ATV

Category: Lajme

  • Policia konfirmon vdekjen e gruas që ra nga ndërtesa në Podujevë – nisin hetimet për sqarimin e rastit

    Policia konfirmon vdekjen e gruas që ra nga ndërtesa në Podujevë – nisin hetimet për sqarimin e rastit

    Një grua ka vdekur në Podujevë si pasojë e rënies nga një ndërtesë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili tha se vdekja e viktimës u konfirmua në vendngjarje.

    “Sot rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën se në rrugën “Ilir Konushevci” në Podujevë, një person ka rënë nga një lartësi (objekt). Viktima nuk ka arritur të përballojë plagët dhe ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”.

    Pllana tha se policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke zhvilluar hetimet lidhur me sqarimin e rrethanave të rastit.

  • Vdes pjesëtari i Policisë së Kosovës Shefkat Llutfiu

    Vdes pjesëtari i Policisë së Kosovës Shefkat Llutfiu

    Sindikata e Policisë së Kosovës ka njoftuar për vdekjen e policit, Shefkat Llutfiu.

    Njoftimi i plotë:

    Telegram ngushëllimi!

    Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të zyrtarit policor Shefkat Llutfiu.

    Në emër të Sindikatës së Policisë së Kosovës, shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve të të ndjerit. Kujtimi dhe kontributi i tij në shërbim të qytetarëve do të mbeten gjithmonë të respektuara.

    Qoftë i përjetshëm kujtimi për të.

  • Ukraina me kryeministër të ri

    Ukraina me kryeministër të ri

    Parlamenti i Ukrainës (Verhovna Rada) ka konfirmuar emërimin e Serhii Koretskyi, si kryeministrin e ri të vendit. Për zgjedhjen e tij votuan 289 deputetë.

    Koretskyi vjen në krye të qeverisë nga posti i drejtorit ekzekutiv të kompanisë shtetërore të energjisë Naftogaz, ndërsa më parë drejtoi edhe Ukrnafta, prodhuesin më të madh të naftës në Ukrainë.

    Ai nuk ka ndërtuar karrierë politike, por ka më shumë se dy dekada përvojë në sektorin privat, shkruajnë mediat.

    Presidenti Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se prioritetet e qeverisë së re do të jenë përgatitja për dimrin e ardhshëm, mbrojtja e infrastrukturës energjetike, stabilizimi i ekonomisë dhe menaxhimi më efikas i ndihmës ndërkombëtare.

    Para deputetëve, Koretskyi tha se qeveria do të përqendrohet në furnizimin e plotë të forcave të armatosura, forcimin e industrisë ushtarake, mbështetjen e qytetarëve dhe sistemit social, veçanërisht për banorët pranë vijës së frontit.

    Ai theksoi se përgatitja për sezonin e ngrohjes dhe ruajtja e stabilitetit ekonomik do të jenë ndër detyrat kryesore, krahas thellimit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe zbatimit të programeve të strehimit.

    Në fund të vitit 2022, ai mori drejtimin e Ukrnafta dhe Ukrtatnafta, duke i kthyer kompanitë nga humbjet shumëvjeçare në fitime rekord, me rritje të prodhimit dhe modernizim të aseteve.

    Në vitin 2025 ai u emërua në krye të Naftogaz, ku rriti rezervat e gazit në mbi 13 miliardë metra kub dhe siguroi miliarda euro financim nga institucionet financiare ndërkombëtare, megjithëse planet për rritjen e prodhimit u penguan nga sulmet ruse.

    Tashmë, sfida më e madhe për kryeministrin e ri do të jetë të dëshmojë se mund ta zbatojë përvojën e tij menaxheriale në drejtimin e Ukrainës gjatë kohës së luftës, duke siguruar njëkohësisht mbështetje politike dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

  • Deklarata e Paunoviqit, eurodeputeti çek kërkon përjashtimin e Serbisë nga negociatat me BE-në

    Deklarata e Paunoviqit, eurodeputeti çek kërkon përjashtimin e Serbisë nga negociatat me BE-në

    Eurodeputeti çek, Tomáš Zdechovský, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe duke kërkuar pasoja në procesin e integrimit evropian të Serbisë.

