ATV

Category: Lajme

  • BE: Kosova e 13-a në botë për siguri strategjike, Mali i Zi befason, Serbia në rënie

    BE: Kosova e 13-a në botë për siguri strategjike, Mali i Zi befason, Serbia në rënie

    Sipas Normandy Index 2025, të përgatitur nga shërbimi kërkimor i Parlamentit Evropian (EPRS), Kosova renditet në vendin e 13-të në botë për nivelin më të ulët të kërcënimeve ndaj paqes dhe demokracisë.

    Praktikisht, kjo e vendos Kosovën në top 10% të shteteve më reziliente globalisht dhe në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për siguri strategjike.

    Ky indeks nuk mat “sa i qetë duket” një shtet, por sa i ekspozuar është ndaj rreziqeve reale: destabilizim politik, dezinformim, presion të jashtëm, kriza ekonomike, pasiguri energjetike dhe kërcënime hibride. Është një instrument që përdoret nga Bashkimi Evropian për të kuptuar ku janë rreziqet dhe ku ka kapacitete reale për t’i përballuar ato.

    Si paraqitet Ballkani Perëndimor në këtë vlerësim:

    Kosova (13) del qartazi më e forta në rajon. Ka reziliencë të lartë institucionale dhe shoqërore; sfida kryesore mbetet përballja me dezinformimin, kryesisht të importuar nga jashtë.
    Shqipëria (20) paraqitet me një performancë solide dhe mbi shumicën e vendeve të rajonit, me rreziqe të menaxhueshme.
    Mali i Zi (21) është një nga surprizat pozitive të indeksit, duke shënuar një përmirësim të dukshëm krahasuar me vitet e kaluara dhe duke u renditur ndër vendet me ngritjen më të madhe globale.
    Maqedonia e Veriut (26) shënon rënie të lehtë, kryesisht për shkak të tensioneve politike të brendshme dhe dobësive institucionale.
    Serbia (41) renditet dukshëm më poshtë. Indeksi identifikon probleme serioze në proceset demokratike dhe reziliencën ndaj dezinformimit. Raporti thekson gjithashtu se Serbia është anëtare themeluese e iniciativës 16+1 të udhëhequr nga Kina dhe mban lidhje të ngushta strategjike me Rusinë, faktorë që e rrisin ekspozimin e saj ndaj presioneve gjeopolitike dhe kërcënimeve hibride.
    Bosnja dhe Hercegovina (54) mbetet ndër më të brishtat në rajon, me institucione të dobëta, probleme të theksuara demokratike dhe rrezik të vazhdueshëm destabilizimi.
    Në plan më të gjerë, vendet e Bashkimit Evropian vazhdojnë të jenë më pak të rrezikuara se mesatarja globale. Ndërkohë, raporti evidenton se Rusia dhe Kina janë ndër vendet me rënien më të madhe në profilin e sigurisë strategjike, ndërsa Shtetet e Bashkuara shënojnë një nga përmirësimet më të mëdha.

    Mesatarja globale e indeksit për vitin 2025 është 5.79 nga 10, çka tregon një botë më të pasigurt se më parë, por jo ende jashtë kontrollit.

  • Popullsia e Kinës bie për të katërtin vit radhazi, lindjet arrijnë nivelin më të ulët historik

    Popullsia e Kinës bie për të katërtin vit radhazi, lindjet arrijnë nivelin më të ulët historik

    Popullsia e Kinës u ul për të katërtin vit me radhë në 2025, ndërsa numri i lindjeve ra në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë, sipas të dhënave zyrtare.

    Popullsia u ul me 3.39 milionë, duke arritur në 1.405 miliardë, një rënie më e shpejtë se në 2024. Lindjet ranë në 7.92 milionë në 2025, nga 9.54 milionë në 2024, ndërsa vdekjet u rritën në 11.31 milionë nga 10.93 milionë në vitin e mëparshëm, sipas të dhënave të Byrosë Kombëtare të Statistikave të Kinës (NBS). Norma e lindshmërisë ra në 5.63 lindje për çdo 1 mijë banorë.

    Yi Fuxian, demograf në Universitetin e Wisconsin-Madison, tha se lindjet në 2025 ishin “afërsisht në të njëjtin nivel si në vitin 1738, kur popullsia e Kinës ishte vetëm rreth 150 milionë.”

