ATV

Category: Lajme

  • Tritol në një automjet në Tiranë, nisin hetimet

    Tritol në një automjet në Tiranë, nisin hetimet

    Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në një automjet në Tiranë në orët e para të mëngjesit të së premtes.

    Policia tha se ngjarja ndodhi në Selitë të Vogël, dyshohet se është hedhur një sasi lënde plasëse në automjetin e shtetasit D. J., rreth 39 vjeç, i cili ka qenë i parkuar në oborrin e banesës së tij, shkruan Euronews.al.

    Si pasojë e shpërthimit ka vetëm dëme materiale.

    Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

  • Nexhmedin Spahiu kritik me Ramën: S’shkohet gruan e huaj me kapë për qafe, e turpshme – Si u ndje zotëria i parë?

    Nexhmedin Spahiu kritik me Ramën: S’shkohet gruan e huaj me kapë për qafe, e turpshme – Si u ndje zotëria i parë?

    Nexhmedin Spahiu ka kritikuar ashpër kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për ndërhyrjen e tij gjatë një paraqitjeje publike të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e cilësuar veprimin si të pahijshëm dhe poshtërues.

    Spahiu tha se sjellja e Ramës ishte e papranueshme dhe jashtë çdo norme të etikës shtetërore.

    “Sjellja e tij ishte skajshmërisht e pahijshme, pa skrupull dhe e turpshme. Nuk shkohet gruaja e huaj me e kap përqafe. Mund ta imagjinoj se si ndihet zotëria i parë i Kosovës për këtë rast. Unë, si qytetar i Kosovës, jam ndier tepër i poshtëruar nga kjo sjellje,” u shpreh Spahiu.

    Sipas tij, veprimi i Ramës përbën në radhë të parë nënçmim ndaj Presidentes Osmani, pavarësisht se në pamje të parë mund të duket si një gjest lavdërues.

    “Ai ka mundur shumë lehtë ta shprehte vlerësimin në një konferencë për media, duke thënë se meritat i ka Presidentja. Kjo do të ishte krejt normale. Por të ndërhysh në mes të një paraqitjeje publike dhe ta përqafosh një grua të huaj, nuk më duket aspak e hijshme,” theksoi Spahiu.

    Ai shtoi se Rama ka bërë edhe më herët gjeste të ngjashme, përfshirë edhe ndaj kryeministrit të Kosovës, duke i cilësuar këto sjellje si të papërshtatshme dhe poshtëruese.

    Deri mysafirë e tjerët nuk u pranuan me këto deklarata, Saphiu vazhdoj analizën e tij tutje duke thëne së veprimi i Ramës nuk kishte qëllime të nngacmimi seksual, por poshtërimi në një formë tjetër.

    “Qëllimi nuk ka qenë ngacmimi seksual, por ka qenë nënçmimi. Edhe në një moment gëzimi, sjelljet nuk manifestohen në këtë formë Ai do të mund të kishte dalë edhe lakuriq.” tha ai në emisionin “Kosova Live”.

  • Presidenti sllovak vjen në Kosovë për të vizituar ushtarët në KFOR

    Presidenti sllovak vjen në Kosovë për të vizituar ushtarët në KFOR

    Presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini, pritet që të dielën (21 dhjetor) të vizitojë ushtarët sllovakë që shërbejnë në Kosovë në kuadër të misionit ndërkombëtar të udhëhequr nga NATO, KFOR.

    Kështu ka bërë të ditur për agjencinë e lajmeve sllovake TASR, Departamenti i Komunikimit i Zyrës së Presidentit, duke shtuar se kjo vizitë përbën udhëtimin tradicional para Krishtlindjeve të presidentit për të takuar pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Sllovakisë që shërbejnë jashtë vendit.

    Sipas njoftimit, në vizitë do të marrin pjesë edhe anëtarë të familjeve të ushtarëve që kanë kërkuar vazhdim të shërbimit në këtë mision.

    “Përveç dimensionit zyrtar, vizita do të ketë edhe një dimension të veçantë familjar, si shenjë respekti dhe mbështetjeje jo vetëm për ushtarët, por edhe për familjet e tyre”, thuhet në komunikatë.