    Zdechovský tha se ishte i tronditur nga ajo që dëgjoi nga ministrja serbe, duke theksuar se retorika e saj është e papajtueshme me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

    “Isha plotësisht i shokuar nga ajo që dëgjova nga ministrja e Serbisë. Nuk ishte vetëm tronditje, por diçka krejtësisht e papranueshme. Nëse kjo grua është vërtet ministre, ne duhet ta nxjerrim Serbinë nga negociatat”, deklaroi eurodeputeti çek.

    Ai e krahasoi deklaratën e Paunoviqit me relativizimin e krimeve naziste pas Luftës së Dytë Botërore.

    “Është sikur dikush, pasi viziton Aushvicin pas Luftës së Dytë Botërore, të thotë se Hitleri ishte zgjidhja më e mirë për çështjen hebraike. Kjo është plotësisht e papranueshme”, u shpreh Zdechovský.

    Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të japë një mesazh të qartë se askush që përdor një retorikë të tillë nuk mund të bëhet pjesë e bllokut evropian.

    “Duhet të dërgojmë një mesazh të qartë: askush me këtë lloj retorike nuk do t’i bashkohet Bashkimit Evropian”, theksoi ai.

    Deklaratat e Zdechovskýt vijnë pas reagimeve të shumta ndërkombëtare ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila është kritikuar gjerësisht për deklaratat e saj lidhur me Kosovën, të cilat janë cilësuar si nacionaliste dhe nxitëse.

  • ​Kamberi: Deklaratat e ministres serbe kanë krijuar frikë dhe pasiguri te shqiptarët në Luginë të Preshevës

    ​Kamberi: Deklaratat e ministres serbe kanë krijuar frikë dhe pasiguri te shqiptarët në Luginë të Preshevës

    Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se qëndrimet e ministres serbe Snezhana Paunoviq kanë shkaktuar shqetësim dhe ndjenjë pasigurie te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

    Më 12 korrik 2026, gjatë një interviste të dhënë medias serbe “Kurir”, në cilësinë e ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq ka deklaruar: “Po të isha unë Sllobodan Millosheviq do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998.”

    Sipas Kamberit, edhe pse Paunoviq nuk ka kompetenca për të ndërmarrë veprime në Kosovë, deklaratat e saj kanë ndikim të drejtpërdrejtë te komuniteti shqiptar në Luginë, veçanërisht sa i përket ndjenjës së sigurisë dhe qetësisë.

    Kamberi ka theksuar se pozita institucionale e ministres, e cila mbulon fusha që lidhen me administratën publike dhe regjistrat qytetarë e zgjedhorë, rrit shqetësimet te shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ai ka paralajmëruar se çdo politikë që mund të ndikojë në statusin e qytetarëve apo në përbërjen demografike të zonës do të shihej si kërcënim serioz.

    “Zonja Paunoviq duke mos pasur as kompetencën më të vogël me bë diçka në Kosovë. Por deklarata e saj drejtpërdrejt reflekton mbi ndjenjat, mbi sigurinë, mbi qetësinë e shqiptarëve këtu në Luginë të Preshevës. Sepse nëse ambicia e saj është të shpërngulë dy milionë shqiptarë të Kosovës, ajo si ministre e pushtetit lokal, e cila mbikëqyr regjistrat zgjedhorë, e cila statusin e qytetarëve e mbikëqyr atje në ministrinë e saj, e ka më lehtë politikën e saj të spastrimit etnik ta zbatojë në Luginë të Preshevës… Po sigurisht që kur vjen nga një ministre, përgjegjëse për shumë të drejtat qytetare, nga një qeveri e cila hesht, nga presidenti i cili mundohet të relativizojë deklaratën e saj dhe nga kryetari i Partisë Socialiste që njëkohësisht është edhe zëvendëskryeministër edhe ministër i Punëve të Brendshme, vendi për frikë është i realshëm. Prandaj edhe, edhe shqetësimet edhe te unë edhe te Luginës së Preshevës dhe te shqiptarët këtu… Është deklaratë që nxit shqetësime, por ne nuk do të dorëzohemi para çfarëdo kërcënimi që mund të vijë nga Beogradi, qoftë ai i vërtetë apo imagjinar. Sepse kërcënimet e saj ndaj Kosovës janë vetëm imagjinare, Luginën e Preshevës ka kompetenca për të bërë veprime antinjerëzore, anticivilizuese, dhe që mund të çojnë në zvogëlimin e numrit të shqiptarëve. Por kjo nuk do të thotë se ne, pavarësisht deklaratave që vijnë nga Beogradi, do të dorëzohemi. Beteja jonë politike vazhdon, beteja jonë për të drejta ka me vazhdu, e do të duhet të jemi edhe më të ashpër edhe më këmbëngulës në kërkesat e tona që janë të drejta dhe që janë në mënyrë absolute konform atyre parimeve që e përbëjnë fundamentin e Bashkimit Evropian”, thotë ai.

