ATV

Category: Lajme

  • Rezultatet në KQZ, kaq vota i ka marrë Edona Llalloshi deri tani

    Rezultatet në KQZ, kaq vota i ka marrë Edona Llalloshi deri tani

    Në KQZ deri tani janë procesuar 6.22% nga numërimi i votave të kandidatëve për deputet.

    Aktualisht, këngëtarja Edona Llalloshi ka marrë një mijë e 916 vota.

    Llalloshi madje gjatë fushatës këngën e njohur “Si zog shqipe”, e përshtati si dedikim për Kryetarin e partisë, Albin Kurtin.

    1. ALBIN KURTI 20,392 Vota
    2. GLAUK KONJUFCA 15,786 Vota
    3. HEKURAN MURATI 8,327 Vota
    4. ALBULENA HAXHIU 8,155 Vota
    5. DONIKA GËRVALLA- SCHWARZ 7,295 Vota

  • Guvernatori i Bankës Qendrore: Presim që viti të mbyllet me rritje prej 3.9 për qind

    Guvernatori i Bankës Qendrore: Presim që viti të mbyllet me rritje prej 3.9 për qind

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka bërë të ditur se ekonomia e Kosovës pritet të mbyllë vitin me rritje prej 3.9 për qind, ndërsa inflacioni pritet të jetë rreth 3.8 për qind.

    Sa i përket inflacionit, ai ka thënë se zbutja pritet të vazhdojë në vitin 2026, kur inflacioni parashikohet të jetë rreth 3.4 për qind, ndërsa ka deklaruar se rritja e çmimeve këtë vit është nxitur kryesisht nga ushqimi, në përputhje me trendet rajonale dhe evropiane.

    Në një konferencë për media, Ismaili ka thënë se për vitin 2026 parashikohet që rritja ekonomike të arrijë në 4.1 për qind, e mbështetur kryesisht nga konsumi privat.

    “Sa i përket indikatorëve makroekonomikë të vendit, ne presim që viti të mbyllet me rritje prej 3.9 për qind. Këto janë projeksione që dalin nga departamenti ynë për analiza financiare dhe stabilitet. Ky është në linjë me aktivitetin ekonomik që deri në gjysmën e parë të këtij viti u rrit me 3.8 për qind. Ne parashikojmë që vitin 2026 rritja ekonomike të shkojë në 4.1 për qind, që është e mbështetur nga konsumi privat… Sigurisht, rreziqet dhe pasiguritë mbeten, ato kanë të bëjnë me faktorët e brendshëm që karakterizojnë sistemin tonë ekonomik dhe politik. Po ashtu, edhe nga rreziqet e jashtme dhe tensionet e tjera gjeopolitike, si dhe rritja e ngadaltë e eurozonës. Duke qenë një ekonomi e varur nga importi dhe gjithashtu e varur nga bashkëpunimi me BE-në, kjo është evidente se do të ketë ndikim”, ka thënë Ismaili.

    Ndërsa ka shtuar se inflacioni këtë vit pritet të mbyllet me 3.8 për qind, duke theksuar se pritet të zbutet në 3.4 për qind për vitin e ardhshëm.

    “Sa i përket inflacionit, sipas të dhënave deri në muajin tetor, inflacioni në Kosovë ishte 3.6 për qind, ndërsa pritet që të mbyllet viti me rreth 3.8 për qind. Ndërsa, për vitin 2026 ne presim që inflacioni të zbutet në 3.4 për qind. Rritja e inflacionit ka qenë kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimit, ka qenë gjithashtu në linjë me dinamikat rajonale dhe evropiane”, tha ai.

    Në aspektin e bilancit të pagesave, Ismaili ka bërë të ditur se deficiti është zgjeruar nga 5 për qind në 7 për qind të GDP-së.

    “Shihet që vitin 2025 ka pasur një zgjerim të bilancit në kuptimin e deficitit nga 5 për qind e GDP-së në 7 për qind e GDP-së. Eksporti i mallrave, shihet që ka pasur një ngadalësim në vitin e fundit në krahasim me dy vitet e mëparshme. Ndërsa importi ka vazhduar një ritëm të rritjes. Një sektor që është duke performuar mirë është eksporti i shërbimeve, ku shihet që rritja është dyshifrore, mes 13 ose 14 për qind rritje në vit. Kurse importi i shërbimeve e ka trend rënës, pra kjo është një prej elementeve shumë të rëndësishëm sepse ndërlidhet me kapitalin njerëzor, intelektual që ka vendi, dhe me mundësitë që të rinjtë dhe të rejat të ofrojnë shërbimet e tyre dhe kjo është që po ndikon në bilancin e pagesave”, ka thënë ai.

