ATV

Category: Lajme

  • Partitë prezantojnë slloganet për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit

    Partitë prezantojnë slloganet për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit

    Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit ka hyrë në fazën e prezantimit të mesazheve kryesore, ndërsa partitë politike kanë publikuar slloganet me të cilat synojnë t’i drejtohen elektoratit.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë me slloganin “Siguri dhe begati. Mos lësho pe!”, duke u bërë thirrje qytetarëve që të këmbëngulin në kërkesën për siguri, zhvillim dhe mirëqenie.

    LVV thekson se synon forcimin ekonomik të vendit, mbështetjen e familjeve punëtore dhe garantimin e sigurisë së përgjithshme në çdo aspekt të jetës.

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zgjedhur slloganin “Bashkë. Përpara.”, të shoqëruar me mesazhin “Për të gjithë qytetarët. Për Kosovën”, duke u fokusuar në unitetin politik dhe ecjen përpara me një vizion të përbashkët për vendin.

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka prezantuar slloganin motivues “Zgjidh shpresën”. Zgjedhni punën. Zgjedhni LDK-në.”, duke synuar të tërheqë votuesit përmes ofertës së stabilitetit, punës dhe rikthimit të besimit në institucione.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka dalë me slloganin e shkurtër dhe emocional “Krah teje”, që synon të komunikojë afërsinë dhe mbështetjen ndaj qytetarëve në sfidat e përditshme.

    Ndërsa Nisma Socialdemokrate ka vendosur të garojë me slloganin “me Fatmir Limaj”, duke e personalizuar fushatën rreth figurës së liderit të saj.

  • Nesër mbyllet përkohësisht një segment i rrugës në Vushtrri, Durmishi: Përdorni rrugën alternative

    Nesër mbyllet përkohësisht një segment i rrugës në Vushtrri, Durmishi: Përdorni rrugën alternative

    Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se nesër do të mbyllet përkohësisht segmenti Smrekonicë hyrja në Vushtrri (drejtimi për Prishtinë), për shkak të punimeve në asfaltimin e bypass-it të qytetit të Vushtrrisë.

    Përmes një njoftimi në facebook Durmishi ka bërë të ditur se rruga do të jetë e mbyllur nga ora 08:00 deri në 14:00.

    “Nesër, më 13.12.2025, për shkak të asfaltimit të bypass-it të Vushtrrisë, segmenti Smrekonicë – hyrja në Vushtrri (drejtimi për Prishtinë) do të jetë i mbyllur nga 08:00 – 14:00. Përdorni rrugën alternative nëpër qytetin e Vushtrrisë. Faleminderit për mirëkuptimin.”, ka shkruar Durmishi.

  • Pesë burra dënohen për abuzim me vajza të mitura në Britani, mes tyre edhe një shqiptar

    Pesë burra dënohen për abuzim me vajza të mitura në Britani, mes tyre edhe një shqiptar

    Pesë burra që ishin pjesë e një bande që përdhunonte dhe sulmonte seksualisht vajzat që takonin në një park janë burgosur me dënime që variojnë nga 18 muaj deri në 14 vjet.

    Gjykata e Kurorës në Newcastle, Mbretëri e Bashkuar, dëgjoi se si katër burrat rumunë dhe një shqiptar shënjestruan vajza të cenueshme në Saltwell Park, Gateshead, midis viteve 2015 dhe 2019.

    Një nga gjashtë viktimat ishte një vajzë 14-vjeçare e cila u bë e varur nga kokaina që i ishte dhënë nga burrat.

    E quajtur Vajza B, për të mbrojtur identitetin e saj, ajo tha: “Nuk e di nëse do të jetoj ndonjëherë një jetë normale. Jam gjithë kohës në ankth, veçanërisht nëse jam vetëm”.

    Ajo shtoi se ndihej e mbingarkuar dhe qante shpesh.

    Banda e burrave ishte shpallur fajtore për veprat penale në një gjyq në tetor, shkruan BBC.

