ATV

Category: Lajme

  • Pesë kandidatët për deputetë më të votuar të PDK-së

    Pesë kandidatët për deputetë më të votuar të PDK-së

    Bazuar në rezultatet e numërimit të votave të para të kandidatëve për deputetë kandidati i PDK-së për kryeministër Bedri Hamza ka marrë më së shumti vota, gjithsej 594 vota.

    Në vendin e dytë renditet Sylejman Berisha me 263 vota, ndërsa i treti është Arben Mustafa.

    Në vendin e katërt renditet Elmi Reçica me 247 vota, ndërsa në vendin e pestë Besim Ilazi me 227 vota.

    Deri më tani janë numëruar votat nga 16 prej gjithsej 2 mijë e 557 vendvotimeve.

  • PZAP dënon Listën Serbe me 45 mijë euro për shkelje gjatë fushatës zgjedhore

    PZAP dënon Listën Serbe me 45 mijë euro për shkelje gjatë fushatës zgjedhore

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesën e subjektit politik “Kosovski Savez” kundër Listës Serbe për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës më 28 dhjetor 2025.

    Pas shqyrtimit të provave, PZAP konstatoi se Lista Serbe kishte vendosur materiale promovuese në hapësira publike pa lejen e autoriteteve, duke shkelur disa vendime të mëparshme të PZAP-it dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme (08/L-228).

    Si pasojë, Lista Serbe është gjobitur me 45,000 euro dhe detyrohet ta paguajë gjobën brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit.

    PZAP thekson se shkeljet përfshijnë vendosje të materialeve zgjedhore në stacione autobusi, rrugë, ndërtesa dhe hapësira publike në Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë dhe Leshak, duke mos respektuar urdhrat për largimin e tyre nga vendet publike.

    Paneli ka vlerësuar se pretendimet e Listës Serbe për përdorimin e fotografive të vjetra nuk e liruan nga përgjegjësia.

    Kundër këtij vendimi, sipas ligjit, është e mundur të paraqitet ankesa në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve nga marrja e vendimit.

  • Rashiq thotë se ka siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës

    Rashiq thotë se ka siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës

    Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (PLDM) e Nenad Rashiqit ka njoftuar të hënën se ka siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës për katër vitet e ardhshme, pas fitimit të 4.600 votave në zgjedhjet e së dielës.

    Në një njoftim të shpërndarë përmes Facebook-ut, PLDM ka shprehur mirënjohjen për besimin e dhënë nga qytetarët, duke e cilësuar këtë rezultat si një “nder të madh dhe një detyrim” për të qenë më të përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve.

    “Këtë besim e përjetojmë si një nder të madh, por edhe si një detyrim që të jemi edhe më të fortë, edhe më të pranishëm dhe edhe më të përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve,” thuhet në postimin e PLDM-së.

    Përkundër këtij suksesi, partia Listës Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi dhe është partia kryesore e serbëve në Kosovë, ka pretenduar se ka fituar të gjitha 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, me 90 për qind të votave të fituara nga ky komunitet.

    Megjithatë, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, ka ngritur dyshime në lidhje me rezultatet e PLDM-së, duke thënë se ky subjekt ka marrë vota në zona ku serbët nuk jetojnë dhe ka kërkuar vlerësim të mëtejshëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

    Zyrtari tjetër i Listës Serbe, Igor Simiq, ka shtuar se numërimi i votave me kusht është ende në proces dhe se më shumë se 1.000 vota nga persona të zhvendosur janë ende për t’u përpunuar.

    Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lista Serbe ka siguruar rreth 41.800 vota, ndërsa Aleanca Kosovare e Goran Marinkoviqit ka marrë rreth 550 vota.

    Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare të shkurtit 2025, Lista Serbe kishte pretenduar se kishte fituar të gjitha 10 mandatet e rezervuara për komunitetin serb, megjithatë një mandat përfundoi në duar të Nenad Rashiqit.

    Rashiqi, ish-ministër për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e kaluar të kryeministrit Albin Kurti, ishte emëruar në këtë pozitë pasi Lista Serbe i kishte braktisur institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.

    Në këtë kuadër, Lista Serbe vazhdon të kundërshtojë përfaqësimin e Rashiqit, duke pretenduar se ai nuk ka mbështetje të mjaftueshme për të përfaqësuar komunitetin serb në Kuvend.

    Gjithashtu, Lista Serbe kishte ngritur padi në Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar zgjedhjen e Rashiqit si nënkryetar të Kuvendit, duke pretenduar se ishte shkelur Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës e Kuvendit.

    Sipas Kushtetutës së Kosovës, njëri nga nënkryetarët e Kuvendit duhet të jetë nga radhët e deputetëve që mbajnë vende të rezervuara për përfaqësuesit e komunitetit serb.

