ATV

Category: Lajme

  • Ramadani: Mos-pagesa për familjet e policëve të rënë në detyrë, e papranueshme

    Ramadani: Mos-pagesa për familjet e policëve të rënë në detyrë, e papranueshme

    Burim Ramadani i AAK-së, ka reaguar pas njoftimit të Sindikatës së Policisë, se familjet e policëve të rënë në detyrë, nuk janë paguar për muajin dhjetor.

    Ai thotë se kjo gjë është e papranueshme dhe ofenduese, sepse sakrifica e policëve të rënë në detyrë duhet të nderohet, jo të neglizhohet.

    Postimi i plotë:

    Mos-pagesa për muajin dhjetor 2025 të obligimit shtetëror për familjet e policëve të rënë në detyrë është e papranueshme dhe ofenduese.

    Sakrifica e policëve të rënë në detyrë duhet të nderohet, jo të neglizhohet.Ata e ato dhanë jetën në krye të detyrës. Janë heronjtë e shtetit ligjor në Kosovë!

  • “Uji në shtëpi një metër”, qytetarët në Durrës ankohen për situatën e përmbytjeve: S’ka ardhur askush për ndihmë

    “Uji në shtëpi një metër”, qytetarët në Durrës ankohen për situatën e përmbytjeve: S’ka ardhur askush për ndihmë

    Përmbytja në disa zona të Durrësit ka lënë pas dëme të mëdha materiale, ndërsa banorët kanë kaluar natën në kushte të vështira.

    Një qytetar tregon se ushtria ka ardhur në zonë, por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ndihmë sipas tij.

    “Situata më keq nuk ka ku shkon, janë bërë dëme materiale, bagëtitë dhe njerëzit kanë ndenjur tërë natën si bufa këtu, vinte ushtria në lokal, flinin në gjumë nëpër makina.

    Ndihmat i dërguar po se di ku janë çuar. Morën në familje që ishte me fëmijë të vegjël dhe të tjerët i lanë nën tarraca.

    Nuk duan të largohen, se ushtria futet për verifikim dhe bën ndonjë pastrim, ka ik besimi tek këta. Dhe kur vjen deputeti i shkon afër ta pyesësh se çfarë do bëhet, thotë do vijë fadroma këtu, do vij vinçi këtu”, u shpreh një qytetar.

    Ndërkohë, një qytetar tjetër është shprehur se biznesi i tij është i gjithë nën ujë.

    “Më ka dëmtuar shumë biznesin, nuk e di sa është dëmi, por makinat e punës janë nën ujë dhe janë të kushtueshme. Këtu ka hyrë uji 50 centimetra, kemi që nga dje në orën 6 që jemi në ujë. Tani ka filluar të tërhiqet, por në lagjen Erzen është përmbytur komplet”, u shpreh një qytetar .

    Ndërsa një banor i zonës Dushk është shprehur se uji ka arritur deri nën shtëpi dhe ka dëmtuar bagëtitë e banorëve. Ai gjithashtu ka thënë se grupet që bëjnë verifikimet nuk kanë ardhur për t’i parë dëmet.

    “Asnjë ndihmë, uji po e mbyt të gjithë fshatin Dushk, janë 150 banorë. Uji në shtëpi ka shkuar një metër, disa më thanë që i ishin mbytur pulat, lopët janë brenda, nuk ka se ku i nxjerr. Nuk kanë ardhur grupet për të bërë verifikimet”, tha një banor i zonës.

  • Vdes Ali Sadriu, ish-ministër i Financave

    Vdes Ali Sadriu, ish-ministër i Financave

    Ka vdekur në moshën 75-vjeçare, Ali Sadriu, ish-ministër i Financave dhe ish-drejtor ekzekutiv i QKUK-së.

    Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar familja e tij e ngushtë.

    “Të nderuar miq dhe familjarë. Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se sot ndërroi jetë babai ynë i dashur, Ali Shaban Sadriu. Për detajet e varrimit do t’ju njoftojmë me kohë”, ka shkruar në Facebook i biri i tij, Flamur Sadriu.

    Kush ishte Ali Sadriu?

