ATV

Category: Lajme

  • Djali i Artan Hoxhës u ekstradua në Kosovë: Gazetari thotë se po i bëhet padrejtësi

    Djali i Artan Hoxhës u ekstradua në Kosovë: Gazetari thotë se po i bëhet padrejtësi

    Djali i gazetarit të njohur shqiptar Artan Hoxha është arrestuar të hënën, më 19 janar, në Tiranë, nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar, konkretisht për trafikim të qenieve njerëzore.

    Geri Hoxha dhe një person tjetër ishin shpallur në kërkim me urdhërarrest ndërkombëtar, me kërkesë të UNMIK-ut.

    Lidhur me këtë rast, Artan Hoxha ka folur për Klankosova.tv, duke deklaruar se ende nuk është informuar për akuzat konkrete që rëndojnë ndaj djalit të tij. Ai shprehu shqetësim të thellë për pretendimet, duke theksuar se në periudhën kur thuhet se janë kryer veprat penale, djali i tij ka qenë vetëm 13 vjeç.

    “Ka disa ditë që ka ndodhur kjo, por unë ende nuk kam parë asnjë dokument apo vendim zyrtar. Është e çuditshme si mund të akuzohet një fëmijë për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Kam frikë se po më bëhet padrejtësi”, tha Hoxha.

    Gazetari shqiptar bëri të ditur se autoritetet në Kosovë kanë paraqitur kërkesë për ekstradim, por deri më tani, sipas tij, nuk është dorëzuar asnjë dosje apo dokumentacion zyrtar, raporton Klankosova.tv.

    “Më kanë thënë se dokumentet do t’u përcillen autoriteteve shqiptare”, shtoi ai.

    Hoxha tregoi po ashtu se në momentin e arrestimit, djali i tij ishte duke shkuar në punë dhe se ai punon si laborant dentar.

    “Në xhep kishte vetëm 10 mijë lekë. Bashkë me të u arrestua edhe një shofer ambulance. Si mund të lidhet kjo me krim të organizuar?”, tha gazetari.

    Në fund, Artan Hoxha ngriti dyshime edhe për mënyrën e trajtimit të djalit të tij, duke deklaruar se nuk i lejohet as kontakti minimal me familjen dhe se ka frikë për sigurinë e tij.

  • Rinumërohen 80 për qind e votave

    Rinumërohen 80 për qind e votave

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të rinumërohen.

    Deri në orën 07:00 të mëngjesit të së mërkurës, janë rinumëruar gjithsej 80.60% e votave, apo 2.061 nga 2557 vendvotime.

    Ndërkohë, të martën, KQZ kishte bërë të ditur se procesi i rinumërimit ishte përmbyllur në 28 komuna.

  • Uji nga Badoci ende i papijshëm, qytetarët këshillohen të mos e përdorin

    Uji nga Badoci ende i papijshëm, qytetarët këshillohen të mos e përdorin

    Që nga vërshimet e fundit në Kosovë, uji që furnizon qytetarët nga Liqeni i Badocit, vazhdon të mbetet i papijshëm. Reshjet e shumta dhe prurjet e mëdha të ujërave kanë ndikuar në përkeqësimin e cilësisë së ujit, duke rritur nivelin e ndotjes dhe të turbullirës.

    Uji i Liqenit të Badocit vazhdon të jetë i mbushur pas reshjeve të shumta të shiut, gjë që po ndikon drejtpërdrejt edhe në cilësinë e tij. Si pasojë, uji që furnizon dhjetëra lagje të Prishtinës, vazhdon të mbetet jo i sigurt për pije, duke detyruar qytetarët të gjejnë alternativa për furnizim me ujë të pijshëm.

    “Prej njoftimit të parë që ka dalë, nuk e përdorim për pije”, tha një qytetar.

    “Nuk ke çfarë të bësh. Po duhet me i lanë të gjitha dhe me ble”, thotë tjetri qytetar.

    Megjithatë, jo të gjithë thonë se kanë mundësi ta sigurojnë ujin.

    “Po e përdorim edhe pse po thonë mos me e përdor, por nuk po kemi çka”, theksoi qytetari.