    Ai ka folur edhe për shtrirjen e institucioneve financiare në katër komunat veriore të vendit.

    “Këtu paraqitet sa ka qenë prezenca dhe sa është sot tek institucionet financiare në katër komunat veriore të vendit. Nga katër banka sot janë 12 banka, 12 degë bankare prezente, që janë trefish. Nga dy mikrofinanca në tre, nga një kompani të sigurimit në katër, nga 10 jo-banka në 31, me një fjalë numri nga 17 ka kaluar në 30”, nënvizoi Ismaili.

    Ndërsa ka bërë të ditur se kreditë janë rritur rreth 15 për qind.

    “Kreditë janë rritur rreth 15 për qind në raport me një vit përpara. Në përgjithësi ka arritur në 6.5 miliardë. Nëse krahasojmë me pesë vitet e mëparshme ishte 3.2 apo 3.3 miliardë, pra dyfishim i kredive”, u shpreh Ismaili.

    Banka Qendrore ka ndarë poashtu çmimet në dy kategori, “Shkrimi dhe raportimi në gazetari për sektorin financiar” dhe “Ekonomisti i ri”. Ky aktivitet sipas BQK-së synon të nxisë raportimin cilësor për ekonominë dhe të mbështesë zhvillimin e të rinjve në fushën e ekonomisë dhe financave.

  • Spiropali uron Kurtin: Shqipëria dhe Kosova ecin së bashku drejt rrugës europiane

    Spiropali uron Kurtin: Shqipëria dhe Kosova ecin së bashku drejt rrugës europiane

    Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka uruar kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës, Albin Kurti, për fitoren e arritur në zgjedhje dhe besimin e marrë nga qytetarët e Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Spiropali ka vlerësuar procesin zgjedhor në Kosovë, duke theksuar se zgjedhjet u zhvilluan me maturi, qetësi dhe përgjegjësi qytetare, si shenjë e pjekurisë demokratike të vendit.

    “Urime popullit të Kosovës për zgjedhjet e zhvilluara me maturi, qetësi dhe përgjegjësi qytetare, një shprehje e pjekurisë demokratike që na bën krenarë. Përgëzime Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti për fitoren e arritur dhe besimin e marrë nga qytetarët, si dhe të gjithë spektrit politik për fushatën dhe standardet e arritura,” ka shkruar Spiropali.

    Ajo ka theksuar gjithashtu lidhjet e ngushta mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke nënvizuar orientimin e përbashkët drejt integrimit evropian.

    “Shqipëria dhe Kosova ecin së bashku krah për krah, me një zemër, një zë dhe në rrugë evropiane, sepse ajo që na bashkon është më e madhe se çdo kufi,” ka përfunduar ajo.

  • Trumpi ka vënë në shënjestër ish-gjykatësin e Gjykatës Speciale

    Trumpi ka vënë në shënjestër ish-gjykatësin e Gjykatës Speciale

    Ish-gjyqtari i Gjykatës Speciale për Kosovën, tani pjesë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), është vënë në shënjestër të sanksioneve të ashpra të administratës Trump.

    Për shkak të urdhërarrestit ndaj udhëheqësve izraelitë, Nicolas Guillou e gjen veten të radhitur krahas terroristëve në listat e zeza të Uashingtonit, duke humbur qasjen në llogari bankare, karta krediti dhe shërbime bazë digjitale.

    Francezi Nicolas Guillou ka një vit që punon në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN), e cila ndjek krimet e luftës dhe e ka selinë në Hagë.

    Më parë, 50-vjeçari Guillou, i cili është ekspert i së drejtës ndërkombëtare, ka punuar për tribunalet speciale të Kosovës dhe Libanit.

