ATV

Category: Lajme

  • Ahmeti bën thirrje për pjesëmarrje masive në Shkup: Lufta e UÇK-së ishte dhe mbetet e drejtë

    Ahmeti bën thirrje për pjesëmarrje masive në Shkup: Lufta e UÇK-së ishte dhe mbetet e drejtë

    Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se protesta në përkrahje të çlirimtarëve që do të mbahet më 13 dhjetor në Shkup, do të jetë zë i fuqishëm i qytetarëve që kërkojnë drejtësi.

    Përmes një reagimi në Facebook, Ahmeti tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, çlirimtare dhe e mbështetur nga bota demokratike.

    Ai po ashtu bëri thirrje për pjesëmarrje masive në këtë protestë.

    “Pas Prishtinës dhe Tiranës, tani edhe Shkupi do të buçasë për të vërtetën dhe drejtësinë! Sheshi “Skënderbeu” në Shkup do të jetë zëri i fuqishëm i qytetarëve që kërkojnë drejtësi për çlirimtarët tanë. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, çlirimtare dhe e mbështetur nga bota demokratike. Drejtësia për luftëtarët e lirisë nuk mund të ndërtohet mbi akuza politike, montime dhe dëshmi të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia”, ka shkruar ai.

    “Ashtu siç qëndruam përkrah luftëtarëve të UÇK-së në Prishtinë dhe Tiranë, ashtu do të qëndrojmë edhe në Shkup, krenarë, të vendosur dhe të palëkundur në mbrojtje të së vërtetës sonë, të së vërtetës objektive. Më 13 dhjetor, në orën 13:00, të gjithë në Shkup! Liria nuk gjykohet, liria mbrohet! Lavdi UÇK-së!”.

  • Vetëvendosje: Sami Lushtaku pretendon se e udhëheq PDK-në, e kontrollon njeri për njeri

    Vetëvendosje: Sami Lushtaku pretendon se e udhëheq PDK-në, e kontrollon njeri për njeri

    Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar Sami Lushtakun si njeriun që “pretendon se e udhëheq PDK-në, e mban të lidhur” dhe e kontrollon.

    Në një komunikatë për media të lëshuar nga Gratë e Vetëvendosjes, thuhet se kryetari i Skenderajt e ka dëmtuar hapur subjektin që përfaqëson me fjalorin e tij të ashpër ndaj grave.

    Sipas Vetëvendosjes, Lushtaku e ka humbur argumentin dhe i ka mbetur vetëm “gjuha e dhunës”.

    “Kur Sami Lushtaku del e flet për ‘kudra që duhen lidhur’, nuk ka nevojë për shpjegime shtesë. Ai vetëm tregon se sa lehtë e sheh nënçmimin e qytetarëve dhe sa natyrshëm i vjen t’i trajtojë njerëzit si objekte për t’u urdhëruar e disiplinuar sipas humorit të tij”, tha Vetëvendosje.

    “Ajo që thotë Lushtaku lidhet drejtpërdrejt me praktikën e tij kontrolluese, por edhe me bindjen se gratë janë të manipulueshme, të drejtuara nga dikush tjetër dhe të ofendueshme sipas nevojës së retorikës së tij. Ironia e zezë është se për të, gratë janë objekt i thjeshtë nënçmimi, ndërkohë që prania e tij në politikë është një ofendim për demokracinë: regres, turp dhe dëmtim i hapur për subjektin që pretendon se e udhëheq, e mban të lidhur dhe e kontrollon njeri për njeri”, thuhet në komunikatë.

    LVV tha se deklarata të tilla dëmtojnë “vetëm autorin e tyre”.

    “Në vitin 2025, këto britma nuk janë shenjë force, por dëshmi e panikut që po e mbyll kapitullin politik”, sipas komunikatës së LVV-së.

  • Flamuri i Kosovës e fotografia e Presidentes në sallën ku Lista Serbe e kthen pushtetin në Zveçan

    Flamuri i Kosovës e fotografia e Presidentes në sallën ku Lista Serbe e kthen pushtetin në Zveçan

    Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, sot do të mbahen seancat konstituive në të cilat kryetarët e rinj nga Lista Serbe do të marrin përsëri pushtetin.