    Qytetarëve të cilët furnizohen nga ky liqen, u këshillohet të tregojnë kujdes të shtuar dhe ta përdorin ujë të ambalazhuar për konsum, në mënyrë që të shmangen rreziqet për shëndetin publik.

    Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” përmes telefonin i kanë konfirmuar RTK-së se uji që vjen nga Liqeni i Badocit vazhdon të jetë i papijshëm për qytetarët, deri në një njoftim të radhës.

    Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka treguar paraprakisht edhe zona ku uji nuk rekomandohet të pihet.

  • Netanyahu paralajmëron: S’ka shtet palestinez, s’ka ushtarë turq dhe s’ka rindërtim të Gazës pa demilitarizim

    Netanyahu paralajmëron: S’ka shtet palestinez, s’ka ushtarë turq dhe s’ka rindërtim të Gazës pa demilitarizim

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të qartë qëndrimin e tij personal lidhur me të ardhmen e Gazës, duke theksuar se çdo përpjekje për rindërtimin e territorit do të jetë e papranueshme pa një proces të mëparshëm demilitarizimi.

    Sipas tij, siguria e Izraelit mbetet parësore dhe nuk mund të ketë investime apo projekte rindërtimi për sa kohë që Gaza vazhdon të përbëjë një kërcënim të mundshëm ushtarak.

    “Po dëgjoj deklarata se rindërtimi i Gazës mund të fillojë para demilitarizimit. Dua ta bëj të qartë: kjo nuk do të ndodhë”, tha ai në një fjalim të fundit, duke theksuar shqetësimet e Izraelit për sigurinë në rajon.

    Ai gjithashtu iu referua mundësisë së pranisë së trupave të huaja në Gaza, duke përmendur konkretisht ushtarët turq dhe Katarit.

    “Dëgjoj se disa po sugjerojnë sjelljen e ushtarëve turq dhe kataras në Gaza. Edhe kjo nuk do të ndodhë”, shtoi ai, duke përforcuar qëndrimin e qeverisë izraelite ndaj ndërhyrjeve të huaja ushtarake.

    Netanyahu nuk la pa përmendur edhe çështjen e një Shteti Palestinez në Gaza. “Dëgjoj se do të lejohet krijimi i një Shteti Palestinez në Gaza. Kjo nuk ndodhi, dhe nuk do të ndodhë”, tha lideri izraelit, duke nënvizuar refuzimin e Izraelit për një shtet të pavarur në territorin e Gazës pa marrëveshje të plotë për sigurinë.

    Ky qëndrim i kryeministrit izraelit vjen në një moment të tensionuar, ku komuniteti ndërkombëtar po shtyn përpara fazën e dytë të armëpushimit në Gaza.

  • Mëngjes me ngrica, në mbrëmje sërish shi

    Mëngjes me ngrica, në mbrëmje sërish shi

    Dita e mërkurë fillon me kthjellime dhe temperatura të ulëta orëve të mëngjesit.Përgjatë ultësirave shfaqen kushte edhe për mjegull, që deri nga mesdita parashihet të shpërndahet.

    Temperaturat minimale zbresin në -2C e 1C. Ditën vransirat shtohen, e më vonë reshje shiu përfshinë pjesët perëndimore të vendit, që orëve të mbrëmjes kalojnë edhe në pjesë qëndrore e lindore të vendit.

    Temperaturat maksimale shkojnë deri në 7C e 11C. Frynë erë e lehtë dhe mesatare, jugore e juglindore 3-10m/s.

    Kthjellime parashihen në natën me kalimin nga dita e enjtë. Të enjtën sërish vransirat shtohen gjatë ditës, e krejt vonë në mbrëmje aty këtu shfaqen kushte për riga lokale shiu. Temperaturat shënojnë rritje deri në 10C e 12C.

    Reshje lokale shiu vazhdojnë orëve të para të ditës së premtë, por që pushojnë më vonë pasdite. Përgjatë fundjave vransirat dominojnë mbi vend, e nuk përjashtohen mundësitë për ndonjë rigë lokale shiu, apo reshje dëbore krejt viseve më të larta malore. Temperaturat zbresin në 7C e 8C, të premtën, e deri të dielen në 4C, ato maksimale, derisa minimalet në 0C. Frynë erë veriore e verilindore e lehtë dhe mesatare 3-7m/s, njofton Mendimi për Motin.

