ATV

Category: Lajme

  • Ndërpritet seanca ndaj të akuzuarit për vrasjen e argjentinases në Fushë Kosovë

    Ndërpritet seanca ndaj të akuzuarit për vrasjen e argjentinases në Fushë Kosovë

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pas propozimit të mbrojtjes për dëgjimin edhe të një dëshmitareje, është ndërprerë seanca e së hënës ndaj të akuzuarit Endrit Nika, i cili po akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë.

    Propozimin për dëgjimin e dëshmitares B.G., e ka bërë mbrojtësi i të akuzuari Nika, avokati Drilon Imeri përmes një parashtrese të dorëzuar në Gjykatë, ndërsa edhe në seancën e sotme deklaroi se mbetet pranë propozimit që ajo të dëgjohet në këtë shqyrtim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas mbrojtjes, dëshmitarja B.G., ishte në vendin e ngjarjes në cilësinë e doktoreshës kur kishte marrë ndihmën e parë viktima M.K.

    Lidhur me këtë propozim, prokurori i rastit Armend Hamiti nuk pati kundërshtime, ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Betim Shala e kundërshtoi.

    Më pas, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin e aprovoi propozimin e mbrojtjes së të akuzuarit Nika.

    Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri konstatoi se në mungesë të kushteve ligjore për vazhdimin e shqyrtimit, seanca e sotme ndërprehet, ndërsa e radhës u caktua për një ditë tjetër.

    Në seancën e 28 majit 2025, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.

    Me këtë, i akuzuari Endrit Nika akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal.

  • Ky është zyrtari policor që vdiq sot në komunikacion

    Ky është zyrtari policor që vdiq sot në komunikacion

    Ismet Isufi është zyrtari policor që vdiq sot papritur në komunikacion, pasi kishte pësuar infarkt.

    Isufi pas infarktit, ka pësuar aksident rreth orës 06:30, në rrugën “Zagrebi”.

    Njësitet policore dhe emergjenca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga këta të fundit është konstatuar vdekja e viktimës (zyrtar policor), që dyshohet të ketë ndodhë para aksidentit. Me rastin është duke u marrë Njësia Rajonale e Trafikut, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të sqaruar shkaqet e sakta të aksidentit.

  • Haradinaj paralajmëron hapjen e fushatës së AAK-së: Të mërkurën, tubimi hapës në Pallatin e Rinisë

    Haradinaj paralajmëron hapjen e fushatës së AAK-së: Të mërkurën, tubimi hapës në Pallatin e Rinisë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar zyrtarisht hapjen e fushatës së Aleancës, e cila do të nisë të mërkurën me një tubim qendror në Prishtinë.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj ka theksuar se ky moment shënon fillimin e një angazhimi që shkon përtej një tubimi të zakonshëm, duke e cilësuar si nisjen e një qëndrimi të fortë dhe të paprecedentë krah qytetarëve dhe krah diasporës.

    Ai ka bërë të ditur se tubimi hapës i fushatës së AAK-së do të mbahet të mërkurën, në ora 18:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, duke ftuar qytetarët të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje politike.

  • Inflacioni në Kosovë: 100 euro të vitit 2019 sot vlejnë vetëm 78 euro

    Inflacioni në Kosovë: 100 euro të vitit 2019 sot vlejnë vetëm 78 euro

    Inflacioni po gërryen fuqinë blerëse në Kosovë: 100 euro të vitit 2019 sot vlejnë vetëm 78 euro. Kështu e përshkruan ekonomisti Edison Jakurti realitetin ekonomik të Kosovës të viteve të fundit.

    Ai thekson se ndonëse vlera nominale e parasë mbetet e njëjtë, ajo që ndryshon është vlera reale – pra sa mallra dhe shërbime mund të blihen me të njëjtën shumë parash.

    Sipas një analize të Jakurtit, inflacioni ka pasur një ndikim të fortë në fuqinë blerëse në Kosovë, veçanërisht gjatë 3–4 viteve të fundit. Një grafik ilustrues që ka publikuar ai në facebook, tregon se sa vlejnë sot 100 euro të vitit 2019, pasi të hiqen efektet e rritjes së çmimeve.

