ATV

Category: Lajme

  • Aktakuzë ndaj 9 personave, Prokuroria Speciale: Përfituan mbi 2 milionë euro duke mashtruar shtetas të huaj

    Aktakuzë ndaj 9 personave, Prokuroria Speciale: Përfituan mbi 2 milionë euro duke mashtruar shtetas të huaj

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 9 personave, të cilët ngarkohen për përfitimin e e mbi 2 milionë eurove nga mashtrimi i shtetasve të huaj.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur atakuzë ndaj N.S., E.S., D.B., A.J., G.S., M.D., K.S., B.Q dhe V.M për veprën penale “Mashtrimi”. Ndërsa N.S., akuzohet edhe për posedim të paautorizuar të armëve”, tha Prokuroria Speciale në një njoftim.

    “Të pandehurit akuzohen se në bashkëveprim, nga një periudhë e papërcaktuar kohore e deri në shkurt të 2024-ës, kanë mashtruar shetas të vendeve të ndryshmve evropiane, kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, duke përfituar kundërligjshëm mjete financiare në vlerë prej dy milionë e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e shtatëdhjetë e një (2,067,271) euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit duke u paraqitur rrejshëm si kompani investimesh, kanë kontaktuar viktimat dhe i kanë bindur të investojnë në platformat ”Option888” dhe “Krack”. Gjithashtu, pasi kanë përfituar qasje nga viktimat në aplikacionet e tyre, kanë manipuluar të dhënat, duke i paraqitur investimet (fiktive) në rritje.

    “Hetimet kanë vërtetuar se parat e të dëmtuarëve, të transferuara përmes platformës “Krack”, janë ndarë mes të gjithë të pandehurve. Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar, si dhe në mbrojtjen e rendit dhe ligjshmërisë”, thuhet në njoftim.

  • Rruga drejt paqes, Zelensky: SHBA-të ofrojnë 15 vite siguri, Ukraina kërkon 50

    Rruga drejt paqes, Zelensky: SHBA-të ofrojnë 15 vite siguri, Ukraina kërkon 50

    Takimi në Florida mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky ka prodhuar lëvizjet e para konkrete për t’i dhënë fund luftës.

    Ndërsa Trump thotë se marrëveshja është “95% gati”, pika e nxehtë mbetet kohëzgjatja e mbrojtjes amerikane dhe fati i territoreve të pushtuara.

    Garancitë e sigurisë: 15 apo 50 vite?

    Uashingtoni i ka ofruar Ukrainës një premtim sigurie për 15 vitet e ardhshme. Megjithatë, Zelensky po kërkon më shumë.

    Ai ka deklaruar se me një fqinj si Rusia, paqja nuk është kurrë e sigurt, ndaj kërkon që mbrojtja amerikane të zgjasë 30 deri në 50 vite.

    Sipas tij, garancitë duhet të nisin në momentin që firmoset paqja.

    Çfarë mbetet pa zgjidhur?

    Edhe pse palët thonë se janë shumë afër, dy pengesa të mëdha janë ende në tavolinë:

    Territoret: Fati i rajonit të Donbasit mbetet i paqartë. Rusia kërkon tërheqjen totale të trupave ukrainase, ndërsa Ukraina propozon që zona të jetë ekonomike dhe e mbrojtur nga forcat e saj.

    Centrali i Zaporizhias: Ky central bërthamor, aktualisht në duart e Rusisë, është një pikë kyçe që Zelensky kërkon ta zgjidhë përpara se të firmosë çdo gjë.

    Çfarë thotë Trump dhe Kremlini?

    Presidenti Trump u shpreh optimist, duke thënë se edhe aleatët evropianë do të marrin një barrë të madhe në këtë proces.

    Nga ana tjetër, Kremlini ka rënë dakord me vlerësimin e Trump se “paqja është afër”, por mbetet kundër një armëpushimi të përkohshëm që do t’i lejonte Ukrainës të mbante një referendum popullor për marrëveshjen.

    Hapat e radhës

    Zyrtarët ukrainas pritet të vizitojnë Shtëpinë e Bardhë për të finalizuar detajet në Janar.

    Ndërsa muajin tjetër, aleatët evropianë do të mblidhen në Francë për të diskutuar rolin e tyre në garancitë e sigurisë.

    Ndërkohë që bisedimet vazhdojnë në sallat luksoze të Floridës, në terren lufta nuk ka ndaluar. Gjatë natës, të dyja palët kanë vijuar sulmet me dronë dhe raketa, duke treguar se rruga drejt paqes së premtuar mbetet ende e vështirë.

  • Edhe dy kuti votimi pa u numëruar, VV mbetet në 49%

    Edhe dy kuti votimi pa u numëruar, VV mbetet në 49%

    Kanë mbetur edhe dy kuti votimi pa u numëruar nga 2557 gjithsej.

