ATV

Category: Lajme

  • Vetëvendosje-qytetarëve: Faleminderit që nuk lëshuat pe

    Vetëvendosje-qytetarëve: Faleminderit që nuk lëshuat pe

    Lëvizja Vetëvendosje ka falënderuar qytetarët që e kanë votuar këtë parti në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Vetëvendosje ka theksuar se është konfirmuar si subjekti politik më i votuar në historinë e Kosovës, përcjell Insajderi.

    Postimi i plotë:

    Lëvizja VETËVENDOSJE! u konfirmua fuqishëm si subjekti politik më i votuar në historinë e Republikën e Kosovës.

    486,994 vota – 51.11% të vullnetit qytetar.

    Faleminderit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që nuk lëshuan pe dhe votuan për siguri dhe begati.

    Faleminderit secilit për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe për fitoren tonë të fuqishme në zgjedhjet e 28 dhjetorit!

  • 15 vite kimioterapi pa pasur kancer, pacientja fiton 460 mijë euro dëmshpërblim nga spitali në Itali

    15 vite kimioterapi pa pasur kancer, pacientja fiton 460 mijë euro dëmshpërblim nga spitali në Itali

    Gjykata e Apelit e Firences ka urdhëruar Spitalin Universitar të Pizës t’i paguajë mbi 460 mijë euro dëmshpërblim një gruaje 47-vjeçare, e cila iu nënshtrua për vite me radhë trajtimeve të rënda kundër kancerit, pa pasur në të vërtetë asnjë tumor.

    Në vitin 2006, gruaja u diagnostikua me kancer të zorrëve, çka e çoi drejt një terapie të gjerë dhe të panevojshme. Nga janari 2007 deri në maj 2011, ajo iu nënshtrua cikleve të përsëritura kimioterapie, si edhe trajtimeve me kortizon dhe steroide. Vetëm pas një biopsie të re të kryer në Xhenova u përjashtua përfundimisht prania e kancerit.

    Gjykata e Apelit rriti ndjeshëm shumën e dëmshpërblimit krahasuar me vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Pizës, e cila kishte caktuar 295 mijë euro. Rasti nisi kur gruaja u paraqit në spital për një ndërhyrje ortopedike: analizat para shtrimit zbuluan një anomali në numrin e qelizave të bardha të gjakut, duke çuar në shtyrjen e operacionit dhe dërgimin e rezultateve në spital.

    Pas një biopsie të palcës së kockave dhe të zorrëve, mjekët e spitalit universitar diagnostikuan limfomë jo-Hodgkin.

    Sipas mediave vendase, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për pajtim, pacientja paditi AOUP-in në gjykatën civile të Pizës. Spitali u mbrojt duke argumentuar se tabloja klinike ishte komplekse dhe e vështirë për t’u diagnostikuar, si dhe se trajtimi i ndjekur ishte i përshtatshëm.

    Megjithatë, ekspertiza mjeko-ligjore e urdhëruar nga gjykata konkludoi se trajtimi nuk ishte i nevojshëm, pasi hipoteza e limfomës nuk mbështetej nga analizat, ekzaminimet apo simptomat e raportuara nga pacientja.

    Gjykata e Apelit përcaktoi një paaftësi të përhershme prej 60%, kundrejt 40% të njohur nga shkalla e parë, dhe pranoi edhe “dëme të personalizuara”, duke marrë parasysh pasojat e rënda psikologjike dhe ndikimin në jetën e përditshme të gruas.

    47-vjeçarja, e cila punonte si shitëse sigurimesh, u detyrua të reduktonte ndjeshëm aktivitetin profesional dhe madje iu hoq edhe leja e drejtimit të automjetit, pasi u konsiderua e papërshtatshme për të drejtuar makinën.

