ATV

Category: Lajme

  • Kanosen policët pas shqiptimit të gjobës në Ferizaj, arrestohen dy persona

    Kanosen policët pas shqiptimit të gjobës në Ferizaj, arrestohen dy persona

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Ferizaj pasi që pas shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik, ata kanë kanosur dhe penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës zyrtare.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Rasti ka ndodhur në Rr. ”Enver Hadri” rreth orës 17:30 minuta.

  • Policia e Kosovës arreston një person të kërkuar me urdhër arresti ndërkombëtar

    Policia e Kosovës arreston një person të kërkuar me urdhër arresti ndërkombëtar

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (DBNP), përmes njësitit të saj FAST, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitë tjera relevante policore, ka identifikuar dhe arrestuar një person të kërkuar me urdhër arresti ndërkombëtar.

    I dyshuari për vrasje në tentativë është arrestuar mbrëmë.

    “Me datë 19.01.2026, rreth orës 20:30, zyrtarët policorë të DBNP-së – ekipi FAST, kanë lokalizuar dhe arrestuar personin, i cili ishte i kërkuar me urdhër arresti ndërkombëtar nga autoritetet gjermane, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Vrasje në tentativë”. Pas arrestimit dhe në bazë të urdhrit të Prokurorit Kujdestar, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, për të vazhduar me procedurat e mëtejme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në komunikatën e PK-së.

  • Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë hyn në fazën përfundimtare

    Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë hyn në fazën përfundimtare

    Në Gjykatën Speciale në Hagë është përmbyllur afati për dorëzimin e dosjeve përfundimtare në rastin e gjykimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Nga 9 deri më 18 shkurt janë paraparë fjalët përfundimtare, pas të cilave gjykata ka tre muaj kohë për të nxjerrë aktvendimin e shkallës së parë, me mundësi për dy muaj shtesë.

    Parashtrimet përfundimtare të të gjitha palëve në procedurë shënojnë hyrjen e procesit gjyqësor në Hagë drejt fazës vendimtare. Pas më shumë se pesë vjetësh gjykim ndaj ish-krerëve të UÇK-së, procesi ka arritur në etapën përfundimtare, që përfshin dorëzimin e dosjeve dhe analizimin e provave.

    Njohësit e drejtësisë vlerësojnë se një faktor vendimtar mbetet sfidimi dhe rrëzimi i provave nga Serbia, të cilat mbrojtja i konsideron thelbësisht të kontestuara për nga origjina dhe besueshmëria.

    Avokati i akredituar Skender Musa ka theksuar, se ajo që është e rëndësishme është që mbrojtja në këtë fazë të jetë shumë argumentuese dhe të shtjellojë provat, jo vetëm ato që ka paraqitur vetë, por edhe ato të prokurorisë, me qëllim që të luftohet dhe të hidhen poshtë provat e kontestuara, veçanërisht provat e Serbisë.

    “Këto janë përgatitur nga regjimi i Millosheviqit, i cili kishte në dispozicion policinë dhe ushtrinë dhe mundësinë e falsifikimit të dokumenteve, provave materiale dhe video-incizimeve të ndryshme. Madje, krimet e kryera nga forcat serbe mund të jenë i atribuara gabimisht UÇK-së”, thotë ai.

    Sipas Musës, një rëndësi të veçantë në këtë fazë ka gjendja faktike në terren dhe provat konkrete që lidhen drejtpërdrejt me akuzat për përgjegjësinë e UÇK-së, të cilat mbrojtja synon t’i demaskojë si të pabazuara dhe të pasakta.

    “Sa i përket ngjarjeve në terren dhe gjendjes faktike, ekzistojnë baza të mjaftueshme për të sfiduar çdo pretendim në aktakuzë që këta persona kanë marrë pjesë, qoftë direkt apo përmes dhënies së urdhrave për kryerjen e çdo krimi apo vepre të pretenduar. Prandaj, mbrojtja do të godasë fuqishëm në këto çështje”, ka shtuar ai

    Derisa procesi është në fazën përfundimtare për aktgjykimin e shkallës së parë, pritet që gjykata të vendosë më së largu deri në korrik 2026. Ndërkohë, më 17 shkurt në Prishtinë është paralajmëruar një protestë e radhës kundër Gjykatës Speciale, lidhur me trajtimin e ish-krerëve të UÇK-së.

  • Daka: Asnjëherë s’ka ndodhur me pasë 6 mijë vota dallim për një kandidat

    Daka: Asnjëherë s’ka ndodhur me pasë 6 mijë vota dallim për një kandidat

    Valdete Daka, ish-kryetare e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka thënë se asnjëherë më parë nuk ka ndodhur të ketë dallim prej 6 mijë votash për një kandidat.

    Ajo ka theksuar se edhe në të kaluarën ka pasur rinumërime të votave.