    Nga rezultatet e fundit të dala nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, VV prin me 49.33%.

    PDK ka grumbulluar 20.99% të votave, LDK 13.57% dhe AAK 5.66%.

    Ndërkohë qytetarët këtë vit iu drejtuan kutive të votimit plot dy herë në kuadër të zgjedhjeve nacionale, dhe dy herë të tjera për zgjedhjet lokale.

  • 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, Murati njofton ekzekutimin e pagesave

    100 euro për fëmijët dhe pensionistët, Murati njofton ekzekutimin e pagesave

    Ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati, ka njoftuar se është ekzekutuar pagesa e shtesës së njëhershme prej 100 eurosh.

    Përmes një postimi në facebook, Murati ka bërë të ditur se transferimi është realizuar për fëmijët e moshës 0–16 vjeç, si dhe për përfituesit e pensioneve bazike dhe kontributive, kategoritë e luftës, personat me aftësi të kufizuara dhe skemat tjera përfituese, sipas kritereve të përcaktuara me vendim të Qeverisë.

    “Ashtu siç kishte njoftuar Kryeministri Kurti javën që shkoi, sot kemi bërë transferimin e shtesës së njëhershme prej 100 eurove për fëmijët 0-16 vjeç, si dhe për përfituesit e pensioneve bazike, kontributive, kategoritë e luftës, aftësive të kufizuara, dhe skemave tjera sipas kritereve të përcaktuara në vendim.Varësisht nga banka ku përfituesit kanë llogarinë, në orët në vijim do të pranojnë edhe mjetet e transferuara”, ka shkruar Murati.

  • Pse na duhen sekretet e gjenive të biznesit?

    Pse na duhen sekretet e gjenive të biznesit?

    Nga Fatos Çoçoli

    Libri në dy vëllime “Sekretet e gjenive të biznesit” i Prof. Dr. Adrian Civici përfaqëson një prej botimeve më të rëndësishme të viteve të fundit në fushën e ekonomisë, menaxhimit dhe edukimit sipërmarrës në Shqipëri.

    Ai sjell një qasje të rrallë: kombinimin e analizës teorike me biografitë konkrete të sipërmarrësve më të mëdhenj të botës moderne, duke i përkthyer eksperiencat e tyre në mësime të thjeshta, të zbatueshme dhe të vlefshme për çdo lexues.

    Ky libër jo vetëm informon, por formon, duke shërbyer si udhërrëfyes për studentët, biznesin, politikëbërësit dhe këdo që kërkon të kuptojë mekanizmat e suksesit në ekonominë globale.

    Një manual modern i mendimit sipërmarrës

    Vlera e parë e librit është se përkthen mendësinë e gjenive të biznesit, nga Steve Jobs te Elon Musk, nga Warren Buffett te Jack Ma, në modele të qarta, të prekshme dhe të sistemuara. Profesor Civici nuk përqendrohet në mitologjinë e tyre, por në procesin e tyre të të menduarit, disiplinën, strategjinë dhe vizionin afatgjatë.

    Libri arrin të lidhë botën e miliarderëve të teknologjisë, industrisë dhe shërbimeve me sfidat e tregut shqiptar: mungesa e inovacionit, frika nga rreziku, kultura e ulët menaxheriale dhe dobësia e planeve strategjike. Kjo e bën veprën një mjet të çmuar orientues për sipëmarrsit e ndërmarrjeve tona të vogla e të mesme, për startup-et tona, për profesionistët e sektorëve të ndryshëm dhe për vendimmarrjen ekonomike publike.

    Profesori i shquar i ekonomisë sonë dhe publicisti i njohur, për çdo figurë gjeniale të biznesit botëror që analizon, përqendrohet tek psikologjia e suksesit. Civici shpjegon se gjenitë e biznesit dallohen jo vetëm nga inteligjenca apo kapitali, por nga aftësia për të marrë vendime të vështira, nga qëndrueshmëria ndaj dështimit, nga vizioni i qartë për të ardhmen dhe prirja për të parë mundësi, aty ku të tjerët shohin vetëm rrezik.

    Libri, i shkruar me një gjuhë të thjeshtë, komunikuese dhe të zhdërvjelltë, e zhvendos me mjeshtëri vëmendjen nga qasja tradicionale “çfarë bënë” drejt qasjes “si menduan”, një risi me vlerë shkencore dhe praktike.

    Libër që e sjell biznesin si kulturë, jo vetëm si aktivitet ekonomik

    Në një vend si i yni, ku edukimi ekonomik shpesh mbetet teorik, libri plotëson një boshllëk të madh. Ai është i ilustruar me histori reale, i thjeshtëzuar në gjuhë të qartë, i sistemuar në forma që mund të përdoren gjerësisht në leksione, trajnime dhe seminare, si dhe i vlefshëm për sipërmarrësit e rinj, të cilët kërkojnë një “udhëzues fillestar” të besueshëm.