    Ali Sadriu, sipas biografisë së publikuar në ueb-faqen e Kuvendit të Kosovës, ka qenë drejtor ekzekutiv i QKUK-së, deputet i LDK-së (1992-1998, 1998-2002, 2002-2004, 2004-2008,2011-2014), Ministër për Ekonomi dhe Financa (2002-2004), Bashkëdrejtues i Autoritetit Qendror Fiskal (2000-2002), Drejtor financiar në Fakultetin e Mjekësisë 1977-1980, Drejtor financiar në Bankos (1980-1990), Drejtor financiar “Fabrika e Veglave dhe Ujtive Elektrike” (1975-1977).

  • The Guardian shkruan për përmbytjet në Kosovë: Bllokuan njerëzit nëpër shtëpi dhe ndërprenë furnizimin me ujë

    The Guardian shkruan për përmbytjet në Kosovë: Bllokuan njerëzit nëpër shtëpi dhe ndërprenë furnizimin me ujë

    Kosova është përballur këtë javë me reshje të gjata dhe të dendura shiu, të cilat kanë shkaktuar përmbytje të gjera. Qytete, qyteza dhe fshatra u përmbytën ndërsa lumenjtë dolën nga shtrati i tyre. Komunitetet u izoluan dhe shërbimet emergjente shpëtuan persona të bllokuar në shtëpitë e tyre. Banorët humbën furnizimin me ujë, si dhe energjinë elektrike në komunat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit, pasi uji i përmbytjeve depërtoi në nënstacionet elektrike, ka shkruar mediumi britanik “The Guardian” për situatën me përmbytjet në Kosovë.

    Stacione individuale të motit në të gjithë jugperëndimin e vendit regjistruan më shumë se 50 mm brenda 24 orëve të martën dhe të mërkurën, me disa stacione lokale që regjistruan rreth 80 mm në komunën e Malishevës.

    Kjo pasoi reshjet e dendura të mëparshme nga e shtuna deri të hënën, gjatë të cilave stacionet zyrtare të motit në Junik dhe Gllogjan në perëndim të vendit regjistruan përkatësisht 231.5 mm dhe 151.6 mm shi brenda dy ditësh. 130 mm të tjera ranë në rajonin e Junikut të martën, duke përkeqësuar përmbytjet me rrëshqitje të dheut.

    The Guardian njoftoi edhe për motin e përkeqësuar në gjithë Europën, duke thënë se Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar lëshoi ​​një paralajmërim të kuq për erëra të forta nga ora 16:00 deri në 23:00 të enjten në të gjithë Kornuoll dhe Ishujt Scilly, ndërsa Stuhia Goretti përshkoi Kanalin. Ndërsa jugperëndimi i largët i Anglisë pati erëra ekstreme me shpejtësi afër 100 mph, ishte Meteo-France ajo që i dha emrin stuhisë, pasi Franca veriperëndimore pritej të pësonte goditje të forta. U parashikuan erëra shkatërruese mbi 80 mph, me erëra prej 132 mph të vërejtura në Normandi dhe 94 mph në gjatë natës. Vende deri në brendësi të Parisit patën erëra shumë të forta gjatë natës, me erëra që arritën në 65 mph.

    Paralajmërime për përmbytje bregdetare ishin gjithashtu në fuqi në Francën veriperëndimore; brigjet veriore të Brittany ishin nën paralajmërime për valë 6-9 metra, me valë stuhie prej 1.5 metrash gjatë baticës së lartë.

    Stuhia Goretti do të vazhdojë të lëvizë drejt lindjes në Europën kontinentale gjatë fundjavës, dhe ndërsa erërat e forta do të lehtësohen disi ndërsa kjo ndodh, kushtet e stuhisë së borës mund të jenë një kërcënim. Reshje të konsiderueshme bore mund të bien në të gjithë Gjermaninë dhe rajonin e Beneluksit.

  • Politikanes në Honduras i plas pajisja shpërthyese në kokë gjatë intervistës për media

    Politikanes në Honduras i plas pajisja shpërthyese në kokë gjatë intervistës për media

    Një ngjarje e tmerrshme ndodhi në kryeqytetin e Hondurasit, Tegucigalpa, ku Gladys Aurora Lopez, deputete e Partisë Kombëtare, u lëndua rëndë nga një pajisje shpërthyese që shpërtheu vetëm disa centimetra larg kokës së saj.