  • Vota për Aktin e Luginës së Preshevës, dëshmi e potencialit të lobimit shqiptar në SHBA

    Vota për Aktin e Luginës së Preshevës, dëshmi e potencialit të lobimit shqiptar në SHBA

    Botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami flet për bashkëpunimin me Anëtarin e Lartë të Komitetit, Gregory Meeks dhe kongresistë të tjerë, senatorin John Thune, udhëheqës i shumicës në Senatin Amerikan, lobimin e gjatë për Kosovën dhe Luginën e Preshevës dhe nevojën për organizim që projektligji të miratohet nga Kongresi Amerikan.

    Ruben Avxhiu

    Fati i shqiptarëve të harruar të Luginës së Preshevës ka marrë më së fundi vëmendjen e duhur.

    Komiteti për Punët e Jashtme të Dhomës në Kongresin Amerikan sapo miratoi me votën masive 43-3 një rezolutë e cila detyron Sekretarin e Shtetit që të përgatisë brenda 180 ditëve një raport për gjendjen e shqiptarëve në Serbi.

    Raporti duhet të ndalet në problemet që shqetësojnë shqiptarët prej vitesh siç janë: Pasivizimi i adresave, e drejta e votës, e pronës dhe dokumenteve, përfaqësimi në institucionet dhe shërbimet rajonale, njohja e diplomave dhe gradave shkencore, përdorimi i gjuhës shqipe etj.

    Hapi tjetër për “Aktin e Shqyrtimit të Diskriminimit në Luginën e Preshevës” tani është që të votohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, por kalimi i pragut të Komitetit me një votë kaq masive ishte një arritje e rëndësishme. Ajo dëshmoi se çështja e Luginës tani nuk mund të fshihet më nën rrogoz dhe se Serbia në një mënyrë apo një tjetër, do të fillojë të ndjejë presionin amerikan.

    Vota e suksesshme në nivel Komiteti nënvizoi edhe dy mesazhe të rëndësishme. I pari na thotë se kur komuniteti shqiptar në Amerikë angazhohet, rezultatet nuk vonojnë dhe se mbështetja jonë në Kongres dhe Washington vijon të jetë dypartiake. Rezultati 47-3 nuk ishte një rastësi. Ai reflektoi drejtësinë e kauzës së Luginës së Preshevës që përfshinë komunat Preshevë e Bujanoc me shumicë shqiptare dhe Medvegjë, por edhe punën e madhe të bërë nga shqiptaro-amerikanët.

    Një meritë të madhe kanë veprimtarët e shoqatës “Albanians for America” (Shqiptarët për Amerikën), si Doc Vranici, Gino Mulliqi, Gezim Rushiti e të tjerë për miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë që kanë krijuar me kongresistin Keith Self, nga Texas, i cili tani drejton NënKomitetin për Evropën në Komitetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

    Për më tepër, ata kanë krijuar lidhjen me kongresistin Brian Mast nga Florida, një veteran i luftës që i ka humbur të dy këmbët dhe që sot shërben në postin e fuqishëm të Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve. Këtë pozicion ka pasur dikur në fund të karrierës kongresisti Eliot Engel dhe pas tij, për disa vite kongresisti Gregory Meeks.

    Kongresisti Keith Self mori pjesë dhe mbajti fjalim në shtator të vitit të kaluar në darkën mbresëlënëse të Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro Amerikane (AARC), në Manhattan, ku u njoh edhe më mirë me forcën e komunitetit shqiptar në SHBA e ku merrnin pjesë si mysafirë nderi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Aty edhe mbajti një nga fjalimet më të mira në përkrahje të shqiptarëve. Të nesërmen ai u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Takime me të dhe kongresistë të tjerë kanë organizuar edhe Liga Qytetare e DioGuardit që drejtohet tani nga Agim Aliçkaj.

    Projektligji për Luginën e Preshevës u paraqit në fillim nga kongresisti Self në Nënkomitetin e tij dhe pastaj u referua për miratim në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë. Aty fitoi me votën e vendimtare 43-3.