    Pas takimit me kontingjentin sllovak në Kosovë, Pellegrini do të udhëtojë për në Beograd, ku do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Serbi – e para e një kreu shteti sllovak pas 16 vjetësh.

    Sipas Zyrës së Presidentit sllovak, kjo vizitë është pjesë e një serie udhëtimesh në vendet e Ballkanit Perëndimor, me synimin për të shprehur mbështetjen afatgjatë të Sllovakisë për integrimin evropian të rajonit.

    Bisedimet me zyrtarët shtetërorë në Beograd thuhet se do të përqendrohen në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe sfidat aktuale gjeopolitike.

  • Komuna e Prizrenit ndalon fishekzjarret prej 25 dhjetorit deri më 3 janar

    Komuna e Prizrenit ndalon fishekzjarret prej 25 dhjetorit deri më 3 janar

    Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka marrë vendim për ndalimin e ndezjes së fishekzjarrëve dhe përdorimit të mjeteve piroteknike në hapësira të hapura publike dhe në zona të banuara në gjithë territorin e komunës.

    Sipas urdhëresës së nxjerrë, kjo ndalesë do të jetë në fuqi nga data 25 dhjetor 2025 deri më 3 janar 2026.

    Përjashtim nga ky vendim është bërë vetëm për natën e ndërrimit të viteve.

    Më 31 dhjetor 2025, përdorimi i fishekzjarrëve do të lejohet nga ora 23:30 deri në 00:30 të 1 janarit 2026, për një kohëzgjatje prej një ore.

    Nga Komuna e Prizrenit u bëhet thirrje qytetarëve që ta respektojnë këtë urdhëresë, e cila synon ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve si dhe mbrojtjen e ambientit gjatë festave të fundvitit.

  • Më 22 dhjetor mbahet seanca e Supremes për rastin ndaj Dardan Krivaqës

    Më 22 dhjetor mbahet seanca e Supremes për rastin ndaj Dardan Krivaqës

    Në Gjykatën Supreme pritet që më 22 dhjetor 2025 të mbahet seanca për shqyrtimin e ankesës së ushtruar kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës.

    Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit, ndërkaq Sejdiu me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.

    Gjykata e Apelit kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë i marrë nga Gjykata Themelore e Ferizajt më 29 korrik 2024, duke konfirmuar se Dardan Krivaqa i akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit, do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm. Gjithashtu, Apeli kishte vërtetuar dënimin prej 15 vitesh edhe ndaj Arbër Sejdiu, i akuzuar për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje.

    Më pas, Gjykata Supreme kishte njoftuar për “Betimi për Drejtësi” se rasti ishte kthyer në Gjykatën e Apelit për përmirësim.

    Në vendimin e Apelit, nuk ishte njohur e drejta në ankesë, edhe pse dënimi ndaj Krivaqës ishte me burgim të përjetshëm nga Themelorja e i vërtetuar nga Apelit, e që në këto raste Kodi i Procedurës Penale parasheh të drejtën e ankesës. Konkretisht, në nenin 407, pika 1, pika 1.1, parashihet kjo e drejtë e të akuzuarit- e të cilën të drejtë Apeli kishte harruar ta njihte me kolegjin e gjyqtarëve, me kryetar gjykatësin Xhevdet Abazi, gjyqtare referuese- Kadrije Goga-Lubishtani dhe anëtar- gjyqtarin Hashim Çollaku.

    “1. Ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit mund të paraqitet në Gjykatën Supreme të Kosovës në rastin kur: 1.1. Gjykata e Apelit shqipton dënim me burgim të përjetshëm ose vërteton aktgjykimin e gjykatës themelore me të cilin është shqiptuar dënim i tillë”, thuhet në Kod.

    Më pas, Gjykata e Apelit me aktvendimin e 9 shtatorit 2025 kishte përmirësuar aktgjykimin e vet, duke shtuar pjesën e Këshillës Juridike ndaj vendimit të kësaj shkalle.

    Ndryshe, fillimisht Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    Më 29 korrik 2024, Themelorja edhe në rigjykim e shpallur fajtor Krivaqën, duke e dënuar sërish me burgim të përjetshëm. Këtë vendim, e vërtetoi Apeli.

    18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

    Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, par. 4, nënpar 4.1, lidhur me par.1 të Kodit Penal.

    Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Arbër Sejdiu më 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje i kishte ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

    Sipas aktit akuzues thuhet se fillimisht dy të pandehurit kishin kontaktuar përmes telefonit dhe ishin takuar në qytet, pastaj së bashku ishin kthyer në banesë, ku i pandehuri Arbër posa kishte arritur, duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani, me dashje kishte marrë veprime me të cilat lehtësohet kryerja e dhunimit.

    Tutje thuhet se dy të pandehurit së bashku kishin hyrë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilin veprim gjatë qëndrimit në banesë e merr disa herë, po ashtu dhe gjatë asaj kohe kishte përcjellë gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari.

    Siç e përshkruan aktakuza, i pandehuri Arbër Sejdiu po ashtu edhe disa herë kishte dalë nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, ndërsa gjatë gjithë kohës dy të pandehurit kishin biseduar mes vete, kështu tutje, të pandehurit Dardan Krivaqa i kishte dhënë telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që ishte e vendosur në korridorin e banesës me qëllim që të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale.

    Me këtë, Sejdiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, par 4, nënpar. 4.1, lidhur me par. 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal.

    Kjo aktakuzë në dispozitivin e III-të, dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu i ngarkon për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

    Aty thuhet se më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore.

    Tutje, sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

    Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par. 1, nënpar. 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Ndryshe, dosja e plotë e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, tregon në detaje se si ka ndodhur i gjithë rasti.

    Kujtojmë se më 29 prill 2024, Gjykata Themelore në Ferizaj njoftoi se në një rast tjetër, Krivaqa u dënua me 4 vjet burgim për grabitje në një kazino. /BetimipërDrejtësi

  • Kosova merr Presidencën e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë

    Kosova merr Presidencën e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë

    Kosova ka marrë presidencën e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë gjatë mbajtjes së takimit të 24-të të këtij këshilli, duke u vendosur në qendër të vendimmarrjes rajonale për politikat energjetike.

    Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka vlerësuar marrjen e presidencës si një përgjegjësi të rëndësishme institucionale dhe një mundësi për të avancuar agjendën reformuese në kuadër të Komunitetit të Energjisë.

    Ajo theksoi se duke filluar nga viti 2026, Kosova do të ushtrojë udhëheqjen politike të procesit vendimmarrës në këtë forum ndërkombëtar.

    “Për ne, prioritet do të jetë, sigurisht që të shtyjmë reformat e nisur në kuadër të këtij forumi ndërkombëtar, mirëpo me kujdes të veçantë për sigurinë energjetike dhe përballueshmërinë e çmimeve për Kosovën dhe për vendet e tjera të Komunitetit”, ka thënë ajo në një lidhje direkte nga Viena për RTK.

    Në kuadër të këtij takimi, Këshilli i Ministrave ka miratuar rastin ndaj Serbisë për bllokimin e interkoneksionit energjetik me Republikën e Kosovës.

    “Ky bllokim, i cili ka vazhduar për më shumë se pesë vjet, ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta negative në funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës, duke rritur ngarkesën e rrjetit dhe kostot e transmisionit përmes linjave alternative me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Republikën e Shqipërisë”, tha tutje ministrja.

    Si rezultat, Serbia ëhstë obliguar që të mundësojë shfrytëzimin e kësaj linje për tregti ndërkufitare të energjisë elektrike, më së largu deri më 1 korrik 2026.

    “Kjo pritet të kontribuojë në përmirësimin e sigurisë energjetike, uljen e kostove të kapaciteteve ndërkufitare dhe, rrjedhimisht, në stabilizimin e tarifave për konsumatorët.Gjatë takimit, ministrat e vendeve anëtare kanë diskutuar gjithashtu çështje me rëndësi strategjike për sektorin e energjisë, përfshirë sigurinë energjetike, integrimin e tregut rajonal dhe zhvillimet e fundit në kuadër të Komunitetit të Energjisë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të parimeve të bashkëpunimit dhe funksionimit të tregut të lirë të energjisë”, ka shtuar tutje ministria.

