ATV

Category: Lajme

  • Kosova importoi 40% më shumë rrymë në maj, prodhimi nga termocentralet ra mbi 45%

    Kosova importoi 40% më shumë rrymë në maj, prodhimi nga termocentralet ra mbi 45%

    Kosova ka rritur ndjeshëm importin e energjisë elektrike gjatë muajit maj 2026, ndërsa në të njëjtën kohë ka shënuar rënie të theksuar të prodhimit vendor nga termocentralet, tregojnë të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    Sipas raportit, importi i energjisë elektrike arriti në 422.31 GWh, duke shënuar rritje prej 41.29 për qind krahasuar me majin e vitit 2025.

    Në të njëjtën periudhë, prodhimi bruto i energjisë nga termocentralet ra në 178.48 GWh, ose 45.40 për qind më pak se një vit më parë, raporton Gazeta10.

    Ndërkohë, prodhimi i energjisë nga hidrocentralet u rrit me 51.38 për qind, duke arritur në 49.22 GWh, ndërsa prodhimi nga era dhe panelet solare shënoi rritje prej 8.25 për qind, në 39.30 GWh. Megjithatë, këto rritje nuk mjaftuan për të kompensuar rënien e prodhimit nga termocentralet.

    ASK bën të ditur se konsumi i energjisë elektrike gjatë muajit maj arriti në 398.66 GWh, duke u rritur për 8.88 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa energjia elektrike bruto në dispozicion mbeti pothuajse në të njëjtin nivel, me një rënie të lehtë prej 0.41 për qind.

    Raporti tregon gjithashtu se prodhimi i thëngjillit ra me 37.25 për qind, në rreth 301 mijë tonë, ndërsa eksporti i energjisë elektrike shënoi një rënie të lehtë prej 1.58 për qind, duke arritur në 205.27 GWh.

  • Paunoviq tenton të arsyetohet për deklaratën e saj: “Duhej të kisha thënë deportim, jo spastrim etnik”

    Paunoviq tenton të arsyetohet për deklaratën e saj: “Duhej të kisha thënë deportim, jo spastrim etnik”

    Ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, ka tentuar të arsyetohet për deklaratën e saj se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

    Ajo pretendon se një pjesë prej vetëm shtatë sekondash nga intervista e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe keqpërdorur, por njëkohësisht përsëriti thelbin e qëndrimit të saj, duke shtuar se ndoshta do të ishte më mirë të kishte përdorur termin “deportim” në vend të “spastrimit etnik”, për të shmangur, siç u shpreh, “linçimin” publik, raporton N1.

    “Po, ndoshta do të thosha deportim, thjesht për të shmangur që të më sulmonin nga të gjitha anët. Por kushdo që është normal dhe e kupton se për çfarë po flas, e di se mund të të shpëtojë një term i papërshtatshëm. Në fund të fundit, kur je spastruar etnikisht – dhe ne pothuajse kemi qenë, apo çdo ditë bëhen përpjekje që kjo të ndodhë – atëherë është e natyrshme që në mendje të të mbetet termi spastrim etnik si përshkrim i asaj që ke përjetuar”, tha Paunoviq.

    Ajo u përpoq ta justifikojë edhe më tej deklaratën, duke thënë se nuk kishte nënkuptuar një spastrim etnik me dhunë, por, sipas saj, largimin “me vullnet të lirë”.

    “Jo me likuidimin e kujtdo, por thjesht me vullnet të lirë”, tha ministrja.

    Sipas saj, ajo që duhej të kishte bërë Millosheviqi ishte që “çdokush që nuk respektonte Kushtetutën dhe ligjet e atëhershme të Republikës Federale të Jugosllavisë të kthehej në vendin amë, të cilin e konsideronte më të mirë për veten, ndërsa me terroristët të merreshin forcat zyrtare të armatosura, ashtu si ndodh kudo në botë”.

    Deklarata e saj ka ngjallur shumë reagime, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj – në Evropë e më gjerë.

    Kosova madje e ka shpallur Paunoviqin “persona non grata”.

  • Ambasada e Kosovës: Më 23 korrik mbahet ceremonia për zbulimin e pllakës për viktimat e aksidentit në Slavonski Brod

    Ambasada e Kosovës: Më 23 korrik mbahet ceremonia për zbulimin e pllakës për viktimat e aksidentit në Slavonski Brod

    Ambasada e Kosovës në Kroaci ka njoftuar se më 23.07. 2026, në Slavonski Brod të Kroacisë do të mbahet ceremonia e zbulimit të pllakës përkujtimore kushtuar viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik rrugor të ndodhur me 25.07.2021.