    Në vitin 2023, Guillou dhe krerë të tjerë të GJPN-së lëshuan një urdhërarrest kundër presidentit rus, Vladimir Putinit për shkak të krimeve kundër njerëzimit sipas Kartës së OKB-së. Akuza përmend sidomos kidnapimin e fëmijëve ukrainas nga Rusia. Ndjekja penale e Putinit nuk befasoi askënd, shkruan portali zviceran Watson në një analizë.

    Situata ndryshoi në nëntor 2024, kur GJPN shpalli në kërkim edhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant. Ata dyshohen se kanë kryer gjenocid në Gaza.

    SHBA-ja, si fuqi mbrojtëse e Izraelit, me urdhër të Trumpit, u mobilizua menjëherë kundër GJPN-së në Hagë. Ndaj nëntë gjyqtarëve dhe tre prokurorëve u vendosën gjithashtu sanksione. Mes tyre është edhe Guillou.

    Në intervistën e tij të vetme deri më tani për gazetën franceze “Le Monde”, ai tregoi se për qytetarët dhe kompanitë amerikane ai është tashmë një “persona non grata” (person i padëshiruar). Çdo kontakt me të është i ndaluar. Ai nuk ka më qasje ndaj platformave si Amazon, Airbnb ose Paypal.

    “Për shembull, bëra një rezervim hoteli në Francë përmes Expedia. Disa orë më vonë mora një e-mail ku thuhej se kjo nuk ishte e mundur për shkak të sanksioneve”, raportoi ai.

    Edhe një bankë franceze me marrëdhënie në SHBA i ka mbyllur llogaritë e Guillou. Kartelat e tij të kreditit si Visa, American Express ose Mastercard më nuk funksionojnë.

    “Nga një ditë në tjetrën mbetesh pa mjete pagese”, shpjegoi Guillou, i cili për drejtësinë amerikane tashmë është po aq i izoluar sa 15 mijë terroristë, krerë bandash apo bosë të mafias në listën e sanksioneve të Uashingtonit.

    Fuqitë e mëdha (SHBA, Rusia), përmes vetos së tyre, parandalojnë hetimet e GJPN-së në territorin e tyre ose te aleatët si Izraeli. Megjithatë, Putin u akuzua nëpërmjet Ukrainës, ndërsa Netanyahu nëpërmjet Palestinës – një manovër juridike e së drejtës ndërkombëtare. Kjo mbështetet nga organizatat e të drejtave të njeriut./Telegrafi/

  • Putin nënshkruan ligjin që i lejon Rusisë të injorojë vendimet penale të gjykatave ndërkombëtare

    Putin nënshkruan ligjin që i lejon Rusisë të injorojë vendimet penale të gjykatave ndërkombëtare

    Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar ndryshimet ligjore që i japin Rusisë të drejtën të injorojë vendimet në çështjet penale të lëshuara nga gjykatat e huaja dhe ndërkombëtare, ndërsa Ukraina dhe Evropa kërkojnë ndëshkimin e Moskës për luftën e saj.

    Me këto ndryshime, Moska do të ketë të drejtën sipas legjislacionit të saj të brendshëm të shpërfillë vendimet në çështjet penale nga gjykatat e huaja në emër të qeverive të huaja pa pjesëmarrjen e Rusisë.

    Vendimet e lëshuara nga organet ligjore ndërkombëtare, të cilat nuk bazohen në një marrëveshje ndërkombëtare me Rusinë ose në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjithashtu mund të injorohen sipas ndryshimeve.

    Në qershor, Ukraina dhe organi i të drejtave të njeriut i Këshillit të Evropës nënshkruan një marrëveshje që krijonte bazën për një gjykatë të posaçme kundër Rusisë.

  • Votat e para të LDK-së, djali i Ibrahim Rugovës në mesin e më të votuarve

    Votat e para të LDK-së, djali i Ibrahim Rugovës në mesin e më të votuarve

    Ukë Rugova, djali i Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova sipas rezultatatve të para nga numërimi i votave të kaniddatëve për deputet po del të jetë në mesin e më të votuarve.

    Nga 11 vendvotime ose 4.34 % të votave sa janë numëruar deri më tani, Ukë Rugova radhitet i treti në LDK.

    Ai ka marrë sipas këtyre rezultateve 1 mijë e 453 vota.