    Po ashtu, sipas Rregullores së Punës, kandidatin për nënkryetar nga ky komunitet e propozon shumica e deputetëve serbë

    Numërimi i votave në komunat me shumicë serbe ende nuk ka përfunduar plotësisht dhe pritet që KQZ të bëjë vlerësimin përfundimtar të rezultateve, duke përfshirë edhe votat me kusht dhe ato nga persona të zhvendosur.

  • Këta janë kandidatët për deputetë më të votuar të LDK-së deri tani

    Këta janë kandidatët për deputetë më të votuar të LDK-së deri tani

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur publikimin e votave të kandidatëve për deputetë, pas procesimit të një pjese të vogël të votave.

    Sipas të dhënave të publikuara, kur janë numëruar 0.63 për qind e votave për kandidatët për deputetë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, kryeson kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, me 432 vota.

    Në vendin e dytë renditet Vjollca Kadolli Halili me 324 vota, ndërsa pas saj vjen Halil Musliu me 249 vota.

    Faruk Nura është i katërti me 232 vota, ndërsa në vendin e pestë renditet Hykmete Bajrami me 229 vota.

    Ndërkohë, sipas rezultateve të përgjithshme të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, kur janë procesuar 99.65 për qind e votave, Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 13.57 për qind të votave, respektivisht 118 mijë e 772 vota.

    Në zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor, të drejtë vote kanë pasur 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë.

  • Kjo është lista e top pesë kandidatëve më të votuar nga AAK-ja

    Kjo është lista e top pesë kandidatëve më të votuar nga AAK-ja

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar publikimin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.

    Nga 2,557 vendvotime në total, deri më tani janë përpunuar 16 vendvotime, që përfaqësojnë rreth 0,63% të votave.

    Në këtë fazë të numërimit, kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po renditen si më poshtë:

    Ramush Haradinaj – 47 vota

    Bekë Berisha – 25 vota

    Besnik Tahiri – 24 vota

    Daut Haradinaj – 24 vota

    Ahmet Isufi – 19 vota.

  • Aleksandër Lumezi refuzon propozimin për zv/Kryeprokuror të Shtetit

    Aleksandër Lumezi refuzon propozimin për zv/Kryeprokuror të Shtetit

    Aleksandër Lumezi ka refuzuar propozimin për përzgjedhjen në pozitën e Zëvendës-Kryeprokurorit të Shtetit.

    Përmes një e-maili dërguar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, Lumezi ka sqaruar se për shkak të angazhimeve si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, e ka të pamundur ushtrimin edhe të pozitës së zv/Kryeprokurorit të Shtetit.

    Në e-mailin që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi“, thuhet se mbi këto arsye, Lumezi ka shprehur keqardhje për refuzim të propozimit të Qalajt, por duke vlerësuar propozimin e tij.

    “Pas një shqyritmi të kujdesshëm të përgjegjësive dhe angazhimeve që kjo pozitë kërkon, kam arritur në përfundimin se në këtë moment nuk jam në gjendje të pranoj këtë detyrë, për shkak të angazhimeve të mia profesionale si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve të të gjitha niveleve. Për këto arsye, me keqardhje kam vendosur të refuzoj këtë propozim“, thuhet në letrën e Lumezit.

    Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” më 26 dhjetor 2025 ka raportuar se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka caktuar takimin e radhës për sot (29 dhjetor 2025), ku pikë e rendit të ditës është edhe përzgjedhja e Zëvendës-Kryeprokurorit të Shtetit.

    Sipas letrës që kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, për këtë pozitë e ka propozuar Aleksandër Lumezin.

    Bazuar në agjendën e takimit të KPK-së të siguruar nga mediumi, në pikën e shtatë të rendit të ditës është “Propozimi i u.d. Kryeprokurorit të Shtetit për zgjedhjen e Zëvendës Kryeprokurorit të kësaj zyre”.

    Ndërkaq, në letrën që Qalaj ia ka drejtuar KPK-së më 24 dhjetor, propozon Lumezin për këtë pozitë.

    “ … me qëllim që të garantohet vazhdimësia institucionale, ushtrimi i plotë i kompetencave dhe përmbushja e të gjitha detyrave dhe përgjegjësive në përputhje me legjislacionin në fuqi, propozoj caktimin e prokurorit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z.Aleksandër Lumezi, në pozitën e Zëvendës Kyreprokurorit të Shtetit”, thuhet në këtë shkresë.

    Kujtojmë se Agron Qalaj është caktuar nga KPK në pozitën e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit në mbledhjen e 22 dhjetorit, pas miratimit të kërkesës së Besim Kelmendit për dorëheqje nga kjo pozitë.

  • OVL-UÇK organizon nesër homazhe për Ditën e Veteranit

    OVL-UÇK organizon nesër homazhe për Ditën e Veteranit

    Nesër, me rastin e Ditës së Veteranit të UÇK-së, OVL-UÇK do të organizojë homazhe në nderim të dëshmorëve të rënë për liri.