    Të dhënat tregojnë se në vitin 2014, 100 euro të vitit 2019 do të kishin vlerë reale rreth 105 euro, çka nënkupton një nivel më të ulët çmimesh dhe fuqi më të lartë blerëse. Ndërkohë, në vitin 2025, e njëjta shumë – 100 euro e vitit 2019 – vlen vetëm rreth 78 euro në terma realë.

    Kjo do të thotë se ajo që në vitin 2019 blihej me 100 euro, në vitin 2025 kushton afërsisht 128 euro. Sipas Jakurtit, kjo rënie e ndjeshme e vlerës reale të parasë është dëshmi e qartë se inflacioni ka gërryer seriozisht standardin e jetesës dhe fuqinë blerëse të qytetarëve në Kosovë.

    Analiza nxjerr në pah se, edhe pse paga apo të ardhurat nominale mund të duken të pandryshuara ose në rritje, realiteti ekonomik për familjet kosovare është më i vështirë, pasi paratë e tyre sot blejnë dukshëm më pak se disa vite më parë.

  • Komuna e Kamenicës ndalon pirjen e duhanit në hapësirat e jashtme të institucioneve publike

    Komuna e Kamenicës ndalon pirjen e duhanit në hapësirat e jashtme të institucioneve publike

    Kryetari i Komunës së Kamenicës ka nxjerrë Urdhëresën Nr. 02/408, me të cilën ndalohet pirja e duhanit në hapësirat e jashtme të institucioneve publike që janë në administrim të Komunës së Kamenicës. Kjo urdhëresë është marrë në mbështetje të legjislacionit në fuqi për vetëqeverisjen lokale dhe kontrollin e duhanit, si dhe të Statutit të Komunës.

    Qëllimi i kësaj urdhërese është mbrojtja e shëndetit publik, krijimi i një mjedisi pa tym duhani dhe rritja e rendit dhe higjienës publike në hapësirat e jashtme të institucioneve komunale, raporton Telegrafi.

    Urdhëresa zbatohet në të gjitha hapësirat e hapura dhe oborret e institucioneve publike komunale, përfshirë: objektet e Komunës; të gjitha shkollat fillore dhe të mesme; çerdhet dhe institucionet edukativo-arsimore; qendrat e mjekësisë familjare dhe ambulancat; drejtoritë, zyrat dhe njësitë vartëse; institucionet kulturore, rinore dhe sportive.

    Me këtë vendim ndalohet pirja e duhanit dhe përdorimi i cigareve elektronike, purove, nargjileve dhe çdo pajisjeje tjetër që lëshon nikotinë apo substanca të ngjashme. Ndalimi vlen për punonjësit, qytetarët, vizitorët dhe personelin e institucioneve përkatëse.

    Drejtoria e Administratës së Përgjithshme obligohet që, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e urdhëresës, të përcaktojë hapësira të veçanta të jashtme të destinuara për pirjen e duhanit, të cilat duhet të jenë në distancë të sigurt nga hyrjet, daljet, dritaret dhe zonat e grumbullimit të qytetarëve, si dhe të pajisen me sinjalistikë të qartë dhe të mirëmbahen rregullisht.

    Personeli përgjegjës i institucioneve publike ka për obligim vendosjen e sinjalistikës sipas ligjit, largimin e taketeve nga hapësirat e ndaluara, mbikëqyrjen e zbatimit të ndalimit dhe ndërmarrjen e veprimeve ndaj shkelësve, përfshirë njoftimin e organeve mbikëqyrëse.

    Zbatimi i urdhëresës do të mbikëqyret nga Inspektorati Komunal, ndërsa për shkeljet do të aplikohen paralajmërime administrative, masa disiplinore dhe gjoba, në përputhje me Ligjin për Kontrollin e Duhanit dhe legjislacionin në fuqi.

    Kjo urdhëresë hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit nga Kryetari i Komunës dhe publikohet në tabelën zyrtare të njoftimeve dhe në faqen zyrtare të Komunës së Kamenicës.

    Komuna e Kamenicës u bën thirrje të gjithë qytetarëve për bashkëpunim dhe respektim të kësaj urdhërese, në interes të shëndetit publik dhe krijimit të mjediseve më të pastra dhe më të sigurta për të gjithë.

