ATV

Category: Lajme

  • Francë: Ndalohet përdorimi i mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç

    Francë: Ndalohet përdorimi i mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç

    Ligjvënësit francezë kanë miratuar një projektligj që ndalon përdorimin e mediave sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç. Ligji pritet të hyjë në fuqi në shtator, në fillim të vitit të ri shkollor.

    Masa, e mbështetur fuqimisht nga presidenti Emmanuel Macron, ndalon gjithashtu përdorimin e telefonave celularë në shkollat e mesme dhe konsiderohet një hap për mbrojtjen e fëmijëve nga efektet e dëmshme të rrjeteve sociale, përfshirë uljen e vetëvlerësimit dhe ekspozimin ndaj përmbajtjeve të rrezikshme.

    Projektligji është në përputhje me Aktin e Shërbimeve Dixhitale të Bashkimit Evropian dhe vjen në një kohë kur edhe vende të tjera evropiane, si Britania, po shqyrtojnë masa të ngjashme.

    Raportet shëndetësore në Francë tregojnë se shumica e adoleshentëve përdorin çdo ditë smartphone për të hyrë në internet, ndërsa disa familje kanë paditur TikTok për raste vetëvrasjesh të lidhura me përmbajtje të dëmshme.

    Ndalimi nuk prek platformat edukative apo shkencore, ndërsa shembuj si ai i Australisë, ku rrjetet sociale janë ndaluar për përdoruesit nën 16 vjeç dhe janë mbyllur miliona llogari, tregojnë se kjo është një çështje që po fiton vrull globalisht.

  • Ndalohen për 48 orë tre zyrtarët e arrestuar të Komunë së Prishtinës

    Ndalohen për 48 orë tre zyrtarët e arrestuar të Komunë së Prishtinës

    Prokuroria Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orë, tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës të arrestuar të martën për ryshfet.

    Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

    “E konfirmoj se prokurori i shtetit ka marrë aktvendimin për ndalimin e tre personave në kohëzgjatje prej 48 orësh, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në bazë të nenit 414 të KPRK-së, dhe veprën penale “Marrje e ryshfetit” sipas nenit 421 të KPRK-së”, tha Shala.

    Prokuroria ka bërë të ditur se njëri nga të arrestuarit është kapur në flagrancë.

    Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe telefona që sipas Prokurorisë do të shërbejnë si prova.

    “Janë sekuestruar edhe telefona si prove e cila di të shërbejnë në zhvillimin e mëtejshëm të procedurës hetimore. Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor do të parashtroje kërkesë me shkrim gjykatës kompetente për caktimin e ndonjë prej masave ndaj te dyshuarve”, ka thënë Shala.

    Për rastin ka reaguar edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama. Ai ka thënë se kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik.

  • BE ndan 171 milionë euro për rajonin, Kosova nuk përfiton për shkak të mungesës së ratifikimit

    BE ndan 171 milionë euro për rajonin, Kosova nuk përfiton për shkak të mungesës së ratifikimit

    Komisioni Evropian ka njoftuar ndarjen e 171 milionë eurove për mbështetjen e zhvillimit të infrastrukturës dhe forcimin e sektorit privat në vendet e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, Kosova nuk do të përfitojë nga këto fonde.

    Sipas Komisionit Evropian, Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa, pasi nuk ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor.

    “Sa i përket Kosovës, ajo ende nuk ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa. Prandaj, Kosova nuk mund të përfitojë nga fondet e këtij instrumenti. Shpresojmë që kjo çështje të zgjidhet së shpejti”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.

    Nga shuma e përgjithshme e ndarë, 94.7 milionë euro janë të dedikuara për investime infrastrukturore, 76.3 milionë euro për mbështetjen e sektorit privat, ndërsa 2.9 milionë euro për katër projekte të asistencës teknike në Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë. Këto projekte synojnë përgatitjen e investimeve të ardhshme në sektorët e energjisë, furnizimit me ujë, inovacionit dhe kërkimit.

    Sipas KE-së, fondet për projektet infrastrukturore pritet të mobilizojnë rreth 263 milionë euro investime përmes shtatë projekteve në sektorë prioritarë, përfshirë digjitalizimin, energjinë e pastër, kapitalin njerëzor, transportin dhe mbrojtjen e mjedisit.

    Projektet konkrete përfshijnë shtrirjen e infrastrukturës së internetit me brez të gjerë në Shqipëri, përmirësimin e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, si dhe ndërtimin dhe rinovimin efikas energjetik të objekteve arsimore në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.

    Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka theksuar se investimi në vendet e Ballkanit Perëndimor është kyç për afrimin e tyre me Bashkimin Evropian, duke shtuar se këto projekte krijojnë mundësi konkrete për qytetarët dhe forcojnë ndërlidhjen rajonale.

    Paketa e re e mbështetjes përfshin kontribute nga Instrumenti për Ndihmë të Para-Anëtarësimit (IPA), donatorë bilateralë përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, si dhe Instrumentin për Reforma dhe Rritje.

    Pas miratimit nga Bordi Operativ i Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, projektet do të kalojnë në fazën e zbatimit, duke përfshirë finalizimin e marrëveshjeve përkatëse, nisjen e studimeve përgatitore dhe përmbushjen e procedurave të nevojshme për realizimin e investimeve.

  • ShBA do të dërgojë agjentë të ICE në Lojërat Olimpike Dimërore në Milano

    ShBA do të dërgojë agjentë të ICE në Lojërat Olimpike Dimërore në Milano

    Agjencia amerikane e imigracionit, oficerët e së cilës kanë qenë të përfshirë në dy të shtëna fatale në Minneapolis, ka thënë se po dërgon agjentë për të ndihmuar në mbështetjen e operacioneve amerikane të sigurisë gjatë Lojërave Olimpike Dimërore, të cilat fillojnë në Itali më 6 shkurt.

    Konfirmimi i rolit të agjencisë erdhi Immigration and Customs Enforcement (ICE), pasi raportet shkaktuan alarm dhe zemërim në Itali.

    “Kjo është një milici që vret… sigurisht që nuk janë të mirëpritur në Milano”, tha kryetari i bashkisë së qytetit, Beppe Sala, për radion italiane të martën.

    Një zëdhënës i ICE theksoi se “të gjitha operacionet e sigurisë mbeten nën autoritetin italian”.

    Burime të ambasadës amerikane në Romë kishin shpjeguar tashmë për mediat italiane se agjenci të ndryshme federale kishin punuar në lojërat e mëparshme në të kaluarën, megjithëse nuk ishte e qartë nëse ICE kishte marrë pjesë vetë.

    Deklarata e agjencisë të martën shpjegoi se “Hetimet e Sigurisë Kombëtare (HSI) të ICE po mbështesin Shërbimin e Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe kombin pritës për të verifikuar dhe zbutur rreziqet nga organizatat kriminale transnacionale”.

    Ajo “natyrisht” nuk do të kryejë operacione zbatimi të imigracionit jashtë SHBA-së, tha ajo.

    Deklarata iu dha agjencisë së lajmeve AFP dhe u konfirmua nga burime të ambasadës për Associated Press. BBC gjithashtu i është drejtuar Departamentit të Sigurisë Kombëtare për koment.

    Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Pantedosi, fillimisht dukej i painformuar se zyrtarët amerikanë të imigracionit do të vinin në Lojërat Olimpike Milano-Cortina dhe tha se edhe nëse do të vinin, delegacionet e huaja mund të zgjidhnin vetë sigurinë e tyre, duke thënë: “Nuk e shoh se cili është problemi dhe është shumë normale”.

  • Kurti, Osmani dhe Basha përkujtojnë viktimat e Holokaustit në Prishtinë

    Kurti, Osmani dhe Basha përkujtojnë viktimat e Holokaustit në Prishtinë

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit së bashku me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryetarin në detyrë të Kuvendit, Dimal Basha kanë vënë kurorë me lule në përkujtim të të gjitha viktimave që u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Kurti ka thënë se këto krime mizore dhe vuajtje çnjerëzore i dhanë njohje ndërkombëtare konceptit të gjenocidit.

    “Pranë pllakës që shënon sinagogën e fundit në Kosovë, e cila ishte pjesë e çarshisë së vjetër të Prishtinës, në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit, bashkë me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani dhe Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha vumë kurorë me lule në përkujtim të të gjitha viktimave që u vranë me plumba dhe gaz, që u dogjën në krematoriume, apo vdiqën nga kushtet e tmerrshme nëpër kampet e përqendrimit dhe nga aksionet e nazistëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Këto krime mizore dhe vuajtje çnjerëzore i dhanë njohje ndërkombëtare konceptit të gjenocidit, përmes së cilit ne sot i emërtojmë aktet e vrasjeve dhe shkatërrimet e qëllimshme, të pjesshme apo të tërësishme, të një komuniteti të caktuar etnik, kombëtar, fetar apo racor”, ka shkruar Kurti në Facebook.

  • Arrestohet një person i dyshuar për vjedhje të rëndë në Prishtinë

    Arrestohet një person i dyshuar për vjedhje të rëndë në Prishtinë

    Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit ka arrestuar sot një person të dyshuar për kryerjen e veprës penale vjedhje e rëndë, e cila dyshohet se ka ndodhur më 28.02.2025 në fshatin Sharban të Prishtinës.

    I dyshuari ishte identifikuar më herët falë veprimeve operative dhe hetimore të Sektorit të Hetimeve të Kryeqytetit dhe ishte shpallur në kërkim policor. Si rezultat i këtyre veprimeve, ai është ndaluar dhe arrestuar gjatë ditës së sotme.

    Personi i dyshuar: M.M., 31 vjeç, shtetas i Malit të Zi, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është intervistuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale, si dhe në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

  • Nis auditim i performancës për lejet e ndërtimit në Ferizaj

    Nis auditim i performancës për lejet e ndërtimit në Ferizaj

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, ka njoftuar se ka filluar auditimin e performancës me temën “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Ferizajt”, i cili përfshin periudhën 2021–2025.

    Sipas njoftimit, auditimi synon të vlerësojë efikasitetin dhe efektivitetin e procesit të dhënies së lejeve për ndërtime të larta, duke filluar nga paraqitja e kërkesës për leje ndërtimore e deri në lëshimin e certifikatës së përdorimit.

    Po ashtu, përmes këtij procesi do të vlerësohet nëse mekanizmat ekzistues institucionalë sigurojnë transparencë, llogaridhënie dhe mbrojtje të interesit publik gjatë zhvillimit të projekteve ndërtimore.

    ZKA thekson se ky auditim është vazhdimësi e auditimeve të ngjashme të realizuara më herët në Komunën e Prishtinës dhe Komunën e Fushë Kosovës, komuna këto që karakterizohen me zhvillim të hovshëm të ndërtimeve të larta.

  • Komandanti i FSK-së priti në takim të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë dhe Atasheun e Japonisë

    Komandanti i FSK-së priti në takim të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë dhe Atasheun e Japonisë

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot në një takim zyrtar të Ngarkuarin me Punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki dhe atasheun Kolonel Tomofumi Iwasaki.

    Fillimisht Gjeneral Jashari i njoftoi zyrtarët Japonez për situatën e sigurisë në rajonin tonë dhe për zhvillimin e Forcës së Sigurisë Kosovës. Gjatë takimit u diskutuara për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FSK-së dhe Japonisë. Gjeneral Jashari vlerësoi lart marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe falënderoi shtetin japonez për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, veçanërisht përmes programeve të trajnimit dhe shkollimit.

    Në përmbyllje, të dyja palët shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dypalësh, duke konfirmuar përkushtimin për forcimin e partneritetit dhe sigurisë.

  • Prezantohet automobili vendas i Turqisë

    Prezantohet automobili vendas i Turqisë

    Automobili do të prodhohet në dy kategori, njëri do të mund të arrijë shpejtësinë 100 km. në orë në 4,8 sekonda, si dhe tjetri në 7,6 sekonda. Bateria e tij do të mund të ngarkohet deri në 80 për qind në më pak se 30 minuta

    Turqia prezantoi sot prototipin e automobilit vendas, të zhvilluar nga Grupi i Iniciativës së Automobilit të Turqisë (TOGG), raporton Anadolu Agency (AA).

    Ceremonia u realizua në Luginën e Informatikës në rrethin Gebze të provincës industriale Kocaeli, me pjesëmarrjen e shumë zyrtarëve të lartë, përfshirë presidentin Recep Tayyip Erdoğan, krerët e projektit, inxhinerë, ekspertë dhe të ftuar të tjerë.

    Në fjalën e tij në ceremoni, Erdoğan tha se Turqia sot po përjeton një ditë historike.

    “Sot po dëshmojmë një ditë historike për vendin tonë, realizimin e ëndrrës 60-vjeçare”, tha presidenti turk.

  • KQZ: Rinumërimi mbi 75 për qind, procesi pritet të përfundojë deri në fund të muajit

    KQZ: Rinumërimi mbi 75 për qind, procesi pritet të përfundojë deri në fund të muajit

    Mbi 75 për qind e vendvotimeve janë rinumëruar në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) planifikon që i gjithë procesi të përmbyllet deri në fund të këtij muaji, bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Elezi tha për Ekonomia Online se që nga 13 janari në QNR po zbatohen dy vendime të KQZ-së për rinumërimin e gjithsej 2 557 vendvotimeve, ku është zhvilluar procesi zgjedhor më 28 dhjetor.

    “Që nga data 13 janar dhe deri më sot, kur ka filluar dita e 15, në QNR është duke vazhduar zbatimi i dy vendimeve të KQZ-së, për rinumërimin e 914 vendvotimeve dhe ai për rinumërimin edhe të 1.643 vendvotimeve, që në përgjithësi kemi të bëjmë me rinumërimin e të gjitha vendvotimeve, 2.557, në të cilat është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor më 28 dhjetor. Numri i vendvotimeve që janë rinumëruar, kur shënon pak pas mesditës, është më shumë se 75 për qind dhe sigurisht se këto të dhëna do të ndryshojnë deri në orën 16:00, kur do të përfundojë orari i punës për ndërrimin e parë”, tha ai.

    Sipas Elezit, procesi po zhvillohet sipas planit të paraparë dhe në QNR janë të angazhuara 76 ekipe numërimi.

    “Fillimisht procesi i rinumërimit, i cili ka filluar me datë 13 janar, është duke vazhduar sipas planifikimeve të KQZ-së. Në përgjithësi në QNR janë 76 ekipe numërimi të cilat angazhohen gjatë gjithë ditës. Sipas planifikimeve dhe dinamikës që është duke u zhvilluar këtu në QNR, atëherë KQZ planifikon që procesi i rinumërimit për vendvotimet e mbetura pritet të përmbyllet deri në fund të këtij muaji, që i bie ditë e shtunë”, tha ai.

    Ai sqaroi se pas shpalljes së rezultatit përfundimtar në fillim të shkurtit, KQZ-ja do të presë afatet ligjore për ankesa para certifikimit të zgjedhjeve.

    “Fillimisht pas shpalljes së rezultatit përfundimtar në fillim të muajit shkurt, KQZ planifikon që të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme. Shpallja e rezultatit nuk nënkupton certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, sepse sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesat e tyre ndaj këtij rezultati fillimisht në PZAP dhe pastaj palët mund të ankohen edhe në Gjykatën Supreme nëse janë të pakënaqura me vendimin e PZAP-së. Pra, KQZ duhet të presë të kalojnë këto afate kohore para se të bëjë procedime të tjera. Koha se sa duhet që KQZ ta certifikojë rezultatin përfundimtar pasi të bëjë shpalljen e këtij rezultati varet krejtësisht nga ankesat të cilat mund të paraqiten ndaj rezultatit përfundimtar”, tha ai.