ATV

Category: Lajme

  • Rreth 45 mijë punëtorë e të rinj u larguan nga Kosova sivjet, Azemi: Po ikin nga kushtet e rënda

    Rreth 45 mijë punëtorë e të rinj u larguan nga Kosova sivjet, Azemi: Po ikin nga kushtet e rënda

    Largimi i qytetarëve nga Kosova po shndërrohet në një sfidë serioze për ekonominë dhe tregun e punës në vend. Pagat e ulëta, kushtet e vështira të punës, mungesa e sigurisë dhe pabarazia në trajtimin e punëtorëve të sektorit privat po i shtyjnë shumë qytetarë të kërkojnë një të ardhme më të mirë jashtë vendit. Përderisa kompanitë po përballen me mungesë të fuqisë punëtore, shqetësues mbetet edhe largimi i punëtorëve të kualifikuar, duke rrezikuar zhvillimin e bizneseve dhe ekonomisë së vendit.

    Për këtë situatë ka ngritur shqetësimin edhe kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili në një intervistë për Ekonomia Online ka kritikuar institucionet për mungesën e masave konkrete në mbrojtje dhe përkrahje të punëtorëve.

    Azemi, ka deklaruar se vetëm sivjet janë dikund rreth 45 mijë punëtorë dhe të rinj që e kanë lëshuar vendin.

    “Por të dhënat përafërsisht janë që dikund rreth 45.000 mijë punëtorë dhe të rinj e kanë lëshuar Kosovën gjatë këtij viti. Shkak kryesor është gjendja ekonomike sociale shumë e rëndë. Shkak është ajo që në rend të parë Qeveria nuk ka bë pothuajse gati asgjë për këta punëtorë që së paku me mundësitë e saj të ruaj këtë fuqi punëtore që e kemi. Vetë fakti po them që gati mesatarisht 4.500 vetë brenda muajit na ikun. Normal që edhe zyrtarisht dul ATK-ja që dikun rreth 40 mijë punëtorë ende nuk e gëzojnë të drejtën e pagës minimale”, deklaroi Azemi.

    Azemi ka ngritur shqetësimin edhe për trajtimin e pabarabartë të punëtorëve të sektorit privat në raport me ata të sektorit publik, duke theksuar se të parët nuk përfitojnë pagën e 13-të.

    Ndërsa, ka bërë të ditur se vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar 24 raste të vdekjeve të punëtorëve në vendet e punës në sektorin privat.

    “Vetë fakti që punëtorët e sektorit privat të Kosovës nuk e marrin pagën e 13-të dhe punëtorët e sektorit publik e marrin, që mirë që e marrin. Vetë fakti që tek punëtorët e sektorit privat të Kosovës tashmë vetëm këtë vit kemi 24 raste vdekje në vendet e tyre të punës, sepse puna e tyre është me një rrezikshmëri shumë më të lartë. Vetë fakti që nuk është orientuar së paku qeveria ta bën në aspektin e minimumit atë çka mund ta bëjë, këta punëtorë kanë mbetur në stuhi dhe në shumicën e rasteve orientimi kryesor është ikja nga Kosova”, deklaroi Azemi.

    Azemi ka theksuar se punëtorët e sektorit privat kontribuojnë ndjeshëm në buxhetin e Kosovës.

    Ai ka kritikuar dallimin në përkrahjen financiare nga Qeveria, duke thënë se për rreth 80 mijë punëtorë të sektorit publik janë ndarë mbi 60 milionë euro, ndërsa për mbi 200 mijë punëtorë të sektorit privat vetëm 10 milionë euro.

    “Ne jemi punëtorë të cilët 3/4 e buxhetit të Kosovës e mbushmi ne me pagat tona, sepse jemi trefish më shumë sesa punëtorë të sektorit publik. Ne jemi punëtorë të cilët punojmë trefish më shumë se punëtorët e sektorit publik. Ne jemi ata të cilët trefish prodhojmë më shumë sesa punëtorët e sektorit publik, të cilët në një farë forme janë shpenzues me arsye të shtetit dhe prapë se prapë ata i stimulojnë me pagë të 13-të, kurse për ne së paku nuk e thonë as fjalën më të vogël të mirë. Vetë fakti që edhe para pak kohësh për punëtorë të sektorit publik Qeveria e Kosovës ndau mbi 60 milionë euro për 80 mijë punëtorë, ne jemi mbi 200 mijë punëtorë dhe për neve ndau faktikisht 10 milionë euro, të cilat janë vërtetë një farë forme të pakalueshme,” tha Azemi për Ekonomia Online.

    Përfaqësuesi i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës ka shprehur shqetësimin për mungesën e punëtorëve të kualifikuar në vend, duke thënë se kjo po ndikon drejtpërdrejt në realizimin e projekteve të ndryshme.

    Azemi shtoi  se shumë kompani po përballen me mungesë të fuqisë punëtore, ndërsa punëtorët që po vijnë nga vende si Bangladeshi nuk kanë gjithmonë kualifikimet e nevojshme për të punuar me makineritë bashkëkohore.

    Ai theksoi se sindikata do të vazhdojë të kërkojë përmirësimin e kushteve të punëtorëve, përfshirë rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit privat.