    Profesor Civici ka arritur të japë një analizë të thellë dhe të ekuilibruar të këtyre gjenive, duke e mbajtur narrativën larg romantizimit. Ndryshe nga shumë libra motivues perëndimorë he qasje pothuajse biografike, Civici ruan një qasje kritike. Ai studion jo vetëm sukseset e gjenive të biznesit, por edhe gabimet, krizën e tyre, konfliktet me rregullatorët, etikat e diskutueshme, marrëdhënien mes pushtetit ekonomik dhe atij politik.

    Ky ekuilibër e bën librin të besueshëm dhe akademikisht tejet të vlefshëm. Me të, Civici ia ka dalë ta konceptojë dhe të na e sjellë me shumë ngjyra aktivitetin e biznesit Konceptimi i biznesit si kulturë, jo vetëm si aktivitet ekonomik i jep veprës atë përmasë të gjashtë shtesë, që e bën unikale.

    Libri hedh një mesazh të rëndësishëm: biznesi është sa eksperiencë e jashtëzakonshme e jetuar, aq edhe vlerë shoqërore dhe kulturë. Ai kërkon mentalitet të hapur, inovacion të vazhdueshëm, të mësuarit gjatë gjithë jetës, respekt për kohën, si dhe ndërtim të vlerave, e jo vetëm të pasurisë. Ky dimension i qartë dhe i plotë kulturor është ndoshta kontributi më i madh i librit të Prof. Dr. Adrian Civicit.

    Ai do të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në politikëbërjen dhe edukimin publik ekonomik. Përtej lexuesit individual, libri ofron referenca që shërbejnë si material për politika mbi sipërmarrjen, bazë për reforma në arsimin profesional, literaturë për programet universitare të ekonomisë dhe menaxhimit, si dhe frymëzim për sektorin privat që kërkon modernizim.

    Një ftesë për të ndërtuar “gjenitë e biznesit” shqiptarë të së ardhmes

    Në një vend me treg të vogël, ekonomi të brishtë dhe emigracion të lartë, Civici nxit një ide të rëndësishme: edhe Shqipëria mund të krijojë gjenitë e saj të biznesit, nëse ndërtohen kultura e inovacionit, tregjet konkurruese, mbështetja institucionale, mendësia e rrezikimit të matur dhe investimi në dije. Libri është një thirrje për të mos pritur vetëm “heronjtë globalë”, por për të kultivuar mendjet kreative shqiptare.

    “Sekretet e gjenive të biznesit” është më shumë se një libër për ekonominë. Është një guide për mënyrën e të menduarit, një ftesë për ndryshim kulturor, një manual inspirues dhe një instrument edukativ që i mungonte tregut shqiptar. Kryevlera e tij qëndron tek aftësia e Profesorit të talentuar për të sjellë përvojat globale në realitetin tonës, duke dhënë mësime që mund të shndërrohen në strategji konkrete suksesi. Në një kohë kur Shqipërisë i duhen ide të reja, kultura inovative dhe sipërmarrje e guximshme, libri i Prof. Dr. Civici është një prej burimeve më të vlefshme të mendimit kritik dhe zhvillimor shqiptar në fushën e ekonomisë.

  • Sali Berisha: Zgjedhjet në Kosovë shembull i demokracisë dhe frymëzim për Shqipërinë

    Sali Berisha: Zgjedhjet në Kosovë shembull i demokracisë dhe frymëzim për Shqipërinë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka vlerësuar Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025 në Kosovë, duke i cilësuar ato si një sukses të rëndësishëm demokratik dhe një shembull frymëzues për Shqipërinë.

    Në një reagim publik, Berisha theksoi se procesi zgjedhor në Kosovë, përfshirë fushatën, administrimin e votës, procedurat e votimit dhe garën e lirë politike, dëshmoi funksionimin e një demokracie në zhvillim dhe respektimin e vullnetit qytetarë.

    Ai përgëzoi qytetarët e Kosovës, institucionet shtetërore dhe organet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, si dhe subjektet politike për pjesëmarrjen dhe qasjen e tyre gjatë procesit zgjedhor, duke vlerësuar respektimin e rezultatit përfundimtar.

    Berisha po ashtu uroi kryeministrin Albin Kurti për fitoren në zgjedhje, duke e cilësuar rezultatin si shprehje të qartë të vullnetit të sovranit. Ai përmendi edhe partitë e tjera politike, duke i përgëzuar për, siç u shpreh, qëndrimet dinjitoze gjatë fushatës dhe pranimin e verdiktit të qytetarëve.