    Norma e vdekshmërisë në Kinë në 2025 ishte 8.04 për çdo 1mijë banorë, niveli më i lartë që nga viti 1968. Popullsia ka nisur të zvogëlohet që nga 2022 dhe po plaket shpejt, duke e komplikuar planin e Pekinit për të rritur konsumimin e brendshëm dhe për të kontrolluar borxhin.

    Sipas të dhënave të NBS, personat mbi 60 vjeç përbëjnë rreth 23% të popullsisë totale. Deri në 2035, parashikohet që numri i personave mbi 60 vjeç të arrijë 400 milionë, sa popullsia e SHBA-ve dhe Italisë së bashku, që do të thotë se qindra miliona njerëz do të dalin nga forca punëtore në një kohë kur buxhetet për pensione janë tashmë të ngarkuara. Kina ka rritur tashmë moshën e daljes në pension: burrat pritet të punojnë deri në 63 vjeç, nga 60 më parë, dhe gratë deri në 58 vjeç, nga 55 më parë.

    Martesat në Kinë ranë me një të pestën në 2024, rënia më e madhe e regjistruar ndonjëherë, me mbi 6.1 milionë çifte që u martuan, nga 7.68 milionë në 2023. Martesat janë zakonisht një tregues kryesor i lindshmërisë në vend.

    Demografët thonë se vendimi në maj 2025 për të lejuar çiftet të martohen kudo në vend, jo vetëm në vendbanimin e tyre, mund të sjellë një rritje të përkohshme të lindjeve.

    Në tremujorin e tretë të 2025, martesat u rritën me 22.5% krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur 1.61 milionë, duke e vënë Kinën në rrugë për të ndalur një rënie prej dekadash. Të dhënat e plota për 2025 do të publikohen më vonë gjatë vitit.

    Autoritetet po përpiqen gjithashtu të promovojnë “qasje pozitive ndaj martesës dhe lindjeve” për të kundërshtuar efektet afatgjata të politikës së një fëmije, që ishte në fuqi nga 1980 deri në 2015, e cila ndihmoi në uljen e varfërisë, por ndryshoi strukturën e familjeve dhe shoqërisë kineze.

    Lëvizja e popullsisë ka përkeqësuar sfidën demografike, me shumë njerëz që zhvendosen nga zonat rurale në qytete, ku rritja e fëmijëve është më e shtrenjtë. Norma e urbanizimit në Kinë ishte 68% në 2025, nga rreth 43% në 2005.

    Politikëbërësit e kanë bërë planifikimin e popullsisë një pjesë të rëndësishme të strategjisë ekonomike të vendit. Sipas vlerësimeve të Reuters, Pekini mund të përballet me kosto prej rreth 180 miliardë juanësh (25.8 miliardë dollarë) për të rritur lindjet këtë vit.

    Masat përfshijnë një subvencion kombëtar për fëmijët, të prezantuar vitin e kaluar, dhe një angazhim që nga 2026 gratë të mos kenë “shpenzime personale” gjatë shtatzënisë, me të gjitha kostot mjekësore, përfshirë IVF të rimbursuara plotësisht nga fondi kombëtar i sigurimeve shëndetësore.

    Kina ka një nga normat më të ulëta të fertilitetit në botë, me rreth një lindje për çdo grua, shumë më poshtë normës së zëvendësimit prej 2.1. Vende të tjera në Azinë Lindore, përfshirë Tajvanin, Korenë e Jugut dhe Singaporin, kanë nivele po aq të ulëta fertiliteti, rreth 1.1 lindje për çdo grua.

    Grupi i grave në moshë riprodhuese të definuara nga OKB si gratë nga 15 deri në 49 vjeç, parashikohet të zvogëlohet me më shumë se dy të tretat, duke u ulur nën 100 milionë deri në fund të këtij shekulli.

  • DnV: Runimërimi i plotë i pashmangshëm, të hetohen edhe kandidatët

    DnV: Runimërimi i plotë i pashmangshëm, të hetohen edhe kandidatët

    Demokracia në Veprim ka kërkuar rinumërim të plotë në nivel vendi të votave të 28 dhjetorit.

    Sipas tyre duhet hetuar edhe të gjithë kandidatët për deputete që janë të përfshirië.

