ATV

Category: Lajme

  • Numërohen mbi 68 për qind e votave për deputetë, këto janë rezultatet e përditësuara në mëngjes

    Numërohen mbi 68 për qind e votave për deputetë, këto janë rezultatet e përditësuara në mëngjes

    68,95 përqind e votave të kandidatëve për deputetë kanë përfunduar së numëruari. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar rezultatet nga 1 mijë e 763 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa janë gjithsej.

    Kreu i VV-së dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, e ka kaluar shifrën prej 240 mijë votash.

    Ai pasohet nga Glauk Konjufca që numëron mbi 187 mijë vota deri tash.

    Lista vazhdon me Albulena Haxhiun, Hekuran Muratin dhe Donika Gërvallën.

    Kreu i PDK-së, Bedri Hamza ka rreth mbi 109 mijë vota deri tash.

    Pas tij vjen Arian Tahiri me rreth 50 mijë vota, pasuar nga Përparim Gruda, Uran Ismaili dhe Sala Jashari.

    Tek LDK, në krye të listës është Lumir Abdixhiku me mbi 53 mijë vota.

    Hykmete Bajrami renditet menjëherë pas tij me gati 33 mijë vota, e ndjekur nga Ukë Rugova, Doarsa Kica Xhelili dhe Avdullah Hoti.

    Nga AAK, Ramush Haradinaj është i pari me rreth 27 mijë vota, i ndjekur nga Daut Haradinaj me mbi 17 mijë.

  • Trump paralajmëron Hamasin: Çarmatosje e menjëhershme ose pasoja të rënda

    Trump paralajmëron Hamasin: Çarmatosje e menjëhershme ose pasoja të rënda

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar Hamasin se ka vetëm një periudhë shumë të shkurtër kohore për t’u çarmatosur plotësisht, duke theksuar se moszbatimi i këtij kushti do të ketë pasoja të rënda.

    Deklarata u bë të hënën gjatë një konference për shtyp në Florida, pas takimit që Trump zhvilloi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Presidenti amerikan theksoi se çarmatimi i Hamasit është pjesë e marrëveshjes dhe se nuk ka hapësirë për vonesa.

    “Nëse nuk çarmatosen, siç kanë rënë dakord ta bëjnë, atëherë do ta paguajnë shtrenjtë. Ne nuk e duam këtë, por ata duhet të çarmatosen brenda një periudhe mjaft të shkurtër kohore”, deklaroi Trump.

    Takimi me Netanyahun, i gjashti mes dy liderëve vetëm këtë vit, u fokusua në disa çështje kyçe, përfshirë fazën e dytë të armëpushimit në Rripin e Gazës, e cila pritet gjerësisht të nisë në muajin janar.

    Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit, e cila hyri në fuqi më 10 tetor, i dha fund luftimeve që kishin nisur në vitin 2023 dhe përfshinte pezullimin e armiqësive, tërheqjen e pjesshme të forcave izraelite dhe shkëmbimin e pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë.

    Ndërkaq, faza e dytë, e paraparë në planin e paqes prej 20 pikash të Trump, synon tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza, çarmatimin e Hamasit dhe krijimin e një komiteti palestinez që do të qeveriste përkohësisht enklavën.

    Trump tha se pret që procesi i rindërtimit të Gazës të nisë “shumë shpejt”, por nuk ofroi detaje konkrete mbi afatet kohore apo aktorët që do të udhëheqin këtë proces. Rripi i Gazës është shkatërruar gjerësisht pas më shumë se dy vjetësh luftime, ndërsa OKB-ja vlerëson se mbi 80 për qind e ndërtesave janë dëmtuar ose shkatërruar.

    I pyetur për situatën në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe për dhunën e kolonëve izraelitë, Trump pranoi se ekzistojnë mospajtime mes tij dhe Netanyahut lidhur me këtë çështje. “Nuk biem dakord 100 për qind për Bregun Perëndimor, por do të arrijmë në një përfundim”, tha ai, duke shtuar se beson që kryeministri izraelit “do të bëjë gjënë e duhur”.

  • Kurti në Ditën e Veteranëve: Me luftën tuaj u shkrua historia e çlirimit të Kosovës

    Kurti në Ditën e Veteranëve: Me luftën tuaj u shkrua historia e çlirimit të Kosovës

    Me rastin e Ditës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka nderuar luftëtarët e lirisë, duke theksuar se me veprën dhe sakrificën e tyre ata kanë shkruar historinë e çlirimit të Kosovës.

    Në një postim të publikuar në Facebook, Kurti uroi veteranët e UÇK-së, duke rikujtuar një nga momentet më të rëndësishme të rezistencës shqiptare, qëndresën e familjes Jashari në Prekaz. Ai theksoi se Dita e Veteranëve shënohet më 30 dhjetor, pasi në këtë datë, në vitin 1991, forcat policore serbe ndërmorën aksionin e parë kundër familjes Jashari.

