ATV

Category: Lajme

  • Rozeta Hajdari dhe tre të tjerët dalin sot para gjykatës lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore

    Rozeta Hajdari dhe tre të tjerët dalin sot para gjykatës lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore

    Sot do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe tre të akuzuave të tjerë lidhur me skandalin e rezervës shtetërore

    Seanca do të mbahet me fillim nga ora 09:30.

    Shqyrtimi fillestar ishte caktuar njëherë për 10 dhjetor, por që kishte dështuar meqë Hajdari nuk ishte paraqitur në gjykatë.

    Më pas ishte arsyetuar se nuk ka marrë thirrje nga ana e Gjykatë

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 11 nëntor ndaj Ministres Rozeta Hajdari, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, lidhur me skandalin e rezervës shtetërore. T

    re të parët akuzohen për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.

    “Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, ka njoftuar Prokuroria.

    Ata akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Hajdari bashkë me dy zyrtarët akuzohet se ka zbuluar sekrete shtetërore tek biznesmeni Muharremi, ashtu që i kanë treguar vendndodhjen e rezervës.

    “Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”.

    Në gusht të vitit 2023, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, u arrestuan për këtë rast. Policia arrestoi edhe afaristin Ridvan Muharremin.

    Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk kishte arritur kurrë. Ngjashëm, as rezervat e grurit.

    Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

    Ajo kishte akuzuar policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.

    Kryeministri Albin Kurti i doli në mbrojtje Hajdarit atë kohë, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

    “Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, kishte deklaruar Kurti.

    Lidhur me këtë rast është ftuar për intervistim edhe vetë Kurti, mirëpo ai ka refuzuar të shkojë në Prokurori, duke kërkuar që të intervistohet në Kryeministri.

    Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e parë të Prokurorisë Speciale për intervistim të Kurtit më 12 dhjetor të vitit të kaluar. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu e kishte cilësuar këtë si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve nacionale 2025, të cilat u mbajtën më 9 shkurt.

  • Të shtëna me armë mbrëmë pas mesnate në Deçan, plagosen tre persona

    Të shtëna me armë mbrëmë pas mesnate në Deçan, plagosen tre persona

    Tre persona kanë mbetur të plagosur nga arma e zjarrit në një lokal në Deçanit, teksa një person është arrestuar në cilësinë e të dyshuarit.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    Ai bëri të ditur se në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë, një karikator dhe nëntë fishekë.

    “Më datë 13, rreth orës 00:18, policia është njoftuar se në një lokal ka të shtëna me armë zjarri. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku në një lokal ka vërejtur tre persona të shtrirë, të lënduar nga arma e zjarrit. Të njëjtit janë dërguar në QMF dhe pastaj në Emergjencës e Spitalit të Pejës”, tha Gashi.

  • Kosova përballet me valë të re të gripit sezonal këtë dimër, më të prekur të moshuarit dhe fëmijët

    Kosova përballet me valë të re të gripit sezonal këtë dimër, më të prekur të moshuarit dhe fëmijët

    Kosova po përballet me valë të re të gripit sezonal këtë dimër.

    Numri i të prekurve nga viroza është rritur, duke bërë që vizitat në ambulanca dhe qendra shëndetësore të shtohen ndjeshëm.

    Nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Prishtinë thonë se gripi mund të ketë pasoja më serioze tek të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe personat me imunitet të dobësuar, duke nënvizuar nevojën për masa parandaluese dhe vaksinim të hershëm.

    Krahasuar me muajin nëntor, gjatë muajit dhjetor është regjistruar një rritje e dukshme e qytetarëve që kërkojnë kontrolle mjekësore për shkak të gripit sezonal.

    Kështu ka bërë të ditur për “Front Online” kryeshefja dhe doktoresha në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Vjollca Zeqiri.

    Sipas saj, të gjithë grupmoshat janë të prekura nga gripi.

    Zeqiri tregon se cilat mosha janë më të rrezikuarit nga ky virus.

    “Krahasuar me muajin nëntor në dhjetor është rritur dukshëm fluksi i qytetarëve për t’u kontrolluar si shkak i gripit sezonal. Të gjithë grupmoshat janë të prekura nga ky grip por më të ndjeshmit janë personat mbi moshën 65 vjeçar dhe personat me probleme shëndetësore, fëmijët – 8 vjeç”, u shpreh ajo.

    Kryeshefja dhe doktoresha në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Vjollca Zeqiri ka treguar për simptomat më të shpeshta që përfshijnë të prekurit nga gripi sezonal.

