ATV

Category: Lajme

  • 2-vjeçari nga Anglia thyen rekorde Guinness në bilardo

    2-vjeçari nga Anglia thyen rekorde Guinness në bilardo

    Jude Owens, 2-vjeçari nga Anglia, ka thyer dy rekorde Guinness duke luajtur bilardo.

    Babai i djalit, Luke, tha se e dinte që Jude do të shkëlqente në këtë sport që herën e parë që mori një shkop në dorë.

    “Jude ka arritur shumë në një kohë kaq të shkurtër, por të kesh dy rekorde botërore, është ndoshta një moment kulmor”, tha Luke për Guinness World Records.

    “A mendoj se ai do të bëhet kampion bote një ditë? Si baba, gjithmonë shpreson që fëmijët e tu të bëjnë mirë në jetë, kështu që kjo do të ishte aspirata më e madhe nëse ai do ta arrinte këtë”, shtoi ai. /Telegrafi/

     

  • Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës bën thirrje për pjesëmarrje masive në Marshin e 17 shkurtit

    Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës bën thirrje për pjesëmarrje masive në Marshin e 17 shkurtit

    Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, përmes një deklarate publike, u ka bërë thirrje ish-të burgosurve politikë dhe qytetarëve të Kosovës për pjesëmarrje masive në Marshin e 17 shkurtit, me moton “Drejtësi, jo politikë”.

    Në deklaratë, përfaqësuesit e kësaj shoqate shprehin indinjatën e tyre ndaj, siç e quajnë, shkarjes së drejtësisë në Dhomat e Specializuara në Hagë.

    “Të fyer nga kjo gjykatë e ngritur nga Kosova, por e përdorur nga krimi antishqiptar ruso-serb dhe jo vetëm, si dhe nga simbolika poshtëruese e caktimit të seancave të ‘deklaratave përmbyllëse’ në procesin kryesor kundër Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, pikërisht në vigjilje të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ne, Shoqata e ish-të Burgosurve Politikë, mbështesim Marshin Protestues të thirrur nga shoqata ‘Liria ka Emër’ për datën 17 shkurt 2026”, thuhet në deklaratë.

    Më tej, SHBPK u bën thirrje degëve të saj në të gjithë Kosovën, ish-të burgosurve politikë, ish-ilegalëve, si dhe mbarë qytetarëve, që t’i bashkohen protestës kundër asaj që e cilësojnë si padrejtësi të Gjykatës Speciale ndaj ish-drejtuesve të Republikës së Kosovës, bartësve të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe shtetit të Kosovës.

    Shoqata po ashtu fton për bashkëpunim shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe institucionet lokale, për ngjeshjen e radhëve dhe krijimin e kushteve për pjesëmarrje sa më masive në Marshin e 17 shkurtit.

    “Liri për çlirimtarët”, përfundon deklarata e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës.

  • FSK-ja i bashkohet një operacioni të kërkim-shpëtimit në Shqipëri

    FSK-ja i bashkohet një operacioni të kërkim-shpëtimit në Shqipëri

    Forca e Sigurisë së Kosovës është duke e mbështetur Shqipërinë në një operacion kërkim-shpëtimi.

    Siç bëhet e ditur në njoftimin e FSK-së, me kërkesën e Republikës së Shqipërisë është angazhuar një kontigjent i kërkim-shpëtimit për të intervenuar në operacionin e kërkimit të një personi të humbur në rrjedhën e lumit Mat, njofton Dukagjini.