    Kurti kujtoi se vetëm tri javë pas kthimit nga stërvitjet në Shqipëri, Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij u përballën me përpjekjen e policisë serbe për ta arrestuar komandantin e togut të dytë të vullnetarëve. Mirëpo, ajo që nuk e kishte parashikuar policia serbe ishte rezistenca e armatosur e bijve të Shaban Jasharit, Rifatit, Hamzës dhe Ademit, të cilëve iu bashkuan kushërinj, bashkëfshatarë dhe dhjetëra luftëtarë të tjerë.

    Sipas Kurtit, gjatë 30 dhjetorit 1991, Prekazi u shndërrua në arenë përballjesh të ashpra, ku mbi 200 persona u mobilizuan për ta mbrojtur familjen Jashari. Si pasojë e aksionit policor, pati të plagosur, dhjetëra familje të bastisura dhe shumë persona të ndaluar e të arrestuar, përfshirë edhe Shaban Jasharin.

    Ai theksoi se dalja e Rifatit, Hamzës dhe Ademit nga rrethimi policor nuk ishte vetëm shpëtim fizik, por edhe vazhdimësi e projektit kombëtar për çlirimin e Kosovës. Familja Jashari do të përballej sërish me sulme të armatosura në janar të vitit 1998, deri te rezistenca heroike e marsit të po atij viti, ku Adem dhe Hamza Jashari ranë dëshmorë për lirinë e vendit.

    Në mesazhin e tij, Kurti i cilësoi veteranët si bashkudhëtarë dhe dëshmitarë të sakrificës së dëshmorëve, duke nënvizuar se kontributi i tyre mbetet themel i shtetndërtimit dhe i faktorizimit të Republikës së Kosovës.

    “Me veprën dhe luftën tuaj, ju e keni bërë historinë e çlirimit të Kosovës”, ka përfunduar Kurti, duke uruar jetë të gjatë veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • Komuna e Prishtinës vendos t’i japë në shfrytëzim 5288 prona

    Komuna e Prishtinës vendos t’i japë në shfrytëzim 5288 prona

    Komuna e Prishtinës në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur sot ka vendosur për dhënien në shfrytëzim të 5288 pronave publike.

    Asamblistja Jeta Rafuna ka thënë se kjo është çështje me rëndësi për menaxhimin e pronës publike dhe për zhvillimin ekonomik të kryeqytetit.

    Ajo ka  shtuar se dhënia në shfrytëzim të këtyre pronave, krijon hapësirë për rritjen e të hyrave vetanake të komunës.

    Asamblisti i PDK-së, Leotrim Retkoceri ka thënë se shpreson që lista e pronave t’i përmbajë të gjitha elementet që kërkohen me ligj.

    Besa Shahini nga PSD-ja ka thënë se ka keqmenaxhim të përmasave të mëdha të pronës publike në Prishtinë. Ka thënë se dëmi që i është shkaktuar komunës është mbi 200 mijë euro.

    Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla ka thënë se nëse nuk miratohet kjo listë, i bie që komuna e Prishtinës vitin e ardhshëm nuk mund ta jep asnjë pronë në shfrytëzim.

    Sipas tij, me sjell një listë me mbi 5288 prona në një seancë të jashtëzakonshme dhe të kërkojë nga asambleja të votojë pa plotësim të dokumentacionit, nuk është  në rregull.

    Ka thënë se asamblistët nuk janë makineri votash që të votojnë prona që nuk e dinë kush i zotëron, e as kush i shfrytëzon.

    “Kjo mund të shërbejë për shumë veprime të tjera të jashtëligjshme. Mund të ketë qytetarë që kanë ndërtu dhe është një lloj shantazhi kundër tyre. unë kërkoj që dokumentacioni të plotësohet sot dhe lista të miratohet”, ka thënë  ai. “Në këtë listë janë 17 parcela në të cilat është ndërtu një lagje luksoze, lagjja ‘Marigona’, sponsorëve të Ramës. Kjo është tentativë që të legjitimohet keqpërdorimi i pronës publike”, ka thënë ai.

  • Aktakuzë ndaj S.A. për krime lufte, dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 13 civilëve në Gjilan

    Aktakuzë ndaj S.A. për krime lufte, dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 13 civilëve në Gjilan

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër S.A. për “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Ai akuzohet se gjatë periudhës 1998-1999, në fshatinë Llashticë, komuna e Gjilanit, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

    “Sipas aktakuzës, më 30.04.1999, rreth orës 13:00, S.A, ka marrë pjesë në vrasjen e  trembëdhjetë (13) civilëve dhe në plagosjen e katër (4) personave të tjerë. Ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri e ka ekzekutuar viktimën H.H duke e qëlluar me armë zjarri në kokë, e më pas e ka urdhëruar një person tjetër që të shtinte me armë zjarri në drejtim të civilëve të tjerë, duke i ekzekutuar ata një nga një.”