    “Kosova qysh moti ka mbet pa fuqi punëtore, në rend të parë. Në rend të dytë, ne kemi ende punëtorë, por nuk kemi punëtorë të kualifikuar të cilët janë të aftë për të kryer punë po themi adekuate, sepse ne i kemi shti, ja u kemi imponuar punëtorëve të cilët kanë qenë të përgatitur profesionalisht, ja u kemi imponuar që ta lëshojnë Kosovën, sepse nuk i kemi paguar, ose nuk kemi krijuar kushte minimale që ne mund ta bëjmë. Dhe për këto arsye, po them, nëse dilni te kompanitë, e shihni, nuk ka kompani në Kosovë që nuk ka mungesë të punëtorëve, e aq më keq që kjo mungesë e punëtorëve është te punëtorët e kualifikuar, sepse po themi, shpeshherë po marrim punëtorë prej Bangladeshit dhe prej vendeve të ndryshme, por megjithatë këta nuk janë ata të cilët mund të kryejnë, për shembull, manipulimin me makina që janë më bashkëkohore, të cilat ne punëtorët vetëm i kemi pasur të kualifikuar. Ne si sindikatë e sektorit privat të Kosovës për të gjtiha këto që i thash pa më herët e në vecanti për pagën minimale që do të kërkojmë që kjo të jetë 600 euro dhe që punëtorëve të sektorit privat t’u ndahet paga e 13-të sigurisht gjatë kësaj jave ose javën tjetër do të thërras kryetarët e shoqatës sindikale dhe do të përgatisim dhe do të bëjmë një potestë para Qeverisë së Kosovës që ta njoftojmë që edhe ne jemi pjesë e kësaj shoqërie, edhe ne jemi pjesë e atyre punëtorëve që japim më së shumti për Kosovën dhe marrim më së pakti”, potencoi ai.

    Ai ka theksuar se punëtorët e sektorit privat po detyrohen të punojnë në shi, borë dhe temperatura të ulëta, duke shtuar se po ndihen të diskriminuar sa i përket pagës së 13-të.

    “Po shumë normale, si mos jemi të diskriminuar sepse sot kur dalë, nëse del jashtë për shembull, sheh punëtorë të sektorit privat të cilët punojnë në kushte jashtëzakonisht të rënda, në shi, në borë, në temperatura jashtëzakonisht shumë të vogla dhe normal e japin maksimumin e vetëm qëndrimin në shi në këto kohëra është shumë i rëndë e  mos të flasim edhe për punët e tyre që duhet me i kryer. Dhe të marrim ne, të marrim ne po them sepse po them të marrin punëtorët të cilët qëndrojnë gjatë gjithë kohës në temperatura, po them janë jashtëzakonisht të mira brenda dhe të mos marrin ata, po them është diçka që jo edhe në aspekt ligjor, por edhe në aspekt njerëzor nuk është e kapshme. Por, fakti që këto padrejtësi janë bërë dhe kjo ikje kaq e madhe e punëtorëve që vërtetë unë mendoj që në në dhjetë vjetëshin e fundit janë mbi 500 mijë punëtorë që e kanë lëshuar Kosovën. Nuk e kanë lëshuar nga dëshira, por e kanë lëshuar nga imponimi” deklaroi ai.

    Sipas të dhënave të Institutit GAP, gjatë vitit 2025 shtetasve të Kosovës iu lëshuan 43 mijë e 747 leje të para të qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian. Prej tyre, 28 mijë e 566 u lëshuan nga Gjermania, e cila prin me numrin më të madh të lejeve, e ndjekur nga Italia me 3 mijë e 795 dhe Sllovenia me 3 mijë e 733 leje.

    Kurse, rreth 99 për qind e lejeve të qëndrimit u lëshuan nga vetëm dhjetë shtete të BE-së.

  • Katër persona arrestohen për narkotikë, konfiskohen mbi 14 kilogramë marihuanë

    Katër persona arrestohen për narkotikë, konfiskohen mbi 14 kilogramë marihuanë

    Katër persona janë arrestuar në tri lokacione të ndryshme në Kosovë, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari penale që lidhen me narkotikët.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës u zhvillua dje në mesditë në Prishtinë, Gjakovë dhe në pikën e kufitare në Mutivodë.

    Gjatë operacionit, policia ka arrestuar katër persona, shtetas të Kosovës, ndërsa gjatë kontrolleve ka gjetur dhe konfiskuar 14 kilogramë e 815 gramë marihuanë.

    Përveç substancave narkotike, policia ka sekuestruar edhe katër telefona celularë, dy pistoleta, 62 fishekë, si dhe 9 mijë e 120 euro dhe 350 franga zvicerane.

    Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

  • Jakup Krasniqi përfundon vizitën katërditore me familjen në Kosovë, largohet për t’u kthyer në Hagë

    Jakup Krasniqi përfundon vizitën katërditore me familjen në Kosovë, largohet për t’u kthyer në Hagë

    Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është larguar nga shtëpia e tij në lagjen Velania të Prishtinës, të shtunën rreth orës 12:00, nën masa të rrepta sigurie, pas përfundimit të vizitës katërditore me familjen në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Krasniqi është përcjellë nga pjesëtarë të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, ndërsa kthimi i tij në Hagë, me aeroplan special, pritet të bëhet sot në orën 15:00.

    Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai ka kaluar kohë pranë familjes, nën mbikëqyrjen dhe masat e sigurisë të institucioneve përkatëse.

    Ndryshe, më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara në Hagë e dënuan Krasniqin me 25 vjet burgim për krime lufte, në kuadër të aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • Vrasja e trefishtë në Gllogjan, gjykata arsyeton lirimin e të akuzuarve: Asnjë dëshmitar nuk e identifikoi autorin

    Vrasja e trefishtë në Gllogjan, gjykata arsyeton lirimin e të akuzuarve: Asnjë dëshmitar nuk e identifikoi autorin

    Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj tre të akuzuarve, Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, lidhur me akuzën për vrasjen e trefishtë më 26 nëntor 2021 në Gllogjan, ku mbetën të vrarë dy nxënës dhe shoferi i autobusit. Ndërkaq, për armëmbajtje pa leje, Halil Mehmetaj u dënua me 3 vjet burgim, ndërsa Kreshnik Mehmetaj me 1 vit burgim.

    Të tre, babai Halil Mehmetaj dhe dy djemtë e tij, Kastriot e Kreshnik, akuzoheshin se më 26 nëntor 2021, të motivuar nga hakmarrja, kishin shtënë me kallashnikov në drejtim të një autobusi në Gllogjan, ku mbetën të vrarë dy nxënës 17-vjeçarë dhe shoferi i autobusit.

    Vlerësimi i gjykatës lidhur me ekspertizat e balistikës

    Sipas aktgjykimit të datës 23 tetor 2026, pas vlerësimit të raporteve balistike të përpiluara nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Instituti i Forenzikës në Cyrih dhe Instituti i Policisë Shkencore në Tiranë, si dhe deklarimeve të ekspertëve Lutfi Rraci, Martin Lory dhe Nikolin Duraj, Gjykata Themelore në Pejë gjeti se ndërmjet këtyre ekspertizave ekzistonte përputhshmëri.

    Ndërsa, sipas gjykatës, mospajtimi i vetëm kishte të bënte me faktin nëse fisheku i pashkrepur ishte nga e njëjta armë me tri gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes. Sipas Rracit dhe Lory-t, nuk ishte arritur të konstatohej se fisheku vinte nga e njëjta armë, ndërsa eksperti Duraj kishte konstatuar se gjurmët e imëta përputheshin me ato të së njëjtës armë.

    Për këtë mospërputhje, gjykata u dha besim ekspertëve Rraci dhe Lory.

    “Gjykata duke vlerësuar se cilat janë argumente me bindes, u jep peshë me të madhe provuese konstatimeve të ekspertëve Lutfi Rraci dhe Martin Lory, pasi që ato evidentojnë dhe arsyetojnë pamjaftueshmërinë e karakteristikave individuale për një identifikim të sigurt. Ndërsa përfundimit të ekspertit Nikolin Duraj gjykata nuk i jep peshë vendimtare, për shkak se arsyetimi i tij nuk i ka mënjanuar në mënyrë bindëse pasiguritë e identifikuara gjatë shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në vendimin e Themelores.

    Vendimi lidhur me pjesën liruese

    Sipas aktgjykimit të datës 23 tetor 2026, Gjykata Themelore në Pejë ka gjetur se është vërtetuar pa asnjë mëdyshje se autobusi “Erblini” ishte sulmuar më 26 nëntor 2021 dhe se gjatë atij sulmi kishin mbetur të vrarë shoferi i autobusit, G.Gj., dhe pasagjerët L.H. dhe G.M. Po ashtu, është vërtetuar se lëndime të rënda trupore kishte pësuar edhe i dëmtuari F.T., pasagjer në autobus.

    Mirëpo, sipas vendimit, gjykata konstatoi se nuk ishte vërtetuar fakti qendror i kësaj çështjeje penale, përkatësisht se Kastriot Mehmetaj kishte qëlluar me armë në drejtim të autobusit “Erblini”. Gjithashtu, nuk ishte vërtetuar se Kreshnik Mehmetaj e kishte marrë me veturë Kastriot Mehmetajn.

    Sipas aktgjykimit, asnjëri nga dëshmitarët që kishin qenë pasagjerë në ditën kritike nuk kishte arritur ta identifikonte personin që kishte qëlluar. Po ashtu, gjykata gjeti se asnjëri nga dëshmitarët okularë nuk kishte deklaruar se kryesi i sulmit ishte futur në ndonjë veturë pas kryerjes së sulmit.

    Sa i përket të akuzuarit Halil Mehmetaj, gjykata konstatoi se në kohën e sulmit ai kishte qenë në një lokal me një numër të madh bashkëfshatarësh. Sipas gjykatës, ky fakt ishte konfirmuar që në fazat e hershme të hetimeve.

    Ndërkaq, vendndodhja e të akuzuarve Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj në kohën e sulmit, sipas aktgjykimit, u vlerësua duke u mbështetur në deklarimin e dëshmitarit Behar Hajdari dhe në vlerësimin e vetë gjykatës.

    Hajdari kishte deklaruar se të akuzuarit Kreshnik dhe Kastriot Mehmetaj kishin qenë në shtëpi një orë para sulmit, pasi në atë kohë ai ishte takuar me ta në shtëpinë e tyre për të blerë disa pjesë të traktorit.