  • ​Osmani në takim me Pecin: Së bashku do ruajmë sovranitetin e Republikës së Kosovës

    ​Osmani në takim me Pecin: Së bashku do ruajmë sovranitetin e Republikës së Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Mitrovicë të Jugut ka thënë se Mitrovica do ta ketë përkrahjen e nivelit qendror.

    Ajo pas takimit që ka zhvilluar me kryetarit e Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka thënë se do të bashkëpunojnë për ruajtjen e sovranitetit të vendit.

    “I njohim për së afërmi problemet të cilat ballafaqohet ky qytet dhe natyrisht ato janë të shumta, por kanë besimin e plotë se gradualisht do të rregullohen edhe me angazhimin e kryetarit dhe ekipit të tij, por edhe me përkrahjen tonë nga niveli qendror, sepse qytetarët e Mitrovicës, meritojnë çdo të mirë, përkundër sfidave që janë ballafaquar edhe pas luftës që tanimë t’iu hapet rruga e perspektives dhe zhvillimit. Ka potencial të jashtëzakonshëm, jo vetëm për shkak të bukurive natyrore por edhe traditës që ka, potencialit që kanë njerëzit dhe historisë që ka… Jam e bindur se ashtu do të jetë duke ditur vullnetin me të cilën punon dhe seriozitetin që merr secilën punë dhe njëkohësisht jam e bindur që edhe nga aspekti politik duke ditur rëndësinë e Mitrovicës do të bashkëpunojmë sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që të vazhdojmë ta ruajmë sovranitetin e Republikës së Kosovës, integritetin territorial. Këto toka kanë qenë gjithmonë të shqiptarëve”, tha Osmani.

    Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci se ky qytet ka mbështetjen institucionale duke filluar nga Zyra e Presidentes dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    Peci tha se është diskutuar për çështjet kryesore si arsimi, shëndetësia, por edhe çështjet arkeologjike që shpalosin trashëgimin potenciale të këtij qyteti, porse nuk demonstrohet në terren.

    “Diskutuam për të gjitha nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të Mitrovicës, por njëkohësisht edhe për nevojën më të madhe të mbështetjes institucionale që i duhet Mitrovicës duke filluar nga zyra e Presidentes dhe Qeverisë. Mitrovica pas luftës sikurse në fazën fillestare është trajtua vetëm si problem i Mitrovicës dhe tash është mirë që ka vëmendjen dhe mbështetjen e parës së vendit por njëkohësisht dhe qeverisë dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti.. Diskutuam për të gjitha temat që janë me interes publik, duke filluar prej çështjeve ambientale, deri tek çështjet arkeologjike që shpalosin trashëgimin potenciale, edhe për mundësinë që qyteti i Mitrovicës është më i bukuri për ata që i ka dhënë perëndia por që nuk është demonstrim i gjendjes faktike në terren, ta përmirësojmë dhe ta avancojmë përmes investimeve konkrete çoftë ato infrastrukturore”, tha Peci.

  • Ambasadorja amerikane i shkon në zyrë Ramës, e uron për mandatin e ri

    Ambasadorja amerikane i shkon në zyrë Ramës, e uron për mandatin e ri

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, sot ka hapur dyert e mikëpritjes për zëvendesshefen e misionit të Ambasadës së SHBA-së, në Kosovë, Anu Prattipati.

    Prattipati ka uruar Ramën për mandatin e ri, derisa i ka premtuar mbështetje e bashkëpunim.

    Statusi i tij i plotë:

    Bashkëpunimi i ngushtë dhe i qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon të mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit, stabilitetit dhe vizionit afatgjatë të kryeqytetit.

    Sot, në Odën e kryeqytetit, pata kënaqësinë të mirëprisja Anu Prattipatin, zëvendësshefe e misionit në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, e cila më përcolli urimet për mandatin e ri dhe riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Prishtinën dhe zhvillimin e saj të gjithanshëm.

    Ky partneritet përfaqëson shumë më tepër sesa bashkëpunim institucional, ai është një aleancë vlerash, e ndërtuar mbi demokracinë, besimin reciprok dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen.