    “Forca e Sigurisë Kosovës mbështetë Shqipërinë në një operacion Kërkim – Shpëtimi

    Me kërkesën e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, Forca e Sigurisë Kosovës ka angazhuar një kontingjent të Kërkim-Shpëtimit, të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së, i cili i është bashkuar Operacionit në Kolosit, të Republikës së Shqipërisë, për të intervenuar në operacionin e kërkimit të një personi të humbur në rrjedhën e lumit Mat”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

  • Vërshimet e janarit, AME: U trajtuan mbi një mijë raste, ndërsa 42 persona u evakuuan nga zonat e rrezikut

    Vërshimet e janarit, AME: U trajtuan mbi një mijë raste, ndërsa 42 persona u evakuuan nga zonat e rrezikut

    Drejtoria e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent kanë bërë të ditur se në kuadër të koordinimit operacional për vërshimet me të cilat u përballën disa zona të Kosovës, na janar të këtij viti, kanë trajtuar mbi një mijë raste, ndërsa kanë realizuar 194 intervenime në vërshime si dhe kanë evakuuar 42 persona nga zonat e rrezikut, raporton Ekonomia Online.

    Kështu ka bërë të ditur Drejtori i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME), Shefki Abdullahu, në konferencën për media të thirrur pikërisht për të dhënë detaje për situatën e krijuar nga vërshimet e fundit, e ku edhe tha se kanë nxjerrë rekomandime, e ndër to është edhe ndaimi i ndërtimeve në zonat më të rrezikuara nga vërshimet.

    “Niveli qendror dhe ai lokal kanë qenë në gatishmëri të plotë që nga momentet e para, duke koordinuar të gjitha aktivitetet bazuar në situatën e krijuar në terren. Pas paralajmërimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, kemi aktivizuar me të gjitha kapacitetet Qendrën Operative të AME-së, ndërsa të gjitha kërkesat e pranuara përmes Qendrës Operative Regjionale 112 janë proceduar pa vonesa, duke mundësuar një reagim të shpejtë, të koordinuar dhe efikas në të gjitha zonat e prekura”, tregoi ai.

    Ai paraqiti edhe të dhënat statistikore për koordinimin operacional gjatë kësaj situate.

    “Në kuadër të koordinimit operacional janë trajtuar gjithsej 1,007 raste, janë realizuar 196 intervenime në vërshime, 24 thithje uji me pompa të kapacitetit të lartë, 63 intervenime teknike, si dhe janë evakuuar 42 persona nga zonat me rrezik”, bëri të ditur drejtori i AME-së.

    Abdullahu foli edhe për vlerësimin e rrezikut të pendës në komunën e Malishevës, i cili është realizuar nga ekspertët institucionalë.

    “Zyrtarët e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, në bashkëpunim me ekspertë nga ministritë përkatëse, kanë realizuar vlerësimin e rrezikut të pendës në komunën e Malishevës, ndërsa nga raporti vlerësues rezulton se shkaktarët e vërshimeve lidhen me dëmtime në trupin e pendës, mangësi në ndërtimin e saj, si dhe me reshjet e mëdha atmosferike dhe grumbullimin e sasive të mëdha të ujërave që kanë tejkaluar kapacitetet grumbulluese të ujëmbledhësit”, tha ai.

    Në vlerësimin e tij, reagimi ndaj kësaj situate ka qenë i suksesshëm, por kërkon përmirësime të vazhdueshme.

    “I gjithë reagimi institucional në këtë situatë me vërshimet ka qenë i suksesshëm dhe ka parandaluar pasoja më të rënda për jetën e qytetarëve dhe infrastrukturën kritike, gjë që dëshmon për efikasitetin institucional. Megjithatë, mbetet e nevojshme që të ndërmerren veprime konkrete për ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe përmirësimin e pajisjeve”, u shpreh Abdullahu.

    Drejtori i AME-së paraqiti rekomandimet kryesore të dala nga analizat dhe vlerësimet e agjencisë.

    “Nga analizat dhe vlerësimet tona kemi nxjerrë disa rekomandime konkrete, duke përfshirë pastrimin dhe mirëmbajtjen e rregullt të shtretërve të lumenjve, monitorimin e vazhdueshëm të zonave me rrezik të lartë, hartimin dhe zbatimin e planeve lokale për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore, ndarjen e qartë të përgjegjësive ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, ndalimin e ndërtimeve në zona të rrezikuara nga vërshimet, rritjen e kapaciteteve të reagimit emergjent përmes trajnimeve dhe pajisjes adekuate, si dhe forcimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm”, tha ai.