    Ky rezultat sjell mesazhin e dytë, apo nxjerr në pah fenomenin tjetër, mbështjen për kauzën shqiptare në mbarë spektrin e politikës amerikane. Kjo ka qenë karakteristikë e vazhdueshme e lobimit shqiptar në Amerikë dhe mesa duket vazhdon edhe sot e kësaj dite me gjithë polarizimin në politikën amerikane. Republikanët dhe demokratët në Washington po ndahen për shumë gjëra këto ditë por u bashkuan për votën e Luginëss së Preshevës. Kjo nuk është rastësi, por rezultat i punës së shqiptarëve në Amerikë.

    Self dhe Mast janë republikanë përkatësisht nga Texas dhe Florida, kurse demokratët në këtë Komitet udhëhiqen nga Gregory Meeks, kongresist nga Queens, New York, i zgjedhur në Kongres që nga viti 1998 dhe tani anëtar i Lartë i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

    Pas largimit nga politika i kongresistit Engel, Meeks u bë demokrati më i fuqishëm në Komitet. Për të mos lejuar humbjen e ndikimit shqiptar, në një kohë ngadalësimi të lobimit tonë në SHBA, para disa vitesh, botuesi i gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami, në bashkëpunim me Halil Ahmetajn, veprimtar i njohur dhe pronar i disa restoranteve në Manhattan, organizuan një darkë të rëndësishme për të krijuar lidhje dhe bashkëpunim me zëvendësuesin e Engelit, kryetarin Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë, kongresistin Gregory Meeks.

    Me ftesën e tyre në takim mori pjesë edhe kongresistja e fuqishme Carolyn Maloney, kryetare e Komitetit të Mbikqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve si dhe kongresisti Mondaire Jones.

    Botuesi i gazetës “Illyria”, autor dhe ish drejtor i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës”, gjatë takimit me tre kongresistët për të mbështetur fushatat e tyre elektorale, u dorëzoi atyre një dokument për Kosovën ku përfshihej edhe kërkesa që Kongresi të ndikojë tek administrata amerikane për ta detyruar Serbinë që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë të drejtat që kanë serbët e Kosovës.

    Komuniteti iu përgjigj ftesës së Vehbiut dhe Halilit. Mes pjesëmarrësve në takimin prezantues ishte Jim Xhema, figurë e madhe e lobimit shqiptar në SHBA si dhe Christopher Hyland, njeriu që prezantoi komunitetin shqiptar me kandidatin për President, Bill Clinton, në vitin 1992. Marash Nucullaj kishte udhëtuar nga Detroiti për të dëshmuar se shqiptarët mbeten të bashkuar pavarësisht se nga cilat troje vijnë e ku banojnë në SHBA. Për të folur për çështjen e Vëllezërve Bytyçi, që u vranë nga forcat serbe në vitin 1999, kishte ardhur Ilir Bytyçi, i cili ka dëshmuar dhe në Kongresin Amerikan.

    Që atëherë, Vehbi Bajrami ka mbajtur një raport bashkëpunimi me zyrën e kongresistit Meeks e të tjerë, duke e ushqyer me raporte dhe propozime për të ndihmuar Kosovën, ngritjen e Forcave të Armatosura të saj, hyrjen në NATO, shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi etj.

    “Në një nga takimet e shpeshta që kam pasur me kongresistin Meeks”, thotë Bajrami, “i shpreha shqetësimin për humbjen e kongresistit Eliot Engel, duke shtuar se shqiptarët humbën një kampion të mbrojtjes së Kosovës në Kongres. Më tha: ‘Tani më keni mua aty në Kongres në vend të tij. Unë do të jem përkrahës i Kosovës. Para bombardimeve të NATO-s në Serbi, vazhdoi ai, unë e mbështeta presidentin Clinton kur ai kërkoi ndihmën time. Më tha se e ndjente veten fajtor që nuk mundi të ndihmonte kundër gjenocidit në Ruanda dhe tani nuk mund të mos ndihmonte Kosovën’”.

    Këto lidhje kanë qenë të rëndësishme që projektligji për Luginën, i cili u propozua nga republikanët Self dhe Mast, të merrte mbështetjen edhe nga opozita demokrate.