    “Në mënyrë të veçantë, DnV vlerëson se hetimi duhet të shtrihet përtej nivelit teknik të procesit të numërimit. Modelet e përsëritura të devijimeve në favor të kandidatëve të caktuar brenda dhe nëpër komuna të caktuara, krijojnë bazë të arsyeshme për dyshimin se këto nuk janë produkte të gabimeve njerëzore apo të rastësisë, por të veprimeve të qëllimshme të komisionerëve. Për rrjedhojë, edhe kandidatët që rezultojnë përfitues nga këto mospërputhje dhe manipulime duhet të jenë pjesë e hetimeve, në mënyrë që të sqarohet nëse ka pasur nxitje, koordinim apo përfshirje direkte apo indirekte në manipulimin e votës.”, thuhet në reagim.

    Reagimi i plotë:

    Një javë pas publikimit të gjetjeve të para dhe pas konfirmimit të devijimeve masive në numërimin e votave preferenciale për kandidatë në disa komuna, shmangia nga vendimi për një rinumërim të plotë në nivel vendi po e thellon krizën e besimit në integritetin e procesit zgjedhor.

    Devijime të konsiderueshme janë evidentuar jo vetëm në komunat ku është bërë rinumërim i plotë, por edhe në një pjesë të komunave, vendvotimet e së cilave janë të përfshira në mostrën prej 10%. Kjo tregon se fenomeni nuk është i izoluar dhe se përmasa reale e shtrembërimit të votës së kandidatëve nuk mund të vlerësohet me siguri përmes rinumërimeve selektive.

    Në këtë kontekst, rinumërimi i pjesshëm, sado i zgjeruar, nuk garanton besueshmërinë e rezultatit përfundimtar. Vetëm një rinumërim i plotë i votave preferenciale në të gjitha komunat mund të sigurojë se vullneti i votuesve është reflektuar saktë dhe se nuk ka vendvotime të mbetura jashtë verifikimit, të cilat mund të ndikojnë në renditjen dhe mandatin e kandidatëve. Kjo mbetet mënyra e vetme për rikthimin e besimit publik dhe për mbylljen përfundimtare të çdo dileme mbi legjitimitetin e rezultateve.

    Paralelisht, DnV vlerëson se gjetjet e deritanishme krijojnë bazë të mjaftueshme që organet e drejtësisë ta trajtojnë këtë çështje me prioritet dhe me një qasje të koordinuar dhe hetim gjithëpërfshirës në nivel vendi. Një qasje e tillë do të mundëson sqarimin e përgjegjësive individuale, por edhe identifikimin e çdo modeli të mundshëm të veprimeve të koordinuara që mund të kenë cenuar integritetin e numërimit.

    Në mënyrë të veçantë, DnV vlerëson se hetimi duhet të shtrihet përtej nivelit teknik të procesit të numërimit. Modelet e përsëritura të devijimeve në favor të kandidatëve të caktuar brenda dhe nëpër komuna të caktuara, krijojnë bazë të arsyeshme për dyshimin se këto nuk janë produkte të gabimeve njerëzore apo të rastësisë, por të veprimeve të qëllimshme të komisionerëve. Për rrjedhojë, edhe kandidatët që rezultojnë përfitues nga këto mospërputhje dhe manipulime duhet të jenë pjesë e hetimeve, në mënyrë që të sqarohet nëse ka pasur nxitje, koordinim apo përfshirje direkte apo indirekte në manipulimin e votës.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e një të dyshuari për vrasje në tentativë në Prizren

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e një të dyshuari për vrasje në tentativë në Prizren

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, përmes Sektorit Rajonal të Hetimeve, është duke zhvilluar hetime intensive lidhur me veprën penale “Vrasje në tentativë”, e cila ka ndodhur më 05 janar 2026, rreth orës 22:50, në rrugën “Ali Hadri” në Prizren.

    Sipas Policisë, atë mbrëmje janë raportuar të shtëna me armë zjarri, si pasojë e të cilave dy persona kanë mbetur të plagosur. Të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit.

    Nga ekipi mjekësor është konfirmuar se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë, por po vazhdojnë trajtimin e mëtejmë mjekësor.

    Policia ka identifikuar dhe arrestuar disa persona të përfshirë në rast, mirëpo një nga të dyshuarit ndodhet ende në arrati. I dyshuari që po kërkohet është:

    Egzon Besim Reshani, i lindur më 05.07.1992, me vendbanim në rrugën Shkëlzen Dragaj nr. 10, Prizren.