    Gjitha këto veprime, ai thotë të jenë marrë në bashkëpunim ndërinstitucional.

    “Ekipet e specializuara të AME-së, Njësitë e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës dhe Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim kanë realizuar intervenime të shumta, të cilat kanë përfshirë thithjen e ujit me pompa të kapacitetit të lartë në objekte me rëndësi të veçantë në KEK dhe KESCO, vendosjen e barrierave kundër vërshimeve dhe thasëve me rërë në Mitrovicë, si dhe evakuimin e qytetarëve nga zonat e rrezikuara”, theksoi Abdullahu.

    Vërshimet kanë prekur disa komuna të Republikës së Kosovës, përfshirë Malishevën, Gjakovën, Klinën, Junikun, Drenasin, Skenderajn, Mitrovicën, Suharekën, Gjilanin dhe Prishtinën.

  • Shtyhet për 27 shkurt fillimi i procesit të dytë gjyqësor ndaj Hashim Thaçit

    Shtyhet për 27 shkurt fillimi i procesit të dytë gjyqësor ndaj Hashim Thaçit

    Gjykata Speciale ka njoftuar se fillimi i gjykimit në çështjen kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit është shtyrë për datën 27 shkurt.

    Rasti ishte paraparë të niste më 24 shkurt.

    “Më 28 janar 2026, Gjykatësi i Vetëm Kristofer Gosnell miratoi pjesërisht kërkesën e Mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe urdhëroi që gjykimi në çështjen kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit të fillojë të premten, 27 shkurt 2026, në vend se më 24 shkurt, siç ishte caktuar më parë”, thuhet në një njoftim.

    Ky është procesi i dytë në Hagë ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Në këtë që pritet të nisë tash më 27 shkurt do të paraqiten tre dëshmitarë, natyra dhe përmbajtja e të cilëve është zbuluar nga Prokuroria.

  • Njofton KQZ: Të premten pritet të përfundojë rinumërimi

    Njofton KQZ: Të premten pritet të përfundojë rinumërimi

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke planifikuar që procesin e rinumërimit të vendvotimeve ta përmbyllë të premtën, më 30 janar.

    Lajmi është konfimuar për Klankosova.tv nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se sot, rinumërimi ka hyrë në ditën e 17-të.

    “Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e enjte, 29 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar rreth 88% apo 2,245 nga 2,557 vendvotime. Pra, numri i përgjithshëm i komunave që deri më tani kanë përmbyllur rinumërimin janë 34, ndërkaq kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 312 vendvotime që i takojnë 4 komuave të fundit nga ky proces”, tha Elezi.

    Sipas tij, “rinumërimi i vendvotimeve të mbetura besojmë se do të kryhet gjatë këtyre dy ditëve”.

    I pyetur se nëse rezultatet përfundimtare do të shpallen të premtën, pas përfunimit të rinumërimit, Elezi tha se kjo varet nga ora se kur do të përfundojë rinumërimi dhe se për këtë do të vendosë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Elezi ka njoftuar ditë më parë se “pas përfundimit të rinumërimit, KQZ do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme. Natyrisht, procesi i rinumërimit i heq të gjitha dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, por KQZ duhet të presë afatin për paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”.

    Për rinumërim, KQZ kishte marrë dy vendime, sipas të cilave, ky proces përfshin të gjitha vendvotimet ku është zhvilluar votimi i rregullt më 28 dhjetor 2025. Sipas vendimit të parë të KQZ-së, më 13 janar 2026, në 10 komuna ishte planifikuar të rinumëroheshin 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, vetëm nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut). Por, pas vendimit të dytë të KQZ-së, më 19 janar 2026, në proces të rinumërimit u përfshin edhe vendvotimet tjera të këtyre komunave.

  • Rinumërimi në Pejë, ish-kandidatit të VV-së për kryetar komune i hiqen rreth 1 mijë vota

    Rinumërimi në Pejë, ish-kandidatit të VV-së për kryetar komune i hiqen rreth 1 mijë vota

    Ish-kandidatit për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi, pas përmbylljes së rinumërimit në Komunën e Pejës, i janë hequr 955 vota.