    “Vota për projektligjin në Kongresin Amerikan është një arritje e jashtëzakonshme dhe për këtë një meritë të veçantë kanë aktivistët e Texas-it, bashkë me Faton Bislimin dhe Lidhjen Qytetare Shqiptaro – Amerikane. U jam mirënjohës të gjithë kongresistëve që votuan për projektligjin e veçanërisht kongresistëve Keith Self dhe Gregory Meeks, ky i fundit një mik imi për shumë vjet”, shprehet për këtë ngjarje botuesi Vehbi Bajrami. “Megjithatë, lobimi për të drejtat e shqiptarëve në Serbi, në Washington ka filluar më heret. Personi që ka bërë më së shumti në këtë drejtim nga Lugina e Preshevës dhe i pari që ka denoncuar pasivizimin e adresave është Prof.Muharrem Salihu, në kohën kur ishte këshilltar komunal në Medvegjë. Aktiviteti i tij ka qenë tejet i rëndësishëm për njohjen e Kongresit dhe institucioneve evropiane për pasivizimin e adresave nga qeveria serbe dhe shkeljet e tjera të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

    Bajrami tregon se si bashkë me prof. Muharrem Salihun dhe Skender Perollin në vitin 2019 u takuan në New York dhe Washington me kongresistin Eliot Engel dhe Robert Hand nga Komisioni i Helsinkit, organ ky i themeluar nga Kongresi Amerikan për të monitoruar të drejtat e njeriut në Evropë.

    “Dëshmia e Prof. Muharrem Salihut gjatë këtyre takimeve shërbeu si bazë e projektrezolutës në Kongresin Amerikan”, thotë ai. “Salihu gjatë këtyre takimeve në Washington dhe më pas në Komisionin e Helsinkit në Beograd, që drejtohet nga humanistja Sonja Biserko, paraqiti dokumente mbi diskriminimin e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe ato u morën si bazë faktografike e shkeljes së të drejtave të njeriut”.

    Si tregon botuesi i gazetës “Illyria”, zyrtarët amerikanë më pas udhëzuan ambasadën e SHBA-së dhe Komisionin e Helsinkit në Beograd që të merren me këtë problem dhe vijuan pastaj vizitat e ambasadorit amerikan dhe Sonja Biserkos (drejtuese e Komisionit të Helsinkit në Beograd) në Luginën e Preshevës për t’u njohur me diskriminimin e shqiptarëve.

    Robert Hand i rekomandoi prof. Salihut të takohej edhe me ambasadorin e OKB-së për pakicat në Hagë, Lamberto Zanier, ish administrator në Kosovë pas Lufte. Prof. Salihu u takua edhe me të dhe e informoi me fakte për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi nga qeveria serbe.

    Bajrami shton se raporti i Komisionit të Helsinkit i bazuar nga dëshmitë e Prof. Salihut është referenca më relevante në tryezat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe projekligjin aktual në Kongresin Amerikan.

    Hapi tjetër tani do të jetë miratimi nga mbarë Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, e cila ka 435 anëtarë.

    Vehbi Bajrami, i cili e ka vendlindjen pikërisht në Luginën e Preshevës, u shpreh me këtë rast se shqiptarët duhet të organizohen dhe të përdorin të gjithë lidhjet e tyre kur të vijë dita e votimit në Dhomën e Përfaqësuesve.

    Viteve të fundit ai ka bashkëpunuar me disa kongresistë amerikanë për të lobuar për Kosovën, Preshevën dhe çështjet shqiptare në Ballkan. Të paktën tre prej tyre, pas kërkesës sl tij, kanë pranuar të bëhen anëtarë të Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongres: Grace Meng, Seth Moulton dhe Joe Morelle.

    Vitin e kaluar, Jim Xhema bashkë me të dhe aktivistë të tjerë të komunitetit në New York, organizoi një mbrëmje për të mbështetur senatorin e fuqishëm, John Thune, i cili më pas u zgjodh udhëheqës i shumicës në Senatin Amerikan. Aktivistët, në mesin e kërkesave, të cilat iu paraqitën në formë të shkruar nga z. Bajrami, ishte që Kosova të anëtarësohej në NATO si mënyra më e mirë për sigurinë e saj nga Serbia si dhe stabilitetin e rajonit ballkanik.