    Aktiviteti nis në orën 09:30 në Prekaz, pranë Kompleksit Memorial të Dëshmorëve, te Komandanti legjendar Adem Jashari, ndërsa homazhe do të mbahen edhe në lokacione të tjera nëpër qytetet e Kosovës.

    OVL-UÇK fton bashkëluftëtarët, familjarët e dëshmorëve dhe qytetarët të marrin pjesë në këtë ditë kujtese dhe nderimi.

  • Gjashtë ankesa u dorëzuan në PZAP në ditën e zgjedhjeve

    Gjashtë ankesa u dorëzuan në PZAP në ditën e zgjedhjeve

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë të ditur se në ditën e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, të dielën, pranoi gjashtë ankesa. Ankesat kishin të bënin kryesisht për shkeljet në ditën e votimit.

    “Lidhur me pyetjen tuaj rreth numrit të ankesave që lidhen me shkeljet konkretisht në ditën e votimit ju njoftojmë se janë pranuar 6 ankesa qe kanë të bëjnë kryesisht me shkeljet në ditën e votimit”, thuhet në përgjigjen e PZAP-së për Kohën.

    Në faqen e PZAP-së figurojnë gjashtë ankesa të bëra nga Lëvizja Vetëvendosje më 28 dhjetor, ndërsa një ankesë e ka dorëzuar AAK-ja sot.

    Dy ankesa i bëri në Prishtinë ndaj LDK-së për “përdorim të pasurisë publike dhe shfrytëzimit të pozitës publike me qëllim të përfitimit të votave”. Dy ankesa i bëri ndaj AAK-së për thyerje të heshtjes zgjedhore. Një ankesë ndaj LDK-së në Podujevë për vendosje të materialit zgjedhor në hapësira publike dhe një ndaj Lista Sërpskas për thyerje të heshtjes zgjedhore.

    E të hënën AAK-ja ka dorëzuar një ankesë ndaj Vetëvendosjes për thyerje të heshtjes zgjedhore.

  • Numërimi i votave të kandidatëve, këto janë top pesëshet e partive sipas të dhënave të fundit

    Numërimi i votave të kandidatëve, këto janë top pesëshet e partive sipas të dhënave të fundit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur publikimin e votave për kandidatët për deputetë.

    Deri tani janë procesuar 16 vendvotime.

    Sipas këtyre rezultateve këta janë top pesë kandidatët më të votuar të partive politike.

    VV: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Arsim Ademi, Rufki Suma e Fahrush Rexhepi.

  • Janina Ymeri për rezultatet: Vendi ka zgjedhur të përzë rininë, duke duartrokitur Albin Kurtin për 100 euro

    Janina Ymeri për rezultatet: Vendi ka zgjedhur të përzë rininë, duke duartrokitur Albin Kurtin për 100 euro

    Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar pas nisjes së procesit të numërimit të votave për kandidatët, duke kritikuar ashpër realitetin social dhe zgjedhjet politike në vend, me theks të veçantë te politika e ndarjes së 100 eurove.

    Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Ymeri ka bërë të ditur se nga sot ka nisur numërimi i votave për kandidatët për deputetë, duke u bërë thirrje qytetarëve që për informacione të fundit të përcjellin Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Ajo ka theksuar se ky proces ende nuk nënkupton përmbylljen e zgjedhjeve.

    Duke komentuar rezultatin zgjedhor, Ymeri ka thënë se ai nuk e ka befasuar, duke e lidhur atë me gjendjen ekonomike dhe nivelin e varfërisë në vend. Sipas saj, politika e ndarjes së parave ka pasur ndikim vendimtar në votën e qytetarëve.

    “Siç thotë populli, parja flet vet. Ka fol me rrymë, me ‘Martina’, me hajni tenderësh, por mbi të gjitha ka fol bindshëm fakti se ky popull e do paranë pa punuar. Ka fol mbrëmë”, ka shkruar ajo.

    Ymeri kritikon ashpër faktin që, sipas saj, vendi ka zgjedhur të “përzë rininë e vet”, ndërkohë që qytetarët duartrokasin kryeministrin Albin Kurti për përfitimin e 100 eurove disa herë në vit.

    Ajo thekson se vota përcakton vetëm rolin politik dhe opozitar, por jo vlerën dhe rezultatin final të një individi në jetë. Sipas saj, elektorati ka të drejtë të zgjedhë, por këto zgjedhje pasqyrojnë edhe mentalitetin shoqëror dhe drejtimin që po merr vendi.

    “E rëndësishme është ta dish se ku po rreshtohesh, kë po duartrokit dhe për çfarë Kosove po punon – për një politikë që, sipas meje, e largon rininë nga vendi apo për një Kosovë me perspektivë”, ka përfunduar Ymeri.