    Mirëpo, sipas gjykatës, nuk kishte asnjë provë mbështetëse apo dëshmitar që i kishte parë të akuzuarit duke shkuar në vendin e ngjarjes. Megjithatë, sipas aktgjykimit, objektivisht ata kishin mundur që, brenda 48 minutave për të cilat nuk kishte prova për vendndodhjen e tyre, të shkonin në vendin e ngjarjes.

    “Pra në lidhje me faktin se a kanë qenë të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik në shtëpi në kohen kur është sulmuar autobusi, apo kanë dalë dhe kanë qenë këta qe e kanë sulmuar autobusin, gjykata ka mundur ta nxjerr vetëm teorinë e larte përshkruar, një teori objektive e gjasave, për të cilën nuk ka prova mbështetëse”, thuhet në aktgjykimin lirues.

    Tutje, aktgjykimi trajton edhe pretendimin se të akuzuarit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, pas sulmit, kishin komunikuar përmes telefonit, duke zhvilluar një bisedë prej 15 sekondash dhe duke shkëmbyer mesazhe SMS.

    Mirëpo, sipas ekspertizës së telefonave, mesazhet SMS ishin fshirë dhe kishte qenë e pamundur të riktheheshin.

    Gjykata vlerësoi se, meqë nuk mund të dihej përmbajtja e telefonatës 15-sekondëshe dhe nuk kishte prova të tjera që e rrëzonin alibinë e të akuzuarve Mehmetaj se gjatë telefonatës kishin folur për “ujin për pastrimin e makinës për mjeljen e lopëve”, ky pretendim nuk mund të përdorej si fakt inkriminues.

    Në vazhdim të aktgjykimit trajtohet edhe motivi i pretenduar i hakmarrjes së të akuzuarve Mehmetaj për vajzën dhe motrën e tyre, e cila kishte kryer vetëvrasje pas përfundimit të një lidhjeje dashurie me të ndjerin, shoferin G.Gj.

    Sipas gjykatës, nuk kishte asnjë provë ose indikacion të qartë se vetëvrasja e të ndjerës H.M. ishte kryer për shkak të përfundimit të lidhjes me të ndjerin G.Gj. Gjykata theksoi se e ndjera, para aktit, kishte lënë një letër për familjen, në të cilën shkruante se askush nuk ishte fajtor dhe se nuk duhej kërkuar fajtor.

    Andaj, gjykata erdhi në përfundimin se nuk ishte vërtetuar që i akuzuari Kreshnik Mehmetaj kishte drejtuar automjetin në natën kritike apo që e kishte marrë me vete Kastriot Mehmetajn.

    “Prandaj, gjykata erdhi ne përfundim se këto rrethana, edhe kur vlerësohen se bashku, nuk e vërtetojnë me siguri se i pandehuri Kreshnik ka drejtuar veturën Toyota natën kritike ne fshatin Gllogjan apo se e ka marrë të pandehurin Kastriot pas kryerjes se veprës penale”, thuhet në aktgjykim.

    Sa i përket të akuzuarit Kastriot Mehmetaj, gjykata erdhi në përfundimin se rrethanat që mund të tregonin për motivin e hakmarrjes mund të ishin të mundshme, por nuk e vërtetonin se ai kishte sulmuar autobusin. Po ashtu, sipas gjykatës, nuk ishte gjetur ndonjë përputhje e ADN-së ndërmjet të akuzuarve Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj dhe gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes.

    “Ndërsa, sa i përket te pandehurit Kastriot Mehmetaj, gjykata gjenë se fakti se i njëjti mund të ketë qenë në dijeni për raportin ndërmjet motrës së tij Heroina Mehmetaj dhe të ndjerit Gani Gjokaj, si dhe fakti se pas vdekjes së motrës i ka pyetur shoqet e saj për rrethanat e kësaj vdekjeje, mund të paraqesin rrethana të cilat tregojnë për një motiv të mundshëm, mirëpo nuk e vërtetojnë se i pandehuri Kastriot ka qenë personi qe e ka sulmuar autobusin”, thuhet në aktgjykim.

    Po ashtu, lidhur me pretendimin se Halil Mehmetaj kishte motiv hakmarrjeje për shkak të vendosjes së orës në arkivolin e vajzës së tij dhe se kishte shtyrë të akuzuarit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj në kryerjen e veprës penale, Themelorja në Pejë gjeti se asnjë rrethanë dhe asnjë provë nuk krijonte një zinxhir të fortë provues që do ta vërtetonte dyshimin e bazuar.

    Sa i përket pikës së aktakuzës për të cilën Kastriot Mehmetaj u lirua nga vepra penale e mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, gjykata vlerësoi se me asnjërën nga provat e administruara nuk ishte arritur të vërtetohej se ai kishte pasur dijeni për ekzistencën e armëve në shtëpinë e familjes së tij.

    Ndryshe, lidhur me armët e gjetura dhe të sekuestruara në shtëpinë e të pandehurve, gjatë shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri Halil Mehmetaj e kishte pranuar fajësinë, ndërsa Kreshnik Mehmetaj ishte deklaruar i pafajshëm.