    Ngjarja ndodhi gjatë një interviste për mediat, kur Lopez po fliste qetësisht dhe papritmas një objekt u hodh drejt saj, duke shpërthyer në flakë pas goditjes në pjesën e pasme të qafës së saj.

    Lopez mbijetoi, por pësoi dëmtime serioze, duke përfshirë djegie dhe dëmtime dëgjimi.

    Disa persona të tjerë që ndodheshin pranë saj morën plagë të lehta.

    Ky sulm ndodhi në një kohë të tensionuar politikisht, pas një rinumërimi të kontestuar të votave pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, kur Nasry Asfura fitoi me një rezultat të ngushtë.

    Presidenti i Kongresit, Luis Redondo, urdhëroi menjëherë një hetim dhe kërkoi shqyrtimin e kamerave të sigurisë dhe regjistrimeve të urgjencës për të identifikuar autorin.

    Ndërkohë, presidenti i zgjedhur Asfura bëri thirrje për qetësi, duke theksuar se “kjo nuk duhet të ndodhë, pavarësisht motivit.”

    Tomas Zambrano, kreu i grupit parlamentar të Partisë Kombëtare, e quajti këtë sulm një akt dhune të papranueshëm dhe akuzoi partinë në pushtet për krijimin e një klime armiqësore ndaj opozitës.

    Ai kërkoi që Forcat e Armatosura dhe Policia Kombëtare të garantojnë sigurinë e ligjvënësve dhe të Kongresit, duke paralajmëruar se Honduras po hyn në një periudhë të pasigurt dhe të tensionuar politikisht.

  • Konsullata e Kosovës në Cyrih ul flamurin në gjysmë shtize në nderim të viktimave në Crans-Montana

    Konsullata e Kosovës në Cyrih ul flamurin në gjysmë shtize në nderim të viktimave në Crans-Montana

    Në shenjë solidariteti dhe respekti, Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih ka ulur sot flamurin në gjysmë shtize, duke nderuar viktimat e tragjedisë së rëndë që tronditi Crans-Montana.

    Ky veprim simbolik shpreh ndarjen e dhimbjes dhe respektin për jetët e humbura, si dhe qëndrimin pranë familjeve të prekura dhe institucioneve zvicerane në këto momente të vështira.

    Konsullata ka përcjellë ngushëllimet më të sinqerta, duke theksuar lidhjet e ngushta të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Zvicra.

    Komuniteti shqiptar në Zvicër bashkohet në këtë akt solidariteti, duke shprehur respekt dhe empati për të gjithë ata që po përballen me pasojat e kësaj tragjedie.

  • Kandidatët që mbeten jashtë Kuvendit si pasojë e kuotës gjinore

    Kandidatët që mbeten jashtë Kuvendit si pasojë e kuotës gjinore

    Kuota gjinore i ka lënë pa ulëse në Kuvend 5 burra, prej tyre 2 kandidatë nga lista e Partisë Demokratike të Kosovës, një nga lista e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një nga Lista Serbe dhe një nga KDTP-ja.

    Te Partia Demokratike e Kosovës jashtë Kuvendit si pasojë e kuotës gjinore kanë mbetur deputetët Bekim Haxhiu, Hajdar Beqa. Në vend të tyre në Kuvend do të jenë Arian Musliu-Shoshi dhe Arbënore Salihu.

    Edhe te AAK-ja Albana Bytyqi ka hyrë në Kuvend me kuotë, edhe pse Agim Çeku, Burim Ramadani, Arbër Tolaj, Lahi Brahimaj dhe Pal Lekaj, kanë vota më shumë se ajo.

    Edhe te Lista Serbe Verica Çeraniq ka hyrë në Kuvend edhe pse ka më pak vota se Branislav Nikoliq.
    Te partia turke KDTP që ka siguruar dy vende në Kuvend, Fatma Taçi është zgjedhur deputete edhe pse ka më pak vota se Ergul Mazrek.