    LDK ka marrë vetëm 13,57% ose 118 mijë 772 vota në total.

  • Përditësohen rezultatet në KQZ, këta janë TOP 10 më të votuarit në VV, PDK e LDK

    Përditësohen rezultatet në KQZ, këta janë TOP 10 më të votuarit në VV, PDK e LDK

    Më 28 dhjetor Kosova mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Tashmë ka nisur procesimi i votave të numëruara të kandidatëve për deputetë.

    Kur janë procesuar 2.89% apo 74 vendvotime nga 2,557 sa janë gjithsej, në Lëvizjen Vetëvendosje, kreu i kësaj partie, Albin Kurti deri tani ka marrë 8 mijë e 84 vota.

    Në vend të dytë është Glauk Konjufca me 6 mijë e 43 vota, ndërsa me 2 mijë e 940 vota është në vend të tretë Albulena Haxhiu.

    Në vendin e katërt aktualisht është Hekuran Murati me 2 mijë e 861 vota, ndërsa në të pestin Donika Gërvalla-Schwarz.

    6. XHELAL SVEÇLA 2,482 Vota
    7. HAJRULLA ÇEKO 3,637 Vota
    8. AVNI DEHARI 3,428 Vota
    9. MIMOZA KUSARI LILA 3,253 Vota
    10.EJUP MAQEDONCI 2,984 Vota

    Në Partinë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka marrë 5 mijë e 212 vota kur procesuar 4.34% të votave të kandidatëve për deputet.

    Arian Tahiri, kandidat për deputet, njëherit ish-kandidat për Kryetar të Mitrovicës në zgjedhjet lokale, deri tani ka marrë 2 mijë e 553 vota.

    Në vend të tretë del të jetë Përparim Gruda me 2 mijë e 295 vota.

    Vendin e katërt me një mijë e 831 vota e zë Uran Ismaili, ndërsa të pestin Sala Jashari me një mijë e 629 vota.

    6. VLORA ÇITAKU 1,484 Vota
    7. ARBEN MUSTAFA 1,433 Vota
    8. ENVER HOXHAJ 1,161 Vota
    9. RRAHMAN RAMA 988 Vota
    10.EMAN RRAHMANI 975 Vota

    Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila në procesimin e votave totale 99.65%, aktualisht ka 13.57%, ndërsa në votat e para të kandidatëve për deputet, Lumir Abdixhiku deri tani ka marrë 2 mijë e 582 vota.

    Me një mijë e 607 vota në vend të dytë është Hykmete Bajrami, ndërsa në të tretin Ukë Rugova me një mijë e 453 vota.

    Në vend të katërt është Doarsa Kica Xhelili me një mijë e 228 vota, ndërsa të pestin me një mijë e 221 vota është Avdullah Hoti.

    6. KUJTIM SHALA 1000 Vota
    7. ARMEND ZEMAJ 920 Vota
    8. ANTON QUNI 864 Vota
    9. LUTFI HAZIRI 754 Vota
    10.JANINA YMERI 716 Vota

    Në votat e para të numëruara të kandidatëve për deputet, 2.89% sa janë tani nga faqja zyrtare e KQZ-së, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj ka marrë 794 vota.

    Në vendin e dytë është Daut Haradinaj me 451 vota ndërsa në të tretin Besnik Tahiri me 447 vota.

    Vendin e katërt aktualisht e zë Bekë Berisha me 397 vota, ndërsa Agim Çeku pas tij me 289 vota.

    6. BURIM RAMADANI 259 Vota
    7. TIME KADRIJAJ 251 Vota
    8. ARBER TOLAJ 236 Vota
    9. TEUTA HAXHIU 213 Vota
    10.PAL LEKAJ 202 Vota

    Kur kanë mbetur edhe 9 vendvotime pa u procesuar rezultatet, në 99.65%, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 49.39% apo 431 mijë e 442 vota.

    E dyta është Partia Demokratike e Kosovës me 21% apo 183 mijë e 826 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës numëron 13.57% apo 118 mijë e 772 vota.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.68% apo 49 mijë e 675 vota.

    Në Kosovë, në zgjedhjet e së dielës së 28 dhjetorit, të drejtë vote patën 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë.

