ATV

Category: Lajme

  • Shqipëria në ditën e katërt të përmbytjeve, Rama: Do kompensohen dëmet

    Shqipëria në ditën e katërt të përmbytjeve, Rama: Do kompensohen dëmet

    Në ditën e katërt nga moti i keq, janë 1587 banesa dhe 13211 hektarë tokë të përmbytura.

    Bilanci u shpall në mbledhjen e këshillit të Emergjencave Civile të cilin e drejtori kryeministri Rama. Për situatën e krijuar janë vënë në dispozicion 50 milionë euro, dhe sipas kreut të ekzekutivit, do dëmshpërblehen banorët e prekur.

    Ndërkohë sot është shfaqur që përmirësim i situatës në disa zona, ku ka nisur tërheqja e ujit.

    Në Durrës vijon të mbetet problematike, edhe pse në disa zona ka shenja të përmirësimit. Në Durrësin e Ri (ish-Kënetë), strukturat e emergjencave dhe grupet e shërbimit ndodhen në terren, ku po punohet për normalizimin e plotë të situatës. Paralelisht, vijojnë verifikimet dhe vlerësimet në banesat e përmbytura, ku deri më tani janë konstatuar 2 380 banesa të prekura nga uji. Në qytetin e Durrësit, situata është ende e ndjeshme. Aktualisht janë 356 persona të evakuuar, prej të cilëve 123 janë akomoduar në hotele, ndërsa 304 të tjerë janë strehuar në dy konvaleshencat e ministrive të Brendshme dhe të Mbrojtjes.

    Në Sukth, situata paraqitet disi më e lehtësuar. Në zonën e Vadardhës, uji ka nisur të tërhiqet, megjithatë autoritetet mbeten në gatishmëri për shkak të pasojave të shumta të përmbytjeve. Në këtë zonë janë evakuuar 322 persona, nga të cilët 76 janë strehuar në hotele, ndërsa 246 pranë familjarëve.

    Prurjet e lumit Vjosa kanë shënuar rënie gjatë natës. Aktualisht, prurjet e ujit janë ulur dhe niveli i ujit te Ura e Mifolit është 8.4 metra, duke bërë që uji të tërhiqet gradualisht nga zonat e përmbytura. Megjithatë, situata mbetet problematike në zonën e Bishanit, ku nënkalimi vijon të jetë i mbuluar nga rreth 2 metra ujë, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve.

    Situata hidrometeorologjike në qarkun e Fierit paraqitet më e qëndrueshme, ndërsa autoritetet raportojnë për ulje të niveleve të lumenjve dhe funksionim normal të infrastrukturës kryesore.

    Situata në qarkun e Korçës vijon të jetë problematike në disa zona, si pasojë e reshjeve të shiut, borës dhe temperaturave të ulëta.

    Problematika janë evidentuar në disa zona të bashkisë Gramsh, ku si pasojë e motit të keq dhe temperaturave të ulëta është raportuar ndërprerje e energjisë elektrike dhe bllokim të fshatrave për shkak të dëborës./ Tch

  • Gjermania mbyll shkollat për shkak të motit të keq

    Gjermania mbyll shkollat për shkak të motit të keq

    Gjermania pritet të përballet me atë që meteorologët e kanë vlerësuar gjendje të rënduar si pasojë e reshjeve të shtuara të borës, këtë fundjavë.

    Kjo situatë që po shkon duke u përkeqësuar, ka detyruar anulimin e disa aktiviteteve zyrtare, përfshirë edhe mbylljen e shkollave. Po ashtu, është raportuar edhe për vonesa në fluturime dhe telashe në rrugë e zona të thella, në disa pjesë të vendit.

    Shërbimi Meteorologjik Gjerman (DWD) e ka parashikuar motin e fundjavës si “ekstrem”, duke paralajmëruar se në disa rajone mund të bien deri në 20 centimetra dëborë gjatë së premtes.

    Është thënë po ashtu se “kombinimi i erës dhe dëborës” mund të sjellë kaos dhe të shkaktojë ndërprerje të mëdha në komunikacion, përfshirë bllokime rrugësh dhe probleme serioze në qarkullim, raporton DPA, përcjell Kosovapress.

    Sipas parashikimeve, stuhia “Elli” pritet ta arrijë kulmin e saj të premten, përpara se të dobësohet dhe të lëvizë drejt lindjes, në drejtim të Republikës Çeke, të shtunën.

    Për shkak të këtyre paralajmërimeve, partia në pushtet CDU ka anuluar takimin e saj të parë madhor të vitit që ishte paraparë të mbahet të premten dhe të shtunën, në Mainz. Zëdhënësja e kësaj partie tha të enjten se vendimi u mor për shkak të rrezikut nga moti ekstrem dhe anulimeve të paralajmëruara të trenave dhe fluturimeve.