    Codrin Dura, 27 vjeç, u dënua me 13 vjet burg për dy akuza për përdhunim, tre akuza për aktivitet seksual me një fëmijë, tentativë përdhunimi, shantazh dhe sulm seksual, të gjitha në lidhje me një vajzë të njohur si Vajza A për të mbrojtur identitetin e saj.

    Dura u shpall gjithashtu fajtor për dy akuza për përdhunimin e një vajze të dytë, Vajzës B, dhe u dënua për organizimin e kryerjes së një krimi seksual me fëmijë dhe furnizimin me drogë të Klasit A.

    Leanoard Paun, 24 vjeç, u dënua me pesë vjet e një muaj burg për aktivitet seksual me një fëmijë dhe një akuzë për përdhunim në lidhje me Vajzën B, dy akuza për organizim të kryerjes së një vepre penale seksuale me fëmijë, shpërndarje të një imazhi të pahijshëm të një fëmije dhe furnizim me drogë të Klasit A.

    Bogdan Gugiuman, 44 vjeç, u dënua me 14 vjet burg për tre akuza për përdhunim që lidheshin me Vajzën B dhe u dënua për furnizim me drogë të Klasit A.

    Gjykatësi tha se ai nuk tregoi “asnjë shprehje pendimi” për atë që i bëri vajzës, e cila ishte 14 vjeç në atë kohë.

    Shtetasi shqiptar Klaudio Aleksiu, 28 vjeç, u dënua me gjashtë vjet burg për një akuzë për përdhunimin e vajzës B dhe furnizimin me drogë të Klasit A. Ai ishte 21 dhe 22 vjeç në kohën e kryerjes së veprave penale.

    Stefan Ciuraru, 23 vjeç, u dënua me 18 muaj burg për katër akuza për sulm seksual ndaj vajzave B, C dhe D, aktivitet seksual me një fëmijë, vajzën E, dhe nxitje të një fëmije, vajzës F, për t’u angazhuar në aktivitet seksual.

    Gjykatësi tha se kombësitë e të pandehurve ishin “të parëndësishme për procesin e dënimit” dhe mosha e shumicës së tyre në kohën e kryerjes së veprave penale vendoste “një kufizim të konsiderueshëm në dënimet që mund t’i shqiptoheshin.

  • Mjegulla mbi rrugët e Kosovës, Policia del me një apel për vozitësit

    Mjegulla mbi rrugët e Kosovës, Policia del me një apel për vozitësit

    Policia e Kosovës ka apeluar tek qytetarët që të tregohen të kujdesshëm në vozitje, pasi ka filluar shfaqja e mjegullës në vendet ku pozita gjeografike është më e ulët.

    Në njoftimin e lëshuar për media, Policia u bën thirrje vozitësve që t’i përdorin dritat e mjegullës, por jo edhe ato me rreze të gjatë.

    “Ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të pamundur që shoferët e tjerë t’ju shohin”, thuhet në njoftim.

  • “Siguri dhe begati”, slogani i Vetëvendosjes në zgjedhje

    “Siguri dhe begati”, slogani i Vetëvendosjes në zgjedhje

    Lëvizja Vetëvendosje ka bërë publik sloganin e zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.

    “Siguri dhe begati” është slogani i partisë që po synon të qeverisë edhe për 4 vjet të tjera, e që pohon se punon për pasuruar shtetin, shoqërinë dhe ata që nuk kanë.

    Motoja e LVV-së bazohet mbi mos të lëshuarit pe.

    “Ne punojmë për siguri dhe begati të vendit tonë. Ne nuk do të lëshojmë pe. Mos lëshoni dhe ju pe për Kosovën të begatë e të sigurtë” thuhet në njoftim.

    Ky është postimi i plotë i partisë:

    I ftojmë qytetarët tanë, kudo ku janë e punojnë që të mos lëshojnë pe nga kërkesa për begati e siguri.

    Ne punojmë për ta pasuruar shtetin, shoqërinë, ata që nuk kanë, brezat e rinj, e mbi gjitha familjet, prindërit që punojnë çdo ditë me plot sakrifica.

    Ne punojmë për ta pasur shtetin e sigurtë, ekonominë e forcuar, sigurinë e jetës, punës, familjes, sigurinë financiare çdo grua e burrë në vendin tonë.