    “Ka zëra se ndikimi i diasporës shqiptare në Kongres, Senat e Shtëpinë e Bardhë është zbehur. Kjo nuk është e vërtetë. Aktivistët shqiptarë kanë lidhje me shumë ligjvënës amerikanë dhe me zyrtarë të tjerë të lartë në administratën amerikane. Me këtë rast do të veçoja senatorin John Thune, udhëheqës i shumicës në Senatin Amerikan dhe John Ratcliffe, drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA). Vendimet e mëdha presidenti amerikan nuk i merr pa mendimin ose aprovimin e kryetarit të Senatit dhe CIA-s. Megjithatë, qeveria e Kosovës duhet të kontraktojë një firmë të fuqishme lobuese në Washington, e cila do të forconte edhe më shumë lidhjet e Kosovës me Amerikën dhe do të demantone gënjeshtrat e lobistëve të paguar nga Serbia në Washington, që po punojnë fort në favor të Serbisë e në dëm të Kosovës. Kjo firmë do të ndihmonte aktivitetin lobues të ambasadave tona e të komunitetit, i cili mbetet forcë e pazëvendësueshme e këtij lobimi”, thotë z. Bajrami.

    “Kur të afrohet dita e miratimit të projektligjit për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi nga Dhoma e Përfaqësuesve, shqiptarët në Amerikë duhet të organizohen. Të kontaktojmë të gjithë kongresistët që njohim dhe t’u kërkojmë të votojnë për projektligjin, madje të bindin edhe kolegë të tjerë”.

    Angazhimi i shqiptarëve me politikën amerikane ka dëshmuar që jep fryte. Ai është jetik për fatin e kombit shqiptar dhe i shërben jo vetëm shqiptarëve por edhe vetë sigurisë së Amerikës.

    Jim Xhema (djathtas) me Senatorin John Thune, kryetar i Shumicës, në Senatin Amerikan, gjatë një takimi vitin e kaluar në New York me aktivistë të komunitetit për të mbështetur fushatën elektorale të senatorit amerikan.
    Kongresisti Keith Self gjatë një takimi me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti në New York (shtator 2025).
    Kongresisti Keith Self me presidenten e Kosovës. Vjosa Osmani gjatë një takimi në Texas (maj 2024).
    Nga e majta, Don Vranici, kryetari i Komitetit Brian Mast, Gezim Rushiti, dhe Gino Mulliqi.
    Vehbi Bajrami (majtas) me kongresistin Gregory Meeks.
    Kongresisti Keith Self (majtas) me kryetarin e Albanian American Relation Council (AARC) Martin Vulaj.
    Prof. Muharrem Salihu, në zyrën e tij në Medvegjë, duke i paraqitur dëshmitë mbi diskriminimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës znj. Sonja Biserko, kryetare e Komisionit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi.
    Prof. Muharrem Salihu (në mes) me kongresistin Eliot Engel (majtas) dhe Skeder Perollin gjatë vizitës në Washington.
    Prof. Salihu me Robert Hand (në mes) dhe Skender Perollin gjatë takimit në Washington.
    Pas një mbrëmje në restorantin e Halil Ahmetajt në Manhattan me liderët e Luginës së Preshevës. Nga e majta: Halil Ahmetaj, Ragmi Mustafi, Faton Bislimi, Vehbi Bajrami, Ardita Sinani, Christopher Hyland, Nagip Arifi, ambasadori Blerim Reka, Raba Ahmetaj, Shaip Kamberi, Gena Bajrami dhe Besim Berisha.
    Vizitë në Medvegjë verën e kaluar për t’u njohur me diskriminimin e shqiptarëve. Nga e majta: Mexhid Mehmeti, Rini Bajrami, Vehbi Bajrami, Muharrem Salihu dhe Ramadan Muçolli.
    Kongresisti Gregory Meeks dhe Vehbi e Gena Bajrami
    Pamje nga kakimi me kongresistët Meeks, Malony dhe Johns në Manhattan.
    Disa nga aktivistët e komunitetit pas takimit me kongresistët amerikanë.
    Nga e majta, Gino Mulliqi, Tony Marke, Burim Rexhaj, Eli Rusi, kongresisti Keith Self, Martin Vulaj dhe Doc Vraniqi, në mbrëmjen e organizuar në shtator të vitit të kaluar nga Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro Amerikane (AARC).
    Delegacioni i Luginës së Preshevës në Kongresin e SHBA-së.
    Nga e majta: Senatori John Thune, dr. Rifat Latifi, Raba Ahmetaj, Betim Ahmetaj dhe Halil Ahmetaj.
    Senatori John Thune dhe Vehbi Bajrami.
    Nga e majta, Vehbi Bajrami, Christopher Hyland, Jim Xhema, Halil Ahmetaj.
  • IKShPK-ja tregon zonat ku nuk rekomandohet uji për pije