  • Këto janë adresat e kutive postare në 23 shtete për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës

    Këto janë adresat e kutive postare në 23 shtete për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se me qëllim të lehtësimit të procesit të votimit jashtë Kosovës, për votuesit e regjistruar për votim me postë, tashmë janë funksionale kutitë postare në 23 shtete të ndryshme.

    Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

    Më 14 dhjetor, KQZ ka nisur procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar jashtë vendit për votim me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Fletëvotimet, të cilat janë shtypur në Slloveni, kanë arritur në Kosovë të premten më 12 dhjetor dhe pas kësaj shërbimi votues i KQZ-së ka bërë përgatitjen e pakove individuale për secilin votues të regjistruar.

    Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim.

    Votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor 2025.

    Pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit, apo në kutitë postare më të afërta.

    “KQZ inkurajon votuesit e regjistruar që këtë ta bëjnë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që pakoja të arrijë me kohë në kutinë postare nga ku do të tërhiqet dhe do të dërgohet në Kosovë për procesin e numërimit.”

  • Serbia pezullon hetimet kundër ish-policit kosovar Arbnor Spahiu

    Serbia pezullon hetimet kundër ish-policit kosovar Arbnor Spahiu

    Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë të Serbisë i ka pezulluar hetimet kundër ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili është dyshuar për kryerjen e “vrasjes së rëndë” në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.

    Zyra e Prokurorit ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se urdhri për pezullim të hetimeve është lëshuar më 21 nëntor, në mungesë të dëshmive.

    Spahiu është arrestuar nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, derisa ai dhe familja e tij kanë qenë duke u kthyer me autobus nga Austria në Kosovë.

    Ai ka qëndruar më shumë se pesë muaj në qendër ndalimi në Serbi.

    Avokati i tij Arianit Koci ka konfirmuar së voni për Radion Evropa e Lirë se ai është liruar më 21 nëntor dhe është kthyer në Kosovë.

    “Spahiu është mbajtur pa nevojë kaq gjatë, sepse siç kam thënë në fillim, nuk ka dëshmi për një akuzë të tillë, sepse ai nuk ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës atë kohë”, ka thënë avokati.

    Serbia e ka akuzuar Spahiun për kryerjen e krimit në Banjskë, kur një grup i armatosur serbësh e ka sulmuar Policinë e Kosovës në shtatorin e vitit 2023, duke e vrarë policin kosovar, Afrim Bunjaku.

    Policia ka konfirmuar se Spahiu nuk ka qenë pjesëtar i saj në atë kohë.

    Millan Radoiçiq – nënkryetar i Listës Serbe në kohën e kryerjes së sulmit – e ka marrë përgjegjësinë për organizim dhe kryerjen e sulmit kundër Policisë së Kosovës në Banjskë.

    Pasi është marrë në pyetje në Beograd në tetor të vitit 2023, Radoiçiq është liruar, por me një ndalesë për udhëtim, ndërsa kryeprokurori e ka bërë të ditur vendimin për të ngritur një aktakuzë në fund të vitit 2024.

    Pothuajse një vit më vonë, Zyra e Prokurorit në Serbi nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se çfarë e ka bllokuar procesin.

    Ndërkohë, gjyqi për tre prej 45 të pandehurve për rastin në Banjskë, po zhvillohet nga autoritetetet në Kosovë.

    Ato kërkojnë vazhdimisht dorëzimin e Radoiçiqit për ta gjykuar për kryerjen e sulmit, të cilin Kosova e pati shpallur akt terrorist.

  • LDK nesër prezanton kandidatët për deputetë dhe programin politik

    LDK nesër prezanton kandidatët për deputetë dhe programin politik

    Lidhja Demokratike e Kosovës do të prezantojë nesër 110 kandidatët e saj për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Gjatë eventit që do të mbahet në AMC Hall nga ora 18:00 udhëheqësi i partisë, Lumir Abdixhiku, do të prezantojë edhe programin politik të LDK-së dhe vizionin për zhvillimin e vendit.

    Lista e kandidatëve, e renditur si “Lista 123”, përbëhet nga individë me përvojë dhe njohuri në fusha të ndryshme, sipas partisë.

    Eventi synon të informojë qytetarët mbi ekipin dhe programin politik të LDK-së për zgjedhjet e ardhshme.