ATV

Category: Lajme

  • PDK-ja ankohet në PZAP, kërkon shfuqizimin e mijëra votave me postë

    PDK-ja ankohet në PZAP, kërkon shfuqizimin e mijëra votave me postë

    Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar zyrtarisht shfuqizimin e rreth 20 mijë votave të dërguara në vend përmes postës nga mërgata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke u thirrur në shkelje ligjore.

    Kjo parti parashtroi ankesë në Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të enjten, derisa tha se të njëjtat fletëvotime ishin dërguar me postë nga jashtë vendit me vonesë, pas afatit të lejuar ligjor.

    Ditë më parë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tregoi se komisioni kishte pranuar rreth 20 mijë fletëvotime të dërguara me postë nga mërgata në fillim të janarit.

    Sipas Ligjit të Kosovës për Zgjedhjet, fletëvotimet e dërguara me postë nga jashtë vendit mund të pranohen nga KQZ-ja më së largu një ditë pas zgjedhjeve.

  • 75 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    75 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

    Sipas raportit, në këtë periudhë nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 22 aksidente me të lënduar dhe 53 të tjera me dëme materiale.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 1763 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 51 persona, prej të cilëve 45 i ka dërguar në mbajtje dhe një në vuajtje të dënimit.

  • Zbulohen mbetje mortore në Gjakovë, dyshohet se i përkasin personave të zhdukur gjatë luftës

    Zbulohen mbetje mortore në Gjakovë, dyshohet se i përkasin personave të zhdukur gjatë luftës

    Ekipet policore, në koordinim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe njësitet e tjera kompetente, kanë hasur në mbetje eshtërore në territorin e komunës së Gjakovës.

    Në raportin e policisë së Kosovës thuhet se dyshohet se mbetjet eshtërore i përkasin së paku një individi, i cili figuron në listën e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, në periudhën 1998–1999.

    Mbetjet eshtërore janë tërhequr nga IML-ja dhe janë dërguar për ekzaminime të mëtutjeshme mjeko-ligjore, me qëllim të identifikimit të viktimës.

    “Gjakovë / 1998-1999. Ekipet policore në koordinim me IML-në dhe njesitet tjera kompetente kanë hasur në mbetje eshtërore, të cilat dyshohet se i përkasin së paku një individi-personi, që figuron në listën e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë 1998-1999. Mbetjet eshtërore janë tërhequr nga IML për ekzaminime të mëtutjeshme mjeko-ligjore”, thuhet në raportin e policisë.

  • Një grua nga Graçanica dyshohet se mori 100 euro false nga bankomati

    Një grua nga Graçanica dyshohet se mori 100 euro false nga bankomati

    Një grua nga Kosova ka raportuar në Policinë e Kosovës se ka hasur në një kartëmonedhë të dyshuar të falsifikuar në vlerë prej 100 eurosh.

    Sipas njoftimit zyrtar, kartëmonedha është marrë më 8 janar 2026 nga një bankomat, por ankuesja dyshon se nuk është autentike. Autoritetet kanë sekuestruar kartëmonedhën për ekzaminime të mëtejshme.

    “Graqanicë / 04.01.2026 – 16:40. Ankuesja femer kosovare më 08.01.2026 ka raportuar se, në bankomat ka hasur në një kartëmonedhë në vlerë 100 € e cila është vendosur me datën e cekur dhe dyshohet të jetë e falsifikuar. Kartëmonedha është sekuestruar për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa lidhur me rastin është informuar edhe prokurori”, thuhet në raport

  • Shtetasi i Kolumbisë ther me thikë dy gra në Prishtinë

    Shtetasi i Kolumbisë ther me thikë dy gra në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Kolumbisë, nën dyshimin se i njëjti ka therur me thikë dy gra në Prishtinë.

    Bazuar në njoftimin e policisë, rasti ka ndodhur të enjten në orët e hershme të mëngjesit.