    Ai tha se pavarësisht deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiq për distancim nga qëndrimet e Paunoviçit, përpjekjet për relativizimin e tyre tregojnë, sipas tij, se një pjesë e establishmentit politik serb nuk është shkëputur plotësisht nga trashëgimia politike e viteve ’90.

    “Tregon një mendësi të pandryshuar, një mendësi që i vjen keq që Millosheviqi nuk e kryejti punën, prandaj edhe është ndërruar. Jo një mendësi e cila nuk e ka përllogaritur gjithë ato që kanë kaluar, gjithë ato që janë zhvilluar dhe dëmin që vetë Serbia e ka pasur nga ato luftëra të përgjakshme, nuk e sheh se gabimi ka qenë fatal në radhë të parë për serbët. Por kjo flet se qeveria e Serbisë, aktualisht, edhe pse kemi zëra edhe nga presidenti dhe nga kryeministri të cilët distancohen në një formë nga deklarata e zonjës Paunoviq, duke tentuar ta relativizojnë deklaratën e saj, dëshmojnë se ata nuk janë larguar nga mendësia e Millosheviqit. Në fakt edhe Vuçiq, edhe Daçiq, janë bijtë politikë të liderëve si Millosheviqi dhe Shesheli dhe nuk mund të pritet diçka më konkrete nga një establishment i tillë që në Serbi për vite me radhë po e mohon politikën gjenocidale që ky shtet e ka bërë në vitet ’90, duke e relativizuar krimet, duke mohuar gjenocidin në Srebrenicë, duke mohuar të gjitha krimet që janë kryer në Kosovë dhe duke tentuar që t’i baraspeshojnë të gjitha ato luftëra që kanë ndodhur, me fajin e dhe të tjerëve, jo vetëm të Serbisë”, shton ai.

    Kamberi bën të ditur se veçse ka nisur procedurat për shkarkimin e ministres serbe Snezhana Paunoviq.

    Ai deklaron se po synon mbledhjen e mbështetjes nga deputetë opozitarë të partive pro-evropiane, të cilët do t’i bashkoheshin kërkesës së grupit të tij parlamentar për largimin e ministres nga qeveria.

    Sipas tij, vendimi për shkarkimin e Paunoviçit nuk varet vetëm nga procedura parlamentare, por edhe nga vlerësimi politik i presidentit serb Aleksandar Vuçiq për dëmin që mund t’i shkaktojë qeverisë qëndrimi i saj në detyrë.

    Kamberi ka thënë se një faktor i rëndësishëm do të jetë edhe reagimi i Bashkimit Evropian, duke kërkuar që qëndrimi i BE-së të jetë më konkret dhe jo vetëm në formë deklaratash.