    Ne punojmë për siguri dhe begati të vendit tonë. Ne nuk do të lëshojmë pe. Mos lëshoni dhe ju pe për Kosovën të begatë e të sigurtë.

  • Irani arreston fituesen e Nobelit për Paqe, Narges Mohammadi

    Irani arreston fituesen e Nobelit për Paqe, Narges Mohammadi

    Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe më 2023 nga Irani, Narges Mohammadi është arrestuar së bashku me disa aktivistë të tjerë për të drejtat e njeriut. Ata u arrestuan gjatë një ceremonie përkujtimore në Mashhad, qytet në verilindje të Iranit.

    Sipas Fondacionit Narges Mohammadi, arrestimi ndodhi më 11 dhjetor, gjatë një ceremonie për shënimin e ditës së shtatë të vdekjes së Khosrow Alikordi, një avokat i njohur dhe avokues për të drejtat e njeriut.

    Një turmë e madhe mori pjesë në ceremoni, ku të pranishëm ishin edhe aktivistë të shquar, ish të burgosur politikë dhe familjarë që kërkonin drejtësi për viktimat e dhunës shtetërore.

    Përmes një postimi në llogarinë e Mohammadit në X, u tha se ajo u “arrestua në mënyrë të dhunshme nga agjentët e sigurisë”. Bashkëshorti i saj, Taghi Rahmani, që jeton në Francë, konfirmoi se “Narges Mohammadi, Sepideh Gholian dhe disa të tjerë” u arrestuan gjatë këtij tubimi.

    Përplasje me forcat e sigurisë
    Video që qarkulluan në rrjetet sociale treguan një pjesëmarrje të madhe, me protestues që brohorisnin parulla kritike ndaj Republikës Islamike. Në një video që është shpërndarë shumë, Mohammadi dhe aktivistja tjetër Sepideh Gholian u panë duke qëndruar mbi një makinë, duke udhëhequr turmën me brohoritje sikurse “Rroftë Irani!”.

    Pamjet e tjera treguan forcat e sigurisë duke u përplasur me pjesëmarrësit, me oficerët që sulmonin protestuesit ndërsa ata brohorisnin parulla kundër autoriteteve.

    Zyrtarët në Mashhad më vonë konfirmuan se disa aktivistë civilë ishin arrestuar. Sipas zyrtarëve, ndalimi i Mohammadit ishte i përkohshëm dhe ishte urdhëruar nga zyra e prokurorit për shkak të asaj që ata e përshkruanin si “parulla që shkelin normat”. Sipas zyrtarëve, ata janë vendosur “nën mbrojtje” dhe se arrestimet u kryen “për sigurinë e tyre”.

    Raportimet e mëhershme thanë se edhe disa figura të tjera të njohura, përfshirë Nasrin Sotoudeh, Aliyeh Motallebzadeh dhe Hasti Amiri, ishin të pranishme në këtë ceremoni.

    Narges Mohammadi, 53 vjeçe, ka kaluar pjesën më të madhe të dekadës së fundit pas grilave. Ajo po vuante një dënim prej 13 vjetësh e nëntë muajsh burgim para se të lirohej për arsye shëndetësore në fillim të dhjetorit të vitit 2024.

    Pas arrestimit të fundit, raportohet se ajo po merr trajtim mjekësor.

    Që nga lirimi më 2024, Mohammadi kishte rifilluar aktivitetin e saj në fushën e të drejtave të njeriut, duke u takuar me aktivistë në të gjithë Iranin dhe duke marrë pjesë në diskutime ndërkombëtare, përfshirë konferenca virtuale me zyrtarë të huaj.

  • Tre të lënduar nga aksidenti i rëndë në Gllarevë të Klinës, Policia jep detaje

    Tre të lënduar nga aksidenti i rëndë në Gllarevë të Klinës, Policia jep detaje

    Tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti mes dy veturave në Gllarevë të Klinës.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    “Një aksident mes dy veturave ka ndodhur në Gllarevë. Si pasojë kanë mbetur të lënduar tre persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor”, tha Gashi.

