ATV

Category: Lajme

  • CNN raporton për vërshimet në Kosovë, publikon pamje nga situata në Drenas

    CNN raporton për vërshimet në Kosovë, publikon pamje nga situata në Drenas

    Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar vërshime në shumë qytete të Kosovës.

    Ndër më të prekurat ka qenë komuna e Drenasit.

    Për këto reshje e vërshime ka raportuar edhe CNN.

    Në raportimin e së cilës, është ndarë një video ku shihen pamjet nga vërshimet në këtë qytet.

  • Kryeministrja italiane refuzon të dërgojë trupa italiane në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë

    Kryeministrja italiane refuzon të dërgojë trupa italiane në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë

    Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u ka thënë partnerëve evropianë dhe amerikanë, se Italia nuk do të vendosë trupa në Ukrainë si pjesë e garancive të ardhshme të sigurisë.

    Meloni mori pjesë në takimin e Parisit të përqendruar në nismat negociuese për të finalizuar garancitë e sigurisë për Ukrainën.

    Qeveria italiane tha se këto garanci janë “të frymëzuara nga Neni 5 i Aleancës Atlantike, siç është sugjeruar prej kohësh nga Italia”.

    Ato pritet të jenë pjesë e një pakete më të gjerë marrëveshjesh që do të miratohen në koordinim të ngushtë me SHBA-në, “përfshirë përmes një mekanizmi efektiv dhe të strukturuar mirë për të monitoruar armëpushimin e shpresuar dhe një forcim të forcave ushtarake ukrainase”.

    “Duke konfirmuar mbështetjen e Italisë për sigurinë e Ukrainës, në përputhje me atë që është bërë vazhdimisht, kryeministrja Meloni përsëriti një numër pikash të fiksuara të qëndrimit të qeverisë italiane mbi çështjen e garancive, në veçanti përjashtimin e trupave italiane që do të vendosen në terren”.

    Deklarata gjithashtu vuri në dukje se pjesëmarrja e vendeve të koalicionit në forcat shumëkombëshe do të jetë vullnetare, dhe se çdo vendim për mbështetjen e Ukrainës në rast të një sulmi të ri, duhet të merret në përputhje me procedurat kushtetuese kombëtare.

  • Rrëshqitje dherash në Dardhas të Pogradecit, dëmtohen varrezat e fshatit

    Rrëshqitje dherash në Dardhas të Pogradecit, dëmtohen varrezat e fshatit

    Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të mëdha të rrugës në aksin që lidh qendrën e Njësisë Dardhas me aksin nacional duke bllokuar kështu disa fshatra të Pogradecit në Shqipëri.

    Emergjencat Civile dhe forcat e bashkisë janë në terren për monitorimin e situatës.

    Sakaq, kësaj situate problematike të vështirë si kanë shpëtuar as disa varre, të cilët janë shkatërruar nga rrëshqitja e dherave.

    Rrëshqitje dherash në Dardhas të Pogradecit, dëmtohen varrezat e fshatit

  • Janina Ymeri: Qeveria Kurti me shpenzimet më të ulëta për Mbrojtjen e Mjedisit që nga viti 2015 derisa rreziku i përmbytjeve dihej

    Janina Ymeri: Qeveria Kurti me shpenzimet më të ulëta për Mbrojtjen e Mjedisit që nga viti 2015 derisa rreziku i përmbytjeve dihej

    Inxhinierja dhe deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar ashpër pas situatës së fundit me përmbytje, duke theksuar se shpenzimet për Mbrojtjen e Mjedisit në qeverinë e fundit, veçanërisht gjatë vitit 2024, kanë qenë më të ulëtat që nga viti 2015.

    Ajo i është referuar të dhënave zyrtare të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sipas tabelës COFOG, duke theksuar se ky trend i uljes së buxhetit ka ndikuar drejtpërdrejt në nivelin e përgatitjes së institucioneve për menaxhimin e fatkeqësive natyrore.

    “Fatkeqësisht edhe mësimi shtyhet, por më e rëndësishmja sot është që mos të kemi asnjë të vdekur”, ka deklaruar Ymeri, duke theksuar se përmbytjet, ndonëse dukuri natyrore, nuk janë rastësi të paplanifikuara, e as diçka për të cilën qeveria duhet të sillet si e papërgatitur.

    Sipas saj, qytetarët duhet të jenë të informuar se shpenzimet për Mbrojtje të Mjedisit janë zvogëluar qëllimisht, pavarësisht faktit se rreziku i përmbytjeve është i njohur çdo vit.