    IKShPK-ja tregon zonat ku nuk rekomandohet uji për pije

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se po vazhdon monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit për pije në të gjithë vendin.

    Sipas njoftimit zyrtar, në disa zona uji nuk rekomandohet për pije, ndërsa në disa raste furnizimi me ujë është ndërprerë.

    Zonat e prekura janë:

    Rajoni i Prishtinës

    Fabrika për trajtimin e ujit Badoc
    Vragoli

    Rajoni i Ferizajt

    Han i Elezit – nga burimi i Dimcës (furnizimi me ujë është ndërprerë)
    Rajoni i Gjilanit

    Viti (furnizimi me ujë është ndërprerë)
    Kamenicë – Stacioni i pompimit nr. 2, Bahqja dhe fshati Berivojcë

    Rajoni i Pejës

    Klinë – rrjeti nga puset dhe rrjeti nga burimi Jarinë

    Rajoni i Gjakovës

    Burimet Opterushë dhe Zaqishtë

    Rajoni i Prizrenit

    Malishevë
    IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të mos e përdorin ujin për pije në këto zona deri në njoftimin e radhës dhe të ndjekin rekomandimet e institucioneve përkatëse.

  • Gjermania me paralajmërim zyrtar për udhëtimin drejt SHBA-së

    Gjermania me paralajmërim zyrtar për udhëtimin drejt SHBA-së

    Gjermania ka lëshuar një paralajmërim për udhëtimin për qytetarët e saj që udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara, duke përmendur rreziqet që lidhen me zbatimin e ligjit për imigracionin dhe situatat e rendit publik.

    Ministria e Jashtme Federale e Gjermanisë tha në një njoftim të martën, se qytetarët gjermanë duhet të jenë të vetëdijshëm për demonstratat dhe përplasjet me autoritetet amerikane të migracionit dhe sigurisë.

    “Në Minneapolis dhe qytete të tjera, demonstratat ndonjëherë çojnë në përplasje të dhunshme me autoritetet e migracionit dhe sigurisë”, thuhet në deklaratë.

    “Jini vigjilentë dhe qëndroni larg turmave ku mund të ndodhë dhunë”, thuhet në të.

    Protesta janë mbajtur në Minneapolis, Minesota dhe qytete të tjera kundër veprimeve të oficerëve të Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe Patrullës Kufitare që zbatojnë masat e presidentit Donald Trump për goditjen e imigracionit. Të shtunën, agjentët federalë qëlluan për vdekje Alex Pretti në Minneapolis.

    Gjermania tashmë kishte një njoftim për udhëtimin për stuhinë e rëndë që godet SHBA-në.

  • Komuna e Kamenicës ofron kurse profesionale falas për të papunët

    Komuna e Kamenicës ofron kurse profesionale falas për të papunët

    Komuna e Kamenicës njofton se Qendra për Aftësim Profesional – QAP Gjilan, në kuadër të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës / MFPT, ofron kurse profesionale intensive, të certifikuara dhe falas, të përshtatura sipas kërkesave të tregut të punës.

    Pjesëmarrësve u mundësohet:

    Pjesëmarrje pa pagesë
    Pjesëmarrje për persona të papunë
    Mundësi reale për integrim në tregun e punës

    Regjistrimi mund të bëhet përmes Zyrave të Punësimit në Gjilan, Kamenicë dhe Viti.

    Për më shumë informacion, qytetarët mund të kontaktojnë Zyrën e Punësimit përkatëse.

  • BE-ja dhe India arrijnë marrëveshje tregtare

    BE-ja dhe India arrijnë marrëveshje tregtare

    Bashkimi Evropian dhe India njoftuan për arritjen e asaj që po konsiderohet si marrëveshja më e madhe tregtare – pakt që krijon një treg për 2 miliardë njerëz, i cili u arrit pas dy dekadash negociata.