    Ceremonia pritet të filloj në ora 10:30

    Sipas njoftimit, ceremonia do të zhvillohet në shenjë nderimi dhe kujtimi të përhershëm për viktimat e kësaj tragjedie, duke përçuar njëkohësisht mesazhin e respektit, solidaritetit dhe kujtesës institucionale.

    “Në këtë ngjarje do të marrin pjesë një delegacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, përfaqësues të autoriteteve lokale të qytetit të Slavonski Brod-it, si dhe përfaqësues të Prefekturës Brod-Posavinë, së bashku me përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë”- thuhet në njoftim.

    Mëngjesin e 25 korrikut 2021, një aksident tragjik mori jetën e 10 kosovarëve në Sllavonski Brod të Kroacisë.

    Një autobus i cili po barte rreth 60 persona nga Frankfurti i Gjermanisë drejt Kosovës doli nga rruga, ku përveç të vdekurve, u lënduan mbi 30 persona të tjerë.

    Për aksidentin u arrestua shoferi i kompanisë kosovare ‘Deva Tours’, i cili tha para policisë kroate, se për një moment e kishte zënë gjumi.

  • Kosova dhe Shqipëria në konferencën e SHBA-ve kundër terrorizmit të së majtës ekstreme

    Kosova dhe Shqipëria në konferencën e SHBA-ve kundër terrorizmit të së majtës ekstreme

    Kosova dhe Shqipëria ishin mes 66 vendeve që morën pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për atë që administrata e Presidentit Donald Trump e cilëson si “ringjalljen e terrorizmit politik”.

    Takimi u drejtua nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili u bëri thirrje vendeve pjesëmarrëse të forcojnë bashkëpunimin për t’iu përgjigjur kërcënimit që, sipas tij, paraqesin grupet terroriste të së majtës ekstreme.

    “Kjo është një konferencë ndërkombëtare sepse po përballemi me një kërcënim ndërkombëtar, një kërcënim ndërkufitar. Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse ta përballojmë së bashku. Ose do të bashkëpunojmë përtej kufijve tanë, ose terroristët do të vazhdojnë të shfrytëzojnë boshllëqet mes tyre”, deklaroi Rubio në fjalën hapëse.

    Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, konferenca synonte të siguronte mbështetje ndërkombëtare për luftën kundër asaj që e përshkroi si “kërcënimi në ringritje” i terrorizmit të së majtës ekstreme.

    Në mesin e vendeve pjesëmarrëse ishin Shqipëria, Kosova, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Japonia, Australia, Izraeli dhe dhjetëra shtete të tjera nga Evropa, Azia dhe Amerika.

    Gjatë konferencës, Rubio argumentoi se dhuna ekstremiste e së majtës është nënvlerësuar për vite me radhë në politikat kundër terrorizmit.

    “Për një kohë shumë të gjatë, doktrina jonë kundër terrorizmit ka pasur një pikë të verbër kur bëhet fjalë për dhunën ekstremiste të së majtës politike”, tha ai.

    Sekretari amerikan i Shtetit shtoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të rindërtojë mekanizmat e bashkëpunimit kundër terrorizmit, ashtu siç bëri në fillim të shekullit XXI përballë ekstremizmit islamik.

    Edhe zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, e cilësoi ekstremizmin e së majtës si një kërcënim në rritje ndaj institucioneve demokratike, ndërsa Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, foli për forma të ndryshme të këtij fenomeni, duke përfshirë fushatat e frikësimit politik, sabotimin e institucioneve dhe aktet e dhunës.

    Në një deklaratë të publikuar pas konferencës, Shtëpia e Bardhë tha se administrata Trump kishte nisur “një ofensivë globale të paprecedentë kundër kërcënimit ndërkombëtar të terrorizmit radikal të së majtës”, duke shtuar se ky fenomen do të trajtohet me të njëjtën seriozitet si terrorizmi xhihadist.

  • Hovenier: Kosova rrezikon ta humbasë besimin e Uashingtonit nëse nuk vepron

    Hovenier: Kosova rrezikon ta humbasë besimin e Uashingtonit nëse nuk vepron

    Kosova nuk mund të ecë përpara me prioritetet e saj kryesore pa institucione të qëndrueshme, thotë ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

    Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai paralajmëron se ngërçi politik po e dëmton pozitën e Kosovës në raport me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë.

    Hovenier thotë se pezullimi i Dialogut Strategjik me Uashingtonin është tashmë një pasojë konkrete për Kosovën.