    Njësitet policore te i njëjti kanë gjetur dhe konfiskuar thikën dhe 2.4 gramë substancë të dyshuar narkotike. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari shtetas i Kolumbisë, nën dyshimin se i njëjti ka sulmuar fizikisht me një mjet të mprehtë dy viktimat femra kosovare. Njësitet policore te i njëjti kanë gjetur dhe konfiskuar mjetin-thikën dhe 2.4 gramë substancë të dyshuar narkotike. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Për herë të parë pas mbi tri vitesh, hoxhë Behar Mjekiqi reagon publikisht për akuzat ndaj tij

    Për herë të parë pas mbi tri vitesh, hoxhë Behar Mjekiqi reagon publikisht për akuzat ndaj tij

    Në emisionin “LIBERO”, për herë të parë pas më shumë se tri vitesh heshtje, hoxhë Behar Mjekiqi ka reaguar publikisht lidhur me akuzat për dhunë.

    Gjatë paraqitjes në emision, Mjekiqi prezantoi një dokument, për të cilin deklaroi se është Aktgjykim i datës 06.01.2025. Sipas tij, ky aktgjykim dëshmon se ai është liruar nga akuza në rastin përkatës.

    “Unë e kam një vendim të Gjykatës së Republikës së Kosovës… Gjykata e ka thënë fjalën e vet më 06.01.2025 dhe dalin sërish me të njëjtat fjalë…”, theksoi Mjekiqi.

    Ai shtoi se aktualisht ekzistojnë dy procese të ndara gjyqësore: një gjyq që ka përfunduar dhe që lidhet pra drejtpërdrejt me të, si dhe një tjetër që ende nuk ka përfunduar, e që ka të bëjë me paditë e tij ndaj personave dhe palëve të tjera.

    Sipas Mjekiqit, në mesin e të paditurve përfshihet edhe një media, për shkak të mënyrës së raportimit rreth rastit.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Behar Mjekiqit, klikoni linkun e mëposhtëm:

  • Qindra mijëra mbesin pa rrymë, teksa stuhia Goretti godet Evropën

    Qindra mijëra mbesin pa rrymë, teksa stuhia Goretti godet Evropën

    Erërat e fuqishme goditën Francën dhe Britaninë të premten, ndërsa stuhia Goretti mbërtheu Evropën Veriore, duke lënë pa energji elektrike qindra mijëra familje, teksa po mbretërojnë temperatura të ulëta.

    Meteorologët nga Britania deri në Gjermani u bënë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë brenda, ndërsa lëshuan paralajmërime për motin e keq, përfshirë edhe alarmin e kuq për erëra – niveli më i lartë i rrezikut që rrallë lëshohet – për ishujt Skilli dhe Kornuall në jugperëndim të Anglisë.

    Në Francë, afër 380.000 familje mbetën pa rrymë, shumica dërrmuese në rajonin verior të Normandisë, bëri të ditur kompania e shpërndarjes së energjisë Enedis, ndërsa BBC-ja raportoi se rreth 65.000 familje kanë mbetur pa rrymë.

    Gjatë natës, në rajonin veriperëndimor francez Mançe u regjistruan erëra nga 216 dhe 213 kilometra në orë, thanë autoritetet.

    Stuhia ka bërë që të rrëzohen pemë në disa rajone dhe në të paktën një rast, një pemë ra mbi një ndërtesë banimi, por nuk pati të lënduar, thanë autoritetet në Francë.

    Në disa pjesë të Britanisë priten erëra deri në 160 kilometra në orë dhe “valë shumë të mëdha do të krijojnë kushte të rrezikshme në zonat bregdetare”, tha Shërbimi Meteorologjik i Britanisë.

    Ky shërbim lëshoi një alarm portokalli për reshje bore në Uells, Anglinë Qendrore dhe pjesët veriore të Anglisë, duke parashikuar deri në 30 centimetra borë në disa zona.

    Shërbimi hekurudhor britanik ka njoftuar se trafiku i trenave do të ndikohet gjatë dy ditëve të ardhshme dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet, përveç në rastet e domosdoshme.

    Shkollat vazhdojnë të jenë të mbyllura në veri të Francës, ku janë lëshuar paralajmërime për motin e keq në 30 rajone të tjera.

    “Strehohuni dhe mos përdorni automjetet thuaja”, thanë autoritetet në Mançe të enjten, duke u bërë thirrje banorëve që të përgatisin furnizime të ujit dhe të sigurojnë llamba ndriçuese.