    Vendimi lidhur me pjesën dënuese

    Sipas aktgjykimit, Halil Mehmetaj u shpall fajtor për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi sipas gjykatës, u vërtetua se tek ai ishin gjetur dhe sekuestruar 154 fishekë të armës AK-47 të tipit kallashnikov, një karikator i shkurtër i armës AK-47, gjashtë fishekë të armës së gjuetisë dhe gjashtë pajisje ushtarake.

    Po ashtu, për të njëjtën vepër u dënua edhe Kreshnik Mehmetaj, pasi tek ai ishin gjetur dy fishekë të armës AK-47 të tipit kallashnikov.

    Gjykata konstatoi se për të gjitha këto armë dhe municion nuk kishte leje nga organet kompetente.

    “Në lidhje me këto armë fillimisht i pandehuri Halil gjatë fazës së hetimeve nuk dha shpjegime të plota duke thënë se ka mundësi qe kanë mbetur nga koha e luftës, por me vonë gjatë procesit dhe në shqyrtim gjyqësor e pranoj fajësinë për të gjitha armët e gjetura në shtëpinë e tij”, thuhet në aktgjykim.

    Ndërkaq, për fishekët e gjetur tek i akuzuari Kreshnik Mehmetaj, gjykata gjeti se ata ishin në hapësirat që ndodheshin nën kontrollin e tij.

    “Andaj mbi bazën e këtyre rrethanave gjykata erdhi në përfundim se te pandehurit Halil dhe Kreshnik Mehmetaj e kanë kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 të KPRK-së”, thuhet në aktgjykim.

    Sipas aktgjykimit, në dënimin me burgim të shqiptuar ndaj Halil Mehmetajt, prej 3 vjetësh, dhe Kreshnik Mehmetajt, prej 1 viti, do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Gjykata gjithashtu vendosi që të konfiskojë të gjitha armët e gjetura tek të akuzuarit Halil dhe Kreshnik Mehmetaj, në pajtim me dispozitat ligjore.

    Të dëmtuarit B.H., F.M., G.Q., F.T., B.H., A.B., A.Z., B.M. dhe E.O. u udhëzuan në kontest të rregullt juridiko-civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.

    Aktgjykimi lirues u shpall nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Leon Përlaska.

    Më 21 qershor 2023, në seancën fillestare, tre të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj ngarkoheshin se më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan të Komunës së Deçanit, në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt dhe në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin, kishin privuar nga jeta tre persona, dy prej të cilëve ishin fëmijë. Të vrarë mbetën shoferi i autobusit G.Gj. dhe nxënësit L.H. (17 vjeç) dhe G.M. (17 vjeçe)./BetimipërDrejtësi.

  • Zjarr në një central elektrik në Irak, të paktën katër të vdekur dhe 30 të lënduar

    Zjarr në një central elektrik në Irak, të paktën katër të vdekur dhe 30 të lënduar

    Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë janë lënduar si pasojë e një zjarri që përfshiu të shtunën një central elektrik në jug të Irakut.

    Zjarri shpërtheu në centralin “Hartha”, në veri të qytetit Basra, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet.

    Sipas agjencisë shtetërore irakiane të lajmeve INA, ekipet e mbrojtjes civile arritën ta vënë zjarrin nën kontroll, pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, raporton BBC.

    Flakët u përhapën edhe në disa shtëpi përreth centralit, ndërsa për shkak të incidentit u ndërprenë operacionet në këtë objekt energjetik.

    Centrali “Hartha” ka kapacitet të instaluar prej 800 megavatësh, por para shpërthimit të zjarrit ishte duke operuar me rreth 400 megavatë.

    Deri më tani nuk ka informacione zyrtare për shkakun e zjarrit apo për shkallën e dëmeve materiale.

  • LA Lakers rikthehen në krye të Perëndimit, fitojnë edhe Denveri dhe Oklahoma

    LA Lakers rikthehen në krye të Perëndimit, fitojnë edhe Denveri dhe Oklahoma

    Los Angeles Lakers kanë regjistruar një fitore të rëndësishme në NBA, duke mposhtur Sacramento Kings me rezultat të ngushtë 106-104 dhe duke u rikthyer në krye të Konferencës së Perëndimit.

    Vendimtar në këtë triumf ishte Luka Doncic, i cili e mbylli ndeshjen me 25 pikë, duke udhëhequr skuadrën kaliforniane drejt një tjetër suksesi.

    Fitore të rëndësishme ka marrë edhe Denver Nuggets, që triumfoi ndaj Houston Rockets me shifrat 133-124. Në një paraqitje të mirë kolektive, shtatë basketbollistë të Denverit realizuan më shumë se 10 pikë, ndërsa Nikola Jokic shkëlqeu me 26 pikë dhe 11 kërcime.

    Në anën tjetër, zhgënjimi i mbrëmjes ishte Detroit Pistons, që pësoi humbje në shtëpi nga Toronto Raptors me rezultat 105-102. Scottie Barnes ishte më i dalluari te skuadra fituese me 29 pikë.

    Fitore ka regjistruar edhe Phoenix Suns, që mposhti Utah Jazz me shifrat 111-101, falë paraqitjes së mirë të Devin Booker, i cili realizoi 23 pikë.

    Ndërkohë, Oklahoma City Thunder arriti një fitore 126-120 ndaj New Orleans Pelicans, ku protagonist absolut ishte Shai Gilgeous-Alexander me 40 pikë.

