ATV

Category: Lajme

  • Gjermania ofron një milion euro shpërblim për informacion mbi sulmin në rrjetin elektrik të Berlinit

    Gjermania ofron një milion euro shpërblim për informacion mbi sulmin në rrjetin elektrik të Berlinit

    Gjermania po ofron një shpërblim prej një milion eurosh për informacion që çon në arrestimin e militantëve të dyshuar të ekstremit të majtë, sulmi zjarrvënës i të cilëve shkaktoi një ndërprerje masive të energjisë në Berlin në fillim të këtij muaji, tha të martën ministri i Brendshëm.

    Rreth 45,000 shtëpi dhe 2,200 biznese mbetën pa energji elektrike për gati një javë në mes të dimrit në jugperëndim të kryeqytetit gjerman. Ishte ndërprerja më e gjatë në qytet që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, transmeton Telegrafi.

    Policia gjermane po kërkon anëtarë të “Vulkangruppe” (Grupi i Vullkaneve) të ekstremit të majtë, i cili mori përgjegjësinë për ndërprerjen në disa deklarata online. Grupi tha se qëllimi ishte të godiste industrinë e karburanteve fosile, jo të shkaktonte ndërprerje të energjisë.

    Duke njoftuar shpërblimin, Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt u zotua të “kundërpërgjigjej”.

    “Agjencitë tona të sigurisë do të përforcohen ndjeshëm në luftën kundër ekstremizmit të krahut të majtë. Mendoj se është e përshtatshme të nënvizohet serioziteti i situatës me një shpërblim të kësaj madhësie”, tha ai.

    Dobrindt tha se policia do të nisë një fushatë publicitare për të mbledhur informacione dhe për të reklamuar shpërblimin, duke përfshirë fletëpalosje dhe postera në sistemin e metrosë së Berlinit.

    Grupi i vetëshpallur i Vullkanit ka qenë aktiv që nga viti 2011 dhe ka kryer sulme zjarrvënëse në dhe përreth Berlinit, sipas agjencisë së inteligjencës së brendshme të Gjermanisë.

    Grupi mori përgjegjësinë për një sulm zjarrvënës në vitin 2024 që ndaloi prodhimin në fabrikën e makinave të Teslës në Berlin.

    Ndërprerja e shkaktuar nga një zjarr që synonte një sërë kabllosh me tension të lartë, zbuloi qartë boshllëqe në sigurinë e infrastrukturës kritike në kryeqytetin gjerman në një kohë kur Berlini është i shqetësuar për sulmet sabotuese që vijnë nga Rusia.

    Zyrtarët e Berlinit u kritikuan gjithashtu për shpejtësinë dhe shkallën e reagimit të tyre ndaj ndërprerjes së energjisë.

    Për shumë vite, Gjermania është përballur me atë që zyrtarët e përshkruajnë si një fushatë ruse sabotimi, spiunazhi dhe dezinformimi që synon destabilizimin e vendit, një furnizues kryesor i mbështetjes ushtarake për Ukrainën dhe një qendër kyçe logjistike e NATO-s. Moska i ka mohuar akuzat.

    Të martën, Dobrindt u zotua se dhoma e ulët e parlamentit, Bundestagu, këtë javë do të miratojë një ligj të ri për të mbrojtur më mirë infrastrukturën kritike.

    Por drafti fillestar i legjislacionit është përballur tashmë me kritika nga disa në sektorin e energjisë dhe komunitetin e biznesit, si shumë burokratik për të qenë efektiv.

    Disa kanë paralajmëruar gjithashtu se legjislacioni rrezikon të detyrojë transparencë të tepërt në lidhje me objektet jetësore të infrastrukturës, të cilat mund të shfrytëzohen nga aktorë keqdashës.

    Dobrindt pranoi se “ne tashmë zbulojmë shumë informacion publik në lidhje me infrastrukturën tonë kritike”.