  • Gjykata Kushtetuese rikthen në detyrë zëvendëskryeministren e Shqipërisë, Belinda Ballukun

    Gjykata Kushtetuese rikthen në detyrë zëvendëskryeministren e Shqipërisë, Belinda Ballukun

    Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë dhe të kthejë në detyrë zv.kryeministren e Shqipërisë, Belinda Balluku, pasi mori në shqyrtim ankimin e Kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme.

    Me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës. Vendimi i pezullimit do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

    Gjykata e Posaçme dha dy masa sigurie për Ballukun pasi e mori të pandehur, pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë vendit. Qeveria thotë se pezullimi është ndërhyrje në kompetencat e Ekzekutivit dhe kërkon shfuqizimin e kësaj mase.

    Balluku u mor e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe.

  • Policia dhe Ambasada amerikane nisin ushtrimin e përbashkët, kërkohet mirëkuptim nga qytetarët

    Policia dhe Ambasada amerikane nisin ushtrimin e përbashkët, kërkohet mirëkuptim nga qytetarët

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ushtrimi i përbashkët i planifikuar të realizohet sot në orët e mbrëmjes (15:00 -21:00), së bashku me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, tani veçse ka filluar dhe është në fazën fillestare.

    Varësisht nga informacionet dhe skenarët e përgatitur në ushtrim, do të kyçen njësitë policore, duke filluar nga njësitë patrulluese të rendit publik, njësitë e reagimit të shpejtë e deri te njësitë elite speciale të profileve të ndryshme, të cilat do të përdorin mjetet dhe pajisjet e nevojshme logjistike, për veprime policore varësisht nga situata dhe rrethanat e paraqitura.

    “Kërkojmë bashkëpunim dhe mirëkuptim të plotë nga qytetarët e në veçanti nga pjesëmarrësit në trafik, që në këtë kohë të shmangin qarkullimin në zonën përreth Ambasadës Amerikane në Prishtinë – lagjja Arbëria, për shkak të zhvillimit të ushtrimit dhe ndërprerjes së qarkullimit të përkohshëm të disa segmenteve rrugore në atë zonë’, ka njoftuar Policia e Kosovës.

  • Ushtarët amerikanë të KFOR-it kryejnë trajnime për neutralizimin e dronëve

    Ushtarët amerikanë të KFOR-it kryejnë trajnime për neutralizimin e dronëve

    Në kuadër të misionit të KFOR-it, ushtarët amerikanë kanë kryer trajnime të specializuara për neutralizimin e dronëve.

    Sipas KFOR-it, këto ushtrime synojnë të rrisin efektivitetin e misionit përballë sfidave të reja të sigurisë.

    “Ushtarët amerikanë nga Komanda Rajonale Lindje nga misioni KFOR i udhëhequr nga NATO-ja së fundmi kanë kryer trajnime të specializuara për përmirësimin e aftësisë së tyre për të zbuluar, ndjekur dhe neutralizuar dronët – një aftësi gjithnjë e më esenciale në mjedisin e sotëm të sigurisë”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

    Sistemet e përdorura gjatë trajnimeve përfshijnë mjete që ndërhyjnë në funksionimin e dronëve:

    “Sistemi prish frekuencën e kontrollit të dronit, duke e detyruar atë të kthehet te operatori i tij, dhe gjithashtu mund të ndërhyjë në sinjalet GPS/GNSS, duke bërë që droni të qëndrojë pezull, të ulet ose të rrëzohet”.

    KFOR-i thekson se këto ushtrime forcojnë aftësitë teknike të ushtarëve, duke nxjerrë në pah rëndësinë e koordinimit, punës ekipore dhe përshtatshmërisë në përballimin e kërcënimeve ajrore në zhvillim.

    “Këto ushtrime forcojnë aftësinë teknike duke theksuar koordinimin, punën ekipore dhe përshtatshmërinë në përgjigje të kërcënimeve ajrore në zhvillim. KFOR-i i zotëron këto aftësi dhe i ka përdorur tashmë ato në skenarë operacionalë, duke rritur efektivitetin e misionit në adresimin e sfidave të reja të sigurisë”.