ATV

Category: Lajme

  • Mbi 40 persona cak i aksionit të Prokurorisë së Prizrenit, raportohet për arrestime

    Mbi 40 persona cak i aksionit të Prokurorisë së Prizrenit, raportohet për arrestime

    Njësia e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, është duke zhvilluar një aksion të gjerë policor në disa qytete të Kosovës.

    Siç raporton “Betimi për Drejtësi” se vlera e dëmit të shkaktuar nga ky rast dyshohet të jetë mbi 1 milion euro, ndërsa cak i aksionit janë mbi 40 persona. Sipas të njëjtit raportim, viktimë e veprimeve të dyshuara penale është një organizatë.

    Në mesin e personave të arrestuar deri më tani raportohet të jetë janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), si dhe Valon Berisha, ish-drejtor i Financave në BKS.

    Aksioni është duke u zhvilluar në disa rajone të vendit, përfshirë Prizrenin, Prishtinën, Pejën, Gjilanin, Ferizajn, Mitrovicën dhe Gjakovën, ndërsa deri më tani janë ndaluar disa persona.

    Për realizimin e këtij operacioni, në terren janë angazhuar nëntë prokurorë të Prokurorisë Themelore në Prizren, të cilët po e udhëheqin aksionin në koordinim me Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës.

    Aksioni lidhet me dyshimet për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” si dhe “falsifikim të dokumenteve”.

    Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe priten detaje të tjera nga organet e drejtësisë në orët në vijim.

  • Nga sot ulje e temperaturave, reshje bore dhe rrezik nga ngricat

    Nga sot ulje e temperaturave, reshje bore dhe rrezik nga ngricat

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se nga dita e enjte do të ketë ndryshim të theksuar të kushteve meteroligjike, ulje të temperaturave, reshje bore dhe rrezik nga ngricat.

    IHK-ja ka njoftuar gjithashtu se temperaturat minimale do të shënojnë ulje të theksuar, duke zbritur nën vlerat zero gradë celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton gjithashtu se gjatë orëve të para të ditës së enjte, reshjet ekzistuese të shiut pritet të kalojnë gradualisht në reshje bore.

    “Pas reshjeve të dendura të shiut që gjatë tri ditëve të fundit kanë përfshirë kryesisht territorin e Rrafshit të Dukagjinit dhe në intensitet disi më të ulët edhe Rrafshin e Kosovës, gjatë natës së sontme pritet një ndryshim gradual i kushteve meteorologjike në vend. Sipas analizave sinoptike dhe vëzhgimeve aktuale meteorologjike, presioni atmosferik do të vazhdojë trendin e rënies, duke sinjalizuar afrimin dhe kalimin e një sistemi frontal aktiv mbi rajonin tonë”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet se kjo do të krijojë kushte të favorshme për formimin e ngricave në sipërfaqet rrugore, trotuare, ura dhe zona të ekspozuara ndaj lagështisë së lartë. Ngricat, të kombinuara me shtresat e borës dhe erërat e ftohta, pritet të ndikojnë negativisht në sigurinë e qarkullimit rrugor.

  • Elezi: Jemi në përfundim të numërimit të të gjitha votave të 28 dhjetorit

    Elezi: Jemi në përfundim të numërimit të të gjitha votave të 28 dhjetorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në përfundim të procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve që i takojnë zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit për Kuvendin e Kosovës.

    Këtë e ka bërë të ditur Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ku është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në numërimin e pjesës së fundit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht votimit përmes postës dhe njëkohësisht, përfundimit të procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Aktualisht, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i pjesës së dytë të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht votimit përmes postës”, tha Elezi.

    Më tej, Elezi ka treguar se janë duke u numëruar pjesa e dytë e fletëvotimeve që i takojnë votimit përmes postës, që deri më tani janë sjellur në Kosovë. Sipas tij, në Kosovë pritet të arrijnë edhe më shumë se 3 mijë pako me fletëvotime.

    “Në vazhdim të procesit të numërimit do të përfshihen fletëvotimet nga votimi përmes postës të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 nga kutitë postare jashtë Kosovës dhe që deri më tani janë sjellur në Kosovë. Më 2 janar, nga 9 kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, Neë York, Kanbera dhe Kopenhagë, janë tërhequr 8,180 pako të tjera me fletëvotime, ndërkaq më 5 janar, nga 13 kutitë postare, në: Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11,867 pako me fletëvotime. Deri më tani, pjesa më e madhe e këtyre pakove janë sjellur në Kosovë dhe i janë nënshtrur verifikimit dhe vlerësimit. Prej tyre, janë aprovuar rreth 16 mijë dhe ato janë duke u numëruar. Ende nuk janë sjellur në Kosovë edhe 3,185 pako me fletëvotime, që janë tërhequr më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125), dhe Otavë (404)”, tha Elezi.