  • Gjenden mbetje mortore në Rahovec, Komisioni për persona të zhdukur jep detaje

    Gjenden mbetje mortore në Rahovec, Komisioni për persona të zhdukur jep detaje

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh) ka nisur kërkime në një lokacion në rajonin e Rahovecit, i njohur si “Përzhina”, në afërsi të varrezave të qytetit, pas analizimit të të dhënave të siguruara nga arkivat ndërkombëtare me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK).

    Sipas njoftimit, gërmimet kanë filluar ditën e djeshme, gjatë së cilës janë gjetur dy pjesë eshtërore, të cilat janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Ndërkaq, gjatë ditës së sotme janë gjetur mbetje mortore të të paktën një individi, për të cilat dyshohet se mund t’i përkasin viktimave të luftës që figurojnë në listën e personave të zhdukur.

    Nga Komisioni është bërë e ditur se ky lokacion është edhe lokacioni i fundit i planifikuar për gërmime vlerësuese gjatë vitit 2025.

    Me këtë rast, institucionet kanë njoftuar se të enjten, më 19 dhjetor, duke filluar nga ora 11:00, do të ketë prononcim për media nga vetë lokacioni, lidhur me ecurinë e deritanishme të aktiviteteve kërkimore në këtë dhe lokacionet tjera.

    Gërmimet po realizohen nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës në kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, si dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

  • Pas vdekjes së çetnikut Aleksiq, gazetari kroat: Vuçiq eliminoi dëshmitarin kryesor të “Sarajevo Safarit”

    Pas vdekjes së çetnikut Aleksiq, gazetari kroat: Vuçiq eliminoi dëshmitarin kryesor të “Sarajevo Safarit”

    Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq, ka ngritur dyshime serioze rreth vdekjes së Slavko Aleksiqit, një “vojvodë çetnik” i vetëshpallur dhe ish-komandant i një njësie paramilitare, ku, sipas tij, kishte shërbyer si vullnetar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Në një deklaratë publike, Margetiq tha se Aleksiqi ishte një nga dëshmitarët më të rëndësishëm lidhur me përfshirjen e dyshuar të Vuçiqit në krime lufte gjatë viteve ’90, përfshirë atë që ai e ka quajtur “Sarajevo Safari” në Sarajevë.

    Ai shton se Aleksiqi kishte qenë gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore deri rreth dhjetë ditë më parë dhe kishte dhënë deklarata publike në mbështetje të Vuçiqit.

    Megjithatë, sipas Margetiqit, lajmi për vdekjen e Aleksiqit u shpërnda papritur vetëm pak ditë pasi ai ishte shtruar në Spitalin Ushtarak në Beograd.

    “Aleksandar Vuçiq, sipas zakonit të vjetër, po eliminon dëshmitarët. Tani sapo mora vesh se komandanti i tij në Sarajevë ka vdekur ‘magjikisht’ në një spital në Beograd”, tha Margetiq, duke shtuar se, sipas tij, po zhduken dëshmitarët e krimeve të Vuçiqit.

    Gazetari pretendon se pas ndërhyrjes së shërbimit sekret serb (BIA), Aleksiqi ishte transferuar për trajtim në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA) në Beograd, ku, sipas tij, ka ndërruar jetë “në mënyrë të papritur dhe të pashpjegueshme”.

    Slavko Aleksiq, udhëheqësi çetnik dhe komandant i formacionit paramilitar “Detashmenti çetnik i Sarajevës së re”, vdiq sot në Trebinje në moshën 69-vjeçare, sipas raportimeve të mediave të Bosnjë e Hercegovinës.

    Informacioni mbi vdekjen e tij është konfirmuar nga banorët e Trebinjes.

  • SHBA-ja ndalon importin e gomave nga fabrika kineze në Serbi

    SHBA-ja ndalon importin e gomave nga fabrika kineze në Serbi

    Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e Shteteve të Bashkuara (CBP) njoftoi të enjten se ka lëshuar një urdhër për ndalimin e importit të gomave të automjeteve të prodhuara në fabrikën kineze Linglong në Serbi, për shkak të pretendimeve se ato janë prodhuar përmes punës me detyrim.

    “Zyrtarët e CBP-së do t’i ndalojnë në të gjitha pikat hyrëse në SHBA dërgesat e këtyre gomave, për shkak të provave që tregojnë përdorimin e punës me detyrim në prodhimin e tyre”, thuhet në njoftim.

    Në njoftim u tha se urdhri lidhet me gomat e prodhuara në fabrikën e Linglong-ut në veri të Serbisë, dhe është rezultat i një hetimi dhe analize të informacionit që tregon se gomat e automjeteve janë prodhuar duke përdorur punë me detyrim – përfshirë deklarata të punëtorëve, fotografi, kontrata pune, shënime nga terreni të fokus-grupeve, pamje të mesazheve tekstuale, raporte të organizatave joqeveritare, raportime mediatike dhe hulumtime akademike.

    Sipas Doganës amerikane, këto prova kanë treguar se punëtorët në Linglong janë ekspozuar ndaj nëntë treguesve të punës me detyrim sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës: mbajtja e dokumenteve personale, frikësimi dhe kërcënimet, izolimi, orët e tepërta të punës, mohimi i pagave, skllavëria përmes borxhit, kushte abuzive të jetesës dhe punës, mashtrimi dhe abuzim të cenueshmërisë.

    “Mesazhi është i qartë, Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë punën me detyrim në zinxhirët e furnizimit”, tha komisionari i Doganës amerikane, Rodney S. Scott.

    Ushtruesja e detyrës së ndihmëskomisonares ekzekutive, Susan S. Thomas, nga Zyra për Tregti e CBP-së, tha se “amerikanët nuk duhet të konkurrojnë me produkte të krijuara përmes shfrytëzimit”.

    “Duke parandaluar hyrjen e mallrave të prodhuara me punë me detyrim në tregun amerikan, CBP-ja ndihmon që punëtorët dhe bizneset amerikane të veprojnë në kushte të barabarta”, tha Thomas përmes një njoftimi, ku u shtua se sipas të dhënave të Doganës, gomat nga fabrika kineze në Serbi po importohen ose ka gjasa që të importohen në SHBA.

    Dogana amerikane shtoi se importuesit e dërgesave të ndaluara mund të kërkojnë shkatërrimin ose eksportimin e dërgesave të tyre, ose të përpiqen të dëshmojnë se mallrat nuk janë prodhuar përmes punës me detyrim.

    Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë ka raportuar disa herë për fabrikën Linglong në Zrenjanin dhe për pretendimet për abuzim të punëtorëve dhe shkelje të të drejtave të punës.

    Në fillim të vitit 2024, organizata joqeveritare Astra paraqiti kallëzim penal në emër të 11 punëtorëve nga India, nën dyshimet për trafikim të qenieve njerëzore dhe shfrytëzim në punë.

    Disa vite më parë, kishte dyshime edhe për shfrytëzimin e disa qindra punëtorëve nga Vietnami, të cilët në atë kohë ishin të angazhuar në ndërtimin e fabrikës në Zrenjanin.

    Parlamenti Evropian, me një rezolutë të vitit 2021, i kërkoi Serbisë të hetonte rastin e “skllavërisë moderne”, megjithatë ai rast u mbyll pa nisur procedura, me kthimin e punëtorëve në Vietnam.

    Linglong hodhi poshtë përgjegjësinë, duke pretenduar se punëtorët ishin angazhuar nga një prej nënkontraktorëve të kompanisë.

    Për shkak të pretendimeve për punë me detyrim, Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin për trafikimin e qenieve njerëzore për vitin 2024, deklaroi se “Qeveria e Republikës së Serbisë nuk i ka hetuar plotësisht akuzat e besueshme për punë me detyrim, përfshirë konfiskimin e pasaportave, kushtet çnjerëzore të punës dhe jetesës, por ka vazhduar të pretendojë se punëtorët vietnamezë dhe indianë nuk janë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore”. /REL

  • Kryeqyteti ndez dritat e fundvitit

    Kryeqyteti ndez dritat e fundvitit

    Kryeqyteti është ndriçuar sonte, duke marrë kështu një pamje festive. Kryetari i kryeqytetit Përparim Rama dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ndezën dritat e Vitit të Ri në sheshin e Prishtinës.

    E gjithë kjo u bë në një ceremoni festive, ku të pranishëm ishin dhe qytetarë të shumtë, të cilët shijuan ceremoninë festive të ndezjes së dritave dekorative, gjë që shënon hapjen simbolike të atmosferës së fundvitit në Kryeqytet.