    Shefat e BE-së dhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi, thanë se shpresojnë që marrëveshja do të ndihmojë në mbrojtjen ndaj sfidave që vijnë nga dy ekonomitë kryesore të botës, Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

    Marrëveshja do të ulë ose eliminojë tarifat për pothuajse 97 për qind të eksporteve evropiane, duke kursyer deri në 4 miliardë euro në vit nga detyrimet doganore, njoftoi blloku evropian prej 27 shtetesh, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Nëna e të gjitha marrëveshjeve”, tha Modi në Nju Deli, kur u takua të martën me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

    “Kjo marrëveshje do të sjellë shumë mundësi për 1.4 miliard banorët e Indisë dhe për miliona njerëz në BE”, tha Modi, duke shtuar se marrëveshja “paraqet rreth 25 për qind të GDP-së globale dhe një të tretën e tregtisë globale”.

    BE-ja e ka parë Indinë – vendin më të populluar në botë – si një treg të rëndësishëm për të ardhmen.

    “Evropa dhe India po bëjnë histori sot”, tha von der Leyen përmes një deklarate.

    “Kemi krijuar një zonë të tregtisë së lirë me 2 miliardë njerëz, nga e cila do të përfitojnë të dyja palët”.

    Zyrtarët e BE-së thanë se marrëveshja ishte më ambiciozja që India ka pranuar ndonjëherë, dhe se kompanitë evropiane do të përfitojnë nga i ashtuquajturi “avantazh i hyrjes në treg si të parët”.

    Sektorët kryesorë evropianë të bujqësisë, industrisë automobilistike dhe shërbimeve pritet të përfitojnë nga marrëveshja.

    Megjithatë, sektorët e ndjeshëm bujqësorë, si ai i mishit të viçit, orizit dhe sheqerit – përfshirja e të cilave në një marrëveshje të mëhershme mes bllokut evropian dhe Amerikës së Jugut, Mercosur, nxiti zemërim në mesin e fermerëve evropianë – u lanë jashtë kësaj marrëveshjeje.

    Nju Delhi e sheh bllokun evropian si një burim të rëndësishëm të teknologjisë dhe investimeve shumë të nevojshme për të rritur infrastrukturën e saj dhe për të krijuar miliona vende të reja pune.

    Marrëveshja përfshin gjithashtu një partneritet në fushën e sigurisë, duke ofruar “mundësi të reja” për kompanitë e mbrojtjes, tha Modi.

    Tregtia dypalëshe e mallrave mes BE-së dhe Indisë arriti në 120 miliardë euro në vitin 2024, një rritje prej gati 90 për qind gjatë dekadës së fundit, sipas të dhënave të BE-së, ndërsa edhe 60 miliardë euro të tjera ishin në tregtinë e shërbimeve.

    Sipas bllokut, në kuadër të marrëveshjes, India pritet të lehtësojë qasjen në treg, ndërsa kompanitë evropiane do të kenë qasje të privilegjuar në tregun e Indisë për shërbime financiare dhe të transportit detar.

    Tarifat për makinat do të ulen gradualisht nga niveli maksimal prej 110 për qind në deri në 10 për qind, ndërsa tarifat për verërat do të bien në mënyrë progresive nga 150 për qind në deri në 20 për qind.

    Sipas BE-së, tarifat aktuale prej 50 për qind për ushqimet e përpunuara – përfshirë makaronat dhe çokollatën – do të hiqen plotësisht.

    Marrëveshja vjen në kohën kur Brukseli dhe Nju Deli po synojnë të hapen ndaj tregjeve të reja në dritë të tarifave amerikane dhe kontrolleve të vendosura nga Kina për eksportet.

    India pritet të bëhet ekonomia e katërt më e madhe në botë gjatë këtij viti, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

    Nju Delhi, që për dekada është mbështetur te Moska për pajisje kryesore ushtarake, vitet e fundit është përpjekur ta ulë varësinë nga Rusia duke diversifikuar importet dhe duke nxitur prodhimin e vet vendas.

    Evropa po bën të njëjtën gjë sa i përket Shteteve të Bashkuara./REL