    I pyetur për çështjen e rezultateve përfundimtare, Elezi ka shpjeguar se me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar, por sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, ky institucion duhet të presë për ndonjë ankesë eventuale në administrimin e numërimit në QNR, para se të shpall rezultatet përfundimtare.

    “Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, tha Elezi.

    Ai përmendi se rruga që ndjek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shpalljen e rezultateve përfundimtare, përfshin disa hapa të rëndësishëm, pjesë më e madhe e të cilëve janë kaluar.

    “KQZ shpall rezultatet përfundimtare vetëm pasi të përfundojnë këto procese: (1) verifikimi dhe numërimi i rezultateve në Qendrat Komunale të Numërimit, i cili tashmë është përmbyllur; (2) numërimi në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve i fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta, që gjithashtu është përmbyllyr, (3) numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, i cili është në pjesën e fundit të tij si dhe (4) pasi të përfundojë shqyrtimi i akesave të mundshme nga PZAP ose Gjykata Supreme për administrimin e numërimit”, tha tutje Elezi.

  • FSK-ja ndihmon në evakuimin e familjeve në Rahovec pas reshjeve të dendura

    FSK-ja ndihmon në evakuimin e familjeve në Rahovec pas reshjeve të dendura

    Reshjet e shumta që kanë rënë në Kosovë gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi të mëdha, duke bllokuar rrugë, përmbytur zona të ndryshme dhe duke rritur rrezikun për qytetarët.

    Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar vështirësi të mëdha për disa familje në komunën e Rahovecit, të cilat kanë mbetur të bllokuara brenda shtëpive të tyre.

    “Bashkë me trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), sot u realizua evakuimi i dy familjeve në fshatin Xërxë, duke siguruar daljen e tyre të sigurt nga zonat e rrezikuara“, njofton komuna e Rahovecit.

    Për t’u siguruar që qytetarët e evakuar të kenë kujdes shëndetësor, stafi i Qendrës për Kujdesin Mjekësor Familjar në Rahovec ka ofruar ndihmën e parë mjekësore, ndërsa ata janë dërguar për trajtim të mëtejshëm në spital.

  • Shtrenjtimi i ujit, Lushaku-Sadriu: Ky pushtet po e varfëron popullin e vet

    Shtrenjtimi i ujit, Lushaku-Sadriu: Ky pushtet po e varfëron popullin e vet

    Jehona Lushaku-Sadriu e LDK-së njofton për një “faturë politike për qytetarët”, duke vënë në pah shtrenjtimin e ujit dhe kanalizimit.

    Ajo thotë se nga janari, faturat e ujit dhe kanalizimit janë rritur rreth 40%.

    Sipas saj, ky është ndëshkimi i parë politik ndaj qytetarëve duke goditur ujin, produktin më të domosdoshëm për vet jetën e qytetarëve.

    “Pa pyetur askënd. Pa konsultime publike. Pa asnjë mbrojtje për familjet që mezi mbijetojnë nga muaji në muaj”.

    Lushaku-Sadriu thekson se ky pushtet nuk po qeveris, por po e varfëron popullin e vet.

    “Derisa uji e produktet bazike trajtohen si mall për t’u shtrenjtuar nga shteti, e jo si të drejta jetike, ky pushtet nuk po qeveris, por po e varfëron popullin e vet. Fatkeqësisht, do të kemi shtrenjtime edhe të produkteve të tjera. Fatura të tjera edhe më të larta!”, shkruan ajo.

  • Reshjet e shiut dëmtojnë rrugë dhe ura në disa zona, Policia apelon shoferët për vozitje të kujdesshme

    Reshjet e shiut dëmtojnë rrugë dhe ura në disa zona, Policia apelon shoferët për vozitje të kujdesshme

    Policia e Kosovës ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të shiut, në disa zona të vendit nëpër rrugë të ndryshme janë evidentuar vështirësi në qarkullim përfshirë dëmtime të rrugëve, rrëshqitje dheu e dëmtime në ura të caktuara.

    Policia u ka bërë thirrje shoferëve që të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar, si dhe të respektojnë rregullat e trafikut.

    Tutje, policia ka bërë të ditur se po monitoron vazhdimisht situatën dhe ka rritur praninë policore në terren.