    “Simptomat më të shpeshta janë kok-dhimbja, teshtitje, kollitje, shkuarje e hunëve, nxënie të hundëve, dhimbje muskulore, temperaturë, ethe. Fëmijët me dhimbje barku e barkqitje të vjellura”, tha ajo.

    Doktoresha Zeqiri theksoi rëndësinë e masave parandaluese.

    “Masat parandaluese janë që gjatë teshtitjes ta mbyllim gojën, larja sa më shpesh e duarve me sapunë dhe ujë të ngrohtë, shmangja e kontaktit me personat që kanë simptoma të gripit se përhapja është shumë e lehtë, ajrosja e dhomës dhe pastrimi i sipërfaqeve ku ne prekim është shumë i rëndësishëm”, thotë Zeqiri.

    Vaksinimi mbetet masa më efektive për parandalimin e gripit, sipas Zeqirit.

    “Masa më e mirë parandaluese është vaksinimi me atë të gripit ku preferohen të gjitha grupmoshat sidomos mbi 65 vjeç dhe ata me probleme kronike, grat shtatzëna”, u shpreh ajo.

    Rreth 11 mijë persona janë vaksinuar deri më tani kundër gripit sezonal.

    Kështu ka njoftuar kryeshefja dhe doktoresha në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Vjollca Zeqiri.

    “Deri tani i kemi vaksinuar rreth 11 mijë persona dhe ai mund të vazhdojë deri në muajin prill-maj”, tregoi ajo.

    Zeqiri u shpreh se gripi zakonisht zgjat deri në një javë.

    “Gripi zgjat deri në 1 javë por në dy ose tri ditë janë simptomat më të mëdha“, ka deklaruar Zeqiri.

  • Rusia nis valën më intensive të sulmeve ndaj Ukrainës këtë vit

    Rusia nis valën më intensive të sulmeve ndaj Ukrainës këtë vit

    Forcat ruse nisën valën më intensive të sulmeve me raketa këtë vit në dy qytetet më të mëdha të Ukrainës herët të martën, thanë zyrtarët dhe mediat ukrainase, duke vrarë katër persona në qytetin verilindor të Kharkiv.

    Kreu i administratës ushtarake në Kiev, Timur Tkachenko, tha se kryeqyteti ishte nënshtruar një sulmi të shkurtër por intensiv me raketa.

    Dëshmitarët e Reuters dëgjuan shpërthime në qytet, por nuk pati raportime të menjëhershme për viktima ose dëme.

    Kanalet e Telegram që monitorojnë situatën në Ukrainë thanë se rreth 20 raketa balistike u lëshuan gjatë natës gjatë një periudhe prej rreth një ore, në atë që ata e përshkruan si sulmi më i gjatë ndaj Ukrainës deri më tani këtë vit.

    Reuters nuk mundi të konfirmonte në mënyrë të pavarur llogarinë e Telegram. Forcat e armatosura të Ukrainës nuk komentuan menjëherë mbi gamën e plotë të sulmeve dhe nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Rusia mbi sulmet.

    Në Kharkiv, një qytet rreth 30 kilometra larg kufirit dhe një objektiv i shpeshtë i sulmeve ruse, guvernatori rajonal Oleh Sinyehubov tha se katër persona ishin vrarë në një sulm ajror në periferi të qytetit. Ai tha se gjashtë persona u plagosën.

    Rusia ka lëshuar vazhdimisht raketa dhe dronë në qytetet ukrainase që nga fillimi i pushtimit të saj në shkurt 2022, duke synuar infrastrukturën energjetike dhe duke lënë miliona njerëz pa energji elektrike dhe ngrohje gjatë dimrit, ndërsa mbrojtja e Kievit është nën presion të madh në kapjen e sulmeve.

  • Kosova importoi nga Serbia mbi 230 milionë euro mallra në vitin 2025

    Kosova importoi nga Serbia mbi 230 milionë euro mallra në vitin 2025

    Në mesin e 20 shteteve nga të cilat Kosova importoi më së shumti, Serbia renditet e nënta.

    Kosova importoi më së shumti mallra nga 20 partnerë në vitin 2025, në mesin e këtyre shteteve Serbia renditet e 9-ta, pavarësisht marrëdhënieve të tensionuar politike mes dy vendeve, ajo vazhdon të jetë një nga partnerët kryesore tregtare të shtetit.

    Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, të përpunuara nga Instituti GAP, vlera e importeve nga Serbia gjatë vitit 2025 ka arritur në 234 milionë euro, duke e renditur këtë shtet në vendin e nëntë në listën e partnerëve kryesorë të importit të Kosovës.

