ATV

Category: Lajme

  • Analisti i ekonomisë paralajmëron rritje të çmimeve me ardhjen e mërgatës në Kosovë

    Analisti i ekonomisë paralajmëron rritje të çmimeve me ardhjen e mërgatës në Kosovë

    Analisti i ekonomisë, Arton Muhaxheri, ka paralajmëruar se vendi rrezikon të përballet me rritje të çmimeve gjatë sezonës së ardhjes së mërgatës, sidomos çmimet e shportës së konsumatorit në markete dhe ato të derivateve.

    “Gjasat që të ndodhë një gjë e tillë janë reale, sepse këtë fenomen e kemi parë pothuajse çdo vit gjatë sezonit të ardhjes së diasporës”, deklaroi ai.

    Muhaxheri tha se kur kërkesa për konsum rritet, tregu i përgjigjet me shtrenjtim, mirëpo sipas tij “problemi kryesor është se çmimet rrallëherë kthehen në nivelin e mëparshëm pasi mërgimtarët largohen”.

    Analisti kritikoi dhe institucionet përgjegjëse, duke thënë se ato prej kohësh kanë braktisur pergjegjësitë e tyre për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet sezonale.

    “Ajo që duhet theksuar është se institucionet të cilat e kanë për detyrë ta menaxhojnë këtë proces dhe ta mbrojnë tregun nga abuzimet sezonale, prej kohësh kanë hequr dorë nga përgjegjësitë e tyre”, theksoi Muhaxheri.

    Sipas Muhaxherit, organet kompetente sillen si vëzhgues, duke lejuar tregun të funksionojë pa asnjë kontroll efektiv.

    “Në vend që të veprojnë, ato po sillen si spektatorë të rëndomtë, ndërsa qytetarëve çdo ditë po u bëhet më e vështirë të përballojnë jetesën”, përfundoi Arton Muhaxheri.

  • Inspektorati e ndalon përdorimin e ashensorit në Gjinekologji, nuk i plotëson kushtet dhe paraqet rrezik

    Inspektorati e ndalon përdorimin e ashensorit në Gjinekologji, nuk i plotëson kushtet dhe paraqet rrezik

    Inspektorati Qendror i Punës, ka deklaruar se kanë zhvilluar kontroll në Spitalin e Përgjithshëm të një rajoni (pa e treguar cilin) në Objektin e Gjinekologjisë.

    Nga ajo që konstatohet është se ashensori (lifti) aktualisht në përdorim nuk i plotëson kriteret e sigurisë të përcaktuara me legjislacionin në fuqi dhe paraqet rrezik potencial për shëndetin dhe sigurinë e përdoruesve.

    Deklarata e plotë:

    Në bazë të inspektimit të kryer pas një ankese zyrtare, dhe duke u mbështetur në Ligjin Nr. 04/L-161 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë si dhe Rregulloren Nr. 05/2018 për Sigurinë e Ashensorëve në Përdorim, neni 17, paragrafi 3, Inspektorati Qendror i Punës ka zhvilluar kontroll në Spitalin e Përgjithshëm të një rajoni në– Objektin e Gjinekologjisë.

    Gjatë vlerësimit të gjendjes faktike dhe shqyrtimit të Raportit të Inspektimit Periodik të ashensorit, është konstatuar se:

    Ashensori (lifti) aktualisht në përdorim nuk i plotëson kriteret e sigurisë të përcaktuara me legjislacionin në fuqi dhe paraqet rrezik potencial për shëndetin dhe sigurinë e përdoruesve.

    Për këtë arsye, Inspektorati ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të ashensorit, deri në realizimin dhe dokumentimin e të gjitha masave korrigjuese të përcaktuara në Raportin e Inspektimit Periodik.

    Siguria e qytetarëve dhe e punonjësve mbetet prioriteti ynë kryesor. Do të vazhdojmë monitorimin deri në përmbushjen e të gjitha kërkesave ligjore për funksionimin e sigurt të pajisjes.