  • Vërshimet në Drenas: Komuna u bën thirrje qytetarëve t’i raportojnë dëmet sa më parë

    Vërshimet në Drenas: Komuna u bën thirrje qytetarëve t’i raportojnë dëmet sa më parë

    Komuna e Drenasit ka ftuar zyrtarisht të gjithë qytetarët që kanë pësuar dëme nga vërshimet e ditëve të fundit, që t’i drejtohen Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve.

    Përmes një njoftimi publik, komuna ka bërë të ditur se paraqitja e kërkesave brenda një afati sa më të shpejtë është e domosdoshme për të nisur procesin e kompensimit.

    Komuna ka kërkuar që kërkesat të dorëzohen në sportelet e administratës komunale, duke respektuar këto kritere.

    “Komuna e Drenasit njofton të gjithë qytetarët që janë prekur nga vërshimet që të paraqiten sa më parë me kërkesat e tyre pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve. Paraqitja me kohë e kërkesave është e domosdoshme, në mënyrë që komisioni të mund të fillojë procesin e verifikimit dhe vlerësimit të dëmeve sa më shpejt që të jetë e mundur. Kërkesat duhet të jenë të plota, të shoqëruara me të dhënat e nevojshme dhe të dorëzohen në sportelet e Komunës së Drenasit. Komuna e Drenasit mbetet e përkushtuar për të qenë pranë qytetarëve në këtë situatë dhe për të trajtuar me përgjegjësi çdo kërkesë të paraqitur”, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.

  • Sindikata e Trepçës: Keqpërdorimet serioze po tentohet t’u barten minatorëve, Prokuroria Speciale ta hetojë këtë katrahurë

    Sindikata e Trepçës: Keqpërdorimet serioze po tentohet t’u barten minatorëve, Prokuroria Speciale ta hetojë këtë katrahurë

    Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, përmes një reagimi ka deklaruar se është duke u bërë presion ndaj minatorëve që kanë ‘’bindje tjetër’’ dhe që ‘’mendon ndryshe’’ nga menaxhmenti i ndërmarrjes.

    Në reagimin e sindikatës është thënë edhe se pasojat e ‘’keqpërdorimeve serioze’’ që kanë krijuar humbje të mëdha financiare, po tentohet që tu barten minatorëve.

    ‘‘Komisionet disiplinore po veprojnë në mënyrë selektive dhe të njëanshme, nën ndikim dhe direktiva, jo mbi bazë të ligjit, fakteve dhe rregulloreve. Minatorëve po u mohohet e drejta në mbrojtje, në informim të drejtë dhe në trajtim të barabartë në raportet e punës’’, thuhet mes tjerash nga sindikata, përcjell Gazeta Express.

    Më tej, nga sindikata thuhet edhe se, institucionet përgjegjëse po heshtin ndërsa Inspektorati i Punës nuk po reagon ndaj shkeljeve të vazhdueshme në marrëdhëniet e punës.

    Reagimi i plotë:

    Reagim për largimin e vazhdueshëm dhe të padrejtë të minatorëve nga Puna.

    Të nderuar minatorë,

    të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

    Shprehim shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë të thellë për përndjekjen selektive dhe presionin që po ushtrohet ndaj minatorëve në ditët e fundit, për secilin që ka bindje tjetër dhe mendon ndryshe nga menaxhmenti i ndërmarrjes, në një kohë kur problemet reale në Trepçë vazhdojnë të mbesin pa përgjegjësi dhe pa zgjidhje.

    Ndër vite janë evidentuar keqmenaxhime dhe keqpërdorime serioze, me humbje të mëdha financiare, për të cilat askush nga udhëheqja nuk ka dhënë llogari.

    Sot, pasojat e këtyre dështimeve po tentohen t’u barten minatorëve, të cilët po trajtohen si fajtorë për gabime që nuk i kanë shkaktuar.

    Komisionet disiplinore po veprojnë në mënyrë selektive dhe të njëanshme, nën ndikim dhe direktiva, jo mbi bazë të ligjit, fakteve dhe rregulloreve.

    Minatorëve po u mohohet e drejta në mbrojtje, në informim të drejtë dhe në trajtim të barabartë në raportet e punës.

    Në këtë situatë, institucionet përgjegjëse po heshtin dhe po vonohen në reagim.