    Me qëllim të ndriçimit të plotë të rastit dhe arrestimit të të dyshuarit, Policia e Kosovës kërkon bashkëpunim nga qytetarët. Të gjithë ata që kanë çfarëdo informate për vendndodhjen e të dyshuarit, ftohen të kontaktojnë Policinë në Prizren në numrin 192, përmes rrjeteve sociale zyrtare të Policisë, apo në cilindo stacion policor në Kosovë.

    Policia garanton konfidencialitet të plotë për qytetarët që ofrojnë informacione.

  • Këta janë kandidatët e Vetëvendosjes që iu hoqën votat pas rinumërimit

    Këta janë kandidatët e Vetëvendosjes që iu hoqën votat pas rinumërimit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar rinumërimin e votave në 560 vendvotime.

    Rezultatet po tregojnë një numër të madh të keqpërdorimeve që kanë ndodhur në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Numër i madh votash po dyshohet se janë vjedhur brenda partive, shkruan Insajderi.

    Në Lëvizjen Vetëvendosje më së shumti vota i janë hequr kandidatëve Arbër Rexhaj, Rea Krasniqi, Dafina Alishani, Valon Ramadani, Mytaher Haskuka.

    Më poshtë lista e plotë e atyre që sipas KQZ-së keqpërdoruan votat:

    Albin Kurti -112

    Ejup Maqedonci -182

    Artan Abrashi -248

    Arbër Rexhaj -624

    Mytaher Haskuka -279

    Haxhi Avdyli -51

    Dafina Alishani -467

    Ilir Gashi -51

    Jeton Raka -55

    Edona Llaloshi -19

    Filiz Mustafa -205

    Nita Shehu -12

    Arsim Berisha -280

    Taulant Kelmendi -17

    Rea Krasniqi -540

    Adelina Grainca -2

    Ali Dula -25

    Valon Hoti -30

    Agim Bahtiri -14

    Valon Ramadani -431

    Ilir Kërçeli -22

    Fitim Haziri -52

    Drita Pajaziti – 58

    Afërdita Hajrizi -33

    Fahrush Rexhepi -17

    Shqipe Isufi -32

    Ejup Ahmeti -8

    Agon Batusha -13

    Vendenis Lahu -241

    Donjeta Ismajli -8

    Adelina Stublla -159

    Besnik Shala -13

    Skender Thaqi -35

    Vigan Qorrolli -3

    Kaltrina Gruda -22

    Albert Selisha -3

    Burim Demiri -9

    Tafil Peci -5

    Gazmend Krasniqi -38

    Agon Dobruna -21

    Shefqet Gjocaj -8

    Majlinda Nushi Limani -8.

  • Kërcënimi i Abdixhikut nxit reagime, zyrtari i LDK-së e kundërshton: Nuk e meriton të jesh kryetar

    Kërcënimi i Abdixhikut nxit reagime, zyrtari i LDK-së e kundërshton: Nuk e meriton të jesh kryetar

    Procesi i rinumërimit të një pjese të votave i cili ka hedhur në pah fenomenin e tjetërsimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike, ka nxitur një tjetër debat në Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila ndodhet në prag të një kuvendi të jashtëzakonshëm.

    Kryetari aktual Lumir Abdixhiku, i cili ka paraqitur dorëheqjen, ka kërcënuar me pasoja zyrtarët e partisë të cilët dyshohet të kenë tjetërsuar votat e kandidatëve të tjerë.

    Abdixhiku ka thënë se të dyshuarit do të thirren para përgjegjësisë pas zhvillimeve në Kuvendin e LDK-së.

    “Parisit, dhe jo vetëm atij, por dhe politikanëve tjerë të rinj, ua tjetërsuan votën. Jo sepse gabuan, por sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që e kanë kthyer politikën në strehë interesi. Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër; goditet ideja e një gjenerate që beson te e ardhmja”, ka deklaruar kryetari i LDK-së të dielën, ndërsa i është vënë në mbrojtje ish-deputetit të afërt me të, kryetarit të Forumit Rinor, Paris Gurit.

    “Prandaj, pasoja do të ketë. Për to, na prisni pas Kuvendit. Përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë”.

    Kërcënimi i Abdixhikut ka nxitur reagimin e një anëtari të moçëm të LDK-së, ish-kryetarit të Komunës së Kamenicës dhe ish-kandidatit për kryetar në zgjedhjet e fundit lokale, Shaip Surdullit.

    Surdulli e ka cilësuar Abdxihikun figurë përçarëse që bën diferencime brenda partisë.