    Në Zveçan, në sallën ku do të bëhet betimi janë vendosur flamuri i Kosovës si dhe fotografia e Presidentes Vjosa Osmani, shkruan Reporteri.net.

    Pamjet ku shihen simbolet shtetërore janë publikuar nga “Interaktiv Talks”.

    Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kishte konfirmuar se ceremonitë inauguruese pritet të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet e përcaktuara me ligj, duke përfshirë përdorimin korrekt të elementeve shtetërore të Republikës së Kosovës.

    Ai kishte thënë se në rast të mosrespektimit të procedurave, MAPL do t’i shpallë të paligjshme dhe jolegjitime seancat përkatëse

    “Në çdo rast kur konstatohet mosrespektim i këtyre procedurave, MAPL do t’i shpallë të paligjshme dhe jolegjitime seancat përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.

  • Doktori Berisha tregon për herë të parë se çfarë i kishte thënë Thaçit gjatë vizitës në QKUK

    Doktori Berisha tregon për herë të parë se çfarë i kishte thënë Thaçit gjatë vizitës në QKUK

    Doktori i njohur Adriatik Berisha për herë të parë ka treguar se çka i kishte thënë ish-presidenti të Kosovës, Hashim Thaçi, kur ky i fundit e kishte vizituar babën e tij të sëmur në QKUK.

    Në një intervistë për ATV, doktori Berisha ka bërë me dije se derisa ishte përshëndetur me ish-presidentin te shkallet e QKUK-së i kishte uruar kthim të shpejt në Kosovë.

    “Rruga e mbar e u kthesh sa më shpejt në vendin që ia ka shpall pavarësinë”, ka thënë Berisha.

    Hematologu Adriatik Berisha, i cili do të jetë kandidat i PDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, është bërë i njohur për publikun në mars të këtij viti, kur ish-presidenti Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale erdhi në QKUK për të vizituar babanë e tij në sëmur.

    Gjatë kësaj vizite, Adriatik Berisha i kishte qëndruar vazhdimisht pranë Thaçit.

    Madje, ai ishte njeriu i fundit që e kishte përqafuar ish-presidentin para së ai të futej në veturën e EULEX-it për t`u nisur drejt Hagës.

  • OVL-UÇK e konfirmon: Protesta e radhës për çlirimtarët mbahet më 13 dhjetor në Shkup

    OVL-UÇK e konfirmon: Protesta e radhës për çlirimtarët mbahet më 13 dhjetor në Shkup

    Protesta e radhë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, do të mbahet në Shkup.

    OVL-UÇK në një konferencë për media ka konfirmuar se protesta do të mbahet më 13 dhjetor, në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.

    Kjo është protesta e pestë me radhë për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.

    Deri tani protesta të këtij lloji janë mbajtur në Prishtinë, Hagë, Tiranë e Strasburg.

    Ish-krerët e UÇK-së tash e pesë vjet po mbahen në paraburgim në Hagë. Gjykimi ndaj tyre është drejt fundit.

    Thaçi, ish-president i Kosovës; Veseli e Krasniqi, ish-kryeparlamentarë; dhe Selimi, ish-deputet, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

  • Vrasja e shqiptares në Itali, arrestohet autori i dyshuar, u gjet i plagosur në pyll

    Vrasja e shqiptares në Itali, arrestohet autori i dyshuar, u gjet i plagosur në pyll

    Autoritetet italianë kanë arritur të vënë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së 49-vjeçares shqiptare, Sadjide Muslija në Ankona. Nazif Muslija u arrestua pasi u zbulua nga një gjuetar në një zonë të pyëllëzuar pasditen e së enjtes.

    50-vjeçari është gjetur i plagosur rëndë ndërsa dyshohet se ai ka tentuar t’i japë fund jetës. Ndaj tij rëndojnë akuzat se është autor i vrasjes së gruas së tij e cila u gjet e vdekur në banesën e saj me plagë nga dhuna e ushtruar ndaj saj.

    Zyra e Prokurorit të Ankonës kishte lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për Muslijën, i cili pas vdekjes së gruas së tij ishte zhdukur dhe nuk ishte paraqitur në punë duke rritur akoma më shumë dyshimet se ai është autori i vrasjes.

