ATV

Category: Lajme

  • SHBA do të fillojnë të shtypin një monedhë njëdollari me imazhin e Trumpit

    SHBA do të fillojnë të shtypin një monedhë njëdollari me imazhin e Trumpit

    Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, njoftoi se zyra e prerjes së monedhave një dollar do të fillojë të prodhojë monedha njëdollari me imazhin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në anën e përparme, si pjesë e festimeve të 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara.

    Dizajni i ri përmban mbishkrimet “Liri”, “Në Zot Besojmë” dhe “17762026” në pjesën e përparme, ndërsa në anën e pasme shfaqet shqiponja tullace nga vula presidenciale. Kjo është një zgjidhje e modifikuar krahasuar me draftin e publikuar në tetor. Pjesa e pasme e atij propozimi të mëparshëm tregonte Trumpin me grushtin e ngritur dhe fjalët “luftë, luftë, luftë”, një aludim për një atentat ndaj tij në vitin 2024.

    Donald Trump tha se ishte i nderuar që ishte në monedhë.

    “Më dhanë një monedhë”, tha Trump në një intervistë me Fox Business..

    “Për aq sa kuptoj unë, kjo është shumë e pazakontë”, shtoi ai.

    Kritikët kanë vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e një dizajni të tillë. Një ligj amerikan i vitit 1866 përcakton që portreti i një personi të gjallë nuk mund të vendoset në monedhën amerikane, por kjo dispozitë zbatohet për paratë letër të lëshuara nga Byroja e Gdhendjes dhe Shtypjes. Monedhat shtypen nga Monedha e SHBA-së.

    Kongresi miratoi një ligj në vitin 2020 që i lejonte Sekretarit të Thesarit të lëshonte monedha përkujtimore një dollar për të përkujtuar 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara, por ligji ndalon posaçërisht që dizajni të përshkruajë një person të gjallë.

    Në një intervistë me Fox News, e cila u transmetua të martën, Bessent theksoi se Presidenti i atëhershëm Calvin Coolidge ishte paraqitur në një monedhë për të përkujtuar 150-vjetorin e Shteteve të Bashkuara.

  • Sot varroset i riu nga Kosova që humbi jetën në Suedi në rrethana tragjike

    Sot varroset i riu nga Kosova që humbi jetën në Suedi në rrethana tragjike

    Sot do t’i jepet lamtumira e fundit Gent Maksutajt, 20-vjeçarit me prejardhje nga Kosova, i cili u vra më 5 korrik në Suedi në rrethana tragjike.

    Varrimi i të ndjerit do të bëhet në varrezat e fshatit Banjë, në orën 16:00.

    Sipas dyshimeve fillestare, i riu është privuar nga jeta aksidentalisht gjatë një përleshjeje mes bandave kriminale.

    Për këtë rast të rëndë kanë raportuar edhe mediat suedeze, të cilat kanë publikuar detaje të reja lidhur me ngjarjen dhe hetimet që po zhvillohen.

    Sipas Policisë suedeze, i dyshuari për të shtënat dyshohet se pas ngjarjes ka udhëtuar me tren drejt Stokholmit, ku më vonë është arrestuar gjatë mbrëmjes ose natës.

    Si dyshohet se ndodhi ngjarja

    Të shtënat kanë ndodhur në zonën Kvarngärdet në Uppsala.

    Rreth orës 21:00 të së dielës, policia ka marrë një alarm për të shtëna me armë zjarri në këtë zonë. Menjëherë është ndërmarrë një operacion i madh policor, ku janë angazhuar disa patrulla, ndërsa zona është rrethuar plotësisht.

    Në vendngjarje janë parë edhe dy autoambulanca.

    Fillimisht, autoritetet nuk kanë dhënë shumë detaje për rastin, por më vonë është konfirmuar se një burrë në të njëzetat ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

    Familjarët e viktimës janë njoftuar për ngjarjen e rëndë.

    Hetimi: Rasti cilësohet si vrasje e rëndë

    Policia suedeze e ka cilësuar rastin si vrasje dhe po vazhdon hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të ngjarjes.

    Viktima është gjetur jashtë, ndërsa ende po hetohet vendi i saktë ku kanë ndodhur të shtënat.

    “Ne kemi vendosur kordonë sigurie dhe po kërkojmë gjurmë që mund ta ndihmojnë hetimin. Po intervistojmë dëshmitarë dhe po kontrollojmë kamerat e sigurisë, si ato tona ashtu edhe private”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë, Pelle Vamstad.

    Nuk përjashtohet lidhja me krimin e organizuar

    Në këtë fazë të hetimeve, policia nuk ka konfirmuar nëse ngjarja lidhet me krimin e organizuar, por ka theksuar se kjo mbetet një nga pistat kryesore që po shqyrtohet.

    Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.

  • A ka kolona në kufijtë e Kosovës? Publikohen të dhënat e fundit për pritjet

    A ka kolona në kufijtë e Kosovës? Publikohen të dhënat e fundit për pritjet

    Fluksi i qytetarëve dhe automjeteve në pikat kufitare të Kosovës vazhdon të mbetet i ulët, ndërsa pritjet për hyrje dhe dalje nga vendi janë minimale.