    Inspektorati i Punës nuk po reagon ndaj shkeljeve të vazhdueshme në marrëdhëniet e punës. Prokuroria po vonon trajtimin e rasteve të dyshuara për keqpërdorime dhe shkelje ligjore. Gjykatat po zvarrisin procedurat, duke e bërë drejtësinë të vonuar dhe praktikisht të mohuar për minatorin.

    Shtrojmë publikisht pyetjen:

    Nëse minatori nuk mbrohet nga ligji dhe institucionet, kush e mbron atë?

    Po cenohet rëndë e drejta elementare për dinjitet në punë, për siguri, për trajtim njerëzor dhe për drejtësi.

    Është më e lehtë të ndërtosh karrierë personale duke mbyllur sytë para padrejtësive sesa të marrësh përgjegjësi për t’i ndrequr ato.

    Ne besojmë se drejtësia mund të vonojë, por nuk mund të shuhet. Edhe nëse sot dikush i shmanget përgjegjësisë, nesër ajo do të kërkohet nga ligji, nga shoqëria dhe nga vetë historia.

    U bëjmë thirrje minatorëve që të ruajnë qetësinë, unitetin dhe dinjitetin e tyre.

    Ne nuk kërkojmë konflikt, por drejtësi. Nuk kërkojmë privilegje, por trajtim të barabartë dhe njerëzor.

    Dhe se pavarsisht kostos që padrejtesisht na e faturoni neve si minator, asnjeher nuk do të mund të na nënshtroni dhe të na e ndrroni bindjen.

    Sindikata është duke e ndjekur situatën me vëmendje të plotë dhe së shpejti do të ndërmarrë hapa konkretë, bashkë me minatorët, për të kërkuar zgjidhje dhe drejtësi.

    Prandaj tani, për të saten herë, i bëjme ftesë publike Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që të zhvilloj hetime serioze dhe të mos rrij duarkryq përball kësaj katrahure dhe përndjekje.

  • Zyra për Mbrojtjen e Viktimave trajtoi 51 raste për shtatë ditë, 48 nga dhuna në familje

    Zyra për Mbrojtjen e Viktimave trajtoi 51 raste për shtatë ditë, 48 nga dhuna në familje

    Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka trajtuar 51 raste për shtatë ditë.

    Në një komunikatë të Zyra për Komunikim Publik e Kryeprokurorit të Shtetit janë listuar rastet ku prijnë rastet me dhunë në familje.

    Gjatë periudhës njëjavore të punës në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, mbrojtësit e viktimave në nivel të Kosovës kanë trajtuar gjithsej 51 raste të reja të paraqitura. Prej tyre:

    48 raste – dhunë në familje

    1 rast – trafikim

    2 raste – sulm seksual

    3 Kërkesa për Urdhër Mbrojtje (KUM) të parashtruara në gjykatë

    8 Kërkesa për Urdhër Mbrojtje Emergjente (KUME)

    1 kërkesë për ndërprerje të UM-së

    2 Kërkesa për Urdhër Mbrojtje të përkohshëm Emergjente (KUME)

    6 aktvendime të aprovuara

    16 seanca gjyqësore

    4 seanca në prokurori

    51 këshilla juridike

    6 aktgjykime dënuese

    2 përfaqësime të rastit në polici

    8 referime të rastit në QPS

  • Sindikata e Policisë njofton: Pagesat e dhjetorit për familjet e policëve të rënë nuk janë realizuar

    Sindikata e Policisë njofton: Pagesat e dhjetorit për familjet e policëve të rënë nuk janë realizuar

    Sindikata e Policisë së Kosovës ka njoftuar se familjet e policëve të rënë gjatë detyrës nuk kanë marrë pagesën për muajin dhjetor, përkundër kërkesës së bërë nga Drejtoria e Financave.

    Në një komunikatë zyrtare, sindikata thekson se pavarësisht kërkesës për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 290,000 euro, ato ende nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave:

    “Si pasojë, familjet e policëve të rënë në detyrë, të cilët janë një kategori e shenjtë dhe e respektuar për vendin tonë, kanë mbetur pa pagesë edhe pas përmbylljes së vitit”, thuhet në komunikatë.

    Sindikata e ka quajtur këtë situatë të papranueshme dhe të dhimbshme për familjet e prekur dhe i bën thirrje institucioneve për zgjidhje urgjente:

    “Sindikata e Policisë së Kosovës u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, në veçanti Ministrisë së Financave, që sa më parë të realizojnë pagesat e mbetura, në mënyrë që të mos cenohet dinjiteti dhe mirëqenia e këtyre familjeve”, thuhet tutje.

  • Diamant Bytyqi emërohet nënkryetar i Komunës së Lipjanit

    Diamant Bytyqi emërohet nënkryetar i Komunës së Lipjanit

    Me përgjegjësi institucionale dhe besim të plotë, sot mora vendim për emërimin e Diamant Bytyqit në detyrën e Nënkryetarit të Komunës.