    Sipas tij, Prishtina duhet të veprojë më shpejt në çështjet e energjisë dhe të komunitetit serb, nëse synon ta rikthejë marrëdhënien me administratën e presidentit Donald Trump.

    Ai thekson se vëmendja e Uashingtonit “nuk është e pafundme”.

    “Prandaj, mendoj se është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë që ofrohen dhe të mos shpenzohet shumë kohë duke u menduar apo reflektuar, por, përkundrazi, të përpiqesh të gjesh fusha të përbashkëta bashkëpunimi dhe përparimi”, thotë Hovenier.

    I pyetur se kush e mban përgjegjësinë më të madhe për ngërçin aktual, ai tha “Është e vështirë për mua të them se kush mban përgjegjësinë më të madhe për ngërçin aktual. Ajo që do të theksoja është se sa i dëmshëm është ky ngërç për qytetarët e Kosovës.

    Kosova nuk mund të ecë përpara me prioritetet e saj më të rëndësishme strategjike për aq kohë sa qeveriset nga një qeveri në detyrë ose përballet me kërcënimin e zgjedhjeve të reja.

    Prandaj, mendoj se ka shumë përgjegjësi për situatën aktuale. Po të isha ende ambasador i SHBA-së në Kosovë, do të bëja gjithçka për t’i inkurajuar të gjithë liderët politikë – qoftë nga Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK apo partitë e tjera – që të gjenin një rrugëdalje, për të mirën e vendit dhe të qytetarëve.

    Ata duhet të krijojnë një qeveri të re, të zgjedhin presidentin dhe t’u ofrojnë Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë një bashkëbisedues të besueshëm dhe legjitim”.

  • Serbia nënshkruan Marrëveshjen Artemis me SHBA-në

    Serbia nënshkruan Marrëveshjen Artemis me SHBA-në

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se Serbia i është bashkuar Marrëveshjes Artemis, një nismë ndërkombëtare që përcakton parime për eksplorimin dhe përdorimin paqësor të hapësirës. Me këtë, Serbia bëhet shteti i 69-të nënshkrues i marrëveshjes.

    Marrëveshja u nënshkrua më 16 korrik 2026 nga ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, në një ceremoni të mbajtur në selinë e NASA-s “Mary W. Jackson” në Uashington, ku morën pjesë edhe përfaqësues të NASA-s dhe të Departamentit Amerikan të Shtetit.

    Në reagimin e tij, Departamenti Amerikan i Shtetit e përshëndeti anëtarësimin e Serbisë dhe tha se ky hap konfirmon angazhimin e saj për parimet e eksplorimit paqësor të hapësirës.

    Marrëveshja Artemis u iniciua nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2020, së bashku me shtatë shtete partnere, si një kornizë bashkëpunimi për aktivitetet civile në hapësirë. Aktualisht, asaj i janë bashkuar 69 vende.

    Departamenti Amerikan i Shtetit dhe NASA koordinojnë promovimin dhe zbatimin e kësaj marrëveshjeje në bashkëpunim me shtetet nënshkruese.

  • Ministri Hoxha takon Gjuriqin, ia përmend deklaratën skandaloze të ministres serbe

    Ministri Hoxha takon Gjuriqin, ia përmend deklaratën skandaloze të ministres serbe

    Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka njoftuar ditur se është takuar në Uashington me homologun e tij serb, Marko Gjuriq.

    Përmes një postimi në X, Hoxha tha se gjatë bisedës, ia ka përmendur edhe deklaratën e ministres serbe për spastrim etnik të Kosovës.

    “Rikonfirmova qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë lidhur me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi nga një anëtare e Qeverisë së Serbisë, duke theksuar nevojën për të refuzuar pa asnjë mëdyshje retorikën që nxit tensione, cenon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe me vlerat Evropiane”, shkroi Hoxha në X.

    Ai tha se “pikërisht këtë përfaqëson diplomacia: zhvillimin e një dialogu të hapur, ballafaqimin sy më sy, përballjen me realitetin dhe trajtimin me përgjegjësi të dallimeve”.

    Ditë më parë, ministrja e qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviq, tha se po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1999, do ta spastronte etnikisht Kosovën.

  • Kufijtë zyrtarë të Qendrës Historike të Prishtinës regjistrohen në Gjeoportalin e Kosovës

    Kufijtë zyrtarë të Qendrës Historike të Prishtinës regjistrohen në Gjeoportalin e Kosovës

    Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar se institucionet përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës kanë bërë të ditur se kufijtë zyrtarë të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës tashmë janë regjistruar dhe janë të qasshëm në platformën Gjeoportali i Kosovës.