    Prokuroria ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bazë të neneve 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, meqenëse i  pandehuri S.A është i paarritshëm për organet e drejtësisë.”

  • E trishtë: Një 1-vjeçar vdes pas zjarrit që shpërtheu në një shtëpi në Prizren

    E trishtë: Një 1-vjeçar vdes pas zjarrit që shpërtheu në një shtëpi në Prizren

    Një fëmijë rreth 1-vjeçar ka humbur jetën, si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një shtëpi në Prizren.

    Lajmin e trishtë e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit.

    Fëmija dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e thithjes së tymit.

    “Sot, më datën 30.12.2025, rreth orës 10:00, është raportuar për një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të qytetit të Prizrenit”.

    “Si pasojë e zjarrit, një fëmijë rreth moshës 1 vjeç ka humbur jetën, ku dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e thithjes së tymit”.

  • Dita e Veteranit, Osmani: Përulemi para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr

    Dita e Veteranit, Osmani: Përulemi para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr

    Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se në Ditën e Veteranëve të UÇK-së, përulemi me respekt të thellë para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr.

    Ajo pohon se ata u bënë mburojë e popullit, zë i atdheut dhe shpresë në kohën më të errët.

    “Veteranët e UÇK-së janë dëshmia se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim dhe sakrificë. Rrugëtimi i tyre drejt lirisë u kurorëzua me dinjitet dhe fitore. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit. Nderim i përhershëm veteranëve të UÇK-së!”, thotë Osmani.

  • KQZ përfundon numërimin e rezultateve preliminare: LVV 49.34%, PDK 20.98%, LDK 13.57%, AAK 5.66%

    KQZ përfundon numërimin e rezultateve preliminare: LVV 49.34%, PDK 20.98%, LDK 13.57%, AAK 5.66%

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesimin e rezultateve preliminare nga zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

    Sipas të dhënave preliminare të publikuara nga KQZ, pas numërimit të 100 për qind të vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para me 49.34 për qind të votave, apo 433,394 vota.

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është e dyta me 20.98 për qind, përkatësisht 184,318 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.57 për qind, apo 119,201 vota.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 5.66 për qind të votave, me 49,698 vota, ndërsa Lista Serbe ka marrë 4.81 për qind, apo 42,235 vota. Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate ka fituar 1.70 për qind, përkatësisht 14,957 vota.

    Ndryshe, ndonëse procesimi i rezultateve preliminare ka përfunduar, procesi i numërimit po vazhdon edhe në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN).

    Aty po zhvillohet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.

    Deri më tani janë numëruar mbi 26 për qind të votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

  • Lushtaku: Nuk e uroj asnjëherë Albin Kurtin për fitoren, është e keqja më e madhe për Kosovën

    Lushtaku: Nuk e uroj asnjëherë Albin Kurtin për fitoren, është e keqja më e madhe për Kosovën

    Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, ka deklaruar se nuk do ta urojë asnjëherë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

    I ftuar në një lidhje direkte në emisionin “Frontal” në televizionin T7, Lushtaku u pyet nëse do ta uronte Kurtin për fitoren, ashtu siç bëri më herët gjatë ditës kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

    “Jo, absolut jo. Ai ia ka vjedhë votat edhe kandidatit të PDK-së në Mitrovicë”, deklaroi Lushtaku.

    Ai theksoi se qëndrimi i tij është personal dhe i ndryshëm nga ai i kryetarit të partisë.

    “Bedriu është kryetar i partisë, kurse unë e kam mendimin tim personal. Unë asnjëherë nuk ia uroj, as nuk ia uroj as nuk dëshiroj që Albin Kurti të jetë kryeministër i vendit”, u shpreh Lushtaku.

    Sipas tij, qeverisja e Albin Kurtit përbën dëm të madh për vendin.

    “Unë konsideroj që kjo është e keqja më e madhe e Republikës së Kosovës ndonjëherë”, tha ai.

  • Faton Peci: Opozitës zgjedhjet ia kanë hupë analistat, folshin palidhje, tash po qeshi unë

    Faton Peci: Opozitës zgjedhjet ia kanë hupë analistat, folshin palidhje, tash po qeshi unë

    Kreu i partisë “Guxo”, Faton Peci, në festën e mbrëmshe pas fitores në zgjedhje, ka thënë se opozitës zgjedhjet ia ka ka humbur analistat nëpër studio televizive.

    Peci tha se partitë tjera s’kanë pasur as kauzë e as program.

    “Ky proces zgjedhor, përveç tjerash, përveç dështimit opozitar që s’kanë pas as kauzë as program e as figura kredibile, ua kanë hup edhe analistat nëpër studio”, ka deklaruar Peci për “Interaktiv Talks”.

    “Flasin palidhje, bajnë akuza të rënda, akuzojnë pa bazë…kështu del rezultati…Kanë qesh nëpër studio, sot po qeshi unë me ta”, ka shtuar Peci.