  • “Ku i ki djemtë në UÇK?”, dëshmitari thotë se u ndalua në kolonë kur po iknin nga shtëpitë më 1999 dhe se Pantiqi e mori në pyetje

    “Ku i ki djemtë në UÇK?”, dëshmitari thotë se u ndalua në kolonë kur po iknin nga shtëpitë më 1999 dhe se Pantiqi e mori në pyetje

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të martën është dëgjuar dëshmitari i Prokurorisë, Haxhi Beqiraj.

    Ai deklaroi se policia serbe, ku bënte pjesë edhe i akuzuari Pantiq, e ndaluan derisa ishte në kolonë kur po largoheshin nga shtëpitë më 1999 dhe e pyetën se ku i kishte djemtë.

    Dëshmitari Beqiraj, para trupit gjykues dëshmoi se si u detyruan t’i lëshonin shtëpitë e tyre në pranverën e vitit 1999, ku edhe ishin maltretuar nga policia serbe, ndërsa përmendi edhe maltretimet që u ishin bërë nga viti 1989, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Dëshmitari tregoi se kishin filluar të dilnin nga shtëpitë e tyre kur dëgjuan se po rrethoheshin e do të vriteshin të gjithë, ndërsa theksoi se ai ishte me një traktor kur edhe e kishte takuar të akuzuarin Pantiq.

    “Kemi fillu me dalë, se na kanë thanë kanë me ju rrethu me ju mbytë. Kur kemi dalë në qëndër u kanë Momiri, u kanë i veshun në tesha të larme, ky u kanë shef i policisë, ka pas traktora mas meje- edhe më ka ndal i pari edhe më ka marrë në pyetje edhe ka thanë ku i ki djemtë në UÇK”, tha Beqiraj.

    Ai theksoi se pas dëbimit të civilëve nga shtëpitë e tyre, shtëpia e tij dhe e dy vëllezërve të tij ishin djegur. Tha se aty kishte foca të shumta serbe, ndërsa shef kryesor i tyre ishte i akuzuari Pantiq.

    “Shtëpia jeme, shtëpia e dy vëllezërve janë kanë tu u djegë, ky u kanë përgjegjës, ky e di kush u kanë. Shefi kryesor u kanë ky. Ushtri s’ka pasë, vetëm policë ka pasë, s’janë kanë njëzet metra që s’ka pasë polic”, shtoi Beqiraj.

    Beqiraj tregoi edhe për momentin kur ishte ndaluar aty nga policia serbe dhe përmendi Millosh Stojkoviqin, i cili, dëshmitari tha se e kishte goditur me shuplakë.

    “M’ka ra shuplakë, më tha këta e ki dhuratë prej meje që mos me m’harru kurrë”, tha Beqiraj.

    Ndërsa, i pyetur nese kishte të vrarë, dëshmitari e pohoi këtë duke theksuar se aty në vendngjarje ishte edhe i akuzuari Pantiq

    “Po janë vra, janë diku 11 të masakrun aty në breg. Atë ditë kanë ndodhë, ky u kanë aty”, tha Beqiraj.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

    Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

    Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.

    Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut. /BetimipërDrejtësi/

  • Theri me thikë vajzën në Durrës, babai: Isha i dehur, më injoronte – doja të bisedonim

    Theri me thikë vajzën në Durrës, babai: Isha i dehur, më injoronte – doja të bisedonim

    Është zbardhur dëshmia e 56-vjeçarit Mikel Ndoj, i cili plagosi me thikë vajzën e tij 24-vjeçare dhe një kalimtar të rastit paraditen e së hënës në lagjen nr.12 të Durrësit. Ndoj është shprehur i penduar për ngjarjen, duke deklaruar se ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe nën efektin e alkoolit në momentin e konfliktit.