    Krahasuar me vitet paraprake, Serbia ka ruajtur pothuajse të njëjtin pozicion. Në vitet 2022, 2023 dhe 2024, ajo është renditur vazhdimisht në vendin e nëntë.

  • Arrestohet në Malishevë një shtetas kosovar i kërkuar nga INTERPOL-i

    Arrestohet në Malishevë një shtetas kosovar i kërkuar nga INTERPOL-i

    Policia e Kosovës ka ndaluar një person të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga Shqipëria për vepra të rënda kriminale, i cili është dërguar në ndalim policor për 48 orë

    Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Malishevë një shtetas kosovar, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it, me urdhërarrest të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë.

    Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim dhe koordinim me Stacionin Policor në Malishevë.

    I dyshuari kërkohej për disa vepra të rënda penale, përfshirë trafikimin e narkotikëve në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, futjen ose mbajtjen e sendeve të ndaluara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, si dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale.

    “Të gjitha këto vepra janë të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa në vijim pritet të procedohet sipas hapave ligjorë përkatës.

  • Kurti pret komandantin e NATO-s, Wikoff: Anëtarësimi në NATO synim strategjik i Kosovës

    Kurti pret komandantin e NATO-s, Wikoff: Anëtarësimi në NATO synim strategjik i Kosovës

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin amerikan George M. Wikoff, në takimin e parë zyrtar mes tyre pas marrjes së detyrës nga ana e këtij të fundit.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti e uroi admiralin Wikoff për detyrën e re, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të plotë dhe duke vlerësuar komunikimin dhe ndërveprimin e vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, në garantimin e sigurisë dhe paqes për të gjithë qytetarët.

    “Kosova është rrëfim suksesi i ndërhyrjes së NATO-s, çlirimit dhe pavarësisë, që është kthyer në motor të zhvillimit ekonomik, themel të shtetndërtimit demokratik dhe mundësi për mirëqenie sociale”, thuhet në komunikatë, ku theksohet edhe falënderimi i kryeministrit për rolin vendimtar të Aleancës Veri-Atlantike.

    Duke folur për situatën e sigurisë, Kurti nënvizoi synimin dhe angazhimin e Kosovës për anëtarësim të plotë në NATO, duke e cilësuar atë si “përgjigjen më të mirë për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë në rajon”. Ai shtoi se “siguria e Kosovës në radhë të parë është siguri e kufijve të saj”.

    Në takim, kryeministri e informoi admiralin Wikoff edhe për veprimet dhe rezultatet e institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit, si dhe për investimet e bëra në sektorin e mbrojtjes.

    Në fund, Kurti e falënderoi admiralin Wikoff për takimin dhe bisedën, duke shprehur mirënjohje të veçantë për kontributin e vazhdueshëm të KFOR-it, si mision i NATO-s në Kosovë, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

  • Mesazhi i BE-së për Kosovën: Nëse i doni fondet, ratifikojeni Planin e Rritjes

    Mesazhi i BE-së për Kosovën: Nëse i doni fondet, ratifikojeni Planin e Rritjes

    Komisioni Evropian paralajmëron se pa ratifikimin e marrëveshjes në Kuvendin e ri, Kosova nuk mund të përfitojë rreth 900 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

    Kosova duhet ta ratifikojë sa më shpejt marrëveshjen me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes, sapo të konstituohet Kuvendi i ri, në mënyrë që të nisë përfitimin e miliona eurove nga kjo paketë financiare për Ballkanin Perëndimor. Kështu ka deklaruar një zëdhënës i Komisionit Evropian në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    Kosova ishte ndër vendet e para që miratoi agjendën e reformave në vitin 2024, por mungesa e një Kuvendi funksional ka pamundësuar ratifikimin formal të marrëveshjes me BE-në, duke bllokuar kështu qasjen në fondet financiare.

    “Është në interes të Kosovës që ratifikimi të ndodhë sa më shpejt, në mënyrë që të shfrytëzohen plotësisht të gjitha mundësitë që ofron Plani i Rritjes, në dobi të popullatës së saj”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian.

    Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, të fituara nga Lëvizja Vetëvendosje, pritet që Kuvendi i ri të konstituohet në javët në vijim. Vetëvendosje ka siguruar 57 ulëse në Kuvend, ndërsa për ratifikimin e marrëveshjes me BE-në kërkohen 80 vota, çka nënkupton nevojën për mbështetje edhe nga partitë opozitare.

    Pa ratifikimin e marrëveshjes, Kosova nuk mund të parashtrojë kërkesë për pagesë nga Plani i Rritjes. Ky plan përfshin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe synon përafrimin e ekonomive të rajonit me standardet evropiane. Nga gjithsej 6 miliardë euro, 2 miliardë janë grante, ndërsa 4 miliardë kredi të favorshme. Kosova pritet të përfitojë rreth 900 milionë euro, duke u renditur si përfituesja më e madhe për kokë banori.