    Diamanti është një njeri i përkushtuar, me integritet dhe vizion për të ardhmën. Jam i bindur se, me punë, urtësi dhe bashkëpunim, do t’u shërbejë me nder dhe përgjegjësi qytetarëve tanë.

    I uroj shumë sukses në këtë detyrë të rëndësishme dhe në punën tonë të përbashkët ka njoftuar Kryetari i Komunes se Lipjanit, Imri Ahmeti.

  • Presidenti palestinez: Nuk e pranojmë ndarjen e Gazës

    Presidenti palestinez: Nuk e pranojmë ndarjen e Gazës

    Presidenti palestinez Mahmoud Abbas deklaroi se ata refuzojnë ndarjen e Gazës dhe se Izraeli nuk ka legjitimitet në asnjë pjesë të Gazës.

    Duke folur në hapjen e sesionit të 13-të të Këshillit Revolucionar të Lëvizjes Fatah, Abbas tha se shteti palestinez është entitet i vetëm dhe i pandashëm gjeografik dhe politik që përfshin Gazën, Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

    Ai tha se prioritetet e tyre janë ta bëjnë armëpushimin në Gaza të përhershëm dhe të sigurojnë hyrjen e menjëhershme të ndihmës humanitare.

    “Faza e dytë e planit të presidentit të SHBA-së Donald Trump duhet të zbatohet në Rripin e Gazës. Kjo parashikon tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza, dorëzimin e pushtetit nga Hamasi dhe krijimin e një komiteti administrativ kalimtar nën qeverinë palestineze”, theksoi Abbas.

    Ai shtoi se procesi në fjalë synon rindërtimin pa “zhvendosje të detyruar” dhe fillimin e një procesi politik të bazuar në legjitimitetin ndërkombëtar dhe Iniciativën Arabe për Paqen.

    “Ky vit do të jetë viti i demokracisë palestineze”, tha Abbas duke shtuar se zgjedhjet lokale do të mbahen në prill dhe se kongresi i 8-të i Fatahut dhe zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Palestinez janë planifikuar për këtë vit.

    Abbas tha se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen njëkohësisht në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor kur të krijohen kushtet e përshtatshme.

    Ai potencoi se veprimet e Izraelit në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor janë po aq të rrezikshme sa ato në Gaza dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë presion mbi Izraelin. /AA/

  • Vërshime në lumenjtë e Kosovës, IHMK: Disa lumenj ende me rritje të lehtë

    Vërshime në lumenjtë e Kosovës, IHMK: Disa lumenj ende me rritje të lehtë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka bërë të ditur se gjatë periudhës 03–08 janar 2026, shumica e lumenjve në vend shkaktuan vërshime dhe përmbytje, disa prej të cilave me përmasë që ndodh një herë në 50 vjet.

    Sipas IHK-së, në disa segmente lumenjtë dolën nga shtrati i tyre, duke shkaktuar dëme në zonat përreth.

    “Aktualisht shumicën e lumenjve të vendit, janë në rënie të lehtë, pos lumenjve: Drini Bardhë rrjedha e poshtme, Sitnica, Morava e Binçës, Lepenci, të cilët kanë ngritje të lehtë”, thuhet në njoftim.

    Gjatë këtyre ditëve, reshjet mesatare në territorin e Kosovës arritën 97.1 mm (l/m²), duke kontribuar në situatën e përmbytjeve dhe vërshimeve. Instituti vazhdon të monitorojë situatën hidrometeorologjike dhe paralajmëron qytetarët të tregojnë kujdes pranë lumenjve dhe zonave të përmbytura.

  • Komuna e Pejës hap aplikimet për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet, afati deri më 16 janar

    Komuna e Pejës hap aplikimet për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet, afati deri më 16 janar

    Komuna e Pejës ka filluar me procesin e aplikimit për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet që përfshinë shumë zona në vend si shkak i reshjeve të dendura të shiut, e të cilat lanë prapa dëme në shtëpi, biznese e në bujqësi.

    Kërkesën për vlerësim të dëmit qytetarët duhet ta paraqesin pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, derisa komuna e Pejës thotë se afati për aplikim është deri më 16 janar.

    Të dëmtuarit duhet të paraqesin pranë kësaj zyre fotografi që dëshmojnë dëmin që i është shkaktuar nga vërshimet.

    Komuna e Pejës thotë se kërkesat duhet ët dorëzohen personalisht pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve që gjendet në objektin e komunal në Qendrën për Shërbime me Qytetarë.