  • BE-ja kërkon formimin e shpejtë të institucioneve në Kosovë

    BE-ja kërkon formimin e shpejtë të institucioneve në Kosovë

    Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe është shprehur se mirëpret angazhimin me autoritetet zyrtare të Prishtinës.

    Kallas ka konfirmuar se Bashkimi Evropian po ecën drejt heqjes së masave ndaj Kosovës.

    Në këtë kuadër, ajo ka përsëritur se 216 milionë euro ndihmë financiare janë lëshuar tashmë pas transferimit të rregullt të qeverisjes lokale pas zgjedhjeve të fundit lokale, ndërsa synohet lirimi i 205 milionë eurove shtesë në fillim të vitit të ardhshëm.

    Në deklaratën e lëshuar pas ditës së zgjedhjeve në vend, Kallas ka porositur se Qeveria e re duhet të dyfishojë përpjekjet për reformat shumë të nevojshme që lidhen me Bashkimin Evropian. Ajo ka vlerësuar se procesi zgjedhor tregoi një angazhim të fortë ndaj parimeve demokratike.

    Thirrje të veçantë, Kallas i ka bërë përbërjes së re të Kuvendit që, menjëherë pas formimit, të ratifikojë marrëveshjet që lidhen me Planin e Rritjes.

    “Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument me afat të kufizuar kohor, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interesin e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, për të shfrytëzuar plotësisht të gjitha mundësitë që ofron ky plan, në dobi të popullsisë së saj”, ka thënë përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

    Ajo gjithashtu ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet e vetmja rrugë që të dyja palët të avancojnë në proceset e tyre evropiane.

    “Presim që të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Dialogut, të zbatohen pa vonesa dhe pa parakushte të tjera”, ka nënvizuar Kallas, duke rikonfirmuar gatishmërinë për të organizuar një takim në nivelin më të lartë politik sapo kushtet ta lejojnë një gjë të tillë.

  • LVV dhe PDK arrijnë marrëveshje për qeverisje në Podujevë, Shabani zgjidhet kryesues

    LVV dhe PDK arrijnë marrëveshje për qeverisje në Podujevë, Shabani zgjidhet kryesues

    Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje në Komunën e Podujevës.

    Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, kandidati i PDK-së, Isak Shabani, është zgjedhur të hënën kryesues i Kuvendit Komunal të Podujevës.

    Shabani ka marrë mbështetjen e 21 asamblistëve, ndërsa një votë ka qenë abstenim. Asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk kanë marrë pjesë në procesin e votimit.

    Pas zgjedhjes, Shabani ka deklaruar se këtë pozitë e sheh si një përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe ka premtuar angazhim për një punë transparente dhe në përputhje me ligjin shkruan Tëvë1.

  • Vazhdojnë mesazhet mashtruese, Posta e Kosovës apelon qytetarët për kujdes

    Vazhdojnë mesazhet mashtruese, Posta e Kosovës apelon qytetarët për kujdes

    Posta e Kosovës ka njoftuar qytetarët për një valë të re të mesazheve mashtruese që qarkullojnë përmes SMS-ve, ku palë të panjohura paraqiten në emër të Postës së Kosovës.

    Sipas njoftimit të institucionit, menjëherë pasi është bërë i ditur për rastet, Posta ka informuar organet kompetente dhe po bashkëpunon me to për hetimin e sulmeve.

    Posta e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos klikojnë asnjë link të dërguar përmes këtyre mesazheve, si dhe të mos bashkëpunojnë me numra telefonikë që nuk i përkasin Postës.

    “Në asnjë rast, Posta e Kosovës nuk do t’ju kërkojë të dhëna personale apo informacione bankare”, thuhet në njoftim.

    Institucioni ka theksuar se kanalet e saj zyrtare janë:

    Web-faqja: www.postakosoves.com
    Facebook: Posta e Republikës së Kosovës
    Instagram: postaekosoves
    LinkedIn: Posta e Kosovës
    Numrat zyrtarë: 038 221631 dhe 045 851001
    Posta e Kosovës ka bërë të ditur se sulme të ngjashme janë raportuar edhe në postat e tjera të rajonit dhe ka riafirmuar përkushtimin e saj për të mbrojtur qytetarët dhe për të bashkëpunuar me institucionet relevante. /Telegrafi/