    “Pajtohem plotësisht që vota duhet mbrojtur edhe nga jasht edhe nga mbrenda subjektit politik dhe nuk duhet pasur kompromis ligjor e as partiak për keqpërdoruesit e votave, por shumë po ta zë për të madhe që ia ke humbur qëllimit dhe kuptimit duke i dalluar gjeneratat”, ka shkruar Surdulli në një postim në Facebook të dielën.

    “Normalisht të gjithë jemi që t’i japim përparësi të rinjëve. Edhe ne për këtë arsyeje iu kemi votuar juve si i ri për ta udhëhequr LDK-në, por pa iu njohur. Ju jeni kryetar i të gjithëve, LDK nuk ka njerëz tepër me bërë diferencime, por fatkeqësisht kjo është logjika e juaj që nga fillimi i udhëheqjes së LDK-së”, ka thënë Surdulli.

    Sipas Surdullit, Abdixhiku është duke llogaritur në përkrahje nga delegatët e Kuvendit të LDK-së që të shpëtojë në krye të partisë.

    “Ju ndoshta mund të llogarisni te delegatët e kuvendit të LDK-së që janë me numra të caktuar që të shpëtoni por më vjen keq që nuk e meriton me udhëhequr LDK-në, sepse LDK duhet të ketë një kryetar më unifikues dhe që e rrit subjektin e jo sikur ju”, ka deklaruar ai.

  • ShBA: Nuk do të ketë hetim federal për vrasjen e Renee Good

    ShBA: Nuk do të ketë hetim federal për vrasjen e Renee Good

    Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së (DOJ) ka njoftuar se nuk do të hetojë agjentin e Imigracionit dhe Doganave që qëlloi për vdekje Renee Nicole Good, 37 vjeçe, gjatë një proteste në Minneapolis më 7 janar.

    Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, deklaroi se agjenti ka vepruar në vetëmbrojtje dhe se nuk ka arsye për një hetim federal, pavarësisht reagimeve të forta publike dhe protestave në Minesota, shkruan Aljazeera.

    Ndërkohë, raportime mediatike kanë ngritur pikëpyetje mbi vonesën e ndihmës mjekësore pas të shtënave, ndërsa familja e viktimës ka nisur një hetim civil të pavarur.

    DOJ ka konfirmuar gjithashtu nisjen e hetimeve ndaj guvernatorit të Minesotës, Tim Walz, dhe kryebashkiakut të Minneapolisit, Jacob Frey, për dyshime se kanë inkurajuar pengimin e agjentëve federalë gjatë protestave.

  • Hamza kërkon rinumërim të plotë të votave në gjithë Kosovën pas mospërputhjeve të evidentuara

    Hamza kërkon rinumërim të plotë të votave në gjithë Kosovën pas mospërputhjeve të evidentuara

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas gjetjeve nga rinumërimi i pjesshëm i votave, duke i cilësuar si tepër shqetësuese mospërputhjet e mëdha të evidentuara gjatë këtij procesi.

    Në një reagim publik, Hamza ka vlerësuar se në rrethanat e krijuara, rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

    Ai ka theksuar se institucionet përgjegjëse kanë obligim kushtetues të veprojnë pa vonesë për mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve, duke paralajmëruar se çdo hezitim apo vonesë në veprim cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.

    Sipas Hamzës, transparenca dhe veprimi i menjëhershëm institucional janë thelbësore për ruajtjen e besimit publik dhe funksionimin demokratik të vendit.

  • Osmani solidarizohet me popullin e Spanjës pas aksidentit tragjik hekurudhor

    Osmani solidarizohet me popullin e Spanjës pas aksidentit tragjik hekurudhor

    Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllimet dhe është solidarizuar me popullin e Spanjës, pas një aksidenti të rëndë mes trenave, ku mbetën të vdekur së paku 39 persona.

    Përmes një postimi në X, Osmani uroi shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit.

    “Lajm i dhimbshëm nga Spanja jugore pas një aksidenti tragjik hekurudhor që ka marrë shumë jetë dhe ka lënë shumë të tjerë të plagosur”.“Ngushëllimet tona të sinqerta për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre dhe urimet tona për shërim të shpejtë të të gjithë të lënduarve. Kosova solidarizohet me popullin e Spanjës në këtë kohë të vështirë”, ka shkruar e para e vendit.

