisma

    Zyrtarja e Nisma Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me diskutimet e ditëve të fundit mbi një bashkim të mundshëm të Nismës me PDK’në në një listë zgjedhore.

    Izmaku ka konfirmuar se marrëveshja e përfolur nuk është arritur, duke theksuar se Nisma Socialdemokrate do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të pavarur.

    “Sot dua t’ju them me qartësi – ajo marrëveshje nuk ndodhi”, ka shkruar Izmaku.

    Ajo tha se Nisma do të ecë përpara, e pavarur.

    “E përkushtuar dhe e mbështetur tek njerëzit që e besuan këtë rrugë dekada me radhë, nën lidershipin e provuar të Fatmir Limajt”, shkroi ajo.

    Sipas Izmakut, partia mbetet e fokusuar në vlerat që, siç tha, i përgjigjen nevojave reale të qytetarëve.

    Ajo shtoi se për Nismën, politika nuk është “krenari e tepruar apo arrogancë, por përgjegjësi, shërbim dhe përkushtim i përditshëm”.

    Postimi i plotë:

  • Policia publikon fotografinë e një të dyshuari për vjedhje, kërkon ndihmë për identifikimin e tij

    Policia publikon fotografinë e një të dyshuari për vjedhje, kërkon ndihmë për identifikimin e tij

    Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e një personi që dyshohet se është i përfshirë në “Vjedhje”.

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e tij.

    “Njësiti i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në fotografi. Personi i dyshuar kërkohet për përfshirje në veprën “Vjedhje”. Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tij, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: [email protected].”