    “ Po mund të ndodhë, mund të ndodhë shkarkimi. Unë kam nisur procedurën. Shpresoj sot shumë të arrijmë të mbledhim një numër të konsiderueshëm të nënshkrimeve të deputetëve opozitarë të partive pro-evropiane, të cilët i bashkëngjiten kërkesës së grupit tim parlamentar për shkarkimin e saj. Por, a do ta shkarkojnë apo jo, varet nga vlerësimi që Vuçiq do ta bëjë te çfarë dëmi dhe sa dëm mund t’i sjellë qëndrimi i saj edhe më gjatë në qeveri. Pra, thjesht ajo varet nga një vlerësim që Vuçiq do të duhet ta ketë, dhe nga reagimet, në radhë të parë, të Bashkimit Evropian që duhet të vijnë. A do të jenë ato reagime si të herave të kaluara, kur zonja Bërnabiq pat deklaruar se shqiptarët janë njerëz që kanë zbritur nga mali, pati disa reagime të vakëta por jo një reagim konkret, a do të jetë reagimi i BE-së me një deklaratë, siç ju thashë dje, apo do të ketë edhe kërkesa konkrete për shkarkimin e saj…Unë pres që Bashkimi Evropian të luftojë për fundamentet që e ndërtojnë këtë. E kjo është në radhë të parë, gjykimi i ashpër dhe intoleranca zero ndaj politikave që promovojnë spastrimin etnik, krimet e luftës, glorifikojnë kriminelët e luftës, që glorifikojnë krimet e luftës dhe që mohojnë gjenocidin dhe ato krime që janë kryer”, thekson Kamberi.

    Ai thotë se skenën politike serbe ka pak figura që mbajnë qëndrime të ndryshme nga ato të ministres Snezhana Paunoviq.

    Sipas Kamberit, një pjesë e opozitës parlamentare serbe, veçanërisht ajo që kundërshton integrimin në Bashkimin Evropian dhe favorizon afrim më të madh me Rusinë, ka qasje të ngjashme me pushtetin aktual sa i përket trajtimit të së kaluarës së luftës dhe krimeve të viteve ’90.

    Kamberi ka thënë se deklaratat e Paunoviqit nuk kanë qenë thjesht reagime emocionale, por, sipas tij, kanë shprehur hapur një bindje që ekziston te një pjesë e politikës serbe.

    “mjerisht, në politikë pak ka njerëz në Serbi që mendojnë ndryshe nga zonja Paunoviq. Një pjesë e opozitës, e cila është parlamentare, e cila është kundër integrimeve në BE, është për bashkëpunim me Rusinë, është e ngjashme me atë që pushteti promovon për vite, që e thashë te mohimi i krimeve të luftës. Dhe zonja Paunoviq nuk ka folur me emocione, ajo ka folur ndoshta me sinqeritetin më të madh për atë çfarë mendon ajo dhe një pjesë e madhe e kësaj qeverie aktuale dhe e qeverive të ndryshme që Serbia ka pasur ndër vite”, përfundon ai.

  • Aksion i përbashkët me autoritetet amerikane, arrestohet në Prizren i dyshuari për krim kibernetik

    Aksion i përbashkët me autoritetet amerikane, arrestohet në Prizren i dyshuari për krim kibernetik

    Një person është arrestuar në rajonin e Prizrenit nën dyshimin se ka siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe informacione personale të shtetasve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat më pas i ka publikuar në platforma online për keqpërdorim.

    Sipas një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, aksioni është zhvilluar nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në koordinim me Prokurorinë Speciale dhe me urdhër të Gjykatës.

    Autoritetet bëjnë të ditur se hetimi është realizuar në bashkëpunim me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Sipas dyshimeve, i arrestuari, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, ka siguruar në mënyrë të paautorizuar të dhëna të kartelave bankare dhe të dhëna personale, kryesisht të shtetasve amerikanë, të cilat më pas i ka vënë në dispozicion për keqpërdorim duke i publikuar në platforma të caktuara online.

    Gjatë kontrollit në një lokacion në rajonin e Prizrenit janë sekuestruar prova relevante që lidhen me rastin.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet janë duke vazhduar. Policia dhe Prokuroria kanë bërë të ditur se veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në koordinim me autoritetet amerikane.