    Muslija ishte larguar me një makinë “Smart”, ndërsa telefoni i tij ishte i fikur që nga pas ngjarjes. Ai rezulton i dënuar më parë për dhunë në familje dhe ishte arrestuar në prill pasi kishte sulmuar gruan me sëpatë. Gjithashtu bëhet me dije se çifti ishin rikthyër bashkë kohët e fundit.

  • Shpejtim Bulliqi emëron nënkryetarin e Podujevës

    Shpejtim Bulliqi emëron nënkryetarin e Podujevës

    Me vendim të kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, sot është emëruar nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica.

    Fahri Restelica ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 2008 ka punuar si zyrtar i lartë në Agjencinë për Barazi Gjinore, në kuadër të zyrës së kryeministrit.

    Fahriu për disa vjet ka qenë koordinator i Lëvizjes Vetëvendosje! qendra në Besianë.
    Kryetari Bulliqi e uroi nënkryetarin Restelica për detyrën e re, duke i dëshiruar punë të mbarë e suksese!

  • PDK ankohen te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jashtë vendit

    PDK ankohen te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jashtë vendit

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paraqitur ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër vendimit nr. 01/3438-2025 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të datës 26.11.2025.

    Në ankesë, PDK-ja pretendon se vendimi i KQZ-së cenon Ligjin nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke zgjeruar në mënyrë të paautorizuar konceptin e qendrave të votimit jashtë vendit — përfshirë hapësira private dhe klube që nuk kanë status diplomatik.

    Sipas kësaj partie, qasja e KQZ-së është në kundërshtim edhe me standardet ndërkombëtare të përcaktuara në Konventat e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike dhe Konsullore.

    PDK-ja paralajmëron se përdorimi i hapësirave të paautorizuara rrezikon sigurinë juridike dhe integritetin e procesit zgjedhor, duke pamundësuar mbikëqyrjen objektive nga KQZ.

    Në përfundim, Partia Demokratike kërkon që PZAP të anulojë vendimin e KQZ-së dhe të sigurojë që votimi jashtë vendit të zhvillohet vetëm në hapësira zyrtare dhe të autorizuara diplomatike.

  • Qeveria mblidhet “online”, i merr dy vendime

    Qeveria mblidhet “online”, i merr dy vendime

    Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka marrë dy vendime.

    Në mbledhjen online janë marrë dy vendime.

    Qeveria ka ndarë 141,680 euro për realizimin e projekteve përmes marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    Po ashtu në këtë mbledhje është miratuar kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, për kursime dhe ndarje.

  • Simbolet shtetërore të Kosovës vendosen në sallat ku do të bëhet inaugurimi i kryetarëve serbë në veri

    Simbolet shtetërore të Kosovës vendosen në sallat ku do të bëhet inaugurimi i kryetarëve serbë në veri

    Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, sot do të mbahen seancat konstituive në të cilat kryetarët e rinj nga Lista Serbe do të marrin përsëri pushtetin.

    Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Erden Atiq në Mitrovicë të Verijut, Lulzim Hetemi në Leposaviq dhe Ilir Peci në Zveçan, sot do t’ua dorëzojnë detyrën kryetarëve të rinj që vijnë nga Lista Serbe.

    Gjithçka është gati në ambientet e asambleve komunale në veri, ku seancat inauguruese në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës do të mbahen sot, duke filluar nga ora 11:00.

    Sipas pamjeve të publikuara, simbolet shtetërore të Kosovës shihen në ambientet ku do të bëhen inaugurimet.

    Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kishte konfirmuar se ceremonitë inauguruese pritet të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet e përcaktuara me ligj, duke përfshirë përdorimin korrekt të elementeve shtetërore të Republikës së Kosovës.

    Ai kishte thënë se në rast të mosrespektimit të procedurave, MAPL do t’i shpallë të paligjshme dhe jolegjitime seancat përkatëse

    “Në çdo rast kur konstatohet mosrespektim i këtyre procedurave, MAPL do t’i shpallë të paligjshme dhe jolegjitime seancat përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.