    Kushtet aktuale ekstreme të motit në Evropë kanë shkaktuar të paktën tetë viktima, dhe të enjten policia në Durrës të Shqipërisë nxori trupin e një burri nga ujërat pas përmbytjeve, disa ditë pas shirave të rrëmbyeshëm dhe reshjeve të borës që goditën Ballkanin. Në Kosovë, përmbytjet kanë shkaktuar dëme në disa zona, por nuk ka viktima.

    Në Gjermani, reshjet e borës dhe erërat në veri pritet të kenë ndikim në shkolla, spitale dhe lidhjet e transportit.

    Sipas Shërbimit Meteorologjik në Gjermani, në veri të shtetit mund të bien deri në 15 centimetra borë, ndërsa në jug ekziston rreziku i ngricave.

    Temperaturat gjatë fundjavës mund të arrijnë deri në -20 gradë Celsius, tha për AFP-në Shërbimi Meteorologjik gjerman.

    Disa zona kanë njoftuar për mbylljen e shkollave të premten, përfshirë në Hamburg dhe Bremen.

    Në Hamburg, si pasojë e motit janë shkaktuar vonesa dhe anulime në rrjetin e transportit publik të enjten.

    Kompania kombëtare hekurudhore Deutsche Bahn paralajmëroi për vonesa të konsiderueshme në ditët në vijim dhe tha se ka mobilizuar më shumë se 14.000 punonjës për të pastruar borën nga shinat dhe platformat hekurudhore.

    Shërbimi Meteorologjik gjerman tha se stuhia pritet të zgjasë deri të shtunën, ndërsa reshjet e borës do të ndalen të hënën.

    Meteorologu Walter tha se kjo stuhi është një përjashtim krahasuar me vitet e fundit me dimra më të butë, të cilët janë “pasojë e ndryshimeve klimatike”.

    Nga ky shërbim thanë se ka ende gjasa që i gjithë muaji të jetë i ftohtë dhe me borë, edhe pse temperaturat po rriten për shkak të ndryshimeve klimatike./REL

  • Musliu: Përçarja e popullit erdhi nga politika e fëlliqur dhe gjuha e urrejtjes

    Musliu: Përçarja e popullit erdhi nga politika e fëlliqur dhe gjuha e urrejtjes

    Deputetja nga radhët e PDK-së Ganimete Musliu ka publikuar një foto nga vërshimet e fundit në komunën e Skederajt, ku shkruhej “Cofni tash”. Musliu ka thënë se se kjo nuk nuk është foto e thjesht me një mbishkrimt të ulët, por se kjo është pasojë e një urrejtjeje të kultivuar me vetëdije ndër vite.

    “Populli ynë nuk u përça vetë. Ai u përça nga politika e fëlliqur, nga individë që jetuan duke mbjellë ndarje për të fituar pushtet, ndikim dhe vëmendje. Kush e solli popullin tonë deri në këtë pikë? Politikanë të dështuar, zëra të papërgjegjshëm dhe individë pa busull morale, që urrejtjen e përdorën si mjet për pushtet dhe klikime. Ata që e normalizuan talljen, e ushqyen cinizmin dhe e vranë empatinë derisa sot një fatkeqësi quhet “humor”. Ka thënë Musliu.

    Postimi i plotë i Musliut:

    Kjo nuk nuk është foto e thjesht me një mbishkrim i ulët, kjo është pasojë e një urrejtjeje të kultivuar me vetëdije ndër vite.

    Populli ynë nuk u përça vetë.

    Ai u përça nga politika e fëlliqur, nga individë që jetuan duke mbjellë ndarje për të fituar pushtet, ndikim dhe vëmendje.

    Kush e solli popullin tonë deri në këtë pikë?

    Politikanë të dështuar, zëra të papërgjegjshëm dhe individë pa busull morale, që urrejtjen e përdorën si mjet për pushtet dhe klikime.

    Ata që e normalizuan talljen, e ushqyen cinizmin dhe e vranë empatinë derisa sot një fatkeqësi quhet “humor”.

    Ata që talljen e kthyen në armë.

    Ata që fatkeqësinë e tjetrit e panë si kapital politik e moral.

    Ata që ushqyen përçarjen ditë pas dite, me gjuhë urrejtjeje, përbuzje rajonale dhe etiketime fyese, derisa kjo u bë “normale”.

    Sot po shohim frytin e asaj që është mbjellë.

    Jo humor. Jo satirë, por mungesë empatie dhe shkatërrim të ndjenjës së përbashkët.