    “Si pasojë e reshjeve të shiut, në disa zona të vendit nëpër rrugë të ndryshme janë evidentuar vështirësi në qarkullim, përfshirë dëmtime të rrugëve, rrëshqitje dheu e dëmtime në ura të caktuara. Policia e Kosovës po monitoron vazhdimisht situatën dhe ka rritur praninë policore në terren. U bëjmë thirrje të gjithë shoferëve që të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar, të respektojnë rregullat e trafikut dhe ta përshtatin vozitjen me kushtet aktuale të rrugës dhe dukshmërinë e reduktuar, n mënyrë që të shmangin aksidentet e mundshme. Siguria fillon nga ju. Kur kushtet në rrugë ndryshojnë, kujdesi duhet të rritet”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Edhe 25 kuti për t’u numëruar nga votat me postë, prin bindshëm Vetëvendosje

    Edhe 25 kuti për t’u numëruar nga votat me postë, prin bindshëm Vetëvendosje

    Procesi i numërimit të votave të ardhura me postë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025 po shkon drejt përmbylljes, ndërsa kanë mbetur edhe 25 kuti për t’u numëruar.

    Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), deri tani janë numëruar 120 nga gjithsej 145 kuti, që përbëjnë 82.76 për qind të votave me postë.

    Rezultatet aktuale tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje, kryeson me 73.18 për qind të votave, apo 25,828 vota.

    Pas saj renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 10.02 për qind ose 3,536 vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka 8.77 për qind apo 3,096 vota.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 3.91 për qind të votave.

    Nga KQZ është bërë e ditur se numërimi po vazhdon sipas planit dhe se rezultatet përfundimtare do të publikohen pas përfundimit të plotë të procesit dhe verifikimeve përkatëse.

  • Bosnja shprehet e gatshme për të dërguar trupa paqeruajtëse në Gazë

    Bosnja shprehet e gatshme për të dërguar trupa paqeruajtëse në Gazë

    Presidenca e Bosnje e Hercegovinës – e cila mbikëqyr Forcave e Armatosura të Bosnjës – është pajtuar në parim për vendosjen e trupave boshnjake në Rripin e Gazës si pjesë e misionit paqeruajtës të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit.

    Ministri i Mbrojtjes i Bosnjës duhet t’i njoftojë Shtetet e Bashkuara për gatishmërinë e Bosnjës për të dërguar anëtarë të Forcave të Armatosura të Bosnjës në misionin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gazë, sapo të ketë përfunduar procedura ligjore lidhur me këtë vendim.

    “Ministri i Mbrojtjes i Bosnje e Hercegovinës është i ngarkuar me kryerjen e procesit të emërimit të përfaqësuesit ushtarak të Bosnje e Hercegovinës në misionin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gazë dhe paraqitjen e një propozimi për vendim për emërimin e tij në Presidencën e Bosnje e Hercegovinës”, thuhet në vendimin e Presidencës së Bosnjës.

    Këshilli i Ministrave i Bosnjës është gjithashtu i ngarkuar me detyrën që t’ia paraqesë Presidencës së Bosnjës një vlerësim mbi arsyen e pjesëmarrjes së anëtarëve të Forcave të Armatosura të Bosnjës në misionin e paqeruajtës në Gazë.

    Më 17 nëntor të vitit të kaluar, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi një rezolutë të hartuar nga SHBA-ja, e cila mbështet planin e presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.

    Rezoluta autorizon gjithashtu këtë Forcë Ndërkombëtare të Stabilizimit për enklavën palestineze.

    Izraeli dhe grupi palestinez Hamas – i cili është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe fuqi të tjera – kanë rënë dakord për fazën e parë të planit 20-pikësh të Trumpit për Gazën, një armëpushim në luftën e tyre dyvjeçare dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

    Megjithatë, rezoluta e OKB-së shihet si thelbësore për legjitimimin e organit të përkohshëm qeverisës dhe ofrimin e garancive për vendet që po shqyrtojnë dërgimin e trupave në Gazë.

    Teksti i rezolutës thotë se shtetet anëtare mund të marrin pjesë në Komitetin e Paqes të kryesuar nga Trumpi, i cili është menduar si një organ kalimtar që do të mbikëqyrë rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike të Gazës.

    Ndërsa, detyra e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit është të sigurojë procesin e demilitarizimit të Gazës, duke përfshirë shkatërrimin e armëve dhe infrastrukturës ushtarake.

    Rezoluta është pjesë e fazës së dytë të planit të paqes të administratës Trump për Gazën.