    Një tjetër ndeshje dramatike u zhvillua mes Orlando Magic dhe Brooklyn Nets, ku Orlando triumfoi me vetëm dy pikë diferencë, 113-111. Franz Wagner ishte figura kryesore e takimit, duke realizuar 35 pikë dhe duke udhëhequr skuadrën e tij drejt fitores.

  • Llapi – Vushtrria, publikohen formacionet zyrtare për ndeshjen e javës së 14-të

    Llapi – Vushtrria, publikohen formacionet zyrtare për ndeshjen e javës së 14-të

    Llapi dhe Vushtrria kanë publikuar formacionet zyrtare për përballjen e vlefshme për javën e 14-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.

    Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti”, me fillim nga ora 13:00, ku skuadra e Llapit do të kërkojë pikët e plota para tifozëve të saj.

    Ekipi i drejtuar nga Tahir Batatina po kalon një sezon të vështirë në ndeshjet si vendas, pasi ka pësuar gjashtë humbje në po aq takime të zhvilluara në shtëpi. Llapjanët synojnë ta thyejnë këtë seri negative dhe të regjistrojnë fitoren e parë para tifozëve të tyre, pikërisht ndaj skuadrës që aktualisht renditet në pozitën e fundit.

    Në anën tjetër, Vushtrria e drejtuar nga Fitim Llapashtica ka regjistruar 12 humbje në 13 ndeshje të zhvilluara këtë sezon. Megjithatë, mysafirët shpresojnë të befasojnë në Podujevë dhe të marrin pikë të rëndësishme në këtë përballje.

    Të dy trajnerët tashmë kanë përcaktuar futbollistët me të cilët do ta nisin ndeshjen.

    Formacionet zyrtare:

    Llapi: Grote; Mulalic, Aliu, Ajvazi, Selimaj; Ramadani, Kolgeci, Hetemi; Kqiku, D’Almeida, Yahaya.

    Vushtrria: Isufi; Spahiu, Paloka, Ajdini, Emini; Behrami, Bahtiri; Maxhuni, Shurdhiqi, Demiri; Statovci.

  • Kurti i bën thirrje Zelenskyt për njohje të Kosovës: rasti thelbësisht ndryshe nga aneksimi i Krimesë nga Rusia

    Kurti i bën thirrje Zelenskyt për njohje të Kosovës: rasti thelbësisht ndryshe nga aneksimi i Krimesë nga Rusia

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje presidentit të Ukrainës , Volodymyr Zelensky, për njohje të pavarësinë e Kosovës. Ai theksoi se rasti i saj është thelbësisht i ndryshëm nga aneksimi i Krimesë nga Rusia, duke shtuar se një njohje e tillë do ta demaskonte blofin e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili e përdor Kosovën për të justifikuar aneksimin e Krimesë.

    Kurti në një opinion për median ukrainase “Kyiv Post” kritikoi qëndrimin e deritanishëm të Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës, duke rikujtuar se Zelensky e kishte përsëritur këtë qëndrim gjatë një deklarimi në Beograd në gusht të këtij viti.

    Ai rikujtoi se Kosova e ka mbështetur vazhdimisht Ukrainën përballë agresionit rus, duke dënuar sulmet e Moskës, duke u rreshtuar me sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, si dhe duke ofruar strehim për gazetarët ukrainas dhe ndihmë e trajnime ushtarake.

    “Në gushtin e kaluar, presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës, përkatësisht mosnjohja e saj, mbetet i pandryshuar. Ajo që ra në sy ishte fakti se kjo deklaratë u bë në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, një prej aleatëve më të afërt të Rusisë. Kosova, nga ana tjetër, e ka ruajtur edhe qëndrimin e saj ndaj Ukrainës: atë të mbështetjes. Ne e kemi dënuar agresionin e Moskës, jemi rreshtuar me sanksionet e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, kemi strehuar gazetarë ukrainas dhe kemi kontribuar me ndihmë dhe trajnime ushtarake”, shkroi Kurti.

    Kurti ka kundërshtuar pretendimet e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili e përdor rastin e Kosovës për të justifikuar aneksimin e Krimesë. Sipas tij, një krahasim i tillë synon ta diskreditojë Perëndimin dhe t’i paraqesë rastet krejtësisht të ndryshme si të barasvlershme.

    “Gabimi qëndron në trajtimin e të gjitha pretendimeve për vetëvendosje sikur të ishin të këmbyeshme nga pikëpamja juridike dhe politike. Ato nuk janë të tilla. Njohja e Kosovës nuk krijon një rregull automatik për çdo kontest tjetër territorial. Secili rast duhet të vlerësohet mbi bazën e historisë së vet, fakteve të veta dhe, çka është thelbësore, veprimeve konkrete të shteteve të përfshira”.

    Ai ka argumentuar se pavarësia e Kosovës ishte rezultat i një procesi të gjatë, që përfshiu shtypjen e shqiptarëve, luftën, spastrimin etnik, ndërhyrjen e NATO-s dhe negociatat ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ka rikujtuar edhe opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Duke u nisur nga këto premisa, Kurti ka thënë se njohja e Kosovës nga Ukraina do të nënkuptonte demaskimin e blofit të Putinit.