  • Shqipëria merr Presidencën e CEFTA-s në vitin 2026, këto janë katër prioritetet e mandatit

    Shqipëria merr Presidencën e CEFTA-s në vitin 2026, këto janë katër prioritetet e mandatit

    Shqipëria do të marrë Presidencën e Radhës së CEFTA-së në vitin 2026. Ministrja Delina Ibrahimi prezantoi katër prioritetet strategjike që Shqipëria do të udhëheqë gjatë këtij mandati:

    – Fuqizimi i bashkëpunimit politik dhe institucional ndërmjet palëve të CEFTA-s;

    – Rritja e transparencës dhe pjesëmarrjes së aktorëve ekonomikë dhe socialë në hartimin e politikave;

    – Prodhimi i rezultateve konkrete për bizneset, veçanërisht në lehtësimin e qarkullimit të mallrave, Green Lanes, turizmin dhe tregtinë agro-ushqimore;

    – Mbështetja e investimeve me vlerë të shtuar, përmes një tregu rajonal më të harmonizuar dhe më të parashikueshëm.

    Sipas ministres Ibrahimaj, ky është momenti që CEFTA të kalojë në një moment tjetër të rëndësishëm, duke theksuar përkushtimin e Shqipërisë për ta çuar përpara këtë proces në frymën e integrimit europian dhe të zhvillimit të përbashkët ekonomik të rajonit.

  • Mbyllet zyrtarisht paraqitja e provave në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Mbyllet zyrtarisht paraqitja e provave në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit kanë mbyllur zyrtarisht paraqitjen e provave në rastin ku klientët e tyre së bashku me Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Këtë njoftim mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Krasniqit e kanë bërë ndaras më 2 dhjetor 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndryshe, mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

    Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

    Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

    Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025. Ndërsa, më 17 nëntor e filloi dëshminë Wesley Clark i cili e përfundoi më pas më 18 nëntor 2025.

    Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

  • Mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurtra me diell

    Mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurtra me diell

    Sot në vend pritet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe me intervale të shkurta me diell.

    Herë pas here do të ketë reshje të pakta lokale shiu, kryesisht gjatë orëve të mëngjesit, si dhe vonë pasdite e në mbrëmje, kur reshjet pritet të jenë pak më të intensifikuara.

    MeteoKosova njofton se era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-48 km/h.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin prej 5 deri në 7°C, ndërsa ato maksimale prej 9 deri në 12°C”, thuhet në njoftim.

  • Inspektorati i Punës mbyll një biznes në Vushtrri

    Inspektorati i Punës mbyll një biznes në Vushtrri

    Inspektorati Qendror i Punës ka urdhëruar mbylljen e përkohshme të një subjekti punues në Komunën e Vushtrrisë, pasi gjatë kontrollit është konstatuar se kushtet e punës paraqisnin rrezik serioz për shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve.

    Sipas njoftimit zyrtar, inspektimi është kryer pas pranimit të një ankese anonime, e cila ka ngritur dyshime për shkelje të standardeve të sigurisë në vendin e punës.

    “Në bazë të kompetencave ligjore dhe me qëllim mbrojtjen e jetës dhe mirëqenies së punëtorëve, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të veprimtarisë punuese në këtë subjekt, deri në plotësimin e të gjitha masave të kërkuara”, thuhet në njoftim.

    Inspektorati thekson se mbetet i përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në garantimin e kushteve të sigurta e dinjitoze për çdo punëtor, pavarësisht sektorit ku ushtrohet veprimtaria.

  • Burim Ramadani i kthehet garës politike, në listë edhe një doktor dhe ish-deputetja

    Burim Ramadani i kthehet garës politike, në listë edhe një doktor dhe ish-deputetja

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka zyrtarizuar kandidatët e saj nga komuna e Suharekës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke rikthyer në garë emra të njohur të skenës politike .

    Në mesin e kandidatëve është edhe Burim Ramadani, i cili i është rikthyer garës për deputet.

    Pjesë e listës është edhe ish-deputetja Albana Bytyçi, e cila synon rikthimin në Kuvend .