  • Bullgaria dërgon 97 ushtarë në Kosovë, i bashkohen misionit paqeruajtës të KFOR-it

    Bullgaria dërgon 97 ushtarë në Kosovë, i bashkohen misionit paqeruajtës të KFOR-it

    Një kontingjent prej 97 ushtarësh bullgarë është nisur nga qyteti i Stara Zagorës për t’iu bashkuar misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Kosovë.

    Pjesa më e madhe e kontingjentit përbëhet nga ushtarë të Brigadës së Dytë të Mekanizuar “Tundja”, të cilët do të dislokohen në Komandën Rajonale Perëndimore, me bazë në kampin “Villaggio Italia”.

    Sipas raportimit të bnrnews.bg, ushtarët bullgarë do të qëndrojnë në Kosovë për gjashtë muaj, gjatë të cilëve do të kryejnë patrullime, misione vëzhgimi dhe detyra për mbështetjen e sigurisë në zonën e tyre të përgjegjësisë.

    Shefi i Kabinetit Politik të Ministrit bullgar të Mbrojtjes, Vladko Vladov, tha se dislokimi i kontingjentit dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Bullgarisë ndaj operacioneve të NATO-s dhe kontributin e saj për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

    Ndërkaq, komandanti i Forcave Tokësore të Bullgarisë, gjeneralmajor Deyan Deshkov, kujtoi se personeli ushtarak bullgar ka marrë pjesë në misionin e KFOR-it për 26 vjet, duke fituar reputacion për disiplinë dhe profesionalizëm gjatë rotacioneve të shumta.

    Para nisjes drejt Kosovës, pjesëtarët e kontingjentit morën një ikonë të Shën Gjergjit, shenjtit mbrojtës të ushtrisë bullgare.

    Ikona iu dorëzua nga nënkryetarja e Komunës së Stara Zagorës, Milena Jeleva, si simbol mbështetjeje dhe urimi për një mision të suksesshëm.

  • Mbi 50 deputetë opozitarë në Serbi kërkojnë shkarkimin e ministres Paunoviq pas deklaratës për Kosovën

    Mbi 50 deputetë opozitarë në Serbi kërkojnë shkarkimin e ministres Paunoviq pas deklaratës për Kosovën

    Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, njoftoi të enjten se 53 deputetë opozitarë ia kanë dorëzuar një kërkesë kryeministrit serb për shkarkimin e ministres Snezhana Paunoviq, pas deklaratës së saj për “spastrim etnik” në Kosovë.

    Në një shkrim në Facebook, Kamberi tha se grupi parlamentar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik, iniciuan shkarkimin e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale.

    Ata i kërkuan kryeministrit serb Gjuro Macut që, “pa asnjë vonesë”, t’i propozojë Kuvendit të Serbisë shkarkimin e ministres Paunoviq, e cila u shpall person i “padëshirueshëm” në Kosovë.

    Nuk është e qartë nëse Macut do ta bëjë një propozim të tillë në Kuvendin serb me 250 vende.

    Paunoviq deklaroi të shtunën për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” – duke nxitur reagime dhe dënime në Kosovë dhe më gjerë.

    Millosheviq ishte president i Republikës Federale të Jugosllavisë dhe i akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte.

    Kamberi theksoi të enjten se kryeministri Macut ka përgjegjësi politike dhe institucionale të reagojë dhe të dëshmojë se në Qeverinë e Serbisë nuk ka vend për një ministre që mbron idetë e dëbimit të njerëzve mbi bazën e përkatësisë së tyre kombëtare dhe që promovon veprime jashtë ligjit dhe procedurave gjyqësore.

    “Nëse Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë”, tha ai.

    Kamberi tregoi se nisma e tyre nuk u mbështet nga partitë e pakicave nacionale, të cilat janë pjesë e Qeverisë.

    “Pra, shkarkimin e ministres Paunoviq nuk e kanë përkrahur as partia boshnjake e Zukorliqit, as partia boshnjake e Lajiqit dhe as partia hungareze e Pastorit”, shtoi ai.

    Deklaratat e Paunoviqit u dënuan nga Bashkimi Evropian dhe Kosova, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se komentet e saj “nuk pasqyron vullnetin tim, e as të Qeverisë së Serbisë”.