    “Po, ka pasur rinumërime shumë shpesh, thuajse në çdo palë zgjedhje ka pasur rinumërime. Ka pasur edhe rivotime, edhe në qytete edhe në qendra të votimit, shumë shpesh. Domethënë, s’ka pasur zgjedhje kur nuk ka pasur rinumërim, por nuk ka pasur dallime kaq të mëdha sikur këtë herë; nuk ka pasur dallime 5 mijë, 6 mijë, 2 mijë, sikur sot që u përmendën”, ka thënë Daka në Tv Dukagjini.

    Ajo tutje ka shtuar se arsyet pse ka ndodhur ky fenomen tani duhet të elaborohen më tej, në mënyrë që të gjenden shkaqet.
    “Shqyrtim më i thellë, sidomos i ndryshimeve ligjore që kanë ndodhur në vitin 2023, me sa më kujtohet. Duhet me u marrë drejtësia me këtë çështje, sikur që është marrë në vitin 2010”, ka deklaruar Daka.

    Sipas saj, në vitin 2010, pas asaj që ajo e cilëson si “vjedhje industriale”, përveç rivotimeve në disa qytete, KQZ-ja kishte dërguar rreth 2 mijë kallëzime penale.

  • Vdes një pacient që po trajtohej nga e hëna në QKUK

    Vdes një pacient që po trajtohej nga e hëna në QKUK

    Një burrë ka vdekur në orët e para të së martës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    I ndjeri, sipas Policisë së Kosovës, ishte duke u trajtuar në QKUK që nga e hëna.

    Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    “Me datë 20.01.2026 rreth orës 01:37 derisa ishte në tretman mjekësor në QKUK, viktima mashkull kosovar, raportohet se i njëjti ka ndërruar jetë. Trupi i pa jetë i viktimës dërgohet për obduksion në IML-Prishtinë. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.

  • GLPS pranon përgjigje nga BE-ja për heqjen e masave ndaj Kosovës

    GLPS pranon përgjigje nga BE-ja për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) njofton se ka pranuar sot një përgjigje zyrtare nga Bashkimi Evropian lidhur me Letrën e Hapur të dërguar më 20 tetor të vitit të kaluar, përmes së cilës një grup organizatash të shoqërisë civile kishin kërkuar heqjen e plotë të masave të BE-së ndaj Kosovës.

    Në letrën drejtuar krerëve të institucioneve kyçe të Bashkimit Evropian, organizatat e shoqërisë civile kishin theksuar se masat e vendosura ndaj Kosovës kanë pasur ndikim negativ në reformat demokratike, sundimin e ligjit dhe mbështetjen për qytetarët, duke bërë thirrje për heqjen e tyre sa më të shpejtë.

    Sipas GLPS-së, në përgjigjen e pranuar sot, Komisioni Evropian ka ritheksuar se hapat e parë për heqjen e masave tashmë kanë filluar. Në këtë kuadër, janë liruar 216 milionë euro, ndërsa së shpejti pritet të lirohen edhe 205 milionë euro të tjera.

    Po ashtu, nga masat politike, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se kanë rifilluar takimet e nën-komiteteve të Stabilizim-Asociimit. Këto veprime, sipas përgjigjes, janë paralajmëruar edhe në konkluzionet e Këshillit Evropian të datës 16 dhjetor 2025.

    Në përgjigjen e tij, Bashkimi Evropian ka theksuar gjithashtu se e vlerëson komunikimin e drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile në Kosovë.

    GLPS, në fund, ka shprehur mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian për përgjigjen ndaj letrës së dërguar dhe për hapat e ndërmarrë drejt heqjes graduale të masave ndaj Kosovës.

  • Pacolli: Tradhtia dhe pabesia rëndojnë shpirtin dhe kthehen gjithmonë si bumerang

    Pacolli: Tradhtia dhe pabesia rëndojnë shpirtin dhe kthehen gjithmonë si bumerang

    Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka publikuar një mesazh reflektues në rrjete sociale, ku flet për pasojat e tradhtisë, pabesisë dhe mosmirënjohjes në jetën e njerëzve.

    Sipas Pacollit, veprime si gënjeshtra, shpifja dhe përdorimi i gjuhës së ndyrë ndikojnë negativisht në kualitetin e jetës dhe rëndojnë shpirtin e atyre që i bartin.

    Ai thekson se këto sjellje, sipas tij, kthehen gjithmonë si “bumerang”.