    “Njohja do ta hidhte poshtë pretendimin e Putinit se Kosova është dëshmi se demokracitë perëndimore nuk respektojnë ligjin. Ajo do ta refuzonte përpjekjen e tij për t’i futur rastet e ndryshme në të njëjtin kallëp, për t’i shërbyer një argumenti të leverdishëm për të”.

    Kurti ka theksuar se ndryshimi i kufijve përmes forcës ushtarake nuk mund të barazohet me vetëvendosjen e një populli. Kjo ka rëndësi, siç shkruan Kurti, jo vetën për Ukrainën, por për çdo vend që heziton ta njohë Kosovën për kontestet e veta territoriale.

    “Ndryshimi i kufijve përmes tankeve të një fuqie të madhe nuk është i njëjtë me një status të arritur pas një lufte çlirimtare, administrimi ndërkombëtar dhe diplomacie. Pushtimi nuk është vetëvendosje. Aneksimi nuk është pavarësi. Kutitë e votimit në referendum nuk duhet të barten nga ushtarët e një shteti fqinj, ashtu siç bënë ushtarët rusë në Krime. Vetëvendosja është e drejtë e një populli për të vendosur për veten, një akt çlirimi në kërkim të barazisë dhe lirisë, demokracisë emancipuese dhe pavarësisë së vërtetë, e jo zgjerim apo shtrirje e një shteti tjetër në funksion të ambicieve të tij hegjemoniste. Kjo ka rëndësi jo vetëm për Ukrainën, por për çdo vend që heziton ta njohë Kosovën nga frika se çfarë mund të nënkuptojë kjo për kontestet e veta territoriale”.

    Sipas Kurtit, njohja e Kosovës nga Ukraina nuk do të ishte një favor ndaj Kosovës, por një veprim në mbështetje të rendit ndërkombëtar që vetë Ukraina po e mbron përballë agresionit rus.

    “Presidenti Zelensky duhet ta njohë Kosovën jo si një favor ndaj nesh, por sepse një veprim i tillë do ta forconte pikërisht rendin ndërkombëtar që Ukraina ka kaluar vite duke e mbrojtur; një rend në të cilin historia nuk është licencë për pushtim, kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe shteteve të vogla nuk u mohohet e ardhmja nga shtetet më të mëdha”.

    Ai ka vlerësuar se të dyja vendet kanë orientim të përbashkët drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, ndërsa njohja e Kosovës do ta forconte këtë perspektivë.

    “Krimea është Ukrainë. Dhe Kosova është Kosovë”, shkroi Kurti.

  • Ardian Gjini publikon shifrat e BQK-së: Çmimet dhe borxhet e qytetarëve janë rritur në mënyrë ekstreme, si po ia dalin familjet kosovare?

    Ardian Gjini publikon shifrat e BQK-së: Çmimet dhe borxhet e qytetarëve janë rritur në mënyrë ekstreme, si po ia dalin familjet kosovare?

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka ngritur shqetësimin për rritjen e ndjeshme të kredive të ekonomive familjare në Kosovë dhe vështirësitë financiare me të cilat po përballen qytetarët.

    Përmes një reagimi në Facebook, Gjini ka publikuar të dhëna të Bankës Qendrore të Kosovës, sipas të cilave vlera e kredive të ekonomive familjare është rritur nga 1.315 miliardë euro në janar të vitit 2021, në 3.546 miliardë euro në shtator të vitit 2026. Kjo paraqet një rritje prej 169.6 për qind, apo mbi 2.2 miliardë euro më shumë.

    Ai ka veçuar edhe të dhënat për ngarkesën e qytetarëve me borxhe, duke theksuar se 29.2 për qind e huamarrësve të analizuar shpenzojnë të paktën gjysmën e të ardhurave mujore për shlyerjen e kredive.

    Sipas Gjinit, 17.7 për qind e tyre shpenzojnë 50 deri në 75 për qind të të ardhurave për këste, ndërsa 11.5 për qind kanë detyrime kreditore që arrijnë ose tejkalojnë 75 për qind të të ardhurave mujore.

    “Kur një pjesë kaq e madhe e të ardhurave shkon për këste kredie, sa para i mbeten qytetarit për ushqim, rrymë, barna dhe nevojat e fëmijëve?”, ka shkruar Gjini.

    Kryetari i Aleancës ka theksuar se rritja e kredive mund të lidhet edhe me investimet në pasuri të paluajtshme dhe nevoja të tjera zhvillimore, por ka ngritur dilemen se sa qytetarë po marrin kredi për investime dhe sa prej tyre po detyrohen të huazojnë për të përballuar koston gjithnjë e më të lartë të jetesës.

    Në reagimin e tij, Gjini ka kërkuar vëmendje më të madhe ndaj kostos së jetesës, fuqisë blerëse dhe sigurisë financiare të qytetarëve, duke vlerësuar se rritja ekonomike duhet të reflektohet në mirëqenie reale për familjet kosovare.

  • Lansohet sistemi i pagesave të shpejta, transferet bankare në Kosovë do të kryhen brenda sekondave

    Lansohet sistemi i pagesave të shpejta, transferet bankare në Kosovë do të kryhen brenda sekondave

    Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) organizoi ceremoninë zyrtare të lansimit të Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K), i cili tashmë është i gatshëm për lidhjen e bankave.