    Të enjten, komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, përsëriti dënimin e saj ndaj deklaratave të Paunoviqit dhe shprehu habinë pse ajo vazhdon të mbetet ministre.

    Vëzhgues nga Kosova dhe Serbia thanë Radion Evropa e Lirë se deklarata e Paunoviqit është pjesë e një modeli politik të Serbisë karshi Kosovës, duke kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të mos mjaftohet vetëm me reagime, por të ndërmarrë veprime konkrete ndaj Serbisë.

    Deklaratat e saj prekin plagë të vjetra në Kosovë, pasi qindra mijëra civilë shqiptarë u dëbuan nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-1999.

    Ajo luftë ua mori jetën mbi 13.000 civilëve, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë mbetën të zhdukur.

    Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.

    Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë i cilësoi drejtuesit e atëhershëm të RFJ-së si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova në vitin 1999.

    Sipas aktgjykimeve, qëllimi ishte “ndryshimi i balancës etnike për të ruajtur kontrollin serb mbi Kosovën”.

    I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim para përfundimit të gjykimit, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm./REL/

  • AUV thotë se po i analizon ende mostrat e “VITA”: Po vlerësohen të gjitha provat dhe dokumentacioni

    AUV thotë se po i analizon ende mostrat e “VITA”: Po vlerësohen të gjitha provat dhe dokumentacioni

    Kanë kaluar më shumë se dy javë që prej inspektimeve që janë bërë në qumështoren ‘’VITA’’, nga ku, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, kanë marrë mostra të cilat janë dërguar për analiza laboratorike.

    Edhe pse këto inspektime ndodhën në fillim të këtij muaji, AUV ende s’ka publikuar rezultatet. Lidhur me këtë çështje, Gazeta Express, i është drejtuar me pyetje këtij institucioni.

    Nga AUV, kanë deklaruar se procedura është ende në zhvillim, dhe se, e njëjta përfshinë më shumë se sa vetëm analizat laboratorike.

    ‘’Procedura e kontrollit zyrtar është ende në zhvillim dhe përfshin jo vetëm analizat laboratorike, por edhe vlerësimin e plotë të të gjitha provave dhe dokumentacionit përkatës, në përputhje me legjislacionin në fuqi’’, thuhet në përgjigjen e AUV.

    Tutje, shtohet se, raporti përfundimtar pritet të dorëzohet para afatit ligjor, nëse, shtohet në përgjigje, të gjitha analizat dhe verifikimet përfundojnë me kohë.

    ‘’Kam kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë që procedura të përfundojë sa më shpejt. Sipas informacioneve që kam marrë nga Kryeshefi Ekzekutiv i AUV-së, raporti përfundimtar pritet të dorëzohet para afatit ligjor, nëse të gjitha analizat dhe verifikimet përfundojnë me kohë. Menjëherë pas përfundimit të procedurës, rezultatet dhe masat e ndërmarra do të bëhen publike në mënyrë transparente’’, ka thënë për Express, Lamir Thaqi, zyrtar për komunikim dhe qasje në dokumente publike.

  • Ilir Ferati: VV të mos merret me punët tona të brendshme, kryetari i ka pezulluar takimet me ta

    Ilir Ferati: VV të mos merret me punët tona të brendshme, kryetari i ka pezulluar takimet me ta

    Sekretari i LDK’së, Ilir Ferati, ka folur për media pas një takimi që është zhvilluar brenda selisë së LDK’së.

    I pyetur për deklarimet nga LVV që kanë të bëjnë me zhvillimet në LDK, Ferati ka thënë se partia e Kurtit s’duhet të merret me punët e brendshme të LDK’së dhe ka rikujtuar se Abdixhiku ka pezulluar takimet me ta deri në zgjidhjen e situatës së brendshme në LDK.

    “VV të mos mendojë për çështjet tona. Kemi një mori njerëzish që mendojnë. VV s’ka nevojë me mëndu për punët tona të brendshme. Ata janë parti e parë. Kryetari ka dekalru që i ka pezullu takimet derisa t’i kryejmë punët tona të brendshme”, ka deklaruar ai.