    Në përmbyllje të reagimit të tij, kreu i PD-së e cilësoi Kosovën si krenari të shqiptarëve dhe theksoi se zgjedhjet e 28 dhjetorit përfaqësojnë një arritje të rëndësishme për konsolidimin e rendit demokratik në vend.

  • Reagon Hykmete Bajrami: Na falni për dëshpërimin

    Reagon Hykmete Bajrami: Na falni për dëshpërimin

    Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve, duke iu drejtuar votuesve dhe strukturave të partisë me një mesazh kritik dhe reflektues.

    Përmes një postimi në facebook, Bajrami ka ironizuar fitoren e VV-së, duke theksuar se zgjedhjet janë fituar pa asnjë sukses për pesë qeverisje, në një kohë kur vendi është përballur me korrupsion të lartë, zyrtarë nën aktakuza, masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, përkeqësim të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nepotizëm institucional, shkelje të Kushtetutës, inflacion dyshifror dhe probleme serioze në sektorin e energjisë.

    “Sepse t’i fitosh zgjedhjet pa asnjë sukses për pesë qeverisje, me njerëz nën aktakuza, me korrupsion enorm, nën masa ndëshkuese të BE-së, me degradim të raporteve me SHBA-të, me kapje dhe nepotizëm në çdo institucion, me shkelje serike të Kushtetutës, me inflacion dyshifror dhe me mafi energjetike vërtet është “sukses i madh”. Po, votuesit tanë kokën lart. Ne të tjerët gishtin në kokë. Sepse kjo është koha për të dhënë përgjegjësi dhe për të marrë përgjegjësi”, ka shkruar Bajrami.

    Ajo u ka kërkuar falje votuesve dhe strukturave të LDK-së për, siç e ka quajtur, dëshpërimin, duke i falënderuar njëkohësisht për besimin dhe përkushtimin ndaj partisë. Sipas saj, janë pikërisht votuesit ata që e mbajnë LDK-në gjallë e të fortë.

  • Për herë të parë garon për deputete të LDK-së, kaq vota deri tani ka marrë Adelina Thaçi

    Për herë të parë garon për deputete të LDK-së, kaq vota deri tani ka marrë Adelina Thaçi

    Deri tani në KQZ janë procesuar vetëm 7.35% të votave të numëruara të kandidatëve për deputet.

    Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Adelina Thaçi-Meta deri tani ka marrë 997 vota.

    Thaçi-Meta në zgjedhjet e 28 dhjetorit për herë të parë u paraqit si kandidate për deputete nga LDK-ja.

    Pesëshja e parë e LDK-së.

    1LUMIR ABDIXHIKU 5,052 Vota
    2. HYKMETE BAJRAMI3,197 Vota
    3. UKË RUGOVA 2,759 Vota
    4. DOARSA KICA XHELILI 2,482 Vota
    5. AVDULLAH HOTI
    6. 2,459 Vota

  • Fjala s’i mori as 850 vota, Kelmendi nuk zmbrapset: Rruga jonë s’do të ndalet

    Fjala s’i mori as 850 vota, Kelmendi nuk zmbrapset: Rruga jonë s’do të ndalet

    Partia Fjala e Gëzim Kelmendit edhe këtë herë e provoi, por nuk arriti ta kalojë pragun për t’u futur në Kuvendin e Kosovës.

    Në rezultatet e KQZ-së del se ky subjekt ka marrë 0,10 për qind apo 842 vota.

    Megjithatë në një postim në Facebook, kreu i këtij subjekti politik megjithatë u shpreh i bindur se do të vazhdojnë rrugën e tyre.

    “Rruga jonë nuk do të ndalet.

    Me lejen e ZOTIT ne do të vazhdojmë të vendosur në këtë rrugë, ta mbrojmë interesin e përgjithshëm dhe jo interesin përsonal.

  • Osmani paralajmëron kandidim për mandat të dytë presidencial

    Osmani paralajmëron kandidim për mandat të dytë presidencial

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se synon të kandidojë sërish për postin e presidentes së vendit.

    Ajo e ka konfirmuar këtë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, duke theksuar se pret fillimisht formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.

    Osmani ka paralajmëruar se në periudhën në vijim do të zhvillojë bisedime me akterë të ndryshëm politikë për të siguruar mbështetjen e nevojshme për kandidaturën e saj.

    Ajo ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin e saj politik edhe në rast se nuk zgjidhet presidente për një mandat të dytë, duke nënvizuar se mbetet e përkushtuar ndaj shërbimit publik dhe interesave të shtetit.

    Në intervistë, presidentja ka komentuar edhe raportet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, politikën e jashtme të Kosovës, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën administratën e presidentit Donald Trump, si dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Osmani ka folur gjithashtu për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të tyre për stabilitetin rajonal dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.