    “Tradhtia, pabesia, mosmirënjohja, gënjeshtra, shpifja, gjuha e ndyrë etj., ndikojnë negativisht në kualitetin e jetës dhe ato e rëndojnë shpirtin e atij që i bart dhe i kthehen gjithmonë si bumerang. Në përvojën time, njerëzit që më kanë braktisur me dashakeqësi kanë tentuar të më lëndojnë ose më kanë tradhtuar në jetë, kanë dështuar çuditërisht. Unë besoj se njerëzit e mirë shpërblehen dhe të këqijtë ndëshkohen nga jeta. Herët apo vonë”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

  • Tre ditë zie në Spanjë për viktimat e aksidentit tragjik hekurudhor

    Tre ditë zie në Spanjë për viktimat e aksidentit tragjik hekurudhor

    Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez ka shpallur tre ditë zie kombëtare për viktimat e aksidentit hekurudhor që vrau të paktën 40 persona.

    Sanchez premtoi gjithashtu se do të zbulojë arsyen pse dy trenat me shpejtësi të lartë u përplasën në Spanjën jugore, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë nën rrënoja, raporton BBC.

    Më shumë se 120 persona të tjerë u plagosën ndërsa vagonët e një treni që shkonte në Madrid dolën nga shinat dhe kaluan në shinat e kundërta, duke u përplasur me një tren që po vinte përballë në Adamuz të dielën në mbrëmje.

    Aksidenti është më i rëndi që vendi ka parë në më shumë se një dekadë.

  • ​27 vjet nga shpërbërja e TMK-së në FSK

    ​27 vjet nga shpërbërja e TMK-së në FSK

    Ishte viti 1999 ku nisi çarmatimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u shndërruar më vonë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

    Nuk shkoi shumë dhe në vitin 2000 përfundon edhe transformimi i UÇK-së në TMK.Kjo e gjitha kishte nisur pas marrëveshjes së Kumanovës dhe në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë. Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ishin pjesë përbërëse e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nën protektoratin e OKB-së, saktësisht misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK-ut.

    Udhëheqësi i parë i TMK-së u emërua gjeneral-lejtënant, Agim Çeku. Sipas marrëveshjes, detyrat dhe të drejtat e TMK-së në atë kohë ishin veprimi për ndalimin dhe zvogëlimin dëmeve nga katastrofat natyrore dhe aksidentet, ofrimi i ndihmës në zona të rrezikuara, ndihma në pastrimin e fushave të minuara, ndihma për ri-ndërtimin dhe komunitetet, raporton KP.

    TMK u themelua në kohën e fillimit të organizmit institucional të vendi që po ndodhnin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, e cila rritej e forcohej, por në kushte jo të mira dhe paga të ulëta.

    Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beogradit, “Standardet për Kosovën”, në të cilën parashihej edhe shpërbërja e TKM-së, dhe krijimi i një force të re.

    “Do të krijohet një forcë e re, profesionale dhe shumë-etnike për sigurinë e Kosovës, e cila do të jetë e armatosur lehtë dhe do të jetë e aftë të mbulojë nevoja të caktuara të sigurisë sipas Shtesës VII të kësaj marrëveshje. Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pasi e arritën qëllimin e tyre, duke përfshirë këtu lehtësimin e rindërtimit pas lufte të Kosovës. Ato do të shpërndahen 1 vit pas miratimit të kësaj marrëveshjeje”, shkruhej në Planin e Ahtisaarit.

    Por më 2009 kjo forcë prapë u shpërbë për tu shndërruar në një forcë tjetër, tash Forca e Sigurisë së Kosovës.

    Më 20 janar 2009, TMK-ja zyrtarisht u shpërbë në FSK. Forca e Sigurisë së Kosovës, fillimisht kishte përgjegjësi që të përballet me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet, vërshimet ose zjarret që mund të kërcënojnë Kosovën.

    Më 4 mars të vitit 2014, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të formohen Forcat e Armatosura të Kosovës, si ushtri e Kosovës, e cila parashihet t’i mbërrijë kapacitetet që të mund të sigurojë integritetin e Kosovës. Më 14 dhjetor 2018, Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

    Ligjet e miratuara ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë, pasi ata ishin kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës.

  • Zelensky paralajmëron: Rusia po përgatit një sulm masiv ndaj Ukrainës

    Zelensky paralajmëron: Rusia po përgatit një sulm masiv ndaj Ukrainës

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se Rusia ka përgatitur një sulm masiv kundër Ukrainës, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë të shtuar, pasi mbetet e paqartë koha kur forcat ruse do ta ndërmarrin ofensivën.

    “Ditët e ardhshme duhet të qëndrojmë në gatishmëri të lartë, Rusia është përgatitur për një sulm masiv dhe po pret momentin e duhur për ta realizuar. Kushtoni vëmendje të veçantë paralajmërimeve për sulme ajrore. Çdo rajon duhet të jetë gati të reagojë shpejt dhe të mbështesë qytetarët tanë”, deklaroi Zelensky.

    Autoritetet ukrainase kanë shtuar masat e sigurisë, ndërsa situata mbetet e tensionuar në të gjithë vendin, mes frikës për një përshkallëzim të ri të luftës, ka transmetuar Panorama.