    “Shkova te vendi i punës së vajzës pasi nuk po më përgjigjej në telefon. Dua të ribashkohem me familjen por vajza ka ndikuar negativisht. Nuk donte të kishte të bënte më me mua, më shpërfillte, më injoronte. Shkova për t’i thënë se doja të bisedoja me të, por më tha se nuk dua të kem asnjë lidhje me ty, për mua nuk ekziston më. Në këtë moment m’u errësuan sytë, i thashë hajde dalim pak përjashta që të flasim. Ajo më shtyu. Nuk mbaj mend më se çfarë ndodhi. Ishte edhe një djalë aty që ndërhyri në ato momente. Teksa po tentonte të më largonte u pre nga thika edhe ai. Më pas ika dhe u fsheva diku afër repartit të zjarrfikëses. Aty e kuptova çfarë kishte ndodhur. Unë isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe kisha konsumuar alkool. Më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Jam penduar shumë. U kërkoj falje vajzës dhe djalit që u plagos. Djalin nuk e njihja fare. Nuk di çfarë të them, ndihem shumë keq”, ka dëshmuar 56-vjeçari, raporton JOQ.

    Sipas dëshmisë, shkak i ngjarjes ka qenë përpjekja e tij për t’u ribashkuar me familjen pas 6 vitesh ndarje, kërkesë që është refuzuar nga vajza, Xhesika Ndoj.

    56-vjeçari ka shkuar në vendin e punës së saj për të biseduar, por situata ka përshkallëzuar pas reagimit të ashpër të vajzës. Ai pretendon se nuk mban mend qartë momentet e sulmit, ndërsa një kalimtar, shtetasi Onard Memlika, është plagosur teksa ndërhyri për të parandaluar ngjarjen

  • Qeveria në detyrë mban mbledhje elektronike, merr dy vendime

    Qeveria në detyrë mban mbledhje elektronike, merr dy vendime

    Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhje elektronike.

    Në mbledhjen e qeverisë janë miratuar dy vendime: Themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës si dhe autorizimi i pagesës në shumë prej 154,000 euro për Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për rritjen e kuotës së kapitalit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në BERZH.

  • Rama reagon pas arrestimit të zyrtarëve të komunës: Do të ofroj bashkëpunim të plotë

    Rama reagon pas arrestimit të zyrtarëve të komunës: Do të ofroj bashkëpunim të plotë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas arrestimit të tre zyrtarëve komunal për marrje të ryshfetit.

    Përmes një postimi në Facebook, Rama mirëpriti këtë aksion, teksa shtoi se është i hapur për bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente.

    “Kryeqyteti riafirmon përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Në lidhje me arrestimin e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik”, ka shkruar ai.

    Në këtë frymë, shtoi Rama, Prishtina mbetet e hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës.

  • Bllokimi i kufijve drejt zonës Schengen, Gërxhaliu: Vendim i padrejtë i BE-së që dëmton Ballkanin dhe Kosovën

    Bllokimi i kufijve drejt zonës Schengen, Gërxhaliu: Vendim i padrejtë i BE-së që dëmton Ballkanin dhe Kosovën

    Transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi, nga mesdita e 26 janarit, kanë bllokuar pikat kufitare për qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të Bashkimit Evropian e që si pasojë e kësaj proteste, e dëmtuar po cilësohet të jetë edhe Kosova.

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, gjatë një interviste për Ekonomia Online e ka cilësuar të padrejtë vendimin e Bashkimit Evropian, duke theksuar se kjo protestë do të jetë shkak i krisjes së avancimit të partneritetit ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Gërxhaliu ka deklaruar se shqetësimi kryesor lidhet me rregulloren e re të Bashkimit Evropian që kufizon qëndrimin e vozitësve ndërkombëtarë.

    “Jemi dëshmitarë të asaj që tani ka hyrë në fuqi një rregullore e re e Bashkimit Evropian, ku nuk mund të qëndrohet në Evropë më tepër se 3 muaj ditë dhe kjo është brenga më e madhe e sektorit të transportit ndërkombëtar. Në këtë drejtim duhet të kuptohet që partneri strategjik për vendet e Ballkanit Perëndimor është Evropa. Një barrierë e tillë, e cila e kufizon qëndrimin e vozitësve të kamionëve vetëm me këtë periudhë kohore, është një dëm shumë i madh, në veçanti në kohën kur jo vetëm Evropa, por edhe Ballkani Perëndimor është duke e vërejtur mungesën e vozitësve profesionalë. Duhet të kuptohet se më tepër se 370 mijë kompani nga Ballkani Perëndimor partner e kanë Evropën dhe ky kufizim vërtet do të jetë një ngulfatje e avancimit të partneritetit dhe e rritjes së bashkëpunimit reciprok mes Evropës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

    Sipas Gërxhaliut, pasojat e këtij kufizimi do të ndihen drejtpërdrejt edhe në qarkullimin ditor të mallrave mes vendeve të rajonit dhe BE-së.

    “Paramendojeni vetëm ndërmjet kufirit mes Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës kemi kamionë që kalojnë në baza ditore dhe nëse atyre u kufizohet hyrja vetëm 90 ditë brenda vitit, do të jetë diçka që vërtet do ta dëmtojë ekonominë e dy vendeve. Në kuadër të Bashkimit Evropian ekzistojnë institucione të ndryshme që e kanë përgjegjësinë në këtë drejtim dhe besoj se reagimi i tyre do të jetë në nivelin më të lartë. Është një reagim nga Forumi Investiv i Odave të Ballkanit Perëndimor, ku gjashtë oda ekonomike e kanë ngritur këtë shqetësim, por nuk duhet që ky shqetësim të marrë masa përshkallëzuese, sepse nëse vazhdohet në këtë mënyrë, ku kufijtë bllokohen, atëherë pasojat do të jenë ekonomike, sociale dhe psikologjike, sepse do të dëmtohet imazhi i partneritetit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kur kësaj i shtohen edhe lëvizjet gjeostrategjike që po ndodhin në botë, besoj se është një dëm shumë i madh. Heshtja në Kosovë nuk nënkupton që bizneset kosovare nuk do të jenë të prekura, prandaj sa më tepër që të ngrihet zëri për një dukuri të tillë dhe sa më tepër të përdoren kanalet lobuese në instancat evropiane, ky problem do të zgjidhet më shpejt dhe do të jetë një nisje e një frymëmarrjeje të re, sepse vërtet transporti është një nga aktivitetet substanciale në biznesin ndërkombëtar, në veçanti në tregtinë e mallrave”, tha Gërxhaliu.

    Ai paralajmëroi se zgjatja e protestës do të ketë pasoja të drejtpërdrejta edhe për qytetarët dhe zgjatja e saj për shtatë ditë do të krijojë çrregullim mes ofertës dhe kërkesës.

    “Një protestë e tillë që do të zgjasë 7 ditë apo mbi 7 ditë do të krijojë një çrregullim mes ofertës dhe kërkesës, do të reflektojë në mungesën e prodhimeve, qofshin ato të importuara apo të eksportuara, dhe Kosova nuk do të jetë imune ndaj prekjeve nga një situatë e tillë. Do të preket sektori privat, qoftë përmes importit të lëndës së parë apo përmes eksportit të prodhimeve finale, por në të njëjtën kohë do të ketë një goditje te shporta e qytetarëve, pasi pjesa dërrmuese e mallrave vijnë nga importi. Çdo mungesë në treg do të ndikojë në aspektin psikologjik, në ngritjen e çmimeve, në këtë kohë inflacioni dhe krize sociale e ekonomike. Një dukuri e tillë do ta rrisë më tepër tregtinë spekulative dhe, në fund të fundit, tërë këtë anomali të krijuar në transport do ta paguajë qytetari, jo vetëm i Ballkanit Perëndimor, por edhe qytetari i Kosovës”, theksoi ai.

    Kjo protestë është reagim ndaj sistemit të ri të BE-së për kontrollin e hyrje-daljeve, të cilin ata e konsiderojnë shkak për dëbime, vonesa dhe humbje ekonomike, dhe kërkojnë që kompanitë e transportit të përjashtohen nga zbatimi i tij.

    Transportuesit njoftuan se bllokadat do të zgjasin shtatë ditë, nëse gjatë kësaj kohe nuk gjendet zgjidhje për problemin e tyre.

    Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit njoftoi se, sipas informacionit të pranuar nga zyrtarët kufitarë të Serbisë, “do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë”.

    “Këto protesta ndikojnë në qarkullimin e mjeteve të transportit dhe mallrave, si dhe mbingarkojnë trafikun në zonat kufitare të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit, që janë të përfshira në protesta”, thuhet në njoftim.

    Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit paralajmëroi se bllokadë të ngjashme do të ketë edhe nga Mali i Zi.

  • Kryeprokurori i Prishtinës për arrestimin e tre zyrtarëve të Komunës: Njëri nga ta është zënë në flagrancë

    Kryeprokurori i Prishtinës për arrestimin e tre zyrtarëve të Komunës: Njëri nga ta është zënë në flagrancë

    Tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë arrestuar për marrje ryshfeti, ndërsa njëri nga ta është kapur në flagrancë në mëngjesin e sotën, raporton Ekonomia Online.

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka treguar për Ekonomia Online se arrestimi ndodhi mëngjesin e sotëm dhe se hetimet janë duke vazhduar. Ai nuk dha më shumë detaje.

    “Janë shoqëruar tre persona të dyshuar, zyrtarë të komunës së Prishtinë nën dyshimin për marrje të ryshfetit. Njëri nga ta është zënë në flagrancë në kryerje të veprës penale”, tha shkurt Gashi.

    Ndërsa përmes një komunikate për media, Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet se “Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe në koordinim të plotë me Gjykatën Themelore në Prishtinë, me masa të veçanta hetimore ka zhvilluar një aksion ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, nën dyshimin e veprës penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ në bazë të nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

    Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, janë shoqëruar tre persona, ndër të cilët zyrtari I komunës, A.G., është arrestuar në flagrancë për veprën penale ‘’Marrje e ryshfetit’’ sipas nenit 421 të KPRK-së, me qellim qe të ndihmojë të dëmtuarin të realizoj një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës me komunën.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë inkurajon të gjithë qytetarët të raportojnë për të gjitha veprat penale të natyrës së korrupsionit.

  • Haxhiu kërkon që të hetohet edhe kreu i KQZ-së e deri te çdo individ që ka shkelë ligjin

    Haxhiu kërkon që të hetohet edhe kreu i KQZ-së e deri te çdo individ që ka shkelë ligjin

    Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu kërkon që të rikthehet menjëherë rinumërimin sipas rendit të komunave, transparencë e plotë dhe përgjegjësi institucionale, duke theksuar se Prokuroria duhet të nisë hetimet për të gjithë vendimet dhe veprimet që kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke filluar nga kreu i KQZ-së.

    “KQZ nga garantuese e votës në instrument të manipulimit të procesit zgjedhor. Fillimisht KQZ morri vendime ne kundershtim me Ligjin për Zgjedhjet, tani KQZ ka ndryshuar metodologjinë e rinumërimit në mes të procesit, duke braktisur rendin sipas komunave dhe vendvotimeve dhe duke e zëvendësuar me një proces kaotik, të fragmentuar. Ky ndryshim arbitrar ka prodhuar devijim të qartë të trendit të rezultateve dhe ka dëmtuar rëndë besimin kandidatëve dhe qytetarëve. Kur rinumërimi ndërpritet pa kriter, vazhdohet me komuna të tjera dhe humbet gjurmueshmëria e vendvotimeve, procesi bëhet i pabesueshëm. KQZ, në vend që të mbrojë integritetin e votës, po ndryshon rregullat gjatë rinumërimit, duke u shndërruar nga arbitër i paanshëm në palë aktive në deformimin e procesit zgjedhor. Kërkojë rikthim të menjëhershëm të rinumërimit sipas rendit të komunave, transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale”, ka shkruar ai.

    Ai shkruan po ashtu se cdo votë e cenur është goditje ndaj demokracisë.

    “Çdo votë e cenuar është një goditje ndaj demokracisë. Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet për të gjitha vendimet dhe veprimet që kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke filluar nga kreu i KQZ-së e deri te çdo individ që ka pasur guximin të shkelë ligjin, të deformojë procesin zgjedhor dhe të manipulojë vullnetin e qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.

  • Një detaj në telefonin e Netanyahut ndez rrjetet sociale

    Një detaj në telefonin e Netanyahut ndez rrjetet sociale

    Një foto e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu gjatë një telefonate është bërë shpejt një temë e nxehtë diskutimi në mediat sociale dhe në qarqet ndërkombëtare. Një detaj që nuk i ka shpëtuar askujt është shiriti mbi kamerën e telefonit të tij celular.

    Edhe pse në shikim të parë duket e pazakontë për udhëheqësin e një vendi të përparuar teknologjikisht, ekspertët theksojnë se kjo është një masë e rreptë sigurie. Besohet se Netanyahu po e përdor shiritin për të parandaluar filmimin e paautorizuar në zona të ndjeshme, sulmet e hakerimit përmes të cilave kamera mund të aktivizohet nga distanca, si dhe mbikëqyrjen dixhitale dhe mbledhjen e të dhënave konfidenciale vizuale.

    Ky veprim nuk është një rast i izoluar. Një numër në rritje i politikanëve të lartë dhe zyrtarëve të sigurisë në të gjithë botën po përdorin metoda të ngjashme “analoge” të mbrojtjes në epokën dixhitale. Në një kohë kur spiunazhi i sofistikuar si Pegasus është bërë një kërcënim real, edhe pengesa më e thjeshtë fizike, siç është një copë shiriti, konsiderohet një barrierë efektive.

    “Në botën e politikës së lartë, privatësia e komunikimit është e paçmuar. Një kamera e mbyllur është një sinjal i qartë se askush, madje as kryeministri, nuk është imun ndaj ndërhyrjeve të mundshme dixhitale”, thonë analistët e sigurisë.
    Ndërsa disa e lavdërojnë kujdesin dhe ndërgjegjësimin e kryeministrit për sigurinë kibernetike, të tjerë në mediat sociale po komentojnë ironinë që udhëheqësi i një prej fuqive kryesore të teknologjisë kibernetike në botë duhet të përdorë shirit ngjitës për t’u ndjerë i sigurt.

    Kjo foto ka ringjallur një debat më të gjerë rreth cenueshmërisë së telefonave inteligjentë dhe rreziqeve për të dhënat personale të të gjithë përdoruesve, jo vetëm të zyrtarëve qeveritarë.

  • Hamza: Urrejtja dhe përjashtimi çojnë në tragjedi, nderime për viktimat e Holokaustit

    Hamza: Urrejtja dhe përjashtimi çojnë në tragjedi, nderime për viktimat e Holokaustit

    Bedri Hamza, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka kujtuar viktima e Holokaustit në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

    Hamza ka thënë se kjo ditë na ‘’kujton se urrejtja dhe përjashtimi sjell tragjedi’’.

    Postimi:

    Çdo 27 janar na kujton se urrejtja dhe përjashtimi sjellin tragjedi. Nderime për çdo jetë të pafajshme të humbur gjatë Holokaustit.

    Kujtesa është përgjegjësi dhe çdo brez duhet të mbrojë dinjitetin, liritë dhe të drejtat e njeriut.