  • Bajrami: Rezultati i 28 dhjetorit mësim për secilin prej nesh – dorëzimi i LDK’së s’është opsion

    Bajrami: Rezultati i 28 dhjetorit mësim për secilin prej nesh – dorëzimi i LDK’së s’është opsion

    Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka falenderuar qytetarët që e kanë votuar më 28 dhjetor, duke ia siguruar kështu mandatin e shtatë si deputete e Kuvendit të Kosovës.

    Bajrami ka thënë se pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, në të cilat kjo parti pësoi debakël duke rënë në 13%, dorëzimi nuk është opsion, shkruan Reporteri.net.

    Ajo ka shtuar se rezultati i 28 dhjetorit është përgjegjësi, mësim dhe reflektim secilin.

    “Nuk ka rrugë tjetër përveç ringritjes dhe rikthimit të LDK-së, duke vendosur gjithmonë LDK-në para individit dhe Kosovën para çdo partie. E kam shkruar dhe po e përsëris edhe një herë: së bashku nuk do të ndalemi, LDK duhet dhe do të rikthehet e para, me punë, me besim dhe me ekip”, ka shkruar Bajrami.

    Tutje, Bajrami ka thënë se votat janë përgjegjësi e madhe.

    “Gjatë mandateve të kaluara kam punuar pa u ndalur: kundër korrupsionit, për transparencë dhe llogaridhënie, për mbrojtjen e interesit publik, për forcimin e shtetit të së drejtës, për drejtësi sociale dhe barazi, aq sa kam pasur hapësirë dhe kapacitet. Por lufta nuk ka mbaruar. Sot, më shumë se kurrë, propaganda, korrupsioni dhe përpjekjet për rrënimin e demokracisë po sulmojnë themelet e shtetit tonë. Kundër tyre do të vazhdoj të jem zëri i juaj, pa kompromis dhe pa frikë. Do të punoj çdo ditë për të vërtetën, sepse vetëm e vërteta na çliron, na bashkon dhe na çon përpara”, ka shkruar Bajrami.

  • 19-vjeçari plagos bashkëmoshatarin me thikë, arrestohet nga policia

    19-vjeçari plagos bashkëmoshatarin me thikë, arrestohet nga policia

    Një 19-vjeçar është vënë në pranga nga policia, pasi dyshohet se plagosi me mjet prerës një 18-vjeçar gjatë një konflikti për motive të dobëta.

    Sipas njoftimit të Komisariatit të Policisë Nr. 2, operacioni i koduar “Catch” u organizua në vijim të punës për parandalimin e veprimtarive kriminale dhe kapjen e personave në kërkim.

    Shtetasi E. R., 19 vjeç, ishte shpallur në kërkim që prej 23 nëntorit 2025.

    Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

  • Dardan Sejdiu paralajmëron skenar të ri nga Albin Kurti

    Dardan Sejdiu paralajmëron skenar të ri nga Albin Kurti

    Opinionisti Dardan Sejdiu, ka deklaruar në Rubikon se Albin Kurti, do sërish zgjedhje në muajin prill.

    Ai tha se synimi i tij është që duke luajtur viktimën, të marrë edhe më shumë deputetë se sa që ka marrë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    “Kurti do të mundohet, edhe në intervistë tha i kam 60 vota por nuk i kam 80, i tha edhe Presidentes aktuale që nuk mund të të zgjedhi nëse nuk të votojnë partitë opozitare. Unë pres që të ketë zgjedhje në prill prapë dhe pres që beteja me qenë duke i fajësuar partitë opozitare shqiptare se pse nuk e votuan Vjosën Presidente”, thotë Sejdiu.

    Ai ka deklaruar se këtë skenar, Kurti e paralajmëroi në intervistën e tij të fundit dhënë Kosova Pressit.

    “E dyta është me vazhdu tutje këtë pozicionimit ku prej pushtetit e luan viktimën dhe kjo duket se po funksionon.

    Pra, ky është skenari, Kurti e thotë këtë në intervistë, po ashtu edhe Albulena Haxhiu e thotë në intervistën e saj”, thotë ai.