    Ky popull nuk ka nevojë për më shumë përbuzje, por për një pastrim moral nga gjuha e urrejtjes që na është shitur si guxim.

  • KRU “Mitrovica”: Furnizimi me ujë është stabilizuar, por nuk rekomandohet ende për pije

    KRU “Mitrovica”: Furnizimi me ujë është stabilizuar, por nuk rekomandohet ende për pije

    Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” ka njoftuar se situata e furnizimit me ujë të pijes në zonat e shërbimit të kompanisë është stabilizuar në pjesën më të madhe.

    Tutje, në njoftim po ashtu bëhet e ditur se Impiantet për Trajtimin e Ujit aktualisht po operojnë me kapacitet të plotë operues.

    “Megjithatë, për arsye sigurie, uji nuk rekomandohet të përdoret për pije deri në njoftimin zyrtar të radhës nga ana jonë, i cili do të publikohet sapo të konfirmohet përmbushja e plotë e standardeve të cilësisë së ujit për konsum”, thuhet në njoftim.

  • Protestat masive në Iran, interneti ndërpritet në mbarë vendin

    Protestat masive në Iran, interneti ndërpritet në mbarë vendin

    Organizata joqeveritare Iran Human Rights, me seli në Norvegji, thotë se 45 protestues janë vrarë nga forcat iraniane të sigurisë që nga fillimi i protestave në fund të dhjetorit.

    Njerëzit në kryeqytetin e Iranit brohoritën nga shtëpitë e tyre dhe u mblodhën në rrugë të enjten në mbrëmje, pas një thirrjeje nga princi i kurorës në mërgim i vendit për një demonstratë masive, thanë dëshmitarë.

    Qasja në internet dhe linjat telefonike në Iran u ndërprenë menjëherë pasi filluan protestat.

    CloudFlare, një kompani interneti, dhe grupi advokues NetBlocks raportuan ndërprerjen e internetit, duke ia atribuar atë ndërhyrjes së qeverisë iraniane.

    Përpjekjet për të telefonuar linjat fikse dhe celularët nga Dubai drejt Iranit nuk mund të lidheshin. Ndërprerje të tilla në të kaluarën janë pasuar nga shtypje intensive nga qeveria.

    Kjo përfaqëson një përshkallëzim të ri të lëvizjes protestuese, fillimisht kundër ekonomisë së dobët të Iranit, e cila është përhapur në mbarë Republikën Islamike.

    Protesta përfaqësoi testin e parë nëse publiku iranian mund të ndikohej nga Princi i Kurorës, Reza Pahlavi, babai i të cilit, i sëmurë rëndë, u largua nga Irani pak para Revolucionit Islamik të vitit 1979.

    Pahlavi kishte bërë thirrje për demonstrata në orën 20:00 sipas orës lokale të enjten dhe të premten. Sapo ora shënoi, lagje të tëra në Teheran shpërthyen në thirrje, thanë dëshmitarë.

    Thirrjet përfshinin “Vdekje diktatorit!” dhe “Vdekje Republikës Islamike!”. Të tjerë lavdëronin shahun, duke bërtitur: “Kjo është beteja e fundit! Pahlavi do të kthehet!”. Mijëra njerëz mund të shiheshin në rrugë.

    “Popull i madh i Iranit, sytë e botës janë mbi ju. Dilni në rrugë dhe, si një front i bashkuar, bërtisni kërkesat tuaja,” tha Pahlavi në një deklaratë.

    “E paralajmëroj Republikën Islamike, udhëheqësin e saj dhe (Gardën Revolucionare) se bota dhe (Presidenti Donald Trump) po ju vëzhgojnë nga afër. Shtypja e popullit nuk do të mbetet pa përgjigje.”

    Demonstratat kanë përfshirë thirrje në mbështetje të shahut, diçka që në të kaluarën mund të sillte dënim me vdekje, por që tani nënvizon zemërimin që ushqen protestat.

    E enjtja shënoi vazhdimin e demonstratave që shpërthyen në qytete dhe fshatra në mbarë Iranin të mërkurën. Më shumë tregje dhe pazare u mbyllën në mbështetje të protestuesve.

    Deri tani, dhuna rreth demonstratave ka vrarë të paktën 39 persona, ndërsa më shumë se 2.260 të tjerë janë ndaluar, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA.