ATV

Category: Lajme

  • Tronditje në botën e modës – Ikona e luksit Valentino Garavani, ndërron jetë në moshën 93-vjeçare

    Tronditje në botën e modës – Ikona e luksit Valentino Garavani, ndërron jetë në moshën 93-vjeçare

    Bota modës dhe luksit u trondit sot nga lajmi shokues për vdekjen e Valentino Garavanit, legjendës italiane të modës, i cili për dekada të tëra përcaktoi kuptimin e elegancës dhe luksit. Sipas TMZ, stilisti i dashur dhe themeluesi i shtëpisë ikonike Valentino ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare.

    Burime pranë fondacionit të tij thonë se Valentino ka vdekur paqësisht në shtëpinë e tij në Romë, i rrethuar nga njerëzit e tij më të afërt, në qytetin që ishte zemra e perandorisë së tij të shkëlqyer. Lajmi ka shkaktuar një valë trishtimi në mbarë botën e modës, nga pasarelat e Parisit deri në tapetet e kuq të Holliwood-it.

    Për më shumë se gjysmë shekulli, krijimet e Valentino Garavanit ishin sinonim i glamour-it absolut. Fustanet e tij të famshme në “Valentino Red” nuk ishin thjesht veshje, por simbole statusi, të veshura nga yje të kinemasë, zonja të para, anëtarë të familjeve mbretërore dhe figura të njohura të jetës publike. Stili i tij elegant, romantik dhe i përjetshëm ndikoi thellë në modën moderne dhe vendosi standarde që vazhdojnë të frymëzojnë edhe sot.

    Homazhe dhe mesazhe ngushëllimi po vërshojnë nga të gjitha anët e industrisë së modës. Dizajnerë, personazhe të famshëm dhe bashkëpunëtorë të tij po e kujtojnë Valentinon jo vetëm si një stilist të jashtëzakonshëm, por si një ikonë kulturore dhe një nga figurat më të mëdha që ka njohur ndonjëherë haute couture.

    Vdekja e Valentino Garavanit shënon fundin e një epoke të artë të modës, veçanërisht për Romën dhe skenën ndërkombëtare. Megjithatë, trashëgimia e tij do të jetojë përjetësisht në pasarela, në arkivat e modës dhe në kujtesën kolektive të kulturës pop, ndërsa e kuqja ikonike e Valentino-s mbetet simbol i elegancës së përjetshme…

     

  • Çmimi i arit arrin rekord të ri pasi Trump kërcënon Evropën me tarifa

    Çmimi i arit arrin rekord të ri pasi Trump kërcënon Evropën me tarifa

    Aksionet në Evropë u dobësuan, ndërsa çmimi i arit arriti një kulm të ri pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi me tarifa aleatët evropianë derisa të arrihej një marrëveshje për blerjen e Grenlandës nga SHBA.

    Çmimi i arit u rrit me 1.6% në 4,671 dollarë për ons (afërsisht 138 euro për gram), pasi arriti nivelin më të lartë historik.

    Presidenti amerikan njoftoi se do të vendoste një tarifë prej 10% për mallrat nga tetë vende evropiane duke filluar nga 1 shkurti.

    Trump nuk specifikoi nëse tarifa do të ishte përveç asaj që ato tashmë po paguajnë.

    Në përgjigje, Bashkimi Evropian po shqyrton vendosjen e tarifave hakmarrëse prej 93 miliardë eurosh kundër SHBA-së, të shpallura më parë.

    Presidenti francez Emmanuel Macron thuhet gjithashtu se ka bërë thirrje për aktivizimin e të ashtuquajturit instrument “anti-forcë” të BE-së.

    I njohur si “bazuka tregtare”, instrumenti mund të bllokojë disa nga akseset e Amerikës në tregjet e BE-së ose të rezultojë në kontrolle të eksportit, ndër masa të tjera të mundshme.

    “Duke pasur parasysh lidhjet e tyre të thella ekonomike dhe financiare, si SHBA-ja ashtu edhe Evropa kanë aftësinë t’i imponojnë njëra-tjetrës pasoja të konsiderueshme, por vetëm me një kosto të madhe për veten e tyre”, tha Jonas Goltermann, ekonomist i lartë i tregjeve në kompaninë konsulente Capital Economics.

    “Si i tillë, rezultati më i mundshëm, sipas mendimit tonë, është që të dyja palët të pranojnë se një përshkallëzim i madh do të ishte humbje dhe se kompromisi përfundimisht mbizotëron”, shtoi ai.

  • Bajrami kërkon dorëheqjen e parevokueshme të Abdixhikut: Të njëjtin qëndrim e mbaj

    Bajrami kërkon dorëheqjen e parevokueshme të Abdixhikut: Të njëjtin qëndrim e mbaj

    Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se e mban qëndrimin e njëjtë për dorëheqjen e kreut të partisë, Lumir Abdixhikut.

    Bajrami, e cila dha dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë para disa ditësh, e ka kërkuar të njëjtën edhe nga Abdixhiku.

    “E kam dhënë qëndrimin, të njëjtin qëndrim e mbaj”, tha ajo shkurt për gazetarët para mbledhjes së Kryesisë.

    Abdixhiku ka ofruar dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të LDK-së, por fjalën e fundit për pranimin ose jo të dorëheqjes ka thënë se do ta ketë Kuvendi i LDK-së.

    Bajrami ishte nga ata që kanë shprehur pakënaqësinë që dorëheqja e Abdixhikut nuk ishte e parevokueshme.

  • Zbardhen vjedhjet në shkollat e Vitisë, pajisjet e vjedhura u kthehen institucioneve arsimore

    Zbardhen vjedhjet në shkollat e Vitisë, pajisjet e vjedhura u kthehen institucioneve arsimore

    Komuna e Vitisë ka bërë të ditur se është zbardhur rasti i vjedhjeve në disa institucione arsimore, ndërsa pjesa më e madhe e pajisjeve të vjedhura tashmë u janë kthyer shkollave përkatëse.

    Sipas njoftimit, pajisjet e rikthyera u përkasin Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Dëshmorët e 5 Prillit” në Smirë, SHFMU “Dëshmorët e Vitisë” në Viti, si dhe Shkollës së Mesme Teknike IAAP “Jonuz Zejnullahu” në Viti.

    Me këtë rast, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Vitisë, Arta Ajeti, e shoqëruar nga përfaqësues të institucioneve përkatëse, ka pranuar sot pajisjet që më herët ishin gjetur tek personat e dyshuar, pas ftesës nga Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Viti.

    Ajeti ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe të gjithë ata që kontribuuan në zbardhjen e rastit, duke theksuar se kthimi i pajisjeve është i rëndësishëm për funksionimin normal të institucioneve shkollore dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor.

  • Kurti udhëton për në Davos, merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror

    Kurti udhëton për në Davos, merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Davosit në Zvicër, ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) mes liderëve të shumtë nga e gjithë bota. Në kuadër të WEF, Kosova do ta ketë për të dytin vit me radhë shtëpinë e saj.

    Kurti sipas njoftimit të Qeverisë do të marrë pjesë në ngjarjet dhe panelet e diskutimit që organizohen në Shtëpinë e Kosovës, krahas edhe takimeve zyrtare bilaterale me udhëheqës të lartë dhe investitorë në margjina të Forumit Ekonomik Botëror.

  • Bateritë për ruajtjen e energjisë do të vendosen në Sojevë të Ferizajt

    Bateritë për ruajtjen e energjisë do të vendosen në Sojevë të Ferizajt

    Ministria e Ekonomisë, Komuna e Ferizajt dhe KOSTT kanë nënshkruar marrëveshje përmes se cilës KOSTT merr pronësinë e ngastrës në Sojevë të Ferizajt ku do të vendosen bateritë 90 MWh për ruajtjen e energjisë.

    Me këtë marrëveshje siç ka njoftuar ministrja në detyrë e Ekonimisë, Artane Rizvanolli punimet për bateritë do të ecin përpara në kuadër të programit kompakt me MCC-në.

    “Bateritë do të ruajnë energji kur ka tepricë dhe do ta kthejnë në rrjet kur kërkesa rritet, për furnizim më të qëndrueshëm dhe kosto më të përballueshme. Partneriteti Kosovë-SHBA po kthehet në edhe një rezultat konkret: infrastrukturë që e bën energjinë më të sigurt për qytetarët”, ka shkruar ajo.

  • Vjedhja e votave, koordinatorja nacionale e zgjedhjeve takon zv.drejtorin e Policisë: Do të fillojë grumbullimi i provave në nivel vendi

    Vjedhja e votave, koordinatorja nacionale e zgjedhjeve takon zv.drejtorin e Policisë: Do të fillojë grumbullimi i provave në nivel vendi

    Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula është takuar me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë, kolonel Fehmi Hotin.

    Prokuroria tha në një njoftim se “temë e diskutimeve të këtij takimi ishte fillimi i hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjen e votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Republikës së Kosovës”.

    “Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, informoi të pranishmit se pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor”, thuhet në njoftim.

    Prokurorja Pula, sipas njoftimit, ka paralajmëruar se do të fillojë grumbullimi i provave të nevojshme në nivel vendi.

    “Nga ana tjetër zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti potencoi se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme dhe në kuadër të kompetencave që ka do t’i shërbej kërkesave të prokurorëve të shtetit”, thuhet në njoftim.

    Rinumërimi i i një të tretës së vendvotimeve ka nxjerrë dallime prej qindra deri në mijëra vota për kandidatët brenda subjekteve politike. Kësisoj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot në një mbledhje për rinumërim të plotë të të gjitha votave.

  • Dorëheqjet dhe pakënaqësitë me rezultatin zgjedhor, nis mbledhjen Kryesia e LDK-së

    Dorëheqjet dhe pakënaqësitë me rezultatin zgjedhor, nis mbledhjen Kryesia e LDK-së

    Lidhja Demokratike e Kosovës, ka nisur mbledhjen e Kryesisë pas dorëheqjeve lidhur me rezultatin e dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku e kishte paralajmëruar këtë mbledhje që pasi kishte ofruar dorëheqjen e tij. Nëdërsa para saj ishte mbajtur për pesë orë një mbledhje e “rrethit të ngushtë” të LDK-së.

    Pas kësaj mbledhje Abdixhiku njoftoi se ka dhënë dorëheqje Lumir Abdixhiku ka thënë se e ka paraqitur dorëheqjen e tij, dhe se pret nga Kuvendi i LDK-së ta pranojnë ose jo atë.

    Në LDK, dorëheqje ka dhënë nënkryetarja e partisë Hykmete Bajrami, ndërhsa dorëheqjen e ka paralajmëruar edhe nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti nëse Abdixhiku nuk largohet nga pozita e kryetarit. Bajrami e Hoti kanë kërkuar dorëheqje të parevokueshme të tij.

  • Dënohet me mbi 6 vjet burgim personi që shkaktoi aksidentin ku vdiqën tre persona në Qubrel

    Dënohet me mbi 6 vjet burgim personi që shkaktoi aksidentin ku vdiqën tre persona në Qubrel

    Gjykata Themelore në Mitrovicë ka dënuar me gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim E.R, pjesëtar i Policisë së Kosovës i cili kishte shkaktuar aksident me fatalitet ku tre persona humbën jetën në Qubrel të Skenderaj më 26 janar të vitit 2025.

    Poashtu, të dënuarit i është ndaluar drejtimi i automjeteve të kategorisë B për dy vite i cili hyn në fuqi pas përfundimit të dënimit me burgim.

    “I pandehuri është shpallur fajtor për shkak të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafët 8 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), e cila parasheh minimumin e dënimit prej një (1) viti dhe maksimum të dënimit prej tetë (8) viteve.Gjykata ndaj të pandehurit ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vite e gjashtë (6) muajsh dhe dënimin plotësues “Ndalimi i drejtimit të automjetit”, ashtu që të pandehurit i është ndaluar drejtimi i automjeteve të kategorisë B për një periudhë prej dy (2) vitesh, afat i cili fillon të rrjedhë pas ekzekutimit të dënimit me burgim”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri E.R. më datë 26.01.2025, rreth orës 18:45, në rrugën Rajonale Mitrovicë – Pejë, përkatësisht në fshatin Qubrel, Komuna Skenderaj, nga pakujdesia duke mos e përshtat shpejtësinë me kushtet e rrugës ka shkelur dispozitat e Ligjit nr. 08/L-186 Për Trafikun Rrugor, nenet 38, 45 dhe 50 në atë mënyrë që derisa i pandehuri E.D., kishte qenë duke e drejtuar automjetin zyrtar, ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe kalon në shiritin e kahjes së kundërt dhe aksidentohet me automjetin VË Golf IV, të cilën e drejtonte tani i ndjeri A.G., dhe si rezultat i aksidentit, lëndime fatale kanë pësuar të ndjerët A.G., G.G .dhe Z.G. kurse lëndime të rënda trupore pëson vet i pandehuri si dhe pasagjerët e tij D.E., B.H. si dhe pasagjeri i automjetit Golf IV , fëmiu L.G.

    Arsyetimin e këtij aktgjykimi palët do ta pranojnë me aktgjykimin e shkruar, ndërsa kundër të njëjtit kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor, duke filluar nga dita e pranimit të aktgjykimit.

  • Ministria e Financave njofton se cilat kategori të pensionistëve nuk kanë nevojë të lajmërohen

    Ministria e Financave njofton se cilat kategori të pensionistëve nuk kanë nevojë të lajmërohen

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se pensionistët se disa kategori të pensionistëve nuk kanë më nevojë për paraqitje të rregullt para zyrave të pensioneve.

    Këto kategori janë përfituesit e pensioneve: kontributive,parciale kontributive, dhe familjare.

    Pensionistët e kategorive të tjera sipas ministrisë vazhdojnë të kenë obligim për paraqitje sipas legjislacionit në fuqi.

    MFPT ka thënë se ka ndërmarrë hapa të vazhdueshëm për të lehtësuar shërbimet për pensionistët, duke përfshirë: Ekipet mobile që ofrojnë shërbime në shtëpi për ata që nuk mund të paraqiten fizikisht, në të gjitha shtatë rajonet e Kosovës; Thjeshtësimin e procedurave për personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër, duke eliminuar proceset e panevojshme dhe të lodhshme të rivlerësimit.