    Në reagimin e saj, Ymeri ka ngritur edhe një pyetje të drejtpërdrejtë politike:

    “Si punon për vendin tënd, Albin Kurti, kur çdo vit rreziku i përmbytjeve është i njohur, dhe ju me kabinetin tuaj e keni zvogëluar buxhetin për Mbrojtjen e Mjedisit qëllimisht?”

    Ajo ka kërkuar përgjegjësi institucionale dhe ndryshim të qasjes ndaj planifikimit buxhetor, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit dhe parandalimi i fatkeqësive duhet të jenë prioritet kombëtar.

  • Përmbytjet në Durrës: 800 banesa të përmbytura, mbi 300 persona të evakuuar

    Përmbytjet në Durrës: 800 banesa të përmbytura, mbi 300 persona të evakuuar

    Të paktën 800 banesa të përmbytura dhe 304 persona të evakuuar. Ky është bilanci paraprak i përmbytjeve në Durrës.

    Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut, situata në Durrës duket më e qetë, por mbetet problematike gjendja në disa zona të qytetit, kryesisht në periferi. Sipas të dhënave paraprake nga shtabi i emergjencave në prefekturë, rreth 800 banesa janë përmbytur, kryesisht në zonat më të ulëta dhe më problematike, si ish-Këneta, Spitalla, Nishtulla dhe zona të tjera. Edhe në burgun e Durrësit situata mbetet problematike. Oborri dhe kati i parë i godinës ka prani të lartë uji.

    Mësimi nuk po zhvillohet as sot në disa shkolla oborret e të cilave janë nën ujë.

    Deri mbrëmjen e kaluar janë evakuuar 304 persona, ndërsa numri i të prekurve mund të rritet, në varësi të situatës në terren dhe verifikimeve. Ndërkohë, uji është tërhequr nga rrugët kryesore dhe nga autostrada Durrës-Tiranë, duke normalizuar qarkullimin, por në disa lagje vijon prania e ujit dhe nevoja për ndërhyrje emergjente për banorët e izoluar që nuk ia dalin dot pa ndihmë, shkruan TopChannel.

    Banesa, biznese, studio artistësh, sipërfaqe të tëra tokash u përmbytën; dhjetra automjete u dëmtuan nga uji si rezultat i situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe mosfuksionimit normal të rrjetit të kanalizimeve.

  • Ura mbi lumin Drin në fshatin Gjonaj të Prizrenit rrezikon të shembet nga vërshimet- pamje

    Ura mbi lumin Drin në fshatin Gjonaj të Prizrenit rrezikon të shembet nga vërshimet- pamje

    Ditëve të fundit ka pasur vërshime në disa komuna të Kosovës për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

    Një nga komunat e prekura është edhe Prizreni.

    Mediat atje raportojnë se ura mbi lumi Drin në fshatin Gjonaj është në rrezik që të shembet.

    Sipas banorëve, lumi Drin nuk ka pasur asnjëherë prurje kaq të mëdha.

  • Drini i Bardhë shndërrohet në liqen te Guri i Zi, pamje të restoranteve të vërshuara nga uji

    Drini i Bardhë shndërrohet në liqen te Guri i Zi, pamje të restoranteve të vërshuara nga uji

    Ditëve të fundit ka pasur vërshime në disa komuna të Kosovës për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

    Edhe Klina është prekur nga përmbytjet.

    Mediat atje kanë publikuar pamje nga zona e Gurit të Zi në Volljakë, ku shihen shtëpi e biznese të përmbytura.

  • Kurti: Situata nga vërshimet në Kosovë është nën kontroll

    Kurti: Situata nga vërshimet në Kosovë është nën kontroll

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se situata e krijuar nga vërshimet e djeshme në disa komuna të vendit është aktualisht nën kontroll, ndërsa institucionet shtetërore kanë qenë të angazhuara pa ndërprerë në terren.

    “Dje, gjatë gjithë ditës, në mbrëmje si dhe gjatë natës, ekipet e agjencive të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përfshirë edhe ministrat përkatës, Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi, kanë qenë në terren për të përcjellë situatën e rënduar nga vërshimet dhe për të bërë ndërhyrjet e nevojshme”, ka shkruar Kurti.

    Ai ka bërë të ditur se institucionet qendrore kanë mbështetur edhe autoritetet lokale në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara, ndërsa ministri Elbert Krasniqi ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave të prekura.

    “Forca e Sigurisë e Kosovës ka vendosur gjatë gjithë kohës në gatishmëri njësitet e saj, ka mbajtur kontakte me shtabet lokale emergjente dhe në Gjakovë ka mbështetur autoritetet lokale dhe qendrore në evakuimin dhe vendosjen e familjeve të rrezikuara”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se vëmendje e veçantë i është kushtuar ruajtjes së infrastrukturës kritike.

    Sipas raporteve të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, vërshimet kanë prekur një numër të madh komunash, përfshirë: Fushë Kosovën, Lipjanin, Obiliqin, Drenasin, Podujevën, Shtimen, Graçanicën, Prizrenin, Suharekën, Malishevën, Rahovecin, Mamushën, Dragashin, Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajn, Klinën, Istogun, Junikun, Deçanin dhe Pejën.

    “Ekipet operative vazhdojnë të jenë në terren, duke monitoruar gjendjen dhe duke qëndruar në gatishmëri të plotë. Aktualisht, situata sot është nën kontroll”, ka bërë të ditur Kurti, duke shtuar se përveç dëmeve materiale në infrastrukturë dhe prona private, fatmirësisht nuk ka raste të lëndimeve serioze.

    Ai ka theksuar se gjatë natës ka pasur intervenime në shumë lokacione për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve, si dhe për pastrimin e pusetave të bllokuara, ndërsa kompanitë përgjegjëse vazhdojnë të jenë në gatishmëri.

    Në fund, Kurti ka falënderuar të gjitha ekipet e angazhuara dhe qytetarët për bashkëpunimin.

    “Falënderoj zyrtarët e agjencive shtetërore, ekipet profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit dhe institucionet e sigurisë për reagimin e tyre vetmohues. Falënderoj qytetarët për solidaritetin dhe u bëj thirrje që të vazhdojnë t’i ndjekin me vëmendje udhëzimet e institucioneve publike deri në tejkalimin e plotë të gjendjes”, ka përfunduar ai.

  • Blerta Deliu dhe Shenoll Muharremi pranojnë SMS-in mashtrues ku kërkohet pagesa e gjobës në trafik

    Blerta Deliu dhe Shenoll Muharremi pranojnë SMS-in mashtrues ku kërkohet pagesa e gjobës në trafik

    Qytetarë të shumtë në Kosovë po ndeshen me mesazhe mashtruese që pretendojnë se janë nga Autoritetet e Trafikut dhe kërkojnë pagesë për “gjoba trafiku”.

    Ndër rastet e fundit, ish-deputetja Blerta Deliu dhe analisti Shenoll Muharremi kanë raportuar se kanë marrë mesazhe të tilla, duke treguar se fenomeni po prek qytetarë nga të gjitha shtresat.

    “Sot në mëngjes u përballa me një mesazh të rremë për një ‘gjobë’. Këto mashtrime po prekin gjithnjë e më shumë qytetarë. I bëj thirrje të gjithëve të raportojnë rastet, ndërsa Policia e Kosovës duhet ta trajtojë këtë çështje me prioritet”, ka shkruar Deliu-Kodra.

    Muharremi ka kërkuar angazhim më të madh të policisë kibernetike.

    “Më erdhi një SMS për të paguar ‘gjobë’. Nuk dija a jam në Kosovë apo në Estoni me polici kaq digjitale. Këta kriminelë nuk di a janë më shumë hajna apo komedianë. Na duhet një polici kibernetike e fortë dhe institucione proaktive të sundimit të ligjit që dinë të adaptohen me kohë ndaj krimeve digjitale”, u shpreh Muharremi.

    Në kontekstin e rritjes së këtyre mashtrimeve, Policia e Kosovës ka publikuar sërish një njoftim për qytetarët, duke paralajmëruar për kujdes maksimal.

  • KQZ përditëson të dhënat – LDK’së i rikthehet një mandat, merr 15, PDK bie në 22

    KQZ përditëson të dhënat – LDK’së i rikthehet një mandat, merr 15, PDK bie në 22

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat e fundit nga rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Në këtë përditësim bëhet e ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës, ka marrë edhe një mandat, duke e çuar kështu, në 15 deputet grupin e tyre parlamentare.

    Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës, ka rënë nga 23 në 22 deputet, duke humbur kështu një mandat.

    Deputeti që hyn në parlament nga rezultatet e tanishme është Fadil Haderxhonaj i LDK’së. Ndërsa deputeti nga PDK që e humb ulësen në kuvend është Bekim Haxhiu.

    Ndryshe, është duke vazhduar numërimi i votave me postë, ku deri tani janë numëruar 73,79%.