    Procesi i rinumërimit në nivel të vendit ka nisur me vendim të KQZ-së, meqë përgjatë procesit të rinumërimit të pjesshëm në Prizren ishin shfaqur manipulime të mëdha në votat e deputetëve brenda partive politike.

    Deri tani në faqen e KQZ-së tregohet se procesi i rinumërimit në të gjithë vendin ka shkuar afër 90% dhe me shumë gjasë mund të përmbyllet gjatë ditës.

  • Përfundon seanca në rastin e Liridona Ademajt, e radhës më 11 shkurt

    Përfundon seanca në rastin e Liridona Ademajt, e radhës më 11 shkurt

    Gjyqi ndaj tre të akuzuarve, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të dyshuar për planifikimin dhe kryerjen e vrasjes së Liridona Ademajt, ka përfunduar.Seanca u mbajt në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Seanca e radhës është caktuar për më 11 shkurt.

  • Vrau nënën e tij duke ushtruar dhunë fizike, Prokuroria del me detaje të reja për rastin e rëndë në Restelicë

    Vrau nënën e tij duke ushtruar dhunë fizike, Prokuroria del me detaje të reja për rastin e rëndë në Restelicë

    Prokuroria Themelore në Prizren ka dalë me njoftim në lidhje me rastin e rëndë që ndodhi para pak dite në fshatin Restelicë të Dragashit, ku një person dyshohet se ka vrarë nënën e tij, T.B., duke ushtruar dhunë fizike në shtëpi.

    Sipas Prokurorisë, i dyshuari, F.B., i cili ka pasur çrregullime mendore dhe është përfshirë më herët në raste të dhunës në familje, është në hetime.

    Viktima është dërguar për obduksion, ndërsa Prokuroria po vazhdon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

    Njoftimi i plotë:

    Prizren, 21 Janar 2026 – Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, informon opinionin publik se në fshatin Restelicë, Komuna e Dragashit, ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë.Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, dyshohet se rasti ka ndodhur brenda familjes. I dyshuari, F.B., dyshohet se ka privuar nga jeta nënën e tij, T.B., duke ushtruar dhunë fizike në shtëpinë e tyre në fshatin Restelicë.

    Pas pranimit të informatës në orët e hershme të mëngjesit, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, krim-teknikën dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), me qëllim të zhvillimit dhe përfundimit të procedurave hetimore në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit viktima është dërguar për obduksion në IML.Nga të dhënat zyrtare të prokurorisë, rezulton se i dyshuari ka pasur çrregullime mendore, si dhe ka qenë më herët i përfshirë në tri (3) raste penale të dhunës në familje, të trajtuara nga Prokuroria e Prizrenit. Një (1) rast është trajtuar gjatë vitit 2024, ndërsa dy (2) raste gjatë vitit 2021. Për këto raste, Prokuroria ka ndërmarrë veprimet ligjore përkatëse, ka ngritur aktakuza dhe për të njëjtat raste janë nxjerrë aktgjykime dënuese.

    Prokuroria Themelore në Prizren është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të vdekjes.

  • Prokuroria vazhdon aksionin kundër grupit të dytë të të dyshuarve për manipulim me vota në Prizren, intervistohen disa persona

    Prokuroria vazhdon aksionin kundër grupit të dytë të të dyshuarve për manipulim me vota në Prizren, intervistohen disa persona

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës-Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, si dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), respektivisht në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren, po vazhdojnë hetimet e zgjeruara lidhur me grupin e dytë të dyshuarve në Prizren.

    Hetimet, siç thuhet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin XVIII lidhur me shkeljen e të drejtave të votimit dhe Kapitullit XXXIII Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    “Duke marrë parasysh interesimin e madh të mediave, Prokuroria Themelore në Prizren njofton se gjatë ditës, pas intervistimit të të dyshuarve në polici, do të lëshohet një komunikatë shtesë me informacione mbi veprimet dhe zhvillimet e mëtejme hetimore”, thuhet në njoftimin për media.