  • Nga sa vota morën liderët e partive

    Nga sa vota morën liderët e partive

    KQZ tashmë ka përfunduar 100 për qind të numërimit të votave, të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka 57 ulëse. PDK është e dyta me 22 ulëse, LDK e treta me 15 ulëse dhe AAK e katërta me 6 ulëse.

    Por nga sa vota arritën të siguronin liderët e partive politike shqiptare.Lideri i VV-së, Albin Kurti mori 404 mijë e 23 vota, duke hyrë në histori si politikani më i votuar në historinë zgjedhore të Kosovës.

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza mori 161 mijë e 931 vota. Njëshi i LDK-së, Lumir Abdixhiku nuk arriti të prek 100 mijë vota. Ai siguroi 88 mijë e 445 vota.Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj pati 43 mijë e 997 vota.Ndërsa, Fatmir Limaj i Nismës mori 12 mijë e 546 vota dhe nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re.

  • Vdes gjyqtari që kishte në dorë rastin e Netanyahut për korrupsion

    Vdes gjyqtari që kishte në dorë rastin e Netanyahut për korrupsion

    Kryetari i Gjykatës së Qarkut të Beershebas, Izrael, gjyqtari Benny Sagi, ka vdekur pasi një automjet u përplas me motoçikletën e tij.

    Sipas policisë, një automjet që po ecte jashtë rrugës doli në autostradë dhe goditi motoçikletën e Sagit.

    Mjekët dhe ndihmësit mjekësorë që mbërritën në vendngjarje e përshkruan aksidentin si “tronditës”.

    Ata thanë se e gjetën Sagin të shtrirë në rrugë me lëndime të shumta dhe pa shenja jetësore, dhe e shpallën të vdekur në vendngjarje.

    Policia ka hapur një hetim për aksidentin, me oficerë policie dhe hetues të aksidenteve rrugore që po shqyrtojnë rrethanat e aksidentit.

    Ndryshe, Sagi u emërua president i përkohshëm i Gjykatës së Qarkut të Beershebas në qershor 2024 dhe e mori këtë pozicion në mënyrë të përhershme në prill 2025.

    Ai ka lindur në vitin 1971, ka kryer shërbimin ushtarak nga viti 1989 deri në vitin 1993 dhe, pasi përfundoi studimet në drejtësi, shërbeu në Zyrën Qendrore të Qarkut të Prokurorit të Shtetit nga viti 2001 deri në vitin 2007.

    Emërimi i parë gjyqësor i Sagit ishte në Gjykatën e Magjistraturës së Tel Avivit në vitin 2007.

    Ai u bë lektor i drejtësisë në disa kolegje, përpara se të emërohej zëvendëspresident i Gjykatës së Magjistraturës së Tel Avivit në vitin 2013 dhe më pas gjyqtar në Gjykatën e Qarkut të Tel Avivit në vitin 2015.

    Presidenti Isaac Herzog tha se ishte “i tronditur dhe i dhembur nga vdekja tragjike” e Sagit, të cilën e përshkroi si një figurë shumë të dashur.

    “Sistemi gjyqësor humbi sot një nga bijtë dhe udhëheqësit e tij më të mirë”, tha ai.

    Sagi ishte i njohur për rolin e tij kyç në çështjet e korrupsionit, duke përfshirë hetimin ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu në skandalin e nëndetëseve.

  • AUV izolon 15 kg djath mozzarella të importuar nga Italia

    AUV izolon 15 kg djath mozzarella të importuar nga Italia

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka njoftuar se izolimi i produktit djath Mozzarella Bufalo në peshë prej 15 kilogram, i prodhuar nga qumështi i buallicës me origjinë nga Italia, i dyshuar për praninë e mundshme të aflatoksinës M1.

    AUV ka njoftuar se së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit të këtij produkti.