    Ofrimi i shërbimit për qytetarët dhe bizneset do të fillojë më 23 nëntor 2026 me katër bankat e para, të cilat kanë përfunduar përgatitjet teknike dhe operative dhe janë të gatshme të ofrojnë pagesa të shpejta. Bankat e tjera janë në proces të përgatitjes dhe do të lidhen gradualisht me sistemin deri më 23 shkurt 2027, kur përfundon periudha kalimtare tremujore.

    Në fjalën e tij, Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, theksoi se TIPS-K është infrastruktura kombëtare për pagesa të shpejta dhe një investim strategjik që rrit efikasitetin e ekonomisë, krijon mundësi për zhvillimin e shërbimeve të reja dhe e afron Kosovën me praktikat evropiane të pagesave.

    Guvernatori Ismaili nënvizoi se qytetarët dhe bizneset do të mund të transferojnë mjete ndërmjet llogarive në banka të ndryshme brenda pak sekondash, 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare. Shërbimi do të ofrohet përmes llogarive ekzistuese dhe kanaleve digjitale të bankave pjesëmarrëse, pa pasur nevojë për llogari apo aplikacione të reja.

    Guvernatori i BQK-së falënderoi Bankën e Italisë për partneritetin dhe zhvillimin teknik të platformës, Bankën Qendrore Evropiane për mbështetjen institucionale dhe Bankën Botërore për ekspertizën dhe asistencën teknike. Ai shprehu mirënjohje edhe për ekipet e BQK-së, bankat dhe institucionet partnere për punën në përgatitjen dhe funksionalizimin e sistemit.

    Në ceremoni mbajtën fjalë përshëndetëse Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati. Qeveria e Republikës së Kosovës mbështeti financiarisht realizimin e TIPS-K në kuadër të Projektit të Zhvillimit të Sektorit Financiar, përmes marrëveshjes me Bankën Botërore, të nënshkruar nga Ministria e Financave. Fjalë përshëndetëse mbajti edhe Ambasadori i Italisë në Kosovë, z. Maurizio Antonini.

    Bashkëpunimi për zhvillimin e TIPS-K nisi zyrtarisht në janar të vitit 2025 në Romë, përmes marrëveshjes me Bankën e Italisë për platformën TIPS Clone për Ballkanin Perëndimor. Banka e Italisë, me miratimin e Bankës Qendrore Evropiane, e zhvilloi platformën mbi teknologjinë TARGET Instant Payment Settlement (TIPS) të Eurosistemit. Më 23 nëntor 2026, Banka e Italisë do të organizojë në Romë ceremoninë e lansimit në nivel rajonal, ku do të marrë pjesë edhe Guvernatori i BQK-së, krahas guvernatorëve të vendeve të tjera pjesëmarrëse nga rajoni.

    Guvernatori Ismaili theksoi se modernizimi i pagesave brenda vendit përmes TIPS-K dhe integrimi në tregun evropian të pagesave janë dy drejtime plotësuese të reformave të BQK-së. Në këtë kuadër, ai përmendi aplikimin zyrtar të Kosovës për përfshirje në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), të dorëzuar më 6 nëntor 2026, si hap drejt pagesave ndërkufitare në euro më të shpejta dhe me kosto më të ulët.

    Zbatimi gradual dhe tarifat e transfereve

    Në fazën e parë, përmes TIPS-K do të mund të realizohen transfere deri në 3.000 euro për transaksion. Kufiri do të rritet në 10.000 euro në një fazë të mëvonshme, brenda vitit të parë të funksionimit të sistemit.

    Nga 23 nëntori 2026, të gjitha bankat do të zbatojnë tarifat e reja për transferet bankare, pavarësisht datës së lidhjes së tyre me TIPS-K. Bankat i përcaktojnë tarifat e tyre brenda kufijve të miratuar nga BQK-ja.

    Zgjerimi i shërbimeve dhe i pjesëmarrjes

    Lidhja e të gjitha bankave me TIPS-K do ta shtrijë ofrimin e pagesave të shpejta në të gjithë sektorin bankar. Gjatë vitit 2027, BQK-ja parasheh zhvillimin gradual të shërbimeve shtesë për pagesa në pikat e shitjes, duke ua lehtësuar bizneseve arkëtimin me kosto më të ulët. Po gjatë vitit 2027, parashihet të nisë procesi i zgjerimit të pjesëmarrjes për institucionet jobankare të pagesave dhe institucionet e parasë elektronike që plotësojnë kushtet e përcaktuara nga BQK-ja.

    Siguria dhe informimi i përdoruesve

    BQK-ja ka përmbyllur kornizën rregullative dhe operative për funksionimin e TIPS-K, përfshirë masat për parandalimin e mashtrimeve, të pastrimit të parave dhe të financimit të terrorizmit. Siguria kibernetike dhe qëndrueshmëria e sistemit do të mbeten përparësi për BQK-në.

    BQK-ja u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që, para se të konfirmojnë çdo transfer, të verifikojnë me kujdes të dhënat e përfituesit dhe shumën, si dhe të mbajnë konfidenciale kodet e sigurisë, fjalëkalimet dhe të dhënat e tjera të qasjes.