    Te Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës asnjë deputete nuk ka hyrë në Kuvend me kuotë gjinore.

    Kuota gjinore 30% për përfaqësimin e grave në Parlamentin e Kosovës u vendos për herë të parë nga UNMIK-u në vitin 2000 përmes një rregulloreje që kërkonte që të paktën 30% e kandidatëve në listat zgjedhore të ishin gra. Kjo masë u aplikua në zgjedhjet pasluftës dhe ishte një prej mekanizmave fillestarë për të rritur pjesëmarrjen e grave në politikë në nivelet qendrore dhe lokale.

    Më tej, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i miratuar në vitin 2008 përfshiu përcaktimin e kuotës gjinore prej 30% në listat zgjedhore, dhe institucionalizuar kështu këtë kuotë në sistemin zgjedhor të Kosovës.

    Në vitin 2010, ligji u përforcua me amendamente që sqarojnë vendosjen e kuotës dhe mekanizmat e zbatimit, duke siguruar që të paktën 30% e atyre që zgjidhen nga listat të jenë të gjinisë së nën-përfaqësuar, përmes riorganizimit të listave në rast të nevojës.

    Kandidatët që mbeten jashtë Kuvendit si pasojë e kuotës gjinore

  • Abdixhiku: Shtëpia nuk goditet e braktiset në ditët më të vështira, çështjet tona i zgjidhim në kryesi e kuvend të partisë

    Abdixhiku: Shtëpia nuk goditet e braktiset në ditët më të vështira, çështjet tona i zgjidhim në kryesi e kuvend të partisë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rezultateve zgjedhore, duke falënderuar mbi 126 mijë qytetarë të Kosovës që i besuan LDK-së votën e tyre, ndërsa ka pranuar se rezultati nuk ishte ai që partia kishte pritur.

    “Ju faleminderit nga zemra, të gjithë 126.102 qytetarëve të Kosovës që i besuan LDK-së në këto zgjedhje. Çdo votë e dhënë për ne është përgjegjësi, respekt dhe obligim për të ardhmen”, ka shkruar Abdixhiku në një postim në Facebook.

    Ai theksoi se, ndonëse rezultati ishte zhgënjyes për LDK-në, vendimi i qytetarëve duhet respektuar pa asnjë rezervë.

    “Nuk është e tepër të përsëritet se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që pritëm; larg madje. Por është verdikt i qytetarëve të vendit tonë dhe para tij përulemi me respekt të plotë”, u shpreh ai.

    Abdixhiku ka nënvizuar se LDK nuk i shmanget përgjegjësisë dhe reflektimit, duke e cilësuar këtë si dallim thelbësor të partisë që drejton.

    “LDK e asnjë individ nuk i shmanget asnjë përgjegjësie dhe asnjë reflektimi; kjo na dallon”, ka deklaruar kreu i LDK-së.

    Duke iu referuar debateve të fundit brenda dhe jashtë partisë, Abdixhiku ka qenë i prerë se vendimmarrja për të ardhmen e LDK-së nuk do të bëhet përmes reagimeve emocionale apo presioneve publike.

    “LDK është parti institucionale. Çështjet tona nuk zgjidhen në statuse emocionale, as në klithma sociale, e as në debate të çastit”, ka theksuar ai.

    Sipas tij, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, do të mblidhet Kryesia e LDK-së dhe më pas do të organizohet Kuvendi i LDK-së, ku anëtarësia do të vendosë për drejtimin e mëtejmë të partisë.

    “Në Kuvend, në organet legjitime të partisë, nga anëtarësia e partisë, vendoset fati i LDK-së”, shkroi Abdixhiku.

    Në reagimin e tij, ai pati edhe një mesazh për kritikët e LDK-së jashtë partisë, duke thënë se sulmet ndaj saj nuk kanë pasur asnjëherë qëllime të mira.