    Përveç ratifikimit, Kosova duhet të zbatojë reformat e parapara në agjendën reformuese, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. Sipas Komisionit Evropian, në rast të mosrealizimit të ndonjë hapi brenda afatit, ekziston një periudhë shtesë për përmbushje, por nëse as ajo nuk respektohet, fondet përkatëse humben.

    “Nëse një hap nuk përmbushet deri në fund të periudhës së faljes, partneri përfitues i humb fondet e alokuara për atë hap”, ka theksuar zëdhënësi i BE-së.

  • Inflacioni në Kosovë arrin 5.3%, shtrenjtimi i energjisë dhe ushqimit kryeson

    Inflacioni në Kosovë arrin 5.3%, shtrenjtimi i energjisë dhe ushqimit kryeson

    Sipas ASK-së, inflacioni vjetor ishte 5.3%, i nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike, ushqimit dhe shërbimeve, ndërsa karburantet

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin dhjetor 2025, duke treguar një rritje vjetore të inflacionit prej 5,3 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2024. Sipas ASK-së, inflacioni mujor në dhjetor 2025 ka qenë 0,7 për qind, ndërsa norma mesatare vjetore e inflacionit për gjithë vitin 2025 ka arritur 3,9 për qind.

    ASK thekson se gjatë vitit 2025 rritja e çmimeve është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i disa kategorive bazë të konsumit, përfshirë kafenë, çajin dhe kakaon (15,2%), energjinë elektrike (11,4%), mishin (11,0%), pemët (11,5%), si dhe shërbimet hoteliere dhe pushimet e organizuara. Rritje të ndjeshme janë vërejtur edhe te produktet ushqimore si qumështi, djathi dhe vezët, si dhe te shërbimet ambulantore dhe mirëmbajtja e mjeteve të transportit.

    Në krahasim vjetor, dhjetori 2025 ka shënuar rritje të forta të çmimeve sidomos te pemët (19,0%), energji elektrike (18,3%), shërbimet e lidhura me transportin personal (18,1%), mishi (14,4%) dhe lëndët djegëse të ngurta si druri dhe peleti (13,1%). Sipas ASK-së, këto kategori kanë pasur ndikimin kryesor në rritjen e përgjithshme të IHÇK-së.

    Ndërkohë, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal kanë shënuar rënie çmimesh, si në bazë vjetore ashtu edhe mujore, duke zbutur pjesërisht presionin inflacionist. Vetëm në dhjetor, çmimet e karburanteve kanë rënë me 1,3 për qind krahasuar me muajin nëntor.

    ASK sqaron se rritja mujore prej 0,7 për qind në dhjetor është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, biletave të fluturimeve, perimeve, lëndëve djegëse për ngrohje dhe disa produkteve ushqimore bazë.

    Të dhënat e publikuara tregojnë se inflacioni mbetet i pranishëm në ekonomi, me ndikim të veçantë në shpenzimet bazë të familjeve, veçanërisht në ushqim dhe energji.

  • LAJMI I FUNDIT:Shkarkohet Xabi Alonso nga posti i trajnerit të Real Madridit-Alvaro Arbeloa pritet të marrë drejtimin e “Los Blancos”

    LAJMI I FUNDIT:Shkarkohet Xabi Alonso nga posti i trajnerit të Real Madridit-Alvaro Arbeloa pritet të marrë drejtimin e “Los Blancos”

    Klubi mbretëror spanjoll Real Madrid ka njoftuar se ka shkarkuar Xabi Alonson nga posti i trajnerit të Real Madridit.

    Vendimi vije pas humbjes në finale të Superkupës së Spanjës kundër Barcelonës,dhe atë me një marrëveshje të ndërsjellë në mes palëve.

    Përndryshe drejtimin e klubit e ka marrë ish-futbollisti i skuadrës Alvaro Arbeloa,i cili deri më tani ka drejtuar ekipin e të rinjve të “Los Blancos”.

    Ndërkohë në një komunikatë zyrtare Real Madrid e ka falenderuar Alonson për periudhën disamujore,dhe se Real Madrid sipas kësaj komunikate do të jetë shëtpia e tij.

    Kujtojmë që Xabi Alonso morri drejtimin e Real Madrid-it në verën e vitit 2025,dhe atë pas aventireës me klubin gjerman Bayer Leverkusen me të cilën fitoi titullin e Bundesligës.