    Ndërkohë, AAK ka nominuar edhe doktor Refki Bytyçin kandidat për deputet në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat do të mbahen me 28 dhjetor.

  • Zhduket 56-vjeçari shqiptar në Austri, familjarët apelojnë për ndihmë

    Zhduket 56-vjeçari shqiptar në Austri, familjarët apelojnë për ndihmë

    Agim Nuredini, shqiptar 56 vjeçar, banues në Wels të Austrisë që nga dita e shtunë është shpallur i zhdukur. Për herë të fundit është parë rreth orës 12:30 minuta të asaj dite, kur është dal nga shtëpia me veturën e tij Opel Mokka, ngjyrë të zezë.

    Që nga ajo kohë, nuk ka asnjë gjurmë rreth fatit të tij, shkruan albinfo.at.

    Familja dhe miqtë janë duke kërkuar ndihmën e qytetarëve dhe bashkatdhetarëve tanë në Austri. Në një prononcim për albinfo.at, një mik i Agimit thotë se janë lajmëruar edhe policia austriake por deri tash nuk kanë marr asnjë informatë. Madje, nuk është gjetur as vetura e tij.

    Kushdo që e ka parë Agimin që nga e shtuna ose ka ndonjë informacion rreth vendndodhjes së tij, kërkohet të kontaktojë menjëherë stacionin më të afërt të policisë.

  • Vetura përmbyset në pishinë, vdesin tre të rinj në Francë

    Vetura përmbyset në pishinë, vdesin tre të rinj në Francë

    Tre adoleshentë kanë humbur jetën kur vetura e tyre rrëshqiti nga rruga në Francën jugore, kaloi nëpër një mur dhe u përmbys në një pishinë private, kësisoj duke i bllokuar ata brenda.

    Automjeti ishte i ngjashëm me madhësinë e pishinës dhe adoleshentët – të moshës 14, 15 dhe 19 vjeç – nuk mundën të hapnin dyert dhe u mbytën.

    Aksidenti i çuditshëm ndodhi në qytetin Alès në orët e para të së mërkurës, raporton BBC.

    “Është vërtet kulmi i tmerrit,” tha prokurori publik Abdelkrim Grini. “Nuk ishte ndikimi i aksidentit që i vrau ata. Ata e gjetën veten përmbys në ujin e akullt, të paaftë për të dalë. Ata nuk kishin asnjë shans.”

    Raporte të pakonfirmuara sugjerojnë se më i riu nga tre viktimat ishte në timon të makinës në atë kohë.

    Vetëm disa orë u dha alarmi dhe zjarrfikësit u thirrën për të zbrazur pishinën dhe për të larguar automjetin. BFMTV raportoi se pishina ishte rreth 1.5 metra e thellë.

    Një hetim është hapur për shkakun e vdekjes. Trupat e tre viktimave janë dërguar në institutin mjeko-ligjor në Nîmes për ekzaminime pas vdekjes, tha AFP.

  • “Ia fali Kosovës djalin”, Haradinaj ngushëllon familjen Vishaj për vdekjen e nënës së dëshmorit

    “Ia fali Kosovës djalin”, Haradinaj ngushëllon familjen Vishaj për vdekjen e nënës së dëshmorit

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka ngushëlluar familjen e dëshmorit, Sadri Vishaj pas vdekjes së nënës së tij, Ajnes.

    Me anë të një postimi në llogarinë e tij në facebook, Haradinaj tha se ajo ia fali Kosovës, ndër luftëtarët më të zotë në Dukagjin.

    “Nëna Ajne ishte një grua fisnike shqiptare, që fëmijët e saj i brumosi në frymën kombëtare dhe patriotike. Ajo ia fali Kosovës djalin dëshmor, Sadri Vishaj, ndër luftëtarët më të zotë në Dukagjin”.

    “Bashkëndjejmë dhimbjen me familjen pas ndarjes së saj nga jeta.Ngushëllimet më të sinqerta!”, shkruan Haradinaj.