    Sipas njoftimit, Qendra Historike e Prishtinës si aset i trashëgimisë kulturore – fushë e konservimit arkitektural me numër unik 4790, është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme që nga viti 2020, ndërsa mbrojtja e saj është konfirmuar edhe me vendimin e fundit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

    Në njoftim thuhet, se publikimi i kufijve të perimetrit dhe zonës mbrojtëse në Gjeoportal përbën një hap të rëndësishëm në zbatimin e parimit të konservimit të integruar, ku trashëgimia kulturore trajtohet si pjesë e planifikimit hapësinor, zhvillimit urban dhe proceseve të vendimmarrjes.

    Sipas institucioneve, ky proces do të mundësojë koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve, planifikim më të përgjegjshëm dhe vendimmarrje të bazuar në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore.

    Megjithatë, procesi i publikimit të kufijve të perimetrit dhe zonave mbrojtëse do të vazhdojë edhe për asetet e tjera të trashëgimisë kulturore në vend.

  • Fermerët dhe “Vita” me konferencë para AUV-it: Nxirrni rezultatet

    Fermerët dhe “Vita” me konferencë para AUV-it: Nxirrni rezultatet

    Shoqata e Fermerëve dhe kompania e prodhimit të produkteve të qumështit “Vita”, kanë mbajtur sot një konferencë për media, në të cilën i kanë bërë thirrje Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), që të publikojnë rezultatet e analizave për të cila ka më shumë se dy javë që janë marrë mostrat.

    Përfaqësuesit e kompanisë Vita thanë se ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, u kishte premtuar se rezultatet e analizave do të bëheshin publike më së voni deri më 10 korrik.

    Megjithatë, sipas tyre, pavarësisht këtij premtimi, deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje dhe rezultatet ende nuk janë publikuar.

    Ata kërkuan transparencë nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se publikimi i rezultateve është në interes të konsumatorëve, fermerëve dhe të gjithë sektorit të prodhimit vendor.

    Elvir Uka, përfaqësues i fermerëve, tha se nuk janë duke kërkuar asgjë, pos asaj që janë dakorduar me Ministrinë e Bujqësisë.

    “Sot jemi mbledhur këtu para AVUK-ut që të prezantojmë kërkesat tona që jemi marrë vesh mes Ministrisë së Bujqësisë, AVUK-ut dhe qumështorëve të Vita-s. Pra, i kemi të bëjmë me disa pika siç jemi dakorduar në takimin e fundit, jemi zotuar të bëjmë grumbullimin e qumështit. Ne kemi marrë deklaracion se rezultatet e mostrave të marra me datë 2 korrik 2026 të qumështit Vita, me vendim të posaçëm të 2 korrikut 2026, në numër… që janë në numër të konsiderueshëm të inspektorëve të dërguar në qumështore së shpejti dhe pastaj do t’i bllokojmë… publikojmë edhe ne. Produktet që importohen, rezultatet, analizat të dalin brenda ditës, maksimumi mbas dy ditëve. Pse kjo pasiguri ndaj produkteve vendore? Ne si shoqatë jemi zotuar te Vita, se ministria shumë shpejt do t’i publikojë rezultatet por nuk ka asgjë konkrete deri më tani. Ju lutem që rezultatet e mostrave të 2 korrikut 2026 të qumështit Vita, me vendim të posaçëm, t’i dërgohen qumështores Vita menjëherë, në mënyrë që të përmirësojë imazhin e qumështit Vita, në mënyrë që automatikisht të mos ketë probleme me grumbullimin e qumështit në ditët në vijim, për shkak të stoqeve të krijuara në qumështoren Vita. Pra, urgjentisht të merren masa në kontrollin… në kontrollin e produkteve të importuara të dyshimta që po shiten në raftet tona me çmime shumë të ulëta, në mënyrë që sa më shpejt qumështoret tona të rrisin grumbullimin e qumështit. Edhe me shumë mirësjellje, edhe një herë po ju lusim publikisht të gjithë aktorët, nuk jemi duke kërkuar diçka të paarritshme, po kërkojmë vetëm publikimin e rezultateve që jemi të sigurtë që deri më tani janë realizuar. Po të publikohet rezultati i analizës së marrë më 2.07.2026 sa më shpejt”, tha ai.

    Kurse, Kushtrim Tigani përfaqësues nga qumështorja “Vita” tha se ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja në takim u ka thënë se rezultatet do t’i pranojnë më datë 10 korrik dhe të njëjtat do t’i publikojë në konferencë pas tre ose katër ditësh.