  • Gjithçka që dimë deri më tani për përplasjen mes trenave – nga ku mbetën disa të vdekur në Spanjë

    Gjithçka që dimë deri më tani për përplasjen mes trenave – nga ku mbetën disa të vdekur në Spanjë

    Të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë në kujdes intensiv pasi dy trena u përplasën në Spanjën jugore të dielën në mbrëmje, në atë që kryeministri, Pedro Sánchez, e quajti “një natë dhimbjeje të thellë për vendin”.

    Sipas raportimeve, një tren me shpejtësi të lartë i Iryo që udhëtonte nga Malaga në Madrid doli nga binarët pranë komunës Adamuz në provincën e Kordobas rreth orës 7.40 të mbrëmjes së së dielës, duke kaluar në shinën tjetër ku goditi një tren që po vinte përballë.

    Treni i dytë, i cili operohej nga kompania shtetërore hekurudhore, Renfe, gjithashtu doli nga shinat dhe ra në një argjinaturë, thanë autoritetet.

    “Rreth 300 persona ishin në bord në kohën e aksidentit”, ka thënë Iryo.

    Guardia Civile dhe zjarrfikësit po punojnë intensivisht në vendngjarje për të evakuuar të gjithë pasagjerët dhe kanë ngritur një ekip të përbashkët reagimi ndaj emergjencave.

    Të hënën në mëngjes, shërbimet e emergjencës në Andaluzi thanë se 122 persona ishin trajtuar për lëndimet e tyre dhe 48 persona ishin ende në spital, nga të cilët 12 ishin në njësitë e kujdesit intensiv, përcjell Telegrafi.

    “Ka shumë të lënduar – ende po dridhem”, ka thënë për El País, María San José, 33 vjeçe, një pasagjere në trenin që doli i pari nga shinat.

    Një dëshmitar tjetër i tha transmetuesit publik RTVE se një nga vagonët e trenit të parë ishte përmbysur plotësisht.

    Një pasagjer i paidentifikuar në trenin e dytë – i cili po shkonte nga Madridi në Huelva – i tha transmetuesit publik TVE: “Kishte njerëz që bërtisnin, çantat e tyre ranë nga raftet. Po udhëtoja për në Huelva me vagonin e katërt – të fundit, për fat të mirë”.

    Shefi i zjarrfikësve të Kordobas, Paco Carmona, i tha TVE se ndërsa Iryo ishte evakuuar brenda pak orësh nga aksidenti, vagonët e Renfe ishin dëmtuar rëndë, me metal dhe sedilje të shtrembëruara.

    “Ka ende njerëz të bllokuar. Operacioni po përqendrohet në nxjerrjen e njerëzve nga zonat që janë shumë të ngushta”, tregoi ai. “Duhet të nxjerrim trupat për të arritur te kushdo që është ende gjallë. Po rezulton të jetë një detyrë e ndërlikuar”.

    Ndërsa ministri i transportit i Spanjës, Óscar Puente, theksoi se shkaku i aksidentit ende nuk ishte përcaktuar.

    Duke folur në një konferencë për shtyp në stacionin Atocha në Madrid, ai shtoi se ishte “shumë e çuditshme” që një dalje nga shinat të kishte ndodhur në një pjesë të drejtë të binarit. Ky seksion i binarit u rinovua në maj, tregoi ai.

    Puente bëri të ditur se shumica e të vrarëve dhe të plagosurve kishin qenë në dy vagonët e parë të trenit të dytë.

    Ndërkohë, një gazetar nga transmetuesi publik RNE, i cili po udhëtonte në një nga trenat, tha se impakti ishte ndjerë si një tërmet.

    Pasagjerët kishin përdorur çekiçë emergjence për të thyer xhamat e vagonëve dhe për të dalë jashtë, tha ai.

    Raportet e mediave spanjolle sugjeruan se 400 persona kishin qenë në dy trenat.

    Imazhet televizive lokale treguan një qendër pritjeje të ngritur për pasagjerët në Adamuz, një qytet me 5,000 banorë, me vendasit që sillnin ushqim dhe batanije ndërsa temperaturat e natës luhateshin në rreth 6 gradë Celsius.

    Adif ka pezulluar të gjitha shërbimet hekurudhore midis Madridit dhe Andaluzisë.

    Aksidenti hekurudhor më vdekjeprurës në Spanjë këtë shekull ndodhi në korrik 2013, kur një tren që udhëtonte me 179 km/orë doli nga shinat në një pjesë të binarëve me një shpejtësi maksimale prej 50 km/orë në rajonin veriperëndimor të Galicisë, duke vrarë 80 persona.