    “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton opinionin se, në prani të zyrtarëve të AUV-së dhe të palës përkatëse, dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, është realizuar izolimi i produktit djath Mozzarella Bufalo në peshë prej 15 kilogram, i prodhuar nga qumështi i buallicës me origjinë nga Italia, i dyshuar për praninë e mundshme të aflatoksinës M1. Ky produkt është prodhuar nga kompania Caseificio Coop. “La Contadina” në Itali dhe importuar nga Premio SHPK, Sllatinë e Madhe dhe së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit të këtij produkti.

    Ky veprim ndërmerret me qëllim garantimin e sigurisë shëndetësore të konsumatorëve dhe për të siguruar respektimin e standardeve të cilësisë ushqimore.

    Edhe pse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë po ballafaqohet me një mungesë të inspektorëve, ajo mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe zinxhirit ushqimor. AUV-ja vazhdon të zbatojë masa parandaluese dhe kontrolluese për të garantuar që konsumatorët në Republikën e Kosovës të kenë në dispozicion ushqim të sigurt, të shëndetshëm”, thuhet në njoftim.

  • Moti i rënduar detyron SWISS Air Lines të anulojë dhjetëra fluturime

    Moti i rënduar detyron SWISS Air Lines të anulojë dhjetëra fluturime

    Swiss International Air Lines ka anuluar 57 fluturime që nga fillimi i vitit për shkak të kushteve të motit. Kompania parashikon edhe anulime të tjera gjatë ditëve të ardhshme për shkak të situatës aktuale meteorologjike në Evropë.

    Një total prej rreth 7,430 pasagjerësh është prekur nga këto anulime deri të enjten, sipas një deklarate të filiales së Lufthansa. Fluturimet më të shpeshta të anulluara ishin ato për Amsterdamin – 42 fluturime janë anuluar që nga fillimi i vitit.

    Nga e enjtja deri të shtunën, SWISS ka njoftuar anulimin e 21 fluturimeve të tjera për Amsterdam, Berlin, Frankfurt dhe Luksemburg. Rreth 1,390 udhëtarë janë prekur nga këto ndryshime.

    Kompania gjithashtu parashikon se do të jenë të nevojshme anulime të tjera gjatë ditëve në vijim.

    Ende nuk ishte e qartë se cilat aeroporte dhe fluturime specifike do të preken: “Jemi në kontakt të ngushtë me MeteoSwiss dhe po shqyrtojmë me kujdes çdo ditë dhe çdo destinacion,” njoftoi kompania. Për shkak të “ngarkesës së shtuar të punës”, punonjës shtesë janë në gatishmëri.

    Megjithatë, situata meteorologjike ndryshon shpejt, prandaj anulimet me njoftim të shkurtër janë herë pas here të pashmangshme. “Nëse një anulim është i pashmangshëm, përpiqemi ta bëjmë sa më herët që të minimizojmë shqetësimin për pasagjerët tanë.”/Albinfo.ch/

  • UNESCO fillon nismën për mbrojtjen e shkrimit të dorës

    UNESCO fillon nismën për mbrojtjen e shkrimit të dorës

    UNESCO prezantoi një projekt për mbrojtjen e shkrimit të dorës, që po vihet gjithnjë e më shumë në rrezik nga përhapja e shkrimit dixhital.

    Përdorimi masiv i tastierave dhe ekraneve me prekje ka zëvendësuar në masë të madhe shkrimin tradicional me dorë, i konsideruar historikisht jo vetëm një aftësi e fituar, por edhe një tipar themelor antropologjik i zhvillimit njerëzor.

    Përtej varfërimit kulturor, studime të shumta shkencore dhe pedagogjike tregojnë se mospraktikimi i shkrimit të dorës te fëmijët dëmton zhvillimin e aftësive njohëse.

    Kësisoj, projekti i UNESCO-s përfshin dimensione kulturore, arsimore dhe ekonomike e synon disa objektiva: rikthimin e shkrimit me dorë në qendër të proceseve edukative; parandalimin e braktisjes së tij përmes praktikës së rregullt, veçanërisht në fazat kritike të zhvillimit të fëmijëve; si edhe nxitjen e përdorimit të tij gjatë gjithë jetës.