ATV

Category: Lajme

  • Drini i Bardhë del nga shtrati, AME thotë se mund të ketë përkeqësim të situatës nëse ka reshje të reja

    Drini i Bardhë del nga shtrati, AME thotë se mund të ketë përkeqësim të situatës nëse ka reshje të reja

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) njofton se situata me vërshime në territorin e Kosovës paraqitet dinamike, me raste të lokalizuara në disa komuna si pasojë e reshjeve të shumta.

    Një nga zonat më të prekura është Anadrinisa në Komunën e Prizrenit, ku uji i Drinit të Bardhë ka dalë mbi rrjedhën normale dhe ka përmbytur dy anët e rrjedhës.

    Sipas policisë, rruga Gjonaj-Krajk është e bllokuar pasi uji ka arritur mbi 1.5 metra në rrugë, duke pamundësuar qarkullimin.

    “Në pjesën tjetër të vendit, gjendja mbetet stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm,” njofton AME.

    Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në koordinim me strukturat komunale dhe Qendrën Operative të Agjencisë, janë angazhuar për pompim të ujit dhe largim të përmbytjeve, sigurimin e objekteve të rrezikuara dhe monitorimin e pikave kritike.

    Numri unik emergjent 112 është funksional dhe në shërbim të qytetarëve. AME thekson se nuk raportohet për humbje jete, ndërsa dëmet materiale janë të kufizuara dhe po vlerësohen nga autoritetet lokale.

    “Ekziston mundësi për përkeqësim të situatës në rast të reshjeve të reja, por rreziku aktual vlerësohet i menaxhueshëm,” thonë nga AME.

    AME ka apeluar te qytetarët që të shmangin zonat e rrezikuara, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe çdo rast emergjent ta raportojnë në 112.

    AME konfirmon se situata mbetet nën monitorim aktiv dhe është e përkushtuar të informojë publikun 24/7 për çdo zhvillim të ri.

  • Reuters: Gjermania ka nevojë për 120 mijë shoferë kamioni, rroga mbi 3 mijë euro

    Reuters: Gjermania ka nevojë për 120 mijë shoferë kamioni, rroga mbi 3 mijë euro

    120 mijë shoferë kamioni janë mungesë në Gjermani, ka thënë zëdhënësi i Shoqatës Gjermane të Transportit Rrugor, Logjistikës dhe Asgjësimit të Mbeturinave (BGL), Dirk Englehardt, për “Reuters”. Paga është rreth 3048 euro bruto.

    Në Gjermani, nga 30 deri në 35 mijë shoferë dalin në pension çdo vit. Megjithatë, ka vetëm 15 deri në 20 mijë zëvendësime. Prandaj, pritet që hendeku të zgjerohet më tej. Tetëdhjetë për qind e mallrave në Gjermani transportohen me rrugë tokësore.

    “Po dëgjojmë nga shumë kompani transporti se po heqin gjithnjë e më shumë kamionë nga rruga dhe po anulojnë porositë sepse thjesht nuk kanë shoferë të mjaftueshëm”, ka treguar Engelhardt.

    Shumë ofrues logjistike nuk po marrin më pjesë në tendera sepse të ardhurat e pritura nga transporti i mallrave, të kombinuara me rritjen mbi mesataren e kostove të personelit për shkak të mungesës së shoferëve, nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet.

    Shoqata e industrisë nuk pret ndonjë lehtësim nga e ashtuquajtura drejtim autonom, ku kamionët përdorin sensorë, kamera dhe inteligjencë artificiale (IA) për të lëvizur pa shofer. Shoferët e kamionëve ka të ngjarë të mbeten të domosdoshëm, duke vepruar si shoqërues dhe roje të mallrave që u janë besuar.

    “Ata janë përgjegjës për dorëzimin e ngarkesës te marrësi në përputhje me ligjin, si dhe për transportin dhe sigurimin e ngarkesës”, theksoi Engelhardt. Edhe në të ardhmen, vetëm njerëzit do të jenë në gjendje të ndërhyjnë në ngjarje të paparashikuara.

    Sipas Atlasit të Pagave të Agjencisë së Punësimit, paga mesatare bruto për shoferët e kamionëve është 3,048 euro, që është dukshëm nën të ardhurat mesatare vjetore të të gjithë popullsisë, të cilat janë 4,346 euro. Paga mesatare përfaqëson të ardhurat me të cilat saktësisht gjysma e të gjithë punëtorëve fitojnë më shumë dhe gjysma tjetër fiton më pak.

  • Përditësimi i fundit, pritje deri në 30 minuta për të dalë nga Kosova

    Përditësimi i fundit, pritje deri në 30 minuta për të dalë nga Kosova

    Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit ka përditësuar informacionet mbi situatën e pritjeve në pikat kufitare të Kosovës.

    Sipas të dhënave të fundit, mërgimtarët që po kthehen në vendet ku jetojnë dhe punojnë, e që aktualisht po presin deri në 30 minuta në pikën e kalimit të Merdarës.

    Ndërkohë, pritjet në Dheu i Bardhë vazhdojnë të jenë më të shkurtra, deri në 15 minuta.

    Gjersa sa i përket pritjeve për hyrje në Kosovë, pritjet janë nga 1 deri në 5 minuta.

  • Aktakuza për sulmin në Ibër-Lepenc: Refuzohet kërkesa për përjashtimin e prokurorit

    Aktakuza për sulmin në Ibër-Lepenc: Refuzohet kërkesa për përjashtimin e prokurorit

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special Bekim Kodraliu nga lënda për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin, Arbnora Luta, zëdhënëse e PSRK-së.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special nga rasti penal në fjalë është refuzuar”, ka thënë ajo.

    Vëllezërit Viqentijeviq, të akuzuar për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, në seancën e parë të mbajtur më 24 dhjetor kishin kërkuar përjashtimin e prokurorit Bekim Kodraliu.

  • Prishtinë: Bie në prangat e Policisë i dënuari për shitblerje të drogës, dërgohet në burg

    Prishtinë: Bie në prangat e Policisë i dënuari për shitblerje të drogës, dërgohet në burg

    Një 51-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë këtë të mërkurë në Prishtinë.

    Siç njofton Policia e Kosovës, S.B. ishte i dënuar me 2 vjet burg dhe 3 mijë euro gjobë për veprën penale “Blerje, posedim dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve”.

    “Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve policore me qëllim kapjen e personave të dyshuar dhe atyre të dënuar si autor të veprave penale. Në kontekstin e kësaj, nga veprimet e marra nga njësitë e stacionit policor Veriu në Prishtinë, është arritur arrestimi i personit të kërkuar”, thuhet në njoftim.

    Pas arrestimit, S.B. është dërguar për të vuajtur dënimin, njofton policia.

  • Milanoviq: Ushtarët kroatë nuk do të shkojnë në Ukrainë

    Milanoviq: Ushtarët kroatë nuk do të shkojnë në Ukrainë

    Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq, shkroi në Facebook se ushtria kroate nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë , duke komentuar takimin e të ashtuquajturit “Koalicion i të Vullnetshmëve” në Paris.

    “Dje në Paris, u shpreh zyrtarisht qëllimi i Francës, Britanisë së Madhe dhe disa vendeve të tjera për të dërguar njësi ushtarake në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë. Për të hequr çdo dyshim në lidhje me rolin e Ushtrisë Kroate në të ashtuquajturin koalicion të të vullnetshmëve, si Komandant Suprem i Forcave të Armatosura Kroate, po u them qytetarëve kroatë – Kroacia nuk do të dërgojë ushtarët e saj në Ukrainë”, shkroi Milanoviq.

    Presidenti theksoi se Kroacia, si anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka detyrime që rrjedhin ekskluzivisht nga anëtarësimi në këto aleanca dhe se vendimet e “Koalicionit të Vullnetit” nuk e detyrojnë në asnjë mënyrë Kroacinë ose ushtrinë e saj.

    “Në rendin e ri global që po krijohet, në të cilin forca dhe e drejta e më të fortit po bëhen rregull në marrëdhëniet ndërkombëtare, detyra kryesore e Forcave të Armatosura Kroate është mbrojtja e sovranitetit dhe pavarësisë dhe mbrojtja e integritetit territorial të Republikës së Kroacisë”, tha Milanoviq.

    Ndihmë financiare për Ukrainën

    Presidenti shtoi se të gjitha investimet e mëparshme dhe të shpallura në Forcat e Armatosura, përfshirë futjen e trajnimit bazë ushtarak, duhet të shërbejnë për të rritur gatishmërinë dhe aftësitë e Forcave të Armatosura Kroate. Ai theksoi gjithashtu se ndihma financiare për Ukrainën, për të cilën është zotuar Qeveria Kroate, nuk duhet të rrezikojë pajisjen e Ushtrisë Kroate ose standardin e jetesës së qytetarëve kroatë.

    “Detyra e të gjitha institucioneve qeveritare kroate është të kujdesen për interesat kombëtare kroate dhe interesat e qytetarëve tanë”, përfundoi Milanoviq.

  • Gjobë për shoferin e kamionit mikser që lëshoi çimento nëpër rrugë në Prishtinë

    Gjobë për shoferin e kamionit mikser që lëshoi çimento nëpër rrugë në Prishtinë

    Policia e Kosovës e ka gjobitur me 300 euro ngasësin e kamionit mikser që është incizuar sot duke derdhur çimenton nëpër rrugë në Prishtinë.

    Shoferi është gjobitur për mos sigurim të ngarkesës teksa është gjobitur edhe kompania.

    “Sipas ligjeve në fuqi, ndalohet dalja në rrugë nga vendpunishtet apo rrugët e ndotura pa u siguruar paraprakisht që mjeti është i pastër dhe nuk shkakton ndotje të sipërfaqes rrugore. Në rastin konkret, mjeti ka qarkulluar duke ndotur rrugën, si pasojë e mos sigurimit të ngarkesës”, thuhej në njoftim.

    “Ndaj drejtuesit të mjetit është shqiptuar gjobë për mos sigurim të ngarkesës, ndërsa po ashtu është shqiptuar edhe gjobë ndaj firmës, në emër të personit juridik”, thuhej më tej.

    Policia e Kosovës do të vazhdojë kontrollet dhe masat ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat e qarkullimit dhe rrezikojnë sigurinë në trafik apo ndotin ambientin, duke apeluar për respektim të ligjit dhe përgjegjësi gjatë pjesëmarrjes në trafik.

  • Edhe 3,185 pako me fletëvotime pritet të arrijnë në Kosovë

    Edhe 3,185 pako me fletëvotime pritet të arrijnë në Kosovë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në përfundim të procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve që i takojnë zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit për Kuvendin e Kosovës.

    Aktualisht është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media. Ai tha se në Kosovë pritet të arrijnë edhe më shumë se 3 mijë pako me fletëvotime.

    “Në vazhdim të procesit të numërimit do të përfshihen fletëvotimet nga votimi përmes postës të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 nga kutitë postare jashtë Kosovës dhe që deri më tani janë sjellur në Kosovë. Më 2 janar, nga 9 kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, Neë York, Kanbera dhe Kopenhagë, janë tërhequr 8,180 pako të tjera me fletëvotime, ndërkaq më 5 janar, nga 13 kutitë postare, në: Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11,867 pako me fletëvotime. Deri më tani, pjesa më e madhe e këtyre pakove janë sjellur në Kosovë dhe i janë nënshtrur verifikimit dhe vlerësimit. Prej tyre, janë aprovuar rreth 16 mijë dhe ato janë duke u numëruar. Ende nuk janë sjellur në Kosovë edhe 3,185 pako me fletëvotime, që janë tërhequr më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125), dhe Otavë (404)”, tha Elezi.

    I pyetur për çështjen e rezultateve përfundimtare, Elezi ka shpjeguar se me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar, por sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, ky institucion duhet të presë për ndonjë ankesë eventuale në administrimin e numërimit në QNR, para se të shpall rezultatet përfundimtare.

    “Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, tha Elezi.Ai përmendi se rruga që ndjek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shpalljen e rezultateve përfundimtare, përfshin disa hapa të rëndësishëm, pjesë më e madhe e të cilëve janë kaluar.“KQZ shpall rezultatet përfundimtare vetëm pasi të përfundojnë këto procese: (1) verifikimi dhe numërimi i rezultateve në Qendrat Komunale të Numërimit, i cili tashmë është përmbyllur; (2) numërimi në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve i fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta, që gjithashtu është përmbyllyr, (3) numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, i cili është në pjesën e fundit të tij si dhe (4) pasi të përfundojë shqyrtimi i ankesave të mundshme nga PZAP ose Gjykata Supreme për administrimin e numërimit”, tha tutje Elezi.

  • Rashiq: Jam i gatshëm të jem nënkryetar i Kuvendit

    Rashiq: Jam i gatshëm të jem nënkryetar i Kuvendit

    Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, në një përgjigje për RTV21 ka shfaqur gatishmëri të heqë dorë nga posti i ministrit për Komunitete dhe Kthim për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit, nëse këtë ia lejon Gjykata Kushtetuese.

    Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka siguruar 57 ulëse në Kuvend, kishte deklaruar se nuk do ta votojë asnjë kandidat nga Lista Serbe për nënkryetar të Kuvendit, duke favorizuar rizgjedhjen e deputetit serb Nenad Rashiq në këtë post.

    “Gjykata Kushtetuese është afër fundit të një vendimi sa i përket ankesës që e ka paraqitur Lista Serbe. Unë po e pres atë vendim që të sqarohet saktë nëse Lista Serbe ka të drejtë ekskluzive që në mënyrë monopoliste të ketë kandidatin e saj, apo nëse mund të ketë edhe një kandidat tjetër, si në rastin tim. Nëse Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë ekskluzive që vetëm Lista Serbe të propozojë, atëherë të gjithë ne do ta respektojmë këtë. Nëse mbetet ashtu siç është, unë jam i gatshëm të jem nënkryetar i Kuvendit, sepse Lista Serbe nuk ka pasur përfaqësim adekuat të serbëve.”, tha Rashiq.

  • Policia e Shtetit shpall në kërkim 42-vjeçarin nga Kosova, i sekuestron një BMW me vlerë 140 mijë euro

    Policia e Shtetit shpall në kërkim 42-vjeçarin nga Kosova, i sekuestron një BMW me vlerë 140 mijë euro

    Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim një shtetas nga Kosova, pasi dyshohet se ka trafikuar një automjet me vlerë 140 mijë euro në Shqipëri.

    Sipas raportimeve nga policia, është proceduar penalisht blerësi i automjetit të trafikuar, njëkohësisht drejtues i tij, në momentin e ndalimit në Vorë. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140 mijë euro, i dyshuar i vjedhur në Gjermani.

    Në njoftimin e saj, Policia ka bërë me dije: “Vijon operacioni policor i koduar ‘Stolen line’, kundër trafikimit në Shqipëri, të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë shtetit. Shkon 5 numri i automjeteve të sekuestruara që nga nisja e operacionit. Sekuestrohet 1 automjet tip ‘BMW M-8’, me vlerë rreth 140 000 euro, i dyshuar i vjedhur në Gjermani. Procedohet penalisht blerësi i automjetit të trafikuar, njëkohësisht drejtues i tij, në momentin e ndalimit në Vorë. Identifikohet dhe shpallet shtetasi kosovar që dyshohet se ka trafikuar këtë automjet në Shqipëri.”

    Materiali shton se specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në kuadër të operacionit “Stolen line”, gjatë punës hetimore kanë konstatuar një rast tjetër të trafikut të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë shtetit.

    Në vijim të veprimeve procedurale është sekuestruar një tjetër automjet tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140 mijë euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani.

    Në lidhje me këtë rast, Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasin që dyshohet se ka sjellë automjetin në Shqipëri me qëllim shitjen, F. H., 42 vjeç (shtetas kosovar). Ndërkohë, u procedua penalisht blerësi i automjetit, shtetasi E. D., 39 vjeç, i cili ishte drejtues i automjetit në momentin e ndalimit.

    Policia bën të ditur se vijon puna për kapjen e 42-vjeçarit. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme lidhur me veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.