    “Pas shumë përpjekjeve të kontaktojmë më kryeshefin e e AUV-it, dhe ministrin Muja nuk kemi marrë përgjigje, i kemi emailet që i kemi dërguar për takim, nuk na kanë pranuar për takim. Pastaj kemi qenë të detyruar të dalim dhe të flasim vetëm të vërtetën. Unë si përfaqësues i Vitas dhe përfaqësuesit e fermerëve jemi dakorduar që qumështin të fillojmë dhë ta marrim qumështin prej fermerëve. Le t’i publikojnë rezulatet, rezultatet më tha ministri do më vijnë mua më datën 10, dhe unë jam i obliguar që t’ua dërgoi juve si qumështore, ndërsa për konferencë për shtyp deri sa të i përpunojë rezultatet më duhen 3-4 ditë kohë dhe dal edhe unë me rezultatet e juaja”, tha ai.

    Ndërsa, anëtari i Shoqatës së Fermerëve të Qumështit, Fidan Krasniqi u shpreh se nuk duan të ndërhyjnë në proces, por vetëm duan publikim të rezultateve.

    “Ministri na e ka dërgu një përgjigje të jemi më konkretë në datën 27 korrik do të publikohet raporti, në rregull ne nuk po duam të marrim absolut me i ndërhyrë procesit. Ne e përkrahim çdo proces në favor të prodhimit vendor, mirëpo këtu në këtë rast po kërkojmë një rezultat të një qumështi që është marrë i vetëm, nuk po kërkojmë që të ndërhyrjmë në raportin i cili do të përpilohet nga ministri dhe do të përpilohet me gjasë deri më datë 27 korrik. Ne po kërkojmë vetëm se rezultatet e datës 2 korrik që janë marrë në qumështore, që neve na thotë kompania kinse me pretendime se ka përbërjë të vajit të palmës dhe qumështit pluhu, këtë po kërkojmë. Të krijojmë një qartësi në konsumatorë dhe një siguri tek fermerët, kemi edhe në mesin e fermerëve që është krijuar në hamulli, çka paska ndodhë? Pse janë kriju gjithë këto analiza?”, tha Krasniqi.

  • Alarmante: Për 10 ditë, 52 raste të dhunës në familje në Kosovë

    Alarmante: Për 10 ditë, 52 raste të dhunës në familje në Kosovë

    Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, ka bërë të ditur se gjatë një periudhe 10-ditore të muajit korrik ka trajtuar dhjetëra raste të veprave penale, ku dominojnë rastet e dhunës në familje.

    Sipas të dhënave të publikuara nga ZMNV, në këtë periudhë janë evidentuar gjithsej 52 raste të dhunës në familje, duke e bërë këtë kategorinë më të shpeshtë të rasteve të trajtuara.

    Përveç tyre, Zyra ka trajtuar edhe:

    2 raste të trafikimit;
    2 raste të vrasjes;
    1 rast të vrasjes në tentativë;
    1 rast të dhunimit;
    1 rast të ngacmimit seksual;
    1 rast të shpëlarjes së parave;
    2 raste të lëndimit të lehtë trupor; dhe
    2 raste të shkeljes së Urdhrit të Mbrojtjes (UM).

    Sa i përket masave mbrojtëse për viktimat, gjatë kësaj periudhe janë paraqitur:

    5 kërkesa për Urdhër Mbrojtjeje (UM) në gjykatë;
    11 kërkesa për Urdhër Mbrojtjeje Emergjente (UME); dhe
    4 kërkesa për vazhdimin e Urdhrit të Mbrojtjes.

    Ndërkohë, gjykatat kanë nxjerrë 13 aktvendime aprovuese, ndërsa 2 kërkesa janë refuzuar.

    ZMNV ka marrë pjesë edhe në 86 seanca gjyqësore dhe 17 seanca në prokurori, ndërsa ka ofruar 69 këshilla juridike për viktimat.

    Në aspektin gjyqësor, gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar:

    13 aktgjykime dënuese;
    1 aktgjykim lirues; dhe
    1 aktgjykim refuzues.

    Po ashtu, Zyra ka evidentuar:

    1 ankesë;
    1 përfaqësim të rastit në polici;
    10 referime të rasteve në Qendrën për Punë Sociale (QPS); dhe
    3 deklarata të pëlqimit të viktimave për ofrimin e ndihmës.

    Të dhënat e publikuara nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave pasqyrojnë numrin e lartë të rasteve të dhunës në familje dhe nevojën për vazhdimin e mbështetjes institucionale për viktimat, si dhe forcimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe parandalimit të këtyre veprave penale.