    Faza e dytë parashikon krijimin e një administrate kalimtare (Komiteti i Paqes), fundin e sundimit të Hamasit në Gazë dhe demilitarizimin e plotë të enklavës, të cilën Hamasi ende nuk e ka pranuar.

    Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit do të vendoset në marrëveshje me Izraelin dhe Egjiptin, dhe SHBA-ja është në bisedime me disa vende për pjesëmarrjen në mision, pa dërguar trupa amerikane.

    Vendet e përmendura deri më tani përfshijnë Indonezinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin, Katarin dhe Turqinë.

    Rezoluta gjithashtu ofron mbështetje financiare për rindërtimin e Gazës përmes Bankës Botërore dhe një fondi të posaçëm.

    Forcat e Armatosura të Bosnjës kanë marrë pjesë më parë në misione paqeruajtëse në të gjithë botën dhe aktualisht tre anëtarë janë në Republikën e Afrikës Qendrore. /REL/

  • Lladrovci: Vërshimet në Drenas rrezikuan jetën e 20 familjeve dhe shkaktuan dëme të mëdha

    Lladrovci: Vërshimet në Drenas rrezikuan jetën e 20 familjeve dhe shkaktuan dëme të mëdha

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka deklaruar për vërshimet dhe përmbytjet të cilat Drenasi u përball të martën, duke rrezikuar jetën e shumë familjeve dhe duke shkaktuar dëme në biznese të ndryshme.

    Ai ka treguar se ekipet emergjente kanë qenë të përgatitura që nga mëngjesi për t’i dalë në ndihmë familjarëve të shumtë, ku siç tha ai 20 familje janë evakuuar pasi iu është rrezikuar jeta e tyre.

    Sipas kryetarit, pasojat të cilat kanë sjell këto vërshime kanë qenë dëme në ekonomi familjare, në biznese si dhe në bujqësi.

    “Familje të ndryshme janë rrezikuar nga reshjet, sigurisht ne kemi pasur shtabin me kohë të përgatitur dhe mëngjes kemi filluar me veprimet tona, kemi evakuuar qytetarë të shumtë si dhe 20 familje i kemi larguar nga shtëpitë e tyre që është rrezikuar jeta e tyre, jemi duke shkuar drejt normalizimit, më e goditura për momentin Qendra Tregtare, shumë biznese janë dëmtuar, s’ka fshat që nuk kemi pasur dëme, qoftë dëme në ekonomi familjare, biznese, por edhe në bujqësi ”, ka deklaruar Lladrovci për media pas situatës së vërshimeve në Drenas.

  • Besnik Bislimi mohon takime të fshehta me Marko Gjuriq: Dezinformatat po çorientojnë opinionin publik

    Besnik Bislimi mohon takime të fshehta me Marko Gjuriq: Dezinformatat po çorientojnë opinionin publik

    Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar ndaj lajmeve që u plasuan dje në disa media vendase, lidhur me një artikull të gazetës zvicerane “Neue Zurcher Zeitung”.

    Ai ka theksuar se artikulli i përmendur nuk përmend asnjë takim të fshehtë, dhe se keqinterpretimi i tij është bërë qëllimisht nga media joprofesionale.

    “Dezinformata të shumta dhe propagandë nga portale në Kosovë u përhapën dje duke keqinterpretuar qëllimshëm një artikull të gazetës zvicerane NZZ. Është për keqardhje me sa lehtësi dhe shpejtësi krijohen dhe shpërndahen dezinformatat me synim informimin e rrejshëm ndaj opinionit publik dhe çorientim të së vërtetës.”, ka shkruar Bislimi.

    Postimi i plotë;

    Dezinformata të shumta dhe propagandë nga portale në Kosovë u përhapën dje duke keqinterpretuar qëllimshëm një artikull të gazetës zvicerane NZZ. Është për keqardhje me sa lehtësi dhe shpejtësi krijohen dhe shpërndahen dezinformatat me synim informimin e rrejshëm ndaj opinionit publik dhe çorientim të së vërtetës.

    Si Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës apo në kapacitet tjetër, asnjëherë nuk kam pasur takime “të fshehta e sekrete”, e aq më pak me personazhe si Marko Gjuriq. As gazeta serioze zvicerane NZZ nuk aludoi në shkrimin e saj që nga publikimi në asnjë moment për një takim të tillë, por ishin portalet joprofesionale dhe gazetarë joprofesionalë që raportuan rrejshëm në atë mënyrë, duke keqpërdorur artikullin nga NZZ.

    Dezinformatat e shumta të shpërndara në mënyrë të qëllimshme do t’i adresoj përmes ankesës/padisë në institucionet relevante.