    Sipas të dhënave të fundit, në shumicën e pikave kufitare qytetarët po presin vetëm nga tre deri në pesë minuta, pa u krijuar kolona apo ngarkesa të konsiderueshme në qarkullim.

    Situata paraqitet e qetë në të gjitha vendkalimet kryesore, ndërsa autoritetet kufitare po e menaxhojnë lëvizjen pa vështirësi. Aktualisht nuk raportohet për fluks të shtuar të udhëtarëve, ndonëse sezoni veror ka rritur gradualisht numrin e atyre që hyjnë dhe dalin nga Kosova.

    Megjithatë, pritet që gjatë ditëve në vijim qarkullimi në kufi të intensifikohet, për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve për pushimet verore, si dhe rritjes së numrit të qytetarëve që udhëtojnë drejt vendeve fqinje dhe destinacioneve turistike.

    Për momentin, qytetarët mund t’i kalojnë pikat kufitare pa pritje të gjata.

  • Irani: Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa ShBA të pranojë kushtet

    Irani: Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa ShBA të pranojë kushtet

    Irani deklaroi këtë të enjte në mëngjes se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa Shtetet e Bashkuara të pranojnë kushtet e Teheranit për rihapjen e rrugës ujore strategjike.

    Sipas mediave iraniane, zëdhënësi i ushtrisë iraniane, Mohammad Akrami-Nia, kishte deklaruar se kontrolli i ngushticës duhet të vihet nën autoritetin e Iranit përpara se ajo të rihapet.

    Ai tha se Uashingtoni duhet të përmbushë kushtet e marrëveshjes kornizë të paqes të muajit të kaluar, të ndalojë ato që ai i quajti veprime armiqësore dhe të pranojë rregullat iraniane që qeverisin ngushticën.

    Komentet e tij erdhën pas një vale të re shpërthimesh që u raportua në disa qytete iraniane, ndërsa Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane theksoi se sulmet kishin në shënjestër kapacitetet ushtarake iraniane të lidhura me kërcënimet ndaj anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

  • Vlorë: Vetura e policisë godet një 13-vjeçar në zebra

    Vlorë: Vetura e policisë godet një 13-vjeçar në zebra

    Një makinë e Policisë në Vlorë ka përplasur një fëmijë.

    Ngjarja ka ndodhur në lagjen “29 Nëntori”, ku vetura e drejtuar nga G. H., ka goditur një 13-vjeçar.

    Fëmija në ato momente ka qenë duke kaluar rrugën në vijat e bardha.

    Bëhet e ditur se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është dërguar në spital për ndihmë më të specializuar mjekësore.

    Ndërkohë, policia ka nisur verifikimet për rastin në fjalë./TCh

  • ShBA zgjeron sulmet në Iran, godet objektiva në veri dhe çaktivizon një cisternë nafte

    ShBA zgjeron sulmet në Iran, godet objektiva në veri dhe çaktivizon një cisternë nafte

    Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar operacionet ushtarake kundër Iranit, duke zgjeruar sulmet ajrore edhe në pjesën veriore të vendit, ndërsa kanë çaktivizuar një cisternë nafte që, sipas autoriteteve amerikane, po përpiqej të thyente bllokadën detare ndaj porteve iraniane.

    Mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në zonat përreth Teheranit, ndërsa objektiv i sulmeve ishte edhe provinca Semnan, e njohur për programin e raketave balistike dhe aktivitetet hapësinore të Iranit, raporton Sky News.

    Si kundërpërgjigje, Irani lëshoi raketa dhe dronë drejt Bahreinit, Jordanisë dhe Kuvajtit, duke rritur më tej tensionet në rajon.

    Ndërkohë, Komanda Qendrore e ShBA-së njoftoi se një avion amerikan goditi dhe çaktivizoi cisternën e naftës e cila po lundronte drejt ishullit Kharg, terminali kryesor i eksportit të naftës së Iranit në Gjirin Persik.

    Sipas ShBA-së, anija kishte shpërfillur disa paralajmërime për t’u ndalur, ndaj u godit me një raketë , duke u bërë e paaftë për të vazhduar lundrimin drejt Iranit.

  • Jordania rrëzon 8 raketa iraniane, raportojnë mediat shtetërore

    Jordania rrëzon 8 raketa iraniane, raportojnë mediat shtetërore

    Ushtria e Jordanisë tha se mbrojtja e saj ajrore interceptoi dhe rrëzoi tetë raketa iraniane herët të enjten sipas kohës lokale, të cilat po drejtoheshin drejt vendit, raportuan mediat shtetërore, shkruan CNN.

    Mbeturinat nga interceptimet ranë në disa lokacione, por nuk u raportuan të lënduar apo dëme, thanë Forcat e Armatosura të Jordanisë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Petra.

    Ushtria iraniane pretendoi se kishte shënjestruar asete ushtarake amerikane në Jordani, përfshirë sulme me dronë ndaj sistemeve të komunikimit dhe depozitave të karburantit në bazën ajrore Al-Azraq, raportuan Agjencia e Lajmeve e Republikës Islamike të Iranit dhe Press TV.

    Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) nuk ka komentuar mbi pretendimet iraniane, ndërsa CNN nuk mund t’i verifikojë ato në mënyrë të pavarur.

    Sulme të tjera në rajon: Gjatë natës, Ministria e Brendshme e Bahrejnit tha se sirenat po binin dhe u bëri thirrje banorëve të strehoheshin.

    Ndërkaq, mbrojtja ajrore e Kuvajtit po “përballej me sulme nga dronë armiqësorë”, sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Irani pretendoi se kishte shënjestruar infrastrukturën amerikane në bazat ushtarake në Kuvajt, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim.

  • Moti për sot

    Moti për sot

    Sot pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ndërsa gjatë pasdites, nga veriperëndimi pritet të depërtojë një sistem stuhish, i cili lokalisht do të sjellë rrebeshe lokale shiu, rrëke, breshër të vogël dhe shkarkesa të forta rrufesh.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, ndërsa gjatë kalimit të sistemit me të reshura priten fuqizime të përkohshme të erës në formë stuhish, me shpejtësi maksimale deri në 70 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 16 deri në 19°C, ndërsa ato maksimale prej 29 deri në 34°C. /MeteoKosova/

  • Çedomir Jovanovic: Iu kërkoj falje shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, asnjë njeri normal s’e mendon atë që e tha ministrja Paunovic

    Çedomir Jovanovic: Iu kërkoj falje shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, asnjë njeri normal s’e mendon atë që e tha ministrja Paunovic

    Ministrja serbe, Snezana Paunovic, dy ditë më parë ka shokuar me një deklaratë të saj duke thënë se nëse do të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do të “kishte spastruar etnikisht Kosovën qysh në vitin 1998”.

    Lidhur me këtë deklaratë të Paunovic, në një intervistë për Gazetën Express ka folur politikani liberal serb, Cedomir Jovanovic.

    Ai ka thënë se një deklaratë e tillë tregon se serbët janë armiqtë më të këqij të vetvetës dhe ka thënë se iu kërkon falje shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës që janë viktima dhe pengje të nacionalizmit serb.

    Jovanovic thotë se asnjë njeri normal nuk e mendon atë që thotë ministrja serbe Paunovic.

    “Ministrja serbe Snezana Paunovic me deklaratën e saj vetëm sa konfirmoi se serbët janë armiqtë e tyre më të këqij. Unë u kërkoj sinqerisht falje shqiptarëve dhe gjithashtu serbëve të Kosovës, sepse të dy palët, secila në mënyrën e vet, janë viktima dhe pengje të budallallëkut, paaftësisë dhe monstruozitetit të politikës së çmendur të nacionalizmit serb, i cili historikisht është mposhtur edhe në vetë Serbinë, sepse asnjë njeri normal nuk mendon atë që thotë ministrja fatkeqe”, ka thënë Jovanovic për Gazetën Express.

    Lidhur me këtë deklaratë të ministres serbe, të martën për Express ka folur Nenad Canak. Ai e ka quajtur idiote ministren serbe dhe ka thënë se qeveria aktuale në Serbi është simptomë e natyrës fashiste të shoqërisë serbe.

    “Është e dukshme që qeveria aktuale në Serbi është një simptomë e natyrës fashiste të shoqërisë serbe në këtë moment. Kjo ishte e parashikueshme, sepse s’kemi pasur asnjëherë gjykim për politikën kohës së Sllobodan Millosheviqit përgjatë viteve të 90-ta”, ka thënë Canak.

  • Deputeti i Budenstagut: Serbia duhet ta shkarkojë menjëherë ministren Paunoviq

    Deputeti i Budenstagut: Serbia duhet ta shkarkojë menjëherë ministren Paunoviq

    Deputeti i Bundestagut gjerman nga radhët e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), Adis Ahmetoviq, ka reaguar ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq, duke i cilësuar ato si të papajtueshme me vlerat evropiane.

    Ahmetoviq ka thënë se shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, e kanë vendin në Bashkimin Evropian, por ka theksuar se nacionalizmi dhe gjuha e urrejtjes nuk kanë vend në komunitetin evropian të vlerave.

    “Po, shtetet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE-së. Kjo përfshin edhe Serbinë. Por një frymë nacionalizmi dhe urrejtjeje, që vjen nga disa qeveri, nuk ka vend në komunitetin tonë evropian të vlerave”, ka shkruar Ahmetoviq.

    Sipas tij, një qasje e tillë po dëmton procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe përpjekjet për ta bërë Unionin më të fortë.

    “Ky mentalitet e torpedon procesin që BE-ja të rritet dhe të bëhet edhe më e fuqishme. Shenja e duhur nga Beogradi do të ishte shkarkimi i menjëhershëm i ministres Paunoviq”, ka deklaruar deputeti gjerman.

    Reagimi i tij vjen pas deklaratave të ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, për “spastrim etnik”, e cila ka shkaktuar reagime të shumta me qëndrimet e saj lidhur me Kosovën.