    “LDK-ja nuk ndërtohet me sulme nga jashtë, e as me gëzim për humbjen e saj. LDK është më e madhe se çdo individ. Qëllimet e tyre nuk kanë qenë kurrë të mira, as për LDK-në e as për arritjen e një rezultati më të mirë zgjedhor. LDK-ja nuk ndërtohet me sulme nga jashtë, e as me gëzim për humbjen e saj. LDK është më e madhe se çdo individ, por edhe më e fortë se çdo zë që synon ta dobësojë. Ne do ta bëjmë fatin tonë, me qetësi, me ndershmëri dhe me përgjegjësi; siç i ka hije kësaj shtëpie politike e cila nuk braktiset e as nuk goditet në ditët e saja më të vështira”, ka shkruar ai.

    Në fund, Abdixhiku u zotua se LDK do ta ndërtojë rrugën e saj me qetësi, ndershmëri dhe përgjegjësi, duke falënderuar sërish votuesit dhe mbështetësit e partisë.

    “Besimi juaj mbetet detyrimi ynë më i madh”, përfundoi ai.

  • Dy të plagosur nga agjentët federalë në Oregon

    Dy të plagosur nga agjentët federalë në Oregon

    Dy persona janë qëlluar dhe plagosur nga agjentë federalë në Oregon – një ditë pasi një grua u vra nga një agjent i ICE në Minneapolis.

    Incidenti i fundit ndodhi në Portland.

    Një burrë dhe një grua u dërguan në spital me plagë nga armë zjarri dhe gjendja e tyre është e paqartë në këtë fazë.

    Shefi i policisë, Bob Day, tha: “Ne e kuptojmë emocionin dhe tensionin e shtuar që shumë njerëz po ndiejnë pas të shtënave në Minneapolis, por po i kërkoj komunitetit të ruajë qetësinë ndërsa përpiqemi të mësojmë më shumë.”

    Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, agjentët e Patrullës Kufitare po kryenin një “ndalim të synuar automjetesh” në atë kohë.

    Një postim në X pretendonte se “shoferi e kishte armatosur automjetin e tij dhe ishte përpjekur të shtypte agjentët e zbatimit të ligjit” – duke bërë që njëri prej tyre të qëllonte në mënyrë mbrojtëse.

    Deklarata vazhdoi duke pretenduar se shoferi besohet të jetë anëtar i një bande “të egër” venezueliane, ndërsa pasagjerja ka qenë e lidhur me një rrjet prostitucioni.

    Kryebashkiaku i Portlandit, Keith Wilson, tha se qyteti i tij po përballet me dhunë nga agjentët federalë dhe se “nuk mund të rrimë duarkryq ndërsa mbrojtjet kushtetuese përkeqësohen dhe gjakderdhja rritet”.

    Ndryshe, kjo vjen një ditë pasi një agjent i Imigracionit dhe Doganave qëlloi për vdekje një 37-vjeçare në Minneapolis, duke shkaktuar dënim nga zyrtarët lokalë dhe protesta të përhapura në Minesota dhe më gjerë.

    Renee Good u qëllua në kokë nga afër ndërsa përpiqej të largohej me veturë në një rrugë me borë, por Donald Trump dhe të tjerë në administratën e tij kanë pohuar se veprimet e agjentit ishin në vetëmbrojtje.

    Rruga me borë ku Renee Nicole Good u qëllua dhe u vra nga një oficer i imigracionit tani është bërë një memorial për të.

  • Dy shtetas të Shqipërisë dyshohen se kërkuan 40 mijë euro nga një kosovar përmes detyrimit

    Dy shtetas të Shqipërisë dyshohen se kërkuan 40 mijë euro nga një kosovar përmes detyrimit

    Një person në Prishtinë ka raportuar në Polici se më 4 janar, dy shtetas të Shqipërisë i kërkuan të dërgojë 40,000 euro brenda një afati njëjavor.

    Rasti u raportua të enjten dhe po hetohet nën dyshimin për veprën penale “detyrim”.

    Sipas Policisë, “Më 08.01.2026, ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se dy persona të dyshuar, shtetas të Shqipërisë, kanë shkuar tek shtëpia e tij dhe i kanë kërkuar që deri më 11.01.2026 t’i dorëzojë 40,000 euro para të gatshme në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit.

    Rasti është duke u hetuar nga ekipet relevante policore”, thuhet në raportin 24-orësh.